Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 July 2025Java News

Hyn në fuqi rregullorja e re e KLGJ-së, në fokus rivlerësimi i gjyqtarëve dhe roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit

By: E S
22 July 2025 at 19:54

Ka hyrë në fuqi zyrtarisht të martën vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), i cili kohë më parë miratoi vendimin, i cili përcakton Rregulloren “Mbi Zhvillimin e Procedurave për Rivlerësimin e Subjekteve nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë”.

Ky vendim, i firmosur nga Kryetari i KLGJ-së, Ilir Rusi, synon të garantojë një proces të qartë, transparent dhe efektiv të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në përputhje me reformën në drejtësi.

Rregullorja ka për qëllim të përcaktojë rregullat, hapat dhe afatet për zhvillimin e procedurave të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve nga KLGJ dhe prokurorëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

Ky proces, sipas vendimit, “duhet të sigurojë transparencë, drejtësi dhe respektim të afateve ligjore, siç parashikohet nga Kushtetuta e Shqipërisë, ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, dhe aktet e tjera ligjore në fuqi”.

Parimet themelore mbi të cilat mbështetet kjo rregullore janë ato të përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligj, duke përfshirë ato që lidhen me pavarësinë dhe paanësinë e procesit.

Rregullorja e re detajon rregulla mbi organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Përkohshëm për rivlerësim; procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve dhe relatorit të çështjes; hapat proceduralë gjatë rivlerësimit kalimtar; detyrat specifike të relatorit të çështjes (njëkohësisht kryetar i Komisionit) dhe anëtarëve të Komisionit; rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) nëpërmjet vëzhguesve ndërkombëtarë.

Vendimi përcakton edhe veprimet administrative dhe procedurale, afatet kohore, si dhe kalimin e çështjes në seancë dëgjimore, si dhe procedurat e shqyrtimit, vendimmarrjes, ankimimit, monitorimit dhe raportimit.

Komisioni i përkohshëm, sipas vendimit, do të jetë një komision prej 3 anëtarësh (2 gjyqtarë/prokurorë dhe 1 jo gjyqtar/prokuror) të zgjedhur me short rast pas rasti për çdo çështje rivlerësimi.

Ndërsa relatori i çështjes do të jetë anëtari i Komisionit të Përkohshëm i zgjedhur me short, përgjegjës për drejtimin e mbledhjeve, hetimin administrativ dhe përgatitjen e relacionit.

Sa i përket vëzhguesve ndërkombëtarë, ata do të jenë persona të caktuar nga ONM. Subjekt rivlerësimi do të jenë të gjithë personat e parashikuar në Kushtetutë që i nënshtrohen procesit të vettingut.

Strukturat dhe rolet

Komisioni i Përkohshëm do të ngrihet për çdo çështje rivlerësimi, me 3 anëtarë të zgjedhur me short. Relatori i çështjes zgjidhet me short dhe është kryetari i këtij Komisioni.

“Anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së, si dhe ata të Komisionit të Përkohshëm, janë të detyruar të deklarojnë çdo konflikt interesi dhe të tërhiqen nga shqyrtimi apo votimi i çështjes përkatëse. Subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të kërkojë përjashtimin e një anëtari në rast konflikti interesi.”, përcakton vendimi, shkruan rtsh.al.

Mbledhjet e Komisionit të Përkohshëm janë të vlefshme vetëm kur marrin pjesë të gjithë anëtarët dhe vëzhguesi ndërkombëtar. Vendimet merren me shumicë votash.

Komisioni i Përkohshëm asistohet nga Njësia e Këshilltarëve të Komisioneve të Përhershme, e përbërë nga këshilltarë ligjorë dhe ekonomikë, të cilët studiojnë dosjet dhe përgatisin raporte.

Procesi i rivlerësimit

Sipas vendimit të ri, procedura fillon me administrimin e rezultateve të testimit nga Shkolla e Magjistraturës (për subjektet me pezullim nga detyra) ose me administrimin e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) për rishikimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).

Brenda 7 ditëve nga fillimi i procedurës, hidhet shorti për ngritjen e Komisionit të Përkohshëm dhe zgjedhjen e relatorit, ndërsa brenda 10 ditëve nga njoftimi i subjektit, Komisioni i Përkohshëm zhvillon mbledhjen e parë, ku vendoset për fillimin e hetimit. Relatori i çështjes siguron provat e nevojshme dhe përgatit relacionin paraprak.

Subjektit të rivlerësimit i garantohet e drejta për t’u njohur me dosjen, për të paraqitur prova/shpjegime me shkrim dhe për të kërkuar thirrjen e dëshmitarëve.

Pas përfundimit të hetimit, relatori përgatit relacionin përfundimtar dhe ia vë në dispozicion Komisionit të Përkohshëm, anëtarëve të Këshillit dhe vëzhguesit ndërkombëtar.

“Kryetari i Këshillit cakton mbledhjen plenare për vendimmarrje dhe seancën dëgjimore, e cila është publike. Në seancë dëgjimore, relatori bën një përmbledhje të dosjes, ndërsa subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë shpjegime dhe të përgjigjet pyetjeve. Diskutimet për vendim zhvillohen me dyer të mbyllura në prani të vëzhguesit ndërkombëtar. Vendimi merret me votim të hapur dhe shumicë të thjeshtë, dhe shpallet në fund të seancës. Arsyetimi përgatitet brenda 30 ditësh.”, thuhet në rregullore.

Vendimi me shkrim u njoftohet subjektit, Prokurorisë së Posaçme dhe vëzhguesit ndërkombëtar, dhe publikohet në faqen zyrtare të KLGJ-së, duke respektuar anonimitetin e të dhënave personale.

Kjo rregullore vlerësohet se është një hap thelbësor në forcimin e integritetit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë shqiptare, duke vendosur standarde të qarta për procesin e rivlerësimit të magjistratëve.

The post Hyn në fuqi rregullorja e re e KLGJ-së, në fokus rivlerësimi i gjyqtarëve dhe roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit first appeared on JavaNews.al.

“Doktori nuk pyet për statut”, Mërtiri: Sindroma e një lideri që nuk ndryshon, praktikisht sot Berisha është i shkarkuar

By: E S
22 July 2025 at 19:45

Analisti Ergys Mërtiri ka bërë një koment të drejtpërdrejtë dhe kritik lidhur me situatën e brendshme në Partinë Demokratike dhe figurën e liderit historik të saj, Sali Berisha. Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Mërtiri analizoi zhvillimet e fundit politike në PD, duke theksuar se Berisha ka qenë gjithmonë në qendër të vendimmarrjes, edhe kur formalisht nuk ka qenë në krye të partisë.

Sipas tij, Berisha ka ndërtuar një model të qëndrueshëm kontrolli personal mbi strukturat e PD-së dhe nuk ka treguar asnjë shenjë vullneti për t’u tërhequr nga skena politike, madje edhe në kushtet kur, sipas statutit të vetë partisë, ai konsiderohet i shkarkuar.

