Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 July 2025Gazeta Fjala

Alarm në Dukat, zjarri rrezikon edhe Parkun Kombëtar të Llogarasë

By: el da
19 July 2025 at 16:55

Forcat zjarrfikëse të Vlorës ndodhen prej orëve të para të ditës në malin e Dukatit, ku terreni i vështirë dhe malor e bën të pamundur ndërhyrjen me mjete.

Zjarrfikësit po punojnë me lopata dhe degë pemësh për të izoluar dhe shuar flakët.

Me qindra pisha, bredha dhe pemë të tjera janë shkrumbuar nga zjarri, i cili i ndihmuar edhe nga era po përparon duke u ngjitur në pjesën e majës së malit të fshatit Dukat.

Edhe pse është në distancë, Parku Kombëtar i Llogarasë rrezikon të përfshihet nga flakët nëse era vijon të fryjë nga verilindja.

Në zonë ndodhen 20 forca zjarrfikëse, ndërkohë që kërkohet ndërhyrje nga ajri për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

PD denoncon Fidel Yllin: Ka marrë 3 tenderë abuzivë të KOKSH-it

By: el da
19 July 2025 at 16:43

Partia Demokratike denoncon tenderë abuzivë sipas saj nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i drejtuar nga Fidel Ylli, të cilin e akuzon se ka vendosur shefe të misionit të Lojëra Olimpike “Paris 2024”, një punonjëse të biznesit te vet.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli u shpreh:

“Shqetësuese janë të dhënat mbi mënyrën e zhvillimit të tenderave dhe prokurimeve nga KOKSH, ku mungesa e konkurrencës dhe përsëritja e të njëjtëve operatorë fitues në tenderë me vlera të mëdha, hedh hije dyshimi mbi procesin.

Konkretisht tenderin për veshje sportive në vitin 2022 me vlerë mbi 1 milion euro dhe tenderin e vitit 2023 me të njëjtin objekt, me fond prej 4.7 milionë eurosh, si dhe prokurimet për blerje topash basketbolli e volejbolli – të gjitha të fituara nga i njëjti operator.

Shqetësues është edhe përfshirja e punonjëses së biznesit privat, të z.Fidel Ylli në pozicionin e shefes së misionit të Lojërave Olimpike ‘Paris 2024, duke ngritur dyshime serioze për praktika të papranueshme të menaxhimit të interesit publik.” m.p.

Tentuan ta mbajnë mister, zbulohet lojtari që dështoi në testet fizike te Real Madrid

By: el da
19 July 2025 at 16:33

Real Madrid ka qenë pranë transferimit si lojtar i lirë të marokenit Abdellah Ouazane, i konsideruar si një super talent.

16-vjeçari që luan si mesfushori, pasi përshkroi 3000 kilometra dhe ishte gati për të firmosur për 5 vite me madrilenët, mori surprizën e hidhur gjatë testeve mjekësore.

Për arsye që ende nuk bëhen publike, Ouazane dështoi në testet mjekësore dhe Real Madrid hoqi përfundimisht dorë nga mundësia për ta transferuar atë si lojtar i lirë.

Si klubi madrilen, ashtu edhe rrethi i ngushtë i lojtarit dhe përfaqësuesit e tij kanë vendosur të mbajnë çdo gjë sekret, por për fatin e tyre te keq e gjithë skena është zbuluar nga mediat.

Interesi i Real Madridit për Ouazane nuk është për t’u habitur, duke ditur strategjinë e klubit madrilen për të ndjekur talentet e reja dhe mbi të gjitha nënshkrimin e tyre falas.

Skifteri nga Lezha mburret me makinën luksoze, mediat angleze: Kushton 80.000 paund

By: el da
19 July 2025 at 16:26

Një shtetas shqiptar, i dënuar më parë për vjedhje dhe i dëbuar dy herë nga Mbretëria e Bashkuar ka sfiduar sërish autoritetet britanike, duke publikuar video në rrjetet sociale ku shfaqet duke drejtuar një Mercedes luksoz me targa të personalizuara në rrugët e Londrës.

28-vjeçari Dorian Puka, i cili ka hyrë ilegalisht disa herë në territorin britanik, ka postuar së fundmi një video në TikTok ku zbulon targat e personalizuara “DO24 AMG”, që pasqyrojnë emrin e tij dhe modelin e makinës që kap vlerën e mbi 80.000 paundëve.

Telegraph raporton se Puka është dënuar për herë të parë në vitin 2016 për përpjekje për të hyrë në një shtëpi për të vjedhur dhe u deportua një vit më vonë. Por ai arriti të rikthehej në Britani në mënyrë ilegale dhe kreu një sërë grabitjesh të tjera në Londër, për të cilat u dënua me tre vjet e gjysmë burg në vitin 2018. U dëbua sërish në mars 2020, por u rikthye për herë të tretë në fund të po atij viti, përmes rrugëve të paligjshme nga Gjermania, Belgjika dhe Holanda.

Aktualisht, ai është në pritje të një vendimi nga një gjykatë imigracioni, pasi ka paraqitur kërkesë për azil. Sipas ligjeve britanike, nuk lejohet dëbimi i individëve që kanë një kërkesë për azil në shqyrtim, ç’ka e ka bërë të pamundur dëbimin e menjëhershëm të tij, thotë Telegraph.

