Përkeqësohet situata me zjarret në Parkun Kombëtar të Lurës, kërkohet ndërhyrja nga ajri
Zjarri që u shfaq rreth 2 javë më parë në afërsi të liqenit të luleve në Lurë ka marrë përmasa të mëdha teksa ka kaluar deri në Zall Gjoçaj. Flakët kanë shkrumbuar deri tani dhjetëra hektarë pyje me pishë të zezë, ah e bimësi tjetër.
Megjithëse po punohet nga toka me dhjetëra forca të ADZM Dibër, Shërbimit Zjarrfikës të Bashkisë Dibër, Shërbimit Pyjor, punonjës të tjerë dhe forcat e armatosura, nuk është bërë e mundur neutralizimi i zjarrit.
Era e fortë dhe terreni i thyer malor kanë qenë në disfavor të grupeve të angazhuara për fikjen e zjarrit.
Flakët janë zhvendosur deri në Zall Gjoçaj ku rrezikojnë të djegin stanet e verimit të bagëtisë së imtë, gjedhëve dhe mbi 100 koshere bletësh.
Autoritetet vendore kërkojnë ndihmë nga ajri pasi është e pamundur që të neutralizohet zjarri në rrugë tokësore.
Duke qenë se në zonë ndodhen liqenet e Lurës, por në distancë të vogël edhe ato të malit të Balgjajt, ndërhyrja me helikopter nga ajri mund të jetë efektive në mënyrë që të mos rritet dëmi ekonomik në Parkun Kombëtar të Lurës.
The post Përkeqësohet situata me zjarret në Parkun Kombëtar të Lurës, kërkohet ndërhyrja nga ajri first appeared on JavaNews.al.