Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2025Abc News

“Përplasja Lapaj-Shabani”, Rada: Ka një hatërmbetje përtej mandatit! Ndonjëherë i duhet prerë koka mbretit që të…

By: Re Nato
19 July 2025 at 23:47

Gazetari Ardit Rada deklaroi në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News se presionet e Endri Shabanit ndaj Adriatik Lapajt kanë qenë të nevojshme.

Sipas tij, fryma e berishizmit ka prekur edhe koalicionet e opozitës së re dhe këtu duhet zotësia si të tejkalohen të tilla ngërçe.

Për Emilian Islamin në ABC News, Rada tha se ndonjëherë duhen mjete jodemokratike për të vendosur standarde demokratike.

“Unë mendoj se ka diçka përtej mandatit sepse përndryshe konflikti nuk do të niste dy muaj pas zgjedhjeve. Duhet të kuptojmë që nuk luhet vetëm për një mandat, por cila parti do shpallet parlamentare dhe do marrë benefitet e ligjit. E të tjera si këto. Mirëpo duket sikur Lapaj e ka shpallur rezultatin e 11 Majit si fitore personale, ka dashur ta monopolizojë fitoren nëse mund ta quajmë kështu. Në këtë moment lind nevoja e mjeteve jodemokratike për të vendosur standarde demokratike. Lapaj me aq pak dalje publike që ka patur, ka shfaqur tendenca monopolizuese të suksesit të koalicionit. Ndonjëherë duhen lëvizje të tilla, si presioni i Nismës Thurje, për të vendosur disa kufij. Revolucioni Francez apo Carta Magna, kanë përfunduar me prerjen e kokës së mbretit si e vetmja mënyrë për të vendosur demokracinë. Sepse del njëri që mendon se është më i mirë se të tjerët dhe pastaj lind nevoja të reagojnë të tjerët t’ia bëjnë të qartë që në koalicion s’ka sukses individual, aq më tepër në një koalicion të voglë si Nisma Shqipëria Bëhet. Pra Adriatik Lapaj i vetëm s’e bën dot Shqipërinë dhe Nismën Shqipëria Bëhet s’e përfaqëson vetëm Adriartik Lapaj. Presioni i Nismës Thurje është në thelb një mentalitet përtej Berishizmit, që edhe kur është 83 vjec njerëzit thonë: Vetëm ky mund ta bëjë! Ngaqë opozita e madhe s’e ka bërë dot këtë shkëputje, ndaj kemi rezultatin që shumë kanë ikur nga kjo parti. Ndaj do uroja që këtë fat të mos e kishte dhe opozita e re…” – tha gazetari Ardit Rada në “Ora e Fundit” të ABC News.

“Çlirohet” Tirana/ Rada: Aksioni për lirimin e hapësirave publike, i mirëpritur nga qytetarët. Duhet të vazhdojë

By: Re Nato
19 July 2025 at 23:33

Gazetari Ardit Rada thotë se aksioni për lirimin e hapësirave publike, është mirëpritur nga qytetarët.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Rada u shpreh se ky aksion duhet të vazhdojë, derisa të ketë rezultat të kënaqshëm.

“Praktikisht, është aksion i mirëpritur nga qytetarët në radhë të parë. Por i vonuar nga ana e qeverisë. Megjithatë, mendoj se është për t’u përshëndetur. Aksioni nuk duhet të fokusohet vetëm te zaptimi i hapësirave publike, por edhe i hapësirave private. Uroj që kjo të vazhdojë derisa të arrijë një rezultat të kënaqshëm. E gjithë kërkesa e Ramës për dorëheqje të drejtorëve, nënkryetarëve të bashkive, lidhet me një kërkesë përgjegjësie, se si janë ngritur këto struktura. Ky aksion nuk mund të mbetet lajm vere, për të mbushur kronikat e lajmeve, por duhet të vijojë për një kohë shumë të gjatë”, theksoi ai./abcnews.al

Merz: Qasja e Izraelit ndaj Gazës nuk është më e pranueshme

By: Re Nato
19 July 2025 at 23:09

Kancelari Friedrich Merz bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në enklavën e rrethuar, ndërkohë që këtë javë numri i të vdekurve atje e tejkaloi shifrën prej 58,000 vetë.

