Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 July 2025Main stream

SIRI – Trupat qeveritare dislokohen në Sweida, pas dhunës së përgjakshme

19 July 2025 at 13:23

DAMASK, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Forcat qeveritare siriane nisën sot dislokimin e tyre në provincën jugore të Sweidas, pas disa ditësh dhune të përgjakshme sektare, bëri të ditur një zyrtar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nour al-Din al-Baba tha se kjo kishte për qëllim mbrojtjen e popullsisë civile.

“Forcat e sigurisë do të përdorin të gjitha kapacitetet e tyre për të ndalur sulmet, përleshjet dhe për të rikthyer stabilitetin në provincë”, shtoi ai, sipas televizionit shtetëror sirian “al-Ekhbariya”.

Sweida është përfshirë nga përleshje të ashpra mes fraksioneve druze dhe beduinëve sunitë, me raportime për mizori ndaj civilëve.

Presidenca siriane shpalli sot një armëpushim “të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës” në Sweida.

Në një deklaratë, presidenca u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen plotësisht ndaj armëpushimit dhe të ndalin menjëherë luftimet në të gjithë provincën me shumicë druze.

Gjithashtu, u konfirmua se forcat e sigurisë kanë nisur vendosjen në disa zona të provincës për të siguruar zbatimin e armëpushimit.

“Presidenca u bën thirrje të gjithëve të hapin rrugën për shtetin sirian dhe institucionet e tij që të zbatojnë këtë ndalim të përleshjeve me përgjegjësi, në mënyrë që të forcohet stabiliteti dhe të ndalet gjakderdhja”, thuhej më tej në deklaratë./   /Ad.Ab./

The post SIRI – Trupat qeveritare dislokohen në Sweida, pas dhunës së përgjakshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Mattarella & Meloni: Italia nuk do ta harrojë kurrë Borsellinon

19 July 2025 at 12:34

ROMË, 19 korrik /ATSH-ANSA/ – Masakra e Via D’Amelio ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë italiane dhe vdekja e Paolo Borsellinos dhe e punonjësve të tij të sigurisë u urdhërua nga mafia për të minuar institucionet demokratike dhe për të vazhduar në mënyrë subversive planin e frikësimit, deklaroi sot presidenti italian, Sergio Mattarella.

“Demokracia ishte më e fortë. Vrasësit dhe nxitësit e tyre u mundën dhe u dënuan. Në këtë ditë përkujtimi, emocioni për jetët e humbura mizorisht dhe afërsia me familjet e viktimave mbetet po aq intensive sa 33 vite më parë. Ndjenja e mirënjohjes ndaj atyre shërbëtorëve të shtetit që, me përkushtim dhe sakrificë, luftuan kancerin e mafias, duke mbrojtur lirinë dhe ligjshmërinë, duke i mundësuar shoqërisë të përgjigjet, është e përjetshme’’, theksoi ai.

“Tridhjetë e tre vjet pas masakrës së Via D’Amelio, ne kujtojmë Paolo Borsellinon, një njeri që sakrifikoi jetën e tij për të vërtetën, për drejtësinë, për Italinë’’, shkroi në X kryeministrja italiane, Giorgia Meloni duke theksuar se si kjo kujtesë do të çohet përpara çdo ditë.

“Shembulli i tij jeton tek ata që çdo ditë, shpesh larg vëmendjes, luftojnë për një Itali më të drejtë, të lirë nga mafia, nga korrupsioni, nga frika. Nuk ka liri pa drejtësi, nuk ka shtet pa ligjshmëri’’, shtoi ajo.

“Shumë magjistratëve, oficerëve të zbatimit të ligjit dhe shërbëtorëve të shtetit që zgjodhën guximin, madje edhe me koston e jetës së tyre, u detyrohemi mirënjohje dhe respekt. Ata kanë hapur një shteg që nuk mund të harrohet. Kjo dëshmi është ende e fortë. Dhe ne do ta çojmë përpara çdo ditë, me respekt, me vendosmëri, me dashuri për kombin tonë. Në kujtim të Paolo Borsellinos dhe të atyre që nuk e ulën kurrë kokën”, përfundon Meloni./ /Ad.Ab/

The post FOKUS – Mattarella & Meloni: Italia nuk do ta harrojë kurrë Borsellinon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Zelensky: Rusia kreu mbi 300 sulme ajrore gjatë natës

19 July 2025 at 11:37

KIEV, 19 korrik  /ATSH-DPA/ – Forcat ruse kanë kryer më shumë se 300 sulme me dronë dhe mbi 30 sulme me raketa ndaj qyteteve ukrainase gjatë natës, bëri të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram.

Zelensky publikoi foto që tregonin dëmet në një bllok banimi në Odessa, pranë Detit të Zi, ku sipas raportimeve zyrtare, një person ka humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.

