Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 July 2025Main stream

Kurti dhe Limaj takohen,s’dihet nëse kanë arritur ujdi për krijimin e institucioneve

By: b b
19 July 2025 at 18:24

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe udhëheqësi i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, janë takuar të shtunën, më 19 korrik, në një restorant në Prishtinë, raportojnë media në Kosovë, por ende nuk dihet nëse kanë arritur ndonjë marrëveshje për daljen nga ngërçi politik, që do të mundësonte krijimin e institucioneve të reja.

Nga LVV-ja dhe Nisma nuk janë përgjigjur thirrjeve të REL-it për koment.

Më herët gjatë ditës, eksponentët e dy partive konfirmuan se ky takim do të mbahej, por nuk dhanë detaje për të.

Takimi u mbajt teksa po afrohet afati i 26 korrikut – i vendosur nga Gjykata Kushtetuese – për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, deklaroi më herët gjatë së shtunës se partia e saj mban qëndrimin që Limaj të zgjidhet në postin e kryeparlamentarit, ndërkaq LVV-ja si fituese e zgjedhjeve, të drejtojë Qeverinë e re.

Ajo tha se partia e saj e ka ofruar bashkëpunimin, duke thënë se zgjedhja e Limajt në krye të organit ligjvënës nuk është kusht, por mundësi që vendi të dalë nga ngërçi dhe të formohen institucionet e reja.

Artan Abrashi, nga LVV-ja, pas seancës konstituive të Kuvendit, deklaroi se partia e tij është konstruktive, por ka akuzuar partitë e tjera që nuk kanë reflektuar pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Duke folur për takimin Kurti-Limaj dhe mundësinë e një marrëveshjeje, ai tha se “bashkëpunimi nënkupton bashkëqeverisje, pjesëmarrje në bashkëqeverisje”.

Të shtunën, për herë të 49-të deputetët dështuan ta konstituonin përbërjen e re parlamentare.

Deputetët e partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë po kundërshtojnë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke argumentuar se një votim i tillë është jokushtetues.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se nuk do të votojnë për Albulena Haxhiun, të propozuarën e deritanishme të LVV-së për postin e kryeparlamentares, duke kërkuar ndryshimin e propozimit.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë për asnjë kandidatë që do të propozohet nga LVV-ja, partia fituese e zgjedhjeve.

Teksa afati i 26 korrikut po afron, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se nëse nuk ka ndonjë rrugëdalje nga ngërçi institucional, javën e ardhshme do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Kush sa vota i ka?

Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryekuvendarit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.

Deri më tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre./REL

Ra në kontakt me rrymën elektrike e u rrëzua nga skela, humb jetën i riu në Shëngjin

By: b b
19 July 2025 at 18:01

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në plazhin e Shëngjinit, ku një 32-vjeçar ka humbur jetën.

Sipas uniformave blu mësohet se i riu ra në kontakt me rrymën elektrike dhe u rrëzua nga lartësia e një skele.

Mësohet se ngjarja ndodhi rreth orës 16:45, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, pranë bustit “Willson”.

Rreth orës 16:45, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, pranë bustit “Willson”, dyshohet se, si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike, ka rënë nga lartësia e një skele dhe ka humbur jetën shtetasi Z. L., 32 vjeç, banues në fshatin Mërqi, Lezhë”, njofton policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./Opinion.al

INSTAT: Në vitin 2024, rreth 95 mijë ton qumësht, rënie me 6.6%

By: b b
19 July 2025 at 17:38

Në vitin 2024, sektori i blegtorisë në Shqipëri ka pësuar një rënie të konsiderueshme në prodhimin e qumështit dhe të produkteve të tjera të bazuara në bulmet, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT).

Krahasuar me vitin 2023, prodhimi i përgjithshëm i qumështit në vend ka rënë me 6.6%, duke arritur në vetëm 95 mijë tonë, nga të cilat vetëm 12 mijë tonë kanë qenë të destinuara për tregun e konsumit.

Kjo ulje e prodhimit është pasojë e një rënieje të theksuar në numrin e krerëve të bagëtive, një trend që vazhdon të thellohet brenda një dekade të tërë.

Një nga problemet më të mëdha që po përballon blegtoria shqiptare është reduktimi i tufave të lopëve.

Në vitin 2024, numri i lopëve në Shqipëri arriti vetëm në 224 mijë krerë, një rënie prej rreth 137 mijë krerësh në krahasim me dhjetë vjet më parë. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e prodhimit të qumështit, i cili në vitin e kaluar arriti vetëm 75 mijë tonë, ose 6.5% më pak se në vitin 2023.

Një situatë e ngjashme vërehet edhe në prodhimin e mishit, ku oferta vendase po zvogëlohet, duke detyruar tregun të mbështetet gjithnjë e më shumë në importe.

Rënia nuk është e kufizuar vetëm te lopët. Blegtoria e deleve ka pësuar një tkurrje edhe më të madhe, me vetëm 968 mijë krerë të regjistruar në fund të vitit 2024.

Kjo ka sjellë një ulje të prodhimit të qumështit dhe djathit të deleve, me vetëm 12 mijë tonë qumësht dhe 2,200 tonë djathë të prodhuar, ose 5.9% më pak se një vit më parë. Po kështu, numri i dhive ka rënë me afërsisht 210 mijë krerë në krahasim me dekadën e kaluar, duke arritur në vetëm 500 mijë krerë.

Si pasojë, prodhimi i qumështit të dhisë ka arritur vetëm 8 mijë tonë, ndërsa djathi i dhisë ka pësuar një rënie prej 16.8%, duke u kufizuar në vetëm 1,000 tonë.

Këto ndryshime në strukturën e blegtorisë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në treg. Çmimet e produkteve të bulmetit, si djathi dhe qumështi, kanë mbetur të larta, me një kilogram djathë të bardhë që shitet mesatarisht për 900-1100 lekë, ndërsa qumështi për 160 lekë litri.

