Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2025Albeu

Zjarr i qëllimshëm në malin e Mavrovës, flakët depërtojnë brenda pyllit

By: M C
20 July 2025 at 20:49

Zjarri përfshin një sipërfaqe në malin e Moravës, pjesë e fshatit të Dishnicës.

Zjarri ka përfshirë fillimisht një sipërfaqe me shkurre por në afërsi ndodhet pylli dhe ka depërtuar edhe brenda tij. Sipas informacioneve, zjarri mendohet të jetë i qëllimshëm, ndërsa policia ka shoqëruar një person në komisariat.

Personi i shoqëruar dyshohet se e ka rast të përsëritur zjarrvënien, ndërsa mund të jetë me probleme të shëndetit mendor.

Forcat zjarrfikëse do të kthehen e më pas do të ndërhyjnë ditën e nesërme prej mëngjesit për të izoluar flakët e për të fikur zjarrin totalisht.

The post Zjarr i qëllimshëm në malin e Mavrovës, flakët depërtojnë brenda pyllit appeared first on Albeu.com.

I nxehti afrikan, Kosova përballet me temperatura të larta javën e ardhshme

By: M C
20 July 2025 at 20:26

Një javë e nxehtë parashikohet të përfshijë Kosovën ditët në vijim. Kjo situatë vjen si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa e Afrikës Veriore.

Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut.

Ky fenomen meteorologjik shfaqet shpesh gjatë muajve të verës dhe zakonisht shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të ndjeshme të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësirë dhe zjarre në zona pyjore dhe fusha bujqësore.

Temperaturat mund të tejkalojnë lehtësisht vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik.

Sipas IMHK indeksi UV (ultraviolet) do të jetë i lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohet ekspozimi në rrezet të diellit, sidomos personat në moshë, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

The post I nxehti afrikan, Kosova përballet me temperatura të larta javën e ardhshme appeared first on Albeu.com.

EMRI/ Të shtënat me armë zjarri në Sarandë, identifikohet i plagosuri, 54-vjeçari një ish-efektiv policie

By: M C
20 July 2025 at 20:05

Adil Veli është 54-vjeçari i cili u plagos mbasditen e sotme në lagjen nr.4 të qytetit të Sarandës. 54-vjeçari është transportuar drejt Spitalit të Sarandës dhe ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Gjithashtu bëhet me dije se Veli ka qenë më parë efektiv policie. Megjithatë ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje. Ndërkohë Forca të shumta policie ndodhen në vendin e ngjarjes.

The post EMRI/ Të shtënat me armë zjarri në Sarandë, identifikohet i plagosuri, 54-vjeçari një ish-efektiv policie appeared first on Albeu.com.

Besnik Mustafaj me të birin të përfshirë në pastrim parash me Lonin e Bankers me faturime fiktive

By: M C
20 July 2025 at 19:46

Politikanë të së majtës, të djathtës, oligarkë dhe bosë medias rezultojnë të implikuar në aferën 20-vjeçare Bankers, duke futur duart në pasurinë nëntokësore të shqiptarëve. Personazhe të politikës dhe biznesit kanë përfituar miliona euro nga kompania e shfrytëzimit të naftës, në formë korruptive, duke ndikuar nga ana tjetër në fryrjen e shpenzimeve të Bankers, përfitimin e padrejtë të rimburimit të TVSH dhe shmangien e taksave.

Disa personazhe të tjerë janë implikuar në pastrimin e parave të Leonidha Çobës, ish administrator i Bankers, i vizatuar tashmë si hajduti i shekullit, me pagë deri në 1.7 milionë euro në vit, kartel kompanish fantazmë, 100 milionë euro të vjedhura me faturime fiktive, vila, ferma, sera, aksione dhe thasë me para.

I tillë është rasti i ish ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj, me të birin Dardan Mustafaj, të përfshirë në faturime fiktive me Leonidha Çobon, ish administrator i Bankers në periudhën 2010-2015, ideator i zhvatjes 5.5 miliardë euro nga Bankers. Sipas dosjes së Prokurorisë së Fierit, para se Leonidha Çobo të largohej nga Bankers në maj 2019, ka hapur subjektin ‘Leonidha Çobo’ person fizik, duke pastruar rreth 1.6 milionë euro.

Mes kompanive për të cilat Loni i Bankers ka lëshuar fatura të dyshuara si fiktive është edhe kompania H2015 shkpk, për të cilën Çobo ka lëshuar fatura me vlerë rreth 300 mijë euro. Pronari kryesor i kompanisë H2015, me objekt shërbime konsulence, rezulton Besnik Mustafaj me 75.70 % të aksioneve, ndërsa 4.3 % të aksioneve i ka i biri Dardan Mustafaj.

