Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayTelegrafi

Gara për IA-në i jep Uashingtonit një arsye tjetër për të qenë i ashpër ndaj TikTok-ut

3 April 2025 at 12:51

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Në fillim të këtij viti, presidenti Donald Trump deklaroi se “forcimi i dominimit global të Amerikës në fushën e inteligjencës artificiale [IA]”, ishte qëllim qendror i presidencës së tij. Marrëveshja që ai do të arrijë për të ardhmen e TikTok-ut në tregun amerikan, do të jetë një provë e hershme e asaj se çfarë nënkupton në praktikë “dominimi në IA”. Kjo sepse ByteDance – kompania zotëruese e TikTok-ut – është biznesi kryesor i IA-së në Kinë.

Përdorimi i zgjuar i algoritmeve rekomanduese të IA-së nga ByteDance, fuqizon shpërndarjen e videove të shkurtra të TikTok-ut që shkaktojnë varësi, si dhe reklamave efektive. Por, ekspertiza e saj shkon përtej kësaj. Ajo ka bërë gjithashtu punë mbresëlënëse në nënfusha të tjera të IA-së, përfshirë modelet e mëdha gjuhësore me cilësi të lartë dhe modelet për robotikë.

Lexo po ashtu nga Chris Miller:
Lufta globale e çipave mund të kthehet në luftë të “reve”
Çfarë na mëson për politikën, smartfoni më “kinez”
Teksa makinat kineze po shpejtojnë në tregjet globale, tensionet veçse do të shtohen

ByteDance është po aq qendrore për ekosistemin e IA-së në Kinë sa janë OpenAI apo Meta për atë amerikan. Në rrethet e IA-së, ByteDance ka prestigjin – dhe kapitalin – për të joshur drejtues të lartë nga Google. Ish-punonjësit e kompanisë kanë themeluar një mori startapesh, që nga tregtia ndërkombëtare elektronike deri te IA-ja për kërkime biomjekësore.

Edhe pse startapi DeepSeek ka tërhequr më shumë vëmendje këtë vit, ByteDance mbetet biznesi më i suksesshëm i IA-së në Kinë. Të ardhurat e kompanisë private iu afruan atyre të Meta-s në vitin 2023, duke arritur 40 miliardë dollarë fitime – para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit (metrika e saj e preferuar për përfitim) – nga 25 miliardë sa ishin në një vit më herët. Ndërkohë që pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga njësitë e saj në Kinë, 16 miliardë dollarë erdhën nga shitjet e TikTok-ut për përdoruesit amerikanë.

Përfitimet e ByteDance-it i kanë mundësuar kompanisë të investojë shuma të mëdha për të blerë çipa për IA-në. Vitin e kaluar, ajo bleu afro aq çipa të IA-së nga Nvidia sa edhe Meta – ndonëse varianti i përdorur ishte H20, më cilësi më të ultë, për shkak të ndalimeve të eksportit nga ShBA-ja. Këtë vit, kompania planifikon të shpenzojë 5.5 miliardë dollarë për blerjen e çipave të IA-së nga Huawei dhe kompani të tjera kineze, duke ndihmuar në financimin e zhvillimit të industrisë vendase të çipave për IA-në në Kinë. Dhe, nuk ndalet vetëm te blerja e çipave – raportimet thonë se ajo po eksploron edhe infrastrukturat e tjera teknologjike, si kabllot nënujore.

Ndërkohë që Pekini shtyn përpara përhapjen ndërkombëtare të modeleve të tij të IA-së, prania globale e ByteDance-it është një aset unik.

Trumpi, i cili më parë kishte mbështetur ndalimin e TikTok-ut, por më pas ndryshoi mendje pasi ia atribuoi aplikacionit ndihmën për të arritur te votuesit e rinj, tani po përballet me një vendim që do të ndikojë në garën për IA. Ai ka caktuar si afat datën 5 prill, për të gjetur një blerës jo-kinez për TikTok-un, përndryshe aplikacioni do të ndalohet për arsye të sigurisë kombëtare.

Natyrisht, ndërprerja e qasjes së TikTok-ut në ShBA nuk do ta fundosë ByteDance-in, duke qenë se biznesi i saj me bazë në Kinë është shumë fitimprurës. Por, tregu amerikan është tejet i madh dhe kjo është arsyeja pse ByteDance ka luftuar fort për të qëndruar aty.

Shtëpia e Bardhë ka zhvendosur balancën e diskutimit në ShBA larg rreziqeve të IA-së, duke përqafuar në vend të kësaj përparimin e shpejtë. Ajo ka vënë në prioritet ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe ka thjeshtuar rregulloret që lidhen me sigurimin e energjisë që u nevojiten atyre. Departamenti i Tregtisë ka ashpërsuar rregullat që qeverisin transferimin e teknologjisë së çipave drejt Kinës. Ndërkohë, “Politika e investimeve për Amerikën së pari” e Trumpit, kërkon kufizime më të forta për investitorët që duan të hedhin para në teknologjinë kineze të IA-së.

Këto veprime janë pjesë e një strategjie që synon të mbajë ShBA-në sa më përpara në garën me Kinën për IA-në. Ato gjithashtu u kanë dhënë mbështetje të re mbështetësve të linjës së ashpër ndaj Kinës në Uashington – për të goditur TikTok-un. Kongresi votoi fillimisht për të detyruar një shitje të plotë të TikTok-ut, për shkak të shqetësimeve se të dhënat e përdoruesve amerikanë mund të përdoreshin nga Kina. TikTok-u është kritikuar gjithashtu për ndjekjen e vendndodhjes së gazetarëve dhe për inkurajimin e përdoruesve që t’u dërgojnë mesazhe anëtarëve të Kongresit në lidhje me legjislacionin që ByteDance kundërshtonte.

Gara për IA-në ofron një arsye shtesë për të qenë i ashpër ndaj TikTok-ut. ByteDance luan një rol qendror në financimin e ekosistemit të IA-së në Kinë, në sigurimin e kapaciteteve të llogaritjes për IA-në dhe në ndërtimin e pranisë globale të Kinës në këtë fushë. Administrata Trump ka shprehur qëndrime të ashpra për kufizimin e investimeve amerikane në teknologjitë e vendeve kundërshtare, por TikTok-u derdh çdo ditë të holla në ekosistemin kinez të AI-së. /Telegrafi/

 

 

The post Gara për IA-në i jep Uashingtonit një arsye tjetër për të qenë i ashpër ndaj TikTok-ut appeared first on Telegrafi.

❌
❌