Mungesa e prodhimit vendas ka bërë që supermarketet dhe dyqanet të mbështeten kryesisht në produkte të importuara, duke reduktuar edhe më tepër praninë e prodhimeve lokale në raftet e shitjes.

Nëse analizohet shpërndarja gjeografike e blegtorisë në Shqipëri, dallohen disa qarqe me përqendrime më të larta të kafshëve.

Për shembull, Fieri dhe Korça janë në krye për mbarështimin e gjedhit, me përkatësisht 14.8% dhe 11.3% të numrit të përgjithshëm të krerëve.

Nga ana tjetër, Vlorë dhe Gjirokastër dallohen për numrin më të lartë të deleve, me 29.3% dhe 14.5% të tufave të përgjithshme të këtij lloji./tvklan

Mbytet anija turistike në Vietnam, humbin jetën 28 persona

By: b b
19 July 2025 at 17:21

Njëzet e tetë persona kanë vdekur, pasi një varkë turistike u përmbys në Vietnam për shkak të motit të keq.

Sipas BBC, mësohet se të paktën 14 persona janë të zhdukur pas incidentit në Gjirin Halong, një destinacion i njohur turistik në veri të vendit.

Shumica e pasagjerëve thuhet se ishin vietnamezë që kishin ardhur nga Hanoi.

Shiu i rrëmbyeshëm ka penguar kërkimin për të mbijetuar, thonë ekipet e shpëtimit.

Në kryeqytetin Hanoi, një valë e fortë moti të keq goditi qytetin rreth orës 16:00 me erëra të fuqishme që shkulën pemë dhe mbushën rrugët me degë e mbeturina.

Reshje të dendura shiu dhe erëra të forta kishin goditur që në mesditë edhe provincën malore Cao Bang dhe provincën bregdetare Quang Ninh, ku ndodhi edhe mbytja tragjike, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Ministria vietnameze e Bujqësisë dhe Mjedisit ka shpallur një alarm urgjent për të gjitha autoritetet në provincat veriore dhe bregdetare, duke kërkuar zbatimin e menjëhershëm të planeve të emergjencës./Opinion.al

SHBA-ja ndërmjetësoi armëpushimin me Izraelin, Siria dislokon trupa në Suveida

By: b b
19 July 2025 at 17:04

Forcat e Ministrisë së Brendshme të Sirisë kanë nisur dislokimin në Suveida, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara që synon të shmangë ndërhyrjen e mëtejme të ushtrisë izraelite në provincën e banuar me shumicë druze.

Izraeli ka bombarduar forcat e ministrisë siriane si në Suveida ashtu edhe në Damask më herët gjatë kësaj jave, me qëllim që të detyrojë forcat që të tërhiqen, pasi i ka akuzuar për ekzekutime dhe abuzime të tjera të civilëve druzë gjatë dislokimi të tyre në këtë provincë jugore.

Që nga java e kaluar, më shumë se 700 persona janë vrarë në Suveida në përplasjet sektare mes druzëve dhe beduinëve sunitë përfshinë edhe qeverinë islamiste në pushtet, Izraelin dhe fise të armatosura nga pjesë të tjera të Sirisë.

Zyra e presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, shpalli një “armëpushim të menjëhershëm” në Suveida, duke u bërë thirrje “të gjitha palëve që ta respektojnë plotësisht”.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me seli në Britani, tha se vullnetarë të armatosur janë dislokuar në mbështetje nga qeveria islamiste.

Luftëtarët druzë thanë se vullnetarët janë kryesisht islamistë.

Marrëveshje mes qeverisë islamiste të Sirisë dhe Izraelit u bë publike nga Uashingtoni të shtunën.

I dërguari amerikan për Sirinë, Tom Barrack, tha se presidenti i përkohshëm sirian al-Sharaa dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, “janë pajtuar për një armëpushim” të negociuar nga SHBA-ja.

Barrack, që është ambasador i SHBA-së në Ankara, tha se marrëveshja mbështetet nga Turqia – mbështetës i al-Sharaas – si dhe nga Jordania.

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndalin luftimet dhe të punojnë drejt paqes.

Administrata amerikane, e cila ka mbajtur anën e Turqisë dhe Arabisë Saudite në krijimin e lidhjeve me presidentin islamist, pavarësisht lidhjeve të tij të mëhershme me Al-Kaidan, kritikoi sulmet ajrore të aleatit të saj izraelit ndaj Sirisë më herët gjatë kësaj jave.

Al-Sharaa, pas njoftimit amerikan, përmes një fjalimi televiziv u zotua se do të mbrojë pakicat etnike dhe fetare në Siri.

“Shteti sirian është i përkushtuar për të mbrojtur të gjitha pakicat dhe komunitetet në vend… Ne i dënojmë të gjitha krimet e kryera” në Suveida, tha ai.

Presidenti i përkohshëm sirian shprehu mirënjohje për “rolin e rëndësishëm të luajtur nga Shtetet e Bashkuara, të cilat edhe njëherë treguan mbështetjen e tyre për Sirinë në këto rrethana të vështira dhe shqetësimin e tyre për stabilitetin e vendit”.

Ai gjithashtu falënderoi Turqinë dhe vendet arabe për mbështetjen e tyre./REL

Tirana vuan për ujë në kulmin e të nxehtit

By: b b
19 July 2025 at 16:44

Është viti 2025 dhe zona të tëra në kryeqendrën e vendit, në Tiranë, furnizohen me ujë përmes autobotëve.

Kjo pasi prej më shumë se një jave, në rubinetët e banorëve nuk rrjedh asnjë pikë ujë.

Banorët thonë se janë kthyer në mesjetë edhe për nevojat më bazike.

