“Korrupsioni juaj, helm për ne”: Protestë në Elbasan, kërkohet hetim për zjarret në landfill
Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan sot para Prokurorisë dhe Bashkisë së Elbasanit për situatën e rënduar mjedisore të krijuar nga djegia e mbetjeve. Ata theksuan nevojën për ndërhyrje të menjëhershme që situata të mos përsëritet më.
Prej së hënës, banorët janë ekspozuar ndaj një ndotje të rëndë të ajrit, ndërsa ky është i treti vit që vendgrumbullimi i mbetjeve në Elbasan merr flakë gjatë verës.
Protesta, e thirrur nga organizata “Drejtësi Sociale”, nisi fillimisht pranë Prokurorisë. Aty ata kërkuan më shumë masa nga organet hetimore.
Gentian Sejrani, avokat dhe aktivist, i bëri apel prokurorisë që të zhvillojë hetime gjithëpërfshirëse. Ai tha se duhen hetuar jo vetëm rastet e zjarreve, por edhe prokurimet publike që janë mbajtur nga bashkitë e qarkut të Elbasanit, për menaxhimin e mbetjeve si dhe pagesat e kryera për procesin e incenerimit.
“Kjo do të ishte e nevojshme për të parë nëse ka pasur ‘incenerim të taksave’ tona, apo jo,” ironizoi Sejrani, sipas së cilit fakti që prokuroria nuk ka arrestuar ende asnjë përgjegjës për situatën lë vend për mosbesim.
Me pankarta në duar të cilat bënin thirrje se “Elbasani s’është kazan” apo se “Zjarret në ladfill, janë zjarre për shëndetin tonë!” qytetarët më pas iu drejtuan bashkisë të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për mosmarrjen e masave të duhura.
“Ne po vrasim fëmijët tonë, ne po flijojmë fëmijët tonë. Ka katër ditë në Elbasan që po qelbemi erë. Era kërrmë, nuk durohet dot. Cfarë bëjnë institucionet?”, u shpreh një nga qytetarët protestues.
Për Ilir Çopjan, banues pranë ish-fushës së mbetjeve, era e tmerrshme e mbetjeve ishte realitet i përditshëm.
” Na u premtua nga kjo qeveri se me hapjen e landfillit qyteti i Elbasanit do të shpëtonte nga mbetjet dhe nga era e keqe. Por ja që shohim që cdo dy vjet, apo cdo herë që duhet të digjet, ajo digjet”, deklaroi Copja.
Për Ervis Çotën, aktivist dhe banues në Elbasan, kjo situatë ka vendosur në vështirësi shëndetësore të moshuarit azmatikë ndërsa nuk janë bërë as udhëzime konkrete nga institucionet se si të mbrohen në këtë situatë. Ndërsa kërkoi hetim të plotë.
“Prokuroria e Elbasanit tashmë e ka nisur një hetim që prej vitit të kaluar, por ndërkohë nuk ka dhënë asnjë shpjegim, nuk ka dalë asnjë gjë konkrete se çfarë ka ndodhur, kush janë personat përgjegjës dhe çfarë masash janë ndërmarrë konkretisht?”, deklaroi Çota.
Prej mesditës së të hënës fusha e mbetjeve në Elbasan u vu nën pushtetin e flakëve. Sot, tymrat dhe erërat e rënda ndjeheshin ende në qytet, ndërsa temperaturat e larta e bënin të vështirë qëndrimin në mjediset publike.
Kjo ishte protesta e dytë qytetare. Paraditen e së enjtes, një grup aktivistësh protestuan edhe në Tiranë, para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Duke përmendur edhe rastin e zjarreve në Vlorë, ata kërkuan përgjegjësi dhe reagim nga institucionet, teksa në mënyrë simbolike i ndryshuan emrin ministrisë në “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”.
Vetëm këtë vit janë regjistruar të paktën tre djegie masive mbetjesh në të gjithë vendin. Sipas aktivistëve, pamjet e tymit që mbulon zonat turistike si ato të Vlorës, “janë bërë simbol i turpit mjedisor shqiptar.”
Një matje në terren gjatë djegies së mbetjeve në Elbasan e organizatës Instituti për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN), nxori në pah se ndotësit ajrorë ishin disa herë mbi normat e lejuara.
“Matjet në terren treguan përqendrime të larta të ndotësve të ajrit, që paraqesin një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe mjedisin përreth”, u shprehën në reagimin e tyre Co-PLAN.
Zjarret nxjerrin në pah dështimin në menaxhimin e mbetjeve
Leli Kaja, administratori i kompanisë publike “Eco Elb” tha të mërkurën për Citizens.al se zjarri u shkaktua nga temperaturat e larta.
Ai përjashtoi neglizhencën, duke theksuar se ngjarja lidhet me “shkaqe natyrore”. Sipas tij, prej të nxehtit të pazakontë “po digjet gjithandej” dhe kompania është e hapur për hetim të plotë.
Elbasani ka incenerator për djegien e mbeturinave. Projekti prej 26 milionë eurosh që nisi në vitin 2017 në formën e një partneriteti publik-privat, u mbyll me më shumë se 10 persona të dënuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.
Në vitin 2021, impianti u konfiskua dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan. Por inceneratori nuk arriti të vihej në punë plotësisht.
Administratori i “Eco-Elb” tha për Citizens.al se impianti punoi vetëm shtatë muaj gjatë vitit 2023 dhe u fik në dhjetor.
Prej asokohe nuk ka marrë përgjigje nga institucionet për riparimin e tij. Kompania u ka dërguar shkresa të gjitha institucioneve, por pa rezultat.
Rasti i Elbasanit është i ngjashëm me inceneratorët e Fierit dhe Tiranës, të cilët gjithashtu nuk u vunë në punë asnjëherë, pavarësisht pagesave të larta të projekteve.
Lexoni gjithashtu:
- Zjarret në Elbasan nxjerrin në pah dështimet në menaxhimin e mbetjeve
- “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”: Aktivistët fajësojnë qeverinë për zjarret në landfille
The post “Korrupsioni juaj, helm për ne”: Protestë në Elbasan, kërkohet hetim për zjarret në landfill appeared first on Citizens.al.