Nuk kuptohet se çfarë shërbimi do t’i ofronte Loni i Bankersit ish ministrit të Jashtëm, Besnik Muftafaj, figurë e njohur e PD-së, kur dy kompanitë kanë objekt pothuajse të njëjtë dhe Çobo nuk ka çfarë ofron, pasi nuk ka asnjë punonjës, pra kompania e tij është vetëm në letra. Ka dyshime të forta se Çobo mund t’i ketë dhënë cash qindra mijëra euro Dardan Malajt, i cili një pjesë ia ka kthyer me faturime fiktive.

Nga verifikimet e deritanishme rezultojnë rreth 50 personazhe të politikës, biznesit, medias, sekserë dhe njerëz të drejtësisë të përfshirën mashtrimin më të madh në historinë e shtetit shqiptar. Alket Hyseni, Besnik Mustafaj me të birin, Endri Puka, Behar Çukaj, Leonidha Çobo, Artur Çobo, Antigoni Çobo, Frident Kuqi, Ardit Kero, Flavia Capo, Kledi Xhani, Doina Goga, Anila Denaj, Baki Sinaj, Fatos Sinaj, Idajet Ismailaj etj., janë vetëm disa nga personazhet e përfshirë./ Prapaskena

The post Besnik Mustafaj me të birin të përfshirë në pastrim parash me Lonin e Bankers me faturime fiktive appeared first on Albeu.com.

Sherr me thika në Shkodër, plagoset 33-vjeçari, dërgohet me urgjencë në spital

By: M C
20 July 2025 at 19:14

Një sherr ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Shkodrës. Bëhet me dije se shtetasi V.D., ka goditur me thikë për motive të dobëta, Pjetër Guralecin, 33 vjeç. Më pas 33-vjeçari është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të saj. Po ashtu shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar.

Njoftimi i policisë:

Shkodër / Informacion paraprak. Rreth orës 18:30, në sheshin “Prek Cali”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi V. D. dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin P. G., 33 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të saj. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar.

The post Sherr me thika në Shkodër, plagoset 33-vjeçari, dërgohet me urgjencë në spital appeared first on Albeu.com.

Ishte me pushime në Shëngjin, 23-vjeçari rrëshqet dhe bie aksidentalisht nga ballkoni i hotelit

By: M C
20 July 2025 at 18:51

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Shëngjin, ku një 23-vjeçar dyshohet se ka rënë nga ballkoni aksidentalisht.

23-vjeçari me banim në Bruksel është transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar mjekësore.

“Rreth orës 17:40 në ambientet e një hoteli në Shëngjin, dyshohet se ka rrëshqitur aksidentalisht dhe ka rënë nga lartësia (ballkoni), shtetasi R. I., 23 vjeç, banues në Burrel, pushues në Shëngjin. 23-vjeçari është transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar mjekësore”, njofton policia.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

The post Ishte me pushime në Shëngjin, 23-vjeçari rrëshqet dhe bie aksidentalisht nga ballkoni i hotelit appeared first on Albeu.com.

Kaosi politik në Kosovë, Spahiu: Ngërç i qëllimshëm për pushtet! Zgjedhjet e parakohshme, opsion i pashmangshëm

By: M C
20 July 2025 at 18:37

Kaosi politik në Kosovë nuk është as rastësi dhe as paaftësi, por një situatë e krijuar me qëllim nga partitë politike për të mbrojtur interesat dhe pushtetin e tyre. Kështu u shpreh për “Syri Tv” akademiku Nexhmedin Spahiu i cili theksoi se qytetarët janë të vetmit që humbin nga ky kaos institucional.

Sipas tij, mazhoranca dhe opozita po e mbajne peng vendin për pazare dhe llogari personale. Sakaq, ai hodhi akuza ndaj Gjykatës Kushtetuese në Kosovë duke e bërë pjesë të bllokadës. Spahiu deklaroi se kriza po përdoret si mjet që disa të qëndrojnë në postet që janë edhe pa legjitimitet politik.

“Ngërçi politik në Kosovë i intereson të gjithëve, përveç qytetarëve kosovarë, të cilët paguajnë taksa për shërbime që nuk i marrin. Si pasojë e kësaj situate, as Parlamenti, as Qeveria, as Presidentja dhe as Gjykata Kushtetuese nuk e bëjnë punën e tyre, sepse të gjithëve u leverdis kjo gjendje kaosi. Të gjithë shohin interesin e tyre në këtë situatë, dhe në një sistem me vlera të dobëta, kjo është përgjigjja për atë që po ndodh sot në Kosovë.