“Shkojmë andej nga gardhet për të mbaruar punë, ose futemi nga tre veta për të shtypur butonin e kasetës së tualetit, kjo është ajo që bëjmë ne”, u shpreh një banor.

Pranë çdo banese shikon depozita uji bosh dhe dhjetëra bidonë të blera për konsum të përditshëm.

“U bë një javë që nuk vjen, vjen një orë në darkë dhe nuk mbush as depozita, asgjë. Dikush merr, dikush nuk merr asgjë”, u shpreh dikush.

“U bë gati një javë s’kemi ujë… Kanë ardhur sot me bot dhe po na furnizojnë”, tha një banor tjetër.

“Ne banojmë në lagjen Hajredin Fratari. Një herë në ditë kërkojmë ujë dhe s’kemi ujë”, u shpreh dikush.

Interesimit të TV Klan, UKT iu justifikua duke thënë se shkak janë problemet e shpeshta të amortizimit të rrjetit dhe problemet kërkojnë kohë për zgjidhje. Por ky pretendim hidhet poshtë nga banorët që thonë se kjo situatë është e përsëritur.

“Ne vjet e kemi pasur problem, edhe sivjet prapë problem, nuk vjen. Këtu problem uji ka qenë gjithmonë. “Në verë vetëm”, tha banori.

“Qershor, korrik e gusht nuk kemi ujë”, tha banori tjetër.

Tirana është qyteti me një numër shumë të madh turistësh gjatë këtyre ditëve, por si t’ia bëjnë për ujë qoftë ata që strehohen nëpër hotele apo më keq akoma ata që janë klientë të apartamenteve të shumta që jepen me qira në Airbnb.

Mungesa e ujit në kulmin e sezonit turistik është antireklama më e madhe për turizmin që duam. Dhe sigurisht, një turist që nuk ka ujë për t’u larë, jo vetëm s’ka shans të kthehet më në Shqipëri, por do t’ua përcjellë këtë mungesë jetësore gjithkujt që takon e që mund ta ketë pasur në plan për të vizituar Shqipërinë.

Uji i pijshëm në administrim të bashkive duket se ka dështuar zyrtarisht, ndaj qeveria duhet ta shpallë emergjencë kombëtare furnizimin me ujë nëse nuk duam ta heqim Shqipërinë nga harta turistike e Europës.

Tv Klan

14 mijë leje punësimi për emigrantët/Inspektoriati i Punës: 20% vetëm nga Ballkani

By: b b
19 July 2025 at 16:25

Shqipëria është kthyer në magnet punësimi për vendet e rajonit.

Nga 14 mijë leje pune të dhëna vitin e kaluar, 20 % janë qytetarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Kreu i Inspektoriatit të Punës, Eljo Muçaj thotë se në 99 % të rasteve punojnësit nga Ballkani apo edhe te huaj janë të formalizuar.

“Punëtorët emigrantë janë elementë risku për inspektoriatin, për këtë arsye të gjitha subjektet që kanë punonjës të tillë janë nën mbikëqyrjen e inspektimeve. Përsa i përket të punësuarve nga rajoni këta variojnë në 15-20 % të fuqisë punëtore sidomos në periudha të caktuara përbëhen nga punëtorë nga vendet e Ballkanit.

Në përgjithësi punëtorët emigrantë të cilët janë identifikuar në inspektimet tona janë të formalizuar, kjo për shkak të përfshirjes së disa institucioneve si për dhënien e lejës së punës, por edhe kontrollet në vazhdimësi”, thekson Eljo Muça, kreu i Inspektoriatit të Punës.

Problem mbetet fenomeni i punëtorëve ndërkufitar i cili gjendet më së shumti në të zezë.

“Problemet kryesorë mund të shfaqen në zonat ndërkufitare, pra kemi të bëjmë me ata punëtorë të cilët jetojnë dhe punojnë në një shtet apo shtet tjetër, që quhet fenomeni i punëtorëve ndërkufitar.”

Për shkak të bumit turistik me të cilin po përballet Shqipëria, vendi ynë është kthyer në importues punonjësish nga vendet e tjera, duke mbushur vakancat dhe kërkesat e biznesve kryesisht në hoteleri turizëm./tvklan

U arrestua nga policia e Kosovës, Serbia kërkon lirimin e Popoviqit

By: b b
19 July 2025 at 16:12

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se ka njoftuar Brukselin për ndalimin e zëvendësdrejtorit të kësaj zyreje Igor Popoviq, nga autoritetet e Kosovës një ditë më parë, duke kërkuar “lirimin e menjëhershëm” të tij.

Policia e Kosovës ka njoftuar se Popoviq është dërguar në mbajtje prej 48-orësh dhe i njëjti dyshohet për veprën “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Sipas Policisë së Kosovës, Popoviq gjatë një fjalimi në fshatin Hoqë e Madhe e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.

“Drejtori i Zyrës për Kosovë [në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq] e ka njoftuar menjëherë Brukselin për ndalimin e bashkëpunëtorit të tij dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij, si dhe mbrojtjen nga misionet që veprojnë në territorin e Kosovës”, u tha në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.

Sipas kësaj zyreje, Popoviq kishte marrë pjesë në përvjetorin e vrasjes së serbëve në zonë e Rahovecit nga UÇK-ja, që e cilësoi si organizatë “kriminale”.

“Popoviq është ndaluar për shkak të deklaratës së tij pas përkujtimit, vetëm sepse i ka quajtur me emrin e vërtetë ata që vranë 47 serbë dhe romë dhe që kanë rrëmbyer mbi njëqind njerëz të pafajshëm gjatë korrikut të vitit 1998”, pretendoi kjo zyrë, duke shtuar se me këto veprime Kurti po synon të shkaktojë një krizë të re në terren.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar një ditë më parë se Kosova, si shtet demokratik dhe sovran, nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë e çka më pak të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.

“Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj, siç kanë thënë, pranisë së ndihmësit të Petar Petkoviqit në Kosovë.

Ato, po ashtu, kanë thënë se “çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./REL

Trafiku bllokon Durrësin në pikun e sezonit turistik

By: b b
19 July 2025 at 16:02

Durrësi po përballet me trafik të dendur gjatë këtij sezoni turistik, për shkak të kthimit masiv të emigrantëve dhe fluksit të turistëve të huaj.

Mijëra automjete hyjnë çdo ditë në qytet, duke krijuar radhë dhe vonesa të gjata, sidomos në hyrje-daljet dhe aksin Durrës–Golem–Kavajë, rrugën “Pavarësia” dhe autostradën Tiranë–Durrës.

Një nga pikat më problematike mbetet Unaza Shkozet–Plepa, ku trafiku është kthyer në stres të përditshëm për drejtuesit e automjeteve.

Në një prej kryqëzimeve, semafori qëndron gjatë në të kuqe, duke shkaktuar radhë kilometrike dhe pritje të gjata.

Ekspertët e trafikut sugjerojnë ndërtimin e një nënkalimi si zgjidhje afatgjatë, që do të lehtësonte qarkullimin dhe do të shmangte bllokimin e trafikut, veçanërisht gjatë verës kur fluksi është më i lartë se kurrë.

Por edhe pse kjo është një problematikë e vjetër që shfaqet çdo sezon, autoritetet nuk e vënë ujin në zjarr.

Kur makinat bëhen kapicë e trafiku nuk lëviz, mjaftohen duke nxjerrë dy punonjës policie, sa për të kaluar radhën, ndërkohë që problemi qëndron dhe askush s’bën asnjë për të ideuar apo nisur një projekt të thjeshtë me mbikalim ose nënkalim, për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë trafikut kilometrik në këtë nyje.

Dhe siç pohojnë vetë drejtuesit e policisë, fluksi pritet të mbetet i lartë deri në fund të sezonit.

Për të përballuar situatën, autoritetet po shtojnë masat për menaxhimin e trafikut, ndërsa u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë durim, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin lëvizjet në orët e pikut, për të lehtësuar  qarkullimin.

Të tilla njoftime janë rutinë çdo verë, ndërsa zgjidhjet konkrete për uljen e trafikut mbeten larg./Klan News

Tiranë/ Makina përplas për vdekje 54-vjeçarin me biçikletë

By: b b
19 July 2025 at 00:08

Një aksident me vdekje raportohet të ketë ndodhur në rrugën “Jordan Misja” në kryeqytet.

Sipas njoftimit të policisë, një i ri rreth 27 vjeç ka aksidentuar biçikletën me të cilën lëvizte 54-vjeçari S. Xh.

Si pasojë e dëmtimeve të marra, 54-vjeçari ka humbur jetën në spital. Ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.

“Me datë 18.07.2025, në rrugën “Jordan Misja” automjeti me drejtues shtetasin H. M., rreth 27 vjeç, ka aksidentuar biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi S. Xh., rreth 54 vjeç. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar 54-vjeçari, i cili ka humbur jetën në spital. Ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të metejshme hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Yesterday — 18 July 2025Main stream

Fier/ Po kërkohej prej ditësh nga familjarët, gjendet i pajetë 72-vjeçari

By: b b
18 July 2025 at 22:39

Trupi i një 72-vjeçari, është gjetur i dekompozuar pranë tokave të fshatit Sektor Seman, në Fier. Sipas njoftimit të uniformave blu, paraprakisht nuk janë konstatuar shenja dhune.

Sakaq, ai ishte shpallur në kërkim që prej datës 12 korrik 2025. Ka qenë vëllai i të moshuarit, i cili ka kallëzuar pranë Komisariatit të Policisë Fier, largimin nga banesa e 72-vjeçarit.

Sakaq, grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të vdekjes e të moshuarit.

“Në tokat e fshatit Sektor Seman, është gjetur i dekompozuar, trupi i pajetë i shtetasit M. Sh., 72 vjeç, banues në Fier. Nga kqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune. Ky shtetas është shpallur në kërkim në datë 12.07.2025, nga Komisariati i Policisë Fier, pas kallëzimit të bërë nga vëllai i tij për largim nga banesa. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të vdekjes“, njofton policia.

Fjalimi kundër UÇK, policia e Kosovës arreston ndihmësin e Petkoviçit

By: b b
18 July 2025 at 22:23

Igor Popoviq, përfaqësues i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është arrestuar të premten nga Policia e Kosovës, pas një deklarimi që ka bërë në Rahovec kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raportojnë mediat në Kosovë.

Popoviq është ndihmës i Petar Petkoviqit, shefit të kësaj Zyre në Serbi.

Përgjatë deklarimit të tij, Popoviq e ka quajtur UÇK-në organizatë “terroriste”.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar konfirmim prej Policisë së Kosovës lidhur me raportimet për arrestim, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj, siç kanë thënë, pranisë së ndihmësit të Petkoviqit në Kosovë.

“Ky është mentaliteti i vartësve të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i atij regjimi gjenocidal”, kanë thënë këto organizata përmes një postimi në Facebook.

Ato, po ashtu, kanë thënë se “çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./rel

Trump nënshkruan ligjin për kriptomonedhat

By: b b
18 July 2025 at 22:08

Pak çaste para se të firmoste ligjin e ri për rregullimin e kriptomonedhave, presidenti amerikan Donald Trump falënderoi publikisht një nga një të gjithë ata që kontribuuan në hartimin e të ashtuquajturit ligj GENIUS, duke shtuar me humor të njohurin e tij: “E quajtën kështu për nderin tim”, tha Trump, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

Ai e përshkroi ligjin si “të jashtëzakonshëm” dhe theksoi se është rezultat i një pune të gjatë dhe të përkushtuar:

“Ky është një ligj i fuqishëm… kemi punuar shumë fort për këtë”, deklaroi ai, duke falënderuar të gjithë të përfshirët.