Sipas tij, rajonet Dnipropetrovsk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia janë goditur nga sulmet, ndërsa infrastruktura kritike është shkatërruar në Sumy, duke lënë mijëra familje pa energji elektrike.

“Në qiell ka ende dronë”, tha Zelensky, duke shtuar se mbrojtja ajrore ukrainase po i rrëzon dhe se shërbimet emergjente janë në veprim.

Në qytetin Pavlohrad të rajonit Dnipropetrovsk, një bllok banimi dhe objekte infrastrukturore të rëndësishme janë dëmtuar rëndë. Zelensky e përshkroi situatën si shumë të rëndë.

Guvernatori ushtarak rajonal Serhiy Lysak e quajti një “natë ferri” dhe tha se ishte sulmi më i rëndë deri më tani ndaj qytetit, i cili ndodhet në lindje të Dnipro-s.

“Një shpërthim pas tjetrit. Terroristët rusë sulmuan me raketa dhe dronë”, shkroi ai në Telegram.

Numri i sulmeve ishte ndjeshëm më i lartë se ditët e fundit, ndërsa Moska nuk u ndikua aspak nga një raund i ri sanksionesh të Bashkimit Evropian të miratuara të premten.

Zelensky përsëriti thirrjen e tij ndaj aleatëve të Ukrainës për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore.

Ai theksoi nevojën për objekte për prodhimin e përbashkët të armëve, investime në prodhimin e dronëve dhe furnizimin me sisteme mbrojtëse ajrore.

“Të gjitha këto do të shpëtojnë jetë dhe janë veçanërisht të nevojshme për Ukrainën tani”, shtoi ai.

Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt 2022./ /Ad.Ab./

The post UKRAINË – Zelensky: Rusia kreu mbi 300 sulme ajrore gjatë natës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Kundërshtohet në masë ndalimi i partisë së ekstremit të djathtë AfD

19 July 2025 at 10:57

BERLIN, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Gjermanët kundërshtojnë gjerësisht ndalimin e partisë së djathtë ekstreme ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD) me një shumicë prej 52% kundër dhe vetëm 27% në favor, sipas një sondazhi të ri përfaqësues të publikuar sot nga instituti i sondazheve ”Allensbach”.

Sipas studiuesve, arsyet për këtë kundërshtim janë të ndryshme.

Thirrjet për të nisur procedurat për ndalimin e partisë u shtuan pasi shërbimi federal i zbulimit të brendshë federale e klasifikoi AfD-në si një “organizatë të konfirmuar ekstremiste të djathtë”, çka i jep më shumë kompetenca për ta monitoruar atë.

Megjithatë, ky klasifikim është pezulluar përkohësisht, pasi AfD-ja e ka çuar çështjen në gjykatë.

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë është autoriteti përfundimtar në çdo vendim për ndalimin e një partie. Një kërkesë për ndalim mund të bëhet vetëm nga qeveria federale ose nga njëra prej dy dhomave të parlamentit.

AfD-ja, e njohur për retorikën e saj kundër emigrantëve, kundër myslimanëve, euroskeptike dhe nacionaliste, ka qenë një pikë përplasjesh në politikën gjermane për më shumë se një dekadë.

Në vitet e fundit, ajo ka fituar terren duke përfituar nga pakënaqësitë ekonomike dhe shqetësimet publike në rritje për emigracionin, dhe është tashmë partia më e madhe opozitare në Gjermani./   /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Kundërshtohet në masë ndalimi i partisë së ekstremit të djathtë AfD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Barrack: Siria dhe Izraeli kanë rënë dakord për armëpushim

19 July 2025 at 09:26

UASHINGTON, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Siria dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim, sipas të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Sirinë, Thomas Barrack.

Përplasjet mes beduinëve sunitë dhe komunitetit druz janë përshkallëzuar në ditët e fundit, kryesisht në qytetin Suvejda, ku shumica e popullsisë është druze.

Ushtria siriane është vendosur në zonë dhe mbi 500 persona kanë humbur jetën nga dhuna.

Izraeli ndërmori të mërkurën sulme ajrore ndaj disa objektiva ve në Damask, duke deklaruar se qëllimi ishte mbrojtja e pakicës druze, të cilët i cilësoi si aleatë.

Shumë pjesëtarë të komunitetit druz shërbejnë vullnetarisht në ushtrinë izraelite.

Barrack tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti sirian Ahmed al-Sharaa, me mbështetjen e sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, kishin rënë dakord për një armëpushim që është “përqafuar” nga Turqia, Jordania dhe vendet fqinje.

