Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2025Opinion.al

Ishte me pushime në Shëngjin/ I riu bie nga ballkoni, dërgohet te Spitali i Traumës

By: b b
20 July 2025 at 19:00

Një i ri është rrëzuar aksidentalisht pasditen e sotme nga ballkoni i një hoteli në Shëngjin.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:40, në ambientet e një hoteli pranë bregdetit, ku dyshohet se i riu ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme.

Sipas informacioneve paraprake të policisë, bëhet fjalë për shtetasin me inicialet R. I., 23 vjeç, banues në Burrel, i cili ndodhej në Shëngjin për pushime.

Menjëherë pas incidentit, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.

Gjendja shëndetësore e të riut ende nuk është bërë ende publike nga autoritetet spitalore.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, edhe pse dyshimet e para flasin për një aksident.

5% më shumë raste me kancer çdo vit në Kosovë

By: b b
20 July 2025 at 18:46

Në Kosovë, numri i rasteve të reja me kancer po rritet me një ritëm prej rreth 5% çdo vit, thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi.

Ai shpjegon se ky trend është rezultat i disa faktorëve, përfshirë ndotjen e ajrit, duhanpirjen apo dietat e paekuilibruara, por edhe i ndërgjegjësimit në rritje të qytetarëve për kryerjen e kontrolleve të rregullta.

Sipas regjistrit klinik të kancerit në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga janari deri në fillim të korrikut 2025 janë regjistruar rreth 1.070 raste të reja me kancer.

Të dhënat në nivel kombëtar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë dekadës së fundit, numri i rasteve të reja ka ndjekur një trend pothuajse të pandërprerë rritjeje.

Kurtishi thekson se një pjesë e konsiderueshme e rasteve vazhdojnë të diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes.

Ai përmend disa faktorë shtesë që ndikojnë në përhapjen dhe përparimin e saj:

“-Infeksionet me viruse, përdorimi i substancave kontraceptive, mungesa e aktivitetit fizik e të tjera”.

-Organet e sistemit tretës – si zorra e trashë apo stomaku – janë ndër më të cenueshmet nga tumoret malinje, siç njihen ndryshe format e kancerit.
-Tumoret në gji dhe në organet gjenitale janë, po ashtu, ndër më të përhapurat.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se gjatë vitit 2024 llojet më të përhapura të kancerit kanë qenë: kanceri i gjirit me 640 raste (17.6%), pasuar nga kanceret e tjera të lëkurës me 587 raste (13.8%), ai i mushkërive dhe bronkeve me 312 raste (8.6%) dhe kanceri i zorrës së trashë me 193 raste (5.3%).

Në total, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2024 u raportuan 3.644 raste të reja me sëmundje malinje.

Sipas statistikave, 51.8% e të prekurve janë gra dhe 48.2% burra, ndërsa grup-mosha më e atakuar është ajo mbi 60 vjeç.

Prevalenca – që tregon se sa persona jetojnë me kancer në një kohë të caktuar – ishte 288.3 raste për 100 mijë banorë në vitin 2024, ndërsa incidenca – që mat rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit – arriti në 227.4 raste për 100 mijë banorë, tregojnë të dhënat e IKSHPK-së.

Sipas këtij instituti, rritja e rasteve me kancer lidhet me faktorë të ngjashëm si në vendet e tjera: ndryshimet demografike, ndotja mjedisore, mënyra e jetesës, përmirësimi i diagnostikimit dhe raportimit, si dhe mungesa e programeve të posaçme për parandalim dhe zbulim të hershëm.

Në pesë vjetët e fundit, trajtimi i pacientëve me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është shtuar dukshëm.

Megjithatë, kapacitetet e Klinikës së Onkologjisë nuk duket se kanë mundur ta përballojnë në mënyrë adekuate këtë rritje.

Kushtet në këtë klinikë vazhdojnë të jenë të kufizuara – qoftë në hapësirë, personel apo pajisje.

Aty janë gjithsej 110 shtretër për pacientët që marrin kimioterapi.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se ky trajtim ofrohet shpesh edhe në salla të improvizuara.

Gjithashtu, pacientët përballen shpesh me pritje të gjata, në mungesë të kapaciteteve – qoftë në mjekë, apo barna.

Stafi mjekësor thekson vazhdimisht nevojën për investime më të mëdha, të cilat edhe bëhen, por shpesh nuk mjaftojnë për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e trajtimit apo për të zbutur fluksin në rritje të pacientëve.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuar vitin e kaluar, rreth 1 në 5 persona zhvillon kancer gjatë jetës dhe afërsisht 1 në 9 burra dhe 1 në 12 gra vdesin nga kjo sëmundje.

Kurtishi thekson rëndësinë e kontrolleve sa më të rregullta, duke vlerësuar se diagnostikimi i hershëm i çdo sëmundjeje rrit ndjeshëm shanset për trajtim të suksesshëm./rel

Merr flakë trageti në Indonezi, raportohen 5 viktima

By: b b
20 July 2025 at 18:20

Një traget me pasagjerë, KM Barcelona 5, që po udhëtonte nga Talaudi drejt Manados në provincën e Sulavesit të Veriut në Indonezi, mori flakë këtë diel në det pranë Talise.