Nënshkrimi i ligjit u shoqërua edhe me mesazhe me nuancë politike dhe ekonomike, ku Trump la të kuptohej se së shpejti do të ketë zhvillime të rëndësishme në tregtinë ndërkombëtare.

“Kur u dërgoj një letër ku thuhet se do të paguajnë 35% ose 40% tarifa doganore, kjo është në vetvete një marrëveshje,” theksoi ai, duke shtuar:

“Pastaj do të na telefonojnë për të parë nëse mund të bëjmë një marrëveshje ndryshe – si për shembull të hapin tregun e tyre për ne.”

Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur kriptomonedhat dhe rregullimi i tyre janë bërë temë e debatit publik dhe ekonomik në SHBA, veçanërisht për rolin që ato mund të luajnë në ekonominë dixhitale të së ardhmes.

 

Rrjetet që përdor Rusia për rekrutim të shtetasve të vet për luftë

By: b b
18 July 2025 at 21:37

Kur presidenti rus, Vladimir Putin e ka urdhëruar atë që e ka quajtur “mobilizim të pjesshëm” të burrave të moshës së lejuar për luftë, shtatë muaj pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022, efekti i vendimit ishte vërejtur nëpër rrugë dhe kufijtë shtetërorë.

Rekrutuesit kanë bastisur zyra, kanë vëzhguar jashtë ndërtesave të banimit dhe stacioneve të trenave, në kërkim të burrave që do të duhej të lajmëroheshin për luftë. Ndërkohë qindra mijëra rusë kanë ikur nga shteti për të shmangur luftën, duke iu bashkuar kështu eksodit të nisur në ditët e para të luftës.

Më vonë Putini duket se ka dashur ta shmangë këtë hap dhe ushtria ruse u është kthyer metodave tjera për të siguruar numrin e nevojshëm të ushtarëve, qoftë përmes rekrutimeve nëpër burgje, apo edhe nëpër qendra të strehimit për të varfrit, ndonëse disa prej këtyre formave janë ilegale.

Në dhjetor të vitit 2023, Skemat dhe Sistema – dy njësi për hulumtime në shërbimet ruse dhe ukrainase të Radios Evropa e Lirë – kanë zbuluar se Redut, një kompani private mercenarësh, që ka dërguar mijëra burra për të luftuar në Ukrainë, është në fakt një entitet i kontrolluar nga shteti, një rrjet rekrutimi që udhëhiqet nga agjencia kryesore e inteligjencës ushtarake të Rusisë, e njohur si GRU.

Një hulumtim i ri i Sistemas tregon se si ushtria e ka zgjeruar rrjetin e vet duke përdorur një sistem alternativ të quajtur Dobrokor – shkurtesë për Dobrovolchesky Korpus (Korpusi i Vullnetarëve) – për t’i joshur të rekrutuarit që mund t’i kundërshtojnë rregullat ose kushtet që i paraqesin agjencia Redut apo Ministria e Mbrojtjes.

Angazhimi në luftë përmes këtyre kompanive, Redut apo Dobrokor, dallon nga nënshkrimi i një kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes. Kontratat me ministrinë zgjaten automakisht deri në përfundim të atij që Rusia e quan “operacion special ushtarak”, që nënkupton se këta ushtarë nuk lirohen derisa të përfundojë lufta. Në kontratat e kompanive mercenare përmenden afatet kohore – zakonisht gjashtë, tetë apo 12 muaj – dhe ato nuk vazhdohen automatikisht.

Mirëpo, këtu ekziston një pengesë potencialisht vdekjeprurëse, pasi ka të dhëna se ushtarët e rekrutuar përmes rrjeteve vullnetare mund të shihen nga pjesëtarët e ushtrisë si mish për top për ushtrinë ruse teksa ajo përparon në fushëbetejë. Deri në verë të këtij viti besohet se Rusia i ka humbur mbi 1 milion ushtarë.

“Këmbësori e dorës së dytë”
Në një bisedë të incizuar me oficerë, e cila ka qarkulluar në fund të vitit të kaluar, Aleksandr Borodai, ligjvënës rus që udhëheq grupin e titulluar Sindikata e Vullnetarëve të Donbasit, ka thënë se ushtarët i shohin vullnetarët si “këmbësori të dorës së dytë”, dhe që detyra e tyre është “dërrmimi i forcës së armikut” sa më shumë që është e mundshme, para se të nisë sulmi i njësiteve të rregullta ushtarake.

Në incizimin e njëjtë, ai iu referohet vullnetarëve si “fuqi punëtore e shpenzueshme”.

Dobrokor dhe Redut udhëhiqen prej GRU-së dhe të dyja rekrutojnë individë me interesa të ndryshme, nisur nga bindjet nacionaliste apo ato ortodokse, të tjerë fokusohen në tifozë futbolli apo grupime tjera. Në faqen e Dobrokorit renditen 27 njësite në total.

Të gjithë burrat e moshave 18-55 dhe gratë e moshave 18-45 mund të anëtarësohen përmes kompanive Dobrokor dhe Redut. Gratë shërbejnë në njësitet mjekësore.

Pagesa nis nga 2.600 dollarë në muaj dhe mund të jetë edhe më e lartë, varësisht nga roli i mercenarit.

Megjithatë, ekziston një dallim i madh mes këtyre dy kompanive. Kompania Redut operon në një zonë gri, gjysmë ligjore – çka i ka të mirat dhe të metat për rusët që anëtarësohen përmes saj.

