Normal view

Aeroportin e Vlorës/ Pacolli fitoi gjyqin, ministri Karakaçi i bën presion: Zgjidhni mosmarrëveshen… –

By: 27
29 May 2026 at 22:36

Një letër e çuditshme e ministrit të Infratruktures dhe Energjisë, Enea Karakaçi, drejtuar dy pronarëve të kompanive të koncesionit të Aeroportit të Vlorës.

Thelbi saj është: “Zgjidhni mosmarrëveshjen per 30 dite, ose ka penalitete sipas kontrates!” Mosmarreveshjet zgjidhen vetem ne gjykate, por ministri eshte mesuar me paraardhesen qe i ndanin tenderat me urdher nga lart.

Pas paralajmërimit publik të Enea Karakaçit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës i ka kërkuar zyrtarisht dy kompanive që kanë marrë përsipër ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, që të zgjidhin ngërçin mes tyre në mënyrë që të vijojë puna për përfundimin e veprës.

Përmes një shkrese zyrtare të drejtuar kompanive nga ana e ministrit Enea Karakaçi, ministria i ka lënë 30 ditë afat kompanive për të gjetur një zgjidhje që do të çojë në vijimin e punimeve me qëllim mbylljen brenda afateve.

Në rast se situata nuk zgjidhet brenda këtij afati, atëherë ministria bën me dije se do të veprojë me penalitetet që parashikon kontrata dhe legjislacioni në fuqi.

Kompania ‘Mabco’ e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli ka fituar gjyqin në Gjykatën e Lartë për çështjen e aeroportit të Vlorës duke fituar edhe kontrollin mbi këtë të fundit që është kthyer në mollë sherri mes ortakësh dhe që çoi në bllokimin punimeve atje.

Kolegji civil i Gjykatës së Lartë ka vendosur të rrëzojë padinë e bërë nga shoqëria “2A Group” e drejtuar nga biznesmeni Valon Ademi.

Më herët dy gjykatat e faktit i kishin dhënë të drejtë kompanisë “2A Group” në lidhje me kërkesën për sigurimin e padisë dhe pezullimin e të drejtave vendimmarrëse të ortakut tjetër ‘Mabco’ deri sa vendimi të merrte formë të prerë.

E gjithë përplasja ka nisur muaj më parë. Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale, ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49 përqind, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”. Çështja përfundoi në gjykatë, ku fillimisht u pezulluan disa të drejta të “Mabco”, ndërsa më pas Apeli kufizoi të drejtën e votës së kompanisë vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e aksioneve të pretenduara nga “2A Group”.

Konflikti u thellua pas një kontrate kredie 100 milionë euro të marrë nga “Mabco” me fondin “Delphos”, duke bërë që “2A Group” të kërkonte pezullimin e administrimit dhe përjashtimin e ortakut nga shoqëria. Gjykatat e shkallëve më të ulëta i dhanë të drejtë përkohësisht kompanisë së Ademit, por Gjykata e Lartë riktheu kontrollin e aeroportit tek “Mabco”. Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës ka paralajmëruar edhe mundësinë e prishjes së kontratës koncesionare për shkak të konfliktit mes te aksionereve.

gijotina.com/

 

Shkelëm 12 qarqe, PD duhet të bashkojë çdo copëz opozitarizmi –

By: 27
29 May 2026 at 20:58

“Të shkojmë te gara, te vota te përballja”, kështu deklaroi Ervin Salianji në takimin e mbajtur këtë të premte në Tiranë me qytetarët.

Ai gjithashtu theksoi se Shqipëria ka nevojë për një opozitë të madhe, moderne dhe gjithëpërfshirëse.

“Sali Berisha duhet të përballet me garën, me votën dhe me përgjegjësitë e veta. PD nuk mund të reduktohet. Është e qartë që ndryshimi i Shqipërisë mund të kalojë vetëm nëse PD ndryshojnë. Zgjedhja është ose të vazhdojë rrugën e tkurrjes apo të hapë një kapitull të ri. Vetëm përmes hapjes mund të rikthehet si shumicë qeverisëse në vend. Duhet të kthehemi te liria individuale, prona private, të hapet ndaj të djathtës tradicionale. Të hapur ndaj kujtdo që dëshiron largimin e Ramës. Ne duhet të kthejmë meritokracinë si standard. Sot në PD më të dështuarit promovohen dhe më të suksesshmit ndëshkohen. Duhet t’i japin fund emërimeve klienteliste në PD. PD duhet të bashkojë çdo copës opozitarizmi. Ne besojmë se PD ka mundësi për të pasur një fytyrë tjetër, përtej berishizmit. Të bashkojmë opozitën, demokratët dhe gjithë shqiptarët që duan ndryshim Shqipëria ka nevojë për një opozitë të madhe, moderne e gjithëpërfshirëse. Kjo është një betejë për të ardhmen. Kjo lëvizje nuk është e lehtë, por e drejtë. Sot pasi kemi shkelur të 12 qarqet, jam më krenar se kurrë për të gjithë mbështetjen që kemi marrë. Ne do ta bashkojmë PD, opozitën dhe do fitojmë Shqipërinë”, tha mes të tjerash ai.

gijotina.com/

Jo kryetar të përjetshëm në PD! Fund emërimeve klienteliste! –

By: 27
29 May 2026 at 20:38

Gjatë takimit që po mban me demokratët në Tiranë, Ervin Salianji tha se PD po reduktohet në një strukturë besnikërie ndaj një individi të vetëm dhe tani është përballë një rruge historike: të vazhdojë tkurrjen siç e kërkon Berisha apo të hapë një kapitull të ri ringritjeje.

“Ne kemi nevojë për një parti ku mendimi ndryshe promovohet dhe jo ndëshkohet, ku kritika nuk shihet si tradhëti dhe pluralizmi shihet si vlerë. Në të gjitha partitë e mëdha europianë ekzistojnë fraksione, mendime të ndryshme, dhe askush nuk trembet prej tyre. Përkundrazi. Ato konsiderohen shenjë force, shenjë vitaliteti dhe demokracie. Ka dy botëkuptime dhe dy grupe jo të vogla, të cilat mungesa e garës i pamundësoi proceset demokratike. Cila është shumica në PD? Si ta masim? Ka vetëm një instrument, të shkojmë prapë tek gara, tek vota, tek përballja. Nuk eshte problem që në PD të ekzistojnë dy rryma. Problemi nis kur njëra palë përpiqet të asgjesojë tjetrën.

