Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2025Main stream

Agron Shehaj dhe Arlind Qori po fërkojnë barkun… por për sa kohë?

By: Ke Si
20 July 2025 at 18:46

Agron Shehaj dhe Arlind Qori po fërkojnë barkun po aq sa Edi Rama dhe Sali Berisha. Pas konfliktit të Endri Shabanit me Adriatik Lapajn për “një copë mandati”, populli shqiptar kuptoi se koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” vërtet krijoi frymë, por ka liderë të papjekur.

Ky koalicion tregoi se ka probleme të brendshme që nuk mund të fshihen pas fjalëve të mëdha. Debatet online lanë shije të hidhur te shumë qytetarë që kishin besuar se më në fund kishte ardhur një alternativë e ndershme. Në vend që të shfaqnin maturi dhe bashkëpunim, liderët e këtij koalicioni po shfaqin sjellje që i afrohen atyre të klasës politike që vetë kanë kritikuar.

Një pjesë e madhe e opinionit publik tashmë po i sheh me dyshim figurat e reja që kanë dalë në skenë si shpëtimtarë, por që po përfundojnë duke bërë manovra personale. Në vend të përballjes me problemet reale të vendit, ata janë të zënë me grindje të brendshme, që i largojnë nga besimi i qytetarëve. Kjo sjellje i bën ata jo më ndryshe, por pjesë të të njëjtit problem.

Pavarësisht frymës fillestare që krijoi entuziazëm te shumë shqiptarë të zhgënjyer, “Nisma Thurje” mund të quhet krejtësisht e vdekur politikisht, kurse “Shqipëria Bëhet” rrezikon të kthehet në një zhgënjim tjetër, si shumë parti të reja në dy dekadat e fundit. Populli shqiptar nuk ka më durim për eksperimente politike që shpërbëhen që në nisje.

Është koha që Agron Shehaj dhe Arlind Qori të marrin mësimet e duhura duke parë të ngjashmit e tyre. Deri tani, ia kanë dalë të ruajnë imazhin mjaftueshëm të pastër dhe korrekt në sytë e popullit, por a mjafton kaq? Përtej ngjarjeve të fundit, Lapaj mori 64 mijë vota dhe theu një barrierë të kahershme në politikën shqiptare. A do të arrijnë Shehaj dhe Qori të krijojnë frymën e Lapajt? Mbetet për t’u parë. Karizmën e tij nuk e kanë. Pjekurinë, po, që Lapaj nuk e ka. m.p.

20 Korrik 1944: Komploti i fundit kundër Rajhut, shansi për të ndryshuar historinë

20 July 2025 at 12:00

Nga Leonard Veizi

Në mes të vapës së një vere të përgjakshme, ndërsa Lufta e Dytë Botërore po i afrohej pikës së kthesës së saj më dramatike, në një kasolle prej druri në rajonin e Rastenburgut të Prusisë Lindore, ndodhi një nga atentatet më të famshme dhe më të dështuar të historisë moderne: Koloneli Claus von Stauffenberg, oficer i lartë i Wehrmacht-it dhe veteran i plagosur i frontit të Afrikës, vendosi një bombë në selinë fushore të Adolf Hitlerit – në atë që njihet sot si Komploti i 20 korrikut. Synimi ishte i qartë: vrasja e diktatorit nazist dhe shembja e makinerisë së tij totalitare, për të shpëtuar Gjermaninë nga shkatërrimi i plotë dhe për të rivendosur nderin e një ushtrie që, sipas Stauffenbergut, ishte zhytur në krim.

…Nuk ishte e thënë që Adolf Hitleri të vritej në asnjë rrethanë. As nga kundërshtarët e tij dhe as nga armiqtë e zhgënjyer. Ai iu mbijetoi të gjithë atentateve. Dhe më e pabesueshmja ishte se i mbijetoi dhe një shpërthimi, eksplozivi i të cilit arriti të vihej fare pranë tij. Fundi për Adolf Hitlerin do të ishte vetëvrasja zyrtare. Më 30 prill 1945. Sepse për konspiracionistët ai jetoi dhe shumë vite të tjera si njeri i thjeshtë në një luginë të Argjentinës.

Po çfarë do të ndodhte nëse Adolf Hitleri do të eliminohej ndërkohë që Lufta e Dytë Botërore ende vazhdonte dhe deri në përfundimin e saj duheshin të paktën 10 muaj që do t’u kushtonte jetën dhe disa qindra-mijë ushtarëve dhe civilëve të tjerë? Një pjesë e historianëve thonë se kjo do ta përshpejtonte përfundimin e Luftës. Por ndoshta mund të mos ishte kështu. Sepse asnjëherë nuk duhej se kush do tw zëvendësonte “Führer”-in gjerman, një më liberal apo më radikal se ai. Gjithsesi, atentatet ndaj Hitlerit nuk kanë munguar. Por asnjëri prej tyre nuk ka munduar ta eliminojë atë. Përveçse një rasti ku komplotistët gati i shkuan në fund veprës së tyre…

“Staufenberg”

Historia e atentatit është ekranizuar në dy filma shumë të suksesshëm. “Staufenberg” si versioni origjinal në gjermanisht ose “Operation Valkyrie” në versionin anglisht, është një film televiziv gjermano-austriak i vitit 2004 nga Das Erste (TV gjerman ARD), i cili flet për komplotin e 20 korrikut 1944 për të eliminuar Adolf Hitlerin. Filmi, me skenar e regji nga Xho Baier, u transmetua për herë të parë më 25 shkurt 2004 në TV gjerman. Në rolin e kolonelit Shtaufenberg  luan aktori Sebastian Koh i cili është aktori i njohur për një rol në filmin fitues të çmimit Oscar “Bridge of Spies” ose “Ura e Spiunëve” të Stiven Spielberg, në vitin 2015.

“Valkyri”

Vetëm katër vite më vonë një tentativë e dytë. “Valkyrie” është një film historik thriller politik i vitit 2008 me regji të Brajan Singer, shkruar nga Kristofer MekKuarrie dhe Nathan Aleksandër, me protagonist Tom Kruis. Në “plot”-in e filmit thuhet se ngjarjet zhvillohen në Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përshkruan komplotin e 20 korrikut në 1944 nga oficerët e ushtrisë gjermane për të vrarë Adolf Hitlerin dhe për të përdorur planin e emergjencës kombëtare të Operacionit “Valkyrie” për të marrë kontrollin e vendit. Filmi u publikua nga studio amerikane “United Artists”.

Kush ishte Stauffenberg?

Klaus von Shtaufenberg ishte një oficer i ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai hyri në ushtri në vitin 1926. Në jetëshkrimin e tij thuhet se gjatë muajve më të qetë të viteve 1940-1941, Stauffenberg u transferua në departamentin organizativ të “Komanda e Lartë e Ushtrisë”, e cila drejtonte pushtimin gjerman të Bashkimit Sovjetik dhe operacionet në Frontin Lindor.

Në vitin 1943, Stauffenberg u gradua në nënkolonel i shtabit të përgjithshëm, dhe u dërgua në Afrikë për t’u bashkuar me Divizionin e 10-të “Panzer” si Oficer i saj i Operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm.

Më 7 prill 1943, Stauffenberg u përfshi në drejtimin e lëvizjes nga një njësi në tjetrën. Pranë Mezzouna, automjeti i tij që ishte pjesë e një kolone u shkatërrua nga bombarduesit luftarakë P-40 Kittyhawk të Forcave Ajrore të Shkretëtirës dhe ai mori plagë të shumta të rënda. Stauffenberg kaloi tre muaj në një spital në Mynih. Ai humbi syrin e majtë, dorën e djathtë dhe dy gishta në dorën e majtë. Pas plagosjes së tij, Shtaufenberg-ut iu dha Kryqi gjerman në ar.

Atentati

Kur e mori veten nga plagët, Shtaufenbergut iu afrua një grup konspiratorësh të udhëhequr nga Gen Henning von Tresckow, të cilët donin të eliminonin Hitlerin dhe të përmbysnin regjimin nazist. Shtaufenberg u bë udhëheqës i atentatit.

Më 20 korrik 1944 Shtaufenberg niset në orën tetë të mëngjesit në drejtim të shtabit qendror të “Führerit” që ishte në një zonë malore të Bavarisë afër Rastenburgut. “Wolfsschanze” ose ndryshe “Strofulla e Ujkut”, ishin zyrat qendrore sekrete të Hitlerit në Frontin e Lindjes. Qëllimi ishte: Vrasja e Adolf Hitlerit me anë të një bombe. Për shkak se pozita e tij në ushtri i jepte mundësi t’i afrohej udhëheqësit nazist, Shtaufenberg mori përsipër të vendoste bombën më sahat në Shtabin e Përgjithshëm, shumë pranë karriges ku ishte ulur Hitleri. Bomba shpërtheu disa çaste pasi Shtaufenberg ishte larguar nga salla e mbledhjeve. Katër persona vdiqën menjëherë nga shpërthimi, por Hitleri vetëm sa u plagos lehtë.

Po atë ditë radioja njoftoi: “Ndaj Udhëheqësit është kryer sot një atentat me eksploziv. Përveç plagëve të lehta nga djegia si dhe hematomave ai nuk ka pësuar asgjë tjetër. Ai ka filluar punën menjëherë dhe sipas planit, priti Duçen në një bisedë të gjatë përbashkët”.

Hakmarrja

Në propagandën zyrtare atentati i 20 korrikut 1944 nënvleftësohet e thuhet se ishte një akt dëshpërimi. Por në të vërtetë Hitleri dhe pasuesit fanatikë të tij shqetësoheshin për moralin e trupës në luftë dhe për cilësinë e korpusit të oficerëve. Në javët dhe muajt që pasuan u arrestuan rreth 1000 burra dhe gra, të cilët regjimi nazist i akuzoi për pjesëmarrje në hartimin e planeve për përmbysje. Rreth 200 nga të arrestuarit u dënuan me vdekje nga i ashtuquajturi gjyqi popullor me kryegjyqtarin Roland Freisler nën akuzën tradhti e lartë ndaj shtetit.

Pas atentatit, Stauffenberg dhe organizatorët e tjerë të komplotit u arrestuan dhe u ekzekutuan. Gruaja e tij dhe anëtarët e tjerë të familjes u dërguan në kampet e përqendrimit. Fëmijëve të tij, sipas urdhrit të Hitlerit, iu ndryshuan emrat, dhe u dërguan të rriten në familjen e një ushtari SS. Bashkëshortja edhe fëmijët u liruan në fund të luftës.

Epilogu

Komploti i 20 korrikut mbeti një simbol i qëndresës së brendshme gjermane ndaj nazizmit, një përpjekje tragjike për të ndalur të pamundurën – dhe një kujtesë se edhe në errësirën më të dendur, dikush tentoi të ndizte një shkëndijë.

