Kur u nisa prej katundit, e u kyça në autostradë, e putha vathin tënd që e mbaj në qafë, nanë, që të më ruash kur voziti si e çmendur rrugës për Prishtinë. E puthi vothin sikur dikush që e puth kryqin, dorën e Fatmës, syrin kundër msyshit, shkronjën e parë të fëmisë. E kur Armendi thotë : Të këndojmë bashkë refrenin të këngës “edhe njëherë”, për ata që nuk i kemi më, kamera nxë një çift të ri, sa Marini, nipi jot, jo tu u puth, por tu kajt, Edhe njëherë, veç edhe njëhere,… E nata e magjishme mbaron, emocioneplot, shikoj qiellin plot yje të kryeqytetit, yjet që shndërrisin si vothi jot i arit në qafën time./ KultPlus.com
Pjesëmarrëja e mysafirëve ndërkombëtar sa po vjenë e shtohet. Thuaja secili prej tyre vjenë me tema kosovare. Në natën e nëntë u prezentua Mercedes Pereira nga Spanja me ekspoziten me kostume në temën “Krusha ime” që për burim inspirimi e kishte Fahrie Hotin si simbol i rimarrjes së vullnetit për jetë pas një tragjedie të madhe. Fahria sot drejton një organizatë të grave e cila prodhon ushqime të veçanta frutash. Të gjitha ato produkte Mercedes Pereira i kishte stilizuar në kostume.
Ekspozita e artistes nga Spanja me një fotografi të përbashkët me skulpturën e Nënës Salë. Një fotografi emocionuese plotë mallëgjim e krenari.
Debat e folmja në oda E folmja në oda kishte një dramaturgji të organizuar mirë dhe me një rend vleror të fjalës tha në nisje të debatit Fadil Hysaj.
Mënyra e komunikimit sot është stërkeq dhe është banalizuar deri në thuaja një betejë e humbur për të restauruar dialigun e dikurshëm.
Për të ilustruar me përmbajtje debatin apo të folmen me rrotlla Sali Zogjani tregoj disa anekdota që argumentonin këtë mënyrë të komunikimit ku mesazhet e koduara kanë mbërri në destinim pa e lënduar askë. Për aspekte krahasuse të ligjërimit debatuan Skender Boshtrakaj Inis Gjoni, Klara Shehu, Inis Gjoni, Agron Gërguri.
Shfaqja “Engjëjt” si identitet i dhembjes Reflektimi i s’brendshmës me hijen e pasqyrës për të shpreh përmbajtjen e tragjikës që mbanë në shpirt Hana personazhi i dramës “Engjëjt” autor Odise Plaku.
Derisa ndër vite përsëritet e njëjta pyetje që pret përgjigje ku janë…Nënë Hana i kthehet vetvetes e zhytur në lotët e dhembjes.
Loti nuk është ujë por çekan i gjykatores që pret ta rrah dikush për ta quar në vend drejtësinë e munguar. Në vend të drejtësisë ndërtojnë përmendore që ngrehin lartë zbuluesit në një akt solemn derisa dhembja gërryen?
Përmendoren e përjeton si pajtesë me vdekjen, si keqpërdorim të tragjikës derisa dhembja nuk shërohet përkundrazi nëna vazhdimisht kthehet tek ngjarja e trisht kur i kanë marrë fëmijët dhe ngre dilema e dyshime për veprimet e saja a ishin të duhura apo jo. Flet me ndërgjegjen e saj e vetëngarkon veten me fajin që nuk e ka derisa në jetën publike bëhen pazare me dhembjen. Loti shpërthen si vërshim i dhembjes mbush kovat dhe zbraz por pa ndryshim në gjendjen e saj, pritja vazhdon …Nëna nuk ndalet s’kërkuari rrugë për të mbërri deri te fati i fëmijëve.
E këputur shprese nga ndotësit e kohës që nuk dëgjojnë për kë bien këmbët ajo këlthet “A bëjmë mëkat që kërkojmë ata që kemi lindur”. Vuajtja e saj bëhet provë që gërruen ndërgjegjen e kujtëdo qoft apo secilit…e tëra është fatale sepse ka kaluar në psikologji nga vetmia në vetmim…por Hana del përtej dhe nis të rinovojë jetën për të dal tek fuqia e vullnetit për jetën duke r firmosë me shpirtin e saj IDENTITETIN e dhembjes.
Autori i shfaqjes Naser Shatrolli e kishte zbërthyer estetikisht dhembjen duke nxjerr disa idioma teatrore që përqonin emocione të fuqishme . Mizinskena e organizuar mirëm temporitmi, dinamika e shfaqjes ishin në shërbim të rrëfimit.
Aktorja Vafi Redhi e kishte mishëruar personazhin e Hënës nga niveli i reagimit social deri në nivel psikologjik. Ajo me veprime foljore plotë ngjyra të dhembjes, fuqi emocionale, veprime fizike që zbërthenin gjendjen e personazhit duke nxjerr në dritën e skenës përmbajtjen e dhembjes fuqishëm dhe të latuar estetikisht.