Interesi i partisë në pushtet është që të mbajë një qeveri në detyrë, pasi nuk po arrin të krijojë shumicën e nevojshme parlamentare. Ajo nuk dëshiron të ndajë pushtetin, nuk do që Fatmir Limaj të marrë postin e kryetarit të Kuvendit, dhe për këtë arsye po shfrytëzon një vendim të diskutueshëm të Gjykatës Kushtetuese të vitit [mungon viti], e cila në atë kohë mori një vendim për të mbajtur Thaçin në pushtet, duke e interpretuar se posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë që del nga zgjedhjet, dhe jo asaj që ka shumicën e votave. Vendimi ishte absurd: nëse i takon partisë së parë, përse duhet të votohet? Nëse votohet, duhet ta fitojë ai që merr më shumë vota. Ky vendim absurd ka mbetur peng për Kosovën edhe sot dhe po shfrytëzohet nga Albin Kurti.

Opozita nuk ka interes të bëhet konstituimi i institucioneve, sepse ka frikë se Albin Kurti nuk do të arrijë të formojë qeverinë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja – diçka që nuk i leverdis.

Ka edhe aktorë jashtë parlamentit që nuk janë të interesuar për zgjedhjen e institucioneve. Një prej tyre është Presidentja, së cilës i përfundon mandati pas disa muajsh. Duke qenë se ka humbur përkrahjen dhe ka prishur marrëdhëniet me shumicën e spektrit politik, ajo nuk ka asnjë shans të rizgjidhet. Prandaj, e vetmja mundësi që ajo sheh për të qëndruar në post, është krijimi i një ngërçi politik të tillë që do të detyrojë ndërkombëtarët të ndërhyjnë në Kosovë me shpresën se në atë rast do të imponohet si presidente.

Gjykata Kushtetuese kishte mundësinë të korrigjonte vendimin e gabuar të së kaluarës, ta shpallte të pavlefshëm dhe t’i jepte zgjidhje situatës, por edhe aty ekziston një konflikt interesi. Në rast se presidentes i përfundon mandati dhe nuk ka kryetar Kuvendi, detyrën e ushtruesit të presidentit e merr kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Kjo është arsyeja pse edhe Gjykatës i leverdis që ngërçi të vazhdojë.

Zgjedhjet lokale nuk rrezikohen, sepse presidentja është ende në mandat deri në përfundimin e tyre, kështu që ato do të mbahen. Ndoshta ato do të ndihmojnë disi në kthjellimin e situatës politike, pasi do të shërbejnë si një matje e forcave reale politike.

Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme mbeten një opsion i pashmangshëm për sa kohë situata mbetet e tillë dhe nuk ekziston një vullnet tjetër politik për ta zgjidhur.”-tha Spahiu.

The post Kaosi politik në Kosovë, Spahiu: Ngërç i qëllimshëm për pushtet! Zgjedhjet e parakohshme, opsion i pashmangshëm appeared first on Albeu.com.

Polici grek bashkëpunonte me shqiptarë për drogën në Mykonos, atij dhe partneres shqiptare u zbulohen 5 mln euro

By: M C
20 July 2025 at 18:17

8 persona janë arrestuar nga policia greke, si pjesëtarë të një grupi kriminal që shiste drogë në Mykonos. 4 efektivë të policisë greke dhe 4 shqiptarë, përfshirë dhe një person tjetër në kërkim, bashkëpunonin me njëri-tjetrin duke rihedhur në treg drogë të sekuestruar nga policia.

Hetimet e policisë zbuluan edhe lidhje të oficerëve me pjesëtarë të mafias greke, duke i informuar për kontrollet policore.

Kreu i grupit kriminal ishte një oficer 42-vjeçar grek. Ai kishte qenë i pezulluar që nga 14 janari 2025 për mashtrimin e një ish-partneri në tetor 2024. Një oficer policie 31-vjeçar, që shërbente në Stacionin e Policisë së Akropolit, ishte “krahu i djathtë” i tij. Ai më parë kishte shërbyer në Departamentin e Narkotikëve të Athinës Juglindore, nga ku dyshohet se kishte sekuestruar lëndë narkotike të konfiskuara dhe i kishte shpërndarë ato për shitje përmes rrjetit.

Bashkëpunëtorët e tij ishin një Shef Policie 35-vjeçar i Nëndrejtorisë së Policisë së Mykonos dhe një Shef Policie 43-vjeçar i caktuar në Departamentin e Policisë së Akarnasit. Bashkëpunëtorë civilq të grupit ishin 43-vjeçar i kërkuar, një shqiptar 24-vjeçar dhe motra e tij 29-vjeçare, partnerja e kreut të grupit si dhe dy persona të tjerë nga Shqipëria. Në të njëjtën dosje, akuzohen edhe 13 persona të tjerë, përfshirë një Shef Policie i cili shërben në Departamentin e Policisë Pydna-Kolindros, por gjatë periudhës së hetimit ai shërbente në Nëndrejtorin e Policisë së Mykonosit.

