Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2025Telegrafi

Një person dyshohet se është lënduar në Kanionin e Mirushës – ShKShMK nis operacion shpëtimi

20 July 2025 at 18:56

Një person dyshohet se ka pësuar lëndime në Kanionin e Mirushës këtë të shtunë, sipas një njoftimi nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK).

Përmes një postimi në Facebook, ky shërbim bëri të ditur se ekipet e shpëtimit janë nisur menjëherë në një operacion emergjent pas pranimit të një thirrjeje urgjente.

“Pas pranimit të thirrjes urgjente në qendrën e thirrjeve, shpëtuesit malor të ShKShMK janë nisur në një operacion shpëtimi në Kanionin e Mirushës. Sipas informacioneve të para kemi të bëjmë me një lëndim të një qytetari, ekipet tona janë në vendngjarje. Në vazhdim do të njoftoheni me detajet e zhvillimit të operacionit”, thuhet në njoftim.

Nuk janë dhënë ende detaje të tjera mbi gjendjen e të lënduarit apo shkaqet e incidentit. Autoritetet po vazhdojnë punën në terren.

The post Një person dyshohet se është lënduar në Kanionin e Mirushës – ShKShMK nis operacion shpëtimi appeared first on Telegrafi.

Dalin detajet: Cilat klube u ‘pasuruan’ nga Kupa e Botës për Klube – dy prej tyre fituan mbi 100 milionë

20 July 2025 at 18:51

Klubet evropiane pjesëmarrëse në këtë edicion të Kupës së Botës për Klube kanë përfituar më shumë se 62 për qind të totalit të shpërblimeve financiare, ndërsa klubet nga Amerika e Jugut kanë arkëtuar 20 për qind, kryesisht falë paraqitjes së Fluminense në gjysmëfinale.  

Chelsea dhe Paris Saint-Germain kanë fituar më shumë se 100 milionë euro secila, falë rrugëtimit të tyre deri në finalen e turneut.  

Përpara zhvillimit të turneut të kësaj vere, FIFA kishte konfirmuar se fondi total i çmimeve për këtë edicion do të ishte 1 miliard euro, nga të cilat 525 milionë euro do të ndaheshin për pjesëmarrjen e ekipeve, ndërsa 475 milionë të tjera do të shpërndaheshin bazuar në performancën e tyre gjatë turneut.  

Edhe pse nuk është publikuar zyrtarisht shuma që mori secili klub evropian vetëm për pjesëmarrjen, sipas Sports Business Journal, Chelsea, fituese e turneut dhe PSG, si finaliste, përfituan mbi 100 milionë euro secila, duke arkëtuar respektivisht 85 milionë dhe 75 milionë euro për performancën në garë, plus bonuse shtesë.  

Inter Miami fitoi më shumë se 21 milionë euro pasi arriti deri në fazën e 1/16-ave, ku Lionel Messi dhe shokët e tij u eliminuan nga PSG.  

Ndërkohë, LAFC fitoi 10.55 milionë euro, në sajë të barazimit në fazën e grupeve me Flamengon, ndërsa Seattle Sounders, të cilët humbën të tre ndeshjet e tyre në grup, morën shumën minimale prej 9.55 milionë eurosh.  

Nga Meksika, Pachuca gjithashtu përfitoi 9.55 milionë euro, duke humbur të tre ndeshjet e saj, ndërsa Monterrey, që u kualifikua nga faza e grupeve, barazoi shifrën prej 21 milionë eurosh me Inter Miami.  

Në total, klubet evropiane grumbulluan më shumë se 62 për qind të fondit total të çmimeve, ndërsa klubet nga Amerika e Jugut morën 20 për qind, me Fluminense si kontribuesin kryesor pas arritjes së saj në gjysmëfinale.  

Përfaqësuesi i vetëm nga Oqeania, Auckland City, regjistroi shifrën më të ulët të fitimeve me 4.58 milionë euro, një shumë e konsiderueshme për një klub gjysmë-profesionist nga Zelanda e Re./Telegrafi/

The post Dalin detajet: Cilat klube u ‘pasuruan’ nga Kupa e Botës për Klube – dy prej tyre fituan mbi 100 milionë appeared first on Telegrafi.

Mickoski: Po punohet në segmentin rrugor Klimeshtan-Ohër

20 July 2025 at 18:50

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski përmes një video postimi në profilin e tij në Fejsbuk informon se në segmentin nga Klimeshtani deri në Ohër po punohet intensivisht.

Siç njofton ai, në projekt janë përfshirë rreth 1.100-1.200 punëtorë me mbi 400 kamionë dhe më shumë se 100 eskavatorë teksa aktivitetet po kryhen përgjatë gjithë trasesë së autostradës, 20 kilometrat e para të së cilës u lëshuan javën e kaluar.

“Në këto tetë muaj, mbi 400 kamionë kanë punuar në segmentin nga Klimeshtani deri në Ohër, mbi 100 eskavatorë të llojeve të ndryshme janë përfshirë gjithashtu në punë, ka edhe makineri të specializuara, veçanërisht për nënkalime. Sa i përket numrit të punëtorëve të angazhuar, diku rreth 1.100 -1.200 punëtorë po punojnë përgjatë gjithë trasesë së autostradës.

Koha e Maqedonisë po vjen, po ndërtojmë themelet e ndryshimit”, shkruan kryeministri.