Të paktën deri më janë regjistruar pesë viktima, mes tyre edhe një grua shtatzënë. Mbi 280 persona janë shpëtuar deri tani dhe operacionet e evakuimit vazhdojnë.

Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar tre anije të marinës, si dhe peshkatarë lokalë që ndihmuan disa prej të mbijetuarve të lundrojnë drejt ishujve të afërt me jelekë shpëtimi.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se të plagosurit ndodhet nën kujdesin mjekësor, teksa ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit.

Indonezia, me mbi 17,000 ishuj, përdor shpesh tragetet si mjet transporti, por fatkeqësitë janë të shpeshta për shkak të mungesës së masave të sigurta.

Në një incident të ngjashëm, një traget u fundos pranë ishullit Bali këtë muaj, ku humbën jetën të paktën 19 persona, ndërsa 16 të tjerë mbeten të zhdukur. Operacionet kërkim-shpëtim përfshinë mijëra shpëtimtarë, anije, helikopterë dhe zhytës.

Lezha shton hapësirat publike në plazh, pushuesit vlerësojnë shërbimin dhe çmimet

By: b b
20 July 2025 at 17:53

Këtë sezon turistik edhe në bregdetin e Lezhës janë shtuar hapësirat publike. Pushuesit në këtë ditë korriku thonë se janë të kënaqur.

Jo vetëm me kushtet, por edhe me çmimet e shezlongëve që sipas tyre janë të arsyeshme.

Nga autoritetet lokale thonë se janë marrë të gjitha masat, përfshirë edhe vrojtuesit e plazheve, në mënyrë që pushimet për vizitorët të jenë të sigurta.

Plazhe të menaxhuara nga bashkia ka në zonën e Shëngjinit, Ranës së Hedhun dhe Tales.

Bregdeti i Lezhës mbetet edhe këtë verë padyshim ndër më të vizituarit në vendin tonë. Zgjidhet nga vizitorë të shumtë dhe turistë të huaj të ardhur nga shtete të ndryshme.

Tv Klan

Emigracioni i paligjshëm në Poloni, mijëra qytetarë dalin në protestë

By: b b
20 July 2025 at 17:38

Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në Varshavë dhe 80 qytete të tjera polake për të protestuar kundër pritjes së migrantëve. Manifestimi u organizua nga partia populiste e krahut të djathtë dhe, pjesërisht, partia parlamentare e ekstremit të djathtë Konfederacja, e cila është e njohur prej vitesh për retorikën e saj kundër migrantëve, anti-evropiane dhe homofobike.

Protestuesit brohoritën slogane të tilla si “Jo migrimit!” dhe “Jo pushtimit nga emigrantët!” Pankartat mbanin mesazhe të tilla si “Ja Polonia” dhe “Polonia për polakët”. Në disa qytete, pjesëmarrësit shfaqën gjithashtu simbole antimyslimane, u panë edhe disa simbole antisemite.

Edhe kundër-demonstrata u zhvilluan në qytete më të mëdha, disa nën sloganin “Ndal fashizmin!” Policia i tha agjencisë së lajmeve PAP se shumica e demonstratave ishin paqësore. Megjithatë, në Varshavë, ndodhi një incident kur huliganët e ekstremit të djathtë të klubit të futbollit Legia Varshavë sulmuan një grup kundër-demonstruesish. Sipas portalit online të transmetuesit publik TVP Info, policia ndërhyri.

Megjithatë, pamjet televizive treguan gjithashtu një grua të moshuar të njohur si aktiviste antifashiste që po e arrestonin. Thuhet se ajo ishte afruar shumë pranë demonstratës.

Konfederacja në ngritje

Partia Konfederacja përfaqësohet si në parlamentin polak, Sejm dhe në Parlamentin Evropian. Kandidatja e saj doli në vendin e tretë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2025. Me retorikë të ashpër kundër të huajve, pakicave dhe Bashkimit Evropian, ajo po fiton mbështetje gjithnjë e më të madhe.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga portali i lajmeve Onet.pl, më shumë se 30% e të anketuarve mbështesin që Konfederacja të jetë pjesë e qeverisë në të ardhmen./dw

“Më ke lënë dobiçin në derë…”,Shpëtimi ‘shpërthen’ ndaj të vëllait:Kam 30 vjet që…

By: b b
20 July 2025 at 17:26

Agroni dhe Shpëtimi janë dy vëllezër të cilët kanë vendosur që të ballafaqohen në rubrikën “Shihemi në Gjyq” të emisionit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Shpëtimi vëllai i madh ka sjellë këtë të diele në një seancë ndërmjetësimi vëllain e tij, Agronin i cili prej vitesh jeton në Greqi.