Muzika, skenogragia dhe ndriçimi kontribuuan në pataqitjen dhe zbërthimin e temës së shfaqjes.
Në Etno nejë mysafirët i argëtoj grupi Rilindja.
Etno fest me përmbajtjen e programeve po e përmbushë misionin në organizimin, prezantimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore dhe trajtimin e saj modern përmes arteve të ndryshme që e ushqejnë njëra tjetren dhe krijojnë identitetin e Etno Festit./ KultPlus.com
Për herë të parë në Kosovë, një shtëpi me famë botërore në fushën e muzikës klasike, që realizon regjistrime CD dhe albume për artistë të njohur ndërkombëtarisht, po vjen për të kontribuar në Kosovë përmes International Piano Balkan Academy, e cila është hapur në Mitrovicë.
IPBA në Kosovë është hapur nga pianistja Melisa Ibrahimi, ku president dhe drejtor artistik ështe profesori me famë botërore Giuseppe Devastato.
Kjo akademi ka për qëllim të mbështesë pianistët e rinj nga Kosova dhe Ballkani, duke u ofruar mundësi për të zhvilluar karrierën e tyre përmes koncerteve, regjistrimeve profesionale, përgatitjes për gara ndërkombëtare dhe bursave për studime jashtë vendit.
Një mundësi e tillë nuk ka ndodhur më parë në Kosovë apo në rajon, dhe aplikimet janë hapur për vitin akademik që nis nga shtatori deri në qershor.
Gjatë këtij viti, studentët do të përfitojnë:
• Koncerte Recitale në Evropë
• Regjistrim profesional të një albumi CD me KNS Classical
• Bursa për studime ndërkombëtare në Evropë
• Përgatitje intensive për gara pianistike të nivelit të lartë Profesor i akademisë është Giuseppe Devastato, pianist i njohur botërisht, anëtar jurie në konkurse prestigjioze ndërkombëtare dhe pedagog në tri universitete në Spanjë dhe Itali./ KultPlus.com
Në çdo cep të Malësisë së Madhe gjenden gjurmë të një historie të thellë, natyrë e paprekur dhe mikpritje që të mbetet në mendje. Në zemër të kësaj zone ndodhet Kelmendi, një destinacion që nuk njeh kufij sezonalë dhe që dita-ditës po shndërrohet në një pikë referimi për turizmin malor në Shqipëri.
I rrethuar nga fshatra me arkitekturë alpine dhe histori shekullore, Kelmendi të fton në një udhëtim të paharruar, ku çdo vizitë është një përjetim unik. Ushqimet tradicionale, mikpritja e ngrohtë e banorëve, peizazhet e egra dhe të paprekura, e kanë kthyer këtë zonë në një perlë turistike.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Kelmendi, duke e cilësuar atë vend si “magjik”.
Zona ofron një potencial të jashtëzakonshëm për turizëm të shumëllojshëm. Ecje në shtigje të pashkelura, eksplorim i shpellave të lashta, lundrim me kajak në lumin e kthjellët të Cemit, apo kalërim përmes peizazheve të egra, të gjitha janë përvoja që të lidhin me natyrën.
Një nga pasuritë më të veçanta të Malësisë së Madhe janë shpellat, që jo vetëm mahnitin me format e tyre natyrore, por edhe zbulojnë të dhëna të rëndësishme për jetën e hershme njerëzore. Shpellat më të njohura ndodhen në Kelmend, Shkrel, Kastrat dhe Gruemirë, dhe janë një thesar për eksploruesit dhe studiuesit.
Qoftë verë apo dimër, Kelmendi mbetet një destinacion për këdo që kërkon turizmin malor, larg zhurmës, pranë natyrës, historisë dhe shpirtit të saj malësor./atsh/ KultPlus.com
Gjatë edicionit të 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Anibar, u përmbyll me sukses iniciativa më e re profesionale Anibar Pro – Genesis. Në këtë ngjarje të veçantë u duartrokit progresi dhe potenciali i talentëve të rinj në industrinë e animacionit.
Kjo nismë francezo-kosovare, e realizuar në bashkëpunim me Institutin Francez në Kosovë dhe e mbështetur nga Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Ambasada Franceze në Kosovë, është kthyer në një shtyllë të rëndësishme të misionit të festivalit për fuqizimin e krijuesve të rinj dhe zhvillimin e industrive kreative në rajon.
Gjatë pesë ditëve të festivalit i cili mbajt në Pejë, 18 animatorë te rinj prezantuan konceptet e filmave të tyre para një audience ndërkombëtare të përbërë nga producentë, studio dhe mentorë, në kuadër të Genesis Pitching Sessions. Programi profesional përfshiu gjithashtu punëtori, panele diskutimi dhe aktivitete rrjetëzimi me fokus në ndërmarrësi, mentorim dhe tregim etik.
Drejtori Ekzekutiv i Anibar, Vullnet Sanaja, vlerësoi ndikimin e programit Genesis dhe ndau vizionin e tij për të ardhmen, duke theksuar se kjo iniciativë ishte vetëm faza e parë e një rruge të gjatë që do të vazhdojë me më shumë mundësi për zhvillim, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për krijuesit e rinj.
