Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2025Main stream

“PD ka nevojë për ndryshim total!” Fisnik Qosja: Duhen figura të reja edhe në kryesi!

By: Ke Si
20 July 2025 at 15:54

Për kryebashkiakun e Kavajës, Fisnik Qosja, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike, selia blu duhet të nisë një riorganizim të thellë brenda saj, sapo të publikohet raporti përfundimtar i OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 11 majit.

Qosja tha në A2CNN se rruga e vetme për të kapërcyer krizën e brendshme dhe për të mposhtur Edi Ramën në zgjedhje është ndryshimi rrënjësor në PD përmes promovimit të figurave të reja, që i simpatizon qytetari.

“Pa diskutim mbas mbarimit të raportit të OSBE/ODHIR që do jetë ashtu siç është me gjithë farsën e vetë brenda. PD nuk duhet të humbi asnjë sekondë për të riorganizuar nga seksioni i fundit i një dege e deri të kryesia qendrore. Nuk ka mënyrë tjetër. Ne kemi figura të reja shumë të mira, kemi prodhuar gjatë gjithë kohës figura të reja, edhe rezultati e tregoi se aty ku kanë qenë të rinj, figura të pastra, që e kanë bërë me zemër e shpirt gjënë, ka fituar PD-ja. Kjo tregon se demokratët e duan ndryshimin, i duan edhe njerëzit. Ne duhet t’i serviremi qytetarëve shqiptarë me njerëz të denjë, njerëz të pastër, që realisht e duan vendin dhe PD. Përndryshe do të rrimë në regres dhe do notojmë po në këto ujëra, që fajin e ka ky, do merremi me njëri-tjetrin dhe do lëmë kundërshtarin të vazhdojë të jetë në pushtet”, deklaroi Qosja në “Ditarin e fundjavës” me Erion Dushin, në A2 CNN.

I pyetur për procesin e Primareve dhe mbetjen jashtë listës së kandidatëve për deputetë, të fituesve të këtij procesi, siç ishte rasti i të parit të qarkut të Tiranës, kavajasit Hysen Kadiu, Qosja tha se kjo strategji përjashtimi e fituesve të garës së brendshme në PD ishte e gabuar. m.p.

Rama publikon pamjet nga Tirana: Do hiqen të gjitha ngrehinat pa leje

By: Ke Si
20 July 2025 at 15:44

Kryeministri Edi Rama përmes pamjeve të aksionit për lirimin e hapësirave publike, të publikuar në rrjetet sociale, thekson rëndësinë e këtij procesi të iniciuar me urdhër të tij.

Në videon e publikuar nga Rama shihen hapësirat midis trotuareve në gjendjen e pak javëve më parë dhe se si janë pas çmontimit të tendave, në zonën e njohur si “Delijorgji” në kryeqytet”.

Kryeministri shprehet se ky është një “çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit”.

Shefi i qeverisë ka edhe një mesazh për ata pronarë e administratorë biznesesh që ende nuk i janë bindur urdhrit, që të veprojnë sa janë në kohë, për të shmangur gjobat që e pasojnë kundërshtimin e aksionit.

“Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shkruan Rama. m.p.

Milani ofron 30 mln euro për yllin e PSG, por duhen… dyfish më shumë

By: Ke Si
20 July 2025 at 15:34

Milani ka interes për sulmuesin e Paris Saint-Germain, Gonçalo Ramos. Trajneri Luis Enrique nuk ka probleme me sulmuesin, por do të preferonte një lojtar më të lëvizshëm, jo një pykë klasik.

PSG ka investuar 80 milionë euro për Ramosin, por edhe mund ta shesë, nëse vjen oferta e duhur.

Gazetari Sacha Tavolieri raporton se Milani ka gati 30 mln euro për sulmuesin, i cili pëlqehet shumë nga Max Allegri. Problemi është se PSG kërkon minimalisht 60 mln euro për të. m.p.

Before yesterdayMain stream

Partizanit i duhet mbështetja e tifozëve, zbulohet numri i biletave të shitura

By: Ke Si
17 July 2025 at 16:02

Partizani do të përballet sot me Kaljun në “Air Albania” prej orës 20:00. Kjo ndeshje është e vlefshme për turin e parë të Ligës së Konferencës. E para në Estoni u barazua me rezultatin 1-1.

Deri tani numri i biletave të shitura për ndeshjen në Tiranë nuk i kalon 1500. Një shifër e ulët, duke marrë parasysh edhe se Partizani ka kërkuar mbështetjen e tifozëve për kalimin e turit.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që numri të rritet ndjeshëm. Kjo pasi duke mos pasur interes të jashtëzakonshëm, biletat mund të sigurohen në çdo sektor dhe tifozët i blejnë në momentet e fundit.