“Berisha ka qenë dhe do që të jetë i përjetshëm edhe kur vendosi Bashën kryetar ka qenë gjithmonë pas perdes. Berisha po tregohet qartë që është një lider që nuk pranon që të ikë nga politika në asnjë mënyrë, ai pranon të jetë edhe kur shkatërron partinë e vet. Nuk mund të ketë nen statuti që e largon, kur nuk e largojnë kushtet reale, nuk ka nen që e largon.”

Mërtiri solli në vëmendje edhe paradokset në qëndrimet e Berishës, të cilat sipas tij ndryshojnë në varësi të rrethanave politike, si dhe mungesën e reformës dhe modernizimit në parti për gati katër dekada. Ai theksoi se Partia Demokratike sot ndodhet në një krizë të thellë identiteti dhe funksionaliteti, pikërisht për shkak të qëndrimit të gjatë të një lideri të vetëm në krye.

“Statuti u fut në vitin 2021 kur futi Lulzim Bashën, dhe këtë gjë e tha me idenë që lideri i ardhshëm të mos ankohej për vjedhjen e zgjedhjeve, kurse tani që është vetë thotë që Bashës nuk ia vodhën dhe mua mi vodhën. Berisha nuk largohet edhe sikur zgjedhjet të ishin më të mirat që janë bërë ndonjëherë. Këto janë thjeshte sebepe, sepse statuti e thotë qartë. Praktikisht sot Berisha është i shkarkuar sipas statutit. Berisha në 35 vite ka thënë që do e modernizojë partinë dhe këtë gjë nuk e ka bërë në 35 vite. Kjo është sindroma e një lideri që nuk ndryshon, ndërkohë që gjërat dhe koha ka ndryshuar. Këtu tregon që kjo parti ka një problem të madh reformimi, dhe sigurisht që nuk mund të reformohet kur mban për 35 vite të njëjtin lider. Kjo parti është zhytur në një pikë ku pikësëpari ka humbur arsyen.”

Në vijim, analisti trajtoi edhe tendencën e Berishës për të etiketuar si “armiq” apo “të shitur” çdo figurë që del jashtë rrethit të tij të ngushtë, përfshirë edhe persona apo institucione që në të kaluarën kanë qenë në favor të Partisë Demokratike. Si shembull, Mërtiri përmendi kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, për të cilin tha se ka marrë disa vendime që kanë përmbushur kërkesat e PD-së, por që gjithsesi është bërë objekt sulmesh nga Berisha.

“Berisha bën atë që ka bërë gjithmonë, akuzon këdo që i del përpara, këdo që nuk është në oborrin e tij dhe e konsideron të shitur. Në fakt Celibashi më shumë ka qenë në krah të PD, në çdo vendim që ka marrë. Celibashi hoqi votimin elektronik vetëm se e kërkoi PD. Po, Berisha këtë gjë ka bërë gjithmonë, ka sulmuar gjithmonë ata që i kanë shërbyer”, tha ai.

The post “Doktori nuk pyet për statut”, Mërtiri: Sindroma e një lideri që nuk ndryshon, praktikisht sot Berisha është i shkarkuar first appeared on JavaNews.al.

Përplasjet Lapaj-Shabani, Arlind Qori: Po “hanë” njëri-tjetrin për një mandat, nuk kanë ideal!

By: E S
22 July 2025 at 19:37

Përplasjet Lapaj-Shabani, kreu i ‘Lëvizjes Bashkë’, Arlind Qori, i sheh si një telenovelë mes dy përfaqësuesve të partive politike, të cilët sipas tij po zihen për një mandat deputeti. I ftuar ditën e sotme në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, Qori tha se ata nuk kanë asnjë ideal.

‘Këto janë parti shampanjë, kërcasin njëherë dhe zhbëhen. Po i jepet shumë vëmendje kësaj. Unë e shoh që janë parti që përfaqësuesit e tyre s’kanë asnjë ide dhe asnjë ideal. Mua ata më akuzonin si egoist, kur unë sot s’jam deputet, unë si dal fjalës që them, Redi Muçi do të jetë deputet. Por dihej se do të vinim në këtë situatë ku për një vend deputeti po hanë njëri -tjetrin. Bëhet fjalë për një koalicion që ka marrë vetëm një deputet. Pra nëse s’do të bëshin bashkë këta, asnjë prej tyre nuk do të kishte deputet. Bota e tyre është vetëm një mandat deputeti. Është një telenovelë personazhesh që duan vetëm që të bëhen deputet’, tha ai.

Qori është shprehur kundër një bashkëpunimi me PS dhe me partitë e tjera opozitare.

‘Nuk besoj se PS do të ketë ndonjë propozim të mirë për qeverisjen e vendit. Fakti që do të kemi një përfaqësi në Kuvend do të na bëjë që të kemi një zë në kuvend. Ne nuk do të bashkëpunojmë me parti të korruptuara, ne kemi aksionin tonë të pavarur, bashkë më shtresat në nevojë, me bizneset e vogla për të ngritur çështje që janë të rëndësishme’, tha ai.

Shqipërinë në BE brenda 2030, e sheh si një objektiv që arrihet vetëm nëse qeveriset ndryshe.

‘Vetën nëse qeveriset në mënyrë të ndryshme nga sa është qeverisur deri sot dhe vetëm nëse bëhen reforma të thella. Dhe këto s’mund t’i bëjë qeveria aktuale sepse ka shumë korrupsion dhe abuzim. Nuk besoj se nëse vijohet që të qeveriset kështu do të jemi në BE së afërmi’, tha ai.

Ai tha se ‘Lëvizja Bashkë’ është në një proces riorganizimi dhe duke u rritur në numra me anëtarsime të reja.

‘Ne jemi në një proces riorganizimi. Për fatin tonë të mirë kemi një valë të re anëtarësimesh në këtë periudhë. Ka pasur interes si jashtë dhe brenda vendit. Shtatori nuk është larg dhe janë shumë çështje që duhet të merremi. Ne nuk kemi harruar çështjen e pensioneve, çështjet e strehimit, minimumin jetik. Programi ynë nuk ishte program për një palë zgjedhje. Ne për çdo çështje kemi një alternativë të shëndetshme’, tha ai.

The post Përplasjet Lapaj-Shabani, Arlind Qori: Po “hanë” njëri-tjetrin për një mandat, nuk kanë ideal! first appeared on JavaNews.al.

Coca-Cola i përulet Trump-it? Kompania është gati të hedhë në treg versionin me sheqer kallami

By: E S
22 July 2025 at 19:27

Coca-Cola do të lançojë një version të ri të pijeve të saj klasike, këtë herë të ëmbëlsuar me sheqer kallami, duke konfirmuar deklaratën e fundit të Presidentit Donald Trump .

Trump tha në një postim në rrjetet sociale javën e kaluar se Coca-Cola kishte rënë dakord të përdorte sheqer të vërtetë kallami në produktin e saj kryesor në SHBA , në vend të shurupit të misrit me fruktozë të lartë.

Kompania nuk e konfirmoi ndryshimin, por premtoi të sillte produkte të reja në treg.

Coca -Cola ka përdorur shurup misri me përmbajtje të lartë fruktoze për të ëmbëlsuar pijen e saj të butë kryesore në SHBA që nga vitet 1980 , megjithëse në tregje të tjera, siç është Meksika, ajo ende përdor sheqer kallami.

