Normal view

21 Janari/ SPAK çon në SHBA për ekspertizë audioregjistrimin, reagon xhaxhai i Aleks Nikës –

By: 27
2 June 2026 at 22:47

Në kuadër të hetimeve për dosjen e masakrës së “21 janarit”, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për ekspertizë të gjithë materialin e komunikimit në radio në kanalin e Gardës së Republikës më 21 janar 2011 ku katër protestues u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë qeverisjes Berisha.

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej 4 të vrarëve nga armët e shtetit, thotë se ky hap duhet të ishte marrë nga SPAK shumë kohë më parë, dhe të mos e mbanin kasetën në sirtar.

“Që në fillim Prokuroria nuk kreu veprimet hetimore të urdhëruara nga Gjykata e Lartë dhe ajo e Strasburgut. E mbajti çështjen 1 vit e gjysmë në sirtar me pretendimin se ku e mori gazetari kasetën. Në thelb duhet të jetë a është përmbajtja e saktë. Ky ekspertim është shumë i thjeshtë për t’u kryer. Për mua e kanë çuar qëllimisht ta zvarrisin”,- tha Mark Nika.

Xhaxhai i Aleks Nikës dyshon se drejtësia shqiptare synon të mos dënojë shkaktarin e vërtetë të 4 vrasjeve shtetërore, por aktorë dytësorë në masakrën e 21 janarit 2011.

“Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo çështje të mbyllet me pafajësi, po kthim për hetim në Prokurorinë e Tiranës. Ata duan të kanalizojnë hetimin me fajtor një gardist dhe mos të merren me urdhëruesin e kësaj çështjeje. Me sa shoh unë, kanë frikë. Sali Berisha e ka pranuar që vrasjet janë kryer nga shteti, por ka thënë nga pakujdesia. Kush ishte komandant në ato momente? Ndrea Prendi, i cili ka komunikuar në radio në momente me kryetarin e qeverisë”,- tha Mark Nika.

SPAK po heton 4 vrasjet e protestuesve në bulevard prej gati 2 vitesh, që prej 15 korrikut 2024 kur regjistroi çështjen pasi Gjykata e Lartë urdhëroi nisjen e hetimeve. Që nga ai momenti SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes. Para prokurorëve janë paraqitur ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij. Ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu, pas një përpjekje të dështuar për të zvarritur dëshminë e tij, u paraqit në SPAK më 19 nëntor të vitit të kaluar. Që prej atij momenti asnjë zhvillim i ri nuk është komunikuar nga Prokuroria e Posaçme.

Zbulohet projekti fitues i Shkëlqim Beshirit për Pallatin e Kongreseve, kullë deri në 255 metra të lartë –

By: 27
2 June 2026 at 21:29

Pallati i Kongreseve do të transformohet sipas projektit fitues të konkursit ndërkombëtar, i cili parashikon edhe ndërtimin e një kulle deri në 255 metra të lartë. Kryeministri Edi Rama tha se ndërhyrja synon ta kthejë këtë zonë në një qendër të re kulturore, turistike dhe ekonomike të Tiranës.

Kjo do të jetë pamja e re e Pallatit të Kongreseve sipas projektit fitues të konkursit ndërkombëtar për rikualifikimin e një prej ndërtesave simbolike të kryeqytetit.

Projekti triumfoi përballë katër rivalëve të tjerë me idenë e krijimit të një ndërtese me funksione të shumëfishta, ku përfshihet edhe një kullë shumëkatëshe me lartësi deri në 255 metra.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në prezantimin e projekteve, argumentoi nevojën e transformimit të Pallatit të Kongreseve dhe efektet e shumëanshme që, sipas tij, do të sjellë ky investim.

Fituesi i garës për rikualifikimin e Pallatit të Kongresit është “Herzog & de Meuron Basel Ltd” dhe Julian Beqiri + “Marsela Demaj” + “Michel Desvigne (MDP)” + “Gentian Shkurti” + “SUEB INDUSTRIES sh.p.k.” e  Erald Kerlukut + “The Space Factory Ltd” + “KLAR” sh.p.k. e Shkelqim Beshirit.

Gjatë prezantimit të zhvilluar paraditen e kësaj të marte, përfaqësues të ekipit fitues shpjeguan projektin, i cili nënvizonte ndërhyrje minimale në projektin ekzistues dhe afron jetën urbane ndaj publikut.

