Në politikë, shpeshherë më shumë kuptim kanë ato që nuk thuhen sesa ato që shfaqen para kamerave me buzëqeshje diplomatike apo fjalime të përgatitura me kujdes. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dëshmoi këtë përsëri gjatë vizitës së saj të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në konferencën pasuese në Prishtinë. Nga njëra anë, në ShBA ajo bëri përpjekje për të ngjallur simpati e mbështetje politike për vetveten, madje duke mos kursyer as lavdërimet për presidentin Trump, e nga ana tjetër në konferencën në Prishtinë mbajti një qëndrim të tensionuar dhe pa asnjë reflektim mbi realitetin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit që ajo udhëheq. Por, në gjithë këtë shfaqje politike, ajo çfarë spikat më shumë janë pikërisht ato që Vjosa Osmani nuk tha.
Në vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara, Osmani befasoi opinionin me tonin e lartë lavdërues ndaj Donald Trumpit dhe administratës së tij. “Presidenti Trump ishte ndër të parët që mbështeti marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë”, deklaroi ajo, duke lënë të nënkuptohet se ai ka qenë faktor i rëndësishëm për shtetësinë e Kosovës. Një qëndrim i tillë është thellësisht hipokrit nëse e krahasojmë me pozicionimin e saj dhe të sektit partiak Guxo në vitin 2020, kur marrëveshja e Uashingtonit, nënshkruar nga kryeministri Abdullah Hoti, u denoncua si e dëmshme, jokushtetuese dhe proserbe. Vjosa atëherë nuk kurseu deklaratat për ta quajtur atë marrëveshje si “kërcënim për sovranitetin” dhe “dorëzim të Veriut”, ndërkohë që sot, për interesa personale dhe për ndërtimin e imazhit në arenën ndërkombëtare, ajo e lavdëron me entuziazëm pikërisht atë platformë të cilën dikur e konsideronte si kapitulluese. Kjo është një ndër kontradiktat më të mëdha politike të saj, që tregon jo vetëm mungesë konsekuence, por edhe përpjekje të qëllimshme për të manipuluar opinionin ndërkombëtar e qe besa edhe opinion e brendshëm.
Por, ajo që nuk tha Vjosa Osmani në atë fjalim, ishte se vetë ajo, për katër vjet, ka qenë pjesë aktive në pengimin e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke ndjekur politikën e Albin Kurtit për të bllokuar çdo marrëveshje që nuk vinte nga qeveria e tyre. Ajo nuk tha se nuk ka bërë asgjë për të avancuar dialogun me partnerët evropianë dhe se, përkundrazi, ka kontribuar në ftohjen e raporteve me ta.
Në Prishtinë, pas kthimit nga ShBA-ja, Osmani doli para mediave për të përsëritur të njëjtin diskurs për rrezikun nga Serbia dhe “qëndrueshmërinë e institucioneve të Kosovës”. Por, ajo që nuk tha dhe që është shumë më e rëndësishme, është se vetë Presidenca nuk ka pasur asnjë informacion të besueshëm dhe të hershëm për rrezikun konkret nga Serbia gjatë krizave në Veri, përfshirë edhe sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023. Shih këtu deklaratat e Ambasadës gjermane në Prishtinë. Dhe, nëse paska qenë, ta supozojmë e vërtet, pra nuk e tha me kohë dhe në Prishtinë, por ca muaj me vonesë dhe atë në ShBA. Ajo nuk e pranoi se shërbimet inteligjente kishin dështuar dhe as nuk ofroi ndonjë shpjegim se pse Presidenca nuk ka një mekanizëm funksional të sigurisë. Ajo nuk tha se kishte mashtruar opinionin publik se “institucionet janë të informuara për çdo kërcënim”, ndërkohë që reagimet e tyre vinin gjithmonë me vonesë dhe shpesh të koordinuara për propagandë më shumë sesa për veprim efektiv. Në fakt, zonja Osmani nuk tha as se ka gënjyer në mënyrë të përsëritur për raportimet që i ka bërë komunitetit ndërkombëtar, sidomos kur përfaqësues të BE-së apo ShBA-së e akuzonin Kosovën për mungesë koordinimi dhe për retorikë të dëmshme politike.
Presidentja nuk tregoi se për këto katër vjet të mandatit të saj, Kosova nuk ka pasur asnjë progres domethënës në politikën e jashtme. Nuk pati njohje të reja, nuk pati asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, madje as në UNESCO apo Interpol – objektiva që ishin shpallur si prioritete të politikës së jashtme. Nuk tha se dështimet diplomatike janë pasojë e qasjes konfliktuoze të saj dhe të qeverisë, duke përjashtuar opozitën nga të gjitha proceset, duke denigruar çdo marrëveshje që nuk është nënshkruar nga Qeveria Kurti dhe duke mos ndërtuar konsensus kombëtar për çështjet madhore. Zonja Osmani nuk e tha të vërtetën se e ka kthyer Presidencën në një zgjatim të partisë së Albin Kurtit dhe të sektit brenda saj, Guxo, dhe në një zyrë shërbimi për militantet e tyre. Ajo nuk pranoi kurrë publikisht se në vend që të jetë mbi palët, siç e kërkon Kushtetuta, ajo ka funksionuar si zëdhënëse politike e Vetëvendosjes.