Ndërkohë, në rrjetet sociale, Puka vazhdon të provokojë autoritetet, duke postuar foto me makina luksoze si Ferrari 300.000 paundësh, orë Rolex dhe pamje nga klube nate në Londër. m.p.

Pse Wirtz refuzoi klubin më të madh në Gjermani? Arsyen e tregon babai i lojtarit

By: el da
19 July 2025 at 16:16

Florian Wirtz është një nga transferimet më të përfolura të kësaj vere, pasi anësori i sulmit vendosi të largohej nga Bayer Leverkusen për të firmosur me Liverpoolin, duke refuzuar interesimin konkret të Bayern Munichut. Tashmë, babai dhe përfaqësuesi i tij, Hans Wirtz, ka shpjeguar arsyet që qëndrojnë pas këtij vendimi të madh.

Në një intervistë për ‘Der Spiegel’, Hans tregoi se roli i trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot, ka qenë vendimtar.

“Arne Slot prezantoi filozofinë e tij të lojës, taktikat në posedim dhe presion dhe mënyrën se si Florian mund të zhvillojë pikat e tij të forta në këtë sistem. Kjo la një përshtypje vendimtare”, tha ai.

Babai i futbollistit zbuloi se kushtet në qendrën stërvitore të Liverpoolit dhe qasja njerëzore e trajnerit holandez ndikuan shumë në vendimin final.

“Slot e ka impresionuar Florianin në fushë, por është edhe një person shumë i këndshëm. Florian gjithmonë ka pasur raport të shkëlqyer me trajnerët që i japin liri dhe që tregojnë empati”, vijoi Hans.

Një tjetër element që e tërhoqi Wirtz drejt Premier League është stili i lojës në Angli, ku dinamika dhe ritmi janë të përshtatshme për cilësitë e tij.

“Ai e gjen futbollin anglez interesant sepse ‘lulëzon’ në ritëm dhe dinamizëm”, përfundoi babai i yllit gjerman. m.p.

Aksident i trefishtë në Maliq, të plagosurit drejt spitalit të Korçës

By: el da
19 July 2025 at 16:06

Një aksident i rëndë raportohet të ketë ndodhur në afërsi të fshatit Symizë të Maliqit.

Sipas raportimeve paraprake për media, në aksident janë përfshirë 3 automjete ndërsa të lënduar kanë mbetur 2 persona. Të plagosurit po transportohen me urgjencë drejt spitalit të Korçës për të marrë ndihmë mjekësore.

Sakaq, në vendin e ngjarjes ka mbërritur dhe policia teksa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit në fjalë. m.p.

Reagon kancelari gjerman: Qasja e Izraelit ndaj Gazës nuk është më e pranueshme

By: el da
19 July 2025 at 15:55

Kancelari Friedrich Merz bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në enklavën e rrethuar, ndërkohë që këtë javë numri i të vdekurve atje e tejkaloi shifrën prej 58,000 vetë.

Merz bëri gjithashtu thirrje për më shumë ndihmë humanitare për njerëzit në Gazë, gjë që është penguar fort nga vendimi i Izraelit për t’i nxjerrë të gjitha programet ndërkombëtare të ndihmës ngaRripi i Gazës dhe për të lejuar vetëm Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF). GHF është një organizatë shumë e diskutueshme, e drejtuar nga SHBA dhe e mbështetur nga Izraeli, të cilin kritikët e kanë quajtur një kurth cinik vdekjeprurës për banorët e dëshpëruar të Gazës që kërkojnë të gjejnë ushqim për familjet e tyre.

Kancelari Merz tha se është në kontakt të rregullt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe se ka ofruar të rrisë ndihmat gjermane për Rripin e Gazës.

Gjermania: Mbështetëse e fortë e Izraelit
Kancelari Merz vuri në dukje gjithashtu se qeveria e tij “nuk e mbështet” politikën e Izraelit për ngulimet, duke shtuar se e kishte shprehur qartë këtë edhe në telefonatat e tij me Netanjahun.

“Është e qartë se ku jemi. Ne po bëjmë gjithçka mundemi për të qenë të drejtë kundrejt të dyja palëve [Izraelit dhe palestinezëve në Gaza]”, tha Merz, duke vënë në dukje se “shteti i Izraelit do të pushonte së ekzistuari” nëse nuk do të mbrohej. Në të njëjtën kohë Merz tha: “Ne i shohim vuajtjet epopullit palestinez dhe po përpiqemi gjithashtu të bëjmë gjithçka që mundemi për të ofruar ndihmë humanitare”.

Për shkak të asaj që e quan përgjegjësi historike ndaj shtetit të Izraelit, Gjermania ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Izraelit gjatë luftës në Gazë, duke ofruar mbështetje të konsiderueshme diplomatike dhe ushtarake.

Kancelari Merz i hodhi poshtë thirrjet për pezullimin e marrëveshjeve të asociimit të BE-së me Izraelin, si dhe hodhi poshtë me vendosmëri çdo barazim midis pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe qasjes së Izraelit ndaj Gazës duke deklaruar se Rusia kishte nisur një luftë agresioni, ndërsa Izraeli po mbrohet kundër Hamasit. m.p.