Merz bëri gjithashtu thirrje për më shumë ndihmë humanitare për njerëzit në Gazë, gjë që është penguar fort nga vendimi i Izraelit për t’i nxjerrë të gjitha programet ndërkombëtare të ndihmës nga Rripi i Gazës dhe për të lejuar vetëm Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF).

GHF është një organizatë shumë e diskutueshme, e drejtuar nga SHBA dhe e mbështetur nga Izraeli, të cilin kritikët e kanë quajtur një kurth cinik vdekjeprurës për banorët e dëshpëruar të Gazës që kërkojnë të gjejnë ushqim për familjet e tyre.

Kancelari Merz tha se është në kontakt të rregullt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe se ka ofruar të rrisë ndihmat gjermane për Rripin e Gazës.

CEO i Astronomer jep dorëheqje pas skandalit në koncertin e Coldplay

By: Re Nato
19 July 2025 at 22:46

Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike Astronomer, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pas një skandali publik që shpërtheu gjatë një koncerti të grupit Coldplay në Boston.

Njoftimi u dha nga vetë kompania amerikane Astronomer.

Siç thuhet në deklaratë vendimi vjen pas mosrespektimit të standardeve të sjelljes dhe përgjegjshmërisë, të cilat janë vlerat themelore të kompanisë që nga themelimi i saj.

“Udhëheqësit tanë pritet të vendosin standardin si në sjellje, ashtu edhe në përgjegjësi, dhe së fundmi, ky standard nuk u përmbush”, thuhet në njoftimin nga Astronomer në platformën X.

 

“Revolucioni ajror po afrohet”/ NASA teston aeroplanin supersonik

By: Re Nato
19 July 2025 at 22:26

Agjencia amerikane NASA ka publikuar një video që tregon se si aeroplani i saj supersonik X-59 filloi testet në të cilat lëvizte me fuqinë e vet.

Piloti i testimit të NASA-s, Nils Larson, dhe ekipi i X-59, i përbërë nga personeli i NASA-s dhe Lockheed Martin, përfunduan provën e parë të të ashtuquajturit taksim i aeroplanit (lëvizja e aeroplanëve në sipërfaqe manovrimi) me shpejtësi të ulët në Uzinën 42 të Forcave Ajrore të SHBA-së në Palmdale, Kaliforni.

Në të njëjtën kohë, këto janë testet e fundit që aeroplani kryen para fluturimit të tij të parë.

Gjatë javëve të ardhshme, ai do të rrisë gradualisht shpejtësinë e tij, duke çuar në një provë taksimi me shpejtësi të lartë që do ta çojë aeroplanin pak para pikës ku supozohet të ngrihet.

Gjatë testeve me shpejtësi të ulët, inxhinierët dhe ekuipazhet e fluturimit vëzhguan performancën e X-59 ndërsa lëvizte nëpër pistë, duke punuar për të kontrolluar sistemet kritike si drejtimi dhe frenimi.

Këto kontrolle ndihmojnë në sigurimin e stabilitetit dhe kontrollit të aeroplanit në një sërë kushtesh, duke u dhënë pilotëve dhe inxhinierëve besim se të gjitha sistemet po funksionojnë siç pritet.

Lufta Rusi-Ukrainë/ Zelensky: Duhet të bëjmë gjithçka për një armëpushim

By: Re Nato
19 July 2025 at 22:05

Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare (NSDC) të Ukrainës, Rustem Umerov, ka propozuar mbajtjen e një raundi të ri bisedimesh me Rusinë javën e ardhshme, njoftoi presidenti ukrainas Volodymyyr Zelensky.

Sipas raportimeve nga mediat ruse ekipi negociator i Moskës ka konfirmuar se oferta është marrë.

Të dyja palët kanë zhvilluar dy raunde negociatash të drejtpërdrejta në Stamboll deri më tani këtë vit, me Umerovin që kryeson delegacionin ukrainas.