“U bëjmë thirrje druzëve, beduinëve dhe sunitëve të ulin armët dhe, së bashku me pakicat e tjera, të ndërtojnë një identitet të ri dhe të bashkuar sirian, duke ndërtuar paqe dhe mirëqenie me fqinjët e tyre”, tha Barrack./   /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Barrack: Siria dhe Izraeli kanë rënë dakord për armëpushim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump padit WSJ-në në lëvizjen më të fundit ligjore kundër medias amerikane

19 July 2025 at 09:12

UASHINGTON, 19 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump paditi dje në mbrëmje gazetën ”Wall Street Journal” (WSJ) për një artikull që ajo publikoi lidhur me një letër të dyshuar nga Trump drejtuar të dënuarit për sulme seksuale, Jeffrey Epstein.

WSJ raportoi se një letër me firmën e Trump ndodhej në një album që Epstein kishte marrë në 50-vjetorin e tij, në vitin 2003.

Sipas WSJ, letra ishte shtypur brenda konturit të një gruaje të zhveshur.

Trump e quajti artikullin e gazetës ”të pavërtetë, dashakeq dhe shpifës”, në një postim në rrjetin e tij social.

Padia, e ngritur kundër botuesit të WSJ, Dow Jones, kompanisë mëmë “News Corp”, pronarit Rupert Murdoch, drejtorit ekzekutiv Robert Thomson dhe dy gazetarëve, kërkon të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim.

“Kjo padi është ngritur… në emër të të gjithë amerikanëve që nuk do të tolerojnë më abuzimet e mediave të rreme”, shkroi Trump.

Trump sulmon shpesh median dhe ka ndërmarrë më parë veprime ligjore ndaj saj./   /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump padit WSJ-në në lëvizjen më të fundit ligjore kundër medias amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 18 July 2025Main stream

GJERMANI – Policia arreston një libian të dyshuar për krime lufte

18 July 2025 at 15:55

POTSDAM, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Policia federale në Gjermani ka arrestuar një shtetas libian, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë.

”I dyshuari u ndalua në aeroportin e Berlin Brandenburgut pas një kërkese nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”, tha  sot një zëdhënës i zyrës së prokurorit Publik të Brandenburgut.

Gjykata në Hagë konfirmoi arrestimin.

Khaled Mohamed Ali El Hishri dyshohet për krime të rënda lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, tortura dhe përdhunim.

Gjykata tha se Ali dyshohet se ka qenë anëtar i administratës së burgut ”Mitiga”, ku, sipas aktakuzës, mbaheshin mijëra të burgosur.

Ai ka keqtrajtuar personalisht të burgosurit midis viteve 2015 dhe 2020 ose se ka dhënë urdhra për ta bërë këtë.

I dyshuari  aktualisht ndodhet  ende në Gjermani dhe do të transferohet në Gjykatën e Hagës./  /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Policia arreston një libian të dyshuar për krime lufte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – DASH u kërkon ambasadave amerikane të frenojnë komentet ndaj zgjedhjeve në vendet e huaja

18 July 2025 at 14:00

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH/ – Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) po tërhiqet nga komentet apo kritikat për zgjedhje të ndryshme jashtë SHBA-së, përveç se kur ka një interes të qartë dhe bindës të politikës së jashtme amerikane për ta bërë këtë, sipas AP.

Në udhëzimet e reja të lëshuara dje në mbrëmje për të gjitha ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së jashtë vendit, DASH-i tha se këto zyra duhet të përmbahen nga lëshimi i deklaratave që përmendin ndonjë ideologji të veçantë dhe se ajo që mund të thonë duhet të jetë në përputhje me qëndrimin e deklaruar të presidentit Donald Trump se ”SHBA-ja do të respektojë sovranitetin e të gjitha kombeve të huaja”.

“Në përputhje me theksin e administratës mbi sovranitetin kombëtar, departamenti do të komentojë publikisht mbi zgjedhjet vetëm kur ka një interes të qartë dhe bindës të politikës së jashtme të SHBA-së për ta bërë këtë”, sipas kabllogramit, një kopje e të cilit u pa nga Associated Press.

Për shume dekada, Departamenti i Shtetit ka lëshuar deklarata shumë kritike ose ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të caktuara, veçanërisht në vendet autoritare.

Kjo po ndryshon, pasi administrata Trump ka theksuar një qasje të politikës së jashtme “Amerika e para” të përqendruar në interesat e SHBA-së.

”Kur është e përshtatshme të komentojmë për zgjedhjet e huaja, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i përqendruar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, në shënimin e interesave të përbashkëta të politikës së jashtme”, thuhej në kabllogram.

Në dokument, i cili u nënshkrua nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe u raportua për herë të parë nga ”Wall Street Journal”, theksohej se ”mesazhet duhet të shmangin shprehjen e mendimeve mbi drejtësinë ose integritetin e një procesi zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike të vendit në fjalë”.

Në të kaluarën, komentet amerikane që vinin në pikëpyetje ose kritikonin zgjedhjet brenda vendit shpesh kanë mbështetur gjetjet nga grupe të ndryshme të monitorimit të zgjedhjeve, të tilla si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ose institucione me bazë në SHBA si qendra ”Carter”, Instituti Kombëtar Demokrat dhe Instituti Ndërkombëtar Republikan.