 

Zoti President, heshtja juaj është më e zhurmshme se çdo fjalim

By: el da
20 July 2025 at 11:04

Nga Fejzo Subashi
Zoti President,
Në një kohë kur rajoni lëkundet në pasiguri, kur tensionet në Kosovë prekin drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shqiptarëve, kur liderë botërorë si Presidenti i Shteteve të Bashkuara shprehin shqetësim të hapur për zhvillimet atje, heshtja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë është jo vetëm zhgënjyese, por e pafalshme.
Nuk mund të justifikohet më një profil institucional që ndjek agjendën si një kalendar ceremonial, ndërkohë që historia e kombit shkruhet pa praninë tuaj. Kur Kosova sfidohet politikisht, kur proceset e integrimit europian ngadalësohen, kur Shqipëria përballet me krizë besueshmërie në sytë e qytetarëve dhe partnerëve, mungesa juaj është më shumë se indiferencë, është shenjë mosndërgjegjësimi.
Zoti President, nuk jeni as komentator, as spektator. Jeni simbol i unitetit kombëtar. Edhe nëse kushtetuta jua kufizon pushtetin ekzekutiv, nuk jua kufizon dot zërin, përgjegjësinë dhe qëndrimin moral. Heshtja, në kohë krize, është qëndrim. Dhe ju, fatkeqësisht, po rreshtoheni në anën e gabuar të heshtjes.
Këshilltarët tuaj, të përzgjedhur sipas preferencës suaj, paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Detyra e tyre nuk është t’ju shoqërojnë në fotografi apo të hartojnë fjalime pa nerv publik. Detyra e tyre është t’ju mbajnë zgjuar përballë sfidave që kërkojnë lidership, vizion dhe dinjitet përfaqësues. Nëse nuk janë të aftë për këtë, ndërroni ata. Nëse nuk janë të ndershëm, largoni ata. Nëse nuk doni t’i dëgjoni, atëherë përballuni vetë me përgjegjësinë e mungesës.
Koha që ju mbetet në këtë mandat mund të jetë e shkurtër, por mjafton një veprim i vetëm i ndershëm, i guximshëm dhe në kohë për të ndryshuar kujtesën publike. Historia e Shqipërisë ka presidentë që janë mbajtur mend jo për pushtetin që patën, por për kurajën që treguan. Mos lejoni të bëheni përfaqësuesi i parë që do të mbahet mend vetëm për pasivitetin. Mos e lini në trashëgimi vetëm fjalinë therëse që po përhapet gjithnjë e më shpesh:
“Begaj si erdhi, iku.”
Kombi nuk ka luksin e një Presidenti të padukshëm.
Tiranë më 20.07.2025/kb

“Shkruaja për gazeta që sot janë mbyllur, siç po mbyllet dhe ‘Panorama’”

By: el da
20 July 2025 at 10:45

Nga Shpëtim Luku

Gazetarinë e shkruar e kam dashur me pasion. Para se të bëhesha gazetar profesionist, kisha mbi 180 shkrime të botuara në gazeta të ndryshme, pa e menduar kurrë si një rrugë karriere. E bëja thjesht nga dashuria për të shkruar, për të ndarë mendime, për të ngritur probleme, për të parë emrin tim të stampuar në një faqe gazete.
Kur nisa punë në gazetën e parë, euforia ishte e jashtëzakonshme. Më dukej sikur po jetoja ëndrrën time, se po punoja në profesionin më të bukur në botë. Por me kalimin e kohës, realiteti nisi të zbulohej pak nga pak. Përballja me problematika të ndryshme – disa të natyrës klasike për gazetarinë shqiptare, e disa të thellësisht specifike të redaksive ku punova – më bëri të kuptoj se idealizimi që kisha krijuar në mendje nuk përputhej me të vërtetën.
Ika nga gazeta e parë. Kalova në një tjetër. Pastaj në një tjetër. Por kudo njësoj: të njëjtat vështirësi, të njëjtat modele të brishta funksionimi, të njëjtat shenja rraskapitjeje të sistemit mediatik.
Një ditë, nga një impuls i çuditshëm, bëra një bilanc të karrierës sime në trajtën e një autointerviste.
“Ku ke punuar?” – e pyeta veten.
Dhe përgjigjja vinte me emrat e gazetave ku kisha dhënë kohën, energjinë dhe përkushtimin tim.
“Po ku janë sot këto gazeta?” – vazhdova bisedën me veten.
“Janë mbyllur… kanë falimentuar” – më erdhi përgjigjja.
Në atë çast kuptova se kisha punuar në media që sot nuk ekzistojnë më. Dhe nuk ishte faji im. Ishte fati i keq i një industrie në rënie.
Në ato momente, ndjeva fort nevojën për të bërë një ndryshim në jetën time profesionale. Dhe e bëra. Por lajmet e fundit për mbylljen e dy prej gazetave më të mëdha të printit në vend, “Panorama” dhe “Panorama Sport”, janë një kambanë alarmi për të gjithë ata që ende besojnë te gazetaria si profesion.
Po vijnë kohë të vështira. Jo vetëm për gazetat. Por për të gjithë ata që kanë besuar se fjala e shkruar është mjeti më i fuqishëm për të kuptuar dhe ndryshuar botën./kb

“Kandidati Mancurian” dhe kontrolli i mendjes, kur paranoja kthehet në fakt

20 July 2025 at 10:00

Nga Leonard Veizi

Kontrolli i mendjes është forma më brutale e dhunës pa gjak. Është dhe akti më i skajshëm i zhveshjes së njeriut nga vetvetja. Jo një diktim i sjelljes, por kolonizim i vetëdijes. Ai nuk është thjesht imponim i një ideje, por një pushtim i territoreve më intime të ndërgjegjes, ku mendimi nuk lind më lirshëm, por diktohet si urdhër. Në këtë proces, individi nuk është më subjekt, por objektq ë vepron me një liri të rreme. Aty ku dikur liria lindte natyrshëm si mendim, tashmë ajo ngjizet si komandë. Njeriu, ky subjekt i përhershëm i vetes, kthehet në objekt. një trup që flet me fjalët e një tjetri, ndjen me emocionet e imponuara dhe beson me mendjen që nuk është më e tij. Kontrolli i mendjes nuk është thjesht mjet i pushtetit; ai është një zëvendësim i shpirtit. Dhe kur pushteti arrin të hyjë aty ku as feja, as morali, as shoqëria nuk lejuan kurrë të hyhej—në thelbin e njeriut—ai s’ka më nevojë për pranga apo burgje. Sepse skllavëria e mendjes nuk lë gjurmë të dukshme, por shkatërron çdo gjë që dikur quhej zgjedhje…

…Në një epokë kur kufiri mes paranojës konspirative dhe realitetit të errët ishte gjithnjë e më i turbullt, më 20 korrik 1977, një valë dokumentesh të klasifikuara tronditi opinionin publik. Nën presionin e Aktit për Lirinë e Informacionit, Agjencia Qendrore e Zbulimit e Shteteve të Bashkuara (CIA) publikoi për herë të parë dokumente që pranonin zyrtarisht ekzistencën e programit “MKUltra”. Kjo nismë sekrete, e nisur në fillim të viteve 1950 dhe e formalizuar më 1953, kishte për qëllim të zbulonte e më pas të përdorte teknika të kontrollit të mendjes përmes barnave psikotrope si LSD-ja, hipnozës, izolimit ndijor, ndërhyrjeve neurologjike dhe traumave të qëllimshme. Në qendër të këtij eksperimenti qëndronte ideja e një “Kandidati të Mançurisë”—një individ që, i programuar në mënyrë të pavetëdijshme, mund të kryente atentate apo akte sabotimi pa e ditur as vetë. Programi thuhet se u kufizua më 1964, u ngushtua më tej në 1967 dhe u ndërpre zyrtarisht në 1973—një vit që përkon me hetimet e para serioze të Kongresit amerikan mbi veprimtaritë e errëta të shërbimeve sekrete gjatë Luftës së Ftohtë.

Por pyetja që mbetet ende pezull është kjo: A mund të besohet se eksperimente të tilla janë mbyllur përgjithmonë? Apo thjesht kanë ndryshuar emër, metodë dhe mbulesë?

“Kandidati Mancurian”

Termi u bë i njohur fillimisht në romanin e Riçërd Kondon dhe më vonë në versionin kinematografik të vitit 2004, me regji të Xhonathan Dem. Filmi “Kandidati Mancurian” është një thriller politik që eksploron thellësisht temat e kontrollit të mendjes dhe manipulimit të elitave në sistemet demokratike. Aktorët kryesorë janë Meril Strip si senatorja Eleonor Sho, Denzel Uashington si majori Benet Marko dhe Liev Shrajber si Rejmond Sho.

Subjekti

Pasi kthehet nga Lufta e Gjirit, Rejmond Sho shpallet hero kombëtar dhe niset drejt një karriere të shpejtë politike si kandidat për nën-president, i shtyrë nga nëna e tij autoritare. Por ish-shoku i tij i luftës, majori Marko, fillon të ketë ëndrra të turbullta, që e çojnë në zbulimin e një të vërtete tronditëse: Sho është “programuar” përmes eksperimentesh neurologjike nga korporata misterioze “Manchurian Global”, për të vepruar si kukull në një lojë politike të komanduar nga interesa të errëta.

Filmi nënkupton një rend të ri global, ku korporata dhe politika bashkëpunojnë për të zhdukur vullnetin e qytetarit. Demokracia kthehet në një teatër, dhe vota – simboli i lirisë – në një akt të paracaktuar nga algoritme propagande dhe teknologji neuropsikologjike.

“Mançuriani” tashmë nuk është më një personazh fiktiv. Ai është simboli i frikshëm i një epoke ku vetë zgjedhja është e manipuluar. Dhe nëse e ardhmja varet nga vullneti i lirë i qytetarit, atëherë pyetja më e rrezikshme që mund të shtrohet është: A është ende ky vullnet vërtet i lirë?

Epilogu

Kontrolli i mendjes zhduk nocionin e zgjedhjes dhe shndërron vetëdijen në skllavëri të heshtur, ku bindja nuk është më çështje arsyetimi, por e programimit. Në thelb, ai është fitorja më e errët e pushtetit mbi shpirtin.

Yesterday — 19 July 2025Main stream

Rilindja Urbane 2 në Pogradec: kthim në normalitet apo pranim i anormalitetit?

By: el da
19 July 2025 at 14:59

Nga Shpëtim Luku

Rilindja Urbane 2 në Pogradec u konkretizua së fundmi me një aksion të IKMT-së për çlirimin e trotuarit përgjatë shëtitores “Dëshmorët e Pojskës”, një zonë që prej vitesh ishte privatizuar në mënyrë të paligjshme nga interesa individuale. Tani po flitet për “kthim në normalitet”, por ky është një kthim që ngre më shumë pyetje sesa jep përgjigje. Sepse për të rikthyer normalitetin, do të thotë që për një kohë të gjatë qytetarët janë detyruar të pranojnë e të jetojnë brenda një anormaliteti.

Pyetjet lindin natyrshëm:
Si shpjegohet që biznesmeni shqiptar ndërmerr investime të konsiderueshme në prona që nuk i zotëron, pa asnjë garanci, pa asnjë dokument të ligjshëm?
Pse një pjesë e sipërmarrjes bie me aq lehtësi në konflikt me interesin publik, duke e sfiduar qytetarin edhe në gjëra bazike e utilitare, si e drejta për të ecur lirshëm në një trotuar?

Po publiku?
Pse qytetari është kaq i nënshtruar, kaq fatalist, i bindur se nuk ka çfarë të bëjë tjetër veçse të pranojë faktin e kryer, produkt i njerëzve me oreks të shfrenuar dhe i zyrtarëve të korruptuar që mbyllin sytë, në këmbim të përfitimeve personale?
Të gjitha këto janë pyetje që shkojnë përtej një rasti të izoluar në Pogradec. Ato janë simptomë e një sëmundjeje më të thellë shoqërore dhe institucionale: të jetuarit në anormalitet derisa anormalja të bëhet e zakonshme. Kur një shkelje përsëritet mjaftueshëm gjatë, ajo nuk ngjall më indinjatë, përkundrazi, tolerohet, racionalizohet, madje edhe justifikohet.

Prandaj, edhe pse është për t’u përshëndetur fakti që më në fund shteti ndërhyn për të mbrojtur hapësirat publike, nuk duhet të gëzohemi me pak. Çlirimi i një trotuari nuk duhet të na emocionojë sikur po na falet një privilegj, është e drejta jonë. Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është se sa gjatë kemi jetuar pa këtë të drejtë.
Dhe mbi të gjitha, nëse Pogradecit iu shkulën disa çibanë të vegjël pa leje, shpresa e vetme është që të mos lejohen më çibanët e mëdhenj, ata që, edhe pse me leje në dorë, kanë mbirë mbi themelet e pandershmërisë, mbi korrupsionin, mbi pazaret nën dorë dhe mbi heshtjen e institucioneve.Rilindja urbane nuk duhet të jetë thjesht një operacion kozmetik. Ajo duhet të jetë një filozofi e re mbi hapësirën publike, mbi interesin kolektiv, mbi sjelljen qytetare. Në të kundërt, do të mbetet thjesht një fasadë që fsheh brenda saj të njëjtin realitet të kalbur.

