Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 20 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Nga zemra e çliruar e Komunës së Parisit”, Rama publikon pamje nga lirimi i hapësirave publike

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Ka vijuar edhe këtë të dielë të nxehtë korriku aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset, për t’ia kthyer ato qytetarëve,

Kryeministri Edi Rama postoi pamje nga aksioni i zhvilluar në zonën e njohur si “Komuna e Parisit” në kryeqytet.

“LIVE nga zemra e çliruar e Komunës së Parisit në Tiranë”, shkruan Kryeministri në rrjetet sociale, krahas pamjeve që shfaqen në video.

Policia Bashkiake e Tiranës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), po vijon aksionin në terren për lirimin e hapësirave publike nga zaptimet e paligjshme në çdo njësi administrative të kryeqytetit.

Taskforca e ngritur për këtë qëllim është e angazhuar të garantojë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke paralajmëruar masat ndëshkuese për çdo subjekt që shkel rregullat për përdorimin e hapësirave publike.

Më herët kryeministri Rama paralajmëroi se procesi i lirimit të hapësirave publike do të vijojë, pavarësisht kundërshtimeve të përkohshme.

“Ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të gjitha do ikin, por bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shtoi Kryeministri.

The post “Nga zemra e çliruar e Komunës së Parisit”, Rama publikon pamje nga lirimi i hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Kemi rigjallëruar SHBA-në, tani jemi më të respektuarit në botë

UASHINTON, 20 korrik /ATSH-ANSA/ – Sot shënohet përvjetori gjashtëmujor i mandatit tim të dytë, i konsideruar si një nga periudhat më domethënëse të çdo presidenti, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump.

“Me fjalë të tjera, ne kemi arritur shumë gjëra të mëdha, duke përfshirë përfundimin e disa luftërave në vende që nuk janë të lidhura me ne”, theksoi Trump.

“Gjashtë muaj nuk është një kohë e gjatë për të rigjallëruar një vend të madh. Një vit më parë, ne ishim të vdekur, pothuajse pa asnjë shpresë për rigjallërim. Tani, ne jemi vendi më i respektuar në botë”, shtoi ai. /os/

The post SHBA – Trump: Kemi rigjallëruar SHBA-në, tani jemi më të respektuarit në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike në Shkëmbin e Kavajës, Kumbaro: Garanton akses për pushuesit

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike po vijon me intensitet edhe përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur sot se një nga zonat ku po zhvillohet ky aksion është edhe Shkëmbi i Kavajës, një ndër destinacionet më të frekuentuara në bregdetin e Adriatikut.

“Lirimi i hapësirave publike garanton akses të barabartë për të gjithë pushuesit dhe përmirëson cilësinë e shërbimit”, u shpreh Kumbaro.

Ky proces është pjesë e një politike kombëtare për të siguruar plazhe të pastra, të organizuara dhe të hapura për të gjithë, duke shmangur zënien e padrejtë të hapësirës publike nga subjektet private.

Kontrollet dhe ndërhyrjet në terren po kryhen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, IKMT dhe strukturat vendore.

/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike në Shkëmbin e Kavajës, Kumbaro: Garanton akses për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – IDF vret 67 palestinezë që kërkonin ndihma ushqimore në Gazën veriore

GAZA, 20 korrik /ATSH/ – Ushtria izraelite ka vrarë të paktën 67 persona që prisnin kamionë me ndihma të OKB-së në Gazën veriore, thotë ministria e shëndetësisë e territorit e drejtuar nga Hamasi, shkruan BBC.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kishin “qëlluar me të shtëna paralajmëruese” për të larguar “një kërcënim të menjëhershëm”.

”Gjashtë persona të tjerë u vranë duke pritur ndihmë diku tjetër në Gaza dhe më shumë se 150 persona u plagosën, disa rëndë”, tha ministria.

Të shtunën, ajo paralajmëroi se uria ekstreme po rritej në Gaza dhe një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po mbërrinin në objektet e saj “në një gjendje rraskapitjeje dhe lodhjeje ekstreme”.

Ka pasur raportime pothuajse të përditshme për palestinezë të vrarë ndërsa kërkonin ushqim që nga fundi i majit.

Të shtunën, të paktën 32 persona u vranë nga të shtënat izraelite pranë dy pikave të shpërndarjes së ndihmave në Gazën jugore, sipas ministrisë.