Në takimin e tyre më të fundit në qershor, negociatorët shkëmbyen projekt-propozime që përshkruanin vizionet e tyre për një marrëveshje paqeje dhe ranë dakord për shkëmbime të mëtejshme të të burgosurve. Moska që atëherë ka konfirmuar gatishmërinë e saj për të vazhduar bisedimet.

“Ritmi i negociatave duhet të përshpejtohet. Duhet bërë gjithçka për të arritur një armëpushim”, deklaroi Zelensky në fjalimin e tij të së shtunës në mbrëmje.

 

Yesterday — 19 July 2025Abc News

Siri/ Pavarësisht armëpushimit, vijojnë përplasjet e ashpra midis fiseve beduine dhe druze

By: Re Nato
19 July 2025 at 21:40

Pavarësisht se presidenti sirian Ahmed Al-Sharaa njoftoi një armëpushim në jug të vendit, konfliktet midis fiseve Druze dhe Beduine mbeten aktive.

Qyteti i Sweidas është skena e luftimeve në rrugë midis fiseve beduine të cilat janë shpallur të bashkuara në qëllimin e “fitores në luftë” dhe kanë njoftuar një përballje me druzët që kanë mbështetjen e Izraelit.

“Përpara fise, do t’i vrasim në shtëpitë e tyre”, tha njëri nga beduinët, duke aluduar te druzët.

Luftëtarët fisnorë janë mbledhur në Sweida nga pjesë të tjera të Sirisë për të mbështetur beduinët, të cilët janë përleshur me druzët që nga 13 korriku.

Sipas grupeve të monitorimit, të paktën 940 persona kanë vdekur nga dhuna.

Al-Sharaa u bëri thirrje fiseve beduine myslimane sunite që të angazhohen plotësisht për një armëpushim që synon t’i japë fund përplasjeve me milicitë e lidhura me druzët, të cilat kanë vrarë qindra njerëz dhe kërcënojnë të prishin tranzicionin e vendit pas luftës civile.

Në fjalimin e tij të dytë televiziv që nga fillimi i luftimeve, Sharaa fajësoi grupet e armatosura nga Sweida për rindezjen e konfliktit “duke nisur hakmarrje kundër beduinëve dhe familjeve të tyre”.

Ai tha gjithashtu se ndërhyrja e Izraelit e kishte shtyrë vendin në një fazë të rrezikshme.

Aksident në Lezhë, makina përplas këmbësorin

By: Re Nato
19 July 2025 at 21:13

Një aksident rrugor ka ndodhur pranë lagjes “Gurra” në qytetin e Lezhës, ku një automjet tip “Golf” ka përplasur një këmbësor.

Sipas informacioneve paraprake, i plagosuri sapo kishte dalë nga një market i zonës dhe ishte duke kaluar rrugën në momentin kur u godit nga automjeti. Dyshohet se drejtuesi i mjetit nuk e ka vërejtur në kohë këmbësorin.

I dëmtuari është transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit./abcnews.al

Dukat, vijon zjarri/ Era favorizon përhapjen e flakëve

By: Re Nato
19 July 2025 at 21:11

Vijon prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune zjarri në malin e Dukatit. Flakët po përparojnë edhe për shkak të erës së fortë në zonë.

Terreni mbetet mjaft i vështirë ndërsa është punuar nga forcat zjarrfikëse  si dhe forcat e armatosura për të mos lejuar flakët drejt Lloogarasë, por situata mbetet problematike.

Për shkak të errësirës, ndërhyrja është ndërprerë dhe do te rinisë sërish në orët e para të mëngjesit ndërsa pritet edhe ndërhyrje nga ajri./abcnews.al

Borshi, mrekullia e jugut/ Me mbi 7 km vijë bregdetare, vendi i pushimeve të qeta

By: Re Nato
19 July 2025 at 20:37

Vija më e gjatë bregdetare në detin Jon me më shumë se 7 km ndodhet në Borsh.

