Eci anës detit e përshëndes anijet në mesditën e ndriçuar si kishë. Është keq kur nuk ta kthejnë përshëndetjen apo kur nuk ka asnjë anije, por është më keq ende kur ti kalon bri detit e nuk përshëndet./ KultPlus.com
Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…
Jo, unë s’mundem me e ndryshue as t’shkuemen e as t’ardhmen tande por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji
S’mundem me i shmangë teposhtat e tua, veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt vërtet s’janë të miat po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra
S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande po me të mbështetë e ndjej detyrë, me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!
S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh, veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë që ti t’naltohesh
S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande, kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon, po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para
S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh, veç mundem me të dashtë njashtu siç je dhe me mbetë përjetë Miku yt…
Ti s’di asgjë miku im pse unë këndoj kur ti ma shkel hijen pse kurrë dorë nuk ngrita në ty Kohët keq të mësuan Kam parë njerëz duke blerë litar Pas fishkëllimës së plumbit duke vrapuar planetit dhe kam pyetur: për cilën kokë ai lak për cilin gjak ai hak Tinëz vetes tinëz dreqit dola në kunavikë me gurin e shqetësuar në behe hijena gjuajta mbi botë në zjarr vura dorën për ty Ti s’di asgjë miku im pse pikon vetmi nën strehë pse sytë më zmadhohen Kohët keq të mësuan kur zotat i munda /KultPlus.com
Më 17 korrik 1977, regjimi komunist shqiptar pushkatoi dy zëra të lirë të poezisë shqipe: Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, të dënuar përmes një aktakuze absurde që e konsideronte fjalën artistike si krim kundër pushtetit.
Në mesin e dokumenteve të sekuestruara nga Sigurimi i Shtetit, një poezi e Blloshmit, me titull “Saharaja”, u konsiderua “vepër penale”, pasi e përfytyronte realitetin shqiptar si një shkretëtirë të thatë, pa shpresë e pa jetë:
“Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë…”
Vilson Blloshmi lindi më 18 mars 1948 në Bërzeshtë të Librazhdit. Edhe pse me rezultate të shkëlqyera, iu mohua e drejta për të ndjekur arsimin e lartë për shkak të “biografisë së keqe”. Jetoi si bujk, minator e druvar, por letërsia ishte fryma e tij e përditshme e ndaluar, e padukshme, por e gjallë.
Ai u arrestua në vitin 1977, bashkë me Genc Lekën, dhe më 13 qershor u dënuan me vdekje për “agjitacion e propagandë”. Vendimi u ekzekutua më 17 korrik. Poetët e rinj lanë pas dorëshkrime, përkthime, poezi dhe një jetë të ndërprerë brutalisht nga frika e fjalës.
Pas rënies së diktaturës, Vilson Blloshmi u nderua me dekoratën “Martir i Demokracisë” (1994) dhe titullin “Qytetar Nderi” i Librazhdit (2006). Sot, një memorial në qytetin e tij përkujton dy poetët martirë si zëra që nuk heshtën./KultPlus.com
Vargjet e poetit shqiptar Arian Leka janë përzgjedhur si hyrje poetike e ekspozitës ndërkombëtare “Nautical Poetics: Invitational Exhibition of Maritime Poetry”, e cila u hap në qytetin Hangzhou të Kinës një nga qendrat më të rëndësishme të artit bashkëkohor në rajonin e Paqësorit.
Kjo ekspozitë unike bashkon autorë nga vende dhe gjuhë të ndryshme përreth një simboli të përbashkët: detin, jo vetëm si hapësirë fizike, por edhe si metaforë e udhëtimit shpirtëror, kujtesës kolektive, përplasjes së identiteteve, përcjellë KultPlus.
Vargjet e Lekës janë përzgjedhur nga libri “Hartë memece për të mbyturit”, konkretisht nga cikli “Kripë fshehur në gjak” (Salt Hidden In The Blood), ku motivi i detit zë një vend qendror.