Shumë nga incidentet kanë ndodhur pranë vendeve të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, i cili përdor kontraktorë privatë sigurie për të shpërndarë ndihmë nga vendet në zonat ushtarake izraelite, por disa kanë ndodhur pranë ndihmës së sjellë nga OKB-ja. /os/

The post GAZA – IDF vret 67 palestinezë që kërkonin ndihma ushqimore në Gazën veriore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Pse tani e jo më parë”, Rama nesër drejtpërdrejt në “Sy m’sy”

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se do të zhvillojë një komunikim të drejtpërdrejtë, në orën 8:30 të mëngjesit të së hënës, për t’u dhënë përgjigje të gjitha diskutimeve dhe pyetjeve të ngritura nga qytetarët, në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike.

“Ca thonë pse tani e jo më parë? Ca pse tani e jo më vonë? Kurse unë them: pse jo nesër një SY M’SY? NESËR pra, që në mëngjes, live padyshim, KËTU ku tjetër?”, shkruan Rama.

Ky komunikim vjen në një moment kur strukturat shtetërore po zhvillojnë aksione të gjera në gjithë vendin për të liruar hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme, kryesisht në zonat bregdetare dhe në qytetet kryesore.

/r.e/

The post “Pse tani e jo më parë”, Rama nesër drejtpërdrejt në “Sy m’sy” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu nga Dukati: Në gatishmëri të plotë për kontrollin e zjarrit dhe mbrojtjen e Llogaras


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Mbi 80 efektivë nga Forcat e Armatosura, strukturat e emergjencave civile dhe ekipet zjarrfikëse janë angazhuar në vijën e parë të betejës për kontrollin e zjarrit në Dukat, në një aksion të koordinuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ishte sot në Dukat, ku deklaroi se për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogorasë, është angazhuar një përbërje shumëplanëshe forcash nga ajri dhe toka.

“Jemi në kushte të vështira, pasi përpjekja zhvillohet në lartësitë e Dukatit. Besojmë se mund të parandalojmë përhapjen e zjarrit në pjesën tjetër. Në operacion janë përfshirë një helikopter në zonën e Dukatit dhe tre të tjerë në zona të tjera të vendit”, tha ministri Vengu.

Ai nënvizoi se kjo është një javë intensive me shumë vatra zjarri në rajonin e Mesdheut dhe Shqipëria nuk ka qenë e përjashtuar nga kjo valë përvëluese.

“Niveli i gatishmërisë është rritur në të gjithë mekanizmin kombëtar të emergjencave civile. Të gjitha forcat në terren janë në gjendje gatishmërie për të përballuar situatën dhe për të mbrojtur jetën, pronën dhe pasuritë natyrore”, deklaroi ministri.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako bëri të ditur se vatra e zjarrit në Dukat u shua dy ditë më parë, por u aktivizua për shkak të erërave.

Sipas tij, sfidë është mbajtja e zjarrit nën kontroll, pasi terreni është i vështirë.

Operacionet për shuarjen e zjarreve do të vijojnë në mënyrë intensive edhe në ditët në vijim.

/r.e/

The post Vengu nga Dukati: Në gatishmëri të plotë për kontrollin e zjarrit dhe mbrojtjen e Llogaras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, shkodranët mirëpresin aksionin: I drejtë dhe pak i vonuar

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike përveçse po mirëpritet nga qytetarët e Shkodrës, por ka dhe një mirëkuptim çdo ditë e më shumë nga bizneset që po lirojnë vullnetarisht hapësirat në shërbim të banorëve, shprehet Bashkia e qytetit.

Qytetarët të ndryshëm shkodranë shprehen pro aksionit të ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset.

“Është shumë e drejtë dhe shumë e mirë që të lirohen hapësirat për këmbësorët. Ideja dhe qëllimi është shumë i mirë”, shprehet një qytetar shkodran.

“Është pak i vonuar”, shprehet një tjetër qytetar.

Një banor shprehet se, “boll mirë e kanë ba, edhe boll mirë bajnë që i lirojnë trotuaret, rrugë, për me kalu. Skadal kanë qenë, po shyqyr që po lirohen”.

Prej disa ditësh, Policia Bashkiake e Shkodrës ka zbritur në terren, duke njoftuar të gjitha bizneset që kanë zënë hapësirat publike me struktura metalike dhe pode të paligjshme në zonat e dedikuara për kalimtarët.