Sipas njoftimeve segmenti nga Klimeshtani deri në Ohër pritet të lëshohet për qarkullim në fund të verës.

The post Mickoski: Po punohet në segmentin rrugor Klimeshtan-Ohër appeared first on Telegrafi.

IPK arreston një zyrtare policore e dyshuar për keqpërdorim të detyrës

20 July 2025 at 18:42

Hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtare policore me dyshimin se e njëjta ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” kurse me vendim të prokurorit të njëjtës i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Bazuar në autorizimet ligjore, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar edhe suspendimin e zyrtares policore e cila ishte e angazhuar me detyrë në Pikën e Kalimit Kufitar Glloboçicë, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje – Kaçanik.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarja policore duke shfrytëzuar bazën e të dhënave të policisë kufitare në mënyrë të paautorizuar, ka verifikuar dhe regjistruar në sistemin të dhënat e një qytetari – shtetas i Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftim.

Qytetari nuk ka qenë fare prezent në këtë pikë kalim kufitar  kurse dyshimet janë se zyrtarja policore ka bërë këtë regjistrim që të vërtetonte nëse shtetasi i Republikës së Serbisë ishte apo jo në kërkim policor.

Hetuesit e IPK-së në koordinim më Prokurorinë Themelore në Ferizaj njoftuan se do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti./Telegrafi/

The post IPK arreston një zyrtare policore e dyshuar për keqpërdorim të detyrës appeared first on Telegrafi.

Amerikanin me zinxhir metalik në qafë e tërheq aparati i rezonancës magnetike – humbje jetën nga lëndimet e marra

20 July 2025 at 18:41

Një burrë 61-vjeçar në Nju Jork ka vdekur, pasi u ‘thith’ nga një aparat imazherie me rezonancë magnetike këtë javë, tha policia e qarkut Nassau të premten.

Burri mbante një zinxhir të madh metalik dhe hyri në një dhomë pa autorizim, ndërsa aparati i rezonancës magnetike, i cili përdor një fushë të fortë magnetike, ishte duke punuar në një zyrë mjekësore në Westbury të mërkurën pasdite, tha policia.

Gjerdani metalik bëri që ai “të tërhiqej nga aparati, gjë që rezultoi në një episod mjekësor”, tha policia, duke vënë në dukje se incidenti ndodhi rreth orës 4:30 pasdite, transmeton Telegrafi.

Ai u shpall i vdekur nga plagët e tij në një spital të enjten, tha policia në përditësimin e së premtes.

Rregullat e sigurisë që lidhen me aparatet e rezonancës magnetike kërkojnë që njerëzit të mos sjellin asgjë metalike në dhomën e procedurës.

Pacientëve zakonisht u kërkohet të ndërrojnë rrobat, para se të hyjnë dhe të kontrollohen për çdo implant ose metal në trupin e tyre.

“Kontrolli i kujdesshëm i njerëzve dhe objekteve që hyjnë në mjedisin e rezonancës magnetike është kritik për t’u siguruar që asgjë nuk hyn në zonën e magnetit që mund të bëhet një predhë”, thotë Administrata e Ushqimit dhe Barnave në faqen e saj të internetit në lidhje me praktikat e sigurisë që lidhen me rezonancën magnetike.

Zyra e rezonancës magnetike ku ndodhi incidenti, Nassau Open MRI, është në Westbury, një komunitet me rreth 15,000 banorë në qarkun Nassau në Long Island. /Telegrafi/

 

The post Amerikanin me zinxhir metalik në qafë e tërheq aparati i rezonancës magnetike – humbje jetën nga lëndimet e marra appeared first on Telegrafi.

Vesa Luma me dedikim emocionues për Armend Rexhepagiqin pas koncertit: Jemi me fat që jetojmë në të njëjtën kohë me ty

20 July 2025 at 18:39

Këngëtari i mirënjohur shqiptar, Armend Rexhepagiqi, ka mbajtur të shtunën (19 korrik) një koncert madhështor në Prishtinë.

Kjo për të prezantuar albumin e tij më të ri të titulluar “Dashni e Vjetër”, të cilin e solli pak javë më parë.

Për këtë u bë një reagim nga Vesa Luma, e cila ishte e pranishme në event, duke i uruar më të mirat.

Foto: Screenshot/Instagram

Artistja shqiptare e vlerëson tejet shumë meqë kanë punuar bashkë edhe në disa projekte.

Për më shumë, ndiqni të plotë reagimin e Lumës (pa ndërhyrje):

“Infuzion artistik mbreme me Armendin tone,qe u rikthye fuqishem ashtu sic e meriton nje Artist i kalibrit te tij!!

Si femije kam pas fatin te jem pjese e shume projekteve te Armendit e Aides ne festivale,kenge e klipe, aty,ku per here te pare kuptova si punohet me profesionalizem te pashoq.

Gjate rritjes time si artiste,kemi punuar shume gjate bashke dhe mund te them me plot bindje qe procesi krijimit me Armendin eshte shkolle me vete! Pikerisht aty,ne studio ,teksa regjistron kengen me te, e kupton sa shume hapa para cdo kompozitori tjeter shqiptar eshte,edhe sot e kesaj dite, qe po festojme nje kapitull te ri per te, dhe per te gjithe ata qe nuk besuan asnjehere qe mund te rikthehet me aq pasion e duke marr dashuri nga publiku si heren e pare.