Kabllogrami i Departamentit të Shtetit tha se amplifikimi i gjetjeve të grupeve të jashtme ose denoncimi i parregullsive zgjedhore mund të bëhet vetëm me lejen e zyrtarëve të lartë në Uashington./   /Ad.Ab./

The post SHBA – DASH u kërkon ambasadave amerikane të frenojnë komentet ndaj zgjedhjeve në vendet e huaja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Merz: Duhet ta pranojmë Brexit-in, pavarësisht dëshirave

18 July 2025 at 13:44

LONDËR, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se do të kishte votuar ”jo” në referendumin e Brexit-it nëse do të ishte britanik, por, sipas tij, duhet ta pranojmë që Britania e Madhe nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian.

Merz nënshkroi dje një marrëveshje me BM-në e cila premton të ”forcojë sigurinë euroatlantike” dhe gjithashtu mund të lirojë vizitat e shkëmbimit të shkollave dhe portat elektronike të pasaportave.

Marrëveshja, që do të njihet si Traktati i Kensington-it, u nënshkrua me kryeministrin britanik Keir Starmer në muzeun V&A në Londër, dhe u nënshkrua gjithashtu nga sekretari i Jashtëm David Lammy dhe homologu i tij gjerman, Johann Wadephul.

Berlini ra dakord vitin e kaluar ta bënte lehtësimin e kontrabandës së emigrantëve në BM një vepër penale në një veprim që do t’u japë zbatuesve të ligjit më shumë kompetenca për të hetuar furnizimin dhe ruajtjen e anijeve të vogla që do të përdoren për kalimet e kanalit te La Manshit.

”Propozimet që do të nënkuptojnë sekuestrimin e anijeve të vogla janë një shenjë e qartë se ne jemi seriozë”, tha Starmer.

I pyetur nëse i mungon Britania e Madhe në zemër të BE-së, Merz i tha programit “Today” të BBC Radio 4 se “po. Ne kishim të njëjtat mendime në kaq shumë çështje politike, dhe nëse do të isha një britanik, një qytetar britanik, do të kisha votuar për të qëndruar”.

“Por kjo ka ndodhur tani dhe ne duhet ta pranojmë këtë. Ne duhet të punojmë për këtë, dhe kjo është një nga arsyet pse jam këtu sot për të nënshkruar këtë traktat me BM-në dhe Gjermaninë mbi miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë”, shtoi Merz./  /Ad.Ab./

The post BM – Merz: Duhet ta pranojmë Brexit-in, pavarësisht dëshirave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SKOCI – Trump në vizitë zyrtare, sërish takim me Starmer

18 July 2025 at 12:21

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të udhëtojë në Skoci javën e ardhshme, konfirmuan zyrtarë në Uashington.

”Trump pritet të shkojë në Turnberry  dhe Aberdeen nga 25 deri më 29 korrik”, tha zëdhënësja e tij Karoline Leavitt.

“Gjatë vizitës, presidenti Trump do të takohet përsëri me kryeministrin Keir Starmer për të rafinuar marrëveshjen tregtare që u ndërmjetësua mes Shteteve të Bashkuara  të  Amerikës dhe Britanisë së Madhe”, shtoi Leavitt.

Marrëveshja me BM-në  ishte e para me një partner të madh tregtar që nga vendosja gjithëpërfshirëse e tarifave nga Trump në fillim të prillit dhe mbetet një nga të paktat deri më sot.

Leavitt konfirmoi gjithashtu udhëtimin e Trump të njoftuar më parë në BM nga 17 deri më 19 shtator.

”Gruaja e tij, Melania do ta shoqërojë atë në këtë vizitë të dytë shtetërore vërtet të pashembullt”, shtoi ajo.

”Presidenti amerikan është i nderuar dhe mezi pret të takohet me mbretin Charles III në Windsor”, tha Leavitt.

Gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, në fund të shkurtit, Starmer i paraqiti Trump një ftesë nga mbreti Charles III për një vizitë shtetërore./  /Ad.Ab./

The post SKOCI – Trump në vizitë zyrtare, sërish takim me Starmer appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Sanksionet e reja kundër Rusisë të mirëpritura

18 July 2025 at 11:40

KIEV, 18 korrik /ATSH-ANSA-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mirëpriti paketën e 18-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë duke e quajtur atë “një vendim thelbësor dhe në kohë, veçanërisht tani që Rusia ka përshkallëzuar brutalitetin e sulmeve të saj ndaj qyteteve dhe fshatrave tona”.

“Do të doja të shprehja mirënjohjen time për presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe të gjithë udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së për unitetin dhe qëndrimin e tyre parimor”, shkroi ai në X.