“Falënderojmë të gjitha bizneset për mirëkuptimin dhe i sigurojmë që bashkia do të bëjë më të mirën brenda rregullave për të mbështetur aktivitetin e tyre”, shprehet kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, në një postim në rrjetet sociale.

The post Lirimi i hapësirave publike, shkodranët mirëpresin aksionin: I drejtë dhe pak i vonuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SLLOVENI – Parlamenti voton legalizimin e vdekjes së asistuar

LUBJANE, 20 korrik /ATSH-AA/ – Parlamenti i Sllovenisë ka miratuar një ligj që u jep të rriturve me sëmundje terminale të drejtën për t’i dhënë fund jetës së tyre, pasi shumica e votuesve e mbështetën këtë masë në një referendum.

Siç raportojnë mediat lokale, ligjvënësit miratuan projektligjin të premten e kaluar, me 50 vota pro, 34 kundër dhe tre abstenime, që mundëson vdekjen e asistuar në rastet e vuajtjeve të padurueshme kur të gjitha opsionet e trajtimit janë shteruar.

E drejta për vdekje të asistuar nuk do të jetë e vlefshme në rastet e vuajtjeve të padurueshme që rrjedhin nga sëmundjet mendore.

Ligji pritet të hyjë në fuqi në javët në vijim.

Në një referendum këshillues vitin e kaluar, 55 për qind e sllovenëve votuan në favor të vdekjes së asistuar.

Këtë javë, Komisioni për Etikën Mjekësore i Sllovenisë tha se mbetet i vendosur në qëndrimin se projektligji mbart rreziqe të larta etike pavarësisht disa ndryshimeve gjatë miratimit në parlament.

Tereza Novak, një ligjvënëse nga Lëvizja për Liri në pushtet, e cila kishte mbështetur projektligjin, tha në parlament se “e drejta (për vdekje të asistuar) nuk përfaqëson një disfatë për mjekësinë”.

“Do të ishte gabim që mjekësia t’i privojë njerëzit nga e drejta e tyre për të vdekur nëse ata duan dhe mjekësia nuk mund t’i ndihmojë ata”, tha deputetja liberale.

Partia Demokratike Sllovene (SDS) konservatore e ka denoncuar projektligjin, duke theksuar se ai “hap derën për një kulturë vdekjeje, humbje të dinjitetit njerëzor dhe minimizim të vlerës së jetës, në veçanti të më të prekshmëve”.

The post SLLOVENI – Parlamenti voton legalizimin e vdekjes së asistuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

I nxehti afrikan, Kosova përballet me temperatura të larta javën e ardhshme

PRISHTINË, 20 korrik /ATSH/ Një javë e nxehtë parashikohet të përfshijë Kosovën ditët në vijim.

Kjo situatë vjen si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa e Afrikës Veriore.

Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut.

Ky fenomen meteorologjik shfaqet shpesh gjatë muajve të verës dhe zakonisht shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të ndjeshme të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësirë dhe zjarre në zona pyjore dhe fusha bujqësore. Temperaturat mund të tejkalojnë lehtësisht vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik.

Sipas IMHK indeksi UV  (ultraviolet) do të jetë i lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohet ekspozimi në rrezet të diellit, sidomos personat në moshë, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

/KosovaPress/

The post I nxehti afrikan, Kosova përballet me temperatura të larta javën e ardhshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla në Kretë: Sipërmarrësi grek vlerëson kontributin e shqiptarëve në ekonomi

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Gjatë një vizite në Kretë, ministri i Shtetit pë Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau një moment domethënës me një sipërmarrës grek, i cili vlerësoi kontributin e pazëvendësueshëm të shqiptarëve në ekonominë greke.

Në një video të publikuar nga ministri, sipërmarrësi grek thekson se pa shqiptarët, ekonomia do të kishte ndalur.

“Në çdo investim të ri në Kretë ka shqiptarë, sepse janë punëtorë të shkëlqyer. Po të mos kishin ardhur shqiptarët, ekonomia jonë me të vërtetë do të kishte pasur probleme”, u shpreh sipërmarrësi grek.