Unë i respektoj ata që mendojnë se Berisha sot është shpresa e shqiptarëve. Ata duhet të respektojnë që Berisha duhet të përballet me garën, votën, demokratët dhe përgjegjësitë e veta. PD po reduktohet në një strukturë besnikërie ndaj një individi të vetëm. Është  e qartë se ndryshimi mund të vijë nëse PD ndryshon. PD është përballë një rruge historike: të vazhdojë tkurrjen sicc e kërkon uzurpatori apo të hapë një kapitull të ri ringritjeje, modernizimi dhe fitoreje. Vetëm përmes përgjegjësisë dhe hapjes PD mund të kthehet në një shumicë qeverisëse në vend. Kryetari ka meritën e fitores por edhe përgjegjësinë e humbjes. Në PD Më të votuarit u përjashtauan dhe të përjashtuarit u bënë deputetë, duke kthyer përmbys parimet.

Kryetari duhet të ketë një kufizim prej 2 mandatesh që mos të jetë i përjetshëm si ky që sillet si pronari i partisë. PD duhet të hapet. Duhet të propozojmë lista të hapura ky qytetari zgjedh deputetin. 80% duhet të propozohen nga anëtarësia dhe 20 % duhet ti lihen kryetarit të partisë për personalitete të rëndësishme. Është e pafalshme që PD moshën mesatare në takimet e saj e ka të plakur sepse të rinjtë janë përjashtuar. PD duhet të kthehet tek boshti ideologjik, tek identiteti i djathtë. PD duhet të mbajë qëndrime të qarta të djathta. Nuk mund të ketë dy parti të majta që konkurojnë njëra tjetrën. Të rinjtë duhet të përfaqësojnë 30% të listave dhe gratë 40%. PD duhet të decentralizojë degët dhe t’i fuqizojë ato.

Duhet të rikthejmë meritokracinë si standard. PD duhet të shpërblejë rezultatet dhe ndëshkojë dështimin. Sot në PD, më të dështuarit promovohen dhe të suksesshmit përjashtohen. Të gjithë duhet të bëjnë hap pas kur ka rezultat të dobët dhe ta kalojnë stafetën tek të tjerët. Rezultati më i mirë duhet të barazohet me rimandatim dhe rezultati i keq me fundin e karrierës politike. Duhet t’i japim fund emërimeve klienteliste në PD. PD duhet të ndërtojë një strategji komunikimi që ushqen shpresë. Jo partia e protestës por e alternativës. PD duhet të bashkojë ccdo copëz opozitarizmi. Pd duhet të pranojë mendimin ndryshe dhe të krijojë unitet duke përfshirë e bashkuar.

PD duhet të japë mbështetje të plotë SPAKut dhe shtetit të së drejtës. Nuk mund ta shajë paradite e ta mbrojë në darkë SPAKun. PD duhet të jetë lokomotivë e integrimit në BE dhe duke vendosur së pari partneritetin strategjik me SHBA si të panegociueshëm.”   tha Salianji.

Ish-deputeti Ervin Salianji ka theksuar se PD ka nevojë për një alternativë tjetër, përtej berishizmit.

Gjatë takimit me demokratët në Tiranë, Salianji tha se emërimet klienteliste në PD duhet të marrin fund. Sipas Salianjit, sot në PD promovohen të dështuarit dhe largohen të suksesshmit.

“Të hapur ndaj kujtdo që dëshiron largimin e Ramës. Ne duhet të kthejmë meritokracinë si standard. Sot në PD më të dështuarit promovohen dhe më të suksesshmit ndëshkohen. Duhet t’i japin fund emërimeve klienteliste në PD. PD duhet të bashkojë çdo copës opozitarizmi. Ne besojmë se PD ka mundësi për të pasur një fytyrë tjetër, përtej berishizmit. Të bashkojmë opozitën, demokratët dhe gjithë shqiptarët që duan ndryshim Shqipëria ka nevojë për një opozitë të madhe, moderne e gjithëpërfshirëse. Kjo është një betejë për të ardhmen. Kjo lëvizje nuk është e lehtë, por e drejtë. Sot pasi kemi shkelur të 12 qarqet, jam më krenar se kurrë për të gjithë mbështetjen që kemi marrë”, tha mes të tjerash Salianji.

gijotina.com/

Fatos Nano u burgos politikisht, PS nuk kërkon revansh… –

By: 27
29 May 2026 at 19:28

Në takimin me socialistët në Dibër, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek burgosja politike e Fatos Nanos. Keto ishin mesazhe te koduara per Berishen, per te vazhduar marreveshjet PS-PD qe kane nisur ne kuader te integrimit ne BE.

Rama tha se PS kur erdhi në pushtet, nuk kërkoi revansh, por nisi një rrugë të vështirë për një shtet të së drejtës, ku burgosjet politike mos të përsëriteshin më kurrë.

“PS nuk kërkoi revansh, por shtet të së drejtës. PS doli nga një opozitë ku kthimi i saj në krye të vendit u bë në të njëjtat ditë me daljen e liderit të saj nga burgu. Ku u mbajt padrejtësisht dhe ku u fut politikisht, por në asnjë moment nuk la të kuptohej ai vetë dhe i gjithë lidershipi ndonjë qëllim për tu hakmarrë, duke fut në burg të burgosurin e vet. Por përkundrazi nisi një rrugë më të vështirën, për të krijuar kushtet që burgosjet politike të mos përsëriteshin më kurrë në Shqipëri. Nëse do kishte drejtësi, drejtësinë ta bënte drejtësia dhe jo politika. Kjo është një rrugë që bashkon aspiratat e shqiptarëve që janë të lidhura me Europën. Kjo e bën PS të vetmen forcë europianizuese të këtij vendi”, tha Rama.

Në hyrje të fjalës së tij, Rama nuk hezitoi të kujtojë batutat e tij me dibranët dhe jo vetëm, të bëra gjatë fushatës për zgjedhjet parlamanetar të 11 majit 2025.

“Unë nuk e kisha pritur që faktikisht të gjithë çyrykët do të provokoheshin dhe do të hidheshin përpjetë dhe do të thonin nuk jemi çyrykë, po burra, dhe të gjithë burrat shkuan pas grave dhe do ta nxirrnin nga kutitë e votimit fitoren më të madhe ndonjëherë për PS. Ai ka qenë edhe një moment tjetër i daljes në pah të mençurisë së kësaj zone, që për një sërë arsyesh ndihem shumë i lirë dhe më vjen mirë që kjo lidhje materializohet dhe me dëshminë e ardhjes”,- tha Rama.