Zelensky falënderoi gjithashtu presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe “Danimarkën për një fillim vërtet pozitiv të presidencës së saj të BE-së”.

Shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për një paketë të 18-të sanksionesh që synon Rusinë, pas pushtimit të Ukrainës, thanë sot disa diplomatë.

Paketa e sanksioneve synon sektorët financiarë dhe të energjisë të Rusisë dhe vjen në përgjigje të refuzimit të presidentit Vladimir Putin për të rënë dakord për një armëpushim pa kushte në Ukrainë.

Sllovakia e kishte bllokuar paketën, duke përmendur shqetësime në lidhje me importet e saj të gazit. Dje, kryeministri Robert Fico tha se kishte udhëzuar përfaqësuesit e Sllovakisë të miratonin masat.

Sllovakia, e cila më parë kishte bllokuar miratimin e kësaj pakete të re sanksionesh, e 18-ta që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, më në fund pranoi të hiqte veton e saj pasi mori garanci./ /Ad.Ab./

The post KIEV – Zelensky: Sanksionet e reja kundër Rusisë të mirëpritura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërkon publikimin e dëshmisë së jurisë së madhe lidhur me rastin Epstein

18 July 2025 at 09:50

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump tha mbrëmë se i ka udhëzuar Prokurores së Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi të paraqesë dëshmi “relevante” të lidhura me rastin e autorit të dënuar të krimit seksual Jeffrey Epstein.

“Bazuar në sasinë qesharake të publicitetit që i është dhënë Jeffrey Epstein, i kam kërkuar Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi të paraqesë çdo dëshmi relevante të Jurisë së Madhe, në varësi të miratimit të Gjykatës”, shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.

“Ky mashtrin, i përjetësuar nga demokratët, duhet të marrë fund, menjëherë!”, tha ai .

Pak çaste më vonë, Bondi u përgjigj në X, duke shkruar se Departamenti i Drejtësisë ishte “gati të dërgonte gjykatën nesër për të zbuluar transkriptet e jurisë së madhe”.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore presidenciale vitin e kaluar, Trump premtoi të publikonte dosjet që lidhen me financierin e turpëruar, i cili vdiq në vitin 2019 në një qeli burgu në Nju Jork në atë që zyrtarisht u etiketua si vetëvrasje.

Sidomos në qarqet e krahut të djathtë të shoqërisë amerikane, vdekja e Epstein çoi në spekulime të egra pavarësisht gjetjeve zyrtare, sepse financieri kishte kontakte të shkëlqyera në shoqërinë e lartë amerikane.

Javën e kaluar, FBI-ja riafirmoi se vdekja e Epstein ishte vetëvrasje dhe tha se nuk kishte prova që implikonin individë të tjerë të profilit të lartë ose që tregonin një “listë” klientësh të fuqishëm./   /Ad.Ab./

The post SHBA – Trump kërkon publikimin e dëshmisë së jurisë së madhe lidhur me rastin Epstein appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

DAMASK – Al Sharaa: Siria nuk do të bjerë në kurthin e përfshirje në luftë

17 July 2025 at 16:09

DAMASK, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa akuzoi sot Izraelin se po përpiqej ta përfshinte Sirinë në luftë dhe theksoi se vendi i tij nuk do të binte në këtë kurth.

“Ne, populli i Sirisë, e dimë shumë mirë se kush po përpiqet të na fusë në luftë dhe kush po punon për të na përçarë”, tha al-Sharaa në një fjalim të transmetuar në televizionin kombëtar.

“Nuk do t’u japim atyre mundësinë të ngatërrojnë popullin tonë në një luftë që shërben vetëm për të copëtuar atdheun tonë dhe për të mbjellë shkatërrim”, shtoi ai.

Al-Sharaa fajësoi Izraelin për shfrytëzimin e paqëndrueshmërisë pas ndryshimit të regjimit, duke e akuzuar atë për goditje të infrastrukturës civile dhe për përpjekjen për të penguar   rindërtimin në vend.

“Vetëm pushteti nuk garanton fitoren dhe ndezja e një lufte nuk është e njëjtë me kontrollin e rezultatit të saj. Ne jemi më të fortë se çdo përpjekje për të na copëtuar”, theksoi Al-Sharaa.

Duke iu drejtuar trazirave të brendshme në provincën jugore të Sweidës, al-Sharaa tha se qeveria kishte ndërhyrë për t’i dhënë fund përleshjeve të armatosura midis grupeve lokale.

Përleshjet midis beduinëve sunitë dhe civilëve druzë janë përshkallëzuar ditët e fundit, të përqendruara në qytetin me shumicë druze, Sweida, me trupa qeveritare siriane të vendosura në zonë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha  dje se numri i të vdekurve nga dhuna ishte rritur në 360.

