Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte premtuar se do t’i jepte fund “luftërave të përjetshme” të Amerikës jashtë vendit. Me gjithë premtimet elektorale, Trump gjatë pesë muajve të parë të mandatit të dytë presidencial kreu pothuajse po aq sulme ajrore sa paraardhësi i tij, Joe Biden, gjatë gjithë mandatit katërvjeçar.
Sulmet e Trumpit kundër militantëve Houthi në Jemen dhe xhihadistëve në Somali ishin më të ashpra se ato të Bidenit, dhe ai urdhëroi gjithashtu goditje në Irak, Siri dhe së fundmi në Iran.
Edhe pse fushatën e udhëhoqi me premtimin për t’i dhënë fund përfshirjes së SHBA-së në konfliktet ushtarake, ai e intensifikoi ndjeshëm fushatën ajrore, sipas të dhënave nga organizata ACLED (Të Dhëna për Vendndodhjen dhe Ngjarjet e Konflikteve të Armatosura), e cila harton konfliktet.
Që nga inaugurimi, 79-vjeçari ka mbikëqyrur 529 sulme ajrore, krahasuar me 555 gjatë tërë katër viteve të administratës së mëparshme të Bidenit, transmeton Telegrafi.
Siria, Iraku, Jemeni dhe Somalia kanë qenë tashmë objektiva të administratës së mëparshme, por Trump hapi një front të ri me sulmet ndaj programit bërthamor iranian.
“Ushtria amerikane po vepron më shpejt, godet më fort dhe me më pak kufizime”, tha profesoresha Clionadh Raleigh, drejtoreshë e ACLED-it, duke theksuar intensitetin e fushatave.

Sulmet ajrore
Trump këmbëngul se qasja e tij intensive garanton “paqe përmes forcës”, një shprehje që shpesh lidhet me ish-presidentin amerikan, Ronald Reaganin.
“Do ta matim suksesin jo vetëm sipas betejave që fitojmë, por edhe sipas luftërave që përfundojmë, dhe më e rëndësishmja, sipas luftërave në të cilat kurrë nuk hyjmë. Kjo quhet paqe përmes forcës”, tha Trump gjatë ballos inauguruese, shkruan idenpendent.
Ai nuk kreu sulme në Libi apo Afganistan, dhe sulmet ajrore shpesh shihen si një alternativë ndaj dërgimit të trupave amerikane, gjë që e bëri ish-presidenti amerikan, Barack Obama.
Raporti i ACLED-it u publikua në mes të tensioneve brenda bazës së mbështetësve të Trumpit, të njohur si MAGA, lidhur me atë nëse lideri amerikan duhet të angazhohet fare në ndërhyrje ushtarake.
Përfaqësues të spikatur të MAGA-s, si Tucker Carlson, muajin e kaluar kritikuan sulmet ndaj Iranit, duke thënë se ato shkelin premtimet izoluese të Trumpit për “Amerikën në radhë të parë”.

Marjorie Taylor Greene, një besnike me ndikim e lëvizjes MAGA, ka thënë se ekziston një “ndarje e madhe” brenda bazës dhe se është “e ngopur” me ndërhyrjet e huaja.
“Jam zgjedhur mbi të njëjtat premtime si presidenti Trump. Premtuam: jo më luftëra të huaja, jo më ndërrim regjimesh”, pohoi ajo.
Megjithatë, sondazhet tregojnë se Trumpi vazhdon të ketë mbështetje të fortë: 84 për qind e përkrahësve të MAGA e mbështesin fushatën e sulmeve, prej të cilëve 70 për qind e shprehin këtë mbështetje në mënyrë të fuqishme.
Për krahasim, 72 për qind e republikanëve tradicionalë gjithashtu i mbështesin sulmet, ndërsa 49 për qind e tyre fuqimisht.
Sipas profesoreshës Raleigh, statistikat e reja tregojnë se Amerika nuk po tërhiqet “prirja ndërhyrëse e Trumpit ngre pyetjen “a e thyen kjo premtimin për t’i dhënë fund luftërave, apo janë sulmet ajrore në fakt metoda e tij për t’i shmangur ato? Vetëm për pesë muaj, Trump ka mbikëqyrur pothuajse të njëjtin numër sulmesh si administrata e mëparshme për katër vjet. Ushtria vepron më shpejt, godet më fort dhe me më pak kufizime. Siria, Iraku, Afganistani, Jemeni, Somalia dhe tani edhe Irani – janë të gjitha objektiva të njohura, por kjo nuk është një histori gjeografie, por frekuence”.
Sulmet në Jemen, Iran, Irak, Siri dhe Somali

Numri më i madh i sulmeve është regjistruar në Jemen – plot 470 që nga janari – të drejtuara kundër aleatëve iranianë, Huthëve, të cilët po rrezikojnë trafikun detar në Detin e Kuq.
Me gjithë bombardimet intensive, Huthët arritën javën e kaluar të fundosin dy anije, duke shkaktuar një dëm të vlerësuar për ushtrinë amerikane mbi një miliard dollarë.
E gjithë bota ka ndjekur me shqetësim zhvillimin e një krize të re në Lindjen e Mesme. Edhe pse Irani dhe SHBA kanë filluar bisedime për programin bërthamor iranian, deri tani nuk ka përparim.
Në muajin qershor, pas shpërthimit të një konflikti të ri mes Izraelit dhe Iranit, Trump kreu një seri sulmesh ndaj objekteve bërthamore në Iran, përfshirë kompleksin e njohur Fordow, i cili ndodhet thellë nën një mal.
Sulmi u realizua me ndihmën e bombarduesve B-2 dhe bombave depërtuese GBU-57 bunker-buster, por vlerësimet fillestare për dëmet janë kontradiktore – Trump pretendon se ka shkatërruar programin, ndërsa Pentagoni ka deklaruar se pasojat kanë qenë të kufizuara.
Shtëpia e Bardhë këmbëngul se Trump po zbaton një politikë të “paqes përmes forcës” dhe se po mbron interesat amerikane pa u përfshirë në luftëra të reja tokësore.
Por, profesoresha Raleigh paralajmëron se “për civilët, kjo do të thotë një valë e re rreziku. Për aleatët, kjo shkakton shqetësim për shkak të paparashikueshmërisë. Dhe për ligjvënësit, është një sinjal i rritjes së pushtetit të ekzekutivit.”
Ajo shton se “pyetja është: A po e përshkallëzon Trump shpejt për të parandaluar luftërat – apo kjo është kthim tek një politikë me rrezik të lartë dhe përgjegjësi të ulët? E vetmja gjë që është e sigurt: Amerika nuk po tërhiqet. Ajo sulmon e para dhe flet më pas”. /Telegrafi/
The post Trump premtoi fundin e luftërave, por bombardimet u rritën më shumë se në katër vitet e Bidenit appeared first on Telegrafi.