Before yesterdayMain stream

Çfarë fitojmë nga fatura e qumështit?

By: el da
18 July 2025 at 19:40

Fatos Çoçoli

Nga e hëna 14 korrik 2025, inspektorë të tatimeve, në bashkëpunim me punonjës të bashkisë dhe me policinë bashkiake, kanë nisur kontrollet në tregje, pika grumbullimi, baxho, dyqane dhe njësi shitjeje të produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Po kontrollojnë imtësisht tregjet e shitjes së produkteve të bulmetit dhe të mjaltit, duke kërkuar për çdo shitje nxjerrjen e faturës përkatëse tatimore. Kjo nismë, e ndërmarrë me urdhër të kryeministrit, është pjesë e fazës së re të luftës kundër informalitetit në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Deri tani, 90 përqind e qumështit që tregtohet tek ne shitet pa faturë. Qëllimi i nismës është të formalizojë aktivitetin ekonomik të fermerëve dhe bletarëve, të sigurojë transparencë për konsumatorin mbi origjinën dhe cilësinë e qumështit dhe mjaltit që blejmë, si dhe të krijojë mundësi më të mëdha për përfitim nga skemat e subvencioneve (parave falas) shtetërore, për fermerët tanë që lëshojnë faturë, duke u regjistruar dhe duke marrë një NIPT (numër regjistrimi pranë organeve tatimore).

Informaliteti në qumështin dhe mjaltin e shitur

– Qumështi i shitur viti 2024              90%
– Mjalti i shitur viti 2024                    60%

Marrja e NIPT-it për fermerët bëhet shumë thjesht. Mjafton që ata të aplikojnë pranë drejtorisë rajonale të tatimeve të fshatit dhe rrethit të tij. Çdo fermer apo tregtar i produkteve ushqimore, që shet qumësht ose mjaltë, duhet të lëshojë faturë tatimore elektronike për çdo shitje, pavarësisht sasisë.

Mungesa e faturimit po ndëshkohet me gjoba dhe paralajmërime për pezullim aktiviteti për rastet e përsëritura. Shoqata të fermerëve kanë kërkuar më shumë informim dhe mbështetje teknike për procesin e fiskalizimit, duke kërkuar kohë adaptimi për fermerët e vegjël. Qeveria është shprehur se nuk ka kthim pas në zbatimin e ligjit dhe se do të ofrojë asistencë për ata që janë të gatshëm të formalizohen. Ministria e Financave ka folur për trajnime për fermerët dhe tregtarët e produkteve ushqimore, mbi përdorimin e sistemit të fiskalizimit dhe mënyrat e deklarimit të shitjeve të tyre. Këto trajnime duhet të fillojnë sa më shpejt, pasi nevoja për dije nga fermerët është e madhe.

Në këto dhjetë vitet e fundit, kemi humbur 700 mijë krerë bagëti të trasha(lopë) dhe të holla(dhen, dhi). Ose 35 përqind më pak tufa se në vitin 2015. Kjo duhet të na shqetësojë shumë. Nëse subvencioni për blegtorinë bëhet për njësi prodhimi, sikurse e permendi kryeministri, do të shohim rritje të fortë të prodhimit të qumështit, të numrit të krerëve bagëti  dhe të formalitetit në bujqësi.

Rënia drastikë e numrit të bagëtive tek ne
–  Numri i lopëve, dhenve dhe dhive në 2015                             2.4 milionë krerë
–   Numri i lopëve, dhenve dhe dhive në 2024                             1.7 milionë krerë (-35%)

Fatura tatimore për shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një instrument i rëndësishëm që sjell dobi konkrete për fermerët, bletarët, konsumatorët dhe shtetinPo cilat janë këto përfitime?

Së pari, bujqit, fermerët dhe bletërritësit do të mund të përfitojnë nga subvencionet (paratë falas) shtetërore dhe skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Deri tani, pa NIPT-in tatimor, nuk e kishin këtë mundësi.

Së dyti, fermerët që punojnë të formalizuar dhe lëshojnë faturë tatimore, do të mund të përfitojnë edhe nga programet e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian.

Së treti, me shitjen e produkteve ushqimore me faturë tatimore online, si konsumatorë përfitojmë nga një siguri më e madhe në treg. Ai fermer që ka menduar të shesë qumësht të skaduar apo me ujë, apo mjaltë që të tillë e ka vetëm emrin, me faturën që lëshon kapet shumë kollaj dhe ti si qytetar, po u ankove nga malli i blerë me këtë lloj mashtrimi, e gjen shumë kollaj mashtruesin. Fatura i bën të gjithë shitësit tanë ushqimorë më të disiplinuar dhe të përgjegjshëm për mallin që shesin dhe që ka të bëjë me jetën tonë.

Së katërti, me faturë dhe dokumentacion të rregullt, fermerët dhe bletarët mund të hyjnë më lehtë në kontrata me baxhot, pikat e grumbullimit dhe edhe me vetë supermerkatot e tregjet e mëdha, duke siguruar shitje të qëndrueshme.

Së pesti, formalizimi përmes faturës tatimore online për qumështin dhe mjaltin e shitur, i hap rrugën zhvillimit të mëtejshëm të biznesit për shitësit dhe grumbulluesit, për aplikim për kredi të buta, investime në pajisje moderne dhe për rritje të prodhimit.

Së gjashti, fatura tatimore barazon kushtet e lojës në treg, duke i mbrojtur të gjithë ata që e lëshojnë, nga konkurrenca e pandershme në treg.

Së shtati, si konsumatorë, kur blejmë me faturë na shtohet besimi në produktet vendase, pasi fatura për qumështin apo mjaltin që blejmë, është një lloj garancie se po marrim një produkt të kontrolluar dhe të çertifikuar.

Së teti, fatura që marrim na jep të drejtë si konsumatorë të ankohemi, të na kthehen paratë e shpenzuara, ose të fillojë një hetim nga organet ligjvënëse, në rast mashtrimi me çmimin apo me cilësinë.

Së nënti, mijëra faturat e lëshuara në qumështin apo mjaltin e blerë, na e zvogëlojnë ndjeshëm informalitetin në ekonominë tonë. Ato na japin të dhëna të sakta për politikat bujqësore. Këto të dhëna ndihmojnë qeverinë të hartojë politika më të drejta për zhvillimin e sektorit bujqësor dhe blegtoral.

Së dhjeti, ne, si vend kandidat për në Bashkimin Evropian, e kemi detyrim të afrohemi me praktikat e Bashkimit Evropian në fiskalizim dhe siguri ushqimore. Faturimi i qumështit dhe mjaltit është një hap drejt integrimit dhe tregut të përbashkët europian.

Fatura për qumështin dhe mjaltin: mundësi, jo pengesë

Fatura tatimore për qumështin dhe mjaltin nuk është një pengesë, por një mundësi zhvillimi për ne. Nuk është një taksë shtesë për fermerët tanë, por një shans që ata të ndihmohen nga subvencionet e Shtetit. Ajo është një element themelor për ndërtimin e një tregu të drejtë, të sigurt dhe të formalizuar, ku prodhuesi përfiton më shumë, konsumatori blen më me siguri dhe shteti vepron më me drejtësi.

Zbatimi korrekt i faturës tatimore në shitjet e qumështit dhe mjaltit është një test për seriozitetin e Shtetit tonë, në raport me sektorin informal, si dhe një thirrje për vetëdijesim për fermerët tanë, në bujqësi dhe blegtori./e.t

Vit pas viti

By: el da
18 July 2025 at 12:59

Nga Artan Shkreli

Polonia gjate luftës humbi gati 40% të trashëgimisë arkitekturore dhe vetem Varshava u shkatërrua mbi 85%.
Krenaria e polakëve për trashëgiminë e tyre u zgjua sapo u krijuan kushtet dhe një politikë e tërë u vu në funksion të ringritjes së traditës duke e bërë vendin simbol ndërkombëtar të restaurimit.

U krijua Zyra e Përgjithshme për Rindërtimin e Qytetit (BOS) që kishte mision të rindërtonte Varshavën sipas dokumenteve arkivore, fotove historike, gravurave të Canaletto-s etj. U zbatua modeli i anastilozëss, që nënkuptonte përdorimin maksimal të materialit origjinal kur ishte e mundur, por edhe rindërtimin e saktë historik, kur kjo nuk qe e mundur. Modeli, u dhjetëfishua në shumë qendra tradicionale të vendit dhe frymëzoi mbarë Europën.

Procesi vijon ende pa ndërprerje…

Ne foto: Vila “Hugon Nitsc” në Poloni, para dhe pas restaurimit, zhvilluar mes viteve 2023-2024.

Roberto Saviano dhe sfida ndaj mafies, një leksioni i gjatë 17 vjeçar

18 July 2025 at 10:00

Nga Leonard Veizi

Fjala e lirë, padyshim, kushton më shumë se plumbi. E megjithatë, ka njerëz që zgjedhin të mos heshtin. Nuk bëjnë zhurmë për të rënë në sy, por i japin zë një të vërtete që shumëkush do të dëshironte të mbetej nën dhe, bashkë me viktimat e saj. Janë ata që zgjedhin të jetojnë jo për veten, por për të tjerët. Dhe që, për këtë zgjedhje, shpërblehen me frikë, izolim, kërcënime e një jetë në hije.

Roberto Saviano nuk është vetëm emri i një gazetari. Është metafora e qëndresës. Është simboli i njeriut që e mbush një libër me krim, por jetën e tij e sheh si një dënim të përjetshëm për guximin e treguar.

Më 14 korrik 2025, drejtësia italiane dha një vendim që tejkaloi emrat e të pandehurve apo numrin e muajve të dënimit: ajo njohu zyrtarisht, pas 17 vitesh, se kërcënimi ndaj një gazetari është një akt mafioz – jo thjesht një mendim në nxehje e sipër, jo një ofendim kalimtar – por një krim kundër lirisë së fjalës. Françesko Bidonjeti, bosi i Camorra-s, dhe avokati i tij Mikele Santonastaso, u dënuan për kërcënimet që në vitin 2008 i bënë Roberto Savianos dhe gazetares Rosaria Kapaçione gjatë procesit “Spartacus”, një nga proceset më të rëndësishme kundër mafies në Italinë e Jugut.

Për Savianon, ky nuk ishte thjesht një gjyq. Ishte kronika e një jete të vjedhur. Që prej vitit 2006, kur botoi librin “Gomorra”, ai është detyruar të jetojë nën mbrojtje të përhershme policore. Jo për shkak të ndonjë krimi që ka bërë vetë, por sepse tregoi me emër e mbiemër kriminelët që e kishin kthyer Italinë në një hartë të ndarë mes ligjit dhe heshtjes.

“M’u vodh jeta,” tha ai pas vendimit. Dhe më tej: “Por unë ëndërroj vetëm një shëtitje, një udhëtim me motor…” Këto fjalë nuk janë për të krijuar trishtim, por për të ngritur ndërgjegjen. Sepse vendimi nuk është vetëm për Savianon. Ai është një dritë jeshile për të gjithë ata që zgjedhin të shkruajnë të vërtetën, edhe kur ajo vret.

Ky vendim nuk është ende final juridikisht – çështja mund të përfundojë në Gjykatën e Kasacionit – por ka një vlerë të pakthyeshme morale. Është një precedent që thotë se gazetari nuk është një zë i vetëm, i pambrojtur dhe i pashpresë përballë rrjetave të krimit. Është një mesazh për politikanët që e akuzuan Savianon për protagonizëm apo fabrikim frike. Është një ftesë për shoqërinë që të mos rrijë spektatore, por të kuptojë se lufta kundër mafies nuk bëhet vetëm në sallat e gjyqeve, por edhe në faqet e gazetave dhe në mendjet e lexuesve.

Kur një gazetar sulmohet për shkak të fjalës së tij, nuk është ai që goditet. Është vetë publiku që lëndohet. Është shoqëria që verbohet. Dhe është e ardhmja që errësohet.