Kryesocialisti theksoi se që nga themelimi i saj, Partia Socialiste ka ecur në arenën politike duke patur prioritet interesin kombëtar.

“Ne kemi parë dhe kemi dëgjuar shumë, por dhe kemi bërë shumë, dhe duke u kthyer tek çfarë tha Ulsiu në fjalën e tij përmbyllëse, unë dua ta rinënvizoj sepse historia e PS nuk nis me momentin kur hyra në parti unë me Ulsiun. Por nis në momentin kur idealët dhe progresistët bënë një zgjedhje shumë të qartë dhe u shkëputën në mënyrë shumë të arsyeshme nga e shkuara, duke i dhënë jetë një partie e cila në këto 35 vite ka shënuar disa gjëra të rëndësishme në librin e jetës politike shqiptare. Në radhë të parë, PS ka provuar më shumë se sa një herë që është e vetmja forcë politike e cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Shembulli më kulmor i këtij fakti është i lidhur me atë periudhë kur PS dhe lideri i saj historik, Fatos Nano, bombardoheshin nga të katër anët si të lidhur me Beogradin. Ata i bombardonin, ishin ata që ditën flisnin për Kosovën dhe natën thyen embargon që bota demokratike i kishte vënë Slobodan Millosheviçit. Ishte pikërisht PS dhe qeveritë e PS”,- tha Rama.

gijotina.com/

“Nuk po falim asgjë, është pronë private”. –

By: 27
29 May 2026 at 17:20

Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj polemikave që kanë shoqëruar projektin turistik në Zvërnec, duke mohuar pretendimet se shteti shqiptar po u fal investitorëve toka publike në një nga zonat më të debatueshme të bregdetit. Gjatë prezantimit të kompanisë “Albanian Digital Solution”, Rama e cilësoi si “lajm të rremë” pretendimin se qeveria po dhuron pasuri publike, duke deklaruar se toka ku parashikohet zhvillimi është “pronë private denbabaden”.

Deklarata vjen ndërsa prej më shumë se dy javësh ambientalistë dhe aktivistë kanë organizuar protesta kundër projektit, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme mbi ekosistemin e zonës së mbrojtur të Nartës dhe Zvërnecit. Kundërshtarët e projektit kanë kërkuar transparencë mbi përmasat reale të ndërhyrjes dhe ndikimin që mund të ketë në një nga habitatet më të rëndësishme natyrore të vendit.

Debati u zhvendos edhe në emisionin “Opinion”, ku Artemis Poshi, përgjegjëse e Sektorit Juridik në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, sqaroi se aktualisht nuk ekziston ende një projekt përfundimtar ndërtimi. Sipas saj, janë miratuar leje zhvillimi dhe një leje për infrastrukturën paraprake, por zhvillimi ndodhet ende në fazën e projekt-idesë.

Poshi deklaroi se sipërfaqja prej rreth 2.6 milionë metrash katrorë ku parashikohet zhvillimi është pronë private me certifikata pronësie dhe se, sipas verifikimeve të kryera nga institucionet, nuk përfshin pronë shtetërore. Ajo sqaroi gjithashtu se ende nuk është paraqitur një projekt përfundimtar dhe rrjedhimisht nuk ekziston asnjë leje mjedisore për zhvillimin.

Zyrtarja e AZHT-së theksoi se ligji aktual lejon dhënien e lejeve në zona të mbrojtura përmes procedurave dhe rregulloreve të posaçme, me kusht që të respektohen kriteret ekologjike dhe biodiversiteti. Sipas saj, po kryhen studime të detajuara me asistencën e studiove të huaja për të vlerësuar ndikimin e mundshëm të projektit dhe mënyrën e përshtatjes së tij me karakteristikat e zonës.

Nga ana e tij, Rama këmbënguli se shteti nuk po fal asgjë dhe se investitorët e përfshirë janë “tejet seriozë”, ndërsa sqaroi se përfshirja e drejtpërdrejtë e shtetit lidhet me ishullin e Sazanit, ku negociatat ende nuk kanë përfunduar.

gijotina.com/

Jemi shumë afër, por ka ende pika ngërçi –

By: 27
29 May 2026 at 15:30

SHBA-ja dhe Irani duhet ende të zgjidhin disa pika të mbetura pezull përpara arritjes së një marrëveshjeje, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan JD Vance.

I pyetur nga BBC nëse Presidenti Donald Trump ishte pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje, Vance tha se është ende herët për të thënë “kur dhe nëse” palët do ta finalizojnë atë.

Më herët gjatë së enjtes, zyrtarë amerikanë i thanë BBC-së se Uashingtoni dhe Teherani kishin rënë dakord mbi një kuadër paraprak marrëveshjeje, të njohur si memorandum mirëkuptimi, i cili pritet të miratohet nga Trump dhe udhëheqja iraniane.

Sipas raportimeve, marrëveshja do të zgjasë armëpushimin me 60 ditë dhe do të hapë bisedime për të ardhmen e programit bërthamor iranian. Megjithatë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim raportoi se dokumenti ende nuk është finalizuar apo konfirmuar zyrtarisht.

Korniza e propozuar parashikon gjithashtu kalim “të pakufizuar” në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Iranit mund t’i jepen 30 ditë kohë për të hequr minat detare nga korridori strategjik i anijeve.

Nga ana tjetër, SHBA-ja pritet të lehtësojë bllokadën dhe të japë përjashtime nga sanksionet, duke i hapur rrugë rifillimit të eksporteve iraniane të naftës.

Mediumi amerikan Axios, që raportoi i pari për marrëveshjen paraprake, shkruan se Donald Trump është informuar mbi draftin, por nuk e ka firmosur ende dhe pritet ta shqyrtojë gjatë ditëve në vijim.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga pikat më strategjike të botës, pasi rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm kalon përmes saj. Çdo bllokim i saj ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë.

Duke folur në Uashington, JD Vance tha se negociatorët po diskutojnë ende disa formulime dhe veçanërisht “çështjen e pasurimit të uraniumit”.

“Nuk kemi mbërritur ende në fund, por jemi shumë afër dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, deklaroi ai.