Partizani kthehet në “Air Albania” për një ndeshje europiane pas dy vitesh. Sfida e fundit ishte ndaj Atletik Eskaldes, që u fitua 4 me 1./E.T

Fluks pasagjerësh në Rinas/ Krasniqi: Ky sezon turistik, ndër më të suksesshmit

By: Ke Si
17 July 2025 at 15:51

Eksperti i turizmit, Isa Krasniqi thotë se ky sezon turistik, mund të konsiderohet nga më të sukesshmit.

Në një intervistë për “Money Report” në ABC News, Krasniqi u shpreh se Shqipëria ka turizëm cilësor dhe ekonomik.

Krasniqi shtoi se vendi ynë mbetet destinacion për të huajt.

“Ky sezon turistik, është një nga më të suksesshmit sa i takon turizmit. Shqipëria vijon të mbetet destinacion për turistët e huaj. Nga jugu në veri, vendi ofron mundësi të ndryshme, për turizëm cilësor, por edhe ekonomik. Shifrat zyrtare flasin për rritje të madhe të turistëve të huaj, në krahasim me vitin e kaluar. Zona e Golemit dhe Durrësit ka fluks më të madh, për shkak edhe të çmimit. Pjesa e Golemit, Velipojës, janë në fokus. Sektori turistik ka nevojë për mbështetje. Ne duhet të kemi mikpritje të mirë, dhe turisti është i gatshëm të paguajë.”, theksoi ai./E.T

Zjarret në vend/ Mbi 90% janë të shkaktuara nga dora e njeriut, zonat më të rrezikuara

By: Ke Si
17 July 2025 at 15:42

Vatrat më problematike në vend në 24 orët e fundit janë në Dibër, Bulqizë, Mallakastër dhe Vaun e Dejës. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri“ në Report TV, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara theksoi se në këto vatra, shuarja është bërë e vështirë për shkak të terrenit të vështirë dhe zonës së pyllëzuar.

“Është punuar me të gjitha kapacitetet, por terreni i vështirë, masivi i madh i shkurreve dhe pishave kanë bërë që këto zjarre të vazhdojnë me ditë dhe nuk janë vënë akoma nën kontroll.“, u shpreh Cara.

Ai tha se pjesa më e madhe e vatrave të zjarrit, më shumë se 90% janë të shkaktuara nga dora e njeriut.

Sipas tij, më të rrezikuara nga zjarret janë kryesisht zonat malore dhe kodrinore, por edhe të tjerat. Më të rrezikuara, tha ai, janë, Fieri, Vlora, Lezha e Berati.

Cara tha se është alarmante që sivjet, zjarret kanë filluar të jenë prezente më shpejt sesa vitet e tjera.

“Aty ku kemi të bëjmë me ullinj dhe pranë banesave, zjarret janë kryesisht nga dora e njeriut, një përqindje e vogël janë aksidentale nga banorët që bëjnë pastrimet e parcelave të ullinjve apo arat që kanë. Kryesisht vatrat janë nga dora e njeriut dhe të qëllimshme. Ka një dorë që po e krijon këtë situatë.

Vetëm 24 orët e fundit kemi pasur 30 shfaqje zjarri nga këto 17 vatra aktive. Ndryshimet klimatike bëjnë të sajën, ndikojnë në rritjen e numrit të zjarreve por nëse zjarri nuk vendoset nga dikush, vetë nuk aktivizohet.. Vatrat e zjarrit në 90 përqind apo më shumë është nga dora e njeriut dhe është një gjendje alarmante.

Edhe pse policia e shtetit ka bërë punën e saj dhe shoqëruar disa persona të dyshuar për zjarrvënie, në këtë rast i mbetet drejtësisë të argumentojë nëse janë me qëllim, por prapë komuniteti ka rol të rëndësishëm, i cili më shumë se asnjëherë tjetër na është bashkuar, duke pasur lajmërim të hershëm në menaxhimin e vatrave.

Pasi kanë qenë rreth 30 shfaqje, ku të gjitha vatrat që nuk janë aktive, janë vendosur në kontroll nga vetë komuniteti dhe i ndihmuar nga shërbimi zjarrfikës. Jemi në gjendje alarmante se sivjet zjarret kanë startuar më shpejt se vitet e tjera“, u shpreh ai./E.T

‘Paketa e Maleve’/ Tabaku: Qeveria po shpërndan pasuritë natyrore për klientët e saj

By: Ke Si
17 July 2025 at 14:51

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane në Kuvend, Jorida Tabaku, ka postuar në rrjetet sociale një tjetër reagim për hapjen e thirrjeve për  “Paketë e Maleve”, duke e cilësuar atë si një tjetër formë të vjedhjes së pasurive natyrore dhe të pronave të ligjshme në zonat turistike si Thethi.