Midis emrave të hetuar, janë tre individë me precedentë të rëndë kriminalë, emrat e të cilëve u përfshinë edhe në dosjen e madhe që heton vrasjet e katër anëtarëve të mafias grekë të cigareve të udhëhequr nga i shumëkërkuari “Entik”, i cili fshihet në Dubai.

Oficeri 42-vjeçar i policisë u arrestua më 23 tetor 2024, për mashtrim të përsëritur kundër ish-partneres së tij. Në atë kohë, telefoni i tij celular u konfiskua. Policia kishte informacione se si kishte një pozicion drejtues në një bandë trafikimi droge në ishullin e Mykonos dhe më gjerë. Deklasifikimi i komunikimeve zbuloi përfshirjen e tij në trafikimin e drogës dhe formimin e një organizate kriminale me të dyshuarit e tjerë. Në të njëjtën kohë, dolën në pah kontaktet e tij me individë të lidhur me aktivitetet e mafias greke, në kontekstin e informimit të tyre rreth kontrolleve të ardhshme policore dhe aktiviteteve të tjera. Shumë nga komunikimet e tij me oficerin 31-vjeçar të policisë u zbuluan, ndërsa regjistrimi i mbikëqyrjes së tyre zbuloi një marrëveshje midis tyre për një pazar droge që i përfshinte të dy.

Oficeri i policisë e informoi 42-vjeçarin për largimin e tij nga Departamenti i Zbatimit të Ligjit për Narkotikët dhe aftësinë që kishte për të larguar lëndët narkotike.

Zbulohen 5 milionë euro në llogari bankare

Autoritetet identifikuan transaksione bankare midis dy oficerëve të policisë, të cilët luajtën një rol kyç në rrjet. Gati 5 milionë euro u gjetën në llogaritë e 42-vjecari dhe partneres së tij, ndërsa dyshohet se ishte i përfshirë edhe vëllai i 29-vjeçaras shqiptare, i cili transportonte dhe kanalizonte drogën e sekuestruar.

Anëtarët e organizatës komunikonin ekskluzivisht përmes aplikacioneve online, ndërsa “truri” policor i rrjetit dyshohet se është i përfshirë edhe në raste të tjera të paligjshme, siç është informimi i biznesmenëve për kontrollet policore.

The post Polici grek bashkëpunonte me shqiptarë për drogën në Mykonos, atij dhe partneres shqiptare u zbulohen 5 mln euro appeared first on Albeu.com.

Termometri do të shënojë 50 gradë? Pritet vala më ekstreme në histori në Itali

By: M C
20 July 2025 at 17:48

La Repubblica shkruan se java e ardhshme do ta ndajë Italinë në dy pjesë. Veriu do të përballet me stuhi të forta dhe reshje të dendura, ndërsa në qendrën dhe jugun e shtetit fqinj do të mbizotërojë një valë rekord të nxehti, e përshkruar nga meteorologët si “vala më e fuqishme e dekadave të fundit, ndoshta edhe e historisë”.

Vala afrikane e të nxehtit, e njohur në zhargonin meteorologjik si “Deveja”, po prek që tani rajonet e Siçilisë, Sardenjës dhe Pulias, ku temperaturat kanë arritur tashmë 40°C. Ndërkohë, në një lartësi prej 1 mijë e 500 metrash, parashikohen rreth 30°C, një vlerë jashtëzakonisht e rrallë për Italinë.

Por e gjitha kjo nuk është asgjë krahasuar me atë që pritet të ndodhë nga e hëna në zonat e brendshme lindore të Siçilisë, mes Sirakuzës, Katanias dhe Kaltanisetas. Për shkak të erërave të forta, lagështisë shumë të ulët dhe largësisë nga deti, temperaturat mund të arrijnë deri në 45°C.

Sipas ekspertëve, është e mundur që në këto zona të regjistrohen temperatura maksimale mbi 49°C, një nivel që do të thoshte potencialisht rishkrim i historisë klimatike të Italisë dhe të gjithë Evropës. Kjo do të thyente edhe rekordin evropian prej 48.8°C të regjistruar në gusht të vitit 2021 në Floridia, provincë e Sirakuzës.

Rekordi botëror prej 56.7°C, i vendosur në vitin 1913 në Luginën e Vdekjes (Death Valley), në Kaliforni, mbetet ende larg për momentin. Ai vend njihet si më i nxehti në Tokë dhe vazhdon të tërheqë turistë nga e gjithë bota, të cilët bëjnë foto para termometrit të famshëm të Furnace Creek.