Prej kohësh, SHBA-ja kërkon që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit në nivele të larta dhe të asgjësojë rezervat ekzistuese, të cilat teorikisht mund të përdoren për prodhimin e armëve bërthamore.

Irani, ndërkohë, këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore dhe mohon synimet për armë bërthamore.

Vance u shfaq optimist në deklaratat e tij, duke theksuar se SHBA-ja beson se pala iraniane po negocion “me vullnet të mirë”.

Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane publikuan të mërkurën detaje nga një draft jozyrtar me 14 pika, i cili përfshin heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni përreth Iranit dhe rikthimin e trafikut civil në Ngushticën e Hormuzit, nën menaxhimin e Iranit dhe Omanit.

Finalja e Champions League vjen me statistika që zbulojnë dy filozofi krejt të ndryshme –

By: 27
29 May 2026 at 15:04

Po afron finalja e madhe e UEFA Champions League në “Puskás Aréna” të Budapestit, ku do të përballen Paris Saint-Germain dhe Arsenali, dy skuadra që, sipas statistikave të UEFA-s, kanë qasje krejt të ndryshme ndaj lojës, por me të njëjtin nivel suksesi.

Shumëkush parashikon një finale spektakolare me shumë gola dhe me futboll sulmues, por shifrat e sezonit tregojnë një histori më komplekse. Një detaj interesant është se lojtari që ka vrapuar më shumë në këtë edicion të Championsit është Vitinha, duke treguar se edhe “artistët” shpesh bëhen punëtorë të vërtetë në fushë.

Nga njëra anë është Arsenali, kampion i Premier League-s pas 22 vitesh pritje, i cili ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm në Angli. Skuadra e Mikel Artetës fitoi 26 nga 38 ndeshje në kampionat dhe përfundoi një garë të fortë deri në fund me Manchester City-n.

Në anën tjetër, PSG vazhdon dominimin në Francë, duke u bërë kampion për të pestin sezon radhazi dhe duke fituar 12 tituj në 15 vitet e fundit. Francezët kanë luajtur më pak ndeshje në kampionat, por kanë një bilanc shumë të ngjashëm me anglezët në aspektin e fitoreve.

Në ofensivë, të dy ekipet janë shumë të rrezikshme. PSG ka shënuar 74 gola në sezonin e kampionatit, ndërsa Arsenali 71, me mesatare përkatësisht 2.18 dhe 1.87 gola për ndeshje. Në Champions League, francezët kanë zhvilluar dy ndeshje më shumë (16 kundrejt 14 të Arsenalit), por kanë qenë dukshëm më produktivë në sulm.

PSG ka realizuar 44 gola në këtë edicion të kompeticionit, ndërsa Arsenali 29, duke konfirmuar fuqinë sulmuese të kampionëve francezë. Megjithatë, kjo ka edhe një anë tjetër: sa më shumë sulmon, aq më shumë rrezikon në mbrojtje.

Arsenali ka pësuar vetëm 6 gola gjatë gjithë turneut dhe ka mbajtur 9 ndeshje pa pësuar, ndërsa PSG ka pësuar 22 gola dhe ka regjistruar 5 ndeshje pa gol të pësuar.

Në fund, statistikat sugjerojnë një përballje mes dy filozofive të ndryshme: sulmi më i fortë i Europës përballë një prej mbrojtjeve më të organizuara të kontinentit. Gjithçka mbetet për t’u vendosur në fushë në finalen e madhe të Budapestit.

 

Skandali/ Krahu i djathtë i Zelenskyt akuzohet se emërimet i bënte pasi pyeste fallxhoren –

By: 27
29 May 2026 at 14:48

Ish-shefi i stafit të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, Andrij Jermak, i përfshirë në një skandal të madh korrupsioni, akuzohet se konsultohej me një astrologe dhe eksperte “feng shui” për emërimet në poste të larta qeveritare.

Pretendimi u bë publik gjatë seancave gjyqësore të 12-13 majit në një çështje korrupsioni të hetuar nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit (SAPO). Hetuesit po shqyrtojnë një skemë të dyshuar pastrimi parash me vlerë 460 milionë hryvnia, rreth 10.5 milionë dollarë, përmes projekteve luksoze të ndërtimit pranë Kievit.

Sipas prokurores Valentyna Hrebeniuk, Jermak konsultohej periodikisht me një person të regjistruar në telefon si “Veronika Feng Shui Office” për emërime të rëndësishme shtetërore.

“Personat që ajo miratonte emëroheshin në këto poste”, deklaroi prokurorja, duke shtuar se para emërimeve, Jermak i dërgonte astrologes datat e lindjes së kandidatëve.

Hetuesit identifikuan “Veronika Feng Shui Office” si Veronika Anikjeviç, një 51-vjeçare nga Kievi që prezantohet si konsulente astrologjie dhe “feng shui”. Sipas të dhënave të publikuara nga njësia investigative “Schemes” e Radios Evropa e Lirë, në telefonat e personave të tjerë numri i saj ruhej me emërtime si “fallxhorja e Jermakut”.

Në gjykatë, Jermak mohoi të kishte komunikuar me “fallxhore” apo “profetë”. I pyetur nëse e njihte Anikjeviçin, ai tha: “Njoh disa Veronika. Nuk më kujtohen mbiemrat”.

Ndërkohë, vetë Anikjeviç ka reaguar ashpër ndaj hetimeve, duke i quajtur zyrtarët e NABU dhe SAPO “llum” dhe duke pretenduar se hetimi është pjesë e një operacioni për “kapitullimin e Ukrainës”.

Spitali i Mallakastrës apo shtëpi fantazmash? Pacientët presin të vijnë dritat –

By: 27
29 May 2026 at 14:22

Një i verbër endet dy ditë dyerve të spitalit duke pritur të vijnë dritat, ndërsa qytetarëve u thuhet se nuk mund të marrin shërbimin që u nevojitet. Kjo është Shqipëria reale, larg konferencave, sloganeve dhe projekteve që mbushin rrjetet sociale.

Sipas një denoncimi të mbërritur në JOQ Albania, babai i qytetarit, i cili është i verbër, është paraqitur dje dhe sot në Spitalin e Ballshit për të marrë një rekomandim drejt Fierit, procedurë e nevojshme për një shtrim të mëvonshëm në QSUT. Por sipas tij, përgjigjja që ka marrë ka qenë e njëjtë: “Nuk kemi drita”.