“Nuk ka më dyshime. Paketa e Maleve është projekt i vjedhjes me ligj i pronave në zonat malore të Shqipërisë. Në emër të investimeve strategjike, qeveria po shpronëson bizneset e ndershme dhe pronarët që kanë sakrifikuar për ta kthyer Thethin në një nga destinacionet më të kërkuara të turizmit shqiptar,” deklaroi Tabaku.

Sipas saj, në vend që t’u ofrojë lehtësira fiskale për 10 vite, apo të ndihmojë me legalizimin e banesave dhe pronave, qeveria shqiptare ka vendosur t’ua marrë këto të drejtë të ligjshme për t’ua dhënë klientëve të saj politikë, nën petkun e investitorëve strategjikë.

“Ky është një sistem i deformuar, ku përfitojnë vetëm dy kategori: ata që janë të mëdhenj dhe ata që janë afër qeverisë. Të tjerët, njerëzit e zakonshëm, bizneset familjare dhe pronarët legjitimë, janë të përjashtuar nga çdo mundësi zhvillimi,” theksoi Tabaku.

Deputetja demokrate i bëri thirrje qeverisë që të ndalë këtë projekt të abuzueshëm dhe të mbrojë pronarët e ligjshëm dhe trashëgiminë natyrore të vendit.

“Kjo paketë nuk është zhvillim. Është kapje. Është padrejtësi. Dhe duhet të ndalet! Ne kemi detyrimin ta ndryshojmë këtë sistem që shpërblen pakicën dhe shkel shumicën,” përfundoi ajo./e.t

Kufiri i pataksueshëm, çfarë duhet të dini para se të udhëtoni drejt Shqipërisë!

By: Ke Si
17 July 2025 at 14:40

Udhëtarët që vijnë nga një vend tjetër në Republikën e Shqipërisë përjashtohen nga detyrimet e importit për mallrat që gjenden në bagazhin e tyre personal.

Mallrat përjashtohen nëse, për nga lloji dhe sasia e tyre, nuk kanë për qëllim përdorimin tregtar. Përfitojnë përjashtim mallrat e përdorimit vetjak të udhëtarëve, ose mallrat për dhurata.

Vlera e mallrave që përfitojnë përjashtim (pa përfshirë këtu produktet e duhanit dhe alkolit) është sipas vlerës ekuivalente në lekë të shumave, si më poshtë:

Udhëtarët në rrugë tokësore:

300 euro për çdo udhëtar

Udhëtarët në rrugë ajrore ose në rrugë detare:

430 euro për çdo udhëtar

Për udhëtarët nën 15 vjeç:

150 euro

Gjatë hyrjes ose daljes nga Republika e Shqipërisë, udhëtari duhet të deklarojë mallrat nëse janë me vlerë më të lartë se kufiri përkatës i sipërpërmendur si dhe nëse janë për qëllime tregtare.

Autoritetet doganore mund t’i kërkojnë udhëtarit që të tregojë të gjitha mallrat që transporton.

KUJDES!

Për mallrat me natyrë jo tregtare në bagazhin e udhëtareve që e tejkalojnë kufirin e pataksueshëm nga detyrimet doganore të importit, kryhet deklarimi doganor nëpërmjet procedurës së Deklarimit të thjeshtuar.

Gjithashtu përjashtohen nga pagesa në import për:

a) konsum personal produktet e duhanit për sasitë:

200 cigare;

100 cigarillo;

50 puro;

250 gramë duhan

b) konsum personal i alkoolit dhe pijeve alkoolike për sasitë:

1 litër alkool dhe pije alkoolike me fortësi alkolike më të lartë se 22% ndaj volumit, ose alkool etilik i padenatyruar me fortësi alkoolike 80% ndaj volumit dhe më shumë;

2 litra alkool dhe pije të distiluara me fortësi alkoolike që nuk e kalon 22% ndaj volumit. Secila sasi e specifikuar në shkronjat “a” dhe “b”, përbën 100 % të përjashtimit total për produktet e alkoolit dhe pijeve alkoolike.

2 litra verë pa gaz dhe 10 litra birrë.

Për një udhëtar, përjashtimi mund të zbatohet për çdo kombinim të produkteve të alkoolit dhe pijeve alkoolike me kushtin që totali i sasisë (përqindjes) së përdorur nga individi të mos kalojë 100%.

c) konsum personal i kafes për sasinë:

3 kg

KUJDES! Udhëtarët nën moshën 17 vjeç nuk përfitojnë përjashtim për produktet e duhanit dhe alkoolit

Vijon ngërçi politik në Kosovë, dështon për herë të 48 konstituimi i Kuvendit të ri

By: Ke Si
17 July 2025 at 14:30

Ka dështuar edhe përpjekja e 48-të për konstituimin e Kuvendit.  Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje subjekteve politike që të propozojnë nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor, i cili do të mundësonte zgjedhjen e kryetares së Kuvendit dhe të nënkryetarëve.