Me tone të ashpra dhe shumë i revoltuar Shpëtimi i drejtohet Agronit, se “më ke lënë dobiçin në derë”, prej 30 vitesh. Bëhet fjalë pikërisht për Valentinën, ish-bashkëshorten e Agronit.

Në periudhën kur Agroni duhet të kryente shërbimin ushtarak, ai u martua me celebrim me Valentinën për të bërë ushtrinë brenda rrethit të Fierit, por pas disa muajsh Valentina ikën nga shtëpia dhe martohet me dikë tjetër.

Problemi qëndron tek fakti se megjithëse kanë kaluar dekada, Valentina vazhdon të qëndrojë “nën hijen” e familjes së Agronit dhe Shpëtimit. Sipas asaj që sqaron Shpëtimi, Valentina vazhdon të jetë pjesë e trungut familjar, dhe në çdo dokument rezulton emri i saj.

Shpëtimi: Jam shumë i acaruar. Agroni më ka lënë një dobiç në derë që kam 30 vjet që mbaj nusen e tija 30 vjet në shtëpi.

Agroni: Të lutëm shumë, çfarë dobiçi të kam lënë unë në shtëpi?!

Shpëtimi: Dobiçin e ke lënë ti dhe ti ike në Greqi dhe nusen ma ke lënë në shtëpi.

Agroni: Për këto probleme që më ke sjellë nga Greqia ti nuk je vëlla për mua.

Shpëtimi: Unë të thirra për nusen që ke në shtëpi.

Agroni: Unë nuk kam nuse.

Shpëtimi: Po bëj 30 vjet që po mbaj nusen tënde në shtëpi.

Agroni: Unë nuk kam nuse. Unë sot e 30 nuk e njoh Valentinën.

Shpëtimi: S’e njeh ti, po e ke në letra.

Eni Çobani: Tani si është historia e Valentinës?

Shpëtimi: U pëlqye Valentina me Agronin në vitin 1992. Dhe në vitin 1992 bënë celebrimin.

Agroni: Me rastin se ishte periudha që unë të bëja ushtrinë, brenda rrethit.

Eni Çobani: U martove në mënyrë fiktive, apo e doje Valenitinën?

Agroni: Po e doja unë prandaj e bëra celebrimin sepse e doja.

Shpëtimi: E donte, por pas disa muajsh Valentina mori një tjetër. Mori një tjetër dhe Agroni mbeti. Dhe shkoj i them, se Agroni ishte ushtar, se për këtë u bë celebrimi, dhe shkova e i thashë ‘Valentina të ka lënë, prandaj ne me atë nuk kemi më gjë”.

Eni Çobani: Pra në atë vit i ishte thënë Agronit që nëse nuk je i martuar, të kesh një familje ne do të të çojmë në një qytet tjetër të largët. Atëherë Agroni vrapon dhe martohet me Valentinën. Dhe ky është i habitur tani sepse kishte harruar edhe emirin e Valentinës, por nuk e ka harruar ky Shpëtimi akoma.

Shpëtimi: Valentina ndodhet në shtëpi, në trungun familjar të familjes. Unë në çdo dokument që bëj Valentina ndodhet në dokumente./tvklan.al

 

Izrael/ Helmohet kryeministri Benjamin Netanyahu

By: b b
20 July 2025 at 17:04

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka pësuar helmim nga ushqimi. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e tij.

Sipas saj, Netanyahu u ndje keq gjatë natës për shkak të një inflamacioni në zorrë dhe dehidratimi, për të cilat po merr trajtim intravenoz, thuhet në deklaratën zyrtare.

“Sipas këshillave të mjekëve të tij, kryeministri do të pushojë në shtëpi për tre ditë dhe do të vijojë të menaxhojë punët e shtetit prej andej”, shtoi zyra e tij.

Netanyahu ka pasur disa probleme shëndetësore në të kaluarën. Në vitin 2023, atij iu vendos një stimulues kardiak (pacemaker), ndërsa në dhjetor të po atij viti iu nënshtrua një ndërhyrjeje për heqjen e prostatës, pasi u diagnostikua me një infeksion të traktit urinar.

Analiza/ A po e forcon Donald Trump Evropën?

By: b b
20 July 2025 at 16:40

Politika e ashpër tregtare e Presidentit amerikan po i tremb investorët dhe po krijon mundësi të reja për Evropën dhe Gjermaninë. Por a po shfrytëzohen ato?

Koha ikën shpejt: 1 gushti është afati i fundit i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Pastaj vendosen tarifa prej 30 përqind në mosmarrëveshjen tregtare me Bashkimin Evropian nëse nuk ka zgjidhje në konfliktin për tarifat me evropianët. Trumpi fillimisht e kishte kërcënuar BE-në me tarifa ndëshkuese prej 50 përqind duke filluar nga 9 korriku. Por dy ditë para kësaj date, Shtëpia e Bardhë e zgjati afatin deri në fillim të gushtit. Negociatat me Bashkimin Evropian janë në vazhdim.

