Partitë të cilat kanë qenë në opozitë në mandatin e fundit kanë qëndruar sërish në sallën e Kuvendit të Kosovës pas dështimit të përpjekjes së 49-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sipas PDK-së, LDK-së, e AAK-së, “Lëvizja Vetëvendosje po mban peng Kuvendin, Qeverinë dhe po shkel Kushtetutën, ligjin e të gjitha normat juridike”.
Deputeti i PDK-,së Artan Behrami tha se Lëvizja Vetëvendosje po keqpërdor të drejtën për të propozuar kryetarin e kuvendit për agjenda antidemokratike që kërcënojnë në përmbysje të rendit kushtetues.
“Kuvendi i Kosovës në këto 49 seanca është ndarë në këto parti që kemi mbetur në sallë për të mbrojtur Kushtetutën – aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin e rregulloren dhe praktikat parlamentare. Partitë që sapo dolën, janë parti që keqpërdorin të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit për agjenda anti-demokratike që kërcënojnë në përmbysje të rendit kushtetues që mbajnë peng Kuvendin, Qeverinë dhe shkelin Kushtetutën, ligjin dhe të gjitha normat”, tha Behrami.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Arjeta Abazi theksoi se Kuvendi është kthyer në një “teatër të stërzgjatur për shkak të një partie që nuk ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale”.
“Le të mos shtiremi se gjithçka është në rregull, seancë pas seance dhe ende nuk po arrijmë të ecim përpara. Kuvendi është kthyer në një teatër të stërzgjatur, ku për fat të keq aktorët kryesorë janë më të interesuar për skenën sesa për skenarin dhe nuk po ndalemi për shkak të ndonjë emergjence apo fatkeqësie natyrore, po për shkak të një partie që ende nuk e ka kuptuar që pushteti nuk është pronë personale, një parti që për 20 vjet luftoi për të ardhur në pushtet e sot po e shkatrrën atë përmes kokfortësisë dhe arrogancës”, theksoi Abazi, raporton kp.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se Gjykata Supreme e ka bërë të qartë se VV-ja po shkel ligjin dhe Kushtetutën.
“Gjykata Supreme e ka thënë qartë dhe me një vendim ua ka qartësuar qartë njerëzve që po shkelin ligjin dhe Kushtetutën se nuk kanë të drejtë me marrë asnjë vendim, ndërsa Kurti po mburret po thotë qeverisje dy plus. I ke uzurpuar institucionet, Kuvendin dhe Qeverinë”, tha Kadrijaj.
Sot, dështoi sërish tentimi i 49-të për konstitumin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Dështimi ndodhi, pasi që ashtu si herët e kaluara, me mosarritjen e formimit të Komisionit për votim të fshehtë. Vetëm 50 deputetë votuan pro këtij Komisioni.
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari theksoi se vazhdimi i seancës së radhës mbahet të hënën në orën 11:00.
The post Partitë ish-opozitare: VV-ja po mban peng kuvendin e qeverinë appeared first on Telegrafi.