“Ne duam të ndërhyjmë në mënyrë minimaliste tek Pallati i Kongreseve. Kjo ndërtesë, për kohën kur është ndërtuar, ka qenë novatore dhe mbart histori”, u shprehën arkitektët.

Koncepti bazohet në katër ose pesë ndërhyrje kryesore, duke e rrethuar ndërtesën me një hapësirë të gjelbër që funksionon si “dhoma e pritjes” e kompleksit. Projekti përfshin krijimin e një sheshi të ri publik, riorganizimin e qarkullimit të këmbësorëve dhe një atrium që zbret gradualisht në nivelet e poshtme, duke krijuar efektin e një pylli urban.

“Sheshi i ri i gjelbër që do të kalojë shkallë pas shkalle poshtë do të duket si një pyll dhe si një hapësirë që përdoret nga të gjithë”, thanë projektuesit.

Brenda godinës, propozohen përmirësime të akustikës, zëvendësimi i çatisë me një strukturë çeliku dhe krijimi i gjashtë sallave të reja konferencash me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 1,600 personash. Projekti përfshin gjithashtu një kullë multifunksionale me zyra dhe hotel.

Juria u bëri thirrje fituesve që të marrin parasysh lartësinë e kullës dhe pjesën e sipërme për të përmirësuar hapësirat publike. Në vend të tretë, sipas jurisë, u renditën “Studio GANG” + “Gener 2” sh.p.k. + “AD-STAR sh.p.k.” + “Digi Print” + “Besart Papa” + “Rudina Papavasili”, kurse në vend të dytë “MVRDV B.V” + “AEI Progetti Srl” + “IRI sh.p.k.” + “Jason Bruges Studio Ltd” + “Charcoalblue International Ltd” + “Arup Engineering Trading as Ove Arup & Partners Ireland Ltd” + “Bami Holding” sh.p.k.

gijotina.com/

Arrestohet shoferja pas aksidentint me vdekje në rrugën Laç-Patok

By: 27
2 June 2026 at 20:41

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Laç–Patok, duke i marrë jetën një 37-vjeçari dhe duke çuar në arrestimin e një drejtuesje automjeti.

Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të datës 02.06.2026, ku automjeti i drejtuar nga shtetasja A. S., 33 vjeçe, është përplasur me një ciklomotor që drejtohej nga shtetasi L. T., 37 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, Kurbin.

NJOFTIMI
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasen A. S., 33 vjeçe, banuese në fshatin Grëz, Fushë-Kuqe, Kurbin, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një personi.

Rreth orës 13:00, të datës 02.06.2026, në aksin rrugor Laç–Patok, automjeti që drejtonte 33-vjeçarja është përplasur me një ciklomotor, me drejtues shtetasin L. T., 37 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, Kurbin.

 

Si pasojë e aksidentit, shtetasi L. T. u dëmtua rëndë dhe u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë, ku, rreth orës 18:40, ka humbur jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

gijotina.com/

The post Arrestohet shoferja pas aksidentint me vdekje në rrugën Laç-Patok appeared first on 27.

Shqipëria është e jona. Ju jeni hajdutë! –

By: 27
2 June 2026 at 19:22

Sot po mbahet dita e tretë e protestës për Zvërnecin. Qytetarët janë mbledhur përpara Kryeministrisë, të cilët kanë mbajtur fjalime në podium.

Gjatë protestës, disa qytetarë kanë çarë edhe kordonin e policisë në hyrje të godinës së Kryeministrisë. Ndërkohë një qytetare bëri thirrje për dorëheqjen e të gjithë qeverisë ndërsa kërkoi shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe paketën e maleve.

“Shqipëria është e shqiptarëve, jo e tradhtarëve!”. Këto kanë qenë thirrjet e forta që vijnë nga protesta që po mbajnë sot qytetarët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Mes thirrjeve dhe brohorimave ‘turp, turp’, qytetarët kanë lëshuar thirrje kundër Ramës, ndërsa e cilësoi qeverinë; hajdute.

gijotina.com/

Investimet strategjike në turizëm janë një mundësi historike për zhvillimin e Shqipërisë –

By: 27
2 June 2026 at 19:08

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me kundërshtimet dhe protestat e organizuara ndaj investimit strategjik prej mbi 4 miliardë eurosh që parashikohet të realizohet në zonën e Zvërnecit, duke theksuar se zhvillimi i turizmit dhe ekonomisë shqiptare nuk mund të pengohet nga dezinformimi apo interesat që nuk i shërbejnë vendit.