Më 2023, personat e rekrutuar nga kompania Redut, i kanë treguar Radios Evropa e Lirë se në mesin e përfitimeve përfshihet mundësia për t’u larguar nga lufta edhe para përfundimit të kontratës, pa ndonjë kërcënim për përfundim në gjyq, si dhe pagesat mund të kryhen me para të gatshme, çka mundëson fshehjen e të hyrave nga kreditorët, gjykatat apo qeveria.

Kompania Redut është krijuar “që njerëzit të mund t’iu shmangen taksave apo ndonjë pagese në gjykatë”, ka thënë një rekrut për Sisteman në atë kohë.

Mënyra më e lehtë për t’iu bashkuar ushtrisë është përmes kompanisë Redut. Kërkesat për kontrolle shëndetësore dhe mirëqenie në përgjithësi, janë shumë fleksibile dhe nuk ka ndonjë barrierë nëse dikush ka ndonjë rast të hapur në gjyq.

Por, ekzistojnë edhe të metat nga rekrutimi përmes saj. Rekrutët nuk mund të përfitojnë nga bonueset rajonale, e që janë të konsiderueshme dhe mund të jetë shumë e vështirë për veteranët apo të mbijetuarit që të sigurojnë pensione për ndonjë paaftësi apo vështirësi tjera.

‘Inekzistent’
Një vullnetar i rekrutuar përmes sistemit Dobrokor e ka statusin e një anëtari në shërbim ushtarak dhe atij i garantohen të gjitha pagesat sociale, ka treguar një i rekrutuar në njësitin e ashtuquajtur Nevsky, në disa përgjigje për Sisteman.

Ai ka thënë se nëse dikush angazhohet përmes kompanisë Redut, në aspektin ligjor ai person “nuk ekziston”.

“Nuk i ofrohet hospitalizim, as rehabilitim, asgjë”.

Për qëllime të këtij artikulli, gazetarët e Sistemas i kanë telefonuar kompanitë rekrutuese përmes kontakteve publike.

Nëse një rekrut anëtarësohet përmes Dobrokorit, ai konsiderohet më i sigurt dhe ka qasje në përfitime dhe bonuse. Mirëpo, për dallim prej kompanisë Redut, një rekrut i Dobrokorit nuk mund të tërhiqet edhe para se t’i skadojë kontrata pa rrezikuar ndonjë pasojë, përfshirë padi penale për dezertim.

“Nuk mund të ikësh – të paktën jo pa telashe”, ka treguar Irina, një e rekrutuar, në disa përgjigje për Sisteman.

Deri në muajin maj, prokurorët ushtarakë kanë dërguar në gjykatat ruse më shumë se 20.000 raste të dezertimit, të cilat datojnë prej ditëve të para të luftës, ka raportuar platforma në gjuhën ruse Mediazona.

Bonuset për të rekrutuarit përmes kompanisë Dobrokor janë më të vogla sesa ato për ata që shkojnë përmes Ministrisë së Mbrojtjes, ku përfitimet mund të shkojnë në deri 46.000 dollarë.

“Burra prej rajoneve të ndryshme shkruajnë ‘bonusi këtu është 1.280 dollarë, këtu është 640 dollarë”, ka treguar një i rekrutuar në njësitin e mercenarëve Vostok, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Përveç kompanive Dobrokor dhe Redut, Ministria e Mbrojtjes e ka krijuar edhe një tjetër kanal rekrutimi, BARS.

Disa organizata rekrutimi, sikurse Sindikata e Vullnetarëve të Donasit, i mbledhin rekrutët përmes këtyre tri sistemeve.

Një tjetër dallim mes kompanive Redut dhe Dobrokor: të rekrutuarit përmes Dobrokorit pajisjen me uniforma dhe gjëra tjera bazike, ndërsa ata të kompanisë Redut “me asgjë”, ka thënë një i rekrutuar në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Të paktën jo në fillim. Të rekrutuarit përmes kompanisë Redut kanë thënë se u jepet një kompensim prej 640 dollarëve për blerjet që i kanë bërë, dhe atë në muajin e tretë të shërbimit ushtarak – nëse janë gjallë deri atëherë./rel

SHBA refuzon paktin e OBSH-së për përgjigje ndaj pandemive

By: b b
18 July 2025 at 21:13

Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar një marrëveshje të miratuar nga pjesëtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për t’i avancuar përgatitjet për pandemitë e radhës, pas një përgjigjeje të çrregullt globale për pandeminë koronavirusit, ka bërë të ditur Qeveria amerikane.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe Departamenti amerikan i Shëndetësisë kanë thënë përmes një deklarate se e kanë transmetuar edhe zyrtarisht refuzimin amerikan për të zbatuar paktin, i cili është miratuar në muajin maj në Gjenevë, pas tre vjetësh negociata.

Pakti synon të garantojë që ilaçet, terapitë dhe vaksinat të jenë të qasshme në gjithë botën, në rast të ndonjë pandemie tjetër.

Dokumenti u kërkon kompanive prodhuese pjesëmarrëse që të garantojnë se 20 për qind e vaksinave, ilaçeve dhe testeve do të ndahen për OBSH-në gjatë një pandemie, në mënyrë që vendet e varfra të kenë qasje në to.

Negociatorët amerikanë i kanë braktisur këto negociata pasi presidenti amerikan, Donald Trump e ka nisur një proces 12-mujor për largim të SHBA-së nga kjo agjenci, pak pasi e ka nisur mandatin e ri presidencial.

SHBA-ja është mbështetësja më e madhe financiare e OBSH-së.

“Terminologjia e përdorur në amendamentet e vitit 2024 është e zbehtë dhe e përgjithshme, duke rrezikuar përgjigjen ndërkombëtare të koordinuar të OBSH-së që fokusohet në çështjet politike sikurse solidariteti, dhe jo në veprime të shpejta dhe efektive”, është thënë në deklaratën e lëshuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.