Të martën, drejtori ekzekutiv i Coca-Cola-s, James Quincey, tha se kompania do të zgjeronte gamën e produkteve të saj “për t’u bërë thirrje konsumatorëve që kërkojnë përvoja të ndryshme”.

Së fundmi, kompania rivale PepsiCo ka filluar gjithashtu të shtojë sheqer kallami në pijen e saj klasike.

The post Coca-Cola i përulet Trump-it? Kompania është gati të hedhë në treg versionin me sheqer kallami first appeared on JavaNews.al.

“33 vdekje nga uria në 48 orë”, Guterres shprehet i tronditur: Gaza po përjeton tmerr të paparë në histori

By: E S
22 July 2025 at 19:18

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, është shprehur “i tronditur nga kushtet humanitare që po përkeqësohen me shpejtësi në Gaza, ku mjetet e fundit të jetesës që i mbajnë njerëzit gjallë po shemben”, tha në një deklaratë Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm, ndërkohë që në 48 orët e fundit 33 vetë kanë humbur jetën nga uria. Guterres shpreh keqardhje për raportet në rritje për fëmijë dhe të rritur që vuajnë nga kequshqyerja, vazhdoi zëdhënësi në një deklaratë.

Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu dënon fuqimisht dhunën e vazhdueshme, duke përfshirë të shtënat, vrasjet dhe lëndimet e njerëzve që përpiqen të gjejnë ushqim për familjet e tyre.

“Civilët duhet të mbrohen dhe të respektohen dhe nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër. Popullsia e Gazës vazhdon të ketë mungesë të madhe të nevojave themelore. Izraeli ka detyrimin të lejojë dhe lehtësojë, me të gjitha mjetet në dispozicion të tij, ndihmën humanitare të ofruar nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera humanitare”, shtoi zëdhënësi.

“Sekretari i Përgjithshëm thekson se intensifikimi i armiqësive në ditët e fundit ndodh në një kohë kur sistemi humanitar po pengohet, dobësohet dhe rrezikohet.

“Një urdhër i ri evakuimi në disa pjesë të Deir al-Balah, ku jetojnë dhjetëra mijëra njerëz, po i shtyn njerëzit në kushte edhe më të dëshpëruara dhe zhvendosje të mëtejshme, ndërsa kufizon aftësinë e Kombeve të Bashkuara për të ofruar ndihmë shpëtimtare”, shtoi ai.

Stafi i OKB-së, specifikoi më tej ai, mbetet në Deir al-Balah, dhe dy shtëpi pritjeje të OKB-së u shënjestruan, “pavarësisht se palët janë informuar për vendndodhjen e ambienteve të OKB-së, të cilat janë të paprekshme. Këto vende, si të gjitha vendet civile, duhet të mbrohen, pavarësisht urdhrave të evakuimit.”

Ndërkohë sipas drejtorit të Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), që nga fundi i majit, më shumë se 1,000 njerëz të uritur janë vrarë ndërsa kërkonin ushqim në Gaza.

The post “33 vdekje nga uria në 48 orë”, Guterres shprehet i tronditur: Gaza po përjeton tmerr të paparë në histori first appeared on JavaNews.al.

“Rama ka në plan të na marrë dhe PD-në”, Adriana Kalaja: Kur thosha unë që duhet tritoli, ju talleshit!

By: E S
22 July 2025 at 19:08

Adriana Kalaja thotë se Rama ka një plan të kapë dhe PD-në, pas shkarkimeve të shumta nëpër bashkitë e vendit.

Kjo, pasi sipas saj, në vendet e lira do të punësohen demokratët e pakënaqur me PD-në.

“Çdo popull, meriton Sudet që voton……

Më e rëndë se zaptimi i paligjshëm që Sulltani i Surrelit po i bën pushtetit vendor, është zaptimi, që pas shumë mënyrave të dështuara, po i bën opozitës shqiptare.

Flitet se pas shkarkimeve të patronazhistëve në bashki të ndryshme dhe jo vetëm, qëndron një plan i mirëmenduar “punësimi” në to i opozitarëve të pakënaqur e të lodhur 12 vite në opozitë.

Kjo me ndihmën edhe të Sudeve “opozitare”.

Në fakt, po zbaton atë idenë e dikurshme “përtej të majtës dhe të djathtës” e cila nuk është asgjë tjetër veçse zhbërja e kufijve ideologjik, me synimin final antikombëtar, zhbërjen e opozitës dhe pluralizmit.

Ndërkohë, ne presim shtatorin…..

Do vi dita që as tritoli nuk do e zgjidhë këtë katrahurë me përmasa genociti.

Upssssssss se desh harrova.

Kur e propozova unë tritolin, si ide të pastrimit të Tiranës qoftë metaforitikisht, por qoftë edhe sipas dispozitave të parashikuara në akte ligjore, të gjithë m’u sulën.

Me oligarkët nga mbrapa sigurisht.

Kur e përdor tutori i tyre pagator, në kundështim me ligin dhe Kushtetutën, nuk lënë banak që paguhet nga inceneratorët inekzistentë, pa reklamuar sesa i mirë është tritoli i Sulltanit të Surrelit që prish “ndërtimet pa leje”.

Edhe nga Sudet.

Kujdes CV në aplikim.

Thoini që keni votuar për Sudet.

Është plus në konkurim.

Se kot nuk thonë;

Çdo popull, meriton Sudet që voton.

PS; Nuk di çfarë u bë me vilën në Hamallaj”, shkruan ajo.

The post “Rama ka në plan të na marrë dhe PD-në”, Adriana Kalaja: Kur thosha unë që duhet tritoli, ju talleshit! first appeared on JavaNews.al.

Nëntë vite Reformë në Drejtësi: 805 magjistratë nën veting, sfidë plotësimi i vakancave në sistem

By: A R
22 July 2025 at 19:00

Një nga reformat më të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar, ajo në drejtësi, mbush më 22 korrik plot 9 vite. Përmes kësaj reforme u hap rruga për verifikimin e thelluar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të sistemit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Në total, 805 subjekte u përfshinë në procesin e rivlerësimit; prej tyre, 268 u shkarkuan nga detyra, ndërsa 105 të tjerë u tërhoqën vetë, duke shmangur përballjen me vetingun.

Gati gjysma e subjekteve të rivlerësuara, saktësisht 373 nga 805, e kaluan me sukses vetingun dhe u konfirmuan në detyrë.

Komisioneri Publik ishte institucioni që përfaqësonte interesin publik duke ankimuara vendimet e vetingut për magjistratët, për të garantuar integritetin dhe transparencën e procesit mandate i tij përfundoj në janar të 2025 dh kompetencat e tij i mori SPAK.

Nga ana tjetër në shkallën tjetër të vetingut në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u regjistruan 417 çështje që nuk ishin dakord me vendimet e shkallës së parë të vetingut. Deri më tani janë dhënë në total 355 vendime dhe në pritje janë 63 çështje ku 8 janë më statusin në gjykim dhe 55 të tjera në përgatitje për gjykim të cilat pritet të mbyllen deri në qershor 2026.

E gjithë reforma u monitorua dhe mbështet nga misioni ndërkombëtar OMN për të garantuar transparencë dhe drejtësi.