Sipas Kasës, investime të këtij niveli, të cilat sjellin në Shqipëri marka prestigjioze ndërkombëtare si Mandarin Oriental, Aman dhe Atlantis, disa prej të cilave ende nuk janë prezente në tregun europian, përbëjnë një mundësi të jashtëzakonshme për rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë si destinacion turistik elitar.

“Projekte të tilla rrisin vlerën e pronës, krijojnë mundësi të reja për sipërmarrjet vendase, tërheqin investime të tjera dhe forcojnë pozicionin e Shqipërisë në hartën turistike ndërkombëtare. Kundërshtimi i tyre pa argumente të bazuara në fakte i shërben më shumë vendeve konkurruese të rajonit sesa interesit kombëtar shqiptar”, deklaroi Kasa.

Ai theksoi se Unioni Turistik Shqiptar respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe kërkon që çdo investim të zbatohet në përputhje me standardet më të larta ligjore dhe mjedisore. Megjithatë, sipas tij, Shqipëria nuk mund të refuzojë projekte strategjike që rrisin konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar në Mesdhe dhe që parashikohet të krijojnë mbi 10 mijë vende pune direkte dhe indirekte.

Në lidhje me pretendimet për mbivendosje pronash, Kasa nënvizoi se, bazuar në deklarimet publike, projekti po zhvillohet mbi prona private të blera në mënyrë të ligjshme. Ai shtoi se çdo qytetar që pretendon cenim të së drejtës së pronës duhet t’u drejtohet institucioneve gjyqësore për të kërkuar verifikimin e pretendimeve dhe garantimin e të drejtave të tij.

“Mosmarrëveshjet pronësore duhet të zgjidhen nga institucionet e drejtësisë dhe jo të përdoren për të penguar zhvillimin ekonomik të vendit. Debati duhet të zhvillohet mbi baza ligjore, me transparencë dhe respekt për shtetin e së drejtës”, u shpreh ai.

Duke komentuar edhe kundërshtimet e ngritura nga grupet ambientaliste, Kasa theksoi se turizmi modern ndërkombëtar mbështetet pikërisht në ruajtjen e natyrës, biodiversitetit dhe trashëgimisë kulturore, ndaj çdo zhvillim duhet të respektojë standardet mjedisore, por kjo nuk duhet të kthehet në argument për bllokimin apriori të investimeve strategjike.

“Zvërneci është një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shqipërisë. Sfida jonë nuk është ta lëmë të pazhvilluar, por ta zhvillojmë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe vizion afatgjatë. Mirëqenia vjen nga zhvillimi ekonomik dhe investimet që krijojnë vende pune, të ardhura dhe mundësi për komunitetet lokale”, deklaroi Kasa.

Në përfundim, Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar bëri thirrje që debati mbi investimin në Zvërnec të bazohet në fakte, transparencë dhe interesin afatgjatë të Shqipërisë, duke vlerësuar se projekte të tilla mund ta shndërrojnë vendin në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të Mesdheut dhe të kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik kombëtar.

gijotina.com/

Mblidhuni jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum! –

By: 27
2 June 2026 at 17:42

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat që po zhvillohen në Tiranë, që kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec të Vlorës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ftuar në një bashkëbisedim protestuesit, duke u kërkuar atyre që të zgjedhin 20 përfaqësues, për të diskutuar mbi pretendimet apo kërkesat e tyre lidhur me projektin apo çfarëdo pakënaqësie tjetër që mund të lidhet me qeverisjen e tij.

Teksa ka vlerësuar qytetarët që kanë dalë në protestë, duke thënë se ata janë ‘më të freskët se mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares për 13 vite’, Rama ka deklaruar gjithashtu se nuk heq dorë nga plani për ndërtimin e resortit në Zvërnec.

Ditën e sotme, në orën 18:00, është thirrur një tjetër protestë që kundërshton ndërtimin e resortit në Zvërnec të Vlorës. Qytetarët do të mblidhen në Sheshin Skënderbej në Tiranë dhe do të marshojnë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, për t’u ndalur para Kryeministrisë.

Reagimi i Ramës:

Çuna, Unë sinqerisht ju pëlqej vërtetë, sidomos ata ndër ju që votojnë për mua – ka plot aty jashtë këtij korit udhëheqës – dhe mbi të gjitha, sepse të paktën jeni më të freskët se sa mbeturinat politike që më vijnë poshtë dritares tash 13 vjet, por nëse ky është vizioni juaj për mbrojtjen e natyrës dhe për “Shqipërinë e Shqiptarëve”, ju uroj sinqerisht shumë fat në të ardhmen, sepse do t’ju duhet.

Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik.

Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo?

Po që kjo imja të mos mbetet thjesht si një “larje goje” në mexhelis apo largqoftë te merret si tallje me ju, mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni.

Nëse doni, natyrisht.

Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona te ndara:

ju në kor me robt e shtëpisë time,

unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

gijotina.com/

Detaje nga grabitja në bankë, autori ndoqi qytetaren deri te arka, si ia rrëmbeu paratë nga dora –

By: 27
2 June 2026 at 15:56

Detaje të reja mësohen lidhur me grabitjen e ndodhur këtë paradite në një bankë në kryeqytet.

Autori ka ndjekur një të moshuar e ishte nisur drejt bakës për të depozituar para.

Ai është futur pas saj në institucion dhe me një mjet në dukej si armë e ka kërcënuar dhe i ka grabitur para që do të dorëzonte në arkë.

Ai ka qenë i pajisur me kokore, dhe menjëherë pas grabitjes është larguar pa gjurmë me anë të një skuteri.

Policia ka ngritur disa pika kontrolli dhe po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorit.

gijotina.com/

Irani po shqyrton propozimin e SHBA-së, por ende nuk ka dhënë përgjigje –

By: 27
2 June 2026 at 15:28

Irani ende nuk i është përgjigjur një marrëveshjeje përfundimtare të propozuar me SHBA-në, që synon t’i japë fund konfliktit.

Kështu, siç raportojnë mediat botërore, ka thënë një burim pranë ekipit negociator iranian për agjencinë shtetërore të lajmeve Mehr.

Burimi shtoi se në Teheran po zhvillohen diskutime mbi tekstin përfundimtar të marrëveshjes.

Ata shtuan se Irani po e shqyrtonte propozimin me kujdes, duke përsëritur pikëpamjet rreth mosbesimit të vendit ndaj palës amerikane.

“Bazuar në përvojat e mëparshme, Irani po kërkon përfitime të prekshme dhe reale”, citohet të ketë thënë burimi.

Kjo vjen ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë, përfshirë midis Donald Trump dhe Benjamin Netanyahut për situatën në Liban.

Siç është raportuar më herët, presidenti amerikan po humbet durimin me kryeministrin izraelit, me pikëpamjen e kompromentimit të bisedimeve të paqes me Iranin.

Sulmet e reja izraelite vrasin 8 persona në Liban pavarësisht armëpushimit, përfshirë dhe fëmijë –

By: 27
2 June 2026 at 15:06

Sulmet e reja izraelite në Liban kanë vrarë të paktën tetë persona, përfshirë një dentist dhe dy fëmijët e tij, pavarësisht një armëpushimi në vazhdim, raportuan mediat libaneze të martën.

Dentisti, djali dhe vajza e tij u vranë në një sulm me dron izraelit në makinën e tyre, ndërsa po udhëtonin në rrugën Nabatieh-Khardali në jug të Libanit, tha agjencia shtetërore e lajmeve NNA.

Një tjetër sulm me dron vrau dy punëtorë sirianë brenda një çerdheje ku ata punonin në qytetin Jebchit.

Dy persona të tjerë u vranë në sulmet me dronë ndaj një motoçiklete në Toul dhe një makine në Ansar, tha agjencia.

Një dron izraelit goditi gjithashtu një makinë në rrethrrotullimin Harouf-Toul, duke vrarë shoferin.

Avionët luftarakë kryen gjithashtu një sulm ajror në një qendër të Mbrojtjes Civile Libaneze në rrugën Masil në qytetin Kfar Sir, duke shkatërruar objektin. Qendra ishte evakuuar disa ditë më parë, deklaroi NNA.

Më vete, avionët izraelitë kryen një sulm ajror në agim në qytetin Mansouri në distriktin Tyre, që përkoi me granatimet me artileri në zonë.

Sulmet goditën gjithashtu një shtëpi në al-Hosh të Tyres, duke e shkatërruar atë dhe duke dëmtuar disa shtëpi aty pranë. Dy persona të plagosur u nxorën nga rrënojat dhe u shtruan në spital.

Ndërkohë, NNA tha se numri i të vdekurve nga sulmi i së hënës në Spitalin Jabal Amel në Tyre është rritur në katër, me 50 të tjerë të plagosur.

Sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme në repartet e spitalit, garazhin e parkimit dhe ndërtesat përreth.

Viktimat e fundit erdhën pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se Izraeli dhe Hezbollahu kishin rënë dakord të ndalonin sulmet kundër njëri-tjetrit pas kontakteve përmes ndërmjetësve.

Trump tha se kishte mbajtur kontakte nëpërmjet ndërmjetësve me të dyja palët dhe kishte marrë garanci se “të gjitha të shtënat do të ndalen”.

Izraeli ka vazhduar sulmet e tij ndaj Libanit pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill, i cili më pas u zgjat për 45 ditë pas bisedimeve indirekte të ndërmjetësuara nga SHBA-të.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, më shumë se 3,400 njerëz janë vrarë në sulme që nga 2 marsi.

Gjermania në alarm, një i armatosur merr peng disa persona brenda lokalit –

By: 27
2 June 2026 at 14:46

Një operacion i gjerë policor po zhvillohet në qytetin Rendsburg, në landin Schleswig-Holstein të Gjermanisë, pasi një burrë i armatosur ndodhet brenda një bari.

Sipas raportimeve fillestare të gazetës gjermane Bild, pjesë të qendrës së qytetit janë izoluar nga autoritetet, ndërsa disa persona ndodhen brenda lokalit dhe mbahen peng.

Forca të shumta policore, të pajisura me armë automatike, helmeta dhe mburoja, kanë vendosur perimetër sigurie në një zonë të gjerë përreth shesheve Schlossplatz dhe Schiffbrückenplatz.

Policia njoftoi se deri më tani nuk ka persona të lënduar. Në vendngjarje janë dislokuar edhe njësi speciale, ndërsa zona mbetet e bllokuar për arsye sigurie.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura motivet e autorit të dyshuar apo kërkesat e mundshme të tij. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse në incident janë të përfshirë persona të tjerë.

OKB paralajmëron rikthimin e El Niño, temperaturat globale në 2027-ën mund të arrijnë nivele rekord –

By: 27
2 June 2026 at 14:22

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se një fazë e re e fenomenit klimatik El Niño mund të nisë në javët e ardhshme dhe të intensifikohet gjatë vitit 2026, duke kontribuar në rritjen e mëtejshme të temperaturave globale në një periudhë kur planeti po përballet me pasojat e ndryshimeve klimatike.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), ekzistojnë sinjale që tregojnë se ky fenomen mund të shndërrohet në një nga episodet më të fuqishme të regjistruara deri më sot, me mundësinë që të arrijë nivelin e një “super El Niño”, duke shtuar rrezikun për ngjarje ekstreme atmosferike në shumë pjesë të botës.

Shkencëtarët po ndjekin nga afër ngrohjen e ujërave në Paqësorin qendror, ku të dhënat e fundit tregojnë një kalim nga temperatura nën mesataren drejt një ngrohjeje të konsiderueshme, një tregues karakteristik i zhvillimit të El Niño-s.

Ky fenomen krijohet kur ndryshimet në drejtimin e erërave favorizojnë përhapjen e masave të ujit të ngrohtë në Oqeanin Paqësor tropikal, duke ndikuar drejtpërdrejt në modelet klimatike globale.

Ekspertët nënvizojnë se masa të mëdha uji me temperatura shumë të larta, që në disa zona janë më shumë se 6 gradë Celsius mbi mesataren, po lëvizin në thellësitë e Paqësorit, duke krijuar kushte për forcimin e mëtejshëm të fenomenit gjatë muajve të ardhshëm.

“Jemi të bindur se po afrohet një ngjarje e madhe, madje mund të jetë rekord,” tha profesori Adam Scaife nga Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas specialistëve, El Niño konsiderohet i formuar kur temperaturat e sipërfaqes së detit qëndrojnë mbi 0.5 gradë Celsius më të larta se mesatarja për një periudhë të gjatë, ndërsa një rritje mbi 2 gradë klasifikohet si “super El Niño”. Që prej vitit 1950 janë regjistruar vetëm pak episode të këtij niveli.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka paralajmëruar se El Niño do të përforcojë efektet e ngrohjes globale, duke theksuar se pasojat e tij pritet të jenë më intensive dhe më të përhapura në shkallë botërore.

Një El Niño i fortë shoqërohet zakonisht me thatësira dhe temperatura të larta në Amerikën e Jugut, Azinë Juglindore dhe Australi, si edhe me rritje të rrezikut për zjarre pyjore. Ai mund të ndikojë gjithashtu në dobësimin e musoneve në Indi, të shkaktojë thatësira në Afrikën Lindore dhe të rrisë rrezikun e përmbytjeve në jug të Shteteve të Bashkuara.