Al-Sharaa fajësoi “fraksionet e jashtëligjshme” për refuzimin e dialogut dhe nxitjen e çrregullimeve, ndërsa akuzoi Izraelin për shfrytëzimin e trazirave përmes sulmeve ndaj infrastrukturës civile për të penguar përpjekjet e paqes.

Ai gjithashtu riafirmoi vendin e komunitetit druz në shoqërinë siriane, duke nënvizuar angazhimin e shtetit për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre, dhe paralajmëroi kundër përpjekjeve për ta përfshirë atë në agjendat e huaja./  /Ad.Ab./

The post DAMASK – Al Sharaa: Siria nuk do të bjerë në kurthin e përfshirje në luftë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Senati miraton nëntë miliardë dollarë shkurtime në fondet e ndihmës së huaj dhe transmetimit publik

17 July 2025 at 16:30

UASHINGTON, 17 korrik /ATSH/ – Senati amerikan ka miratuar një projektligj që synon të shkurtojë nëntë miliardë dollarë nga fondet e miratuara më parë për shpenzime nga Kongresi, duke përfshirë shkurtimet në transmetimin publik dhe ndihmën e huaj, sipas BBC.

Votimi u krye në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas debatesh të shumta, që zgjatën gjatë.

Projektligji, një paketë e ashtuquajtur anulimesh që i lejon Kongresit të tërheqë fondet e miratuara, është pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të ulur shpenzimet federale nga presidenti Donald Trump.

Tani, projketligji kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve, dhoma e ulët e Kongresit që më parë kishte miratuar një version të projektligjit me 9,4 miliardë dollarë shkurtime të propozuara.

“Është një hap i vogël, por i rëndësishëm drejt shëndoshjes fiskale, për të cilin të gjithë duhet të jemi në gjendje të biem dakord se është vonuar shumë”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, para votimit përfundimtar.

Senatorët më parë nuk ishin dakord për një propozim në versionin e Dhomës së Përfaqësuesve të projektligjit që do të përfshinte shkurtime prej afërsisht 400 milionë dollarësh për ”Pepfar”, programin HIV/AIDS të mbështetur nga SHBA-ja.

Republikanët arritën të siguronin shumicën, pasi një amendamenti për të mbajtur fondet në buxhet./   /Ad.Ab./

The post SHBA – Senati miraton nëntë miliardë dollarë shkurtime në fondet e ndihmës së huaj dhe transmetimit publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

POLONI – Varshava tërheq ambasadorin nga Hungaria

17 July 2025 at 14:09

VARSHAVË, 17 korrik /ATSH-AFP/ – Polonia tërhoqi ambasadorin e saj nga Hungaria, pasi autoritetet hungareze i dhanë statusin e refugjatit ish-zëvendësministrit polak të Drejtësisë,  i cili kërkohet për korrupsion, njoftoi sot ministria e Jashtme polake.

Marrëdhëniet midis Polonisë dhe Hungarisë, të dyja anëtare të Bashkimit Evropian, janë përkeqësuar ndjeshëm që nga humbja e partisë nacionaliste ”Ligj dhe Drejtësi” (PiS), me të cilën Orban ishte i afërt, në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2023 në Poloni, dhe ardhja në pushtet në Varshavë e forcave pro evropiane të udhëhequra nga Donald Tusk.

Ministria e Jashtme polake tha se ambasadori kishte “përfunduar mandatin e tij më 15 korrik”.

Ky vendim vjen pas “gjestit armiqësor ndaj Republikës së Polonisë, përkatësisht dhënies së azilit politik ish-zëvendësministrit Marcin Romanowski, i kërkuar për vepra penale”, thuhet në mesazh.

Romanowski, anëtar i partisë PiS, akuzohet për disa vepra penale nga gjykatat polake duke përfshirë tentativën e përvetësimit të gati 40 milionë eurove nga një fond që ai mbikëqyrte për viktimat e krimit.

I kërkuar sipas një urdhërarresti evropian, politikani u zhduk në fillim të dhjetorit pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) i hoqi imunitetin dhe një gjykatë urdhëroi arrestimin e tij.

Hungaria konsideroi se nuk kishte asnjë garanci se çështja e tij do të “trajtohej në mënyrë të paanshme dhe të lirë nga çdo ndikim politik në vendin e tij të origjinës”./    /Ad.Ab./

The post POLONI – Varshava tërheq ambasadorin nga Hungaria appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAK – 60 viktima pas zjarrit në një qendër tregtare

17 July 2025 at 12:39

BAGDAD, 17 korrik  /ATSH-DPA/ – Rreth 60 persona humbën jetën pas një zjarri masiv në një hipermarket në qytetin irakian të Al-Kutit, tha sot një guvernator lokal.

”Flaka shpërtheu gjatë natës në qendrën tregtare shumëkatëshe në provincën e Wasit, rreth 170 kilometra në juglindje të Bagdadit, duke bllokuar blerësit brenda vendit mes flakëve në rritje dhe tymit të dendur”, thanë dëshmitarët okularë.