Por ndërsa ky proces po shkon drejt fundit, zëvendësimi i të larguarve me gjyqtarë të rinj mbetet një sfidë kryesore.

Shqipëria ka 272 gjyqtarë dhe 221 prokurorë, ndërsa nevojiten përkatësisht 417 dhe 341, duke krijuar mungesa prej 145 gjyqtarësh dhe 120 prokurorësh.

Me rreth 11 gjyqtarë për 100,000 banorë, Shqipëria qëndron shumë poshtë mesatares evropiane prej mbi 17 gjyqtarësh për 100,000 banorë.

Gjatë vitit 2024, SPAK regjistroi 65 hetime të reja dhe ka nën hetim më shumë se 844 persona, përfshirë 33 ish-zyrtarë të lartë, nga të cilët 19 janë dërguar në gjykatë. Ndërsa aktualisht vijon të trajtojë dosje të nxehta të drejtësisë në vend.

The post Nëntë vite Reformë në Drejtësi: 805 magjistratë nën veting, sfidë plotësimi i vakancave në sistem first appeared on JavaNews.al.

Media italiane: Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët tani është një shembull i mirë në BE

By: A R
22 July 2025 at 18:52

Disa vende kryesore të BE-së si Danimarka, Gjermania dhe Franca po shprehin mbështetje për qasje të ngjashme, ndërsa kërkojnë zgjidhje të reja për menaxhimin e krizës së imigracionit.

Në takimin e fundit joformal të Këshillit të Çështjeve të Brendshme të BE-së në Kopenhagen,  ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare diskutuan mbi çështjen e imigracionit, me theks të veçantë tek riatdhesimi i personave që nuk kanë të drejtë qëndrimi në Evropë.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen, në aktiviteti që shënon një nga ngjarjet e para të presidencës së radhës të Këshillit Evropian, ka qenë e qartë në qëndrimin e saj që në fillim të mandatit, “Njerëzit që vijnë nga jashtë, kryejnë krime të rënda dhe nuk respektojnë mënyrën tonë të jetesës nuk kanë vend në Evropë dhe duhet të dëbohen.”

Në një artikull të zgjeura, gazeta italiane “Il Giornale” shkruan se, ky takim synon të nxisë bashkëpunimin mes vendeve anëtare për zbatimin më të ashpër të rregullave të migracionit dhe kthimin e emigrantëve të paligjshëm në vendet e origjinës, si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur sigurinë dhe rendin brenda BE-së.

Ministri danez i Imigracionit, Kaare Dybvad Bek theksoi se sistemi aktual i azilit në Evropë është në krizë dhe se nevojiten zgjidhje të reja dhe marrëveshje me vende të treta për të përshpejtuar riatdhesimet.

Ai përmendi marrëveshjen Itali-Shqipëri si një iniciativë që ecën në këtë drejtim dhe që mund të shërbejë si pikë referimi për vende të tjera anëtare të BE-së, pavarësisht kundërshtimeve të brendshme në Itali.

Qendrat për përpunimin e kërkesave për azil jashtë BE-së, të ngjashme me ato që Italia po ndërton në Shqipëri, po përkrahen gjithnjë e më shumë nga disa shtete anëtare. Ministri danez theksoi se nëse trafikantëve u hiqet mundësia për të garantuar hyrjen në Evropë, zinxhiri i paligjshëm i emigracionit do të goditet. Kjo, sipas tij, mund të arrihet përmes riatdhesimeve të shpejta dhe përpunimit të kërkesave për azil jashtë BE-së” – citon Il Giornale.

Në Gjermani, sipas të dhënave të përmendura nga Bek, aktualisht jetojnë rreth 300 mijë persona që kanë marrë përgjigje negative për azil dhe që duhet të riatdhesohen.

Në këtë kontekst, edhe propozimet për qendra të ngjashme në vende si Ruanda janë në shqyrtim.

Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, e përshëndeti qasjen e re si “tërësisht të nevojshme” dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet partnere për zbatim efektiv të këtyre politikave. Ai shtoi se zbatimi i këtyre marrëveshjeve nga vendet individuale ka qenë i vështirë, por nëse ndërmerren në nivel evropian, ato mund të japin rezultate më të mira.

Franca gjithashtu ka shprehur mbështetje për këtë model. Ministri i Brendshëm francez, Bruno Reitailleau, ka deklaruar se, ndonëse Franca përballet me kufizime kushtetuese, ajo nuk ka pengesa në parim për qendrat e riatdhesimit dhe mbështet çdo iniciativë që e bën procesin më efektiv.

Edhe pse marrëveshja Itali-Shqipëri është kundërshtuar brenda Italisë nga opozita dhe gjyqësori, jashtë saj po shihet si një prej modeleve më të avancuara për t’i dhënë një përgjigje konkrete krizës së migracionit dhe për të ndihmuar në krijimin e një modeli të përbashkët evropian.

The post Media italiane: Marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët tani është një shembull i mirë në BE first appeared on JavaNews.al.

Salianji me parti të re, apo çorbë dizinformuese e spin-ëve të Berishës

By: Ylli Pata
22 July 2025 at 18:45

Nga Ylli Pata

Nga mjediset e reporterëve që përcjellin “zhvillimet” në selinë e PD-së, ka dalë çuditshëm një lajm, sikur Ervin Saljanji po zhvillon takime për të krijuar një parti të re në opozitë.

Zërat e dalë, në formën siç dalin shabllone “lajmet me burime” nga zyra e PS apo e SPAK, ngjajnë as më pak e as më shumë veçse parafabrikate të spinëve të doktorit.

Pasi lajmi për “krijimin një partie të re” nuk është një kafshim shalqiri të shartuar në këto ditë vape. Është lajm shumë i rëndësishëm, e si i tillë nuk mund të trajtohet njësoj si këshon farat e shalqirit në tokë.

Së paku, kush e ka dëgjuar këtë informacion, pyet të zotin e punës, përkatësisht Ervin Saljanjin. i cili natyrisht që do ta përgënjeshtrojë, edhe sikur të jetë vërtetë duke u përpjekur për të krijuar një parti të re.

Por një gazetar, nga mënyra dhe forma e përgjigjes, arrin të kuptojë çfarë po luhet, e kështu nis e gjen ato sinjale që vijnë si nga zyra e propagandës së Berishës, apo nga Saliajanji.

Që ka një zhvillim në orë e sipër kjo u kuptuar qoftë nga qëndrimet, qoftë nga heshtja e Saljanjit. U kuptuar nga deklarata e kryebashkiakut të Kavajës, i cili është aleat i Saljnajit, siç u kuptuar edhe nga qënrimet e ndrojtura e të sikletshme të Sali Berishës.

Sipas të gjitha gjasave, Saljanji nuk do t’i përgjigjet pyetjeve në lidhje me këtë provokacja të spinëve “amerikanë” të doktorit, e sipas gjasave nuk do të trazojë për ca kohë situatën.

As Saljanji e askush në PD, që ka pak mend dhe nuhatje politike nuk i leverdis që të bëjë zhurmë apo të nisë të trazojë ujrat. Për ta përmbysur Sali Berishën, mënyra më e mirë është ta lenë krejt qetë të menaxhojë gjithçka në duart e tij, deri në zgjedhjet e ardhshme.