“Messi nuk më foli për tre muaj, pastaj…”

By: el da
19 July 2025 at 15:47

Një episod i pazakontë ka dalë në dritë nga brenda dhomave të zhveshjes së Argjentinës dhe PSG-së, me protagonistë Lionel Messin dhe Leandro Paredes. Ky i fundit ka rrëfyer në një intervistë për “Infobae” se legjenda argjentinase nuk i ka folur për tre muaj, pas një keqkuptimi gjatë një ndeshjeje.

Sipas mesfushorit, gjithçka nisi nga një situatë në fushë ku ai kishte drejtuar një fyerje ndaj një lojtari kundërshtar. Por Messi, duke mos kuptuar kontekstin, kishte menduar se fjalët ishin drejtuar ndaj tij.

“Kaluam rreth tre muaj pa folur. E kisha shumë të vështirë. I dërgova mesazh të nesërmen, pastaj pas 15 ditësh. I thashë: ‘Nuk ishte për ty, nuk doja të të fyeja’. Dhe nuk m’u përgjigj”, u shpreh Paredes.

Për të zbutur tensionin, u desh një moment spontan në qendrën stërvitore të ekipit kombëtar.

“Një mëngjes, arritëm në të njëjtën kohë në stërvitje. Unë po laja dhëmbët dhe ai më hodhi ujë, duke thënë: ‘Çfarë po bën kaq herët zgjuar?’ Qesha dhe që nga ai moment, gjithçka u kthye në normalitet”, tha ai.

Pavarësisht keqkuptimit, marrëdhënia mes tyre është rikuperuar plotësisht. Sot, dyshja e kombëtares së Argjentinës vijon të ketë një raport korrekt dhe miqësor, ndërsa ky episod mbetet një kujtim që dëshmon ndjeshmërinë dhe standardet e larta që Messi kërkon në fushë dhe jashtë saj. m.p.

Bie numri i pushuesve në Tushemisht, operatorët tregojnë arsyet

By: el da
19 July 2025 at 15:40

Në kulmin e sezonit veror, Tushemishti, një nga fshatrat më të bukur dhe të vizituar të Pogradecit, po përballet me mungesë të theksuar pushuesish. Operatorët turistikë në këtë zonë, hotele, restorante dhe biznese të tjera të lidhura me turizmin, shprehen të shqetësuar, duke pohuar se krahasuar me vitet e kaluara, këtë verë fluksi ka rënë ndjeshëm.

Sipas tyre, arsyeja kryesore lidhet me punimet që po zhvillohen në zonën e Drilonit dhe përgjatë rrugës hyrëse për në Tushemisht, të cilat kanë krijuar pengesa në qarkullim dhe kanë ndikuar negativisht në ardhjen e vizitorëve.

Tushemishti, fshati i njohur për bukuritë natyrore dhe për historinë e tij po kalon një situatë të vështirë ekonomike këtë sezon. Ndërkohë, situata paraqitet ndryshe në qytetin e Pogradecit, ku kapacitetet hoteliere janë thuajse të gjitha të rezervuara dhe qyteti po njeh një fluks të shtuar turistësh. m.p.

Privatësia në rrezik, çfarë të dhënash mbledh Windows për ju?

By: el da
19 July 2025 at 15:30

Microsoft ka mbledhur të dhëna përdoruesish përmes sistemit operativ Windows për vite me radhë dhe tani ka ndarë saktësisht se çfarë informacioni regjistrohet dhe sa kontroll kanë përdoruesit mbi të.

Raportet e fundit pohojnë se Windows 10 (që nga versioni 1903) dhe Windows 11 i ndajnë të dhënat në dy kategori: të detyrueshme dhe opsionale.

Të dhënat e detyrueshme (Required) – nuk mund të çaktivizohen
Janë të dhëna teknike që Windows i mbledh automatikisht dhe përdor për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të sistemit.

Përfshijnë informacione për pajisjen, gabimet, performancën, si dhe përdorimin e shërbimeve si “Find My Device”, “Cloud Clipboard”, backup-imin, SmartScreen-in etj.

Të dhënat opsionale – mund t’i çaktivizoni
Këtu përfshihen gjëra si historia e shkrimit dhe e të folurit, përdorimi i aplikacioneve dhe i shfletimit, si dhe detaje të pranimit të instalimeve dhe përmirësimeve të përvojës së përdoruesit. Microsoft i përdor këto për përmirësim të produktit dhe personalizim – përfshirë reklamat .

Përdoruesit mund të menaxhojnë këto cilësime te Settings > Privacy > Diagnostics & feedback, ku zgjidhet niveli i mbledhjes së të dhënave dhe aktivizimi i “tailored experiences”.

Megjithatë, edhe nëse zgjidhet niveli minimal, disa të dhëna thelbësore prapë dërgohen te Microsoft.