“Ka një plan për Thethin”, Mazniku: Synohet zhvillimi i zonës nga banorët, por…

By: b b
18 July 2025 at 20:58

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku në lidhjen direkte në Klan News, me gazetarin, Besard Jacaj, është ndalur edhe tek situata në Theth.

Mazniku shprehet i keqardhur për situatën e krijuar atje, ku teksa u pyet nëse ka qenë më përpara në dijeni të ndërtimeve pa leje në këtë zonë, ministri theksoi se shumica e ndërtimeve në Theth kanë qenë muajt e fundit.

“Unë ka qenë në të gjitha Bashkitë, por jo në të gjitha njësitë administrative. Nuk pata mundësi të shkoj në Theth. Më vjen keq për këtë, por është shpjeguar qartësisht që një pjesë e madhe e ndërtimeve janë në muajt e fundit. Së pari unë besoj që çdo qytetar ka të drejtën të shprehë mendimin e tij, por unë besoj që kur ligji flet dhe thotë për faljen e gjobave dhe thotë për faljen e gjobave nga kjo periudhë në këtë periudhë dhe nuk thotë që të vazhdohet. Premtimi ishte që kush është gjobitur gjatë kësaj kohe, këto gjoba jo vetëm në Theth, por në të gjithë Shqipërinë do të falen. E dyta kryeministri ka thënë që të gjitha ndërtesat që janë këtu prej vitesh do të legalizohen dhe janë legalizuar. 300 e kusur ndërtesa në Theth u legalizuan me iniciativën e kryeministrit. Kjo nuk ishte arsye që ata të ndërtonin në çdo hapësirë të mundshme. Unë besoj që tentativa për të bashkuar këto mesazhe nuk bën sens”, tha Mazniku.

Ndërkohë se çfarë do të ndodhë me Thethin tashmë pas shembjeve, ministri Mazniku shprehet se qeveria ka një plan specifik zhvillimor që synon të shohë mënyrën më të mirë për zhvillimin e kësaj zone.

“Padyshim që ka një plan specifik zhvillimor për Thethin që është duke u zhvilluar që synon të shohë mënyrën më të mirë për zhvillimin e Thethit dhe të jetë një destinacion turistik i mirë dhe padyshim edhe Paketa e Maleve vlen për zhvillimin jo vetëm të Thethit, por edhe të gjithë maleve të Shqipërisë. Synimi jonë nuk duhet të jetë se si të bëjmë 100 gjëra më shumë në Theth, por duhet të jetë se si të bëjmë 100 Thethe të ndryshme në Shqipëri që turistët të kenë mundësi të shpërndahen edhe në zonat malore”, tha Mazniku.

Sa i takon investimeve nga investitorë të huajt në Theth, Mazniku shprehet se nuk ka një informacion të tillë dhe se synimi kryesor është investimi dhe zhvillimi nga banorët e zonës që përfituesit të jenë ato, por në përputhje me rregullat.

“Jo nuk kam informacion të tillë se synimi i jonë do të jetë në mënyrë të vazhdueshme që kjo zonë të jetë në zhvillim nga banorët e zonës dhe përfituesit të jenë banorët e zonës, por ama ky duhet të jetë një zhvillim në përputhje me planet, urbanistikën, lëvizshmërinë, lidhjen me rrjetin e ujrave të pijshëm etj”, theksoi ministri.

Ndryshimet në pushtetin vendor,Mazniku e lidh me integrimin në BE: Bashkitë duhet…

By: b b
18 July 2025 at 20:34

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku ka theksuar rëndësinë e pushtetit vendor në të gjitha çështjet e zhvillimit të vendit.

Në një lidhje direkte në Klan News me gazetarin Besard Jacaj, Mazniku lidhur me shkarkimet masive dhe riorganizimin nëpër bashkitë e vendit e ka lidhur me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe nevojën e bashkive për të qenë gati për kalimin me sukses të këtij procesi.

“Së pari pasi ne kemi nevojë t’iu japim një zhvillim të ri vendit. Padyshim një pjesë e rëndësishme e reformave ndodhin nga pushteti vendor dhe prandaj është e rëndësishme që dhe pushteti vendor të ristrukturohet në linjë me ato sfida që vendi ka përpara. Kemi parasysh që ne jemi në një fazë të negociatave të numrit më të madh të negociatave dhe brenda vjeshtës do të kemi të hapura të gjitha kapitujt që synojmë t’i mbyllim deri në 2027. Kjo përkon që të gjitha bashkitë të jenë gati për këtë proces, pasi një pjesë jo e vogël e ndërveprimit të BE me Shqipërinë në fakt zbatohet në nivel vendor dhe bashkitë duhet të jenë në një nivel më të lartë angazhimi, funksionimi, strukturimi dhe gadishmërie për t’u shërbyer qytetarëve të vendit.Kjo ka qenë ai mesazhi kryesor që një seri momentesh të ndryshme që kryeministri ka përcjellë gjatë kësaj kohe, për t’i dhënë mundësi bashkive që të jenë në një ton të ri dhe mënyrë të re se si ju shërbejnë qytetarëve”, theksoi Arbjan Mazniku.

Ndërsa sa i përket kërkesave të Ramës për dorëheqje të drejtorëve, Mazniku nuk e quan një ndërhyrje të pushtetit qendror. Sa i përket drejtorëve që kanë dhënë dorëheqjen, ministri thekson se është qartësuar që ato janë të mirëpritur që të rikandidojnë në këto procese.