Rruga e Sali Berishës është në ngjitje, pasi në shtator nis procesin penal për rastin partizani, i cili d të kthehet sipas të gjitha gjasave në mankth në komunikimin publik për opozitën, sa herë të ketë seanca. Plus dosjet e tjera që pritet të happen, e që u pa qartë nga fytyra e Fatmir Mediut që doli sot nga SPAK. Nga shtatori në majin e ardhshëm, Sali Berishën, nuk ka kush leverdi ta besdisë. Së paku ndonjë deklaratë tek tuk në ndonjë tv, siç foli kryebashkiaku i Kavajës.

Nga ana tjetër, Ervin Saljanjit nuk i leverdis që të krijoi parti të re. Gjthë ajo akrobaci e bërë pas 8 janarit 2022, pore dhe ndihmë për reabilitimin legal të Berishës, nuk ka sesi të hidhet poshtë, duke krijuar një parti të re, që është një odise e tmerrshme.

Natyrisht që t’I marrësh partinë doktorit është një mision i pamundur, një utopi, por megjithatë, duke qëndruar aty brenda, mund të mos e marrësh krejt partinë, por një copë edhe mundet. Qoftë duke ta dhuruar Berisha, qoftë duke e zënë pak nga pak si ato lokalet që marrin leje legalizimi pak nga pak. Këtë e ka kuptuar i pari Sali Berisha, i cili është i vetmi që nuk ka folur pas provokacjave të hidhura të Saljanjit dhe kryetaret të bashkisë së Kavajës.

Ndaj prodhoi një “disinformacja” alla GRU, por që tani janë bërë bozë si logjikë e tejpërdorur dhe keqpërdorur. Të ishte për parti të re: si Saljanji, si Grida Duma apo edhe Gaz Bardhi qëndronin në partinë e Lulzim Bashës. Por ata ikën, pasi Basha u bëri të ditur se nuk do tu japë asgjë, duke i treguar ekipin e qarqeve si udhëheqje e ardhshme.

Si kundërpërgjigje Bardhi me Saljanjin e të tjerët i rrëzuan planet, duke u bashkuar me Sali Berishën. i cili përfitoi çfarë donte, ër ta përdorur selinë e partinë si bunker. Por që me kalimin e kohës dhe proceseve, mund t’i kthehet në boomerang gjithçka. E natyrisht që kush qëndron aty brenda do ta hajë ndonjë dardhë.

Ajo që mund të planifikojë Saljanji, kryebashkiaku i Kavajës apo grupi i tyre, është që të ndalojnë Sali Berishën për të bërë një spastrim masiv në PD. Këtë edhe mund t’ja arrijnë, ndërsa për të krijuar parti të re ka pak shanse për të gjetur aleatë të rëndësishëm. Ngaqëa ta që u larguan janë të shpërndarë dhe e urrejnë njëri-tjetrin. Kështu që shansi i vetëm tani për tani është të qëndrojnë në strehën e SHQUP, duke pritur…

The post Salianji me parti të re, apo çorbë dizinformuese e spin-ëve të Berishës first appeared on JavaNews.al.

Zjarri përfshin kodrat e fshatit Leminot në Maliq, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

By: A R
22 July 2025 at 18:37

Një tjetër vatër zjarri është shfaqur mesditën e sotme në kodrat e fshatit Leminot, në bashkinë e Maliqit, duke rritur alarmin për situatën e zjarreve në qarkun e Korçës.

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth dy hektarësh me bimësi të ulët, por falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse dhe shërbimit pyjor, të ndihmuar edhe nga banorët e zonës, zjarri është izoluar në kohë rekord, duke shmangur përhapjen në zona të tjera.

Burime nga terreni bëjnë me dije se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa në vendngjarje ndodhen forca të policisë që po hetojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje.

Autoritetet apelojnë për bashkëpunim nga komuniteti për të parandaluar ngjarje të tilla që rrezikojnë seriozisht mjedisin.

The post Zjarri përfshin kodrat e fshatit Leminot në Maliq, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme first appeared on JavaNews.al.

Ekspozita e industrisë së të dhënave të mëdha do të shfaqë risitë në ekonominë dixhitale

By: A R
22 July 2025 at 17:53

Ekspozita Ndërkombëtare e Industrisë së të Dhënave të Mëdha të Kinës 2025 do të mbahet nga 28 deri më 30 gusht në Guiyang, kryeqyteti i provincës Guizhou të Kinës jugperëndimore, sipas një konference shtypi të martën.

Ekspozita do të nxjerrë në pah inovacionet më të fundit që integrojnë të dhënat me inteligjencën artificiale, të cilat synojnë të nxisin konvergjencën efikase dhe realizimin e vlerës së burimeve të të dhënave, duke injektuar një vrull të fuqishëm në përmirësimin industrial dhe rritjen ekonomike me cilësi të lartë, sipas organizatorëve.

Wang Xudong, zëdhënës i Administratës Kombëtare të të Dhënave (NDA), theksoi fokusin e zgjeruar ndërkombëtar të eventit, duke thënë se si ekspozita e parë globale në botë e përqendruar tek të dhënat, edicioni i këtij viti do të jetë pionier i një zone partneriteti ndërkombëtar furnizim-kërkesë.

E strukturuar rreth pesë fushave kryesore të elementëve të të dhënave, industrisë së të dhënave, ekonomisë dixhitale, infrastrukturës së të dhënave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ekspozita do të përfshijë mbi 20 forume mbi teoritë dhe praktikat e përparuara.

The post Ekspozita e industrisë së të dhënave të mëdha do të shfaqë risitë në ekonominë dixhitale first appeared on JavaNews.al.

Shabani i përgjigjet Lapajt: Zeqiri i merr premtimet seriozisht! S’jam e s’dua të bëhem deputet

By: A R
22 July 2025 at 17:45

Endrit Shabani i është përgjigjur Adriatik Lapajt, i cili sot e ftoi të që të heqin dorë nga mandati i deputetit në Qarkun Tiranë, dhe atë ta marrë gruaja më e votuar në listën e hapur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, që garoi në zgjedhjet e 11 majit.

“As jam deputet dhe as dua më të bëhem deputet. Këtë e di Adriatiku dhe e dinë të gjithë ata që duhet ta dinë, me gojë dhe me shkrim. Prandaj, mos më tërhiqni mua në një valle që duhet të mbyllet sa më parë”, tha Shabani, shkruan A2.

Postimi i Endrit Shabanit:

Një përgjigje për deklaratën e sotme të Z. Adriatik Lapaj

Në mënyrë të përsëritur dhe fatkeqësisht për turpin e “politikës së re”, jam thirrur në një duel publik me mjete të pabarabarta nga Adriatik Lapaj.

Theksoj “me mjete të pabarabarta” sepse shpifja, gënjeshtra, fabrikimi i të vërtetës janë mjete që kanë një epërsi të caktuar mbi atë që nuk di dhe nuk do që t’i përdorë.

Adriatik Lapaj po shpif ndaj meje, po gënjen për mua dhe po përpiqet të fabrikojë një të vërtetë të tijën, duke u përpjekur të dalë i larë nga një çorbë që e ka gatuar vetë.