Mbreme teksa po kendonin publiku ne kor edhe kenget e tij te albumit te ri, Armendi na dha te gjitheve shprese qe po vjen nje kohe me e mire per muziken shqiptare!

Mbi te gjitha shume, jam shume e lumtur per Armend Rexhepagiqin ,orkestren dhe gjithe stafin qe ka punuar per te sjell ne jete, nje mbremje muzikore ,qe do ta mbajme mend gjate!

Urime mik,jemi me fat qe jetojme ne te njejten kohe me ty”. /Telegrafi/

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Vesa Luma (@vesaluma)

The post Vesa Luma me dedikim emocionues për Armend Rexhepagiqin pas koncertit: Jemi me fat që jetojmë në të njëjtën kohë me ty appeared first on Telegrafi.

Sancho arrin marrëveshje me klubin e ri – tifozët e Man Utd të habitur nga çmimi i tij

20 July 2025 at 18:29

Jadon Sancho raportohet se ka arritur marrëveshje për t’u larguar përfundimisht nga Manchester United me një transferim të përhershëm. 

Pas huazimit gjatë sezonit 2024/2025 te rivali i Ligës Premier, Chelsea, Sancho u rikthye te United pasi ‘Blutë e Londrës’ vendosën të mos e blinin përfundimisht sulmuesin anglez. 

Në 31 paraqitje në Ligën Premier me fanellën e klubit londinez, Sancho realizoi tre gola dhe dha katër asistime. 

Që atëherë, 25-vjeçari është lidhur me disa klube evropiane dhe nga Arabia Saudite, përfshirë Borussia Dortmund, West Ham United dhe Juventus. 

Më herët këtë muaj u raportua se gjigantët italianë të Juventusit ishin të gatshëm të përfshinin tre lojtarë në një marrëveshje shkëmbimi për Sancho. 

Tashmë është raportuar se Sancho ka arritur marrëveshje personale me klubin nga Serie A. 

Sipas mediumit italian Sportmediaset, ekziston një ‘marrëveshje e plotë’ mes Sanchos dhe Juventusit për një kontratë katërvjeçare me vlerë 6 milionë euro në vit. 

Po ashtu, thuhet se Juventusi është i gatshëm të paguajë 15 milionë euro për kartonin e Sanchos, ndërsa me bonuse marrëveshja mund të arrijë deri në 21.6 milionë, që përkon me kërkesën e Manchester United. 

Para se të hynte në bisedime me Juventusin, Sancho, i cili aktualisht fiton rreth 300,000 mijë euro në javë te Manchester United, i dështoi një kalim i mundshëm te Fenerbahçe. 

Gjigantët turq raportohet se ishin të gatshëm t’i ofronin Sanchos 8.5 milionë në vit, por marrëveshja nuk u finalizua./Telegrafi/

The post Sancho arrin marrëveshje me klubin e ri – tifozët e Man Utd të habitur nga çmimi i tij appeared first on Telegrafi.

Përzgjidhen projektet e dhjetë animatorëve të rinj – përfundon me sukses edicioni i parë i iniciativës Anibar Pro – Genesis

20 July 2025 at 18:25

Gjatë edicionit të 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar, u përmbyll me sukses iniciativa më e re profesionale Anibar Pro – Genesis.

Në këtë ngjarje të veçantë u duartrokit progresi dhe potenciali i talentëve të rinj në industrinë e animacionit.

Kjo nismë francezo-kosovare, e realizuar në bashkëpunim me Institutin Francez në Kosovë dhe e mbështetur nga Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Ambasada Franceze në Kosovë, është kthyer në një shtyllë të rëndësishme të misionit të festivalit për fuqizimin e krijuesve të rinj dhe zhvillimin e industrive kreative në rajon.

Gjatë pesë ditëve të festivalit i cili mbajt në Pejë, 18 animatorë te rinj prezantuan konceptet e filmave të tyre para një audience ndërkombëtare të përbërë nga producentë, studio dhe mentorë, në kuadër të Genesis Pitching Sessions. Programi profesional përfshiu gjithashtu punëtori, panele diskutimi dhe aktivitete rrjetëzimi me fokus në ndërmarrësi, mentorim dhe tregim etik.

Drejtori Ekzekutiv i Anibar, Vullnet Sanaja, vlerësoi ndikimin e programit Genesis dhe ndau vizionin e tij për të ardhmen, duke theksuar se kjo iniciativë ishte vetëm faza e parë e një rruge të gjatë që do të vazhdojë me më shumë mundësi për zhvillim, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për krijuesit e rinj.

Momenti kulmor i ngjarjes erdhi kur anëtarët e jurisë – Olivier Catherin, Corinne Destombes dhe Manon Messiant, figura të njohura të animacionit evropian, shpallën dhjetë projektet e
përzgjedhura që do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre nën përkujdesje profesionale:

● Albana Hajdini – Stick With Me

● Alisa Fejza – Fading Echoes

● Bleona Brahimi – Inside the Box

● Diellza Franca – At Hana’s

● Erza Qorrolli – Engji

● Finesa Peja – Cice!

● Kaltrina Berisha – Imagine if You Can’t Imagine the Imaginable

● Leonita Thaqi – Liminal

● Rina Lasku – No More Dirt

● Yll Avdiu – As the Forest Whispers

Të përzgjedhur për origjinalitetin, vizionin dhe potencialin e tyre artistik, këta krijues të rinj do të përfitojnë nga mentorim i strukturuar, punëtori dhe masterklasa me producentë e ekspertë të animacionit. Secili prej tyre do të lidhet me një nga producentët që takuan gjatë Genesis, duke siguruar kështu udhëzim të vazhdueshëm për zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të tyre.