Gjithashtu, ekziston që një mjet i veçantë – Diagnostic Data Viewer – që tregon qartë çfarë të dhëna janë mbledhur, por kërkon hapësirë shtesë prej rreth 1 GB dhe nuk vjen aktiv si parazgjedhje. /E.T

Agjencitë britanike zbulojnë identitetin e 18 agjentëve rusë

By: el da
19 July 2025 at 15:20

Nga Luigi Ippolito, Corriere della Sera

Të përfshirë në sulme infrastrukturore dhe zbulim online për të ndihmuar ushtrinë ruse, me qëllim destabilizimin e kontinentit

Një rrjet spiunazhi rus përgjegjës për një fushatë sabotimi në Evropë është zbuluar nga inteligjenca britanike, e cila ka publikuar identitetin dhe fotot e 18 agjentëve sekretë të Kremlinit, duke i nënshtruar ata sanksioneve së bashku me tre njësi të GRU-së, shërbimit të inteligjencës ushtarake të Moskës. Spiunët në listë do t’i nënshtrohen një ndalimi udhëtimi dhe do t’u ngrihen asetet, përveç ndalimit të marrëveshjeve me kompanitë britanike.

Agjentët rusë besohet se qëndrojnë pas një serie sulmesh shpërthyese, zjarreve, dëmtimeve të infrastrukturës dhe sulmeve kibernetike në tokën evropiane dhe britanike, në një përpjekje për të dobësuar mbështetjen për rezistencën e Ukrainës ndaj pushtimit të Moskës. Dy nga këta agjentë akuzohen gjithashtu për përgjimin e telefonit celular të Yulia Skripal, viktimës së një atentati me agjent nervor në Salisbury në vitin 2018, së bashku me babanë e saj, Sergei, një ish-spiun rus që dezertoi në Perëndim.

Britanikët u ndihmuan në operacion nga FBI-ja amerikane dhe shërbimet e inteligjencës së disa vendeve të NATO-s. Siç deklaroi Sekretari i Jashtëm Britanik David Lammy, agjentët e Kremlinit “po zhvillojnë një fushatë për të destabilizuar Evropën, për të minuar sovranitetin e Ukrainës dhe për të kërcënuar sigurinë e qytetarëve britanikë”. Ministri shtoi se Rusia ka synuar gjithashtu mediat, ofruesit e telekomunikacionit dhe institucionet politike: “Le të mos ketë dyshim Kremlini”, përfundoi Lammy, “ne shohim se çfarë po bëjnë ata pas kuintave dhe nuk do ta tolerojmë këtë. Kërcënimet dhe agresioni hibrid i Putinit nuk do ta thyejnë vendosmërinë tonë: mbështetja jonë dhe e aleatëve tanë për sigurinë e Ukrainës dhe Evropës është e patundur”.

Njësitë e sanksionuara të GRU-së nisën sulme kibernetike kundër qeverisë estoneze në vitin 2020 dhe Lojërat Olimpike të Parisit të vitit të kaluar, si dhe ndërhynë në zgjedhjet franceze të vitit 2017 dhe politikën gjermane. Por përgjegjësia e tyre më serioze qëndron në kryerjen e zbulimit online për të udhëhequr sulmin me raketa ruse në bazën ushtarake ukrainase në Mariupol tre vjet më parë, ku u masakruan qindra civilë, kryesisht gra dhe fëmijë. Britanikët kanë frikë se rusët po i përdorin fushat e betejës në Ukrainë si një terren testimi për të zhvilluar aftësi që më vonë mund të përdoren kundër vendeve perëndimore.

Midis viteve 2022 dhe 2024, e njëjta njësi GRU hakoi kamerat e mbikëqyrjes në disa vende evropiane, përfshirë Italinë, për të monitoruar furnizimet ushtarake të dërguara në Kiev. Por spiunët rusë janë gjithashtu përgjegjës për një seri sulmesh fizike kundër infrastrukturës portuale, qendrave të transportit, kalimeve kufitare dhe infrastrukturës qeveritare të përfshirë në shpërndarjen e ndihmës në Ukrainë.

Në Britani, tre burra u shpallën së fundmi fajtorë për një sulm me zjarrvënie në një depo në Londrën Lindore që po përdorej për të dërguar ndihmë humanitare, si dhe sistemet satelitore Starlink të Elon Musk, në Ukrainë. Sipas hetuesve, sabotimi mund të jetë porositur nga Grupi Wagner, ushtria mercenare e Moskës e udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, “shefi” i Kremlinit, i cili u rrëzua më vonë nga Putini në gusht 2023 pas tentativës së tij për rebelim.

Ekzistojnë gjithashtu dyshime për përfshirjen e Rusisë në dërgimin e një pakete ndezëse në një qendër sortimi DHL në Birmingham vitin e kaluar. Një seri sulmesh të ngjashme kanë ndodhur në të gjithë Evropën, duke përfshirë zjarre në depo dhe sabotim hekurudhor.

Njësitë e GRU-së ishin gjithashtu pas një fushate për të rekrutuar afganë të rinj dhe për të financuar sulmet e talebanëve kundër forcave të koalicionit perëndimor në Afganistan, përpara tërheqjes amerikane tre vjet më parë. Një grup tjetër orkestroi fushata në mediat sociale për të diskredituar përdorimin e vaksinave në Afrikë me lajme të rreme./E.T

Avioni “Eurofighter” goditet nga zogjtë, momenti i rrallë kapet nga kamerat

By: el da
19 July 2025 at 15:11

Çdo vit, dhjetëra mijëra zogj përplasen me avionë anembanë botës, por jo shumë prej këtyre rasteve kapen nga kamera.