Subjektet politike nuk ofruan propozim, duke sjellë kështu një tjetër dështim në procesin e konstituimit të Kuvendit.  Që nga 15 prilli, Kuvendi ka dështuar plot 47 herë radhazi në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Procesi i konstituimit ka mbetur i bllokuar pasi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por kjo kandidaturë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e tjera parlamentare./E.T

“Mirëardhsh mik i shtrenjtë”/ Rama përcjell Presidentin e Emirateve të Bashkuara

By: Ke Si
17 July 2025 at 14:25

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhammed Bin Zayed përfundoi vizitën e tij në Shqipëri.

Bin Zayed u përcoll në aeroportin e Rinasit nga kryeministri Edi Rama.

“Mirëardhsh mik i shtrenjtë”, shkruan Rama në Facebook krahas fotos të publikuar në facebook. /e.t

Zelensky zgjedh një grua si kryeministren e re të Ukrainës

By: Ke Si
17 July 2025 at 14:20

Presidenti ukrainas i ka ngarkuar qeverisë së re detyrën e mbikëqyrjes së kontratave të mbrojtjes në fuqi, si pjesë e një përpjekjeje për të prodhuar 50% të armëve dhe pajisjeve fushore të vendit në vend.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se do të nënshkruhen marrëveshje të paspecifikuara në të ardhmen me Shtetet e Bashkuara.

Në një paraqitjeje në parlament të hënën për të riformatuar qeverinë e tij, ai tha se  këto marrëveshje do ta forconin vendin e tij.

Presidenti ukrainas po ashtu tha se do t’i jepte qeverisë së re kontrollin mbi kontratat e mbrojtjes, si pjesë e një shtytjeje për të prodhuar 50 përqind të armëve dhe pajisjeve fushore të vendit në Ukrainë.

Parlamenti me 450 vende i Ukrainës miratoi sot emërimin e Yulia Svirydenkos si kryeministre, me 262 vota pro.

Svirydenko, e cila u propozua nga vetë presidenti ukrainas, pason Denys Shmyhal, i cili paraqiti dorëheqjen e tij si kryeministër të martën si pjesë e një riorganizimi të qeverisë. /e.t

Përmbyset kamioni, shkakton “lumë qumështi” në rrugët e New Yorkut

By: Ke Si
17 July 2025 at 14:11

Një kamion i madh që transportonte qumësht u përmbys në Columbia County, New York.

Si pasojë, ky aksident thuhet se ka shkaktuar një “lumë qumështi”.

Zyrtarët lokalë thanë se aksidenti ndodhi në kryqëzimin e Gahbauer Road me Rrugën Shtetërore 217 në Claverack.

Ndërkohë bëhet e ditur se shoferi i kamionit u dërgua për kontrolle në Qendrën Mjekësore në Albany.

Në vendngjarje ndërhynë Policia Shtetërore e New Yorkut, Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit dhe zjarrfikësit lokalë për pastrimin e zonës.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit./e.t

U la në burg/ Meta reagon nga qelia: Asnjë zhgënjim, mezi pres gjyqin të përballem

By: Ke Si
17 July 2025 at 14:10

Ilir Meta nuk është i zhgënjyer nga vendimi i sotëm i Apelit të GJKKO, që la në fuqi masën e sigurisë arrest në burg.

Në një reagim nga qelia në rrjetin social Facebook, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkruan se kjo është një “drejtësi me regji”.

Sipas Metës, sistemi gjyqësor është në përgjimin e vazhdueshëm të SPAK-ut.

Ish-Presidenti shprehet se mezi pret që të nisë gjyqi ndaj dosjes së tij dhe të përballet me drejtësinë.

Ilir Meta akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK Altin Dumanin se kanë intimiduar dëshmitarë dhe kanë fshehur prova në hetimin ndaj tij.

Reagimi i Ilir Metës:

Asnjë zhgënjim nga telenovela “Drejtësi me Regji”.

Falenderim për avokatin e paepur, z. Kujtim Cakrani, që ka harxhuar dy orë frymë për ata që nuk kanë as veshë të dëgjojnë dhe as integritet për të treguar në respekt të Kushtetutës, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të ligjit.

Por avokati ka parimin që edhe muret dëgjojnë, ndaj e falenderoj edhe njëherë për frymën e harxhuar, e cila sidoqoftë është regjistruar për arsye të shterimit të të gjithë procedurave të brendshme, të një sistemi gjyqësor që është nën përgjimin permanent të SPAK-ut, i cili afërmendsh urdhrat dhe akuzat i merr nga tribuna e Asamblesë së PS-së.