Me përfundimin e edicionit të parë, Anibar Pro – Genesis është pozicionuar si një shtyllë e fuqishme në kuadër të festivalit. Më shumë se një platformë për përzgjedhje të projekteve, ky program shndërrohet në një inkubator të qëndrueshëm kreativ që ndërton ura mes animatorëve te rinjë në Kosovë dhe tregut ndërkombëtar.

Ndërsa perdet mbyllen për këtë edicion, një gjë është e qartë: zërat e këtyre të rinjve sapo kanë nisur të dëgjohen. Gjenerata e re e animatorëve është këtu, dhe e ardhmja e tyre duket premtuese.

The post Përzgjidhen projektet e dhjetë animatorëve të rinj – përfundon me sukses edicioni i parë i iniciativës Anibar Pro – Genesis appeared first on Telegrafi.

Vdekje e dyshimtë në Klinë, policia jep detaje

20 July 2025 at 18:19

Një person ka humbur jetën këtë të diel në qytetin e Klinës, në rrethana ende të paqarta.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se fillimisht autoritetet janë njoftuar për një zjarr në atë zonë.

“Në vendin e ngjarjes, policia ka vërejtur një person të shtrirë në tokë, me lëndime trupore”, deklaroi Gashi.

Viktima është dërguar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe më pas në repartin e emergjencës, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

Aktualisht nuk është konfirmuar nëse vdekja ka ndodhur si pasojë e zjarrit apo për ndonjë shkak tjetër.

Policia dhe njësitë përkatëse janë duke hetuar rrethanat e plota të rastit./Telegrafi/

The post Vdekje e dyshimtë në Klinë, policia jep detaje appeared first on Telegrafi.

Pamje rrëqethëse që përshkruajnë gjendjen e vështirë të druzëve në Siri, militantët i detyrojnë të hidhen për vdekje nga ballkoni

20 July 2025 at 18:18

Një video shqetësuese tregon militantët duke i detyruar burrat druzë të hidhen për vdekje nga një ballkon, ndërsa ata qëllohen me plumba.

Pamjet rrëqethëse përmbledhin gjendjen e vështirë të popullit druz në Siri, ndërsa vendi vazhdon të zhytet në konflikt sektar, transmeton Telegrafi.

Luftimi është sfida më e fundit për kontrollin e qeverisë së dominuar nga islamistët e Sharaa-s, e cila mori pushtetin pasi rebelët rrëzuan presidentin autokratik Bashar al-Assad në dhjetor.

Ai vë në fokus sigurinë e brishtë të vendit, ndërsa qeveria e re përpiqet të imponojë autoritetin e saj mbi vendin e përçarë dhe ndarjet e tij të thella sektare.

Konflikti filloi javën e kaluar si përleshje midis druzëve – një pakicë fetare vendase në Sirinë jugore, Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli dhe pjesë të Libanit dhe Jordanisë – dhe fiseve beduine siriane.

Forcat qeveritare më pas mbërritën për të provuar të shuanin tensionet, duke u përleshur me persona të armatosur druzë dhe duke sulmuar komunitetin druz.

Dhuna e fundit i vuri përsëri druzët kundër beduinëve, thanë dëshmitarët.

Luftimet kanë përfshirë edhe Izraelin fqinj, i cili kreu sulme ajrore në Sirinë jugore dhe në ministrinë e Mbrojtjes në Damask këtë javë, ndërsa forcat qeveritare po luftonin me druzët.

Izraeli thotë se po mbron druzët, të cilët gjithashtu përbëjnë një pakicë të konsiderueshme në Izrael. /Telegrafi/

The post Pamje rrëqethëse që përshkruajnë gjendjen e vështirë të druzëve në Siri, militantët i detyrojnë të hidhen për vdekje nga ballkoni appeared first on Telegrafi.

‘Lodrat’ që ndezën rrjetin – diss-e të fshehura mes Eglit dhe motrës së Gjestit?

20 July 2025 at 16:58

Një shkëmbim i pazakontë videosh në rrjete sociale ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve ditët e fundit, duke rikthyer në qendër të vëmendjes tensionet e nënkuptuara mes Egli Takos dhe familjarëve të Gjestit, me të cilin ajo ka qenë e përfshirë në një raport gjatë Big Brother VIP Albania 4.

Gjithçka nisi kur Egli në një video ku mban në dorë një lodër “Labubu” dhe me ironi u drejtohet ndjekësve me pyetjen: “Ju kujton dikë?”.

Kjo deklaratë e shkurtër u interpretua gjerësisht si një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj Gjestit, duke përforcuar spekulimet për një përçarje të mundshme ose zënkë mes tyre.

Foto: Screenshot/Instagram

Por nuk vonoi as përgjigjja.

Blerina, motra e Gjestit, publikoi më pas një video ku mban në dorë një lodër në formën e një gomari dhe e shoqëron me: “Çka është kjo?”, duke shtuar më tej: “Sa njeriu është si ky”, një fjali që u mor gjerësisht si një përgjigje e koduar, ndoshta ironike ndaj videos së Eglit.