Në Europë, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, ndikimi i fenomenit është më i kufizuar, por mund të shoqërohet me dimra më të butë në fazat e para dhe më të ftohtë në fund të sezonit.

Historikisht, El Niño është lidhur me rritje të çmimeve të produkteve ushqimore dhe humbje të konsiderueshme ekonomike në nivel global, për shkak të dëmeve që shkakton në bujqësi dhe në zinxhirët e furnizimit.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se parashikimi i ndikimit të saktë mbetet i vështirë, pasi zhvillimi i fenomenit varet në masë të madhe nga sjellja e erërave atmosferike, të cilat janë të vështira për t’u parashikuar në afat të gjatë.

Ekspertët paralajmërojnë se edhe në rast se El Niño nuk arrin intensitetin e një “super El Niño”, efektet e tij mund të jenë gjithsesi të konsiderueshme, pasi do të veprojë mbi një planet që tashmë është ngrohur ndjeshëm nga aktiviteti njerëzor.

Sipas projeksioneve aktuale, viti 2027 mund të renditet ndër vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë në historinë moderne.

Zbatoi porosinë e Ramës. Do e çojmë në Strasburg –

By: 27
2 June 2026 at 14:00

Duke folur për ngjarjen e Zvërnecit,kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se Rama po akuzon nën zë pikërisht Ballukun dhe e ka frikë, pasi komisarin në Vlorë sipas tij e kishte emëruar ajo dhe ai u hoq si “lubist”.

“E morën peng në prani të policisë, e zvarritë paturpësisht në Zvernec, sikur të mos ishte ai, nuk i kthehet dhe dhe thotë ‘mund të ma ketë bërë Lubia‘. Po, po, ua them unë. Sepse atë komisarin e Vlorës e kishte emëruar ajo, e kuptoni ju?! Është skllav i saj, sepse ka 25 vjet që ajo është noterja e vjedhjeve të tij. Edhe ajo e hedh në erë Edi Ramën 100 herë, 100 herë, kjo është e vërteta, imagjino ti, ‘mund të ma ketë bërë ajo‘. Dhe ai u shkarkua menjëherë si lubist”, u shpreh kreu i selisë blu mes të tjerash.

I pyetur për çështjen “McGonigal” dhe vendimin e Kushtetueses që rrëzoi kërkesën e PD për Komision Hetimor, Berisha tha se do e çonte në Strasburg dhe vetë PD do kryente hetime për shkaqet e atij vendimi të dyshuar.

“Në atë vendim mund të kenë ndikuar edhe direkt lidhjet e Gjykatësve me McGonigalin dhe ne do e hetojmë atë, patjetër do ta hetojmë dhe atë vendim do e çojmë në Strasburg. Po, do ta çojmë në Strasburg. Faleminderit”, tha ai.

Berisha tha se Gjykata zbatoi porositë e kryeministrit Ramës dhe shtoi se me interes do ishte zbardhja e plotë e atij superskandali.

“Zbatoi porosinë e Edi Ramës. Të bllokosh hetimin e një skandali të përmasave më të mëdha ndërkombëtare, de fakto të rekrutimit me korrupsion të njeriut të rëndësishëm të kundërinteligjencës së FBI dhe përdorimin e tij kundër opozitës, merr një vendim më të papërgjegjshëm që mund të marrësh. Do ishte interesi më i madh i shqiptarëve dhe partnerëve tanë zbardhja e plotë e atij superskandali. Por natyrisht mund të kenë ndikuar edhe direkt lidhjet e gjykatësve me McGonigal”, theksoi kryedemokrati.

Aksident i rëndë në Mallakastër, 5 makina të përplasura dhe disa të lënduar –

By: 27
2 June 2026 at 13:54

Një aksident rrugor është regjistruar sot në zonën e Fratarit në Mallakastër, ku janë përfshirë pesë automjete.

Sipas informacioneve paraprake, nga përplasja kanë mbetur të lënduar disa persona, të cilët kanë marrë ndihmën e parë në vendngjarje dhe janë transportuar më pas drejt spitalit për trajtim të mëtejshëm.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e përplasjes.

Autoritetet po punojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa trafiku në zonë ka pësuar ngadalësim për disa kohë.