Fshati turistik në jug të vendit prej vitesh ka ndërtuar identitetin e tij turistik, atë të pushimeve familjare.Përgjithësisht i dominuar nga shtëpitë e pushimit, si struktura akomoduese gjatë dekadës së fundit i janë shtuar edhe hotelet.

Pushuesit shqiptarë kryesisht kryeqytetas janë të parët që i dhanë hov turizmit në Borsh e deri sot mbeten më fanatikët e bregdetit të qetë.

I bekuar me natyrën, det e mal së bashku, subjektet turistike në Borsh kanë ditur të ruajnë balancën, çmimet e arsyeshme, ushqimet tradicionale, ambientet e përshtatshme për femijë e siguri ujore larg skafeve dhe jet skive në breg.

Ata që vijnë çdo vit në Borsh nuk mjaftohen vetëm me detin, por kanë gjetur edhe pika të tjera turistike per të eksploruar.

Përshtypjet e mira për Borshin shkojnë nga një familje në tjetrën. Ky pushues ka udhëtuar nga Kosova së bashku me bashkëshorten, pasi miqtë i sugjeruan fshatin turistik.

Modernizimi i strukturave turistike në vitet e fundit ka bërë që Borshi të mirëpresë edhe pushues të huaj, familjarë apo të rinj. Në Borsh këtë verë takon turistë nga e gjithë Europa.

Ky sezon ka nisur me kembë të mbarë për fshatin bregdetar. Muaji qershor është dominuar nga shqiptarët , ndërsa të huajit dominojnë në korrik dhe gusht ku rezervimet shkojnë në 70% të kapaciteteve të akomodimit.

Për pushime me familjen apo me miqtë në Borsh mund të bësh pushime me çfarëdo buxheti. Kombinimi i bizneseve të vogla familjare me struktura të mirëfillta turistike, e ka kthyer fshatin turistik në një alternativë ku çdo pushues mund të organizojë pushimet e tij verore./abcnews.al

VIDEO/ Zjarri përfshin masivin pyjor në Shkopet

By: Re Nato
19 July 2025 at 20:31

Zjarri ka përfshirë një masiv pyjor në fshatin Shkopet. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur zjarrfikësja e Kurbinit, ndërsa pritet të mbërrijne dhe zjarrfikesët e Lezhës.

Po punohet nga forcat zjarrfikëse të izolohen vatrat e zjarrit që po afrohen disa banesave pranë.

Terreni i vështirë po pengon ndërhyrjen e zjarrfikëseve, ndaj kërkohet ndërhyrje nga ajri./abcnews.al

Ujëmbledhësi i Kallabakut, perla e Kukësit/ Bukuria e rrallë e Parkut Kombëtar Korab-Koritnik

By: Re Nato
19 July 2025 at 20:23

1400 metra mbi nivelin e detit ndodhet një prej bukurive të rralla të parkut kombëtar Korab Koretnik, ujëmbledhësi i Kallabakut. Rrethuar me pyje të mështeknës dhe bredhit, në një reliev jashtëzakonisht tërheqës, së fundmi po kthehet në një destinacion turistik me vizitorë të shumtë që vijnë thuajse çdo ditë, në veçanti gjatë fundjavës.

Familjarë të ndryshëm nga qytete të Shqipërisë e Kosovës, grupe peshkatarësh, por më së shumti janë grupet rinore që organizohen nga të gjitha anët me destinacion shtegun e ngjyrave, e porta e të cilit është pikërisht liqeni i Kallabakut. Andrit Shehu, me profesion arkitekt, është njëri prej organizatorëve të aktiviteteve promovuese të resurseve turistike të Kukësit. Liqenin e Kallabakut e njeh shumë mirë dhe i bën një prezantim këtij destinacioni.

Fundjavave mbledh shoqrinë e ngrenë kampingun buzë liqenit të Kallabakut për të kaluar një natë.

Me vete marrin kanoe e pajisje të tjera për sportet ujore. I kanë siguruar thuajse të gjitha pajisjet për aktivitete të tilla.