Disa media irakiane raportuan se zjarri la 77 persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa zjarrfikësit po përpiqeshin ende ta shuanin atë dhe të nxirrnin trupat e të vdekurve nga rrënojat.

Shkaku i zjarrit nuk ishte menjëherë i qartë.

”Midis të vdekurve ishin gra dhe fëmijë”, tha guvernatori i Wasit, Mohammed Jamil al-Miyahi, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Irakut INA.

Al-Miyahi shtoi se gjetjet e një hetimi paraprak mbi incidentin do të bëhen publike brenda 48 orësh.

Megjithatë, banorët  thanë se flakët ishin përhapur për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë në qendrën tregtare./  /Ad.Ab./

The post IRAK – 60 viktima pas zjarrit në një qendër tregtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Kos: Buxheti i zgjerimit të BE-së rritet 37%

17 July 2025 at 10:38

BRUKSEL, 17 korrik /ATSH-ANSA/ – Propozimi i Komisionit Evropian për buxhetin afatgjatë “përfshin një rritje shumë të konsiderueshme të financimit” për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë, shpjegoi komisionerja e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos në një konferencë për shtyp.

“Në buxhetin aktual kishim 31 miliardë euro për vendet kandidate, ndërsa propozimi i ri përfshin 42,6 miliardë euro, një rritje prej 37%”, shtoi ajo.

“Me një buxhet më të madh, ne mund të përshpejtojmë më tej ritmin e reformave dhe investimeve, duke i afruar vendet me pranimin në BE”, theksoi Kos.

Siç parashikohej, Komisioni ka propozuar ndarjen e “100 miliardë eurove për të mbështetur reformat, rindërtimin, modernizimin dhe pranimin e Ukrainës në BE.

“Këto para’ do të ndihmojnë në sigurimin e stabilitetit financiar të Ukrainës pas vitit 2028”, shtoi ajo.

“Kushdo që mendoi se mbështetja evropiane do të dobësohej me kalimin e kohës, gaboi. Koha vërtet nuk është në anën e Rusisë”, tha Kos duke theksuar rëndësinë e “mbajtjes së fondeve për Ukrainën të ndara”.

“I gjithë ky financim për vendet kandidate bazohet në dy parime që ne tashmë po ndjekim: i pari është merita dhe i dyti është kushtëzimi, që do të thotë se vendet marrin fonde vetëm nëse plotësojnë kritere të caktuara, kryesisht të përfshira në agjendat e reformave”, shtoi ajo./ /Ad.Ab./

The post BRUKSEL – Kos: Buxheti i zgjerimit të BE-së rritet 37% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Gjermania nuk pranon propozimin e KE-së për buxhetin prej dy trilionë eurosh

17 July 2025 at 10:01

BRUKSEL, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane tha se nuk do të pranojë një propozim nga Komisioni Evropian për të rritur buxhetin afatgjatë të BE-së në një vëllim total prej dy trilionë eurosh (2,3 trilionë dollarë) për vitet 2028 deri në 2034.

”Një rritje gjithëpërfshirëse e buxhetit të BE-së nuk është e pranueshme në një kohë kur shtetet anëtare po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të stabilizuar buxhetet e tyre”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius.

“Prandaj, ne nuk do të jemi në gjendje ta pranojmë propozimin e Komisionit”, tha Kornelius.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se buxheti i propozuar ” i drejtohet  sfidave të Evropës” dhe “forcon pavarësinë tonë”.

Buxheti i propozuar i Komisionit është afërsisht 700 miliardë euro më shumë se sa është caktuar për periudhën aktuale shtatëvjeçare nga viti 2021 deri në vitin 2027.

Buxheti i bllokut, i quajtur Korniza Financiare Shumëvjeçare, përcakton prioritetet e politikave të Bashkimit Evropian për vitet e ardhshme dhe sa para ndahen në fusha të ndryshme.

Pjesa më e madhe e buxhetit afatgjatë të BE-së financohet nga kontributet e shteteve anëtare, ku secili shtet paguan një përqindje të caktuar të të ardhurave të tij bruto kombëtare.

Si vendi i BE-së me ekonominë më të fortë,Gjermania zakonisht kontribuon pak më pak se një të katërtën e fondeve të disponueshme.

Megjithatë, rritja e propozuar e buxhetit mund të financohet pjesërisht përmes burimeve të reja për të ardhura shtesë, me komisionin që synon të mobilizojë 58,5 miliardë euro të tjera çdo vit.

Komisioni synon të reformojë buxhetin prej trilion eurosh duke u përqendruar më fort në shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe konkurrueshmërinë, duke shtuar burime të reja për të ardhura dhe duke ndryshuar kriteret e financimit.