Momenti kulmor i ngjarjes erdhi kur anëtarët e jurisë – Olivier Catherin, Corinne Destombes dhe Manon Messiant, figura të njohura të animacionit evropian, shpallën dhjetë projektet e përzgjedhura që do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre nën përkujdesje profesionale: ● Albana Hajdini – Stick With Me ● Alisa Fejza – Fading Echoes ● Bleona Brahimi – Inside the Box ● Diellza Franca – At Hana’s ● Erza Qorrolli – Engji ● Finesa Peja – Cice! ● Kaltrina Berisha – Imagine if You Can’t Imagine the Imaginable ● Leonita Thaqi – Liminal ● Rina Lasku – No More Dirt ● Yll Avdiu – As the Forest Whispers
Të përzgjedhur për origjinalitetin, vizionin dhe potencialin e tyre artistik, këta krijues të rinj do të përfitojnë nga mentorim i strukturuar, punëtori dhe masterklasa me producentë e ekspertë të animacionit. Secili prej tyre do të lidhet me një nga producentët që takuan gjatë Genesis, duke siguruar kështu udhëzim të vazhdueshëm për zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të tyre.
Me përfundimin e edicionit të parë, Anibar Pro – Genesis është pozicionuar si një shtyllë e fuqishme në kuadër të festivalit. Më shumë se një platformë për përzgjedhje të projekteve, ky program shndërrohet në një inkubator të qëndrueshëm kreativ që ndërton ura mes animatorëve të rinj në Kosovë dhe tregut ndërkombëtar.
Ndërsa perdet mbyllen për këtë edicion, një gjë është e qartë: zërat e këtyre të rinjve sapo kanë nisur të dëgjohen. Gjenerata e re e animatorëve është këtu, dhe e ardhmja e tyre duket premtuese./ KultPlus.com
Profesori universitar, Fitim Uka ka njoftuar se libri “Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm” do të prezantohet edhe në librin e Shëndetit Mendor të Cambridge University Press & Assessment, shkruan KultPlus.
Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, profesori Uka ka thënë se prezantimi i librit në Cambridge University Press, është vulë e një suksesi të padiskutueshëm.
“Po, po, hiq më pak se në librin e Cambridge University do të shkruhen emrat e një gjenerate të re studiuesish nga Kosova. Ata do të jenë autorët e një kapitulli që e prezanton psikoterapinë tonë në mbarë botën.
Një herë Wiley, e tash edhe Cambridge University Press, janë vula e një suksesi të padiskutueshëm.
Sportisti nga Gjakova, Shkëlzen Goqi, është diskualifikuar nga gara tradicionale e kërcimeve në ujë nga “Ura e Vezirit” në Podgoricë, pas një gjestikulacioni me simbolin e shqiponjës dykrenare.
Gara u mbajt të shtunën për herë të parë pas 15 vitesh, ndërsa para kërcimit, Goqi përshëndeti publikun duke bërë simbolin kombëtar shqiptar. Ky veprim u konsiderua si “provokim” nga një pjesë e shikuesve dhe organizatorëve, duke çuar në përjashtimin e tij nga gara dhe ndalesë për pjesëmarrje të ardhshme.
Organizatori Edvald Krniq dhe autoritetet lokale e cilësuan gjestin si shkelje të rregullave të sjelljes sportive, ndonëse nuk ekziston ndonjë ndalim zyrtar për simbole të tilla në garë. Goqi për KOHËN deklaroi se u përball me ofendime dhe kërcënime nga huliganë serbë, por se nuk ishte provokim, por shprehje krenarie kombëtare.
Diskualifikimi i tij ka nxitur debat mbi lirinë e shprehjes në sport dhe ndikimin politik në ngjarje sportive në rajon.
Ikona e muzikës, Armend Rexhepagiqi, përmes një koncerti madhështor mbrëmë ka shënuar një rikthim të fuqishëm në skenën muzikore me promovimin e albumit “Dashuri e Vjetër”, shkruan KultPlus. Shtatë këngët e projektit të tij më të ri erdhën si dhuratë për publikun e tij besnik, pas një mungese të gjatë kohore, duke dhuruar emocione kulminante. Interpretimi i temave emocionale me një thelb të thellë artistik, padyshim që e pozicionon artistin Rexhepagiqi në majë të industrisë muzikore, e posaçërisht në vendin ku çdo krijues e adhuron, në zemrat e publikut.
I njëjti zë, stil dhe identitet muzikor me shumë ndryshime në mënyrën e qasjes ndaj tematikave specifike e rikthenin Rexhepagiqin në një pasqyrues të pjesëve më të thella të njeriut, deri aty ku dhimbja dhe dashuria bëhen një, dhe njeriu merr përmasa hyjnore. Tema e dashurisë, ndarjes, nostalgjisë, pendesës e kujtimeve dominuan në këtë koncert që rrëmbente me vete publikun në çdo moment. Ndërkaq, ironia therëse e shprehur në fjalë të thjeshta përmes një autenticiteti personal ishte ‘specialitet’ i artistit që depërtonte lehtësisht në qenien e secilit duke të ftuar në vetë-reflektimi të thellë.