Megjithatë, një fotograf spanjoll ka kapur disa imazhe të jashtëzakonshme të një rasti të tillë, që përfshinte jo çfarëdo avioni, por një Eurofighter EF2000 i Forcave Ajrore Spanjolle që po kryente një demonstrim me performancë të lartë në një spektakël ajror.

Përplasjet me zogj janë të rrezikshme për çdo avion, por veçanërisht për avionët luftarakë./e.t

Postieri i shpëton goditjes nga rrufeja “për një fije floku”, publikohen pamjet

By: el da
19 July 2025 at 15:00

Një postier në SHBA ishte me fat pasi rrufeja goditi vetëm disa milimetra larg tij gjatë një prej shpërndarjeve rutinë.

Incidenti tronditës u kap nga kamerja e ziles së derës dhe që atëherë është bërë viral.

Në klip, postieri mund të shihet duke ecur drejt derës së përparme të një shtëpie në Wayne, New Jersey duke mbajtur një qese kafe me ushqim.

Burri, i identifikuar si Jovanni Behun, i bie ziles dhe pret që dikush të përgjigjet.

Megjithatë, vetëm pak sekonda më vonë, një rrufe goditi pranë tij.

 

Behun bërtiti dhe u përkul, ndërsa një bubullimë e fortë pasoi rrufenë.

Disa çaste më vonë, dikush vjen te dera ndërsa burri është ende dukshëm i tronditur nga takimi gati vdekjeprurës.

“Mendova se do të më godiste mua”, i tha burri personit ndërsa ia dorëzonte ushqimin.

Videoja më pas e tregoi atë duke vrapuar përsëri në veturën e tij pas dorëzimit, i padëmtuar. /E.T

Rilindja Urbane 2 në Pogradec: kthim në normalitet apo pranim i anormalitetit?

By: el da
19 July 2025 at 14:59

Nga Shpëtim Luku

Rilindja Urbane 2 në Pogradec u konkretizua së fundmi me një aksion të IKMT-së për çlirimin e trotuarit përgjatë shëtitores “Dëshmorët e Pojskës”, një zonë që prej vitesh ishte privatizuar në mënyrë të paligjshme nga interesa individuale. Tani po flitet për “kthim në normalitet”, por ky është një kthim që ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje. Sepse për të rikthyer normalitetin, do të thotë që për një kohë të gjatë qytetarët janë detyruar të pranojnë e të jetojnë brenda një anormaliteti.

Pyetjet lindin natyrshëm:
Si shpjegohet që biznesmeni shqiptar ndërmerr investime të konsiderueshme në prona që nuk i zotëron, pa asnjë garanci, pa asnjë dokument të ligjshëm?
Pse një pjesë e sipërmarrjes bie me aq lehtësi në konflikt me interesin publik, duke e sfiduar qytetarin edhe në gjëra bazike e utilitare, si e drejta për të ecur lirshëm në një trotuar?

Po publiku?
Pse qytetari është kaq i nënshtruar, kaq fatalist, i bindur se nuk ka çfarë të bëjë tjetër veçse të pranojë faktin e kryer, produkt i njerëzve me oreks të shfrenuar dhe i zyrtarëve të korruptuar që mbyllin sytë, në këmbim të përfitimeve personale?
Të gjitha këto janë pyetje që shkojnë përtej një rasti të izoluar në Pogradec. Ato janë simptomë e një sëmundjeje më të thellë shoqërore dhe institucionale: të jetuarit në anormalitet derisa anormalja të bëhet e zakonshme. Kur një shkelje përsëritet mjaftueshëm gjatë, ajo nuk ngjall më indinjatë, përkundrazi, tolerohet, racionalizohet, madje edhe justifikohet.

Prandaj, edhe pse është për t’u përshëndetur fakti që më në fund shteti ndërhyn për të mbrojtur hapësirat publike, nuk duhet të gëzohemi me pak. Çlirimi i një trotuari nuk duhet të na emocionojë sikur po na falet një privilegj, është e drejta jonë. Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është se sa gjatë kemi jetuar pa këtë të drejtë.
Dhe mbi të gjitha, nëse Pogradecit iu shkulën disa çibanë të vegjël pa leje, shpresa e vetme është që të mos lejohen më çibanët e mëdhenj, ata që, edhe pse me leje në dorë, kanë mbirë mbi themelet e pandershmërisë, mbi korrupsionin, mbi pazaret nën dorë dhe mbi heshtjen e institucioneve.Rilindja urbane nuk duhet të jetë thjesht një operacion kozmetik. Ajo duhet të jetë një filozofi e re mbi hapësirën publike, mbi interesin kolektiv, mbi sjelljen qytetare. Në të kundërt, do të mbetet thjesht një fasadë që fsheh brenda saj të njëjtin realitet të kalbur.

Princ Leka drejt martesës së dytë, çifti planifikojnë ceremoni private!