Mbetet të pritet, nëse do të ketë një përshkallëzim me tarifa të larta nga ana e SHBA. E paqartë është po ashtu, se me çfarë masash do të reagonte BE-ja. Por, pavarësisht presionit të madh të ushtruar nga administrata amerikane nën Trumpin në muajt e fundit, investorët ndërkombëtarë tani po e shohin ekonominë amerikane me më shumë skepticizëm dhe, në të njëjtën kohë, po tregojnë interes në rritje për Evropën – dhe veçanërisht për ekonominë më të madhe të BE-së, Gjermaninë.

Ndërsa indeksi i aksioneve amerikane S&P 500 ka fituar vetëm rreth shtatë përqind që nga fillimi i vitit, barometri i tregut gjerman të aksioneve DAX është rritur me pothuajse 20 përqind, duke vendosur rekorde të reja në këtë proces. Që kur Trumpi mori detyrën, dollari amerikan ka humbur më shumë se dhjetë përqind të vlerës së tij kundrejt euros.

FMN dhe Banka Federale me kritika
Shtetet e Bashkuara po përballen me kritika: Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka kritikuar mundësinë e daljes jashtë kontrollit të borxhit amerikan. Presidenti i Bankës Federale Gjermane, Joachim Nagel, paralajmëroi në samitin financiar të G7 në Kanada për trazira të reja në tregjet financiare, nëse mosmarrëveshja tregtare me Shtetet e Bashkuara nuk zgjidhet. “Ndonjëherë, në ditë të caktuara, kisha ndjesinë se nuk ishim larg një krize drastike në tregjet financiare”, tha kreu i Bankës Qendrore gjermane. Më parë ishte Zëvendësdrejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Gita Gopinath, e cila kishte paralajmëruar në një intervistë me Financial Times se deficitet buxhetore të SHBA-së ishin shumë të mëdha dhe se vendi duhej të përballonte barrën e borxhit “gjithnjë në rritje”.

Sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Shtetet e Bashkuara kanë një mal masiv borxhesh prej më shumë se 36 trilionë dollarësh. Vitin e kaluar, kjo shumë arriti në më shumë se 120 përqind të produktit të brendshëm bruto (PBB) – pothuajse dyfishi i kuotës së borxheve në Gjermani. Borxhe të reja shtohen çdo vit.

SHBA shihet me sy gjithnjë e më kritik
Ekonomisti Hans-Werner Sinn beson se hapsësirat për modelin aktual të borxheve amerikan po zvogëlohet. “Amerikanët duhet të shtrëngojnë rripat. Ky standard jetese, kjo botë e përbërë nga qendra tregtare dhe pak fabrika, nuk mund të rezistojë më në planin afatgjatë”, tha ish-Presidenti i Institutit Ifo me seli në Mynih në një intervistë me DW.

Kryeekonomisti i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), Ralph Ossa shprehet, se mund ta kuptojë që SHBA-të po kërkojnë mënyra për të ulur deficitin tregtar me BE-në. Por edhe ai mendon si shumica e kolegëve të tij. “Nga një perspektivë ekonomike, të gjithë ekonomistët në thelb bien dakord se tarifat nuk janë mjeti i duhur për të adresuar deficitet tregtare”, tha Ossa për DW.

Qasjen e SHBA-së Ossa e krahason me një individ privat që blen më shumë sesa fiton përmes punës së tij dhe për këtë arsye hyn në borxhe.

“Dhe nëse unë, si Ralph, kam një problem me borxhet – për shembull, sepse blej shumë makina – atëherë padyshim që është një mundësi të taksosh makinat në mënyrë që të mos blej aq shumë. Por padyshim që nuk është mënyra më e drejtpërdrejtë për të adresuar problemin”, thotë Ossa, duke përshkruar qasjen e SHBA-së.

Ndryshon atmosfera kundrejt Europës e Gjermanisë
Politika agresive tregtare dhe tarifore e Trumpit po i tremb investitorët dhe po i bën t’i hedhin sytë nga Evropa. Stefan Wintels, drejtues i bankës shtetërore gjermane të zhvillimit KfW, në një intervistë të kohëve të fundit me gazetën “Handelsblatt” tha se “e vërej në aktivitete promovuese në rrugë në Nju Jork, Londër dhe Cyrih se interesi i investitorëve ndërkombëtarë për Gjermaninë po rritet. Shumë investitorë institucionalë kanë mbiinvestime në SHBA dhe do të donin të investonin më shumë në Evropë e brenda Evropës, veçanërisht në Gjermani”.

Vetëm brenda pak muajsh, atmosfera ndaj Evropës dhe Gjermanisë është përmbysur plotësisht mes investitorëve ndërkombëtarë. “Në më shumë se 30 vjet përvojë profesionale, nuk kam parë kurrë një ndryshim kaq të shpejtë të mentalitetit. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të shfrytëzuar këtë moment pozitiv për Gjermaninë dhe Evropën”, tha drejtori ekzekutiv i KfW.