Koncertit të shumëpritur i parapriu një kolazh fotografik, ku paraqiteshin momente të veçanta nga jeta personale dhe profesionale e tij, duke përfshirë bashkëshorten, bashkëpunëtorët dhe paraqitjet muzikore që shënuan kthesë në karrierën e tij të bujshme muzikore. Pas pak, një tym i shpërndarë në skenën gjigande ishte paralajmërimi i fundit për këtë takim të shenjtë në mes të artistit dhe publikut që me padurim priste të përfshihej në artin e tij.
Kënga “Dashuri e Vjetër” shënoi fillimin e një nate të paharrueshme, e cila e përjetësoi krijimtarinë muzikore të artistit përmes albumit me të njëjtin titull. Kjo baladë nostalgjike prek në ndjesi emocionale për një dashuri të humbur duke kërkuar rikthimin e saj. Tendenca për rifillmin e një relacioni paraqitet si kontrast me titullin “Dashuri e Vjetër”. Teksti poetik i Aida Barakut i kombinuar me zërin e ndjeshëm të artistit janë një kombinim i fuqishëm për këtë influencë të madhe muzikore.
“Ti nuk më meriton”- një projekt i mëhershëm muzikor ishte pjesë e mbrëmjes po ashtu, duke paraqitur elementet e pasojave të një dashurie të njëanshme që dërgon në përpjekje sfilitëse, vuajtje, depresion dhe ndërtim të karakterit të brendshëm duke e rikthyer njeriun përsëri te vetja dhe te fuqia e tij. Ndërsa, këngët “A don hala” dhe “Tavolina e mërzisë” me tekst të Aida Barakut ishin këngë ‘mysafire’ në këtë promovim perlash. Të kënduara në stilin unik të këngëtarit Rexhepagiqi, këngët nga ana e publikut që përbëhej nga të gjitha moshat përjetoheshin si krijime krejtësisht të reja.
“Thuhet që pas një burri të sukseshëm qëndron një grua e mençur. Te unë kjo nuk vlen. Ajo është shumë para meje, dua t’i them nga këtu faleminderit, të dua shumë. Një duartokitje të madhe për Aida Barakun. Të dua zemër”, është shprehur Armend Rexhepagiqi.
Ndërsa, kënga “Boll m’ke dal” që shprehte lodhje emocionale nga një lidhje dashurie, në mënyrë të veçantë shpërfaqte përpëlitjet shpirtërore për tu larguar nga kjo gjendje. Balada të përthithte me një ndjeshmëri të madhe, po aq sa teksti i këngës “Kutia e zezë” që përcjellte ndjenja të thella intime përmes alegorisë së kutisë së zezë. Kurse kënga “Edhe një herë” erdh si homazh për të gjithë të dashurit e këngëtarit të cilët nuk jetojnë në këtë dimension, këngë kjo që preku thellë edhe audiencën.
Këngët tjera të interpretuara mbrëmë ishin: “Ma ke nal”, “So dashni”, “Harrova”, “Bileta”, “Dashurinë ku e kam”, “Dudije” dhe “Bilbili”. Përderisa, kënga më ritmike e albumit të ri “Krejt Prishtinën për ditëlindje” që shpërfaqë një dedikim emocional duke kërkuar riparimin e marrëdhënies në një moment special si “Ditëlindja” shënoi fundin e koncertit, ku u prezantuan me këngë edhe këngëtaret e njohura Fifi dhe Ronela Hajati.
Duke qenë falënderues për përkrahjen e shtetit të Kosovës, këngëtari Rexhepagiqi ka thënë se me kënaqësi do të vazhdojë punën e tij prej artisti.
“Në njëfarë mënyre jam edhe më i obliguar të vazhdoj të punoj dhe të arsyetoj këtë besim. Ju falënderoj nga zemra për përkrahjen. Me kënaqësi shumë të madhe i falënderoj të gjithë sponsorët e këtij koncerti”, është shpehur Rexhepagiqi, duke bërë edhe thirrje për paqe në botë.
“Muzika më parë ka një mision. Të përçojë dritë. Secili nga ju, të gjithë ne nga Prishtina, nga Kosova bëjmë apel për paqe në tërë botën përmes një duartrokitje. Bota ka nevojë për mirësi! Ju faleminderit!”, ka bërë apel artisti duke ftuar publikun për një duartrokitje të madhe.
Koncerti është vlerësuar lart edhe nga figura të shquara nga bota e artit dhe e kulturës, të cilët këngëtarin Armend Rexhepagiqi e cilësuan si artist të rrallë me një art muzikor të jashtëzakonshëm.
Drejtoresha e Mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti ka thënë se Rexhepagiqi është artist që ka pasur ndikim në krijimin e memories kolektive.