Arritja e temperaturave afro 50°C nën hije në Itali dhe në Evropë do të ishte një precedent historik. Në kushte të tilla ekstreme: metalet fillojnë të zgjerohen (edhe pse nuk është e dukshme me sy të lirë), plastika e butë deformohet, gjalpi apo dylli që kanë pika shkrirjeje më të ulëta shkrihen plotësisht, ndërkohë që infrastruktura dhe rrjetet elektrike mund të rrezikojnë kolaps të menjëhershëm. Por më shqetësuese është se proteinat në trupin e njeriut nisin të denaturohen, çka mund të çojë në çrregullime mendore, marrje mendsh dhe humbje ndjenjash.

Kjo është ajo që meteorologu Mattia Gussoni nga ilMeteo.it e cilëson si “fytyra e re e verës së shekullit XXI”: pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, me ngjarje ekstreme që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe të qëndrueshme.

Por kjo situatë ka edhe një anë tjetër. Pjesa më e madhe e Mesdheut qendror dhe perëndimor do të përjetojë temperatura +8°C mbi mesataren sezonale, veriu i Italisë do të gjendet në një “zonë përplasjeje” atmosferike, e goditur nga një ciklon që do të prekë edhe Evropën veriore.

Veçanërisht në Alpe, në Piemonte dhe Lombardi, priten reshje intensive brenda pak orësh, mbi 100-150 mm, sasi që normalisht bie për një muaj të tërë, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje dheu në zona të pjerrëta./ La Repubblica

The post Termometri do të shënojë 50 gradë? Pritet vala më ekstreme në histori në Itali appeared first on Albeu.com.

Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth dhe lirimi i hapësirave publike, Rama ‘rikthehet’ para publikut: Nesër këtu!

By: M C
20 July 2025 at 17:29

Ditët e fundit qeveria ka ndërmarrë aksion për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Thethit, ç’ka solli edhe përplasje mes pronarëve dhe efektivëve të policisë apo punonjësve të IMT.

Po ashtu një tjetër aksion i ndërmarrë në të gjithë vendin është ai për lirimin e hapësirave publike që janë zënë nga lokalet apo bizneset.

Për këto zhvillime të fundit që kanë krijuar edhe reagime në publik, Edi Rama ka njoftuar se nesër ‘rikthehet’ para publikut me rubrikën në rrjetet sociale “Sy m’ sy”’.

“Ca thonë pse tani e jo më parë? Ca pse tani e jo më vonë? Kurse unë them pse jo nesër një SY M’SY?
NESËR pra, që në mëngjes, LIVE padyshim, KËTU ku tjetër?”, shkruan Rama

The post Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth dhe lirimi i hapësirave publike, Rama ‘rikthehet’ para publikut: Nesër këtu! appeared first on Albeu.com.

Helmohet Netanyahu, u ndje keq mbrëmë prej një inflamacioni në zorrë dhe dehidratimi

By: M C
20 July 2025 at 17:16

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po shërohet nga një rast helmimi ushqimor, njoftoi sot zyra e tij, duke bërë me dije se ai do të vazhdojë të ushtrojë detyrat nga shtëpia gjatë tre ditëve të ardhshme.

Netanyahu, 75 vjeç, u ndje keq gjatë natës për shkak të një inflamacioni në zorrë dhe dehidratimi, për të cilat po merr trajtim intravenoz, thuhet në deklaratën zyrtare.

“Sipas këshillave të mjekëve të tij, kryeministri do të pushojë në shtëpi për tre ditë dhe do të vijojë të menaxhojë punët e shtetit prej andej,” shtoi zyra e tij.

Netanyahu ka pasur disa probleme shëndetësore në të kaluarën. Në vitin 2023, atij iu vendos një stimulues kardiak (pacemaker), ndërsa në dhjetor të po atij viti iu nënshtrua një ndërhyrjeje për heqjen e prostatës, pasi u diagnostikua me një infeksion të traktit urinar.

The post Helmohet Netanyahu, u ndje keq mbrëmë prej një inflamacioni në zorrë dhe dehidratimi appeared first on Albeu.com.

Zjarri në Dukat të Vlorës, ministri Vengu zbret në terren: Orë të vështira…

By: M C
20 July 2025 at 17:01

Prej ditësh vijon të jetë aktiv zjarri në Dukat të Vlorës, ku mbi 80 efektivë janë angazhuar nga toka dhe ajri, për të mbajtur nën kontroll flakët që kanë pushtuar zonën.

Sot në terren ka zbritur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili i shoqëruar nga drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, kanë shkuar në Dukat për të parë nga afër situatën me zjarrin problematik që kërcënon Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Përmes një postim në rrjetet sociale, Vengu shkruan se për shkak të terrenit të vështirë malor, është aktivizuar ndihma nga ajri përmes helikopterëve Cougar të ushtrisë, për të parandaluar përhapjen e zjarrit.