“Këto janë të gjithë, organizim i cili nuk është aq shumë organizim midis qeverisë dhe pushtetit qendror se sa është mes kryetarit të Partisë Socialiste dhe 55 kryetarëve të bashkisë të zgjedhur që janë të PS. Padyshim kur PS ka nevoje për një riorganizim dhe padyshim nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje por me një riorganizim. Kryetarët janë emërime të kryetarit dhe është mëse normale që PS të ristrukturohet dhe të riorganizohet. Nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje të mënyrës se si organizohen nga na administrative, por kemi të bëjmë me një riorganizim që në nivel politik PS ka të gjithë të drejtën të riorganizohet që tu shërbejë më mirë qytetarëve”, tha Mazniku.

Lidhur me Akademinë e Pushtetit Vendor që pritet të drejtohet nga ai, Mazniku shprehet se kjo është një strukturë që ka qenë një angazhim i vjetër i qeverisë. Ministri thekson se ajo do të jetë një strukturë që ndihmon bashkitë për aftësimin e tyre.

“Është një strukturë që ka qenë një anazhim i vjetër i qeverisë. Një strukturë që ndihmon stafet e bashkive për aftësimin e tyre për çështje të ndryshme të përditshmërisë. Të gjitha punët që bashkitë bëjnë ne na rezulton që ne kemi mungesa kapaciteti dhe kemi nevojë që të ndajmë eksperiencat më të mira me njëri-tjetrin. Kjo strukturë do të përzgjedhi më të mirët në një fushë të caktuar dhe nëse ka një person më të mirë, ai person do të bëhet trajneri për njerëzit e tjerë në bashkitë e tjera. Ky është mekanizëm që synon që aftësitë më të mira nga vendet partnere si Zvicra, Austria, Holanda të marrim edhe atje aftësitë më të mira në mënyrë që të kemi kapacitetet më të mira dhe për të zhvilluar zonat ku ato janë”, theksoi Mazniku./tvklan.al

Mbytja e dy vëllezërve të mitur në lumin Shkumbin, policia ndan detajet e para

By: b b
18 July 2025 at 20:27

Policia e Elbasanit ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në fshatin Labinot fushë, ku dy të mitur u mbytën aksidentalisht në ujërat e lumit Shkumbin.

Sipas policisë, të miturit ishin përkatësisht të moshës 7 e 9 vjeç dhe ishin vëllezër me njëri-tjetrin.

Blutë njoftojnë se trupat e pajetë po transportohen për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërkohë që grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave.

Njoftimi i policisë:

Elbasan/Informacion paraprak

Në fshatin Labinot fushë, dyshohet se janë mbytur aksidentalisht në lumin Shkumbin dy fëmijë të moshës 7 dhe 9 vjeç (vëllezër).

Trupat e pajetë po transportohen për ekspertizë mjeko-ligjore.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave.

WhatsApp duhet të përgatitet “për largim” nga tregu rus

By: b b
18 July 2025 at 20:10

Aplikacioni për mesazhe, WhatsApp mund të bllokohet shumë shpejt në Rusi, teksa ligjvënësit ashpërsojnë kufizimet ndaj platformave digjitale prej “shteteve armiqësore”.

“Është koha që WhatsApp të përgatitet për t’u larguar nga tregu rus”, ka thënë Anton Gorelkin, zëvendësudhëheqs i Komitetit të Dumas për Politika të Informacionit, përmes një shkrimi në Telegram.

Aplikacioni në pronësi të gjigantit Meta pritet të shtohet në listën e aplikacioneve të ndaluara për shkak të lidhjeve me shtetet perëndimore, ka thënë ai.

Pas një dekreti të nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin më 2021, Qeveria ruse ka nisur të përpilojë një listë të “shteteve armiqësore”, duke përfshirë fillimisht Shtetet e Bashkuara dhe Republikën Çeke.

Lista është zgjeruar pas luftës në Ukrainë, duke e inkuadruar gjithë Bashkimin Evropian. Në qershor, Parlamenti rus e ka miratuar një ligj për krijim të një aplikacioni shtetëror për mesazhe.

Atëbotë është thënë se shërbimet qeveritare duhet të përfshihen në këtë aplikacion mesazhesh që mund të quhet Max.

Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, tre vjet më parë, Moska e ka rritur në mënyrë të konsiderueshme censurën dhe kontrollin mbi internetin.

Të enjten, Parlamenti e ka miratuar një legjislacion të ri që e bën të dënueshëm me 64 dollarë çdo kërkim të përmbajtjes në internet, të cilën autoritetet e klasifikojnë si “ekstremiste”.

Platformat që i kritikojnë elitat përfshirë Fondacionin kundër Korrupsionit, të themeluar nga lideri i ndjerë opozitar, Aleksei Navalny, janë në mesin e faqeve të shënjestruara.

Deri më tani në Rusi nuk ka ekzistuar një rregullore që ndalon kërkimin e lirë të informacionit në internet, pasi shumë uebfaqe të mediave të pavarura dhe atyre perëndimore, janë të bllokuara.

Elbasan/ Ishin duke ruajtur bagëtitë, mbyten dy fëmijë në lumin Shkumbin

By: b b
18 July 2025 at 19:51

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Labinot-Fushë të Elbasanit, ku dy të mitur kanë humbur jetën pasi u mbytën në rrjedhën e lumit Shkumbin.

Sipas informacioneve paraprake, fëmijët ndërsa ruanin bagëtitë së bashku me një familjare të tyre kishin hyrë në ujë për t’u larë, por rrjedha e fortë dhe mungesa e sigurisë bënë që ata të mos arrinin të dilnin më në breg.

Banorë të zonës dhe forcat e emergjencës që mbërritën aty u përpoqën t’i ndihmonin, por fatkeqësisht, trupat e pajetë të të miturve u gjetën pak më vonë në një kanal të lumit më poshtë, raporton gazetari Fatos Salliu.

Ngjarja ka tronditur gjithë zonën , ndërsa familjarët ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike të afërm e bashkëfshatarë të viktimave .

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie. Praprakisht raportohet se viktimat ja vëllezër 8 dhe 10 vjeç.

 

❌
❌