Denoncuesi pretendon se prej disa ditësh energjia elektrike vjen dhe ikën vazhdimisht, ndërsa shumë pacientë që udhëtojnë nga fshatrat e zonës detyrohen të presin me orë ose të kthehen pa marrë shërbim. Në vend që të presin radhën te mjeku, qytetarët po presin radhën e dritave.

Ndërkohë që ministrat, fondet dhe organizatat gjejnë kohë të diskutojnë tema gjithnjë e më të largëta nga hallet e përditshme të shqiptarëve, në Mallakastër qytetarët kanë një problem shumë më bazik: një spital që sipas denoncimit nuk arrin të funksionojë normalisht për shkak të mungesës së energjisë.

Ndoshta para se të diskutojmë për identitete, ideologji dhe axhenda që preokupojnë një pjesë të politikës dhe aktivizmit, duhet të sigurohemi që spitalet të kenë drita, pacientët të marrin shërbim dhe të sëmurët të mos enden korridoreve në pritje të energjisë elektrike.

Sepse për qytetarin që ka hallin e shëndetit, prioriteti nuk është debati i radhës. Prioriteti është të gjejë një spital që punon.

Skandali/ Shteti nuk rimburson ilaçe për të sëmurët me kancer, por do të rimbursojë ata që ndryshojnë gjininë –

By: 27
29 May 2026 at 13:50

Ministria e Shëndetësisë ka miratuar terapinë hormonale për personat transgjinorë në QSUT, ndërsa po shqyrtohet edhe futja e hormoneve në listën e barnave të rimbursueshme. Vendimi parashikon trajtime me testosteron dhe estrogjen, madje edhe për të mitur nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta terapia mund të nisë edhe në moshën 14-vjeçare me miratim prindëror dhe vlerësim mjekësor.

Por vendimi ka hapur një debat të fortë publik mbi prioritetet reale të sistemit shëndetësor shqiptar. Ndërsa shteti diskuton rimbursimin e hormoneve, mijëra pacientë me sëmundje të rënda vijojnë të përballen çdo ditë me mungesën e barnave jetike dhe kostot e papërballueshme të trajtimeve. Familje që kanë të afërm me kancer, leucemi, sëmundje të rralla apo patologji kronike shpesh detyrohen të marrin kredi, të shesin pasuri ose të kërkojnë ndihmë publike për të siguruar ilaçet që nuk mbulohen nga shteti. Në shumë raste, pacientët janë detyruar të ndërpresin trajtimin për shkak të pamundësisë ekonomike.

Kritikët pyesin se si mund të flitet për zgjerim të skemës së rimbursimit për terapi hormonale, kur ende ka pacientë që luftojnë për jetën dhe nuk marrin medikamentet bazë nga shteti. Debati është bërë edhe më i fortë për shkak se terapia hormonale mund të aplikohet edhe tek të miturit, një çështje që ka nxitur reagime të shumta sociale dhe etike. Tashmë problemi nuk është vetëm vetë terapia, por fakti që sistemi shëndetësor duket se po vendos prioritete të diskutueshme në një vend ku pacientët me sëmundje të rënda vazhdojnë të ndihen të braktisur.

Bëhuni gati për plazh! Fundjava do të jetë me temperatura të larta –

By: 27
29 May 2026 at 13:38

Gjatë kësaj fundjave termometri pritet të shënojë 35 gradë Celsius, ndërsa e njëjta situatë do të vijojë edhe në fillimin e javës tjetër.

“Vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, ashtu si sot por edhe për fundjavën, përfshirë fillimin e javës së ardhshme moti do të jetë i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit. Por pa përjashtuar vranësirat e pakta-mesatare kalimtare, ndërsa në relievet malore në linje, do të ketë reshje shiu me intensitet të ulët, Temperaturat do të variojnë nga 33-35 gradë Celsius, përgjatë ultësirës perëndimore. Në relievet malore do të variojnë nga 30-32 gradë Celsius.

Sa i përket vlerave të mëngjesit, në relievet malore do të jenë 10-13 gradë Celsius, ndërsa përgjatë ultësirës perëndimore 14 deri në 17-18 gradë Celsius. Era do të fryjë me shpejtësi mesatare 7 m/s, por në ditë të caktuar 14-15 m/s. Temperaturat që po përjetojmë këto ditë janë 1-3 gradë celsius mbi mesataren mujore klimatike”, tha Elvi Jahaj, nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Egnatia, Elbasani dhe Vllaznia në garë për titullin kampion, mësoni skenarët e javës finale –

By: 27
29 May 2026 at 13:12

Tri skuadra vijojnë të jenë në garë për titullin kampion përpara ndeshjeve finale të fazës “Final 4”, që do të luhen të dielën në ora 19:00. Egnatia, AF Elbasani dhe Vllaznia do të zbresin në fushë me objektiva të qarta, ndërsa 90 minutat e fundit të sezonit do të vendosin skuadrën kampione të edicionit 2025/26.

Në stadiumin “Air Albania”, Vllaznia do të përballet me AF Elbasanin në një duel direkt mes dy skuadrave pretendente për titullin, ndërsa në “Elbasan Arena”, Egnatia do të luajë ndaj Dinamo City-t, në një tjetër sfidë me peshë të madhe për renditjen finale.

Më poshtë, skenarët për shpalljen e skuadrës kampione:

Egnatia shpallet kampione në rast se:
1. Fiton ndaj Dinamo City.
2. Barazon me Dinamo City dhe AF Elbasani nuk fiton ndaj Vllaznisë.

AF Elbasani shpallet kampion në rast se:
1. Fiton ndaj Vllaznisë dhe Egnatia nuk fiton ndaj Dinamo City.
2. Barazon me Vllazninë dhe Dinamo City fiton ndaj Egnatias.

Vllaznia shpallet kampione në rast se:
1. Fiton ndaj AF Elbasanit dhe Dinamo City triumfon ndaj Egnatias.

Gjithçka mbetet e hapur përpara mbrëmjes finale të “Final 4”, me tifozët që presin një fund sezoni emocionues dhe plot rivalitet deri në vërshëllimën e fundit.