As kanë patur ndonjë provë, as kanë gjetur ndonjë provë, as kanë shans të shpikin ndonjë provë, pavarësisht nga provokimet e shëmtuara edhe këtu te 313-ta.

Sado t’i zvarrisin hetimet, sado të fshehin prova që rrëzojnë të gjitha mashtrimet e tyre, përballja është e pashmangshme dhe ne mezi presim të nisi gjykimi, që e gjithë Shqipëria edhe bota ta dijë se kush janë ata që dinë anglishten e Charles McGonigalit, i cili bashkë me Edi Ramën dhe Altin Dumanin, regjistruan që në Dhjetor 2019 çështjen CEZ-DIA për të më shantazhuar dhe hetuar mua si President i Republikës, çështje e gjykuar në Shqipëri dhe në Arbitrazhin e Vjenës, në kulmin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese.

Nuk jam unë që rrezikoj provat, por janë ata që kanë fshehur prova.

Nuk janë unë që intimidoj dëshimtarë, por janë ata që kanë intimiduar dhe rekrutuar dëshimtarë, dhe që me shantazhe i kanë konvertuar në përkrahës të PS.

Kjo është një përballje që ne do ta fitojmë në emër të të gjithë shqiptarëve që paguajnë sot shumë shtrenjtë për drejtësinë, që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe as me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Shumë qartë këtë e kanë kuptuar së fundmi banorët e Thethit, por shumë më qartë do ta kuptojnë të gjithë shqiptarët në të ardhmen.

Ilir Meta dhe Partia e Lirisë do të jenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit, kundër mercenarëve shqipfolës që kanë vetëm një projekt, shpopullimin e Shqipërisë.

Meqënëse disa nga këto qëndrime i keni dëgjuar më përpara, mos përtoni të lexoni lajmin e freskët se si 270 milion euro të USAID u përdorën nga sorosistët për kapjen e sistemit të drejtësisë./E.T

Probleme me tensionin, Erion Veliaj shtrohet në spitalin e Durrësit

By: Ke Si
17 July 2025 at 14:07

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është dërguar në spitalin e Durrësit, pasi mësohet se ka shfaqur probleme me tensionin.

Mësohet se zyrtarit po i kryen analizat e nevojshme për të konstatuar gjendjen shëndetësore të tij.

E kanë shoqëruar 30 policë dhe kanë nxjerrë pacientet e tjerë nga dhomat, për arsye sigurie./E.T

Pse dashuria nuk zgjat? Frojdi zbulon gabimin që gratë e bëjnë vazhdimisht

By: Ke Si
17 July 2025 at 14:00

Psikoanalisti i famshëm Sigmund Freud, babai i psikoanalizës, ka lënë pas shumë citate dhe ide që edhe sot, më shumë se një shekull më vonë, na bëjnë të reflektojmë mbi marrëdhëniet dhe mënyrën si e kuptojmë dashurinë

Në një rast, ai dha një këshillë të thjeshtë, por të fuqishme për gratë që zgjedhin një partner me të cilin planifikojnë të kalojnë pjesën tjetër të jetës.

“Gruaja nuk duhet ta dobësojë një mashkull, por ta relaksojë”, ka thënë Frojdi, duke treguar gabimin klasik të shumë grave që përpiqen ta “ndryshojnë” ose “zbusin” partnerin e tyre.

Sipas tij, shumë gra e lidhin dashurinë me idenë se partneri duhet të formësohet sipas pritshmërive të tyre, të bëhet më ambicioz, më i fortë, më i motivuar. Por një burrë që duhet të motivohet me zor, nuk është gati për të “pushtuar botën” apo për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme. Përpjekjet e vazhdueshme për ta ndryshuar, vetëm sa lodhin dhe i bëjnë marrëdhëniet të tensionuara.

Këshilla e Frojdit për gratë?

Zgjidhni dikë që rrezaton energji dhe stabilitet vetë, pastaj thjesht mbështeteni në mënyrë diskrete. Një burrë që ndihet i qetë, i relaksuar dhe i pranuar, do të japë shumë më shumë. Sipas Frojdit, “Ai do të bëjë tri herë më shumë për ju, nëse nuk i bëni presion.”

Ekspertët modernë të marrëdhënieve shpesh pajtohen me këtë ide. Ata theksojnë se kur dikush ndjen presion të vazhdueshëm për të ndryshuar, krijohet distancë emocionale. Përkundrazi, pranim dhe mbështetje e butë janë çelësi që një partner të lulëzojë vetë, pa imponim.