Unë nuk kam pasur, nuk kam dhe s’kam pse apo si të kem ndonjë qëllim për të penguar Adriatikun të hyjë në Parlament.
E kam bërë të qartë publikisht dhe privatisht me të, se për mua ai, apo kushdo tjetër që ai do (përfshi Greta Ambelin apo Kleana Xhuvelin), mund të shkojë dhe të marrë mandatin.

Nga ana tjetër, ia kam bërë të qartë po ashtu Adriatikut se unë nuk e bind dot dajën tim që të harrojë kërcënimet me jetë, apo dhunën publike dhe mediatike të frymëzuar, në mos porositur, nga Adriatiku.
Përpara se të kalohej në dhunë e kërcënime, Adriatiku është dëshmitar që jam ulur bashkë me të për t’i kërkuar dajës t’i hapë rrugën, dhe nuk ia kemi dalë.

Unë nuk jam Zeqiri dhe as dua të bëj avokatin e tij, por nuk kemi argumente as unë, as Adriatiku për ta bindur që ai të mos i kërkojë hesap Adriatikut për sa i përket fjalës së dhënë.
Kur kemi folur me Zeqirin, ai na ka thënë troç që nuk është politikan dhe premtimet i merr seriozisht. Prandaj edhe e kishte besuar Adriatikun kur thoshte se do të jepte dorëheqjen nëse do të ishte deputet i vetëm.

Kështu si shkuan gjërat, sidomos pas kërcënimeve nga njerëz të partisë së Adriatikut, ai ndihet edhe më i bindur që nuk duhet të dorëzohet përballë presionit, sepse sipas tij, Adriatiku është një gënjeshtar si çdo politikan i vjetër.
Ajo që unë nuk kuptoj është përse Adriatiku kërkon të më bëjë mua përgjegjës për vendimet individuale të dikujt që, po, është i afërmi im, por ka kokën e vet, kur Adriatiku vetë nuk mban përgjegjësi as për familjarët e tij që kërcënojnë në emër të tij.

Unë besoj njësoj si Adriatiku që ai s’ka përgjegjësi për vjehrrin që nuk e kaloi Vettingun. Por nuk është problemi im nëse ai beson që përgjegjësia e dikujt tjetër është e imja – dhe kjo nuk ka ku të rrijë!

Më vjen keq që një lider i ri si Adriatiku nuk merr asnjë përgjegjësi vetë për këtë teatër politik me familjarët, të cilin na e sugjeroi si një “gjetje gjeniale”. Ky truk ekstra-ligjor kishte padyshim risk, sepse varej te vullneti i atyre që pranonin të përdoreshin si “placeholders” (mbajtës rradhe). Prandaj edhe duhej menaxhuar me shumë kujdes.
Megjithatë, do të doja që ky absurd të mbaronte. Dhe personalisht, së bashku me ata familjarë që mendojnë si unë, e kam hapur krahun pa asnjë problem.

Motra e Adriatikut po bëhet deputete sot vetëm sepse njeriu im më i afërt ka pranuar t’ia lirojë vendin asaj.
Ndërsa Adriatikut do t’i lutesha që çfarë ka me dajën, të mos ma kërkojë mua, sepse për më tepër, sado qesharake të duket, dajës tim iu lut ta përfshinte në listë në minutën e fundit, kur nuk gjente dot kandidatë për të mbushur listat.
Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë histori.

As jam deputet dhe as dua më të bëhem deputet.

Këtë e di Adriatiku dhe e dinë të gjithë ata që duhet ta dinë, me gojë dhe me shkrim.
Prandaj, mos më tërhiqni mua në një valle që duhet të mbyllet sa më parë. Jo për mua, por për të shpëtuar sadopak nga fytyra e zhgarravitur tashmë e “politikës së re”! 

The post Shabani i përgjigjet Lapajt: Zeqiri i merr premtimet seriozisht! S’jam e s’dua të bëhem deputet first appeared on JavaNews.al.

Trafik narkotikësh dhe grup i strukturuar, Apeli lë në fuqi vendimin për 13 të pandehur, dënohet Kudret Rustemaj

By: A R
22 July 2025 at 17:37

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për të pandehurit e grupit të strukturuar kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike. Bëhet fjalë për të pandehurit; Sulo Pajo, Arian Tola, Fadjon Cami, Viron Lekaj, Artan Agalliu, Shpëtim Pjeshka, Jani Çavo, Besnik Ruçi, Pirro Çapi, Jani Meçja, Edmond Kabashi, Sonila Sula, Artur Sulaj dhe Kudret Rustemaj.

Ndaj këtij të fundit (Kudret Rustemajt) u ndryshua vendimi, duke e deklaruar fajtor për “Trafikim të narkotikëve” dhe “pjesëmarrje grup të strukturuar kriminal”. Ai u dënua përfundimisht me 8 vite burg, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.

Të gjitha shpenzimet gjyqësore në të dyja shkallët e gjykimit u ngarkohen të pandehurve. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga njoftimi.

NJOFTIMI I GJYKATËS SË POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare),  më datë 22.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 31 akti, datë 08.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ankimet e paraqitura nga të pandehurit S.P., A.T., F.C., V.L., A.A., Sh.P., J.Ç., B.R., P.Ç., J.M., E.K., S.S. dhe A.S., ndaj vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

1.            Lënien në fuqi të vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurit S.P., A.T., F.C., V.L., A.A., Sh.P., J.Ç., B.R., P.Ç., J.M., E.K., S.S., A.S.

2.            Ndryshimin e vendimit nr. 72, datë 05.12.2024 të Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurin K.R., në këtë mënyrë:

–              Deklarimin fajtor të të pandehurit K.R. për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal (për episodin nr.4), e parashikuar nga nenet 283/a/1 –22- 28/4 të Kodit Penal, dhe në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

–              Deklarimin fajtor të të pandehurit K.R. për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

–              Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit K.R. me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

–              Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri K.R. me një dënim të vetëm prej 8 (tetë) vjet burgim.

–              Vuajtja e dënimit për të pandehurin K.R. do të fillojë nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, duke u përllogaritur dhe kohëzgjatja e paraburgimit, dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

3.            Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel, i ngarkohen solidarisht të pandehurve.

4.            Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të tij.

U shpall në Tiranë, më datë 22.07.2025

The post Trafik narkotikësh dhe grup i strukturuar, Apeli lë në fuqi vendimin për 13 të pandehur, dënohet Kudret Rustemaj first appeared on JavaNews.al.

Mbi 60 ton produkte pa faturë! AKU bllokon qumësht dhe mish në 151 subjekte

By: A R
22 July 2025 at 17:29

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur se janë bllokuar 63 ton mallra pa faturë të zbuluara në 151 subjekte. Bëhet fjalë për qumësht dhe nënprodukteve të tij si dhe një sasi mishi. Në deklaratë thuhet se aksioni do të vijojë në të gjithë vendin.

Në deklaratë theksohet se faturat fiskale nuk shërbejnë vetëm për formalizimin e tregut, duke mos lejuar shmangien nga detyrimet fiskale, por po ashtu dhe për kontrollin e zinxhirit ushqimor duke e verifikuar nga personi që e prodhon dhe deri në shitjen te konsumatori.