 

Të akuzuar për trafik droge dhe kultivim narkotikësh, SPAK dërgon për gjykim 3 policë (Emrat) –

By: 27
29 May 2026 at 13:06

SPAK dërgon për gjykim tre ish punonjës policie për lidhje me grupe të strukturuara kriminale në trafikun dhe kultivimin e narkotikëve

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 169/1 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve:

Erdit Hazizaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal;

“Grup i strukturuar kriminal”, e kryer në formën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal;

“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal;

“Shpërdorim i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Shkëlzen Ruska, i akuzuar për veprat penale:

“Kultivim i bimëve narkotike”, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284 paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal;

“Grup i strukturuar kriminal”, e kryer në formën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal;

“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal;

“Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Të pandehurit Ervis Alisinanaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:

“Shpërdorim i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ky proçedim penal është ndarë nga çështja penale nr.169 e vitit 2022.

Nga hetimet e kryera rezulton se gjatë viteve 2019-2021, në zonën e Sarandës ka vepruar një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike. Drejtuesi dhe organizatorët e këtij grupi dyshohet se janë shtetasit nën hetim, K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A), Anëtarët e këtij grupi kishin detyra të përcaktuara për sigurimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.

Hetimet kanë dokumentuar rastin e trafikimit, më 7.3.2020 përmes pikës së kalimit kufitar në Qafë Botë, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro. Kjo sasi u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi.

Kur anëtarë të grupit arrestoheshin nga agjencitë e zbatimit të ligjit, anëtarët e tjerë interesoheshin për ndihmën ekonomike të personave të arrestuar dhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore. Sipas hetimeve, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kishin krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore me punonjës të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur vijimësinë e aktivitetit kriminal.

I tillë është rasti i Erdit Hazizaj, në atë kohë mbante detyrën e specialistit në Sektorin e Hetimit në Mbulim, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, i cili i ndihmonte drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për zhvillimin e aktivitetit të kundraligjshëm.

Gjatë viteve 2019-2021, në zonën Tepelenë-Gjirokastër, ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, nën drejtimin e shtetasit nën hetim, L.B (alias E.S), ndërsa pjesëtarët e grupit kishin detyra të ndara për kultivimin e bimës narkotike në zonën Tepelenë – Gjirokastër. Hetimet kanë dokumentuar rastin e datës 1.10.2020, në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari (Tepelenë), ku Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër zbuloi dhe sekuestroi 1360 bimë narkotike, me gjatësi 30-120 cm, në gjendje të njomë, me peshë totale 1280 kg. Sasia e bimëve narkotike ishte kultivuar nga ky grup kriminal.

Drejtuesi i tij kishte krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore edhe me punonjës në Policinë e Shtetit, në rastin konkret, me të pandehurin Shkëlzen Ruska, i cili asokohe mbante detyrën e specialistit në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar drejtuesin e grupit të strukturuar kriminal duke ofruar informacione dhe garanci për aktivitetin e kundraligjshëm.

Nga tërësia e provave të administruara rezulton se të pandehurit, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj, në vazhdimësi, gjatë vitit 2020, në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe funksionale, si punonjës të Policisë së Shtetit, kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e rregullt të strukturave policore, duke mos ndërmarrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve apo veprime të tjera të kundraligjshme.

Këto veprime, bazuar në hetimet e kryera, kanë sjellë pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit si dhe kanë cenuar besueshmërinë e Policisë së Shtetit përpara publikut dhe kanë dëmtuar ushtrimin e misionit të saj në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit.

Sistemet s’do jenë më peng i privatit –

By: 27
29 May 2026 at 12:52

Pas skandalit të korrupsionit me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), kryeministri Edi Rama ka prezantuar ditën e sotme shoqërinë e re shtetërore “Albanian Digital Solution” (ADS).

Sipas qeverisë kjo kompani shtetërore synon të forcojë inovacionin teknologjik dhe të modernizojë më tej shërbimet publike në vend.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë nismë si pjesë të “revolucionit dixhital” dhe një domosdoshmëri të fazës së re të zhvillimit të qeverisjes elektronike në Shqipëri. Sipas tij, krijimi i ADS vjen si përgjigje ndaj nevojës për të ndarë më qartë funksionet e standardizimit dhe kontrollit të sistemeve nga vetë zhvillimi dhe mirëmbajtja e tyre teknike.

“Albanian Digital Solution do të zhvillojë sisteme pa patur gjithmonë nevojë që shteti t’i drejtohet privatit. Me ambicien që shteti të krijojë kompaninë më të suksesshme publike të zhvillimit të sistemeve dhe mirëmbajtjen e tyre. Kompania të ketë kapacitetin të kthehet në një hapësirë për të gjitha talentet dhe të ketë pagat më të larta në tregun e shërbimeve dixhitale. Kapaciteteve brenda dhe jashtë vendit t’u ofrojë mundësinë që jenë pjesë e saj. Një kompani që të jetë garanci për institucionet e vendit, që s’mund të mbeten peng i privatëve në mirëmbajtjen e sistemeve të tyre. Brenda një harku 3-vjeçar do t’i kursejmë shtetit një shumë të barabartë me shumën që sot shkon për mirëmbajtjen”, tha Rama.

Sipas Ramës, krijimi i ADS do t’i japë fund varësisë së shtetit nga kompanitë private për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale. Ai deklaroi se kompania e re do të funksionojë me standardet më të larta të tregut teknologjik, duke ofruar paga konkurruese për ekspertët dhe programuesit shqiptarë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kryeministri shtoi se ambicia e qeverisë është që ADS të kthehet në kompaninë më të suksesshme të tregut digjital në vend, e fokusuar ekskluzivisht në shërbimet publike.

Rama bëri të ditur gjithashtu se, sipas parashikimeve të qeverisë, brenda tre viteve ADS pritet t’i kursejë buxhetit të shtetit një shumë të konsiderueshme financiare, të barabartë me kostot aktuale të mirëmbajtjes së sistemeve elektronike. Ai theksoi se kjo qasje e re do të bëjë që kompanitë private të orientohen më shumë drejt tregut privat, ndërsa shteti do të ndërtojë kapacitetet e veta teknologjike përmes kompanisë së re.

Rama vlerësoi ecurinë e deritanishme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke theksuar se nga një numër i kufizuar shërbimesh, sot platforma e-Albania ofron mbi 1200 shërbime online dhe përdoret nga miliona qytetarë. Ai solli në vëmendje edhe rolin kyç të saj gjatë pandemisë, kur shërbimet dixhitale u bënë thelbësore për funksionimin e administratës.