Foto: Screenshot/Instagram

Këto postime, ndonëse pa emra të drejtpërdrejtë, kanë ndezur menjëherë komentet dhe analizat në rrjet, ku fansat e të dyja palëve kanë filluar të zbërthejnë secilin detaj si pjesë e një ‘lufte të heshtur’ virtuale.

Në mungesë të një reagimi zyrtar nga vetë protagonistët, rrjeti vazhdon të lexojë mes rreshtash, ku edhe lodrat janë kthyer në mjete për të shprehur emocionet dhe thumba të fshehta. /Telegrafi/

 

The post ‘Lodrat’ që ndezën rrjetin – diss-e të fshehura mes Eglit dhe motrës së Gjestit? appeared first on Telegrafi.

‘Santiago Bernabeu’ po i kthen shpinën Viniciusit? Legjenda e Real Madridit ngre alarmin

20 July 2025 at 16:50

Ish-lojtari dhe drejtori sportiv i Real Madridit, Predrag Mijatovic, ka dhënë një paralajmërim për ‘Los Blancos’ lidhur me Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior, duke deklaruar se dashuria e tifozëve për sulmuesin brazilian është zbehur gjatë viteve të fundit. 

Mbappe pati një sezon debutues mbresëlënës në ‘Santiago Bernabeu’, duke shënuar 44 gola në 59 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Megjithatë, francezi nuk arriti të fitojë ndonjë trofe në Spanjë dhe Real Madridi u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Arsenali. 

Vinicius Junior pati një sezon nën pritshmëri në aspektin e golave, duke realizuar vetëm 22 herë në 58 ndeshje në të gjitha garat. 

Sipas Mijatovic, rënia e papritur e formës së yllit të Brazilit mund të ketë ndikuar në zvogëlimin e përkrahjes që ai më parë gëzonte nga tifozët. 

“Kur duhet të rinovosh skuadrën dhe të kërkosh pasuesit e Modric, Kroos dhe Casemiro, nuk mund ta ribësh ekipin përnjëherë, për vetëm një verë. Klubi duhet të marrë disa vendime të rëndësishme këtë verë”. 

“Nëse Vinicius, Mbappe apo Rodrygo nuk janë të lumtur dhe nuk ndiejnë mbështetjen e klubit, ata nuk mund të japin maksimumin”. 

“Nuk e di nëse tifozët janë ende të dashuruar me Viniciusin siç ishin para dy apo tre vitesh, apo nëse ai i respekton ende ata në të njëjtën mënyrë”. 

“E them gjithmonë, grumbullimi i lojtarëve të mëdhenj, me shumë vlerë në treg, është shpesh kundërproduktive. Ke një aset që vlen shumë, por nuk arrin të përfitosh maksimumin prej tij”. 

“Me kalimin e muajve, lojtari nuk është i lumtur dhe nuk dihet nëse do të mund ta shesësh vitin tjetër”, ka thënë Mijatovic./Telegrafi/

The post ‘Santiago Bernabeu’ po i kthen shpinën Viniciusit? Legjenda e Real Madridit ngre alarmin appeared first on Telegrafi.

Janevska: Asistentët arsimor për nxënësit me aftësi të posaçme, nuk mund të fitojnë statusin e të punësuarit të përhershëm

20 July 2025 at 16:50

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska tha se asistentët arsimor të angazhuar në shkolla nuk mund të fitojnë statusin të punësuar të përhershëm sepse nevojat në shkolla janë të ndryshueshme.

Ajo sqaroi se asnjë fëmijë nuk do të mbetet pa asistentë pavarësisht që angazhimi i tyre është i përkohshëm.

Kohë më parë, prindërit e disa fëmijëve më aftësi të posaçme ngritën zërin se ndërrimi i shpeshtë i asistentëve ndikon në përparimin e duhur të fëmijëve.

Në një intervistë për radio Evropa e Lirë, Janevska tha se numri i asistentëve në arsimin fillor është 1,876, dhe rreth 150 janë planifikuar për arsimin e mesëm.

“Nëse nevojat rriten, ne rrisim numrin e asistentëve. Por fakti është se komisioni i vlerësimit funksional vlerëson se cili fëmijë ka një nevojë. Dhe kur fëmija bën përparim, komisioni do të vlerësojë se nuk ka më nevojë për një asistent, i cili është qëllimi themelor, si në arsim ashtu edhe në jetë, që një fëmijë me nevoja të veçanta arsimore të jetë i pavarur. Pra, ndonjëherë, Komisioni do të thotë se nuk ka më nevojë për asistentë arsimorë, dhe prindërit ende duan një asistent arsimor, ky është një nga problemet me të cilat përballemi. Ndonjëherë prindërit i ngatërrojnë asistentët arsimorë me asistentët personalë mirëpo një asistent personal ka një funksion krejtësisht të ndryshëm”, tha ministrja Vesna Janevska.

The post Janevska: Asistentët arsimor për nxënësit me aftësi të posaçme, nuk mund të fitojnë statusin e të punësuarit të përhershëm appeared first on Telegrafi.

Gledis Nano fiton dhe në apel gjyqin me qeverinë shqiptare, përfiton 100 mijë euro paga

20 July 2025 at 16:44

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar edhe “betejën” e dytë me qeverinë.

Siç raporton Euronews Albania, Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke “çertifikuar” me formë të prerë si të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra.