“Harrova” “Shkel” “Oj Dude, Dudie” ishin këngët që i këndonte publiku, edhe pa Armendin, por edhe kënga e re “Dashni e vjetër” ishte ngjizur në memorien e adhuruesve të tij, që kumbonte në hapësirën e parkingut të Prishtinës, që për një natë të vetme shndërrohet në një energji Prishtine, për tu kthyer sërish në një hapësirë pa jetë. Se nëse Armendi është brenda shijes së secilit, është vështirë të thuhet, se artistët kanë audienca të ndryshme, por se është kujtesë kolektive, definitivisht po. Mbrëmë, prindërit që luftojnë me fëmijët e tyre për çështje adoleshence, për nje moment u shndërruan po në ata adoleshentë. Burra e gra të rritur me një shpirt të rinuar!”, thënë drejtoresha Pajaziti.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila nga afër ka ndjekur koncertin ka thënë se çdo akord i artistit Rexhepagiqi ka rikthyer ndienja, emocione dhe nostagji për krijimtarinë që sipas saj që sfidon kohën.
“Një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme. Armend Rexhepagiqi, me zërin e tij që sfidon kohën dhe një shpirt artistik që rrëmben zemrat e shumë gjeneratave, na çoi në një udhëtim të paharrueshëm ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja. Faleminderit, Armend, për çdo akord që na bëri të ndiejmë emocion e nostagji dhe për krijimtarinë që sfidon kohën”, ka shkruar presidentja Osmani.
Kurse, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se artistët si Armend Rexhepagiqi janë të rrallë.
“Artistët si Armend Rexhepagiqi janë të rrallë. Zëri, ndjeshmëria dhe muzika e tij kanë lënë gjurmë në kulturën tonë. Koncerti i tij i mbrëmshëm ishte fantastik. Një rikthim i shumëpritur i një prej artistëve tanë më të veçantë, me albumin e ri ‘Dashni e vjetër”, ka shkruar ai në facebook.
Ndërkaq, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se koncerti i Armend Rexhepagiqit, “Dashuri e vjetër” ka ndezur shpirtin e gjithë qytetit.
“Prishtinë je ma shumë se qytet, je ndjenjë, je melodi që nuk ndalet kurrë! Armend, ky nuk ishte veç koncert, ti ndeze shpirtin e një qyteti të tërë”, ka shkruar Kryetari Rama në facebook.
Artisti Armend Rexhepagiqi pas koncerti “Dashuri e Vjetër” të mbajtur prapa Pallatit të Rinisë, do të prezantohet edhe në Shkodër, në Festivalin “ZaFest”, më 25 korrik./ KultPlus.com
Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të dekadave të fundit është evidentuar në Durrës, në zonën ku po rindërtohet shkolla “Gjergj Kastrioti”.
Bëhet fjalë për një vilë romake me mozaikë me motive gjeometrike, struktura muresh dhe materiale të tjera arkeologjike me vlera të jashtëzakonshme.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se menjëherë pas zbulimit, është hartuar Raporti i Gërmimit Arkeologjik të Shpëtimit nga arkeologu prof. Luan Përzhita, që i hapi rrugën konservimit dhe studimit të detajuar të gjetjeve.
“Kjo vilë romake përfaqëson një pasuri të rrallë për trashëgiminë kulturore të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, dhe krahasohet për cilësi me ato të zbuluara në Italinë jugore dhe qendrore”, tha Gonxhja.
Për të ruajtur dhe promovuar këtë pasuri, arkitekti spanjoll Toni Gironès është angazhuar në riprojektimin e shkollës, duke ndërtuar një koncept ku ndërthuren edukimi dhe trashëgimia. Projekti i ri do të mundësojë ekspozimin publik të gjetjeve, duke i integruar ato në infrastrukturën e shkollës.
Ky është një model unik zhvillimi që synon transformimin urban dhe arsimor të qytetit, si dhe promovimin e turizmit kulturor.
Institucionet shqiptare, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin e Arkeologjisë dhe Bashkinë e Durrësit, do të ndjekin nga afër dokumentimin, mbrojtjen dhe përfshirjen e gjetjeve në projektin e ri.
“Ky është një shembull konkret i vizionit për zhvillim të integruar urban, edukativ dhe turistik”, përfundoi ministri Gonxhja./atsh/ KultPlus.com
Studentët e Universum International College kanë qenë pjesë e një eksperience të jashtëzakonshme ndërkombëtare që bashkoi të rinj nga Kosova, Gjermania dhe Kenia në një projekt të përbashkët me ndikim global.
Faza e parë e këtij projekti nisi në Kosovë, ku studentë nga Gjermania udhëtuan drejt kampusit të Universum për të punuar së bashku me studentët tanë në tema me rëndësi sociale dhe kulturore. Për një javë, kampusi i Universum u kthye në një qendër të energjisë rinore, shkëmbimit të ideve dhe punës kreative ndërkulturore.
Pas kësaj faze, studentët e Universum së bashku me studentët nga Kenia udhëtuan në Gjermani, ku vazhduan punën në projekt dhe morën pjesë në aktivitete të shumta akademike, kulturore dhe sociale. Gjatë qëndrimit atje, ata prezantuan rezultatet e punës së tyre, u përfshinë në panele ndërkombëtare dhe ndërtuan rrjete të reja bashkëpunimi me studentë nga vende të ndryshme të botës.