By: el da
19 July 2025 at 14:50

Vera ka nisur edhe për Princ Lekën dhe familjen e tij. Në rrjetet e tij sociale, ka qenë vetë trashëgimtari i fronit që na ka sjellë një pjesë të pushimeve që është duke bërë në jug të vendit, me vajzën e tij, por edhe partneren, Blerta Celibashi.

Vetë Leka ka një natyrë shumë diskrete dhe preferon që në rrjetet sociale të zbulojë pak nga jeta e tij e përditshme, por duket se këtë verë e ka thyer rregullin. Në Instagramin e tij, nuk mungojnë foto të Geraldinës, teksa është duke shijuar ditët buzë detit. Nga ana tjetër, në postime janë edhe shkrepjet e Blertës dhe vajzës së tij, duke na zbuluar kështu raportin e mirë që vajza e tij ka me bashkëjetuesen.

princ leka (2)

Familja ka zgjedhur Ksamilin për të pushuar këtë verë, një zgjedhje kjo thuajse e përhershme e Princit, ndonëse vitet e shkuara ka preferuar që mos të shpërndajë shumë shkrepje, si për të shijuar këtë destinacion privat, pa shumë publik, qoftë edhe virtual.

princ leka (4)

Pas një periudhe të ngarkuar në jetën private, pas përfundimit të gjyqit me ish-bashkëshorten, Elia Zaharia, tashmë çifti jo vetëm që del hapur, por me ta është edhe Geraldina, që mesa duket ka një lidhje të mirë edhe me partneren e babait të saj.

princ leka (1)

Kjo nuk është hera e parë që Blerta dhe Princi shihen me Geraldinën e vogël, pasi edhe herë të tjera, vajza që Leka ka me Elian, është parë në shoqërinë e tyre, duke na zbuluar kështu se tashmë lidhja e dyshes është pranuar edhe nga vogëlushja. Burime pranë çiftit, bëjnë me dije se tashmë ka përfunduar edhe gjyqi i fundit mes dy ishbashkëshortëve, çifti është duke menduar për dasmën e tyre.

princ leka (4)

Ndryshe nga martesa e parë, me Elian, që në Tiranë mbërritën familje të shumta mbretërore, këtë herë me Blertën, ceremonia do të jetë më private, duke dashur që të kurorëzojnë dashurinë e tyre vetëm pranë rrethit të ngushtë. Miqtë e dyshes bëjnë me dije se si Leka ashtu edhe Blerta janë shumë diskret për të folur për dasmën e tyre, ndonëse rrethi i ngushtë është njohur tashmë me detajet e para.

princ leka (3)

Prej disa muajsh, dyshja është duke bashkëjetuar dhe pranë kësaj marrëdhënie është  edhe Geraldina, në kohën që ajo shpenzon me babain e saj. Tashmë hapi i radhës pritet që të jetë edhe celebrimi i çiftit, duke përmbyllur kështu me kurorëzim, një histori dashurie gati 2 vjeçare. Historia që disa muaj më parë jetohej në fshehtësi të plotë, tashmë është bërë më se publike dhe Leka shoqërohet kudo nga Blerta, madje edhe në eventet publike ku është i ftuar./e.t

Sa tatim paguajnë shqiptarët mbi pagat dhe shtëpitë?

By: el da
19 July 2025 at 14:40

Tatimi që arka e shtetit ka mbledhur nga të ardhurat e krijuara nga qytetarët shqiptarë përmes pagave dhe nga shitja e shtëpive, është zëri më rritjen më të madhe ndër të ardhurat e tjera që mbledh shteti.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave,  të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar – Qershor 2025, janë në shumën 40.8 miliardë lekë apo rreth 408 milionë euro.

Nga ky burim, janë mbledhur 86 milionë euro ose 26.6% më shumë se 6 mujori i parë 2024, si dhe 54 milionë euro apo 15.4% më shumë se plani i periudhës Janar – Qershor 2025.

Por cilët kanë qenë faktorët që kanë ndikuar në rritjen kaq të lartë të të hyrave nga ky zë?

Përgjatë dy viteve të fundit është ndërmarrë reforma e rritjes së pagave në administratën publike ku paga mesatare kaloi nivelin e 900 eurove, duke bërë që edhe tatimi paguar mbi pagën që marrin të jetë më i lartë.

Kjo reformë ka vënë në lëvizje edhe sektorin privat duke nxitur në mënyrë indirekte lëvizje në paga, çka ka sjellë dhe konsum të shtuar.

Nga ana tjetër ndikim ka pasur fushata antiinformalitet e ndërmarrë nga qeveria lidhur me nëndeklarimin e pagave, duke bërë që vetëm gjatë muajit tetor 2024, mbi 9 mijë biznese të reagonin duke deklaruar me rritje pagat e punonjësve të tyre.  Ndërsa fushata vijoi edhe më pas me një raund të dytë tek ato biznese që nuk kishin reaguar.

Nga ana tjetër përgjatë vitit të kaluar dhe në vijim ka pasur rritje të numrit të kontribuuesve në skemën e sigurimeve, kryesisht në subjektet private, të cilët mund të kenë ardhur edhe nga fushata antiinfomalitet, çka ka rritur dhe vlerën e paguar si tatim mbi pagat.