Në fund të fundit, dashuria nuk është projekt për t’u riparuar, por një hapësirë ku të dy ndihen të sigurt dhe të lirë për të dhënë më të mirën e tyre. Dhe kjo është këshilla që mbetet e vlefshme edhe sot, mbi 100 vjet pas Frojdit.

“A mendoni se Frojdi kishte të drejtë?”

Kolegji Zgjedhor rrëzon PD, vulos rezultatin e Tiranës: Zgjedhjet nuk përsëriten

By: Ke Si
17 July 2025 at 12:55

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor rrëzon ankimin e Partisë Demokratike për pavlefshmëri zgjedhore në qarkun e Tiranës.

Argumentet e paraqitura nga përfaqësuesi ligjori i PD, Franci Nuri, nuk binden trupën gjyqësore për te shpallur të pavlefshëm zgjedhjet në qarkun më të madh në vend, duke i hapur rrugë certifikimit final të rezultatit për këtë zonë zgjedhore.

Sipas rezultatit, 37 mandatet e Tiranës u ndanë 19 për PS, 13 për PD, 2 për Mundësinë, 1 për PSD, 1 për Lëvizjen Bashkë dhe 1 për koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet./e.t

Berisha: Rama po hakmerret ndaj banorëve në Theth, sepse më 11 Maj ata votuan për PD-në

By: Ke Si
17 July 2025 at 12:40

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli sot në konferencën për mediat lidhur me prishjen e ndërtesave në Theth, në kuadër të aksionit të qeverisë për lirimin e hapësirave publike.

Berisha tha se prishja e ndërtesave është hakmarrje e kryeministrit Rama ndaj banorëve të Thethit, pasi më 11 Maj ata votuan për PD-në dhe jo për PS-në.

Berisha: Ky është rezultati i qendrës së votimit ku ju patë atë krim të shëmtuar. PD në këtë qendër ka marrë 95 vota dhe PS 82 vota.

Pra, nuk kanë votuar PS-në, kanë votuar PD-në dhe kjo është hakmarrja primitive, kriminale e Edi Ramës ndaj tyre. Dëgjojeni këtë.

Para zgjedhjeve mburreshin me ato ndërtime, mburreshin se Thethi kishte arritur të ketë 2 mijë shtretër. Vërtet arritje shumë e madhe, po të kemi parasysh se një shtrat në Theth ka një kosto të paktën tre herë më të lartë se një shtrat në Tiranë apo bregdet, për shkak të infrastrukturës, distancës, etj.

Por ja ku janë 2 mijë shtretërit e Thethit, se si Edi Rama për shkak të disfatës elektorale, u hakmor në mënyrën më primitive, më çnjerëzore ndaj tyre.

Unë u bëj thirrje banorëve të Thethit, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, të ngrihemi për t’u ndarë në mënyrë përfundimtare nga kjo e keqe e madhe që po rrënon çdo ditë shqiptarët dhe qenien e tyre.

Nga ky armik i egër i veriut të Shqipërisë në mënyrë të posaçme, por edhe shqiptarëve në tërësi, i cili rrezaton çdo ditë armiqësi, urrejtje, negativitet ndaj tyre. Pra, ky është Thethi i 2 mijë shtretërve sot./E.T

Ish-Presidenti u la pas hekurave/ Avokati: Ilir Meta nuk mposhtet kollaj

By: Ke Si
17 July 2025 at 12:29

Avokati i Ilir Metës ka komentuar vendimin e Apelit të GJKKO-së që la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj ish-Presidentit të vendit, duke u shprehur se “unë i fola gjykatës”.

Kujtim Cakrani deklaroi se Ilir Meta është në kushtet e persekutimit, por theksoi se ai do të përballet me të gjithë dhe se nuk mposhtet kollaj.

Avokati i Ilir Metës: Presidenti ka 9 muaj në paraburgim, është e paprecedentë që Presidenti i Republikës të qëndrojë 9 muaj në paraburgim pa përfunduar hetimet.

Po mbahet në kushtet e një persekutimi politik, ju e dini mirë se çfarë po heq ai sot në paraburgim ku i janë mohuar të drejtat elementare siç janë ato e ushtrimit të telefonatave me kolegët, apo anëtarët e Kryesisë apo familjes së tij.

Meta është aty do të përballet me të gjithë, është një individ që nuk mposhtet kollaj. Meta do të vazhdojë të përballet me këta./E.T

Izraeli bombardoi Damaskun/ Presidenti i Sirisë: Nuk kemi frikë nga lufta!

By: Ke Si
17 July 2025 at 12:28

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka thënë të enjten se mbrojtja e qytetarëve druzë dhe të drejtave të tyre është “prioriteti ynë”, derisa Izraeli u zotua se do t’i shkatërrojë forcat qeveritare siriane që po sulmojnë druzët në jug të Sirisë.