Evropa po tërheq gjithashtu edhe gjigantë ndërkombëtarë investimesh si Blackstone, menaxhuesi më i madh i aseteve financiare alternative në botë. Drejtori ekzekutiv i Blackstone, Steve Schwarzman, njoftoi planet për të investuar deri në 500 miliardë dollarë (437 miliardë euro) në Evropë gjatë dhjetë viteve të ardhshme. Në një kohë trazirash gjeopolitike, Evropa po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investitorët – jo vetëm për shkak të paketave të investimeve shumëmiliardë euro për infrastrukturën dhe mbrojtjen në Gjermani.

“Ne e shohim këtë si një mundësi të shkëlqyer për ne,” tha kreu i Blackstone-t, Schwarzman, për Bloomberg TV në fillim të qershorit. “Ata po fillojnë të ndryshojnë qasjen e tyre, gjë që ne besojmë se do të çojë në norma më të larta rritjeje.”

Gjermania magnet investimesh
Evropa po përfiton që tani nga perspektiva e re drejt kontinentit të vjetër. Në konferencën e investorëve “SuperReturn International” në fillim të qershorit, mijëra investitorë të mëdhenj u mblodhën në Berlin, duke përfshirë fonde pensionesh, kompani sigurimi dhe fonde shtetërore nga e gjithë bota – me asete nën menaxhim që arrinin në total afërsisht 46 trilionë euro.

Sipas Bloomberg-ut, menaxherët nga investitorë të mëdhenj si BC Partners, Permira dhe Brookfield Asset Management folën në favor të Evropës si një vend investimi për shkak të rritjes së rreziqeve ekonomike globale. Dhe gjigandi financiar me seli në Nju Jork, Apollo Global Management, i cili tashmë ka investuar afërsisht 100 miliardë dollarë nga asete të tij prej afërsisht 800 miliardë dollarësh në Evropë, planifikon të përfshihet edhe më shumë, veçanërisht në Gjermani, gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

“Ne shohim mundësi që vetëm në Gjermani të mund të investojmë 100 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme”, tha Presidenti i Apollo-s, Jim Zelter, për Financial Times, duke shtuar se kjo është “një shifër që do të jetë e vështirë për t’u tejkaluar kudo në botë”./dw

Zjarri në Dukat të Vlorës, ministri Vengu zbret në terren: Orë të vështira…

By: b b
20 July 2025 at 16:32

Prej ditësh vijon të jetë aktiv zjarri në Dukat të Vlorës, ku mbi 80 efektivë janë angazhuar nga toka dhe ajri, për të mbajtur nën kontroll flakët që kanë pushtuar zonën.

Sot në terren ka zbritur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili i shoqëruar nga drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, kanë shkuar në Dukat për të parë nga afër situatën me zjarrin problematik që kërcënon Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Përmes një postim në rrjetet sociale, Vengu shkruan se për shkak të terrenit të vështirë malor, është aktivizuar ndihma nga ajri përmes helikopterëve Cougar të ushtrisë, për të parandaluar përhapjen e zjarrit.

Sipas Vengut, orët në vijim do të jenë të vështira për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Të paktën 50 efektivë janë në terren duke punuar për shuarjen e zjarrit.

“Gjendemi këtu në lartësitë e Dukatit, ku prej disa ditësh në fakt kemi një situatë dhe një brez zjarri i cili ka rrezikuar në fakt një përhapje domethënëse. Që prej orëve të para të mëngjesit, kemi një ndërhyrje nga ajri dhe mbështetje nga toka me efektivë të Forcave të Armatosura, të Bashkisë Vlorë, të Pyjores së Vlorës, praktikisht 50 persona që janë në operacion e sipër sot në këtë zonë, në mënyrë që të krijohet një perimetër dhe të mund të parandalohet kalimi i këtij fronti zjarri në anën tjetër të Parkut të Llogarasë. Do jenë orë të vështira për efekt jo vetëm të termometrit, por edhe të erërave të forta që ka zona, ndaj duhet të ruajmë vigjilencën maksimale. Operacioni i mbështetjes nga ajri me helikopterët Cougar do të vijojë gjatë gjithë ditës në mënyrë që të kemi të gjithë instrumentet në dispozicion”, tha ministri i Mbrojtjes.

Të paktën 73 palestinezë të vrarë teksa po tentonin të merrnin ndihma

By: b b
20 July 2025 at 16:19

Të paktën 73 palestinezë janë vrarë teksa po tentonin të arrinin në qendrat për shpërndarjen e ndihmave në mbarë Gazën më 20 korrik, tha Ministria e Shëndetësisë në territorin palestinez.

Numri më i madh i viktimave është regjistruar në veri të Gazës, ku të paktën 67 palestinezë u vranë teksa po tentonin të arrin në një qendër të ndihmës përmes kalimit Zikim me Izraelin, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazë dhe spitalet lokale.

Më shumë se 150 persona janë plagosur dhe disa prej tyre janë në gjendje kritike, sipas spitaleve.

Ende është e paqartë nëse ata janë vrarë nga ushtria izraelite apo nga bandat e armatosura. Por, disa dëshmitarë thanë se ushtria izraelite shtiu drejt turmës.