Saviano zgjodhi të mos heshtë. Dhe tanimë, pavarësisht vuajtjes, i dha një fitore të vogël, por të ndritur, fjalës së lirë. E bëri për vete, por më shumë për ne.

Në fund të fundit, gazetaria nuk vlen vetëm kur raporton lajmet, por kur i bën ballë frikës. Dhe kur gazetari vendos të mos bëjë kompromis me të vërtetën,… edhe nëse e paguan me jetë.

Batuta, ilaçi i shqiptarëve për t’i thënë vetes “mos u mundo”

By: el da
17 July 2025 at 19:15

“O, ç’u kënaqëm!”

Kaq ishte. Kjo është amalgama e reagimit të shoqërisë, analistëve dhe aktorëve të ndryshëm politikë (kryesisht periferikë, se të mëdhenjtë kanë punë të mëdha) për temën e 48 orëve të fundit në Big Brother VIP Politika, Endri Shabani vs. Adriatik Lapaj.

Njëri ka zili tjetrin, nuk ia duron dot famën dhe suksesin, kështu që aktivizon modalitetin “dajë” për ta penguar që të marrë mandatin. Tjetri mendon se po sulmohet nga gjithë bota dhe se nuk ekziston asnjë variant tjetër përveç atij që servir ai. Dikur miq, kolegë dhe bashkëluftëtarë në beteja publike; sot armiq të përbetuar për një “copë mandati”, term i përdorur nga vetë ata.

Po, e morëm lajmin e fundit. Politikanët e rinj janë të papjekur dhe nuk e ndajnë dot gjakun e ndezur të betejave personale me detyrën që duhet të marrin përsipër për 5-10 vitet e ardhshme, sjelljen si politikanë të vërtetë dhe jo si adoleshentë.

Problemi, fatkeqësisht, nuk është dueli i tyre në arenën e Fejsbukut. Jemi mësuar me karikatore tastierash ndër vite. Problemi është diku tjetër.

Të gjithë po gajasemi dhe po kënaqemi. Po e shijojmë. Mezi presim të dëgjojmë perlën e radhës, sikur po ndjekim serinë ditore të telenovelës “Paloma”. Mjaftohemi me kaq. Duam që “Portokallia” të mos mbarojë kurrë. Jo ajo e Top Channel-it, por kjo e jetës sonë të përditshme, me fixhanin e kafes në dorë.

“O, ç’u kënaqëm!”

Po, u kënaqëm shumë… duke u renditur të fundit në të gjitha statistikat europiane, duke humbur 500 mijë vëllezër e motra në emigrim gjatë një dekade, me shkolla bosh e spitale plot. Po rrisim brezin e ri më të paaftë dhe injorant në kontinent (me shifra zyrtare, jo mendim në tym). Të gjithë e dimë se jemi fundi i kontinentit, por për ne kjo nuk ka rëndësi. Shijojmë momentin: diell, cigare dhe “kush tha, pse e tha dhe kujt ia tha”.

80% e komenteve në rrjetet sociale për konfliktin Shabani-Lapaj nuk janë reflektime, kritika apo kërkesë llogarie. Janë thjesht batuta. Të njëjtën gjë bëjmë edhe kur dëgjojmë për ndonjë skandal shtetëror. Pse e bëjmë këtë?

E bëjmë, sepse secili prej nesh dëshiron t’i mbushë mendjen vetes se ky është fati ynë i parapërcaktuar dhe se të gjithë jemi njësoj. Nuk na shkon ndërmend të jemi kërkues, sfidues dhe ta nisim akuzën te vetja. Jo. Duam gjahun e radhës. Mundësisht, sa më larg vetes.

Mirë do të ishte të reflektonim, të bënim pyetje, të thelloheshim. A ka të rinj Shqipëria që mund të sjellin një politikë ndryshe? Ku ngecëm? Pse nuk prodhojmë asgjë (në të gjitha fushat)? Pse jemi kaq shterpë? Cilat janë mënyrat e vetëkorrigjimit? A ua dhamë mjaftueshëm shansin të rinjve? A ishim “gjallë” ditën e zgjedhjeve? A i kërkuam llogari qeverisë? A dimë t’i kundërpërgjigjemi drejtorit të bashkisë? A po i edukojmë fëmijët që të bëhen edhe më të mirë se ne? A po kontribuojmë në shoqëri me ndonjë element sado të vogël? Më lehtë, a na shkon ndërmend të trokasim diku për të propozuar më të mirin e lagjes, fshatit apo qytetit në një strukturë partiake? A shkojmë ne pas të mirëve? Mos vallë e kemi humbur busullën? A udhëhiqemi nga vlerat?

Jo. Nuk dëgjon reflektime të tilla në këtë vend. Ka vetëm një përgjigje automatike: batutë, batutë, batutë. Kjo është lëvozhga jonë e paturpësisë dhe shtirjes, me të cilën mbulohemi për të mos e thënë kurrë publikisht të vërtetën: ne jemi rehat duke qenë të pandreqshëm. Kjo na mban gjallë. Kaosi, zhurma, llumi, skandalet. Jo se jemi të gjithë njësoj, por sepse të mirët i kemi larguar, kurse shumë të tjerë thjesht pranojnë të bëhen njësoj. Pranojnë, sepse është rruga më pak e dhimbshme. Një batutë do 3 sekonda për t’u thënë, kurse një qëndrim i denjë do sakrificë dhe shumë kohë.

Shabani e Lapaj, ju jeni ne. Ne jemi ju. Secili për vete, Zoti për të gjithë.

S’mund t’i besosh Shqipërinë dikujt që s’i beson askujt

By: el da
17 July 2025 at 08:10

Nga Mero Baze

Debati mes dy partnerëve në koalicion, Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt, është pasojë e qartë e mosbesimit politik mbi të cilin është ndërtuar koalicioni i tyre. Dhe duke qenë një koalicion i ndërtuar mbi mosbesimin politik ndaj palëve, dështimi nuk është lajm, por pasojë e pashmangshme e papjekurisë politike të tyre.

Së pari, nuk shikoj ndonjë besëprerje të Shabanit ndaj Lapajt, bazuar te deklaratat paraprake që kanë bërë. Bazuar në ato deklarata, mund të themi që kemi një besëprerje të Lapajt ndaj të tjerëve, pasi ai e pati deklaruar që “nëse marrim një mandat, unë nuk do ta marr atë”. Ai u tërhoq nga kjo deklaratë. Në momentin që kreu i koalicionit tërhiqet nga deklaratat e tij paraprake, të gjithë kanë të drejtë ta bëjnë këtë.

Së dyti, debati me Shabanin nuk ka kuptim, pasi ai nuk po kërkon mandat deputeti. Debati ka kuptim me personat fiktivë që kanë futur në listën e sigurtë. Unë nuk di cilat janë raportet konfidenciale mes kandidatëve fiktivë dhe Lapajt e Shabanit, por vetë mbushja e listës me kandidatë fiktivë tregon një koalicion të bazuar mbi taktika hileqare dhe jo mbi parime.

Të njëjtin gabim e tentoi në fillim dhe Shehaj, por e korigjoi, dhe sot është me dy deputetë në Kuvend, ndërsa Qori vendosi me vetëdije dikë para tij, por nuk po i thotë “dorëhiqu”, por po qëndron jashtë Parlamentit për të paguar çmimin e taktikës që ndoqi.

Në këtë pikë, edhe Lapaj e Shabani duhet të paguajnë çmimin e taktikës që ndoqën. Vunë njerëz anonimë apo të afërm të tyre, tani le të paguajnë koston e falsitetit. Asgjë nuk do të ndodhte më keq se kaq nëse do të ishte i pari Lapaj dhe i dyti Shabani në listën e mbyllur. Ndoshta mund të merrnin më shumë deputetë në Tiranë. Megalomania dhe patetizmi i shpifur, shoqëruar me taktika të vogla, natyrisht që i sjell në këtë gjendje, ku duhet të paguajnë çmimin e “hileve” të tyre të vogla.

E sigurtë është që ata nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhnin mes dy vetëve kush do ishte i pari, dhe vunë 12 të tjerë para tyre për ta maskuar këtë. Tani natyrisht do ta paguajnë.

Së fundmi, duket që Lapaj ka ngjallur mosbesim jo vetëm te partia partnere e Shabanit, por edhe te kandidatë që ishin brenda partisë së tij, afër fitores, siç është rasti i Duleviçit në Fier, që humbi për disa qindra vota. Dhe ai në fund u zemërua, pasi kuptoi se qëndrimi i Lapajt ndaj tij nuk ka qenë transparent. Kjo tregon shumë: se patetizmi nga një anë dhe hilet nga ana tjetër ndërtojnë kështjella prej rëre, por jo besim.

Kjo është edhe drama e një rasti të humbur, kur mbi 60 mijë vota nuk çojnë dot në Kuvend as dy drejtuesit e koalicionit, pasi gjithë koalicionit i mungonte strategjia e eficencës së votës, parimet e mirëbesimit publik, ku dy kryetarët duhet të udhëhiqnin garën, dhe mbi të gjitha i mungonte besimi tek njëri-tjetri.

Dhe ky është një shembull që tregon se, pavarësisht se pretendojnë që “Shqipëria bëhet”, ti nuk mund të bëhesh dot politikan me çdo gjë false: edhe me parime false, edhe me taktika false, edhe me raporte hipokrite me njëri-tjetrin. Dhe ata që nuk bëjnë dot një koalicion bazuar mbi mirëbesimin, nuk mund të bëjnë dot as Shqipërinë. S’mund t’ia besosh Shqipërinë dikujt që s’i beson askujt./kb

Shpresë, Frikë dhe Besueshmëri, Trinom i Pashkëputur në Udhëtimin Europian të Shqipërisë

By: Ke Si
16 July 2025 at 21:43

Nga Fejzo Subashi

Prej më shumë se tridhjetë vitesh, Shqipërinë e kanë shoqëruar tri ndjenja të fuqishme në udhëtimin e pa fund të saj drejt Europës: Shpresa, Frika dhe Besueshmëria. Këto ndjenja nuk janë thjesht emocione, të shpërndara në kohë dhe rrethana, por janë bërë komponentë të pandarë të identitetit tonë europian të vonuar. Që nga rënia e regjimit komunist, në vendin tonë është shpresuar, është pasiguruar dhe është vënë në pikëpyetje çdo marrëdhënie me veten dhe me të tjerët.

Shpresa: Rruga që nuk shuhet

Shpresa ka qenë motori më i fuqishëm i këtij rrugëtimi. E shprehur fillimisht në fillesat e saj, me gjuhën e protestës, të rinisë, sidomos asaj studentore, të arratisjes, dhe më pas të kërkesës për integrim. Shpresa ka ndriçuar horizontin tonë kombëtar. Por është një shpresë që ka zgjatur më shumë seç duhej. Është shpresa e brezave që lindën në fillim të viteve ’90, të cilët sot janë prindër, profesionistë, emigrantë, qytetarë të sprovuar. Është po ashtu shpresa e një brezi më të vjetër, që dikur ëndërronte për “Europën që na takon”, por sot është plakur me një ndjenjë pezmi dhe mosbesimi.

Në një shoqëri normale, shpresa duhet të pasohet nga përmbushja, nga hapat konkretë. Por në Shqipëri, shpresa është bërë një gjendje e përhershme. Dhe për ironi, ajo sot mbahet gjallë më shumë nga vetë europianët që besojnë ende se Shqipëria mund të ndryshojë, sesa nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që kanë nisur të lodhen nga pritja.

Frika: Historia që nuk duam ta kujtojmë

Frika është motra binjake e shpresës në këtë rrugëtim. Ka qenë frika nga destabiliteti, nga vetë-shkatërrimi, nga krizat që shpesh i kemi shkaktuar vetë. Kriza e vitit 1997, lufta në Kosovë, përplasjet politike të dhunshme, shpërdorimi i institucioneve, konfliktet që gjithnjë janë afruar rrezikshëm me kaosin, këto nuk janë thjesht episode, por plagë të pashëruara në ndërgjegjen tonë kolektive.