Sipas Vengut, orët në vijim do të jenë të vështira për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Të paktën 50 efektivë janë në terren duke punuar për shuarjen e zjarrit.

“Gjendemi këtu në lartësitë e Dukatit, ku prej disa ditësh në fakt kemi një situatë dhe një brez zjarri i cili ka rrezikuar në fakt një përhapje domethënëse. Që prej orëve të para të mëngjesit, kemi një ndërhyrje nga ajri dhe mbështetje nga toka me efektivë të Forcave të Armatosura, të Bashkisë Vlorë, të Pyjores së Vlorës, praktikisht 50 persona që janë në operacion e sipër sot në këtë zonë, në mënyrë që të krijohet një perimetër dhe të mund të parandalohet kalimi i këtij fronti zjarri në anën tjetër të Parkut të Llogarasë. Do jenë orë të vështira për efekt jo vetëm të termometrit, por edhe të erërave të forta që ka zona, ndaj duhet të ruajmë vigjilencën maksimale. Operacioni i mbështetjes nga ajri me helikopterët Cougar do të vijojë gjatë gjithë ditës në mënyrë që të kemi të gjithë instrumentet në dispozicion”, tha ministri i Mbrojtjes.

The post Zjarri në Dukat të Vlorës, ministri Vengu zbret në terren: Orë të vështira… appeared first on Albeu.com.

Aksident në Divjakë/ Përmbyset mjeti bujqësor dhe e zë poshtë, humb jetën tragjikisht 62-vjeçari

By: M C
20 July 2025 at 16:42

Një aksident me vdekje ka ndodhur ditën e sotme në divjakë. Mësohet se një 62-vjeçar duke lëvizur me mjetin e tij bujqësore në rrugën e parcelave ka humbur kontrollin e mjetit duke u përmbysur në kanal.

Maliq Meta është bllokuar në mjet dhe si pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Megjithatë edhe pse janë afruar menjëherë bashkëfshatarët e tjerë për t’i dhënë ndihmë nuk kanë arritur ta shpëtojnë.

The post Aksident në Divjakë/ Përmbyset mjeti bujqësor dhe e zë poshtë, humb jetën tragjikisht 62-vjeçari appeared first on Albeu.com.

Irani bie dakord me Britaninë, Francën dhe Gjermaninë për të rifilluar bisedimet bërthamore

By: M C
20 July 2025 at 16:30

Irani dhe tre vende të tjera evropiane, Britania, Franca dhe Gjermania, kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit dhe heqjen e mundshme të sanksioneve, por koha dhe vendi i negociatave janë në diskutim.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim raportoi se raundi i ardhshëm i bisedimeve do të mbahet në nivelin e zëvendësministrave të jashtëm të Iranit, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë.

The post Irani bie dakord me Britaninë, Francën dhe Gjermaninë për të rifilluar bisedimet bërthamore appeared first on Albeu.com.

Mimoza Ahmeti refuzoi t’i japë një autograf, Egla Ceno i përgjigjet një ditë më pas: Hipokrizi e shoqëruar me simptoma të një narçizmi!

By: M C
20 July 2025 at 16:18

Shkrimtarja Mimoza Ahmeti ishte e ftuar mbrëmë në ‘’Goca dhe Gra’’ dhe dukej qartë që nuk kishte ndonjë simpati të madhe për Egla Cenon. Kjo u konfirmua në momentin që aktorja Egla Ceno i kërkoi poetes Mimoza Ahmeti që t’i vendoste një autograf në një nga librat që kishte sjellë me vete, por Mimoza refuzoi duke thënë e prerë: Jo.

Aktorja ka zgjedhur ta ironizojë këtë veprim të shkrimtares ndaj saj, ku përmes një postimi shkruan se po i shkruan nga fundi i krevatit të spitalit ku është shtruar nëna e saj.

“Ti je artiste dhe siç e dimë tashmë, artistët nuk janë të detyruar të jenë njerëz”, shkruan Egla duke shtuar se veprimi i shkrimtares ishte “një simfoni hipokrizie e shoqëruar me simptoma të një narçizmi të veshur me ‘poezi’ dhe ftohtësi që as metaforat nuk e ngrohin dot”.

Reagimi i plotë i Egla Ceno:

E dashur Moza, ose më saktë: Moza që u ngrit mbi dorëshkrimet e një epoke, që hëngri metafora me lugë floriri e na mësoi të mos i kërkojmë dedikim poetëve, sepse ata janë mbi ne, si retë, si mjegulla, si keqkuptimi.