Ky projekt tregoi edhe një herë se studentët e Universum janë të gatshëm të përfaqësojnë denjësisht Kosovën në çdo cep të globit, me profesionalizëm, kreativitet dhe vizion të qartë për të ardhmen.
Universum International College vazhdon të jetë lidere në ofrimin e mundësive ndërkombëtare për studentët e saj, përmes projekteve ndërkombëtare, bursave Erasmus+ dhe bashkëpunimeve globale që forcojnë arsimin dhe krijojnë qytetarë të botës
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka vlerësuar lart rikthimin e këngëtarit dhe kantautorit të njohur Armend Rexhepagiqi, pas koncertit të mbajtur mbrëmë në Prishtinë.
Përmes një postimi, ministri Çeku tha se artistë si Rexhepagiqi janë të rrallë dhe të pazëvendësueshëm në skenën muzikore shqiptare. Ai përshkroi koncertin si “fantastik” dhe theksoi se zëri, ndjeshmëria dhe muzika e artistit kanë lënë gjurmë të thella në kulturën tonë.
“Një rikthim i shumëpritur i një prej artistëve tanë më të veçantë, me albumin e ri ‘Dashni e vjetër’. Një natë ku emocionet, kujtimet dhe krijimtaria u shkrinë në një performancë që prek zemrën,” u shpreh ministri Çeku.
Albumi i ri i Rexhepagiqit është mirëpritur me entuziazëm nga publiku, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e muzikës së tij për të prekur gjenerata të tëra./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas koncertit të mbajtur nga artisti i njohur Armend Rexhepagiqi, duke e quajtur ngjarjen një natë të paharrueshme që bashkoi emocionin, kujtimin dhe dashurinë për muzikën.
“Në një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme,” – shkruan Osmani, duke vlerësuar thellësisht ndikimin që artisti ka pasur në breza të tërë.
Ajo e përshkroi Rexhepagiqin si një artist me zë që “sfidon kohën” dhe një shpirt që “rrëmben zemrat e shumë gjeneratave”, duke e cilësuar performancën si një udhëtim ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja.
“Faleminderit, Armend, për çdo akord që na bëri të ndiejmë emocion e nostalgi dhe për krijimtarinë që sfidon kohën!” – përfundon mesazhin e saj Presidentja Osmani./KultPlus.com
Mbrëmë, Prishtina u bë një zë i vetëm me këngët e Armend Rexhepagiqi, duke bashkuar kujtime e shpresa të gjeneratave të ndryshme.
Në një njoftim nga Drejtoria e Kulturës, drejtoresha Sibel Halimi theksoi se arti dhe kultura na kujtojnë se dashuria për vendin nuk është vetëm ndjenjë, por burim që na mban të gjallë dhe të lidhur.
“Përmes muzikës së tij, Armendi na tregoi se kjo dashuri rritet sa herë që e mbajmë gjallë mes njerëzve”, thuhet në njoftim.
Koncerti u përmbyll me emocione të forta dhe duartrokitje të gjata, duke e shndërruar natën në një moment të veçantë për kryeqytetin.
Kur poeti shkruan, toka lëvizë pakëz në vendlindjen e parardhësit të tij.
Nga fjalori nisin të bien gërma. Një djalosh shkruan një grafit me ngjyrë të kuqe: mesazh që shënohet në gjuhën spanjolle.
Kur poeti shkruan, kuvendojnë brezat, ndërrohen kohët.
Diku shtresohet shkëlqimi. Diku një përmendore e rëndësishme lehtë përkulet. Kur poeti nisë të shkruaj, e bën këtë përmes ëndrrës dhe kryeneçësisë.
Pikëla shiu marrin fuqi në një libër. Ai libër do bëhet ujë. Në atë çast – pasardhësit dyshues nuk e vlerësojnë, prozatorët ngazëllehen, piktorët bashkëndiejnë.
Kur poeti shkruan, rrokë përvoja të poetëve të amshuar, rijetëson brengat e tyre.
Në një vend plasaritet shtegu, që të hyjë lagështia në zërin e dikujt që ka diçka për të kumtuar. Palpon qarkullimin e vet poeti teksa shkruan.
E lë në kopertinë emrin e një gruaje: ajo grua njëherë ka qenë Dezdemonë. Murosë ai poeti – me guralecë, me të njëjtit që ishte gurëqëlluar.
E mandej, mbulohet me një grusht dheu.
KUR POETI E KRYEN POEZINË
Kur e kryen poezinë, nuk mund ta besojë poeti se për çfarë shkroi.
Që ka hyrë në diskutime teologjike, që i është tëhuajësuar vetes, që kërkon shtëpi tjetër, dashuri tjetër dhe fat tjetër.
Kur e kryen poezinë, e kupton që e ka thënë dhe atë që nuk e kishte menduar, që i janë përvjedhë dhe fjalë të huaja.
Pastaj që, nuk e di kush është, nga është. Që ka hulumtuar dete, – ende vijon të mbetet ai që gjurmon dashurinë? Dikush do të thotë që kjo ishte veç replikë mbi aromat.