Me anë të një përgjigje zyrtare, pas një kërkese për informim, administrativja e Apelit bën me dije për Euronews Albania se vendimi është marrë nga gjyqtarët Ardian Dvorani (relator), dhe Gentian Hamiti e Sokol Ibi (anëtarë).

Ky trup gjykues ka rrëzuar ankimin e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme që kërkonin prishjen e vendimit që i dha të drejtë ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Në bazë të vendimit tashmë shteti duhet ti paguajë Nanos 60 paga mujore për 5 vite, rreth 100 mijë euro, sa mandati i parashikuar në ligj, i cili u ndërpre nga shkarkimi i qeverisë në 31 gusht 2022, me argumentin se nuk kishte realizuar objektivat.

Shkarkimi erdhi me propozim të ish-Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ndërsa kryeministri Rama ka pohuar publikisht se i kishte kërkuar dorëheqjen ish-kryepolicit Nano.

Vendimi është marrë më 26 qershor dhe nuk dihet nëse qeveria do të depozitojë rekurs në gjykatën e lartë brenda afatit 30 ditor.

Në borderon e shtetit tashmë do të vijohet të paguhen 2 paga për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa Gledis Nano është kualifikuar nga komisioni i SPAK për në fazën e dytë të garës për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

The post Gledis Nano fiton dhe në apel gjyqin me qeverinë shqiptare, përfiton 100 mijë euro paga appeared first on Telegrafi.

Izraeli lëshon urdhra të rinj evakuimi në qytetin qendror të Gazës, i cili është i mbushur me njerëz

20 July 2025 at 16:41

Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra evakuimi për një pjesë të mbushur me njerëz të Gazës qendrore, ku nuk ka nisur një ofensivë tokësore gjatë 21 muajve të luftës kundër Hamasit.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë të dielën se banorët dhe palestinezët e zhvendosur që strehohen në qytetin Deir al-Balah duhet të evakuohen menjëherë dhe të lëvizin drejt al-Mawasi në bregdetin e Mesdheut, transmeton Telegrafi.

Kërkesa për evakuim, e cila mund të sinjalizojë një sulm të afërt, ka shkaktuar panik të përhapur midis dhjetëra mijëra palestinezëve, si dhe familjeve të pengjeve izraelite që kanë frikë se të afërmit e tyre po mbahen në qytet.

IDF ka kryer sulme ajrore në zonë, por ende nuk ka vendosur trupa tokësore.

Të dielën, ushtria izraelite hodhi fletëpalosje nga qielli duke u urdhëruar njerëzve në disa rrethe në jugperëndim të Deir al-Balah të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të shkojnë më në jug.

“Forcat Mbrojtëse (Izraelite) vazhdojnë të operojnë me forcë të madhe për të shkatërruar aftësitë e armikut dhe infrastrukturën terroriste në zonë”, tha ushtria, duke shtuar se ende nuk kishte hyrë në këto rrethe gjatë luftës.

Lagjet e prekura të Deir al-Balah janë të mbushura me njerëz të zhvendosur që jetojnë në tenda.

Burime izraelite i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se arsyeja pse ushtria ka qëndruar jashtë këtyre distrikteve deri më tani, është sepse dyshojnë se Hamasi mund të mbajë pengje atje.

Të paktën 20 nga 50 pengjet e mbetura në robëri në Gaza besohet se janë ende gjallë.

Shumica e popullsisë së Rripit prej më shumë se dy milionë banorësh është zhvendosur të paktën një herë gjatë luftës së Izraelit me Hamasin, me thirrje të përsëritura izraelite për evakuim që mbulojnë pjesë të mëdha të territorit.

Urdhrat e rinj të evakuimit erdhën ndërsa zyrtarët shëndetësorë në spitalin Shifa të qytetit të Gazës thanë se më shumë se 40 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga zjarri izraelit, ndërsa turma u mblodh për të pritur hyrjen e kamionëve me ndihma të OKB-së të dielën në mëngjes.

Spitalet në jug thanë se më shumë njerëz u vranë gjithashtu në pikat e ndihmës atje.

Të dielën, Papa Leo XIV bëri thirrje për një “fund të menjëhershëm të barbarisë së luftës” dhe kërkoi kundër “përdorimit pa dallim të forcës”.

Komentet e tij erdhën disa ditë pasi një sulm vdekjeprurës izraelit goditi Kishën e vetme Katolike të Gazës, për të cilën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij ndjeu keqardhje të thellë.

Ndërkohë, OKB-ja ka thënë se civilët po vdesin urie në Gaza dhe bëri thirrje për një fluks urgjent të mallrave thelbësore.

Por ka pasur pothuajse çdo ditë raportime për palestinezë të vrarë ndërsa kërkojnë ndihmë që kur Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli filloi operacionet në fund të majit. Dëshmitarët thonë se shumica janë qëlluar nga forcat izraelite. Izraeli thotë se sistemi i ri i shpërndarjes ndalon ndihmën që shkon për Hamasin.

Izraeli nisi luftën e tij në Gaza në hakmarrje për sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023, të cilat vranë rreth 1,200 njerëz dhe çuan në marrjen peng të 251 të tjerëve.

Sulmet izraelite që atëherë kanë vrarë më shumë se 58,895 njerëz në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Shifrat e ministrisë citohen nga OKB-ja dhe të tjerët si burimi më i besueshëm i statistikave të disponueshme mbi viktimat. /Telegrafi/

 

The post Izraeli lëshon urdhra të rinj evakuimi në qytetin qendror të Gazës, i cili është i mbushur me njerëz appeared first on Telegrafi.