Balla komentoi se ky është realiteti që shumë grekë e pranojnë: shqiptarët janë krah pune i fortë dhe mbajnë mbi shpatulla një pjesë të rëndësishme të ekonomisë greke, veçanërisht në turizëm dhe ndërtim. Ai shtoi se kjo marrëdhënie ka krijuar një lidhje të qëndrueshme mes Greqisë dhe komunitetit shqiptar atje.

Balla tha se ky reagim vjen si një tjetër dëshmi e vlerësimit në rritje për rolin e shqiptarëve në ekonominë greke, sidomos në sektorët ku ata përbëjnë një forcë të rëndësishme pune.

/r.e/

The post Balla në Kretë: Sipërmarrësi grek vlerëson kontributin e shqiptarëve në ekonomi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Presidenti i EESC: Reformat e Shqipërisë në disa fusha qëndrojnë më lart se të shteteve anëtare

BRUKSEL, 20 korrrik /ATSH/ Procesi i pranimit të vendeve të reja në projektin e Bashkimit Evropian duhet të mbështetet nga struktura efektive dhe burime të mjaftueshme financiare, deklaroi në një intervistë presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), sindikalisti austriak Oliver Röpke, shkruan eunews.it

”Në një kohë kur flitet me këmbëngulje për zgjerimin e Bashkimit Evropian, është e rëndësishme që shoqëria civile dhe partnerët socialë të vendosen në qendër”, thekson ai.

Forumi i mbajtur në Bruksel u përqendrua në rëndësinë e institucionalizimit të një dialogu të strukturuar midis partnerëve socialë dhe krijimit të një hapësire të fortë qytetare, me qëllim zgjerimin e klubit me dymbëdhjetë yje deri në fund të dekadës.

“Dialogu i fortë civil dhe social është ADN-ja e Komitetit, kështu që është kërkesa jonë kryesore edhe kur bëhet fjalë për zgjerimin. Zgjerimi është një proces i hapur, i cili përfaqëson jo vetëm një imperativ gjeopolitik, por edhe një premtim demokratik, një angazhim moral dhe shoqëror”, shton ai.

Në fakt, fokusi i presidentit të EESC-së në shoqërinë civile nuk është sigurisht asgjë e re. As vëmendja e tij ndaj integrimit gradual të vendeve kandidate – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Serbia, Turqia dhe Ukraina në BE.

Röpke e quan iniciativën një “sukses” dhe siguron se ajo do të mbetet në fuqi gjatë mandatit të ardhshëm të EESC, i cili fillon tetorin e ardhshëm.

Megjithatë, duhet të tregohet kujdes që të mos ngatërrohen mjetet me qëllimet dhe të mos krijohen zëvendësues de facto për zgjerimin: “ECM është një mjet që duhet të shërbejë për të lehtësuar pranimin në Bashkim, por nuk mund ta zëvendësojë atë duke rrezikuar t’i lërë vendet kandidate në harresë”.

Sidoqoftë, këmbëngul sindikalisti, ”dialogu midis komponentëve të ndryshëm të shoqërisë nuk është luks, por një domosdoshmëri strukturore për të ndërtuar demokraci të qëndrueshme përpara se këto shtete të bashkohen me BE-në”.

Si mund të promovohen zhvillime të tilla në praktikë?

“Sigurisht, nuk ka një model të vetëm, por ne besojmë se institucionalizimi i dialogut social dhe ofrimi i një kuadri të qartë, për shembull, me qëllim forcimin e negociatave kolektive, është thelbësor”, shpjegon Röpke.

”Për shembull, jo pa një dozë krenarie, disa vende kandidate duan të përditësojnë sistemet e tyre të dialogut dhe të ndërtojnë diçka të ngjashme me EESC-në”, thekson ai.

Progresi dhe pengesat

Presidenti i EESC-së i sheh pozitivisht zhvillimet aktuale.

“Ne shohim përparim në disa vende megjithëse mbetet shumë punë për t’u bërë”. Në të vërtetë, në disa raste, standardet janë më të larta se në vendet e BE-së. Nëse marrim indeksin e lirisë së shtypit, për shembull, zbulojmë se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë rezultate më të mira se Bullgaria, Qiproja, Kroacia, Greqia, Italia, Malta, Rumania dhe Hungaria”, shton Röpke.

”Po ashtu vende si Shqipëria po bëjnë hapa të mëdhenj në reformën gjyqësore, megjithëse problemet mbeten në fusha të tjera, siç janë transparenca dhe lufta kundër korrupsionit”, thekson ai.