Vrasjet në veri të Gazës nuk ndodhën në afërsi të qendrave të shpërndarjes së ndihmës, që udhëhiqen nga Fondi Humanitar për Gazën (GHF), që mbështetet nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Dëshmitarët dhe punëtorët e ndihmës kanë thënë se qindra persona janë vrarë nga Izraeli teksa tentonin të arrinin në qendrat e GHF-së.

Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për vrasjet që ndodhën të dielën.

Njoftimi për vrasjen e palestinezëve vjen në kohën kur Izraeli lëshoi një urdhër të ri për evakuimin e banorëve nga pjesa qendrore e Gazës dhe disa zona të tjera, pasi tha se synon të kryejë operacione ndaj Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Zgjerimi i ofensivës, në pjesë ku Izraeli më parë nuk ka operuar, vjen teksa Izraeli dhe Hamasi po mbajnë bisedime indirekte për një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e pengjeve.

Gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 – sulm që nxiti luftën – Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu 251 të tjerë. Nga ta, 49 ende mbahen në Gazë, përfshirë 27 që ushtria izraelite thotë se kanë vdekur.

Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 58.000 palestinezë, shumica civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze./rel

Unioni Turistik: Korriku nuk po përmbush pritshmëritë

By: b b
20 July 2025 at 16:06

Pavarësisht parashikimeve optimiste, muaji korrik duket se nuk po i përmbush pritshmëritë e operatorëve turistikë. Sipas Unionit Turistik Shqiptar, fluksi i prenotimeve individuale ka qenë më i vakët nga se pritej.

“Nëse në korrik vjet nuk gjeje dot dhoma bosh, sivjet ka dhoma bosh në çdo hotel. Hotelet ankohen se s’ka shitje nga rruga. Bregdeti i jugut në përgjithësi ka shumë mungesa dhe shezlongë bosh”, thotë Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar.

Kjo situatë, sipas Kasës, ka disa arsye.

“Çmimet që kanë ardhur vazhdimisht në rritje, kemi reduktim të turistëve nga Kosova. Për fat të keq kemi edhe ‘review’ jo të mirë problematikat e infrastrukturës, ndërtimet gjatë sezonit”.

Mungesa e ujit gjatë sezonit veror në destinacione që kanë një pjesë të mirë të numrave të turistëve, si zona Durrës-Kavajë, është po ashtu një problem serioz, ndërsa po vijnë sinjale jo shumë pozitive nga turizmi i organizuar.

“Turoperatorët ndërkombëtarë që punojnë me garanci po reduktojnë numrin e dhomave për shkak të review-ve jo të mira, mungesa e ujit… ka filluar batuta në Golem që po lahemi një ditë po, një ditë jo”.

Gjashtëmujori i parë i këtij viti u mbyll me gati 4.8 milion të huaj, 5% më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Tv Klan

Tentoi të fuste në Shqipëri verë e shampanjë pa i deklaruar, pranga 42 vjeçarit

By: e xh
20 July 2025 at 15:55

Tentoi të fuste me kamion në Shqipëri, verë e shampanjë pa i deklaruar në doganë, arrestohet 42-vjeçari  në Durrës. Policia finalizoi operacionin e koduar ‘Qelqi’, ku u sekuestruan mallrat, kamioni, pasaporta dhe celulari i të arrestuarit.

‘Në vijim të kontrolleve intensive në hyrje/dalje, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, në bazë të analizës së riskut dhe kundër paligjshmërive në kufi, u krye kontroll në hyrje të Shqipërisë, në kamionin që drejtonte shtetasi Sh. G., 42 vjeç, banues në Durrës.

Nga kontrolli në automjet u konstatun  arka me  verë dhe shampanjë, të dyshuara të kontrabanduara me qëllim shitjen në Shqipëri, sepse nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje. Shtetasi Sh. G. synonte t’i fuste mallrat në Shqipëri, pa i deklaruar në PKK, konform ligjit.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, në kuadër të operacionit “Qelqi”, 42-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale’, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme. /opinion.al

Kremlini: Putin i gatshëm të diskutojë për paqe në Ukrainë

By: e xh
20 July 2025 at 15:45

Presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të lëvizë drejt një zgjidhjeje për paqe me Ukrainën, por objektivi kryesor i Moskës është që të arrijë qëllimet e saj. Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për televizionin shtetëror më 20 korrik.

Peskov tha se bota tani është mësuar me retorikën ndonjëherë “të ashpër” të presidentit amerikan, Donald Trump, por shtoi se Trump gjithashtu ka nënvizuar se do të vazhdojë të kërkojë një marrëveshje paqeje me Rusinë.

“Presidenti Putin ka folur disa herë për dëshirën e tij që zgjidhja për Ukrainën të arrihet sa më shpejt me mjete paqësore. Ky është një proces i gjatë, kërkon përpjekje dhe nuk është i lehtë”, tha Peskov për gazetarin e televizionit shtetëror, Pavel Zarubin.