Po të shkruaj një letër publike nga fundi i një shtrati spitali ku shtrirë është nëna ime, sepse… le të themi që ti e meriton.

Moza e dashur, të ndoqa me kureshtje naive (impenjimi do kishte qenë i tepërt) gjatë intervistës që më ra për pjesë të të bëj, ku erdhe bashkë me librin tënd, plot 5 kopje, ndoshta për ta treguar, ndoshta për ta lexuar, ndoshta thjesht për të patur diçka që të mbash në dorë.

Unë në një akt njerëzor tu afrova me stilolaps në dorë, me lutjen e heshtur të një lexuesi që kërkon një dedikim dhe ti nuk ma dhe. Keqardhje? Jo. Habi? As që bëhet fjalë. Ti je artiste dhe siç e dimë tashmë, artistët nuk janë të detyruar të jenë njerëz.

E pra, Moza e madhe, nëse një lexues nuk e meriton një dedikim, pse ta marrë librin? Dhe nëse një autore nuk e sheh të arsyeshme të bëjë një dedikim, pse ta sjellë librin në televizor? Sepse, në fund të fundit, kjo është një simfoni hipokrizie e shoqëruar me simptoma të një narçizmi të veshur me “poezi” dhe ftohtësi që as metaforat nuk e ngrohin dot.

Ti nuk më le dot si “pemë”, më le si dikë që po i kërkonte dedikim dikujt që ka stil përbuzjen si art. Dhe ky është zhanër më vete.

Me përshëndetje të përmbajtura,

Një lexuese që do poezi, por jo pa njerëzi.

The post Mimoza Ahmeti refuzoi t’i japë një autograf, Egla Ceno i përgjigjet një ditë më pas: Hipokrizi e shoqëruar me simptoma të një narçizmi! appeared first on Albeu.com.

Papa Leone thirrje për paqe në Lindjen e Mesme: Jepini fund barbarisë së luftës në Gaza

By: V K
20 July 2025 at 15:59

Ditë e sotme, pas lutjes së Engjëllit, Papa Leo XIV, në një mesazh të fuqishëm përsëriti thirrjen e tij për t’i dhënë fund “barbarisë së luftës” në Gaza, ndërsa shprehu dhimbjen e thellë për sulmin izraelit ndaj kishës së vetme katolike në Gaza, ku humbën jetën tre civilë të pafajshëm.

Ati i Shenjtë lexoi me zë të lartë emrat e viktimave të sulmit të ndodhur të enjten – Saad Issa Kostandi Salameh, Foumia Issa Latif Ayyad dhe Najwa Ibrahim Latif Abu Daoud – duke theksuar se; “pas çdo viktime qëndron një histori dhe një familje që nuk duhet harruar”.

Papa i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të respektojë ligjin humanitar, të mbrojë civilët dhe të ndalojë ndëshkimin kolektiv, përdorimin pa dallim të forcës dhe zhvendosjen me dhunë të popullsive.

The post Papa Leone thirrje për paqe në Lindjen e Mesme: Jepini fund barbarisë së luftës në Gaza appeared first on Albeu.com.

Aksioni për lirimin e hapësirave/ Rama ndan pamjet nga Tirana: Çlirim i madh jo vetëm për këmbësorët, por ka ende ngrehina që rezistojnë, do ikin bashkë me… (VIDEO)

By: V K
20 July 2025 at 15:37

Aksioni vijon në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike, të zëna nga ndërtime pa leje, sidomos nga lokalet që kanë nxjerrë çadra dhe tavolina.

kreu i shtetit Edi Rama, ka publikuar një tjetër video në rrjetet sociale nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, ku shkruan se aksioni ka prodhuar çlirim për këmbësorët.

Postimi i Ramës:

“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit.

Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shkruan kryeministri.

The post Aksioni për lirimin e hapësirave/ Rama ndan pamjet nga Tirana: Çlirim i madh jo vetëm për këmbësorët, por ka ende ngrehina që rezistojnë, do ikin bashkë me… (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Rikthim i bujshëm në Itali? Etrit Berisha ndez zërat e merkatos: Kemi filluar të flasim

By: V K
20 July 2025 at 14:56

Haken eliminoi Spartak Trnavën në turin e parë të Ligës së Europës. Në fokus u kthye e ardhmja e Etrit Berishës, që po bën mjaft mirë te suedezët.

Portieri shqiptar, ka zbuluar më parë klauzolën, që e lejon të largohet nga Haken këtë verë. Për më të tepër, që për Berishën ka interes nga Italia.

“Asgjë nuk është e sigurt ende, do të shohim çfarë ndodh. Siç thashë, kemi filluar të flasim, kemi edhe pak kohë deri në fund të korrikut dhe pastaj do të shohim. Ka pasur disa kontakte në Itali, por është agjenti im që merret. Për mua është e rëndësishme të përqendrohem këtu dhe atë që ndodh në të ardhmen do ta shohim”.