Në terma konkretë, krahu ekzekutiv i BE-së po propozon një taksë mbi kompanitë e mëdha me një xhiro vjetore prej më shumë se 100 milionë eurosh dhe një taksë mbi mbeturinat elektronike që nuk mblidhen për riciklim, si dhe një pjesë të të ardhurave nga taksat kombëtare të duhanit që të rrjedhin në Bruksel.

Kornelius vazhdoi duke thënë se as kjo nuk u mbështet nga qeveria gjermane, ndërsa ai vlerësoi përpjekjen e Komisionit për reformë dhe rifokusimin e buxhetit në prioritete të reja.

Propozimi do të debatohet dhe ndryshohet nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së.

Negociatat pritet të jenë të gjata dhe të debatueshme./   /Ad.Ab./

The post FOKUS – Gjermania nuk pranon propozimin e KE-së për buxhetin prej dy trilionë eurosh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Sulme izraelite pranë Shtabit të Përgjithshëm në Damask

16 July 2025 at 14:24

TEL AVIV/DAMASK 16 korrik  /ATSH-DPA/  – Ushtria izraelite tha  sot se avionët e saj luftarakë sulmuan hyrjen e selisë së udhëheqjes ushtarake të Sirisë, pranë Damaskut.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në BM, tha se Izraeli nisi dy sulme ajrore të njëpasnjëshme pranë selisë së Shtabit të Përgjithshëm në Damask, duke plagosur dy persona.

Ushtria izraelite tha se operacioni ishte një përgjigje ndaj trazirave në Sirinë jugore, ku forcat qeveritare janë akuzuar për shtypje të dhunshme kundër pakicës druze.

Izraeli tha se po monitoronte veprimet e qeverisë siriane dhe synonte të mbështeste komunitetin druze, duke i përshkruar ata si aleatë.

Shumë druzë shërbejnë vullnetarisht në ushtrinë izraelite.

Sipas observatorit, forcat kanë ekzekutuar civilë druzë gjatë shtypjes.

Monitoruesi vlerëson se rreth 250 njerëz janë vrarë në dhunë që nga e diela.

Që nga fillimi i vitit, observatori ka dokumentuar 70 sulme izraelite në territorin sirian, 60 nga ajri dhe 10 nga toka, duke synuar ose dëmtuar rreth 102 vende, duke përfshirë depo armësh, pozicione ushtarake dhe automjete./  /Ad.Ab./

The post SIRI – Sulme izraelite pranë Shtabit të Përgjithshëm në Damask appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Mbretëresha Camilla zëvendësadmirale e Marinës Mbretërore Britanike

16 July 2025 at 12:21

LONDËR, 16 korrik  /ATSH-DPA / –  Mbretëresha britanike, Camilla, do të bëhet zëvendësadmirale duke reflektuar “respektin e lartë” që ajo gëzon te marinarët, njoftoi kreu i Marinës Mbretërore.

Gjenerali Gwyn Jenkins, Lord i Parë i Detit dhe Shef i Shtabit Detar, tha se  ky “rol nderi” do të “përmirësonte më tej marrëdhënien e Madhërisë së Saj me shërbimin”.

Emërimi do të bëhet zyrtarisht sot kur Camilla do të vizitojë bazën detare të Devonportit.

Jenkins th se “emërimi në këtë rol nderi  pasqyron respektin e lartë që Madhëria e Saj gëzon nga të gjithë ne” .

Jenkins, i cili është pjesë e Marinës Mbretërore, u takua dje me Camillan kur ajo u emërua si anëtare nderi e lirë dhe ndihmëse e Kompanisë së Adhurueshme të Prodhuesve të Shkrimtarëve dhe Gazetave, një organizatë e lidhur me Marinën Mbretërore.

Ai tha gjatë eventit se “jemi shumë krenarë për rolin e Madhërisë së Saj me ‘HMS Astute’, ashtu si edhe ekuipazhi, ka shumë rëndësi për ne si Marinë dhe për ta si ekuipazh që është nëndetësja e Mbretëreshës”.

Camilla bëri shaka kur tha se nuk donte të shërbente në një nëndetëse dhe kreu i Marinës Mbretërore shtoi më pas se  “mendonte se të gjithë do ta pranonim që të jesh në një nëndetëse është një aftësi shumë e veçantë, duhet të jesh vërtet e përkushtuar ndaj rolit dhe asaj që bën për vendin.

“Mund të jetë jashtëzakonisht shpërblyese, është një ndjenjë e mahnitshme pune në grup në bord, por nuk është për të gjithë”, shtoi ai.

“Angazhimi i saj i vazhdueshëm në aktivitetet dhe arritjet tona gjatë viteve ka qenë shumë i rëndësishëm për ne”, tha Jenkins./  /Ad.Ab./

 

The post SOFT NEWS – Mbretëresha Camilla zëvendësadmirale e Marinës Mbretërore Britanike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