 “Gjërat më të rëndësishme për ne janë arritja e objektivave tona. Objektivat tona janë të qarta,” shtoi ai.

Të hënën, Trump doli me një një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë, duke premtuar një valë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, përfshirë sistemet e mbrojtjes raketore Patriot.

Ai gjithashtu i dha Rusisë një afat prej 50 ditësh për të pranuar një armëpushim, përndryshe tha se Moska do të përballet me sanksione të reja.

Ndërkaq Ukraina, që po përballet me luftën e nisur nga Rusia më 2022, i ka ofruar Moskës që të mbajnë bisedime për paqe në javët në vijim.

“Duhet të bëhet gjithçka që të arrihet një armëpushim”, tha presidenti ukrainas, Voldoymyr Zelensky më 19 korrik. REL

 

‘Optimistë për negociatat’/BE, Shqipëria hapa përpara me reformat..

By: e xh
20 July 2025 at 15:45

Presidenti i Këshillit Ekonomik e Social Evropian, Oliver Röpke, ka deklaruar se reformat që po bëjnë shtetet kandidate, ndër to edhe Shqipëria, po arrijnë standarde edhe më të larta se ato në shtetet aktuale anëtare të BE-së.

“Ne shohim përparim të dukshëm me reformat e integrimit në disa shtete kandidate, megjithëse mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Në të vërtetë, në disa raste, standardet janë edhe më të larta se në vendet anëtare të BE-së. Nëse marrim reformën e gjyqësorit, shtete si Shqipëria po bëjnë hapa gjigantë përpara, megjithëse problemet vazhdojnë në fusha si transparenca dhe antikorrupsioni. Nëse ndalemi në lirinë e shtypit, për shembull, do të shohim se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë rezultate më të mira se Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Greqia, Hungaria, Italia, Malta dhe Rumania”.

Röpke e sheh rritjen e buxhetit financiar për vitet 2028-2034 si një mundësi të mirë për të përfshirë fondet e para-anëtarësimit, jo vetëm asistencën teknike, por edhe një mbështetje më organike për reformat në vendet kandidate.

Sipas tij, nuk mund të ketë politikë të besueshme zgjerimi pa një mbështetje financiare të qëndrueshme. Me buxhetin e ri, 42.6 miliardë euro janë të destinuara posaçërisht për zgjerimin, me një rritje prej 37 për qind krahasuar me buxhetin aktual prej 31 miliardë eurosh. Klan News

 

Lirimi i hapësirave/Rama:Ka ngrehina që rezistojnë për t’u shkulur vetë. Gjoba për..

By: e xh
20 July 2025 at 15:23

Kryeministri Rama ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social, Facebook, për aksionin e lirimit të hapësirave publike.

Në një postim te fundit, kreu i qeverisë thotë se nëpërmjet këtij aksioni është krijuar çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, ‘jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit’, shkruan Rama.

Gjithashtu kryeministri u shpreh se ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë, por sipas tij në fund të tërë do të ikin, ‘po do do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar’, shkruan Rama.

Postimi i Kryeminisrit Rama

Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit

Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar.

Gledis Nano fiton gjyqin me qeverinë, 100 mijë euro dëmshpërblim për shkarkimin

By: e xh
20 July 2025 at 15:04

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar gjyqin me qeverinë, pas shkarkimit të tij në 2022-in.

Mësohet se Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke e cilësuar si të paligjshëm largimin e tij nga detyra. Vendimi është tashmë përfundimtar dhe detyron shtetin t’i paguajë Nanos rreth 100 mijë euro, ekuivalenti i 60 pagave mujore, aq sa parashikon mandati ligjor 5-vjeçar që iu ndërpre në mënyrë të parakohshme.

Nano u shkarkua më 31 gusht 2022, me pretendimin se nuk kishte përmbushur objektivat. Shkarkimin e tij nga detyra e komunikoi ministri i Brendshëm në atë kohë, Bledi Çuçi pas mbledhjes se qeverisë.

“Qeveria mori vendim për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shkarkim i cili lidhet me mospërmbushje të objektivave që kishim vënë në lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit”, deklaroi Çuçi asokohe.

Duhet theksuar se Nano ishte i pari Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit gjatë qeverisjes së socialistëve që shkarkohej me atë motivacion. Në krye të Policisë së Shtetit (për vetëm 10 muaj), Nano erdhi pas disa vitesh në drejtimin e njësisë Anti-Terror./tvklan.al

(VIDEO) Valë “ndëshkimesh”, bllokohen 30 mjete lundruese. Vendosen gjoba për..

By: e xh
20 July 2025 at 14:55

Si rezultat i monitorimit dhe kontrolleve nga Ksamili në Koman janë bllokuar 30 mjete lundruese,  me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.

Sipas policisë, 12 prej tyre për shkelje të perimetrit të sigurisë, ndërkohë 13 shtetas shqiptarë dhe të huaj u shpëtuan në det, përmes ndërhyrjes së Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare.