Ujëmbledhësi i Kallabakut është ndërtuar në vitet e komunizmit, pjesë e sistemit të ujitjes për tokat bujqësore të Shishtavecit, por në vitet e mëvonshme ky sistem doli jashtë funksionit dhe prej pak kohësh tashmë ka marrë drejtim tjetër.

Grupe rinore e turistë mbërrijnë në çdo orë të ditës. Qëndrojnë pak e më pas nisen në destinacione të tjera. Përgjithësisht informacionet për destinacionet I sigurojnë nga promocionet që I bëjnë pikërisht aktivistë të tillë siç është edhe Andriti.

Pasioni për natyrën i ka lindur që në fëmijëri e më pas i është zhvilluar edhe për shkak të profesionit si arkitekt.

Ujëmbledhësi i Kallabakut ofron pamje mahnitëse në të gjitha stinët. Në dimër merr një tjetër pamje e me sipërfaqen e ngrirë.

Kukësi ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm ujor. Andriti thotë se kohët e fundit kanë nisur lëvizjet që në këto pasuri ujore të ketë më tepër prezencë të aktiviteteve ujore duke ofruar edhe pajisjet e nevojshme.

Jo vetëm për qëllime turistike, por këto pasuri ujore mund të rikthejnë edhe ekonominë e peshkimit, ekonomi e cila ishte me emër dikur në Kukës.

Në shërbim të nxitjes së turizmit, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka nisur edhe ndërtimi i rrugës automobilistike që lidh rrugën nacionale Kukës-Shishtavec me këtë pjesë turistike.

Zëri i Lunxhërisë që nuk shuhet/ Rrëfehet Lina Rustemi, 24 vite në shërbim të isopolifonisë

By: Re Nato
19 July 2025 at 20:08

Ka nisur të këndojë që në fëmijëri isopolifoni…

Pjesë e traditës popullore në jug të vendit, Lina Rustemi është zëri brilant i Lunxhërisë që me kalimin e viteve do caktohej edhe solistja e Ansamblit të Lunxhërisë, I njohur brenda dhe jashtë kufijve të vendit. Lina na tha thotë se I është bashkuar këtij ansambli rreth 25 vite më parë, ndërsa e cilëson isopolifoninë një vlerë të madhe, e që jo më kot është dhe pjesë e trashëgimisë kulturore jo materiale të UNESCO.

Artistja e njohur thotë se ka marrë pjesë në shumë evente të organizuara jashtë vendit tonë e për çudi interesi ka qenë tepër I lartë dhe ka habitur mjaft juri, ndërsa shton që edhe turistët që mbërrijnë në Gjirokastër impresionohen kur dëgjojnë këngën isopolifonike.

Gëzimët familjare ishin ato ku Lina nisi të këndonte për herë të parë, kjo një traditë e trashëguar nga të afërmit e saj.

Por, a po ruhet kjo vlerë e çmuar sot tek të rinjtë ?

Një prej urimeve më të veçanta në zona të ndryshme të jugut është: Të këndoftë zemra…por, për sa kohë do vijojë bilbili I lunxhërisë të këndojë?

Isopolifonia është folklore vokal, instrumental dhe koreografik si dhe tipologji e trashëgimisë shhpirtërore kombëtare shqiptare që është shpallur kryevepër e trashëgimisë gojore e shpirtërore të njerëzimit nga UNESCO në 25 nëntor të vitit 2005./abcnews.al

Siguria ushqimore, Rama: Në 6 ditë u sekuestruan 32 ton produkte bulmeti pa faturë

By: Re Nato
19 July 2025 at 19:53

Në 6 ditë, janë sekuestruar 32 ton qumësht, djath dhe mish pa faturë.

Shifra u njoftua nga kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë shtoi se do të ketë zero tolerancë lidhur me sigurinë ushqimore dhe kësaj do t’i shkohet deri në fund.

“Vijon papushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund”, shkruan Rama./abcnews.al

Zjarret, vatrat në kodrat e Belishovës dhe Drenovës drejt neutralizimit të plotë

By: Re Nato
19 July 2025 at 19:14

Vatrat e zjarrit në kodrat e Belishovës dhe Drenovës janë drejt neutralizimit të plotë.