”Fatkeqësisht, nuk po bëhet përparim kudo. Në disa vende, reformat janë të dobëta dhe po përparojnë ngadalë, ndërsa në të tjera ka pasur edhe pengesa. Ky është rasti në Gjeorgji, ku qeveria autoritare dhe proruse ka shtypur brutalisht mospajtimin demokratik për muaj të tërë. Ato janë verifikuar edhe në Serbinë e Aleksandar Vuçiç dhe në Turqinë e Rexhep Tajip Erdogan, ku hapësira qytetare vazhdon të tkurret”, nënvizon Röpke.

Çështja e financimit

“Tani, është e qartë se zgjerimi është rritur ndjeshëm në agjendën e Brukselit vitet e fundit. Kam besim të plotë tek presidentja Von der Leyen dhe komisionerja Marta Kos për të çuar përpara një proces zgjerimi të bazuar në meritë dhe për ta rigjallëruar atë. Ky proces është përshpejtuar për disa vende kandidate – veçanërisht Shqipëria, Mali i Zi dhe Ukraina – dhe duke shprehur shpresën se ato i përmbushin angazhimet e tyre dhe mund të përfundojnë negociatat deri në vitin 2028”, thekson me optimizëm Röpke.

Është po aq e qartë se që zgjerimi i Unionit të jetë i suksesshëm, nevojiten burime të mjaftueshme, si dhe vullnet i vërtetë politik nga ana e 27 vendeve. EESC së shpejti do të miratojë qëndrimin e tij mbi propozimin e Von der Leyen për një buxhet të ri të BE-së, i cili tashmë është refuzuar nga Parlamenti Evropian, autoritetet rajonale dhe disa kancelari.

/os//r.e/

The post BRUKSEL – Presidenti i EESC: Reformat e Shqipërisë në disa fusha qëndrojnë më lart se të shteteve anëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lirimi i hapësirave publike, çlirim për komunitetin dhe rritje e cilësisë së shërbimit


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet pa leje dhe strukturat abuzive është një çlirim i madh për komunitetin, këmbësorët dhe klientët e shërbimeve në zonat urbane.

“Çlirim i madh, jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, por edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit”, theksoi Rama, në një reagim në rrjetet sociale.

Ai paralajmëroi se procesi i lirimit të hapësirave publike do të vijojë, pavarësisht kundërshtimeve të përkohshme.

“Ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të gjitha do ikin, por bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shtoi Kryeministri.

/r.e/

The post Rama: Lirimi i hapësirave publike, çlirim për komunitetin dhe rritje e cilësisë së shërbimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Siguria detare”, bllokohen 30 mjete lundruese, shpëtohen 13 persona në rrezik në det


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Vijon operacioni “Siguria Detare” përgjatë gjithë vijës bregdetare, liqenore dhe lumore, me kontrolle intensive nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare për të garantuar siguri në ujë gjatë sezonit turistik.

Gjatë javës janë kontrolluar 431 mjete lundruese dhe janë bllokuar 30 prej tyre për shkelje të rregullave të sigurisë dhe mungesë dokumentacioni.

Mjetet e ndaluara përfshijnë 18 jet ski, 7 skafe, 3 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji.

12 mjete janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve, ndërsa drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me gjobë 100 mijë lekë secili.

Po ashtu, janë realizuar 7 ndërhyrje për të shpëtuar 13 shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ndodheshin në rrezik në det për shkak të dallgëve të forta ose defekteve në mjete.

Policia Kufitare bën apel për respektimin e perimetrit të sigurisë dhe përdorimin e mjeteve lundruese vetëm në zonat e lejuara dhe me pajisje të plota shpëtimi. Qytetarët dhe pushuesit ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.

/r.e/

The post Operacioni “Siguria detare”, bllokohen 30 mjete lundruese, shpëtohen 13 persona në rrezik në det appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërtoi pa leje në Radhimë, shpallet në kërkim 45-vjeçari


TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Në të gjithë bregdetin vijon operacioni “Plazhi i lirë” për lirimin e hapësirave publike dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të subjekteve private.

Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Policinë Bashkiake, konstatoi ndërtimin pa leje të një objekti “beach bar” dhe ushtrim aktiviteti me çadra e shezlongë, pa leje në plazhin e Radhimës.