Bordi cakton çmimet e reja për karburantet, rriten përsëri nafta dhe benzina –

By: 27
2 June 2026 at 13:26

Bordi i Transparencës ka ndryshuar çmimet e karburanteve këtë të martë në vend. Bëhet me dije se nafta është rritur me 6 lekë për litër nga ndryshimi i fundit më 30 maj dhe benzina me 3 lekë për litër.

Sipas vendimit, nafta do të tregtohet me pakicë jo më shumë se 191 lekë/litër dhe me shumicë jo më shumë se 179 lekë/litër, ndërsa benzina do të shitet me pakicë jo më shumë se 176 lekë/litër dhe me shumicë jo më shumë se 164 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 2 ora 15.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë të jem këtu –

By: 27
2 June 2026 at 13:22

Kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët në lidhje me projektin e Zvërnecit, që ka sjellë kundërshti të shumta dhe protesta qytetare.

Ai u ‘betua’ se përsa kohë që ai të jetë kryeministër investimi në atë zonë nuk do të ndalet.

“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë të jem këtu. Unë jam i hapur të diskutoj me këto që ka pretendime. Nëse pretendimi është për pronën, falë ndërhyrjes së SPAK ka rrugën e vetë dhe mund të çojë në një zgjidhje ideale për faktin se ato para mund të shkojnë për të dëmshpërblyer pronarët, ndërkohë që të tjerët janë pronarë sot dhe janë pronarë bazuar në letrat e shtetit shqiptar”, tha Rama.

Ndërsa sa i takon aksionit të SPAK, që ka sekuestruar llogaritë e kompanisë Albania Land Development, Rama e komentoi:

“Kjo e SPAK ka dy pjesë, ka pjesën pozitive që i takon SPAK ka pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetëofruar të SPAK. Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Sa kohë ky është një problem i ngritur me të drejtë apo pa të drejtë këtë nuk e dimë dhe pastaj i shumëpërfolur, aq më tepër përsa kohë kjo përfolje lidhet me një hetim të nisur sa i takon subjektit është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim.

Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetëofruar që ndajnë gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha. Investitorët që janë edhe zotëruesit e pronës, duke ndjekur procedurat që parashikon legjislacioni shqiptar janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm, burimet financiare janë investiguar imtësisht nga

Agjencia e Pastrimit të Parave, që vepron në koordinim me partnerët ndërkombëtare dhe kanë rezultuar totalisht legale. Kështu që kjo çështje siç është me dy pamje, duhet ndarë në dy pjesë. Investitorët janë në të drejtën e tyre. Bllokimi i transaksionit nga ana e tyre është tërësisht arbitrar dhe negativ.

Ndërkohë bllokimi i kalimit të parave tek pronari për të cilat ka dyshime është një çështje në të drejtën e organit hetimor.

Unë e konsideroj pozitive edhe një për një aspekt tjetër. Me këta rast investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se hetimi nxjerr një tjetër origjinë prone, ata që e pretendojnë atë pronë fare mirë mund të marrin ato para dhe të gjitha palët janë të lumtura, përveç palës që ka mashtruar nëse ka mashtruar, por këtë e tregon e hetimi”.

ADS u krijua për të vjedhur pa kufi –

By: 27
2 June 2026 at 13:12

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj qeverisë lidhur me krijimin e shoqërisë shtetërore Albanian Digital Solutions (ADS), të cilën e cilësoi si një strukturë të ngritur për të kanalizuar fonde publike pa mekanizma të qartë kontrolli.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e quajti ADS-në “minierë floriri të familjes Rama”, duke pretenduar se kompania është krijuar pa një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave që të përcaktojë qartë kompetencat, funksionimin dhe marrëdhënien e saj me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sipas tij, nuk ekziston asnjë ligj apo vendim qeverie që të përcaktojë objektin e veprimtarisë së ADS-së, ndërsa të gjitha kompetencat, sipas pretendimeve të opozitës, janë lënë në dorë të aksionarit kryesor, AKSHI.

Berisha iu referua një vendimi të Këshillit të Ministrave të datës 20 maj 2026, përmes të cilit është miratuar një fond prej 7 milionë eurosh në favor të ADS-së. Ai theksoi se ky vendim është miratuar rreth dy javë pas regjistrimit të kompanisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Kreu i opozitës argumentoi se vendimi në fjalë nuk përcakton objektin e veprimtarisë së shoqërisë, nuk miraton statutin, nuk sqaron kompetencat dhe as mekanizmat e kontrollit të saj. Gjithashtu, sipas tij, nuk jepen sqarime mbi regjimin e prokurimeve apo arsyet e krijimit të kësaj kompanie.