Një prej mëkateve politike më të rënda të Vjosa Osmanit është mënyra se si e ka trajtuar marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri Abdullah Hoti në vitin 2020. Për katër vjet rresht, ajo e ka demonizuar këtë marrëveshje, e ka paraqitur si “tradhti kombëtare” dhe si “përkulje para Serbisë”. Megjithatë, në mënyrë ironike dhe hipokrite, shumë nga pikat e asaj marrëveshjeje janë përdorur si bazë edhe nga Qeveria Kurti për të negociuar më tej. Madje, edhe pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve për të vënë rend në procesin e dialogut, shumë nga sugjerimet e marrëveshjes Hoti janë rikthyer në tavolinë. Por, Vjosa Osmani nuk kërkoi falje. Ajo nuk tha “më falni” që kam mashtruar qytetarët e Kosovës me retorikë të pabazë dhe ideologjike, që kam ndihmuar në përçarjen e skenës politike për interesa të ngushta personale. Ajo nuk tha që i ka detyruar strukturat shtetërore të veprojnë në funksion të partisë dhe jo të interesit publik.
Ajo që Vjosa Osmani nuk tha, është sigurisht më e rëndësishme sesa ajo që tha. Nuk tha që nuk është më përfaqësuese e unitetit qytetar. Nuk tha se ajo dhe Donika Gërvalla kanë mbushur ambasadat me dilitantë politikë dhe analfabetë.
Në asnjë moment, presidentja Osmani nuk e pranoi që gjatë katër vjetëve të mandatit të saj – një periudhë tejet kritike për shtetin e Kosovës – politika e jashtme e vendit ka pësuar regres të dukshëm. Ajo nuk tha se përkundër pozicionit të saj, që në çdo shtet funksional shfrytëzohet për të ndërtuar ura diplomatike dhe për të rritur prestigjin ndërkombëtar të vendit, ajo në fakt ka shërbyer si zëdhënëse dhe mbrojtëse e një linje të vetme politike – asaj të kryeministrit, Albin Kurti. Për më keq, ajo nuk e tha se është mashtruar ose e ka fshehur të vërtetën kur u raportua se Serbia gati e kishte sulmuar Kosovën – një situatë që kërkon transparencë të menjëhershme për popullin.
Për një presidente, e vërteta nuk është zgjedhje taktike, është detyrim moral. Ajo nuk tha se ajo marrëveshje solli njohje të rëndësishme për Kosovën në arenën ndërkombëtare, si ajo nga Izraeli. Nuk tha që marrëveshja përfshinte projekte të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe integrimin rajonal. Dhe, nuk tha që, me gjithë propagandën e saj të ashpër kundër kësaj marrëveshjeje, në fund asnjë hap konkret nuk është bërë për ta zëvendësuar atë me një marrëveshje më të mirë. As falje nuk kërkoi për këtë linçim publik të një përpjekjeje serioze për avancimin e interesave shtetërore. Ajo nuk tha se për katër vite nuk ka ndërtuar një model të ri qeverisës presidencial, por vetëm ka ndjekur linjën e partisë në pushtet, pa asnjë kritikë, pa asnjë distancë. Në thelb, Vjosa Osmani nuk është sjellë si presidente, por si zëdhënëse e Albin Kurtit.
Ajo që populli i Kosovës do të dëshironte të dëgjonte prej saj, ndoshta nuk është asgjë më shumë sesa një fjalë e thjeshtë: Falje.
Falje për mashtrimet; falje për dështimet; falje për arrogancën; falje për heshtjen; falje që i trajtoi qytetarët si spektatorë të një teatri politik, ku fjala “shtet” përkthehej në interes partiak, e fjala “presidente” në heshtje të qëllimshme.
Në fund, kjo analizë nuk është thjesht një kritikë ndaj një figure të vetme politike, por një reflektim mbi mënyrën se si udhëheqësit tanë përdorin fjalët për të fshehur të vërtetat më thelbësore. Vjosa Osmani është simbol i një politike që jeton në dritën e kamerave, por hesht përballë pasqyrës së përgjegjësisë. Ajo që nuk tha flet më shumë se çdo konferencë shtypi. Dhe, pikërisht kjo është tragjedia politike e Kosovës sot – një Republikë që endet në mjegullën e premtimeve të pambajtura dhe heshtjeve të qëllimshme.
The post Çfarë nuk tha Vjosa Osmani appeared first on Telegrafi.