Po ashtu kontrollet do të vijojnë më tej duke u shtrirë edhe në të gjithë vendin.

Aksioni nisi pas qëndrimeve të kreut të qeverisë Edi Rama i cili ndër të tjera bëri të ditur dhe verifikimin e inspektorëve të AKU dhe të administratës së këtij institucioni. Në këtë reformim u bë e ditur se të gjithë punonjësit do të testohen dhe vetëm ata që do të kalojnë do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë.

Megjithatë me qëllim për të parandaluar tregtimin e ushqimeve jashtë standardit nisi dhe verifikimi në terren.

Në vetëm tre ditët e para u bë e ditur zbulimi i 20 ton ushqimeve pa faturë duke vijuar më pas dhe me zbulimin e rasteve të tjera.

The post Mbi 60 ton produkte pa faturë! AKU bllokon qumësht dhe mish në 151 subjekte first appeared on JavaNews.al.

VIDEO / Rama ndan pamjet: Ja Thethi pas operacionit nga kanceri i paligjshmërisë

By: A R
22 July 2025 at 17:20

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një video nga Thethi pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje.

“Thethi pas operacionit nga kanceri i paligjshmërisë”, shkruan Rama.

Kujtojmë se operacioni i IKMT-së për prishjen e godinave pa leje u mbyll më 15 korrik. Gjatë aksionit njëjavor u shembën rreth 100 ndërtesa pa leje të ngritura në një zonë të mbrojtur.

Gjithçka nisi nga ky kompleks në qendër të fshatit, që u denoncua edhe nga kryeministri Edi Rama. Ai akuzoi edhe prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, se nuk hetoi shkeljen e ligjit edhe pse kishte marrë një referim nga policia.

Nuk munguan as tensionet në momente të caktuara, pasi një pjesë e banorëve kërkonin më shumë kohë. Ndërsa persona të paidentifikuar sulmuan me molotov forcat e IKMT-së dhe policisë.

Ndërkohë në terren vijoi puna për heqjen e inerteve, për kthimin e zonës sa më atraktive për turistët e shumtë të zonës.

The post VIDEO / Rama ndan pamjet: Ja Thethi pas operacionit nga kanceri i paligjshmërisë first appeared on JavaNews.al.

Bie në det helikopteri që po fikte zjarret, pilotët dalin me not

By: A R
22 July 2025 at 17:12

Një helikopter që ishte angazhuar në fikjen e zjarreve në zonën e Aspropyrgos në Greqi, bëri një ulje emergjente në det, në Gjirin e Elefsinës pak pas orës 14:00 të mesditës së sotme.

Helikopteri po përpiqej të mbushte depozitat e tij me ujë dhe pas tij, në një lartësi më të madhe, ndodhej një helikopter i dytë që priste të realizonte të njëjtin proces furnizimi me ujë.

Helikopteri, i cili ishte marrë me qira nga shteti grek, po operonte në shuarjen e zjarrit që ka shpërthyer në zonën Imeros Topos, në një zonë me bimësi të ulët, por për arsye ende të panjohura, u detyrua të bënte një ulje emergjente.

Tre personat që ndodheshin në bord janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë nxjerrë nga deti.

Një roje bregdetare shihet me një motoskaf teksa shpëton pilotët që po largoheshin me not dhe personin e tretë që ndodhej në bordin e helikopterit, të cilët më pas u transferuan në një anije të Rojës Bregdetare që nxitoi në vendngjarje.

The post Bie në det helikopteri që po fikte zjarret, pilotët dalin me not first appeared on JavaNews.al.

Trump po e çmonton Amerikën, njësoj siç bëri Jelcini me Bashkimin Sovjetik

By: A R
22 July 2025 at 17:03

Ish-këshilltarja e Donald Trump për çështjet e Rusisë, Fiona Hill, ka paralajmëruar për rreziqet që po përballen fuqitë perëndimore, përfshirë SHBA-të dhe Britaninë, për shkak të populizmit dhe krizës së institucioneve.

Në një intervistë për The New York Times, Hill deklaron se Donald Trump mund të ketë një ndikim shkatërrues të ngjashëm me atë të Boris Jelcinit në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

“Trump po e çmonton Amerikën, njësoj siç Jelcini çmontoi Bashkimin Sovjetik”, tha Hill.

Hill, e cila aktualisht mban postin e kancelares në Universitetin e Durhamit në Britani, u bë e njohur publikisht gjatë procesit të shkarkimit të Trump në vitin 2019, kur dëshmoi para Kongresit lidhur me presionet ndaj Ukrainës. Ajo i quajti përpjekjet e Trump për të hetuar rivalin e tij politik Joe Biden “një mision politik i brendshëm”.

Për Hill-in, kërcënimi që përfaqëson Trump nuk qëndron vetëm te stili i tij, por te ajo që përfaqëson si pjesë e një vale globale populizmi.

“Populizmi ofron zgjidhje të shpejta për probleme jashtëzakonisht të ndërlikuara”, tha ajo. “Trump dhe Reform (partia e Nigel Farage në Britani) japin ndjesinë e veprimit. Por ata nuk po i rregullojnë gjërat. Në fakt, në një kuptim, po i shkatërrojnë.”

E pyetur për marrëdhënien e Trump me Vladimir Putinin, Hill u shpreh skeptike se retorika më e ashpër e Trump ndaj Rusisë do të frenojë agresionin e Kremlinit.

“Nuk mendoj se Putini shqetësohet nëse Trump është i zemëruar, sepse mendon se ka një kufi se ku do të shkojë Trump dhe mendoj se ka të drejtë. Ai ndihet shumë i sigurt tani, sidomos për shkak të kaosit në SHBA dhe faktit që Amerika po minon sigurinë e vet”, tha ajo.

Si një nga autoret e një rishikimi strategjik për politikën britanike të mbrojtjes, Hill kërkon një qasje gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë, që nuk përfshin vetëm investime ushtarake, por edhe mbështetje për institucionet civile si universitetet dhe sistemin shëndetësor.

Për Hill-in, arsimi është hallka më e dobët sot. Ajo vëren se universitetet britanike janë të nënfinancuara dhe të papërshtatura për transformimet që po sjell teknologjia në fushën e punës dhe të luftës.

“E pyeta veten, teksa të diplomuarit kalonin në skenë: gjithçka për të cilën janë trajnuar, a do të kërkojë ende njerëz? Nuk është e gabuar të mendohet se universitetet kanë nevojë për një periudhë serioze vetëreflektimi”, u shpreh ajo.

Duke reflektuar mbi rënien e fuqive të mëdha dhe dekadencën institucionale, Hill thotë se i gjithë udhëtimi i saj intelektual ka qenë një përpjekje për të kuptuar se si bien perandoritë.

“Pse shkoi verilindja e Anglisë nga të qenit Silicon Valley e epokës së saj, në një periferi të harruar?”, pyeti ajo. “Edhe Rusia, me pushtimin e Ukrainës, ka bërë një gabim katastrofik. Por ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, këtë herë do të jetë më e vështirë të demilitarizosh ekonominë.”