Në anën tjetër, drejtori Martin Erikson, ka shprehur dëshirën për të zgjatur më tepër kontratën që përfundon në fundin e këtij viti.

“Ne do të dëshironim shumë që ai të qëndronte më gjatë sesa deri në fund të sezonit. Kemi pasur bisedime me të për këtë”, u shpreh drejtori Erikson së fundmi.

The post Rikthim i bujshëm në Itali? Etrit Berisha ndez zërat e merkatos: Kemi filluar të flasim appeared first on Albeu.com.

Ruajtja e ushqimeve në mënyrë të sigurt, ja në çfarë temperature duhet ta vendosim frigoriferin gjatë verës

By: V K
20 July 2025 at 14:48

Në stinën e verës, temperaturat rriten dhe bashkë me to rritet edhe nevoja për ruajtjen e duhur të ushqimit. Frigoriferi ynë bëhet aleati ynë kryesor në betejën për përbërës të freskët dhe të sigurt, për sa kohë që funksionon siç duhet dhe është vendosur në temperaturën e duhur.

Por çfarë është kjo?

Temperatura ideale për pjesën e brendshme të frigoriferit, është midis 1°C dhe 4°C. Në këtë temperaturë, rritja e mikroorganizmave patogjenë ngadalësohet ndjeshëm, por pa ngrirë ushqimin.

Ekspertët rekomandojnë një temperaturë afër 3°C, e cila siguron ekuilibrin më të mirë midis ruajtjes dhe efikasitetit të energjisë.

Në të njëjtën kohë, për shkak se kushtet janë më të vështira gjatë muajve të verës, duhet të jemi të kujdesshëm edhe për përdorimin e shpeshtë të frigoriferit.

“Hapja dhe mbyllja” e derës së tij ndikon në performancën e tij të brendshme, gjë që rrit rrezikun e prishjes së ushqimit.

Për të siguruar funksionimin e duhur të frigoriferit gjatë muajve të verës, duhet të:

Shmangni mbingarkesën: Ushqimit i duhet hapësirë që të qarkullojë ajri i ftohtë.

Mos vendosni ushqime të nxehta brenda: Lërini të ftohen përpara se t’i ruani.

Mos e hapni derën shpesh: Mbajeni temperaturën brenda konstante.

Kontrolloni derën: Nëse nuk mbyllen siç duhet, ftohja humbet.

Përdorni një termometër frigoriferi: Është i lirë, praktik dhe veçanërisht i dobishëm për monitorimin e temperaturës.

Sigurimi i temperaturës së duhur në frigoriferin tonë, nuk është vetëm një detaj teknik. Është një parakusht për mbrojtjen e higjienës, shijes dhe vlerës ushqyese të ushqimit, veçanërisht kur zhiva është në rritje. Kujdesuni për frigoriferin tuaj dhe ai do të kujdeset për përbërësit tuaj.

The post Ruajtja e ushqimeve në mënyrë të sigurt, ja në çfarë temperature duhet ta vendosim frigoriferin gjatë verës appeared first on Albeu.com.

Hiqeni qafe/ Rrëmbeu dhe dogji 61-vjeçarin për 10 mijë euro, lirohet nga burgu Marjeta Karaj

By: V K
20 July 2025 at 14:03

Gjykata ka liruar nga burgu Marjeta Karajn, nën akuzë për vrasjen e Menduh Kurt Dedës.

Lirimi i gruas u urdhërua mbasi gjykata e Apelit në muajin qershor prishi vendimin ndaj saj dhe caktoi Gjykatë e Tiranës, të rishqyrtojë dosjen hetimore për masakrimin e të moshuarit Menduh Kurt Deda, i cili tetë vjet më parë u rrëmbye, u dhunua barbarisht në një lagje të kryeqytetit e më pas u dogj me benzinë në zonën e Dajtit.

Gjykata e Apelit, zhbëri dënimin prej 22 vitesh burgim për të pandehurit ku nën akuzë është gruaja, djali i saj në kërkim dhe Gazmend Ngota.

Ky i fundit, shprehet se viktima fshihej prej Luljetës për shkak të një borxhi. “Ne e pamë bashkë me Besmirin dhe ai i thirri në emër duke e marrë në makinë. Kur pyeti Luljetën se çfarë të bënim me të, ajo i tha: “Hiqeni qafe’.”

The post Hiqeni qafe/ Rrëmbeu dhe dogji 61-vjeçarin për 10 mijë euro, lirohet nga burgu Marjeta Karaj appeared first on Albeu.com.

❌
❌