Si rezultat, u shpall në kërkim shtetasi Sh. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa djali i tij 17-vjeçar u procedua penalisht në gjendje të lirë. Po ashtu u sekuestruan 90 çadra dhe shezlongë në cilësinë e provës materiale.

Policia deklaron se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare të Vlorës për të garantuar hapësira të lira dhe interesin publik.

/r.e/

The post Ndërtoi pa leje në Radhimë, shpallet në kërkim 45-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndihmonte emigrantë për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet 31-vjeçari në Shkodër

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bajzë (Shkodër) finalizuan operacionin “Borders 2”, duke arrestuar një 31-vjeçar që ndihmonte emigrantë nga vendet e treta të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

Shtetasi N. B., banues në Kamzë, u kap në flagrancë në fshatin Hot teksa transportonte gjashtë shtetas të huaj, 4 nga Nepali dhe 2 nga Pakistani, me qëllim kalimin ilegal të kufirit nga Mali i Zi drejt Greqisë, kundrejt pagesës 350 euro për person.

Gjatë operacionit u sekuestruan një automjet dhe një telefon celular.

Policia bën të ditur se po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

/r.e/

The post Ndihmonte emigrantë për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet 31-vjeçari në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Irani dhe treshja evropiane bien dakord të rifillojnë bisedimet bërthamore

TEHERAN, 20 korrik /ATSH-AA/ –  Irani dhe treshja evropiane, respektivisht Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, kanë rënë dakord në parim për të rifilluar negociatat bërthamore javën e ardhshme.

Siç raporton transmetuesi shtetëror iranian Press TV, duke cituar një burim iranian, të dyja palët kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet, por koha dhe vendi i negociatave ende nuk janë finalizuar.

Në bisedimet me ministrin iranian i Punëve të Jashtme, kryediplomatët britanik, francez, gjerman dhe të BE-së kanë theksuar urgjencën e kthimit në diplomaci për një marrëveshje bërthamore, përndryshe ata thanë se janë të gatshëm të aktivizojnë mekanizmin e “rikthimit të menjëhershëm” të OKB-së, që do të thotë rivendosjen e sanksioneve ndërkombëtare.

Bisedimet midis Teheranit dhe SHBA-së po zhvilloheshin përmes ndërmjetësve omanë deri në sulmin e papritur të Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor, i cili shkaktoi një luftë 12-ditore. Sulmi ndodhi vetëm dy ditë para një raundi të gjashtë të planifikuar të negociatave në Muscat.

Irani akuzoi SHBA-në për bashkëpunim në sulmin izraelit, i cili vrau zyrtarë të lartë ushtarak iranianë, shkencëtar bërthamorë dhe civilë. SHBA-ja gjithashtu nisi sulme në tre lokacione të mëdha bërthamore iraniane, duke pretenduar se i shkatërruan ato. Një armëpushim hyri në fuqi më 24 qershor.

Derisa SHBA-ja dhe evropianët thonë se Irani nuk mund të ketë kurrë një bombë bërthamore, Teherani argumenton se programi bërthamor i tij është menduar për përdorim paqësor të energjisë bërthamore.

Pas bisedimeve me treshen evropiane dhe BE-në, ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, tha se ishte SHBA-ja ajo që u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe çdo raund i ri bisedimesh është i mundur vetëm “kur pala tjetër të jetë gati për një marrëveshje bërthamore të drejtë, të ekuilibruar dhe reciprokisht të dobishme”.

“Nëse BE-ja dhe treshja evropian duan të kenë një rol, ata duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i lënë mënjanë politikat e lodhura të kërcënimit dhe presionit, përfshirë ‘rikthimin e menjëhershëm’ për të cilin nuk u mungon absolutisht asnjë bazë morale dhe ligjore”, tha ai në X.   /os/

The post FOKUS – Irani dhe treshja evropiane bien dakord të rifillojnë bisedimet bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKE – Kremlini: Zgjidhja e Ukrainës është një proces i gjatë, Trump e di këtë

KIEV, 20 korrrik /ATSH-ANSA/ – Deklaratat e Donald Trump tregojnë një dëshirë për të arritur një marrëveshje në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, por Uashingtoni po e kupton gjithnjë e më shumë kompleksitetin e këtij procesi “të gjatë dhe të vështirë”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

”Ne jemi mësuar me retorikë mjaft të ashpër dhe të drejtpërdrejtë”, shtoi Peskov, por “në të njëjtën kohë ai konfirmon qëllimin e tij për të vazhduar të bëjë gjithçka që është e mundur për të lehtësuar një zgjidhje paqësore”.