Kur e kryen poezinë, poeti e kupton që është veçse në fillim.
Që nuk ka lëvizë, sikur e gjithë ajo kohë ka ecur mbrapsht. Qorrazi duart kanë bërë lëvizje qarkore. Ai pikërisht, atëherë, ia nisë.
Kur e kryen poezinë, atëherë nisë të kuptojë, që asnjëherë dhe asnjë poezi, faktikisht, s’ka për ta përfunduar.
KUR MENDON SE U BË POET…
Kur poeti e kërkon temën, kryqëzohen rrugët njëkahëshe.
Ndjehet fajtor poeti për atë që s’e ka bërë. Biles më shumë se për vetë ato që ndanë bashkëfajësinë. Përfundon në mes të verës motmoti – erëmon në qafën e një gruaje bergamoti.
Epoka e tij është mendimi i trishtë i botës. Beson që e gjithë kjo s’i ndodhë veç atij, s’ndodhë veçse në atë çast.
Përderisa shkruan poeti, është barrë e kohës. Dhe zgavër në mes kohësh. Nëse e mbanë veten, e pranon humbjen me klas, përshëndetë dhe dëshpërimtarët e panjohur.
Dhe nisë e kupton se sa është larg vetes, se sa nuk është ai që donte të bëhej.
Pavle Goranoviqi (1973), shkrimtar malazez. Krijimtaria e tij është përkthyer dhe shpërblyer disaherësh.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga plazhet e Sarandës, ku fundjava ka sjellë një tjetër fluks të lartë vizitorësh, vendas dhe të huaj.
Saranda vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të sezonit veror, falë ujërave të kristalta, shërbimeve turistike në rritje dhe mikpritjes që e karakterizon prej vitesh.
Fluksi i turistëve në qytetin jugor dëshmon jo vetëm për popullaritetin në rritje të Rivierës shqiptare, por edhe për ndikimin pozitiv që turizmi po sjell në ekonominë vendase.
Vitet e fundit Shqipëria ka zënë një vend të rëndësishëm në mediet ndërkombëtare për sa i përket klasifikimit të vendit si një nga destinacionet turistike të preferuara për turistët huaj, ku spikatin qytetet si Ksamili, Saranda dhe Vlora./atsh/KultPlus.com
Shumë shpesh kam parë artikuj të ndryshëm botëror për radhët e gjata të qytetarëve për të takuar një shkrimtar, për të prerë një biletë për koncerte të operave, për të takuar ndonjë futbollist, apo ndonjë figurë të njohur.
Shkruan: Ardianë Pajaziti
Kur them radhë, e kam fjalën rresht për dy, dhe jo turmë. Se turma kemi parë shumë edhe në Kosovë. Por mbrëmë, këtë radhën rresht për dy e pashë me sytë e mi. Radha ishte shumë e gjatë, prerjen e bënin semaforët, për të vazhduar më tutje drejt ngjalljes së emocioneve të fshehura.
Shumica gjeneratë e viteve të 70-ta, por që kishte edhe mbi këtë moshë e deri te moshat më të reja pritnin në radhë për tu futur në koncertin e rikthimit të këngëtarit Armend Rexhepagiq, dhe përderisa pritnin, ishte një ndjenjë ndryshe.
Takonin, takonin dhe takonin bashkëmoshatarë, shokë të dikurshëm të klasave, të shkollave, të aktiviteteve të ndryshme, që nuk ishin parë për shumë vite. Armendi i kishte mbledhë, sikur të ishte një takim gjenerate, takim nostalgjie, takim i rinisë!
E pashë një burrë afër të 50-ave që për herë të parë merrte pjesë në një koncert, dhe se këtë vendim e kishte marr vetëm për kujtimet e këngëve të Armend Rexhepagiq, një grua me karrocë që e shoqeronin familjarët e saj, dhe një tjetër që festonte datëlindjen e 50-të, dhe pikërisht për datëlindjen e tij, e gjithë Prishtina kumbonte “Krejt Prishtinën për ditëlindje.
“Harrova” “Shkel” “Oj Dude, Dudie” ishin këngët që i këndonte publiku, edhe pa Armendin, por edhe kënga e re “Dashni e vjetër” ishte ngjizur në memorien e adhuruesve të tij, që kumbonte në hapësirën e parkingut të Prishtinës, që për një natë të vetme shndërrohet në një energji Prishtine, për tu kthyer sërish në një hapësirë pa jetë.
Se nëse Armendi është brenda shijes së secilit, është vështirë të thuhet, se artistët kanë audienca të ndryshme, por se është kujtesë kolektive, definitivisht po.
Mbrëmë, prindërit që luftojnë me fëmijët e tyre për cështje adoleshence, për nje moment u shnderruan po në ata adoleshentë. Burra e gra të rritur me një shpirt të rinuar!/KultPlus.com
Nga rrënojat antike, deri te peizazhet natyrore mahnitëse, Parku Kombëtar i Butrintit mbetet një prej destinacioneve më unike dhe më të vizituara në Shqipëri.