‘Në kuadër të operacionit “SIGURIA DETARE”, Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, po kryen monitorime dhe kontrolle intensive në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë, si dhe në hapësirat liqenore dhe lumore, me qëllim evidentimin e shkelësve të rregullave të lundrimit, të perimetrit të sigurisë, apo të përdorimit të mjeteve lundruese pa dokumentacion përkatës.

Përgjatë kësaj jave janë kontrolluar 431 mjete lundruese, nga të cilat 30 janë bllokuar për shkelje të perimetrit të sigurisë detare, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara dhe pa dokumentacion përkatës.

Mjetet e bllokuara janë 18 jet ski, 7 skafe, 3 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar.

12 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë secili.

Ndërkohë, nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 7 raste për t’u ardhur në ndihmë 13 shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese’, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese, që të mos shkelin perimetrin e sigurisë, të lundrojnë vetëm në zonat e lejuara dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit. /opinion.al

Parcelë me kanabis në Fushë-Milot, pranga 34 vjeçarit/ Dyshime se gruaja e tij..

By: e xh
20 July 2025 at 14:43

Vijon operacioni policor antikanabis i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë një operacioni të kryer së fundmi, në një parcelë në Fushë-Milot janë gjetur dhe asgjësuar 50 bimë narkotike cannabis sativa.

Sipas policisë autori i dyshuar, shtetasi A. P., 34 vjeç, u kap në flagrancë duke u përkujdesur për bimët.

‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve të kryera me metoda proaktive, në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të territorit, në Fushë-Milot, Njësia Administrative Milot, u zbulua një parcelë me 50 bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa, të kultivuara ndërmjet një kulture misri.

Bimët u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjatë ndërhyrjes, në parcelë u kap në flagrancë shtetasi A. P., i cili u arrestua për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për veprime të mëtejshme, për bashkëshorten e tij, shtetasen E. P., 26 vjeçe, pasi dyshohet se ka qenë në dijeni dhe bashkëpunim në këtë veprimtari të kundërligjshme’, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm. opinion/al

Radhimë, ndërtoi pa leje një ‘beach bar’/ Në kërkim 45 vjeçari, e pëson edhe i biri

By: e xh
20 July 2025 at 14:29

Vijon operacioni “Plazhi i lirë” për lirimin e hapësirave publike në bregdet dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të subjekteve private në Radhimë.

Policia e Vlorës ka goditur një tjetër rast të zënies së paligjshme të hapësirës publike, në zonën bregdetare të Radhimës.

Ndërtoi pa leje një beach bar duke zënë hapësirën publike në Radhimë, shpallet në kërkim 45-vjeçari, procedohet në gjendje të lirë dhe djali i tij 17-vjeç.

‘Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe Policisë Bashkiake, gjatë kontrolleve të ushtruara më datë 19.07.2025, në plazhin e Radhimës, konstatuan në një hapësirë publike ndërtimin pa leje të një objekti të llojit “beach bar”, si dhe ushtrimin e aktivitetit privat me çadra dhe shezlongë, pa autorizimin e institucioneve përkatëse.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku:

  • u shpall në kërkim shtetasi Sh. N., 45 vjeç, banues në Tiranë;
  • u procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, djali i tij i mitur, 17 vjeç’, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 90 çadra dhe shezlongë.

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin bregdetar të Vlorës, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e hapësirave të lira për pushuesit. /opinion.al

Gaza në gjak, vriten pranë qendrave të ndihmës 39 persona

By: e xh
20 July 2025 at 14:17

Nga të shtënat e ushtrisë izraelite, të paktën 39 persona janë në Gaza, orët e para të mëngjesit të sotëm. Lajmi raportohet nga autoritetet shëndetësore dhe Spitalit Nasser në Khan Younis.

Sipas mediave shumica e palestinezëve që u vranë ndodheshin në zonën e Teinës, jo shumë larg nga pika e ndihmave të GHF-së.

Mahmud Basal, zëdhënësi i agjencisë së mbrojtjes civile deklaroi se 22 persona u vranë pranë një pike në jugperëndim të Khan Younis dhe katër pranë një tjetër qendre në veriperëndim të Rafah.

Një dëshmitar thotë se ishte nisur me pesë të afërm të tij drejt zonës Al-Tina në Khan Younis për të marrë ushqim kur papritmas ushtarët izraelitë filluan të qëllonin.

“Çdo ditë shkoj aty dhe marr vetëm plumba e lodhje në vend të ushqimit”, ka thënë ai.

Mahmoud Mokeimar tha se po ecte me turma njerëzish, kryesisht djem të rinj, drejt qendrës së ushqimit kur ushtria izraelite hapi zjarr ndaj tyre. “Ishte një masakër,” ka rrëfyer ai, njëjtë si shumë të tjerë që arritën të mbijetonin.

Spitali Nasser në Khan Younis njofton se deri tani në spital janë dërguar 25 trupa të pajetë e dhjetëra të plagosur.

❌
❌