Frika është gjithashtu ajo që ka penguar shumë vende europiane të japin një dritë jeshile për integrimin. Ata shohin ende një vend ku demokracia është më shumë procedurë sesa kulturë, ku shteti i së drejtës është më shumë një slogan se një realitet funksional. Dhe kjo frikë nuk lind nga paragjykimi, por nga përvoja.
Besueshmëria: Aty ku fillon (dhe mbaron) gjithçka

Ndër të treja, besueshmëria është ndoshta elementi më kritik. Ajo nuk fitohet me deklarata, por ndërtohet në heshtje, me veprime të qëndrueshme. Pikërisht këtu kemi dështuar më shumë se kudo.

Kancelaritë europiane janë lodhur nga premtimet e përsëritura dhe nga ndryshimet e përkohshme që s’ndërtojnë institucione, por mbajnë në këmbë individë. Qeveritë tona kanë shpesh më shumë talent për të manipuluar perceptimet, sesa për të ndërtuar besim të qëndrueshëm. Në vend të një vazhdimësie në reforma, kemi pasur ndërprerje, kthime prapa, diletantizëm, ose më keq: qëllime të fshehura pas fasadës europiane.

Në këtë klimë, edhe qytetarët kanë humbur besimin, jo vetëm tek politika, por edhe te vetë ideja e integrimit si diçka që mund të ndodhë në jetën e tyre. Dhe këtu nis problemi më i madh: kur nuk ke më besim as në veten tënde, as tek partneri yt, atëherë çdo marrëdhënie bëhet thjesht një formalitet që ushqehet nga dyshimi dhe jo nga dëshira.

Tre mesazhe, për tri palë përgjegjësish

Ky shkrim nuk është vetëm reflektim, por thirrje për veprim , në tri drejtime:

Së pari duhet të ndërgjegjësohen vetë kancelaritë europiane se: Shqipëria nuk është thjesht një vend i vogël në Ballkan. Ajo është një simbol i një bote që kërkon të jetë pjesë e Europës pa kthyer kurrizin ndaj historisë së saj. Gjykoj se këto kançelari duhet ta ndihmojeni vendin ton jo vetëm me rekomandime teknike, por edhe me një vullnet të qartë politik që të vendosë një standard të ri për integrimin, bazuar në realitet, por edhe në përgjegjësi të përbashkëta. Ata duhet të reflektojnë , ashtu si edhe ne, pasi përgjegjësia ndaj historisë së djeshme më shumë peshon nga ata.

Për klasën politike shqiptare: Integrimi europian nuk është dhe as duhet të jetë një çështje retorike. Ajo nuk duhet të jetë vetëm pjesë e platformave elektorale. Integrimi duhet të jetë për klasën politike një kontratë përgjegjësie politike dhe morale me popullin dhe me të ardhmen. Ku parsor të jetë qëllimi ku të dërtoni institucione, jo emra. Jepni besim, jo fjalë. Zbatoni reforma që sjellin drejtësi të pavarur dhe zgjedhje të ndershme, jo thjesht rekomandime që plotësojnë raportet ndërkombëtare.

Absolutisht ky hap vërtet rrënjësor i pa realizuar deri dje kërkon dhe detyra dhe detyrime për qytetarin shqiptar ku: Shpresa është e vlefshme, por jo e mjaftueshme. Të drejtën për të qenë pjesë e Europës e kemi, por edhe detyrën për të qenë europianë në sjellje, në përgjegjësi, në vetëdije. Pa këtë, Europa mbetet vetëm një ëndërr, dhe jo një shtëpi ku mund të hyjmë me dinjitet. m.p.

5-0 për të na zbritur me këmbë në tokë! Europa nuk të fal…!

By: Ke Si
16 July 2025 at 13:35

Nga ERVIN BAKU

“Kujdes euforinë”, shkruaja 10 ditë më parë. Isha ndër shumë të paktët syresh, në mos i vetmi… Egnatia shkoi në Islandë me entuziazmin e kampiones së Shqipërisë dhe me entuziazmin e fitores minimale të ndeshjes së parë në Rrogozhinë. E panë veten menjëherë në Poloni, në përballjen me Lech Poznań. Humbja në Islandë nuk është thjesht një disfatë e rëndë. Është një shuplakë e thatë realiteti, një pasqyrë e pamëshirshme që na tregon se sa larg jemi nga Europa. Jo vetëm në kilometra, por edhe në futboll. Një kujtesë brutale se Europa është realitet, jo festë. Futbolli europian nuk është as dekor për kampionët tanë, as vend për të mbajtur fjalime krenare. Është testi i vërtetë i karakterit, cilësisë, përgatitjes dhe mbi të gjitha i përulësisë. Të cilën ne nuk e njohim fare.

Egnatia e fitoi me meritë të plotë kampionatin, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. Është sot forca e parë e futbollit shqiptar. Por suksesi shpesh kthehet në kurth, kur nuk menaxhohet siç duhet. Shkuan në Europë me medaljet në qafë, por pa armët e duhura. Breidablik nuk i fali asgjë. Ishte shumë më i përgatitur, shumë më i shpejtë, shumë më i organizuar dhe shumë më modern. Në fushë dukej sikur ndesheshin dy epoka të ndryshme.

Opinioni publik sportiv në përgjithësi dhe ai rrogozhinasit në veçanti e nënvlerësoi shumë, po shumë fare kundërshtarin. Shumë pak analizë. Shumë shumë vetëbesim. Dhe kjo frymë u fut edhe brenda në ekip. Egnatia hyri në ndeshje sikur emri “Islandë” mjaftonte për të qenë e thjeshtë. I “vuri në gjumë” edhe fakti që Drita e Kosovës i eliminoi vjet me dy fitore në Ligën e Konferencës. Por harruan shumë gjëra thelbësore… Harruan që vjet ishte pikerisht një ekip islandez që i nxorri nga skena europiane. Harruan që islandezët janë vikingë, vrapojnë si kuaj, të marrin frymën. Harruan që klubet islandeze janë “mace e zezë” për klubet shqiptare… Dhe dinë të luajnë futboll shumë mirë. E pamë mbrëmë, Breidablik ishte një skuadër me filozofi të qartë loje dhe disiplinë taktike që rrallë shihet në futbollin shqiptar. Kot nuk kanë shkuar në grupet e Ligës së Konferencës në sezonin 2023-2024. Edhe pse në grup regjistruan 6 humbje.

Disfata e mbrëmshme na zbuloi lakuriq një të vërtetë të hidhur: Kampionati shqiptar nuk i përgatit siç duhet klubet për ndeshjet ndërkombëtare. Ritëm i ulët. Cilësi e vakët. Struktura të dobëta. Përgatitje me standarde të mangëta. Kur je mësuar të fitosh në shtëpi sepse rivalët janë më të dobët se ti, e ke të pamundur të mbijetosh në një fushë ku çdo centimetër fitohet me gjak dhe djersë, ku çdo centimetër ka vlerë. Në Shqipëri, shpesh nuk fiton më i miri. Fiton më pak i keqi.

Dhe kur flasim për Europën, duam apo nuk duam, na kap nostalgjia… Mua të parin. Si moderator i Skënderbeut Europian të Shqipërisë. Klubi i vetëm shqiptar që ka ecur në Europë. Por nuk ndodhi rastësisht. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Ishte produkt i një pune serioze, të vazhdueshme dhe me vizion. Skënderbeu ndërtoi një klub, jo thjesht një skuadër. Ai ekip e kuptoi se Europën nuk e fiton duke qenë kampion në Shqipëri, por duke menduar dhe punuar si europian.

Dhe derisa kjo filozofi të përqafohet nga klubet e tjera, rezultatet do të jenë të njëjta. Të hidhura, të shpejta dhe të përsëritura. Egnatia duhet të reflektojë. Ashtu si gjithë futbolli shqiptar. Nuk mjafton të fitosh këtu. Duhet të ndërtosh për të qenë dikushi edhe atje. Nëse nuk ndryshon ritmi, kultura, përgatitja dhe mbi të gjitha MODESTIA, humbjet si kjo në Islandë do të na ndjekin si hije. Në futbollin europian nuk të pyet njeri sa ke fituar dje. Të gjykojnë vetëm për atë që je sot.

Amerikanët janë kudo dhe po shtrenjtojnë turizmin, si rasti i Shqipërisë

By: el da
16 July 2025 at 12:05

Nga Antonio Leggieri, Il Fatto Quotidiano

Sipas The Guardian, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner kanë ndërmend të shndërrojnë ishullin e Sazanit në një destinacion të ri të turizmit ultra-luksoz.

Kemi një problem me Amerikën. Disa mund të thonë se, veçanërisht në këtë moment historik, problemet janë më shumë se një. Por unë merrem me udhëtime, ndaj do të përqendrohem te sektori im. Problemi – që e konsideroj serioz dhe, për fat të keq, pa një zgjidhje në horizont – është ky: turizmi amerikan po i rrit ndjeshëm çmimet në shumë qytete të botës.

Nuk ka nevojë të jesh ekonomist i diplomuar në Cambridge për ta kuptuar arsyen: pavarësisht inflacionit galopant që u ka cenuar fuqinë blerëse vitet e fundit, pagat e amerikanëve – sidomos të atyre që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Lindor, pra dhjetëra miliona njerëz – janë dukshëm më të larta se pagat në vendet që ata vizitojnë çdo vit.

Kjo diferencë në të ardhura krijon një efekt që mund të quhet “gentrifikim[ii] turistik”: kur turistë nga ekonomi me të ardhura më të larta, si ajo amerikane, pushtojnë destinacione të caktuara, ata janë të gatshëm të paguajnë çmime më të larta për akomodim, restorante dhe shërbime. Operatorët vendas, si pasojë, rrisin çmimet për të maksimizuar fitimet, duke e bërë përvojën të paarritshme ose më pak të përballueshme për turistët nga vende me të ardhura më të ulëta – dhe, në shumë raste, edhe për vetë banorët vendas.

Në 15 vitet e fundit kam vizituar 60 shtete dhe kam vënë re se amerikanët janë kudo. Megjithatë, ata kanë disa destinacione të preferuara: Meksikën, Karaibet (Costa Rica është kthyer në një enklavë të tyre), Japoninë, Tajlandën dhe shumë vende evropiane, përfshirë Anglinë, Spanjën, Francën dhe Italinë. Vendi ynë ndodhet në top 3 të preferencave të yankee-ve: rritjet e kostos së jetesës në qytete si Milano, Roma dhe Venecia – kjo e fundit e “monopolizuar” së fundmi nga Jeff Bezos dhe bashkëshortja – janë dëshmi e qartë. Sigurisht, jo çdo faj bie mbi turistët amerikanë dhe pagat e tyre të larta. Si gjithmonë, politika është bashkëfajtore kryesore në këtë proces të turistifikimit.

Në qytetin ku jetoj, Bologna, e majta e “kaviarit” është protagoniste e një sërë vendimesh që u kanë mbyllur derën qytetarëve të zakonshëm dhe kanë hapur portat për investitorët e pasur, të cilët synojnë ta bëjnë qytetin më tërheqës – por vetëm për ata që e vizitojnë dhe shpenzojnë për mallra dhe shërbime. Për ta thënë me një shprehje tipike amerikane: Talk left, live right.

Tani le të kthehemi tek ne. Kam frikë se, brenda pak vitesh, një tjetër destinacion – gjeografikisht shumë pranë Italisë – do të përfundojë në vorbullën e destinacioneve të mbingarkuara nga turizmi. Po flas, për ata që ende nuk e kanë kuptuar, për Shqipërinë. Zërat që qarkullonin prej kohësh mbi interesin e Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner për ishullin e Sazanit, në gjirin e Vlorës, më në fund janë konfirmuar.

Sipas The Guardian, vajza e Donald Trump dhe sipërmarrësi i pasurive të paluajtshme nga New Jersey kanë ndërmend – sapo të përfundojë pastrimi i zonës nga municionet e pashpërthyera, pasi Sazani u përdor për dekada nga regjimi si zonë ushtarake – ta shndërrojnë ishullin në një “mekë” të re të turizmit ultra-luksoz. Investimi, që kap shifrën e rreth një miliard dollarëve, do t’i shtohet portofolit të pasurive të paluajtshme të çiftit që përfaqëson më qartë se kushdo turbokapitalizmin neosionist në stilin trumpian.