Ky qytet antik, i mbrojtur nga UNESCO, vijon të tërheqë turistë nga e gjithë bota falë pasurisë së tij historike dhe trashëgimisë kulturore të rrallë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau sot pamje nga Butrinti, duke theksuar rëndësinë e tij si pasuri kombëtare dhe ndërkombëtare.
Butrinti është dëshmi e gjallë e qytetërimeve të mëdha që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit.
Kompleksi arkitektonik i Butrintit përfshin 15 zona të periudhave të ndryshme historike, duke filluar nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Ky mozaik epokash e bën Butrintin një muze të hapur të qytetërimeve që kanë kaluar nëpër shekuj – nga romakët, bizantinët, venecianët e deri në Mesjetë.
Në zemër të parkut gjendet teatri antik, i cili ka qenë skenë e shfaqjeve dhe ritualeve ndër shekuj, duke ruajtur ende atmosferën dhe akustikën e kohës.
Po ashtu, bazilika, nimfeumi dhe monumente të tjera madhështore dëshmojnë ndërthurjen e arkitekturës me religjionin dhe kulturën e periudhave të ndryshme.
Muzeu i Butrintit, i vendosur mes rrënojave të lashtësisë, ofron një kronologji të pasur të historisë mijëravjeçare të qytetit. Mozaikët e ruajtur me kujdes, me figurat e tyre të ndërlikuara, rrëfejnë histori unike mbi jetën, traditat dhe besimet e banorëve të lashtë të kësaj zone magjike./atsh/KultPlus.com
Si sot 56 vite më parë njeriu zbriti në Hënë për herë të parë.
Ishte një kohë kur ende kishte ëndrra ku pothuajse çdo gjë dukej e mundur, shkruan gazeta gjermane ”Rheinpfalz” në një artikull kushtuar zbritjes së parë të njeriut në Hënë.
Besimi në përparimin teknologjik ishte pothuajse i patundur në vitet ‘60 të shekullit të kaluar. Por, një ëndërr u bë e vërtetë kur Neil Armstrong vendosi këmbë në sipërfaqen e Hënës më 20 korrik 1969.
Ky ishte më shumë se kulmi i përpjekjeve të pabesueshme të inxhinierëve dhe shkencëtarëve, që u arrit me një teknologji që sot duket e vjetërsuar.
Njerëzimi në fakt dukej i aftë për të kapërcyer barrierat e hapësirës dhe kohës.
Misioni “Apollo 11” është shndërruar sot në simbolin e një epoke të re drejt hapësirës, ku protagonistë të rinj po sfidojnë njëri-tjetrin në një garë që synon kthimin në Hënë në një rutinë duke e shndërruar këtë satelit të vogël në një bazë kërkimore dhe në një plasdarm për eksplorimin e sistemit diellor duke filluar nga planeti Mars./KultPlus.com
Sot është Dita Ndërkombëtare e Shahut, një nga lojërat më të lashta, intelektuale dhe kulturore, me një ndërthurje të sportit, të menduarit shkencor dhe elementeve të artit.
Si një aktivitet i përballueshëm dhe gjithëpërfshirës, ai mund të ushtrohet kudo dhe të luhet nga të gjithë, përtej barrierave të gjuhës, moshës, gjinisë, aftësive fizike apo statusit social.
Shahu është një lojë tavoline strategjike me dy lojtarë, ku qëllimi është që të lëvizin lloje të ndryshme të gurëve të shahut, me një grup të caktuar lëvizjesh të mundshme, rreth një dërrase katrore me kuadrate duke u përpjekur të kapet “mbreti” kundërshtar.
Sot ka mbi 2000 variante të identifikueshme të lojës. Një teori është se një lojë e hershme e ngjashme me shahun e quajtur Chaturanga filloi në Indi dhe u përhap përgjatë Rrugës së Mëndafshit në perëndim të Persisë. Ndërsa shahu modern besohet të ketë rrjedhur nga Chaturanga që do të thotë “katër divizione” duke iu referuar ose ndarjeve të pjesëve të lojës në këmbësoria, kalorësia, elefanti dhe karroca, ose për faktin se loja u luajt nga katër lojtarë. Chatrang, dhe më vonë Shatranj, ishte emri që iu dha lojës kur mbërriti në Persinë Sasanide rreth vitit 600 të erës sonë.
Në vitin 900 të erës sonë, mjeshtrat e shahut abasid al-Suli dhe al-Lajlaj kompozuan vepra mbi teknikat dhe strategjinë e lojës, dhe në vitin 1000 të erës sonë shahu ishte i popullarizuar në të gjithë Evropën dhe në Rusi, ku u prezantua nga Stepa Euroaziatike.
Më 12 dhjetor 2019, Asambleja e Përgjithshme shpalli 20 korrikun si Ditën Botërore të Shahut për të shënuar datën e themelimit të Federatës Ndërkombëtare të Shahut (FIDE) në Paris në vitin 1924. Me iniciativën e FIDE-s, 20 korriku shënohet si Dita Ndërkombëtare e Shahut nga shahistët në mbarë botën që nga viti 1966./atsh/KultPlus.com