Megjithatë, Hill mbetet e kujdesshme optimiste për të ardhmen e Britanisë pas Brexit-it, duke theksuar se vendi ka potencial njerëzor dhe një ndjenjë të fortë të traditës komunitare.

“Besoj që Britania e ka prekur fundin,” tha ajo, por shtoi me një ironi se: “natyrisht, gjithmonë mund të ketë edhe një kat më poshtë.”

Shkrim nga New York Times

The post Trump po e çmonton Amerikën, njësoj siç bëri Jelcini me Bashkimin Sovjetik first appeared on JavaNews.al.

Abuzimet me tenderët e Universitetit Bujqësor, SPAK dërgon për gjykim 29 të pandehur

By: A R
22 July 2025 at 16:53

SPAK ka dërguar për gjykim 29 persona, mes tyre drejtues dhe punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës, si dhe përfaqësues të kompanive private, të akuzuar për shkelje në 9 tenderë publikë gjatë vitit 2022, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh.

SPAK dërgon për gjykim 29 të pandehur për shkelje me tenderët e Universitetit Bujqësor të Tiranës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti sot (22.07.2025) kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.13/1 të vitit 2022 (i ndarë nga procedimi penal nr.13 të vitit 2022), në ngarkim të 27 personave, zyrtarë të Univeristetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe dy personave, përfaqësues të operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë hetuar 9 (nëntë) procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të fondit limit 90.000.000 (nëntëdhjetë milionë) lekë.

Hetimet proaktive janë zhvilluar me metoda speciale, të cilat përfshijnë përgjimin e bisedave telefonike të zyrtarëve të UBT, vëzhgime dhe administrimin e dokumentacionit të procedurave të prokurimit me autoritet kontraktor, UBT.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të stafit akademik në UBT, të pandehurit: Romina Koto dhe Ilir Kapaj në detyrën e zëvendës/rektorit, Bejo Bizhga, me detyrë Përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike, që konsistojnë në ideimin e projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI), si edhe veprime të kundraligjshme të kryera në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin Edmond Tërthorja, me detyrë Administrator i UBT-së.

Këta persona kanë përgatitur të dhëna fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI, kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor, në fazën e përgatitjes dhe kryerjes së procedurave të prokurimit. Komisioni që përllogariti fondin limit dhe përgatiti specifikimet teknike ka bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të paligjshme me njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave nga të pandehurit: Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu, Tone Vukaj, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin, Edmond Tërthorja, të cilët kanë krijuar kushte dhe favorizuar shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.

Gjatë hetimit rezultoi se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike, termat e referencës, si dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit, janë bërë nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomikë fitues “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”.

Në të gjitha procedurat e prokurimit të mësipërm, operatorët ekonomikë fitues, “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”, kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, që janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa kryer asnjë studim tregu.

Janë evidentuar raste të kryerjes së procedurës së prokurimit me operator eknomik të paracaktuar fitues, për pajisje me mallra të tjera, të vëna në dispozicion të autoritetit kontraktor disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit, (procedura prokurimi të zhvilluara pas administrimit më parë të këtyre paisjeve, për të cilat më pas, janë kryer procedurat fiktive të prokurimit dhe marrje e tyre në dorëzim).

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime të në kuadër të procedimit penal nr.13 të vitit 2022, për të evidentuar çdo fakt tjetër penal, përgjegjësinë e çdo personi tjetër, që ka vepruar me dokumentacionin e këtyre procedurave të prokurimit, si dhe fakte të tjera penale në kuadër të këtij procedimi penal.

The post Abuzimet me tenderët e Universitetit Bujqësor, SPAK dërgon për gjykim 29 të pandehur first appeared on JavaNews.al.

Vjosa Osmani i drejtohet Kushtetueses pas ngërçit mbi konstituimin e Kuvendit të Kosovës

By: A R
22 July 2025 at 16:44

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar këtë të martë, më 22 korrik, me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për sqarim se si mund të zgjidhet konflikti i krijuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Osmani kërkon sqarime nga Gjykata Kushtetuese se si do të veprohet pas datës 26 korrik, nëse përsëri nuk do të arrihet konstituimi i Kuvendit.

“Dua tju njoftoj të nderuara media, të nderuara qytetarë, se sot në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit, kam paraqitur kërkesë në Gjykatë Kushtetuese të Republikës së Kosovës, për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese, të krijuara nga mundesa e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë.”-deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se në rast se ndodh të votohet për konstituimin e Kuvendit gjatë këtyre ditëve, atëhere ajo do ta tërheqë mbrapsht kërkesën. Por theksoi se u detyrua ta dorëzojë këtë kërkesë, për sa kohë që “nuk shihet në horizont as konsensusi e as kompromisi për konstituimin e Kuvendit brenda këtij afati kushtetues” që ka urdhëruar Gjykata.

Kjo kërkesë e presidentes Osmani, vjen pasi një ditë më parë dështoi për herën e 50-të ka konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

The post Vjosa Osmani i drejtohet Kushtetueses pas ngërçit mbi konstituimin e Kuvendit të Kosovës first appeared on JavaNews.al.

Dorëheqjet në Bashki, reagon Tabaku: Rama po shkrin çdo pushtet në një dorë të vetme

By: A R
22 July 2025 at 16:38

Zhvillimet e fundit në bashkitë e vendit kanë sjellë reagimin e deputetes demokrate Jorida Tabaku, sipas të cilës, ajo që po ndodh me bashkitë dhe show-n e radhës të maxhorancës është një ndërhyrje e paprecedentë në pushtetin vendor dhe një shkelje flagrante e autonomisë vendore.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku e konsideron shkelje ligjore dhe institucionale faktin që ministrat e qeverisë marrin në intervistë punonjës të bashkive apo ndërhyjnë në strukturat e tyre përmes rekrutimeve të reja dhe pushimeve nga puna. Ajo nënvizon se pushteti lokal është një pushtet i pavarur nga ai qendror, i zgjedhur me votë nga qytetarët dhe i mandatuar për të ushtruar funksione të caktuara në përputhje me ligjin dhe interesin publik.

“Bashkitë nuk mund të trajtohen si zyra varësie të Partisë Socialiste apo të ndonjë ministrie. Ministrat nuk mund të vihen në radhë për të marrë në intervistë stafet e bashkive, të cilët janë të zgjedhur me votën e qytetarëve. Kjo është një shkelje e rëndë e parimeve të ndarjes së pushteteve dhe rrezikon thellësisht demokracinë,” u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate shtoi se situata aktuale, ku pushteti qendror po tenton të mbledhë çdo fuqi në një dorë të vetme, është e rrezikshme për vendin. Sipas saj, vendosja e strukturave, përcaktimi i pagave dhe imponimi i stafit kalojnë çdo kompetencë që një qeveri duhet të ketë në raport me pushtetin lokal.

Tabaku u shpreh se respektimi ndarjes së pushteteve dhe mbrojtja e autonomisë së pushtetit vendor si janë themel i demokracisë funksionale.

The post Dorëheqjet në Bashki, reagon Tabaku: Rama po shkrin çdo pushtet në një dorë të vetme first appeared on JavaNews.al.

❌
❌