Kështu, ndërsa Leonardo DiCaprio ka blerë së fundmi ishullin Guafo në Kili për ta mbrojtur nga shfrytëzimi minerar dhe shpyllëzimi, Sazani është gati të rikthehet si një parajsë ekskluzive për të pasurit, ndërkohë që e gjithë Shqipëria rrezikon të shndërrohet në laboratorin e radhës të një gentrifikimi të maskuar si zhvillim turistik.

E kam thënë më parë: politika ka gjithmonë një pjesë të madhe të fajit. Sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, “Shqipërisë i duhet turizmi i luksit siç i duhet shkretëtirës uji”. Por Rama nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se ardhja e kapitalit sjell gjithmonë me vete inflacion: në vitet e ardhshme, investimi i Trump dhe bashkëshortes së tij do të shkaktojë një zhvendosje të ngadaltë, por të pandalshme të shumë banorëve nga rrethi i Vlorës, të shtyrë drejt periferisë nga një ekonomi që favorizon vetëm ata që mund të blejnë, të ndërtojnë apo të spekulojnë.

Sipas revistës Monitor, në vitin 2024 në Shqipëri është shënuar një rritje mesatare e çmimeve të strukturave akomoduese me 25–30 për qind. Rritjet më të mëdha janë regjistruar në jug – nga Vlora, qyteti kryesor i rrethit me të njëjtin emër, deri në Ksamil e Sarandë: nëse në vitin 2023 mund të rezervoje një hotel në qendër të Vlorës me 40–50 euro nata, sot – mjafton një kërkim në Booking.com – është e vështirë të gjesh diçka nën 70–90 euro, edhe për struktura të kategorisë së mesme. Dhe nuk është aspak e rrallë që çmimet të kalojnë edhe 200 euro nata për hotele me pamje nga deti.

Dua ta theksoj, në përfundim, se amerikanët nuk janë të vetmit turistë që shkaktojnë këtë dinamikë. Gjermanët, për shembull, janë bërë indirekt përgjegjës për rritjen e madhe të çmimeve në Kroaci gjatë 10–15 viteve të fundit: shumë italianë – pasi fuqia jonë blerëse është ndjeshëm më e ulët krahasuar me atë të gjermanëve, amerikanëve, anglezëve dhe shpesh madje edhe me atë të spanjollëve e “kushërinjve” francezë – nuk kanë pasur zgjidhje tjetër veçse ta përjashtojnë Kroacinë nga lista e destinacioneve të preferuara.

Një nga vendet e fundit pranë nesh dhe me çmime të përballueshme ishte Shqipëria. Mjafton pak kohë që dinamika e turizmit ndërkombëtar të ndjekë rrjedhën e vet, dhe pastaj – me rrogat tona modeste – nuk do të mund të shkojmë dot me pushime as te ata që deri dje i konsideronim “fqinjtë e varfër”./kb

 

Relax me borxh, kredia pushuese që mund të të ndjekë gjithë vitin

By: el da
15 July 2025 at 19:17

SHPETIM LUKU – Një reklamë televizive: dy të rinj të buzëqeshur takohen “rastësisht” në hyrje të një institucioni financiar dhe nisin bashkëbisedimin.
“Po ti, ç’po bën këtu?”
“Po mendoja të merrja një kredi për pushime. Ti?”
“Edhe unë! E shoh që kemi shije të përbashkëta!”

Kamerat i ndjekin ndërsa imagjinata e tyre fluturon drejt plazheve me rërë të bardhë, pamjeve në Instagram, koktejeve dhe relaksit. Në sfond një muzikë e lehtë verore. Në fund, me zë të ulët dhe të shpejtë dëgjohet: “Kujdes, kredia ka kosto financiare. Ju lutemi lexoni me kujdes kushtet e marrëveshjes.”

Një paralajmërim thuajse i pavërejtshëm, por që në fakt duhet të ishte pika e parë ku duhet të ndalonte çdo qytetar para se të vendoste të hynte në borxh për një luks që zgjat dhjetë ditë dhe paguhet për muaj të tërë.

Me afrimin e verës, reklamat për kredi të shpejta “për pushime të paharrueshme” pushtojnë mediat, rrjetet sociale dhe çdo ekran bankomati. Institucionet financiare, bankare apo jo, ofrojnë kredi konsumatore për të mbuluar shpenzimet e pushimeve verore. Në pamje të parë, këto produkte tingëllojnë si një zgjidhje e shpejtë dhe e arsyeshme. Por në thelb, janë një ftesë për të konsumuar sot me para që nuk i ke, dhe për të paguar më vonë me interesa që shpesh nuk janë të ulëta.

Vetë ideja që dikush të marrë hua për të pushuar është një paradoks. Pushimet janë të rëndësishme për mirëqenien mendore dhe sociale, por sërish mbeten një luks. Ndërkohë, kredia është një detyrim afatmesëm që do të rëndojë buxhetin e familjes për muaj me radhë.

Po nëse një familje nuk arrin dot të kursejë gjatë vitit për pushime, si mund të përballojë një kredi që kërkon çdo muaj të kthejë më shumë sesa mori?

Këto kredi, sidomos ato që ofrohen nga institucione mikrofinanciare apo kompani që premtojnë “kredi të menjëhershme”, shpesh kanë interesa të larta. Më të ekspozuarit janë pikërisht ata që nuk kanë stabilitet ekonomik, persona të cilët bien më lehtë pre e tundimit për të përjetuar “një pushim si gjithë të tjerët”, pa patur bazë reale financiare. Pra ata që vendosin sipas vendosmërisë së tipit “qeni qepën të hajë”.Por pas pushimeve vjen realiteti.

Reklamat përpiqen ta paraqesin borxhin si një mjet për “kujtime të bukura”. Por në realitet, bëhet fjalë për konsum të parapaguar me para që nuk ekzistojnë. Ajo që nisi si relaks, për shumë familje kthehet në stres të përmuajshëm që ndonjëherë zgjat deri në sezonin tjetër veror atëhere kur, sërish, nuk do të kenë para për pushime.

Pushimet janë të bukura kur nuk të kushtojnë paqen mendore. Nuk ka asgjë të keqe të pushosh brenda vendit, për pak ditë, ose edhe fare pak ditë, por pa hyrë në borxh. Sepse asnjë foto në Instagram nuk mbulon faturën e një kredie me përqindje të lartë interesi .

Zgjedhjet individuale dhe përgjegjësia institucionale

Ekonomia e shëndoshë nuk ndërtohet vetëm nga politika makroekonomike, por nga zgjedhje të kujdesshme individuale. Pushimet mund të organizohen me buxhet modest, brenda mundësive reale, pa e kthyer relaksin në një barrë financiare.

Ndërkohë, institucionet financiare duhet të jenë më të ndershme në komunikim: nuk mjafton të thuash në fund të reklamës se “kredia ka kosto financiare” me një zë të shpejtë dhe të zbehtë. Kjo kosto duhet të jetë pikërisht në qendër të reklamës, jo në fund të saj.

Pushimi i vërtetë nuk merret me kredi

Pushimet janë të domosdoshme, por jo nëse për të pushuar sot, duhet të vuash për muaj të tërë. Kujdesi financiar është një formë tjetër qetësie. Dhe ajo nuk ka nevojë për hua. m.p.

Çerçiz Topulli, pushka që nuk heshti për Atdheun

15 July 2025 at 15:33

Nga Leonard Veizi

Një pasdite korriku, kur dielli qëndronte pingul mbi tokë ndërsa tymi i barutit ende errësonte qiellin, një trup luftëtari ra. Nuk kishte më pushkën në dorë, dhe duart i kishte nën pranga, por padyshim emrin e Shqipërisë e mbante në buzë.

Nuk ishte vështirë të kuptohej se ishte një intrige dhe pabesi e madhe.

Ishte 15 korrik 1915. Çerçiz Topulli, kapedani që nuk e njihte frikën, priti në gjoks plumbat e skuadrës së pushkatimit. Bashkë me të ishte dhe atdhetari tjetër, gazetari Muço Qulli. Aso kohe, Çerçizi ishte 35 vjeç dhe u ekzekutua në fushën e Shtoit në Shkodër nga forcat pushtuese malazeze, që kishin hyrë në territorin shqiptar.

Historianët hedhin akuzat nga shovinistët grekë, që me armët e shovinistëve malazezë eleminuan kapedanin, çeta e të cilit vrau dhespot Fotin e Korçës, si shenjë hakmarrje pasi qarqet greke vranë Papa Kristo Negovanin.

Por zhurma e pushkës së tij nuk u fashit. U përhap nëpër histori si krismë që nuk resht së trokituri në ndërgjegjen kombëtare. Ai nuk ra thjesht nga një plumb, por u ngjit në lartësi, atje ku qëndrojnë vetëm ata që jetojnë për të gjithë. Ishte një prej atyre burrave që zgjodhi lirinë përpara jetës.

Nga malet e Gjirokastrës, ku nisi betejën kundër osmanëve më 1907, e deri në përplasjet me trupat greke në Jug në vitet 1913-1914, Çerçiz Topulli ishte jo vetëm armë, por edhe vizion e zjarr që ndizte shpresën e një kombi të përçudnuar nga luftra që nuk mbaronin. Ishte më shumë se një luftëtar: ishte një ide që marshonte mbi male, një flamur i gjallë që nuk u përkul asnjëherë.

Për të përjetësuar këtë jetë, këtë frymë dhe këtë simbol, Kinostudio “Shqipëria e Re” realizoi në vitin 1979 filmin “Liri a Vdekje” – një epope kinematografike që nuk shfaq vetëm historinë e një heroi, por ngre një monument për një brez të tërë luftëtarësh. Rolin e Çerçiz Topullit e interpreton aktori Timo Flloko, i cili nuk e portretizon vetëm kapedanin, por bëhet njësh me të. Në çdo shikim të ngulët, në çdo rrudhë mendimi, në çdo britmë për liri, Flloko nuk aktron – ai jeton Çerçizin.

Në ekran, zëri i tij jehoi:

– “Erdhi ora jonë, o trima. Me besa-besën. Ua njoh të gjithëve trimërinë. E di që secilit i vlon gjaku për hakmarrje dhe dora nuk i dridhet. Por ne kemi vendosur që për binbashin të shkojë Hito Lekdushi me Bajram Prongjinë…”

Janë fjalët e një njeriu që nuk njeh frikë, që udhëheq jo nga prapavija, por nga maja e frontit.

Në një tjetër skenë, mes një rrethimi, komandanti armik, me flamur të bardhë, i ofron dorëzimin:

– “Kapedan Çerçiz Topulli! Hidhi armët ti dhe djemtë e tu. Nuk dua që të vriteni. Në emër të Allahut zotohem t’u fal jetën. Dhe Padishahu do të japë pozita për ty dhe për njerëzit e tu!”

Por përgjigjja është aq e qartë sa heshtja e një mali:

– “Largo taborët, Latif Aga, dhe lëri djemtë e mi të shkojnë. Ne nuk jepemi, se jemi bijtë e Skënderbeut që luftojmë gjer në orën e fundit. Shqiptari di të vdesë sipas zakonit – me nder për mëmëdhenë!”

Pas kësaj, kapedani u kthye nga djemtë e çetës së tij dhe tha:

– “Këtu bëhet luftë. E kjo luftë u takon burrave. Mbushni armët, or trima!”

Filmi, me regji të Ibrahim Muçajt dhe Kristaq Mitros dhe me skenar të Vath Koreshit, është një poemë e gdhendur në celuloid, për një jetë të shndërruar në legjendë. Ai nuk tregon thjesht një radhitje ngjarjesh, por është një përjetim emocional – një kalvar burrërie, sakrifice dhe vendosmërie.

Sepse Çerçiz Topulli nuk lindi për t’u përkulur.