Shqetësuese, 5 për qind më shumë raste me kancer çdo vit në Kosovë

20 July 2025 at 16:36

Në Kosovë, numri i rasteve të reja me kancer po rritet me një ritëm prej rreth 5% çdo vit, thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi.

Ai shpjegon se ky trend është rezultat i disa faktorëve, përfshirë ndotjen e ajrit, duhanpirjen apo dietat e paekuilibruara, por edhe i ndërgjegjësimit në rritje të qytetarëve për kryerjen e kontrolleve të rregullta.

Sipas regjistrit klinik të kancerit në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga janari deri në fillim të korrikut 2025 janë regjistruar rreth 1.070 raste të reja me kancer.

Të dhënat në nivel kombëtar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë dekadës së fundit, numri i rasteve të reja ka ndjekur një trend pothuajse të pandërprerë rritjeje.

Kurtishi thekson se një pjesë e konsiderueshme e rasteve vazhdojnë të diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes.

Ai përmend disa faktorë shtesë që ndikojnë në përhapjen dhe përparimin e saj:

“Infeksionet me viruse, përdorimi i substancave kontraceptive, mungesa e aktivitetit fizik e të tjera”.
Organet e sistemit tretës – si zorra e trashë apo stomaku – janë ndër më të cenueshmet nga tumoret malinje, siç njihen ndryshe format e kancerit.
Tumoret në gji dhe në organet gjenitale janë, po ashtu, ndër më të përhapurat.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se gjatë vitit 2024 llojet më të përhapura të kancerit kanë qenë: kanceri i gjirit me 640 raste (17.6%), pasuar nga kanceret e tjera të lëkurës me 587 raste (13.8%), ai i mushkërive dhe bronkeve me 312 raste (8.6%) dhe kanceri i zorrës së trashë me 193 raste (5.3%).

Në total, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2024 u raportuan 3.644 raste të reja me sëmundje malinje.

Sipas statistikave, 51.8% e të prekurve janë gra dhe 48.2% burra, ndërsa grup-mosha më e atakuar është ajo mbi 60 vjeç.

Prevalenca – që tregon se sa persona jetojnë me kancer në një kohë të caktuar – ishte 288.3 raste për 100 mijë banorë në vitin 2024, ndërsa incidenca – që mat rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit – arriti në 227.4 raste për 100 mijë banorë, tregojnë të dhënat e IKSHPK-së.

Sipas këtij instituti, rritja e rasteve me kancer lidhet me faktorë të ngjashëm si në vendet e tjera: ndryshimet demografike, ndotja mjedisore, mënyra e jetesës, përmirësimi i diagnostikimit dhe raportimit, si dhe mungesa e programeve të posaçme për parandalim dhe zbulim të hershëm.

Në pesë vjetët e fundit, trajtimi i pacientëve me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është shtuar dukshëm.

Megjithatë, kapacitetet e Klinikës së Onkologjisë nuk duket se kanë mundur ta përballojnë në mënyrë adekuate këtë rritje.

Kushtet në këtë klinikë vazhdojnë të jenë të kufizuara – qoftë në hapësirë, personel apo pajisje.

Aty janë gjithsej 110 shtretër për pacientët që marrin kimioterapi.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se ky trajtim ofrohet shpesh edhe në salla të improvizuara.

Gjithashtu, pacientët përballen shpesh me pritje të gjata, në mungesë të kapaciteteve – qoftë në mjekë, apo barna.

Stafi mjekësor thekson vazhdimisht nevojën për investime më të mëdha, të cilat edhe bëhen, por shpesh nuk mjaftojnë për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e trajtimit apo për të zbutur fluksin në rritje të pacientëve.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuar vitin e kaluar, rreth 1 në 5 persona zhvillon kancer gjatë jetës dhe afërsisht 1 në 9 burra dhe 1 në 12 gra vdesin nga kjo sëmundje.

Kurtishi thekson rëndësinë e kontrolleve sa më të rregullta, duke vlerësuar se diagnostikimi i hershëm i çdo sëmundjeje rrit ndjeshëm shanset për trajtim të suksesshëm./REL

The post Shqetësuese, 5 për qind më shumë raste me kancer çdo vit në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Milan po punon për finalizimin e tri transferimeve të reja

20 July 2025 at 16:32

Pas transferimit të Samuele Ricci dhe Luka Modric, Milan po shtyn për të finalizuar transferimet e Pervis Estupinan, Marc Pubill dhe Ardon Jashari. 

Sipas La Gazzetta dello Sport, kuqezinjtë janë në garë me kohën për të përfunduar edhe tre përforcime të tjera gjatë afatit kalimtar të verës, pas transferimeve të Riccit dhe Modricit. 

Milani ka qenë në bisedime për një tjetër mesfushor qendror,Ardon Jashari nga Club Brugge dhe dy mbrojtës krahu: Pervis Estupinan nga Brighton (mbrojtës i majtë) dhe Marc Pubill nga Almeria (mbrojtës i djathtë). 

Sipas Gazzettas, Brighton kërkon 23 milionë euro për Estupinan, ndërsa Milani ka paraqitur tashmë dy oferta, e dyta në vlerën e 15 milionë eurove. 

Gjigantët italianë janë ende në negociata me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes, për të arritur një marrëveshje me klubin anglez, pasi vetë Estupinan ka dhënë miratimin për t’u transferuar në ‘San Siro’. 