”Putin gjithashtu ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të arritur një marrëveshje paqësore sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Peskov shtoi se ”një takim midis Vladimir Putin dhe Donald Trump është i mundshëm dhe i nevojshëm”, por ka ende punë për t’u bërë; ai moment nuk ka ardhur ende”.

“Ndoshta do të jetë gjithashtu e nevojshme të formalizohen disa marrëveshje të rëndësishme që do të arrihen me kalimin e kohës, pasi të jetë bërë shumë punë. Por ai moment nuk ka ardhur ende”, vuri në dukje zëdhënësi. /os/

The post MOSKE – Kremlini: Zgjidhja e Ukrainës është një proces i gjatë, Trump e di këtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Velipojës


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Velipoja, një nga plazhet ranore me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri, vazhdon të jetë një ndër destinacionet më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi i Velipojës, duke theksuar gjallërinë dhe numrin në rritje të pushuesve në këtë zonë të njohur për rërën me efekte kurative dhe peizazhin natyror të veçantë.

Me mbi 14 kilometra vijë bregdetare, Velipoja ofron një ndërthurje të rrallë mes detit, lumit, deltës me ishuj, kodrave, pyllit, lagunës dhe fushave, që e bëjnë atë tërheqëse për vizitorët në çdo stinë.

Shtimi i hapësirave publike dhe menaxhimi më i mirë i plazheve kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve këtë vit.

Rreth 60% e plazheve në bashkinë e Shkodrës janë publike dhe po mirëmbahen në kuadër të operacionit kombëtar “plazhe të pastra”, që zhvillohet për të katërtin vit radhazi me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

/r.e/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Velipojës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibë e Poshtme, ndërtohet shkolla e re “Mersin Duqi” për 150 nxënës

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Vijon me intensitet puna në kantierin e shkollës së re 9-vjeçare dhe të mesme të bashkuar “Mersin Duqi” në Ibë të Poshtme, Bërzhitë, një investim që synon të ofrojë mjedise të sigurta dhe të denja për një arsimim cilësor, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njëkohësisht deputete e sapozgjedhur në qarkun e Tiranës, deklaroi se shkolla e re do të krijojë kushte bashkëkohore për rreth 150 nxënës, si dhe për fëmijët e kopshtit dhe të nivelit parashkollor.

Investimi pritet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së arsimit dhe përfshirjen e komunitetit lokal në zhvillim të qëndrueshëm.

/r.e/

The post Ibë e Poshtme, ndërtohet shkolla e re “Mersin Duqi” për 150 nxënës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Mbiturizmi, pasojë e shoqërisë apo e mediave sociale?

ROME, 20 korrrik /ATSH/ – Sektori i turizmit ka arritur në një pikë kthese. Dy rrugë: rënie ose rigjenerim. Udhëtimi ka ndryshuar; sasia e udhëtimeve po rritet, por edhe cilësia e udhëtarëve, shkruan nxwss.com.

Tashmë përvoja turistike shihet si një listë blerjesh, e cila ushtron presion mbi vendet dhe banorët e tyre.

Vera sjell diell, vapë dhe një atmosferë të qetë, një ndjesi që mund të lindë nga pushimet e shumëpritura, qoftë një pushim nga puna apo studimi.

Miliona njerëz vendosin të rezervojnë një udhëtim çdo vit, dhe zgjedhja e destinacionit pothuajse gjithmonë diktohet nga trendet e mediave sociale.

Me fjalë të tjera, vendet më “në modë” preken nga fenomeni i mbiturizmit.

Turizmi i tepërt

Edhe pse është një term i kohëve të fundit, numrat që e karakterizojnë duket se përshkruajnë një fenomen shumëvjeçar. Dhe të themi të drejtën, është.

Organizata Botërore e Turizmit parashikon që deri në vitin 2030, turistët do të kalojnë 2 miliardë.

Termi në vetvete është me të vërtetë relativisht i ri, i shpikur nga Rafat Ali, CEO dhe themelues i një firme analitike të industrisë së udhëtimeve.

Mbiturizmi i referohet “fenomenit ku një destinacion popullor ose një peizazh i veçantë mbingarkohet në mënyrë të paqëndrueshme nga turistët”.