Dhe kënga që u ngrit atë çast, kaloi gojë më gojë:

Te Rrapi në Mashkullorë,

Foli Çerçizi me gojë,

Turku këtej të mos shkojë,

Se i kuq, i  bëj me bojë, 

Mylazim largo taborë,

Leri djemtë e mi të shkojnë. 

Çerçiz Topulli më thonë

I lindur në Gjirokastër më 1880, ai u rrit me jehonën e legjendave dhe u bë vetë një legjendë. Bashkë me të vëllanë, Bajo Topullin, organizoi çetat kryengritëse në Jug, vrau komandantin turk të Gjirokastrës më 1908 dhe i tregoi Perandorisë se shqiptarët nuk ishin më nënshtetas të saj, por zotër të tokës së vet.

Pas shpalljes së Pavarësisë, kur shumë pushkë u ulën, ai nuk e hoqi dorën nga brezi me vezme e pisqollë. Luftoi kundër copëtimit të vendit nga fqinjët, mbrojti kufijtë e Jugut nga grekët, dhe pastaj vrapoi drejt Veriut, ku shqiptarët po binin nën çizmen malazeze. Dhe atje, pranë fushës së Shtoit, përballë taborëve të armikut, ai u bë pjesë e dheut që e deshi me gjithë zemër.

Por legjendat nuk mbyllen me plumb. Ato mbeten të hapura në rrëfime, në këngë, në filma, në flamuj që valëviten dhe në rrugë që mbajnë emrin e tyre. E tillë është edhe historia e Çerçiz Topullit. Pushka e tij heshti më 15 korrik 1915. Por fjala, ideali dhe guximi i tij nuk pushuan kurrë.

Më 1937, eshtrat e tij u kthyen në Gjirokastër – në qytetin ku nisi rruga dhe ku prehet sot, si një flamur i palosur në zemrën e Shqipërisë. Dhe kurdoherë që një brez i ri kërkon kuptimin e fjalës atdhe, le të dëgjojë zërin e Çerçizit, që nuk pranoi pozitë, nuk pranoi falje, por zgjodhi të jetojë në përjetësi me një fjalë të vetme:

Liri a vdekje!

 

Të Qytetërohemi ose të Turpërohemi, mes Shkundjes dhe Përgjegjësisë

By: el da
15 July 2025 at 12:39

Nga Fejzo Subashi.

Nuk ka pushtet të përkryer. As qeveri ideale. Por ka momente që nuk mund të kalohen në heshtje. Ky është një nga ato momente. Ku më shumë se për qeverinë, duhet të flasim për qytetarin dhe për të emëruarit e tij, të përkëdhelurit e politikës, të pazotët e emëruar si zotërinj mbi qytetarët.
Unë nuk jam gjithmonë dhe nuk ka se si të jem, aq më pak të jem dakord me Kryeministrin Rama. E kam thënë dhe e them. Ka shumë që nuk më bindin në qasjen, stilin dhe vendimmarrjen e tij. Por këtë radhë, kur ai ka vendosur të shkundë administratën dhe pushtetin vendor, e mbështes pa mëdyshje. Jo sepse është ai që e bën, por sepse duhej bërë prej kohësh. Dhe askush tjetër nuk e bëri.
Nuk mund të mbajmë më mbi supe një sistem të kalbur nga brenda, ku drejtuesit vendorë sillen si agallarë e bejlerë, agallar, apo më e keqja si bajraktar, si bashibozukë politikë pa asnjë din e iman, që ulen në kolltuqe jo për të shërbyer, por për t’u rehatuar dhe pasuruar…
Në vend që të ishin urë mes qytetarit dhe shtetit, u bënë roje të interesave të tyre dhe të ndonjë deputeti që i solli në karrige. Nuk kanë ide, nuk kanë vizion, nuk kanë guxim. Sillen si administratorë të një province private, ku nuk u kërkohet llogari dhe nuk japin llogari.
Ndaj po, kjo shkundje është e vonuar, por e domosdoshme. Dhe nuk mjafton. Duhet të thellohet. Deri te rrënjët. Me këtë domosdoshmëri duhet të pajtohen të gjithë dhe opozita, jo të merret se kë heq dhe vë Rama, po me fenomenin dhe nevojën e këtij procesi.
Por përveç kësaj, ka një tjetër përgjegjësi që nuk mund të anashkalohet: vetë qytetari. Aty ku është në fshat apo qytet, i punësuar apo pensionist, me shkollë apo pa shkollë, duhet të fillojë të sillet si qytetar europian, jo vetëm kur merr shërbime, por kur voton, kur reagon, kur kërkon llogari, kur dhe ku punon e si punon , apo si vepron në qasje, sjellje me të drejtat dhe detyrimet si i till.
Nuk mund të kërkojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, kur nuk jemi të gatshëm të respektojmë jo vetëm detyrimisht ligjin, por as rregullin në radhë, as të drejtën e tjetrit për të mos qenë dakord.
Nuk ka më justifikime. Vetëkorigjimi nuk është luks, por detyrë. E sidomos kur ai fillon nga qeveria, në një moment ku nuk është as e detyruar ta bëjë, atëherë duhet të kuptojmë se ka ardhur koha që gjithsecili të bëjë “voting” për veten.
Jo votim në kuti, por gjykim për sjelljen, qëndrimin dhe raportin me ligjin e përbashkët. Kush je ti në këtë vend? Çfarë bën për vendin tënd? A je qytetar, apo thjesht banor që pret të përfitojë?
Që në ditët e para të qeverisjes së tij, i kam thënë, në cilësinë dhe statusin që kam publikisht Ramës: “Vendos ministra kë të duash dhe kë ke të preferuar nga familja jote politike, po drejtorët zgjidhi nga më të mirët!”
Por, u bë e kundërta. U vendosën drejtues pa bosht, pa aftësi, pa ndjesi shërbimi. U ulën në kolltuqe si në fron, jo si në detyrë. U sollën me qytetarët si me vasalët, jo si me bashkëqytetarë.
Dhe sot, nuk u japin dot as urdhra drejtorëve të institucioneve, jo më të mbajnë mbi supe barrën e një qyteti. Janë drejtues me emër, por pa ndikim. Me zyrë, por pa autoritet. Me rrogë, por pa përballje.
Ndaj ky nuk është vetëm një moment qeveritar, por është një moment kombëtar ndërgjegjësimi. Të ndalemi, të reflektojmë, të vetëkorrigjohemi. Dhe të kuptojmë: nëse nuk e bëjmë tani, do jetë tepër vonë më pas…
Tiranë më 15.07.2025./kb

Rrënjët e rrumpallës së territorit: Ligji 7501 apo Berisha-92?

By: Ke Si
15 July 2025 at 12:33

Nga Eduard Zaloshnja

Deri në fund të vitit 1990, e gjithë toka e Republikës së Shqipërisë ishte pronë e shtetit – fakt juridik i konsakruar në kushtetutën komuniste të 1976-ës. Por kur lindi Pratia Demokratike (më dhjetor 1990), një nga pikat kryesore të programit të saj ishte pikërisht privatizimi i tokës.

Dhe kur Partia Demokratike u përball me Partinë e Punës (komuniste) në zgjedhjet e para pluraliste (31 mars 1991), çështja e pronësisë së tokës ishte nga më të debatuarat. Dhe atë debat e “fitoi” Partia e Punës (komuniste), që kishte si kandidatë për deputetë kryetarë komunistë kooperativash bujqësore (të cilët ishin të intersuar personalisht të ruhej pronësia shtetërore e tokave dhe kryetarllëku i tyre).

Përballë kandidatëve të tillë, ne kandidatët demokratë nuk kishin asnjë shans të fitonim. Si rrjedhojë, në zgjedhjet e1991-shit, Partia e Punës (Komuniste) mori 170 mandate (pothuaj të gjitha rurale), ndërsa ne të opozitës morëm vetëm 80 mandate (pothuaj të gjitha urbane).

Dhe kur analizuam humbjen e zgjedhjeve, arritëm në përfundimin se pa shpërndarë tokat e koperativave bujqësore tek antëtarët e tyre, ne nuk kishim shans të vinim ndonjëherë në pushtet (2/3 e popullsisë banonte në fshatra atëherë). Dhe u përbetuam unanimisht se kur të vinim në pushtet, ligji i parë që do të kalonim në Kuvend do të ishte ai i kompensimit të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist.

Qeveria e Partisë së Punës (komuniste) dha shpejt dorëheqjen dhe u krijua Qeveria e Stabilitetit, me përfaqësues të të gjitha partive. Një nga pikat kryesore të programit të saj (të imponuar nga PD-ja) ishte shpërbërja e kooperativave bujqësore. Dhe kjo pikë e programit u realizua më 19 korrik 1991, me miratimin në Kuvend të Ligjit 7501, sipas të cilit toka e kooperativave bujqësore iu dha anëtarëve të tyre.

Pas shpërbërjes së kooperativave bujqësore, ne i fituam në mënyrë plebishitare zgjedhjet e parakohëshme të 1992-shit (si në qytete, edhe në fshatra). Koalicioni i PD-së siguroi 2/3 e votave në parlament, mëse të mjaftueshme për të kaluar ligjin e shumëpritur për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist!

Rasti e solli që profesori im në Virginia Tech (ku kisha shkuar për studime pasuniversitare) dhe një koleg i tij të ishin ekspertë të ligjeve për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga shtete të ndryshme në botë. Dhe kur u tregova për zhvillimet e mësipërme, ata shprehën interes dhe erdhën me mua në Tiranë për të takuar Berishën, që sapo ishte zgjedhur President i Republikës.

Në atë takim ata i prezantuan Berishës një skicë-projekt që konsistonte në këto pika kryesore:

·         Nga 700 mijë hektarë tokë bujqësore, vetëm 350 mijë hektarë kishin patur pronarë privatë në vitin 1944. Kështu, 350 mijë hektarët e tjerë (në pronësi të shtetit) mund të përdoreshin për kompensim fizik të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.

·         Pronarëve të truajve urbanë duhej t’u ktheheshin ato, ku nuk ishin të zëna nga ndërtime të kryera pas vitit 1944. Ndërsa për truajt e zëna, duheshin kompensuar fizikisht pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.

·         I gjithë procesi i kompensimit fizik duhej të mbyllej brenda dy vjetësh me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i, dhe në përfundim të tij, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë duhet të kishte një titull pronësie (privat apo shtetëror).

·         Deri sa të përfundohej procesi i kompensimit, duhej vendosur një moratorium për mosdhënien e lejeve të ndërtimit, të cilat duhej të jepeshin më pas vetëm në bazë të planeve të zhvillimit në secilën bashki e komunë të vendit.

Pasi dëgjoi prezantimin e mysafirëve amerikanë, Berisha tha me një ton solemn: “Tokat shtetërore janë të përqendruara në bregdet, por malsorët shqiptarë e kanë patur ëndërr shekullore të zbresin në bregdet. Këtë ëndërr ua pengoi regjimi i Enver Hoxhës, dhe ne tani nuk mund t’u bëhemi pengesë”. Dhe pas disa fjalive të përgjithshme kortezie, ai na përcolli…

Kur dolëm nga zyra, profesori im më pyeti për origjinën e Berishës dhe unë iu përgjigja se është nga malësia. “Kot na solle deri në Tiranë, sepse ai do që përkrahësit e tij të vijnë në bregdet,” më tha profesori i zhgënjyer nga takimi…

Se si janë zhvilluar ngjarjet rreth pronësisë së tokës dhe ndërtimet mbi të i di i madh e i vogël në Shqipëri. Vlen të theksohet se vetëm dy vjet pas atij takimi me Berishën, pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist u futën në grevë urie, nga e cila ai i nxorri me forcat speciale të policisë. Dhe e gjithë Ultësira Perëndimore u mbush me ndërtime kaotike sipas parimit “tokë e xanun”.