Që prej ores 5:30 te mëngjesit të sotëm 30 forca të ushtrisë iu bashkuan operacionit për shuarjen e flakëve deri në orën 19:00, ku shërbimet zjarrfikëse të Malkakastrës, Fierit, Albpetrolit , Forcave të Armatosura dhe Regjimentit të këmbësorisë së Jugut, kanë punuar në terrenin e vështirë për neutralizimin e plotë të tyre.

Situata do të monitorohet përgjatë natës me grupe të gatshme pasi era mund të riaktivizojë vatrat zjarrit./abcnews.al

Australia mbështetje Ukrainës, i dërgon 49 tanke M1A1 Abrams

By: Re Nato
19 July 2025 at 19:08

Australia i ka dorëzuar Ukrainës tanket M1A1 Abrams me vlerë 160 milionë dollarë.

Kievi ka pranuar kontingjentin e parë prej 49 tankesh Abrams nga Australia, ndërsa pjesa e mbetur pritet të dorëzohet më vonë.

Kjo dërgesë është pjesë e një pakete të re mbrojtëse me vlerë rreth 140 milionë euro.

Ministri i Mbrojtjes, Richard Marles, e quajti këtë veprim një kontribut në luftën kundër “pushtimit të paligjshëm dhe imoral të Rusisë”.

Australia mbetet një nga donatorët më të mëdhenj jofamiljarë të NATO-s për Ukrainën.

Dorëzimi ishte shtyrë më herët nga Shtetet e Bashkuara, por tanket tashmë kanë arritur në Kiev./abcnews.al

Zjarret në vend/ Mbrojtja: Të raportuara 22 vatra, 11 janë ende aktive

By: Re Nato
19 July 2025 at 18:48

Deri në 18:00 janë raportuar 22 vatra zjarri, sipas një përditësimi nga Ministria e Mbrojtjes.

11 nga këto vatra janë ende aktive, teksa një është nën monitorim.

Informacion mbi situatën e zjarreve

Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 18:00 janë raportuar 22 vatra zjarri,  nga të cilat janë shuar 11 dhe janë aktive 11.

Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

* Në bashkinë Korçë.

* Në “Bypass-in e Vlorës”, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë.

* Në Vish, në bashkinë Himarë.

* Në Qeparo, bashkia Himarë.

* Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë.

* Në fshatin Mborje, njësia administrative Drenovë, bashkia Korçë.

* Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë.

* Në fshatin Karpen, njësia administrative Golem, bashkia Kavajë.

* Në fshatin Velçë, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë.

* Në fshatin Karpen, njësia administrative Maminas, bashkia Shijak.

* Në fshatin Çerkezë-Morinë, njësia administrative Zall-Herr, bashkia Kamëz.

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

  1. Qarku Dibër

Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër ku vazhdon aktiv zjarri i rënë në datë 07.07.2025, i cili po zhvillohet në dy vatra. Një vatër po zhvillohet në drejtim të Lurës, rreth liqenit të Zi dhe po punohet nga forcat operacionale. Terreni i keq ka vështirësuar përpjekjet për ta vënë zjarrin nën kontroll. Ndërsa vatra tjetër po zhvillohet në pjesën e sipërme të vatrës nga krahu i Gurë Lurës është mbyllur pjesërisht pasi digjen trungje brenda vatrës. Në operacion për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 30 forca nga organet vendore dhe 30 forca nga FA.