Është e qartë se ky fenomen ka ekzistuar për shumë vite, por vetëm kohët e fundit ka tërhequr vëmendje të gjerë.

Turizmi i mbipopulluar i plazhit dhe roli i mediave sociale

Qoftë për të dokumentuar pushimet tuaja, për t’u prezantuar ndjekësve tuaj një vend të ri, apo për të mbajtur të azhurnuar “albumin” tuaj virtual, mediat sociale luajnë një rol të madh në udhëtimet e shumë njerëzve.

Vite më parë, para ardhjes së mediave sociale, ajo që mund të rriste turizmin në një vend ishte fjala gojë më gojë.

Një foto ose video e retushuar për ta bërë vendin ku ndodheni edhe më të bukur dhe të këndshëm për syrin vetëm sa rrit dëshirën e atyre që e shikojnë atë pas një ekrani për ta vizituar atë.

Ekspozimi që mund të fitoni përmes profilit tuaj në Instagram është shumë më i lartë se fjala gojë më gojë midis miqve. Duhet të merren në konsideratë edhe ndikuesit, pasi ata, sipas përkufizimit, e drejtojnë vëmendjen e ndjekësve të tyre në fusha me interes të kohëve të fundit.

Shkaqet e turizmit të mbipopulluar

Për ta kuptuar plotësisht fenomenin, duhet të thellohemi në shoqëri.

Zhvillimi i mediave të komunikimit dhe, mbi të gjitha, lëvizshmëria i inkurajon ndjeshëm turistët të udhëtojnë nga një vend në tjetrin.

Turizmi në vetvete sjell një rritje të madhe ekonomike që ndryshon stilin e jetës së njerëzve. Edhe ata mund të detyrohen të udhëtojnë diku tjetër për t’i shpëtuar turmave turistike.

Për më tepër, njerëzit gjithmonë duan të ndihen të veçantë, duke kërkuar destinacione ekskluzive dhe pak të njohura, për të qenë në gjendje të thonë: “Unë kam qenë atje dhe ju jo!”

Është e qartë se së shpejti ai destinacion do të mbushet me turistë dhe do të humbasë magjinë e tij të të paeksploruarës.

Ana tjetër e kësaj është zbulimi i vendeve të mrekullueshme, të cilat pa turistë do të mbeteshin të braktisura dhe të panjohura.

Blogerët e udhëtimeve: avokatë të mbi-turizmit?

Jo, ose të paktën jo tërësisht. Siç u përmend më sipër, mediat sociale luajnë një rol themelor në turizëm, dhe si në çdo fushë të jetës, e vërteta qëndron diku në mes.

Blogerët e udhëtimeve lindën nga dëshira për ta kthyer pasionin e tyre – udhëtimin – në një profesion.

Qëllimi i tyre kryesor është të vizitojnë destinacionet turistike më të njohura me një sy më kritik dhe vëmendje ndaj detajeve, duke ditur se si t’i drejtojnë më së miri ndjekësit e tyre se ku të qëndrojnë, të hanë ose thjesht cilat zona të vizitojnë ose të shmangin.

Sapo të kenë përfunduar listën e tyre të vendeve të famshme, kurioziteti i tyre për vendet më të largëta në Tokë rritet, kështu që ata fillojnë të kërkojnë. Videoja postohet në mediat sociale, dhe në çast, ndjekësit e tyre janë gati të rezervojnë pushimet e tyre të ardhshme atje.

Besohet se ky nuk është “faji” i blogerëve të udhëtimeve, por një pasojë e drejtpërdrejtë e marrëdhënies midis ndjekësit dhe ndikuesit.

Të kesh një figurë referimi i ndihmon të gjithë të kenë drejtim në jetën e tyre, dhe sigurisht ka nga ata që i ndjekin më seriozisht, ndërsa të tjerë, në vend të kësaj, distancohen më shumë nga mediat sociale.

Identifikimi dhe sjellja e tyre në vëmendjen e një audience më të gjerë ofron mundësinë për të zbuluar perla natyrore (ose urbane) që mund të ofrojnë një përvojë unike dhe të gjenerojnë të ardhura për destinacionin.

Varet nga turistët të jenë sa më respektues ndaj natyrës dhe vendit. /os/

The post KOMENT – Mbiturizmi, pasojë e shoqërisë apo e mediave sociale? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