Në të njëjtën kohë, testet mjekësore më të fundit të kryera nga Pubill në Spanjë kanë bindur Milanin për gjendjen e tij fizike. 

‘Rossonerët’ vazhdojnë negociatat me Almerian dhe shpresojnë të finalizojnë marrëveshjen për rreth 15 milionë euro. 

Së fundmi, Ardon Jashari nuk është përfshirë në skuadrën e Club Brugge për finalen e Superkupës së Belgjikës kundër Union Saint-Gilloise që zhvillohet sot (e diel). 

Talenti zviceran po shtyn për transferimin e tij te Milani dhe agjentët e tij janë takuar dje me Igli Taren në selinë e klubit kuqezi./Telegrafi/

The post Milan po punon për finalizimin e tri transferimeve të reja appeared first on Telegrafi.

Yll Limani dhe Sidarta vijnë me “Paya”

20 July 2025 at 16:30

Yll Limani dhe reperi grek, Sidarta, kanë sjellë një bashkëpunim të ri muzikor që po pritet me interes nga publiku.

Kënga mban titullin “Paya” dhe është publikuar së fundmi, duke sjellë një atmosferë verore me përplot ngjyra.

“Paya” është një këngë ritmike, me ndikime të dukshme të stilit mesdhetar, që reflekton energjinë, ngrohtësinë dhe emocionet e verës.

Foto: Screenshot/YouTube

Ky projekt muzikor është shoqëruar me një videoklip dinamik dhe vizualisht tërheqës, i cili është xhiruar në disa vende, duke theksuar peizazhe natyrore të bukura, plazhe dhe një atmosferë festive.

Ky është bashkëpunimi i parë mes Limanit dhe Sidartës, por që po konsiderohet si një sukses që rrit edhe më shumë profilin ndërkombëtar të këngëtarit shqiptar.

Foto: Screenshot/YouTube

Me vokalin karakteristik të Yllit dhe stilin unik të Sidartës, “Paya” sjell një përzierje kulturore dhe muzikore që i përshtatet perfekt shijeve të publikut gjatë sezonit të verës.

Kënga është publikuar në të gjitha platformat muzikore dhe po gjen mbështetje të gjerë nga fansat në Shqipëri, Kosovë, Greqi dhe më gjerë.

 

Ylli me këtë konfirmon edhe një herë se është një nga emrat më të kërkuar në skenën muzikore shqiptare, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi përtej kufijve. /Telegrafi/

The post Yll Limani dhe Sidarta vijnë me “Paya” appeared first on Telegrafi.

Aksident në Prishtinë – rrokulliset vetura

20 July 2025 at 16:27

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në Prishtinë, konkretisht në rrugën që lidh kryeqytetin me Fushë Kosovën.

Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë një veturë të përmbysur, e cila ka përfunduar me katër rrota përpjetë në mes të rrugës.

Ende nuk dihen shkaqet e sakta të aksidentit dhe nëse ka të lënduar.

Gjithashtu, nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për një vetaksident apo përplasje me ndonjë automjet tjetër.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende ndonjë njoftim zyrtar lidhur me rastin.

The post Aksident në Prishtinë – rrokulliset vetura appeared first on Telegrafi.

Të paktën 67 persona u vranë ndërsa prisnin për ndihmë në Gaza

20 July 2025 at 16:20

Të paktën 67 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 150 janë plagosur ndërsa prisnin për ndihmë në Gaza.

Vdekjet e fundit ndodhën në al Sudaniya në Gazën veriore, ku ndihma po hynte përmes pikës kalimtare Zikim me Izraelin, njoftoi drejtori i spitalit al Shifa.

Më shumë se 150 persona u plagosën, disa në gjendje kritike, sipas spitaleve në zonë.

Bëhet e ditur se në javët e fundit, qindra palestinezë janë vrarë ndërsa prisnin ushqim dhe ndihmë, shkruan skynews.

Të shtunën, trupat izraelite u akuzuan për vrasjen e të paktën 32 personave në dy incidente, në zonën Teina të Rripit të Gazës dhe në qytetin më jugor të Gazës, Rafah, pranë qendrave të shpërndarjes të operuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Vrasjet e fundit nuk ndodhën pranë pikave të shpërndarjes të lidhura me GHF, i cili filloi shpërndarjen e pakove ushqimore në Gaza në fund të majit, pasi Izraeli lehtësoi bllokadën 11-javore të ndihmës në territor.

Ndërsa ushtria izraelite ende nuk ka dhënë asnjë koment mbi vdekjet e së dielës.

Disa dëshmitarë thanë se ushtria izraelite qëlloi mbi turmën, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë nëse ata u vranë nga ushtria izraelite, bandat e armatosura apo nga të dyja.

Ndryshe, ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi në zonat e Gazës qendrore të mbushura me palestinezë të zhvendosur ku nuk ka vepruar deri më tani në luftën e saj me Hamasin.

Kërkesa për evakuim ushtarak, e cila mund të sinjalizojë një sulm të afërt në lagjet në Deir al Balah, alarmoi familjet e pengjeve izraelite, të cilët kanë frikë se të afërmit e tyre po mbahen atje. /Telegrafi/

The post Të paktën 67 persona u vranë ndërsa prisnin për ndihmë në Gaza appeared first on Telegrafi.

❌
❌