Zyrtare/ Edlir Tetova rikthehet te Teuta, emërohet trajneri i ri i skuadrës durrsake –

By: 27
29 May 2026 at 12:48

Klubi i Futbollit KF Teuta ka zyrtarizuar emërimin e Edlir Tetovës si trajnerin e ri të ekipit, duke i besuar drejtimin e pankinës për sezonin e ri.

Klubi durrsak e ka prezantuar Tetovën si një rikthim në shtëpi, aty ku ai ka nisur më parë rrugëtimin e tij dhe ku tani pritet të udhëheqë skuadrën drejt objektivave të rinj sportivë dhe sukseseve të ardhshme.

Në njoftimin zyrtar, Teuta shpreh besimin se trajneri i ri do të sjellë energji të re dhe stabilitet në skuadër, në një periudhë ku klubi synon të jetë sa më konkurrues në kampionat.

“Një rikthim aty ku nisi gjithçka”, thekson klubi në prezantim, duke i uruar Tetovës punë të mbarë dhe shumë suksese në krye të ekipit durrsak.

Me këtë lëvizje, Teuta nis një kapitull të ri me shpresën për të rikthyer ekipin në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.

NJOFTIMI:

Klubi i Futbollit Teuta ka kënaqësinë të prezantojë zyrtarisht z. Edlir Tetova në krye të pankinës sonë. Një rikthim aty ku nisi gjithçka, i gatshëm për të udhëhequr skuadrën drejt objektivave dhe sukseseve të reja. I urojmë punë të mbarë dhe suksese në krye të ekipit!

Dili zot tokës tënde! “Shqipëria Bëhet” nis nesër mbledhjen e firmave për shfuqizimin e dy ligjeve –

By: 27
29 May 2026 at 12:22

Një grup nismëtarësh prej 12 personash, në bashkëpunim me Lëvizjen “Shqipëria Bëhet”, do të nisë zyrtarisht nesër procesin e mbledhjes së 50 mijë firmave që synojnë shfuqizimin e ligjeve, “Për investimet strategjike” dhe “Për paketën e maleve”.

Sipas njoftimit të ndarë për mediat, procesi i mbledhjes së firmave do të nisë zyrtarisht të shtunën, më 30 maj, në orën 11:00, në hyrje të sheshit “Skënderbej”, përballë Kullës së Sahatit, pranë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

Sipas organizatorëve, nisma synon t’u japë qytetarëve mundësinë të shprehen drejtpërdrejt përmes referendumit lidhur me këto dy ligje, të cilat ata i konsiderojnë si zhvatje nga ana e qeverisë..

Shembja e pallatit në Kombinat pas tërmetit, Gjykata shpall të pafajshëm zyrtarët e Bashkisë së Tiranës –

By: 27
29 May 2026 at 12:02

Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për zyrtarët e Bashkisë së Tiranës dhe të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në procesin e shembjes së pallateve të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 në zonën e Kombinatit.

Togat e zeza kanë shpallur të pafajshëm Aurel Boriçin dhe dy ish-zyrtarët e IMT, Sokol Qehajaj dhe Rexhina Rakipi, pasi sipas Gjykatës, Prokuroria nuk arriti që të provojë akuzën ndaj të dyshuarve në lidhje me këtë çështje.

Ndërsa janë dënuar me 9 muaj burg për falsifikim, Shyqyri Maloku, si dhe 6 muaj Aleksandra Mahmutllari, që sipas gjykatës konvertohet në “punë në interes publik”.

Hetimet kanë nisur për pallatin nr. 140, i shembur në janar 2020 me mjetet dhe fondet e Bashkisë së Tiranës, e që më pas u fut sërish në një tender publik bashkë me 14 ndërtesa të tjera të klasifikuara si të dëmtuara nga tërmeti.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, ky nuk është rasti i vetëm:,dyshohet se përveç pallatit nr. 140, edhe pesë ndërtesa të tjera janë përfshirë në tender dhe paguar për t’u shembur, ndonëse rezultonin të rrafshuara më herët.

 

Zbardhet axhenda e Kuvendit Kombëtar të PD, demokratët vijnë me sloganin “Ripërtëritje” –

By: 27
29 May 2026 at 11:56

Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me zhvillimin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Slogani i zgjedhur për Kuvendin është “Ripërtëritje”. Sipas programit, punimet do të nisin të shtunën, më 30 maj, në orën 10:00.

Gjatë mbledhjes do të mbajnë fjalën disa prej drejtuesve dhe deputetëve demokratë, përfshirë edhe kryetarin e PD-së, Sali Berisha. Po ashtu, pritet të votohen disa ndryshime në statutin e partisë.

Kuvendi Kombëtar do të zgjedh edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar, ku do të përzgjedh nga lista e kryetarit, kryesisë, propozimet e degëve si dhe më të votuarit e katër viteve më parë që janë pjesë e Këshillit Kombëtar.

Zbardhet axhenda e Kuvendit Kombëtar të PD, demokratët vijnë

Axhenda e plotë

Ora 10:00 – Nisja e punimeve

Fjalën e hapjes do ta mbajë Erisa Bajaziti.
Erisa Bajaziti do t’u kërkojë delegatëve të votojnë për Komisionin e Drejtimit të Punimeve të Kuvendit dhe Sekretariatin Teknik.

Komisioni i Drejtimit të Punimeve të Kuvendit:

Ivi Kaso (kryetar)
Floriana Garo
Bardh Spahia
Eliona Shkreli
Nada Meçorapaja

Sekretariati Teknik:

Adriana Kalaja
Ledio Nuraj
Marash Logu
Bajaziti fton delegatët për votim.
Propozimet hidhen në votim.
Kuvendi i miraton me ngritje dore.
Kuvendi shpallet zyrtarisht i hapur.

Fjalën e merr Ivi Kaso, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Drejtimit të Punimeve.

Moderatori fton të pranishmit të ndjekin një dokumentar me kohëzgjatje 10-15 minuta.

Më pas flet Ivi Kaso.

Moderatori u jep fjalën të ftuarve ndërkombëtarë, si fizikisht të pranishëm ashtu edhe përmes videomesazheve.

Sërish merr fjalën Ivi Kaso.

Moderatori fton Sali Berishën për fjalimin e tij.

Ivi Kaso paraqet ratifikimin e vendimit të Këshillit Kombëtar të datës 5 mars 2024.

Floriana Garo lexon Rezolutën dhe e hedh atë në votim.

Rezoluta miratohet.

Ivi Kaso fton Gazmend Bardhin për të paraqitur ndryshimet statutore.