  1. Në njësinë administrative Shupenzë, bashkia Bulqizë, vazhdon aktiv në një vatër me intensitet të ulët zjarri i riaktivizuar më datë 13.07.2025, i cili është spostuar nga “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan. Ditën e sotme në terren ndodhen 9 efektivë me 1 automjet zjarrfikës nga MZSH dhe 4 forca nga Shërbimi Pyjor.
  2. Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat. Ka rënë zjarr në një zonë të thepisur, që vështirëson ndërhyrjen. Në vendngjarje ndodhen rreth 30 forca bashkiake dhe 30 efektivë nga FA. Në vendndodhje po operon edhe 1 helikopter i FA.
  3. Në fshatin Dovolan, njësia administrative Maqellarë, bashkia Dibër. Zjarri po zhvillohet në anën lindore të fshatit në pyje dushku, ferra e shkurre, por jo shumë larg disa banesave. Po punohet me 1 automjet zjarrfikës me 6 efektivë.
  4. Qarku Fier

Në fshatin Belishovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, vazhdon aktive vatra e zjarrit të ardhur nga fshati Drenovë, i cili është riaktivizuar më datë 14.07.2025. Vatra e zjarrit ka marrë zgjerim të perimetrit. Në vendngjarje për shuarjen e tij po punojnë 35 forca zjarrfikëse me 2 automjete zjarrfikëse nga bashkia Mallakastër, 4 forca zjarrfikëse me 1 automjet nga bashkia Fier, 10 forca zjarrfikëse me 2 automjete nga Albpetrol, 10 efektivë me 2 automjete zjarrfikëse nga FA dhe 30 efektivë me 2 mjete nga Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut.

  1. Qarku Vlorë

Në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë. Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë. Flakët të ndihmuara nga era kanë përfshirë edhe kurorën e pishave. Në terren po punojnë 17 efektivë të MZSH, 5 forca nga Shërbimi Pyjor dhe 7 forca bashkiake.

  1. Qarku Elbasan

Në fshatin Shmil njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd. Zjarri ka rënë në pyll gështenje. Terreni vështirëson ndërhyrjen.

  1. Në kodër Kraste, bashkia Elbasan.
  2. Qarku Lezhë

Në fshatin Tenë, njësia administrative Rrëshen,  bashkia Mirditë, në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje ndodhet ekipi zjarrfikës.

  1. Qarku Durrës

Në fshatin Zallë, njësia administrative Fushë – Krujë, bashkia Krujë. Në vendngjarje ndodhet automjeti zjarrfikës me grupin e shërbimit, punonjës të Emergjencave Civile.

  1. Në bashkinë Shijak afër Parkut të Kamionëve Pelikani në bimësi të ulët. Është duke u punuar nga forcat zjarrfikëse.

Si e humbi Ahmed al-Sharaa kontrollin e jugut të Sirisë?

By: Re Nato
19 July 2025 at 18:30

Qeveria siriane ka paralajmëruar se do të ripozicionojë forcat e saj në jug të vendit për të rimarrë kontrollin pas ditësh dhune sektare në provincën e Sweidës, një krizë që rrezikon të kthehet në sfidën më serioze të presidencës së sapo nisur të Ahmed al-Sharaa.

Përplasjet nisën javën e kaluar, kur një grabitje në autostradën që lidh Damaskun me Sweidën shkaktoi një valë dhune hakmarrëse mes klaneve beduine sunite dhe ushtrisë druze. Situata u përshkallëzua më tej kur forcat qeveritare, të dërguara për herë të parë në këtë krahinë që nga rrëzimi i Bashar al-Assadit tetë muaj më parë, u përplasën me ushtritë druze. Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë për qindra të vrarë, përfshirë civilë, ndërsa të gjitha palët janë akuzuar për mizori, përfshirë ekzekutime të menjëhershme.

Nga ana tjetër, Izraeli ndërhyri duke kryer një seri sulmesh ndaj forcave siriane, madje edhe mbi Ministrinë e Mbrojtjes në Damask, duke pretenduar se po mbronte komunitetin druz dhe duke kërkuar tërheqjen e forcave të Sharaa-s nga Sweida. SHBA ka ndërhyrë për të negociuar një marrëveshje që të shmanget një përshkallëzim më i madh.

Pas përplasjeve të përgjakshme mes beduinëve dhe druzëve që vijuan deri të premten, qeveria siriane e cila një ditë më parë kishte deklaruar tërheqjen nga Sweida njoftoi se po përgatitet të rikthehet për të vendosur rendin.