Rama ka deklaruar se (më së fundi) më 2028, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë do të ketë një titull pronësie (privat apo shtetëror). Por duhej të ishte bërë qysh në vitin 1994 kjo gjë kaq e rëndësishme për zhvillimin normal të territorit (me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i). Siç i propozuam atëherë Berishës…/e.t

BE dhe Amerika Qendrore hedhin themelet e një partneriteti transformues ndër-rajonal

By: el da
14 July 2025 at 19:39

Nga Monada Mehmetaj, Strasburg

Në një sallë të ndriçuar të selisë së Këshillit të Bashkimit Evropian në Bruksel, më 14 korrik 2025, u zhvillua një ngjarje me jehonë të veçantë për diplomacinë ndër-rajonale: takimi i parë i Këshillit të Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Amerikës Qendrore. Ky ishte një moment historik, jo vetëm për përmbajtjen politike dhe ekonomike të diskutimeve, por edhe për frymën që e përshkoi takimin një frymë e ndërtuar mbi sfida të përbashkëta dhe aspirata të ndërsjella për paqe, zhvillim dhe integrim më të thelluar

Një marrëdhënie me rrënjë të hershme, por me ambicie të reja

Marrëdhëniet mes BE-së dhe Amerikës Qendrore nuk janë të reja. Ato shtrihen pas në kohë, që nga dekadat kur Evropa ofronte mbështetje për paqen në rajonin e trazuar të Amerikës Latine. Por sot, për herë të parë, këto marrëdhënie janë të institucionalizuara në kuadër të Marrëveshjes së Asociimit, e cila hyri në fuqi më 1 maj 2024. Kjo marrëveshje shumëdimensionale – që përfshin dialog politik, bashkëpunim dhe tregti është simbol i një qasjeje të re strategjike, ku Evropa kërkon të ndërtojë ura më të forta me partnerë që ndajnë të njëjtat vlera.

Simbolika e pjesëmarrjes së liderëve

Në takim morën pjesë personalitete të nivelit të lartë si Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme e BE-së, Kaja Kallas, dhe Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, që përfaqësonte Presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së. Nga ana e Amerikës Qendrore, të pranishëm ishin ministrat e jashtëm dhe zëvendësministrat e gjashtë vendeve: nga Kosta Rika e deri në Panama, përfshirë El Salvadorin, Guatemalën, Hondurasin dhe Nikaraguan. Ky diversitet institucional dhe kulturor solli me vete jo vetëm qëndrime të ndryshme për çështje globale, por edhe një pasuri përvojash që ndihmoi në ndërtimin e një vizioni të përbashkët. Dialogu u zhvillua në një klimë mirëkuptimi dhe respekti, ku u pranua se pavarësisht sfidave të brendshme apo dallimeve gjeopolitike, ekziston një vullnet real për të ndërtuar së bashku.

Gjeopolitika si sfond dhe sfidë

Diskutimet prekën me intensitet realitetin e polarizuar global. Ndërsa konflikti në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të tronditin rendin ndërkombëtar, BE-ja dhe partnerët nga Amerika Qendrore shprehën angazhimin për të mbrojtur parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe të drejtat e njeriut. Në një kohë kur shumë rajone të botës po përballen me rritjen e autoritarizmit dhe kërcënime ndaj demokracisë, kjo deklaratë e përbashkët për ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla ka vlerë të veçantë. Për vende si Guatemala apo El Salvadori, të cilat kanë kaluar tranzicione të dhimbshme nga diktatura në demokraci, angazhimi ndaj multilateralizmit është një përvojë e jetuar dhe jo vetëm një deklaratë diplomatike.

Kriza globale dhe përgjigje të përbashkëta

Ndryshimet klimatike, migrimi, siguria dhe zhvillimi i qëndrueshëm ishin boshtet kryesore të diskutimeve. BE-ja dhe partnerët nga Amerika Qendrore u zotuan të bashkërendojnë përpjekjet për të ndalur degradimin mjedisor, për të ruajtur oqeanet dhe për të forcuar qeverisjen mjedisore ndërkombëtare. Migrimi, sidomos nga Amerika Qendrore drejt SHBA-së dhe Evropës, mbetet një sfidë dramatike për rajonin. Zyrtarët evropianë propozuan qasje të reja për menaxhimin e migrimit përmes mbështetjes për zhvillimin lokal dhe integrimin ekonomik të komuniteteve të brishta. Bashkëpunimi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit të organizuar u vlerësua si i domosdoshëm për të frenuar rrënjët e migrimit të detyruar.

Axhenda 2030 si busull zhvillimi

Një tjetër pikë kyçe ishte riafirmimi i angazhimit ndaj Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Palët u pajtuan që Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) duhet të mbeten në themel të bashkëpunimit të ardhshëm, veçanërisht në fusha si shëndetësia, arsimi, siguria ushqimore dhe energjia. Në mënyrë të veçantë, për vendet e Amerikës Qendrore, përballja me pasojat e ndryshimeve klimatike është emergjente. Përmbytjet ciklike, uraganët dhe thatësirat kanë shkaktuar pasoja shkatërruese në bujqësi dhe infrastrukturë. Në këtë kontekst, përfshirja aktive e BE-së përmes fondeve të qëndrueshme dhe mbështetjes teknike është thelbësore.

Investimet që krijojnë ura: Global Gateway në veprim

Nisma “Global Gateway” e Bashkimit Evropian u prezantua si mekanizëm konkret për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë institucionale në rajon. Ajo synon të mobilizojë miliarda euro përmes partneritetit publik-privat në fusha strategjike si energjia e pastër, dixhitalizimi, infrastruktura sociale dhe zinxhirët e furnizimit. Për vende me nivel të lartë pabarazie sociale dhe sfida në sektorin publik, siç është Nikaragua ose Honduras, investimet në arsim dhe infrastrukturë do të jenë vendimtare. BE-ja shpreson që përmes kësaj agjende të krijojë alternativa reale ndaj ndikimit ekonomik kinez apo prirjeve autoritare në rajon. Në këtë kuadër, përparësia iu dha zhvillimit të mëtejshëm të Tregut Rajonal të Energjisë Elektrike të Amerikës Qendrore, i cili pritet të krijojë një treg të unifikuar energjetik, më efikas dhe më të qëndrueshëm, që nxit integrimin dhe ul varësinë nga burimet fosile.

Një tregti në lulëzim dhe një potencial ende i pashfrytëzuar

Statistikat tregojnë se bashkëpunimi tregtar mes BE-së dhe Amerikës Qendrore ka përjetuar një rritje të ndjeshme që nga hyrja në fuqi e shtyllës tregtare të marrëveshjes në vitin 2012. Vëllimi i tregtisë është rritur nga 8.7 miliardë euro në 2012 në 22 miliardë euro në 2023. Kjo rritje ka ndodhur pavarësisht krizave të shumta globale, si pandemia apo kriza e zinxhirëve të furnizimit, dhe është dëshmi e rezistencës së këtij partneriteti. Mallrat agro-ushqimore përbëjnë shumicën e eksporteve të rajonit drejt Evropës, duke dëshmuar rëndësinë e sektorit rural dhe traditës bujqësore për ekonomitë lokale. Palët u zotuan të përforcojnë më tej marrëdhëniet tregtare dhe të nxisin diversifikimin e eksporteve me vlerë të shtuar, duke inkurajuar gjithashtu investimet evropiane në industri të qëndrueshme, teknologji të pastër dhe inovacion.

Perspektiva të reja: më shumë kontakte njerëzore dhe shkëmbime

Një nga elementët më të theksuar të deklaratës së përbashkët ishte nevoja për thellimin e kontakteve njerëzore – një formë “diplomacie qytetare” që përfshin shoqërinë civile, sektorin privat, universitetet dhe organizatat e të rinjve. Në këtë drejtim, programet e shkëmbimit akademik, projektet kulturore ndërajonale dhe nismat për të forcuar kapacitetet e sipërmarrjes lokale janë pjesë e planit të zbatimit që do të pasohet nga Komitetet dhe Nënkomitetet e Asociimit. Takimi i radhës i Këshillit të Asociimit do të mbahet në vitin 2027 në njërin nga vendet e Amerikës Qendrore një gjest simbolik që tregon se partneriteti nuk është më një marrëdhënie “veri-jug”, por një dialog i barabartë, me ndikim konkret në të dy anët e Atlantikut.Nga bashkëpunimi teknik në një vizion të përbashkët gjeostrategjik

Takimi i parë i Këshillit të Asociimit BE–Amerika Qendrore nuk ishte thjesht një event protokollar. Ai përfaqëson një vizion të ri të politikës së jashtme të BE-së, që e shikon bashkëpunimin ndër-rajonal si mjet për të përballuar sfidat globale me partnerë të besueshëm. Në një botë të trazuar ku rendi ndërkombëtar sfidohet çdo ditë, dialogje si ky ofrojnë një alternativë të prekshme për diplomacinë bashkëpunuese, zhvillimin e qëndrueshëm dhe ndërtimin e një bote më të ndershme dhe të balancuar. Qëndron tani në dorën e aktorëve institucionalë, por edhe të shoqërive tona, ta mbajmë gjallë këtë frymë të bashkëpunimit nga Brukseli në San Salvador, nga Guatemala City në Strasburg, në një hark solidariteti që shkon përtej kufijve dhe kontinentëve. m.p.

Jonas Kepi në Shërbim të Shqipërisë: Një Diplomaci që Fillon nga Rinia

By: Ke Si
14 July 2025 at 13:14

Në një kohë kur roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare është gjithnjë e më i rëndësishëm, një emër i ri po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje për mënyrën se si përfaqëson vendin me dinjitet, urtësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm:, Ai është shndërruar në një nga figurat më frymëzuese të brezit të ri, duke dëshmuar se diplomacia nuk i përket vetëm të vjetërve dhe të përvojës së gjatë, por edhe të rinjve me vizion, etikë dhe guxim.

I njohur gjerësisht për rolin e tij si Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Jonas Kepi ka përfaqësuar vendin në samite të nivelit të lartë si ai i Procesit të Berlinit, Forumi Botëror i Ushqimit në FAO, Samiti i EPC-së, Samiti i Turizmit të OKB-së dhe takime të nivelit ministror në rajon e më gjerë. Për më tepër, Jonas ka qenë i vetmi përfaqësues i rinisë në Konferencën Rajonale të INTERPOL-it, ku i është dhënë fjala për të folur për sigurinë, përfshirjen dhe të ardhmen e Ballkanit.

Në Shqipëri, ai është aktiv si Këshilltar Rinor i OSBE-së dhe i OKB-së, duke sjellë zërin e të rinjve shqiptarë në diskutime të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe rajonit. Angazhimi i tij me Ministrinë e Jashtme dhe pranë strukturave të qeverisë shqiptare, përmes Programit të Praktikave dhe nismave rinore, ka treguar përkushtimin e tij për të ndërtuar ura mes institucioneve dhe brezit të ri.

Jonas është gjithashtu themelues i SAS Albania (Special Achievement Services), një organizatë që ka krijuar mundësi të mëdha për mijëra të rinj përmes punësimit, bursave dhe pjesëmarrjes në ngjarje ndërkombëtare. Kjo nismë është kthyer në një prej rrjeteve më të fuqishme rinore në Ballkanin Perëndimor, duke treguar se ndryshimi fillon nga ideja, por realizohet me përkushtim.

Për Jonasin, përfaqësimi nuk është thjesht një rol, por një mision. Ai e sheh diplomacinë si një mjet për të ndërtuar paqe, për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të sjellë në vëmendje potencialin që ka rinia shqiptare. “Nuk përfaqësoj vetëm veten time, por një brez të tërë që beson se Shqipëria mund të jetë faktor pozitiv në rajon dhe më gjerë,” thotë ai shpesh në fjalimet e tij.

Nëpërmjet angazhimit të tij të palodhur dhe integritetit që e karakterizon, Jonas Kepi po dëshmon se përfaqësimi i Shqipërisë nuk ka të bëjë me moshën, por me vlerat dhe qëllimin. Ai është dëshmia e gjallë se një diplomaci e re, e ndërtuar mbi përfshirjen dhe energjinë rinore, jo vetëm që është e mundur, por edhe thelbësore për një të ardhme më të mirë./e.t

❌
❌