Ndërkohë që dyfishimi i numrit të punonjësve që plotësuan gjatë këtij viti Deklaratën Individuale të të Ardhurave, për shkak të uljes së pragut të deklarimit në nivelin e të ardhurave në 1.2 milionë lekë në vit, ka bërë që të paguhen më shumë detyrime.

Në zërin e tatimit mbi të ardhurat personale kontributin më të lartë e jep tatimi mbi pagat e punonjësve në sektorin privat dhe publik, e ndjekur nga tatimi i paguar nga shitja e pasurive të paluajtshme i cili është në nivelin 15 për qind si dhe tatimi mbi qiratë. Kjo tregon që veç pagave, ecuri pozitive ka pasur edhe sektori i pasurive të paluajtshme dhe finalizimi i transaksioneve, si dhe rritja e çmimit të qirave kryesisht në kryeqytet ka bërë që për ato qira të deklaruara, pagesa në tatime të jetë më e lartë.

Po ashtu një hapësire të konsiderueshme zë tatimi mbi të ardhurat nga dividendët dhe si dhe tatimi mbi të ardhurat nga interesat.

Tatimi mbi të ardhurat personale është zëri më i dytë  me më ndikim në buxhetin vjetor të shtetit, pas TVSH-së  dhe përbën afro 26.7% të totalit të të  ardhurave tatimore. /e.t

Mbi 30 mln paund/ Sa do të paguajë CEO i Astronomer në rast divorci për tradhtinë virale

By: el da
19 July 2025 at 13:50

Përqafimi viral që zbuloi tradhtinë e CEO-s së Astronomer mund t’i kushtojë Andy Byron mbi 30 milionë paund në rast se bashkëshortja, e cila hoqi mbiemrin e tij nga rrjetet sociale, do t’i kërkojë divorcin.

Drejtori i kompanisë teknologjike u kap mat me shefen e burimeve njerëzore Kristin Cabot, 56 vjeçe, në një koncert të Coldplay, teksa momenti kur dyshja përqafoheshin u kap në ekranin e madh të Kiss Cam.

Dyshja janë të martuar, por me njerëz të tjerë. Në rast se e shoqja kërkon divorcin, ky “moment dobësie” mund të rezultojë të jetë një nga gabimet më të kushtueshme të jetës së tij. 50-vjeçari vlerësohet se ka një pasuri prej 60 milionë paund.

Përveç aseteve martesore, ai është drejtuesi i një firme Inteligjence Artificiale me vlerë një miliard paund, Astronomer.

Gruaja e Andy, Megan Kerrigan, hoqi fillimisht mbiemrin e saj martesor “Byron” nga faqja e saj në Facebook në internet dhe pastaj e fshiu plotësisht llogarinë pasi njerëzit postuan mesazhe mbështetjeje në faqen e saj. Gjithashtu edhe llogaria e saj nëInstagram është fshirë./E.T

Pas divorcit me Xhensila Myrtezajn, Bes Kallaku nis lidhjen e re!

By: el da
19 July 2025 at 13:40

Teksa javët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë për ish-bashkëshorten e tij, Xhensila Myrtezaj dhe lidhjen e saj me Ledri Vulën, edhe Besi nuk humb kohë. Tashmë që divorci ka përfunduar dhe ai i është rikthyer jetës në krye të angazhimeve si sipërmarrës dhe artist, ka gjetur kohë edhe për dashuri.

Në rrjetet sociale, ditët e fundit ka qarkulluar lajmi se edhe aktori i dashur për publikun ka nisur një lidhje të re. Miqtë dhe bashkëpunëtorët që i rrinë pranë, janë shumë diskret teksa flasin për detaje nga jeta e tij private. Megjithatë, një gjë është e sigurt, që vajza e re krah Besit nuk është e famshme.

Mesa duket, pas ndarjes nga Xhensila dhe ekspozimit të madh që i është bërë këtij divorci, Besi ka hequr dorë nga vajzat e famshme, për të shijuar një romancë diskrete sa më larg syve të publikut. Nëse i hedhim një sy rrjeteve sociale, asgjë nuk ka ndryshuar për aktorin, pasi në postimet e tij, nuk ka asnjë gjurmë nga partnerja e re, duke zgjedhur që të postojë për projektet që sjellë, apo edhe nga jeta si baba.

Ndaj nuk e dimë nëse kjo lidhje është diçka e rëndësishme për të, apo një njohje në fillimet e saj. Ajo që dimë me siguri është fakti se Besi preferon që këtë herë, jetën private ta mbajë larg vëmendjes së publikut. Ndarja e vështirë e Besit dhe Xhensilës, u konfirmua edhe njëherë, javën e shkuar, kur vajza e tyre festoi ditëlindjen. Ajkës i janë organizuar dy festa, njërën të cilën e ka festuar krah të atit dhe të afërmve të tjerë, dhe një festë ditën e nesërme, teksa shihet pranë këngëtares, e cila e ka suprizuar me një festë me animator brenda në shtëpinë e tyre.