Kjo krizë ka vënë në pah brishtësinë e Sirisë vetëm tetë muaj pas ofensivës rebele që solli rrëzimin e Assadit dhe fundin e një lufte civile 14-vjeçare. Sharaa përballet tani me dilemën: ose të heqë dorë nga ambiciet për të unifikuar vendin, duke lënë jugun në duart e grupeve lokale, ose të rrezikojë një përballje më të ashpër me Izraelin.

Për momentin, Izraeli ka pranuar të lejojë hyrjen e forcave qeveritare në Sweida për 48 orë, “për shkak të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme”, sipas një zyrtari izraelit.

Druzët, një komunitet arabo-folës me rreth 1 milion anëtarë të shpërndarë në Liban, Siri, Jordani dhe Izrael, kanë pasur historikisht një marrëdhënie të tensionuar me qeveritë qendrore. Ata ruajtën njëfarë autonomie nën sundimin e Assadit, duke mbajtur ushtritë e tyre të armatosura në këmbim të mos përfshirjes në luftën kundër regjimit.

Rënia e Assadit u përshëndet nga një pjesë e druzëve, por komuniteti mbeti i ndarë ndaj Sharaa-s, për shkak të së kaluarës së tij si udhëheqës i një grupi rebel të lidhur me islamistët, të akuzuar për masakra ndaj druzëve gjatë luftës civile.

Druzët nuk kanë pranuar ende të integrohen në institucionet e reja shtetërore dhe kanë refuzuar praninë e forcave të sigurisë në Sweida. Në prill pati një përplasje mes ushtrive druze dhe forcave të sigurisë që u mbyll me një marrëveshje të brishtë për dorëzimin e armëve, por autoritetet shtetërore u sollën ashpër, duke kërkuar më shumë armë sesa ishte rënë dakord dhe duke përdorur retorikë sektare, çka e përkeqësoi krizën.

Kjo ka shtyrë një pjesë të druzëve që më parë hezitonin të bashkëpunonin me Izraelin, të afrohen me Tel Avivin. Izraeli ka shfrytëzuar vakumin e krijuar pas rënies së Assadit për të marrë territore përgjatë kufirit dhe për të goditur objektiva ushtarake siriane, duke kërkuar gjithashtu që jugu i Sirisë të çarmatoset plotësisht.

Hikmat al-Hijri, një lider i rëndësishëm druz i afërt me Izraelin, ka shtuar thirrjet për më shumë autonomi për Sweidën ide që më parë konsideroheshin margjinale, por tani po gjejnë mbështetje më të gjerë.

Situata është përkeqësuar më tej pas ngjarjeve të fundit, me dokumentime të shtëpive të djegura, trupave të vrarë në rrugë dhe akte poshtërimi ndaj burrave druz, si rruajtja e detyruar e mustaqeve, një shenjë nderi në kulturën e tyre. Presidenti Sharaa pranoi publikisht se janë kryer shkelje dhe premtoi hetime, por besueshmëria e tij tek pakicat është tronditur.

Kjo krizë vjen pasi në mars ndodhën përplasje të ngjashme në bregdet, ku forcat qeveritare u përleshën me mbështetës të Assadit, duke shkaktuar gjithashtu viktima civile.

Ka frikë se ngjarjet në jug mund të çojnë në ndarje të mëtejshme sektare. Disa grupe sunite siriane kanë kërkuar tashmë bojkot ekonomik dhe bllokadë ndaj Sweidës.

Ndërkohë, edhe komunitetet e tjera, si kurdët në verilindje, po ngurrojnë të bashkëpunojnë me qeverinë e Sharaa-s për integrimin e rajoneve autonome.

“Ky është momenti më i rrezikshëm për tranzicionin sirian. Si do ta menaxhojë këtë situatë Sharaa, do të përcaktojë fatin e presidencës së tij”, tha Malik al-Abdeh, një analist sirian në Londër.

Një zyrtar sirian e përmblodhi situatën në këtë mënyrë: Ky vend ishte kaq pranë suksesit. Tani gjithçka rrezikon të dalë jashtë kontrollit nga ky episod i tmerrshëm.

❌
❌