“Është krijuar një monstër për të vjedhur në mënyrë të pandalshme”, deklaroi Berisha, duke shtuar se vendimi i vetëm i njohur publikisht për ADS-në parashikon vetëm financimin e saj me 7 milionë euro.

Grabitet me armë një bankë e nivelit 2 te stadiumi ‘Selman Stërmasi’! –

By: 27
2 June 2026 at 13:06

Është grabitur një bankë e nivelit të dytë pranë stadiumit ‘Selman Stërmasi’.

Dyshohet se një person është futur brenda bankës me armë dhe i ka marrë një shumë parash një qytetari që sapo po i depozitonte.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë, nuk dihet ende shuma e parave të marra.

“Rreth orës 12:26, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke dhe, dyshohet se në kërcënimin e një sendi në dukje armë, ka marrë një shumë parash.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit.”, njofton policia.

 

Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend –

By: 27
2 June 2026 at 13:04

Presidenti i Komisionit Europian, Antonio Costa, i cili ndodhet sot në Tiranë, pas takimit me kryeministrin Edi Rama, po mbajnë një konferencë të përbashkët.

Costa u shpreh se Shqipëria ka përmbushur piketat e e ndërmjetme, ndërkohë që ka bërë thirrje të përshpejtohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai i ka kujtuar Ramës se ruajtja e gjyqësorit të pavarur dhe llogaridhënës janë themelet kryesore për anëtarësimin në BE.

“Javën e shkuar siç u konfirmua e pamë ecurinë e Shqipërisë dhe Shqipëria ka përmbushur piketat e ndërmjetme për grup-kapitullin e parë. Pra ky është fillimi i një faze tjetër që është impenjative dhe do përqendrohet te zbatimi dhe historiku që do ketë Shqipëria. Këto reforma janë zgjedhje për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Një sundim ligjit dhe ruajtja e gjyqësorit të pavarur dhe llogaridhënës janë themelet kryesore për anëtarësimin në BE. Ju inkurajon të përshpejtoni përpjekjet tuaja për luftën tuaj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ai.

Miqësoret e qershorit ndaj Sllovenisë dhe Italisë, Kombëtarja U-21 vijon përgatitjet në Durrës –

By: 27
2 June 2026 at 12:42

Kombëtarja shqiptare U-21 vijon përgatitjet në Durrës në kuadër të dy ndeshjeve miqësore të muajit qershor ndaj Sllovenisë U-21 dhe Italisë U-21.

Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi dhe stafit teknik, kuqezinjtë janë stërvitur rregullisht gjatë këtyre ditëve, duke punuar për të qenë sa më të përgatitur për dy sfidat e rëndësishme ndërkombëtare. Pasditen e sotme, ekipi do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në Durrës, ndërsa nesër do të udhëtojë drejt Italisë.

Përballja e parë, Slloveni U-21 – Shqipëri U-21, do të zhvillohet më 5 qershor, në orën 20:15, në stadiumin “Ajdovščina”.

Tre ditë më vonë, më 8 qershor, kuqezinjtë do të sfidojnë Italinë U-21. Takimi Itali U-21 – Shqipëri U-21 është programuar të nisë në orën 18:15 dhe do të luhet në stadiumin “Omero Tognon”.

Dy ndeshjet miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për të vlerësuar gjendjen e grupit dhe për të vijuar përgatitjet në kuadër të kampionatit Europian U-21 2027.

Shqipëria e vendosur të avancojë drejt BE-së –

By: 27
2 June 2026 at 12:20

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Gjatë takimit u vlerësua progresi i Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, përfshirë mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1, “Themeloret”.

Kreu i Shtetit i përcolli Presidentit Costa vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur agjendën dhe objektivat që synojnë mbylljen e grupkapitujve brenda vitit 2027.

“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategjike për të gjithë kontinentin.

“Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm një proces integrimi, por një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë kontinentit evropian”, deklaroi Presidenti Begaj duke falenderuar Presidentin Costa për prioritizimin. e procesit të zgjerimit të BE- së me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë mandatit të tij.

Në vijim, Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen që institucionet evropiane po i japin Shqipërisë në procesin e integrimit.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin Shqipërisë në këtë rrugëtim. Shqipëria do të vijojë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.. Jemi të bindur se reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë.”, tha ai.

❌