Ndonëse Bes Kallaku dhe miqtë e tij kanë publikuar momente nga festa e madhe që i është organizuar vogëlushes, Xhensila ka postuar një urim të veçantë për Ajken teksa falënderon zotin që e ka sjellë në jetën e saj. Megjithëse jo me të dy prindërit bashkë, duket qartë që Ajka i ka shijuar në maksimum të dyja festat ku shihet pranë miqve të vegjël, personazheve të ndryshme televizivë si edhe pranë familjarëve më të dashur të saj.

Divorci i çiftit Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj ka qenë një ndër lajmet që kanë bërë bujë të madhe në mediat rozë. Në vendimin e datës 23 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës ka vendosur që aktori i njohur t’i japë këngëtares nga 50 mijë lekë për secilin fëmijë, pra 50.000 lekë për Ajkën dhe 50.000 për Amen.

“I padituri Besart Kallaku detyrohet të paguajë detyrimin për ushqim për fëmijët e tij të mitur në masën 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë në muaj për secilin prej tyre, detyrim ky që fillon nga data e ngritjes së padisë datë 16.05.2024”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Ndërsa këngëtarja do të kujdeset për rritjen dhe edukimin e dy fëmijëve të tyre Sipas vendimit Bes Kallaku ka të drejtë t’i marrë dhe t’i takojë fëmijët disa herë në muaj gjatë fundjavës si dhe 15 ditë për pushime në muajin gusht dhe dhjetor.

“I padituri Besart Kallaku, ka të drejtë të marrë dhe të takojë fëmijën e tij të mitur, Ajka Kallaku, fundjavat e para dhe të treta të çdo muaji, nga dita e premte pas përfundimit të procesit mësimor, duke e marrë atë nga shkolla, deri ditën e dielë ora 18:00 dhe java e dytë dhe të katërt të çdo muaji ditën e mërkurë dhe të premte, pas përfundimit të procesit mësimor duke e marrë atë nga shkolla deri në orën 17:00.”/E.T

Pas shembjeve masive, pastrohet Thethi dhe mbillet me bar (FOTOT)

By: el da
19 July 2025 at 13:30

Pasi IKMT shembi të gjitha ndërtimet pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, qofshin këto objekte banimi apo shërbimi, tashmë ka nisur rehabilitimi i fshatit turistik.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci ka postuar në rrjetet sociale foto nga pastrimi i qendrës së fshatit, i cili u mbulua për pak kohë nga inertet e shembjeve.

Zona është mbjellë me bar për t’i kthyer sërish pamjen e saj natyrore./E.T

Tragjedia e Val di Stava: papërgjegjshmëria njerëzore që vrau një fshat të tërë

19 July 2025 at 13:20

Më 19 korrik 1985, në një mëngjes të zakonshëm veror në veri të Italisë, lugina alpine e Val di Stava, pranë qytetit Tesero në rajonin Trentino-Alto Adige, u përfshi nga një nga fatkeqësitë më të rënda industriale në historinë italiane.

Dy diga të vendosura njëra mbi tjetrën, të ndërtuara për të depozituar mbetjet e impiantit të përpunimit të fluorit nga minierat aty pranë, u shembën brenda pak minutash.

Një valë balte, uji dhe mbetjesh minerare, me një vëllim prej 180 mijë metra kub, shpërtheu me forcë të jashtëzakonshme, duke përmbytur një sipërfaqe prej rreth 5 kilometrash. Brenda 10 minutash, lagje të tëra u shkatërruan, ndërtesa u përpinë nga rrjedha, dhe 267 njerëz humbën jetën në mënyrë të tmerrshme – shumë prej tyre në shtëpitë e tyre apo duke pushuar në hotelet e zonës.

Shkaqet dhe përgjegjësitë

Hetimet e mëvonshme zbuluan se tragjedia nuk ishte akt i natyrës, por pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës njerëzore. Diga ishte ndërtuar në mënyrë të pasigurt, në një terren të paqëndrueshëm, ndërsa rregullat teknike të mirëmbajtjes dhe operimit nuk ishin respektuar.

Ajo që duhej të ishte një strukturë e përkohshme për depozitimin e mbetjeve industriale, u mbajt në funksion përtej kapacitetit dhe pa kontrollet e nevojshme inxhinierike. Në thelb, ishte një krim i heshtur, i akumuluar me vite, që shpërtheu papritur me çmimin më të lartë: jetën njerëzore.

Pasojat

Ngjarja tronditi opinionin publik italian dhe ndërkombëtar. U zhvilluan gjyqe, por si shpesh ndodh, dënimet ishin të pakta dhe shumë më të lehta se ç’meritonin përgjegjësit. Për familjet e viktimave, drejtësia mbeti e mangët, por kujtimi i tyre ruhet edhe sot në memorialin e ngritur në Val di Stava, ku çdo vit, më 19 korrik, vendi ndalet për të kujtuar.

Tragjedia e Val di Stava mbetet një simbol i mprehtë i rrezikut që sjellin korrupsioni, papërgjegjshmëria dhe mungesa e etikës profesionale, sidomos kur bashkohen me forcat e natyrës. Një dëshmi e dhimbshme që zhvillimi industrial, nëse nuk mbështetet nga ndërgjegjja dhe kontrolli, mund të shndërrohet në mjet shkatërrimi.

Përgatiti: L.Veizi

❌
❌