Në fjalimin e tij të parë televiziv pas bombardimeve të fuqishme izraelite mbi Damask të mërkurën, Sharaa iu drejtua druzëve të enjten duke thënë se “ne e kundërshtojmë çdo përpjekje për t’ju tërhequr në duart e ndonjë pale të jashtme”.

“Ne nuk jemi nga ata që tremben nga lufta. Ne e kemi kaluar jetën duke u përballur me sfida dhe duke mbrojtur popullin tonë, por kemi vendosur interesat e sirianëve para kaosit dhe shkatërrimit”, tha ai.

Ai shtoi se populli sirian nuk ka frikë nga lufta dhe se është i gatshëm të luftojë nëse rrezikohet dinjiteti i tyre.

Sulmet ajrore izraelite shkatërruan një pjesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Sirisë dhe goditën pranë Pallatit Presidencial, pasi Izraeli u zotua se do t’i “shkatërrojë” forcat qeveritare që po sulmojnë druzët në jug të Sirisë dhe kërkoi tërheqjen e tyre.

Bombardimet shënuan një përshkallëzim të madh nga ana e Izraelit kundër administratës së udhëhequr nga Sharaa. Ato ndodhën pavarësisht afrimit të Sharaas me SHBA-në dhe kontakteve të administratës së tij me Izraelin në fushën e sigurisë.

Duke përshkruar sundimtarët e rinj të Sirisë si xhihadistë të maskuar dobët, Izraeli tha se nuk do t’i lejojë ata t’i zhvendosin forcat në jug të Sirisë dhe është zotuar se do ta mbrojë pakicën druze në këtë pjesë të vendit nga sulmet, pasi u nxit edhe nga thirrjet e pakicës druze brenda vetë Izraelit.

Ndërkohë, SHBA-ja tha se luftimet do të ndalen së shpejti.

“Jemi pajtuar për hapa specifikë që do t’i japin fund kësaj gjendje situatë shqetësuese dhe të tmerrshme sonte”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të mërkurën mbrëma.

Të mërkurën, zyrtarë të Qeverisë siriane dhe udhëheqës të pakicës fetare druze shpallën një armëpushim të ri pas luftimeve disaditore.

Autokolonat e forcave qeveritare filluan të tërhiqen nga qyteti i Suveidës, por nuk është ende e qartë nëse marrëveshja e re – e shpallur nga Ministria e Brendshme e Sirisë dhe nga një udhëheqës fetar druz përmes një video-mesazhi – do të zbatohet.

Një armëpushim i mëparshëm i shpallur një ditë më parë dështoi shumë shpejt.

Sulmet izraelite vazhduan edhe pas shpalljes së armëpushimit.

Përshkallëzimi më i fundit në Siri nisi me rrëmbime dhe sulme hakmarrëse ndërmjet fiseve vendëse sunite beduine dhe fraksioneve të armatosura druze në provincën jugore.

Forcat qeveritare që ndërhynë për të rivendosur rendin u përplasën më pas me forcat druze.

Sekti fetar druze u formua në shekullin e 10-të si një degë e ismailizmit, që është vetë një degë e Islamit shiit. Më shumë se gjysma e rreth 1 milion druzëve në botë jetojnë në Siri.

Pjesa tjetër jeton kryesisht në Liban dhe Izrael, përfshirë edhe në Rrafshnaltën e Golanit, të cilën Izraeli i mori nga Siria gjatë luftës së Lindjes së Mesme më 1967 dhe e aneksoi në vitin 1981.

Nuk janë publikuar të dhëna zyrtare për viktima që nga e hëna, kur Ministria e Brendshme siriane tha se ishin vrarë 30 njerëz.

Por, vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Mbretërinë e Bashkuar raportoi se deri të mërkurën në mëngjes janë vrarë mbi 300 njerëz, përfshirë katër fëmijë, tetë gra dhe 165 ushtarë e forca sigurie./ REL

Gruaja greke organizoi me të dashurin vrasjen e ish-burrit! Roli i dy shqiptarëve në krim

By: Ke Si
17 July 2025 at 12:16

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Greqinë ku një grua, dyshohet se së bashku me të dashurin e saj, ka organizuar vrasjen e ish-bashkëshortit të saj polak në Agia Paraskevi.

Hetimet kanë hedhur dritë mbi lëvizjet e autorëve, mes tyre dy shqiptarë, si edhe rolin e gruas së viktimës.

Sipas protothema.gr, profesori 43-vjeçar kishte ngritur më parë një padi kundër të dashurit të ish-gruas së tij për kërcënime dhe dëmtime fizike, duke raportuar incidente dhune, detaje që tregojnë se kishte frikë për jetën.