Ky pranim ndërkombëtar vjen si një tjetër dëshmi e fuqisë shprehëse të poezisë shqipe në skenën globale, dhe është raportuar edhe ngaFestivali Poeteka, si nje urë komunikimi mes letërsisë shqipe dhe botës. Vargjet e Arian Lekës, të vendosura në mure poetike në ekspozitën “Nautical Poetics” në Hangzhou, krijojnë një dritare të re për të kuptuar se poezia shqipe, veçanërisht ajo që buron nga brigjet mesdhetare, zotëron një identitet të fuqishëm, thellësisht universal dhe gjithnjë e më të pranishëm në peizazhin global të artit bashkëkohor.
Një nga vargjet që ka zgjedhur vetë ekspozita si titull të saj është:
“Me botën bëj luftë, me veten paqe” (With the world make war, and peace with yourself)
和世界作战吧!但记得与自己讲和.
Ky varg tashmë qëndron i gdhendur në një mur digjital në zemër të Hangzhout. Ai shërben si një ftesë për të dëgjuar një zë poetik që vjen nga brigjet shqiptare, një zë që flet për idealin shpirtëror, për mungesën e lirisë, për betejat e brendshme njerëzore./KultPlus.com
Poezi nga: Jorge Luis Borges
Përktheu: Kujtim Morina
I çliruar nga kujtesa dhe shpresa,
pa kufij, abstrakt dhe pothuaj pa të ardhme
Një i vdekur nuk është një i vdekur, ai është vetë vdekja.
Si Zoti i mistikëve
për të Cilin çdo gjë që mund të thuhet, duhet të mohohet,
Një i vdekur, është i huaj kudo
përveçse në gërmadhat dhe mungesën e botës.
Ne e plaçkisim atë nga gjithçka
derisa të mos mbetet as si ngjyrë apo rrokje
Këtu është, oborri që sytë e tij nuk e shohin më
Atje, kalldrëmi ku shpresa e tij nderet në pritje.
Madje edhe ajo që mendojmë
se ai mund të jetë duke menduar.
Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje Çfarë pretendon se do shikoje? Cilin përbindësh mendon se fsheh? Po të zhgënjej, por nuk më njeh. Nuk ka nevojë për të trokitur Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur. Mure të zbrazët lyer pa ngjyra Fotografi, por pa fytyra. Diku e hedhur afër shtratit Është nje kuti e tersit, e fatit. E mbushur plot është me kujtime. Brenda gjithë historia ime. Janë fjalët që kam thënë aty, gjithkush që njoha, përfshi ty. Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova Vendet ku shkela, ku jetova. Janë zënkat tona dhe mëritë Janë puthjet netëve pa dritë. Veset e mia që aq urreve Mërgimi i ngadaltë i reve. Dënimet që vuajta për ty Herët kur s’të pash në sy. Jetët që pa ty jetova Të tjera femra që dashurova. Janë dhe sekretet që s’të kam thënë E amanetet që të kam lënë. Fëmijët që kurrë nuk më lindën Epshet që vrava se nuk mu bindën. Ka letra, që për ty i shkrova Në zarfet që kurrë s’ti dërgova. E nëse gjithçka përmbys do kthesh Sekretin më të madh do gjesh. E kam fshehur në fund fare Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare. Nxirre mes duarsh në shtrëngim Atë më të shtrenjtin sendin tim. Balsamin që plagët shëronte kur kjo djall jete më kafshonte. Para fytyrës ngadalë afroje Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje. E kur ngadalë ta kesh zbuluar. Veç një pasqyrë do gjesh në duar. Do shohësh veten, reflektim Se ti , ishe thesari im!
Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis! Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke, …Si vashë e virgjen: nuse sikur je; Dhe malet me bor Mi krye i ke kunor!
Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis! Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon Difto-u e zonja; koha sot e don Ti t’çohesh përseri N’luftë t’mbarë për liri!
Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë Si luaj e si dragoj plot forcë që janë, Që e derdhin gjakun prrue Atdheun për m’e shpëtue!
Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë Anmikut kur i sulen me rrebtsi Si breshni mi te hidhen me duhi.
Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue! Për nder të shtëpis s’vet; E falin shpirt e jet!
Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue Se mjaft e kanë robnue Dhe n’ zjarm e kanë prue!
A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë Që të huejt para syve të t’venë ledhe Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del Dhe duersh mos të lëshojn’ Prej faqes s’dheut të t’shojn!
Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë “Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë! Atyne si u pëlqen kufijt i venë Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë; Mendojnë pa turp kurrfarë Se s’ka nji komb Shqiptarë!
Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur, Me lott qi qan e ankon E asnji nuk i ndihmon!
Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe Po nanën ju kujtoni qi u ka le Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve Prej bijet e harrume mi ket dhe! Se ansht turp i math për ju Të huejt me i u çnderu!
Sot ora mbrrini, dita e bekueme Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme! Kosovës emnin me ja ngref te qilli Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli Me rrnue një Shqypni Si zonjë në lumni.
Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini! Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë Si ç’trimit mirë i prek Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com
Jeto dhe jetën time po e deshe, Eja dhe merre, veç jeto. Ata që s’duan dashurinë, Nuk dine seç është mirësia. Folenë e ngrenë në errësirë, Edhe mbi ty lëshojnë stuhira. Se jane mësuar të zvarriten, Të të helmojnë, pastaj të vdesin. Pa prekur trupin tënd të ngrohur, Nga afshi i puthjesh, ledhatimit.
Dhe pena ime nis e shkruan, Kaq e lodhur nga mundimi. Kërkon nga ty dhe merr dy fjalë, Dhe ndalet lumi i zemerimit.
Te dua, te dua, te dua, Oh, këngë hyjnore e kesaj bote. Që pëshperitet nga buzët e dashuruara, Që frymë ty të dhanë. Shumë të kërkova gjersa të gjeta. Dhe nëse vdes mos u trishto, Por ti jeto!
Nëpër rrugët e dashurisë, Enden këngët dhe legjendat. Nëpër vargjet e poetit, Zemrën ta njoh. Dhe në vija pentagramesh, Derdhet shpirti i nje artisti. Por dicka pa thënë pa mbetur, Le te tjeret ta tregojne. Dhe jeten time po e deshe, Eja dhe merre, Por ti jeto..
Rruga jote â e mirë: Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to, por për rrasa guri e ballë njerzorë me rrudha shum e për dashuninë.
Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje e jo para mikrofonit si të çetës së poetëve tjerë, zemra ndonëse nën shtatë lëkura akull, akull ndonëse nën shtatë lëkura./ KultPlus.com
Të gjitha recetat kërkojnë ndryshim, të maskuar, të heshtur, të gdhendur në pritje.
Por mbi dyzet, të jesh vetja është një akt i vogël rebelimi, një refuzim i ngadalshëm i përsosmërisë që të mbaron.
Miratimi fishket, arsyetimi tretet, shterron si një burim i harruar në shkretëtirë.
Liria s’është shpërthim, por një pajtim i butë me vijat që të rrethojnë, trupi s’është më projekt, mendja nuk pret të riparohet.
Të dyja, një terren i hapur, ku e vërteta fton ajrin të hyjë.
Thjeshtësimi, jo zbrazëti, por thelb i përqendruar, që mban peshën e kohës pa ulur kokën.
Të jesh e pranishme, pa falje, pa lutje, pa retorikë që të zvogëlon.
Mbi dyzet, të qenit grua është një ujëvarë pyetjesh të heshtura, e rizbuluar n’ecje dyzetat nuk kërkojnë përgjigje, por hapin rrugë, krijojnë vend për frymëmarrje.