Gazmend Bardhi prezanton ndryshimet.

Ivi Kaso i hedh në votim ndryshimet statutore.

Ndryshimet miratohen.

Ivi Kaso njofton modalitetet e procesit të votimit dhe paraqet për miratim Komisionin Qendror dhe Komisionin e Votimit.

Komisionet miratohen me ngritje dore.

Ftohet Grigels Muçollari për prezantimin e platformës së modernizimit dhe digjitalizimit.

Moderatori fton Nikola Kedhin për prezantimin e platformës së Diasporës.

Ivi Kaso shpall hapjen e procesit të votimit në holl dhe nisjen e fazës së diskutimeve.

Vijojnë fjalimet e pjesëmarrësve.

Në përfundim të Kuvendit, fjalën e mbylljes do ta mbajë Ivi Kaso.

Pasuesi i Belindës, Karakaçi gati firmën për aksin Kashar-Lekaj, 18 mln €/km për Rrok Gjokën –

By: 27
29 May 2026 at 11:48

Tre vite pasi u mbyll procedura për një nga projektet më të mëdha rrugore në vend, qeveria duket se është drejt finalizimit të kontratës koncesionare për aksin Kashar-Lekaj, me një konsorcium kompanish të drejtuar nga “Gjoka Konstruksion” e biznesmenit Rrok Gjoka. Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi së fundmi se negociatat mes palëve janë në fazën e fundit dhe marrëveshja pritet të nënshkruhet shumë shpejt, pa dhënë megjithatë asnjë shpjegim publik se përse ky proces u zvarrit për më shumë se tre vite.

Aksi Kashar-Lekaj konsiderohet pjesë e të ashtuquajturit “Korridori Blu”, projekt që qeveria e ka prezantuar si pjesë të Korridorit Adriatiko-Jonian. Segmenti lidhet me rrugën Milot-Kashar dhe synon të krijojë një tjetër nyje të rëndësishme të qarkullimit në vend.

Tenderi për këtë projekt u zhvillua në vitin 2023, në kohën kur Ministria e Infrastrukturës drejtohej nga Belinda Balluku. Sipas të dhënave zyrtare, segmenti rrugor do të ketë gjatësi 26.6 kilometra, ndërsa vlera e kontratës arrin në rreth 475 milionë euro pa TVSH. Kjo do të thotë se kostoja për kilometër shkon afërsisht në 18 milionë euro, një shifër që e rendit këtë aks ndër më të kushtueshmit në historinë e infrastrukturës shqiptare.

Pikërisht kjo faturë marramendëse ka qenë edhe në qendër të debateve politike dhe publike që prej shpalljes së projektit. Opozita akuzoi qeverinë se kostot janë fryrë artificialisht dhe se pas projektit fshihen interesa korruptive. Nga ana tjetër, qeveria e mbrojti investimin si një projekt strategjik për transportin dhe zhvillimin ekonomik.

Dyshimet janë shtuar edhe nga ekspertë të ndërtimit, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi arsyet e kostos kaq të lartë, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e terrenit është fushore dhe nuk paraqet vështirësi të mëdha teknike. Një tjetër element që ka nxitur debat është fakti se në segmentin Kavajë-Rrogozhinë ekziston tashmë një autostradë funksionale.

Pas largimit të Belinda Ballukut nga drejtimi i Ministrisë së Infrastrukturës, projekti po ndiqet nga pasardhësi i saj, Enea Karakaçi, i cili më herët mbante postin e drejtorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara në Buletinin e Prokurimeve Publike në shkurt të vitit 2023, procedura koncesionare për “projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe transferimin e segmentit Kashar-Pezë-Lekaj” u fitua nga një grup prej shtatë kompanish. Në krye të konsorciumit qëndron “Gjoka Konstruksion”, ndërsa pjesë e tij janë edhe “Junik”, “Cobial”, “Udha”, “Geoportal”, “A&E Engineering” dhe “Pepa Group”.

Koncesioni është parashikuar të zgjasë 35 vite dhe rruga do të jetë me pagesë për qytetarët që do ta përdorin.

Ndërkohë, dy prej kompanive pjesëmarrëse në konsorciumin fitues janë përballur më pas me probleme me drejtësinë. Kompania “A&E Engineering” rezulton pjesë e një hetimi të SPAK lidhur me disa tendera në Bashkinë e Kolonjës, ndërsa “Pepa Group” u vendos nën sekuestro nga Gjykata e Posaçme, pasi pronari i saj dyshohet për përfshirje në aktivitet kriminal dhe pastrim parash. Këto zhvillime kanë rikthyer edhe një herë në vëmendje debatet dhe dyshimet që kanë shoqëruar projektin Kashar-Lekaj që prej fillimit.

Budapesti gati për finalen e Champions League, 100.000 tifozë dhe 4000 policë në kryeqytetin hungarez –

By: 27
29 May 2026 at 11:26

Budapesti po përgatitet me intensitet për finalen e madhe të Champions League mes Arsenalit dhe Paris Saint-Germain në “Puskas Arena”. Autoritetet hungareze po organizojnë operacionin më të madh policor në historinë e vendit për një ngjarje sportive.

Zëvendësshefi i policisë tha për mediat lokale se kjo është mobilizimi më i madh i autoriteteve që është bërë në një ditë të vetme, ndërsa përgatitjet për këtë ndeshje kanë nisur që një vit më parë.

Afërsisht 4,000 policë do të jenë të pranishëm në të gjithë qytetin, pasi kjo ndeshje është konsideruar me “rrezik të lartë”. Gjashtëdhjetë mijë tifozë pritet të jenë në Budapest gjatë dy ditëve të ngjarjes, ndërsa secili nga finalistët ka marrë 17,000 bileta. Shumë tifozë të tjerë pritet të mbërrijnë pa biletë.

Për të shmangur tensionet, janë krijuar zona të veçanta për tifozët në Sheshin e Heronjve dhe në pika të tjera të qytetit.

Ngarkesa është e madhe edhe për infrastrukturën e qytetit. Aeroporti i Budapestit pritet të ketë dyfishin e fluturimeve normale, me rreth 2,000 fluturime dhe 250,000 pasagjerë gjatë tre ditëve. Janë planifikuar edhe linja të shtuar transporti publik dhe masa të rrepta trafiku. Siguria mbetet prioriteti kryesor i organizatorëve, të cilët sipas mediave lokale, kanë gjithçka nën kontroll.

❌