Autori i dyshuar i vrasjes, gjatë rrëfimit të tij në polici, u shfaq i penduar, duke thënë: “Nuk mund ta duroja më ta shihja të trishtuar dhe të stresuar, dhe thashë se do ta bëja. Kam bërë gjithçka”.

35-vjeçari ka tentuar të marrë gjithë përgjegjësinë mbi vete, por, sipas medias greke, provat tregojnë se krimi ishte organizuar në bashkëpunimin me ish-gruan e viktimës.

Në rrëfimin e tij, autori i vrasjes ka treguar se rekrutoi tre bashkëpunëtorë, dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas bullgar, ndërsa u ka thënë që: “Do të shkojmë diku për të rrahur dikë që po më shqetëson të dashurën”.

Për t’i qetësuar, ai i siguroi se “nëse keni nevojë për avokatë, Nadia do të paguajë. Mos u shqetësoni”.

Porsche me qira dhe alibia e dështuar

Autorët përdorën një mjet tip Porsche Cayenne për të lëvizur, e cila sipas autoriteteve u gjet dhe u identifikua nëpërmjet kompanisë ku u mor me qira, duke çuar tek dy shqiptarët.

Mjeti dyshohet se e ndoqi 43-vjeçarin që nga momenti që ai ishte në Haidari për një takim me ish-gruan greke dhe fëmijët e tyre, deri Agia Paraskevi ku u organizua komploti i vrasjes.

Menjëherë pas vrasjes, autori dyshohet se braktisi bashkëpunëtorët e tij dhe hipi në një taksi me destinacion Nafplion, duke u përpjekur të fshihej.

Në të njëjtën kohë, ai ia kishte dhënë celularin dhe çelësat e makinës një personi tjetër, me qëllim që të krijonte një alibi të rreme se ndodhej në Argolidë dhe jo në vendin e krimit.

Arma e vrasjes, sipas deklaratës së tij, është blerë në Omonia, por ende nuk është gjetur.

Fotoja që “djeg” ish-gruan

Sa i përket ish-gruas së profesorit, 43-vjeçarja dyshohet se është përpjekur të fshehë të gjitha gjurmët. Menjëherë pas vrasjes, ajo e fiku telefonin dhe fshiu të gjitha të dhënat.

Megjithatë, policia gjeti një foto të viktimës në telefonin e saj, të bërë nga pas, ditën e vrasjes, që tregonte saktësisht se çfarë kishte veshur. Një fakt që, sipas autoriteteve, dokumenton rolin e saj në përgatitjen e krimit. Ende nuk është përcaktuar se kujt i është dërguar imazhi.

Megjithëse telefoni i vrasësit nuk është gjetur, hetimet zbuluan se komunikimet e tij me ish-gruan e tij u bënë nëpërmjet aplikacionit të koduar Signal, duke përdorur një numër që i përkiste djalit të saj.

Provat forcojnë bindjen e autoriteteve se ishte një vrasje e paramenduar, me përfshirjen e më shumë se një personi.

Autori dhe 3 bashkëpunëtorët e tij kanë rrëfyer krimin, ndërsa gruaja mohon çdo përfshirje.

Roli i shqiptarëve

Siç rezultoi nga hetimi policor, gruaja fillimisht i bëri presion partnerit të saj aktual që të gjente njerëz me pagesë për të rrahur ish-burrin e saj.

Në fakt, i dashuri i saj gjeti, nëpërmjet një të njohuri të bullgarit, edhe dy shqiptarë të gatshëm të merrnin përsipër “punën” (të gjithë janë arrestuar).

Ata e kanë çuar autorin e krimit në vendin e ngjarjes dhe i kanë dhënë një pistoletë me të cilin ky i fundit ka qëlluar dhe vrarë profesorin.

Si bullgari ashtu edhe dy shqiptarët kanë pohuar se nuk e dinin që autori donte ta vriste viktimën, por se thjesht donte ta terrorizonte dhe ta rrihte.

Ata dyshohet se i kanë kërkuar 50.000 euro që të mos e dorëzonin në polici, ndërsa autori u kishte dhënë 2.000 euro për të rrahur profesorin.

I dashuri i gruas greke u arrestua me akuzën se vrau 43-vjeçarin me 5 plumba, ndërsa tre shtetasit e huaj akuzohen si bashkëpunëtorë.

Viktima kishte pasur debate me ish-gruan e tij si për dy fëmijët që kanë, ashtu edhe për mosmarrëveshje financiare.

Fotot e autorëve në gjykatë

 

c131626c-35be-4edd-a21a-8e2d45f497560e418cf6-38b3-457a-a054-1bb425e1381953083331-6c7d-4771-9d5a-bdc5154980e4

❌
❌