Liverpool, “mbret” i merkatos/ Kampionët anglezë kanë shpenzuar deri tani 300 milion euro
Liverpul është mbreti i merkatos së verës dhe duket e pamundur që deri në fund të këtij sesioni në tregun e transferimeve, ndonjë klub tjetër të mund ta zbresë nga froni.
Kampionët e Premier Ligës kanë shpenzuar deri tani 300 milion euro për blerjen e katër futbollistëve. I fundit është Hugo Ekitike, sulmuesi francez që transferohet nga Eintracht Frankfurt.
Pasi nuk arriti të merrte Alexander Isak, Liverpul ka paguar 81 milion euro për 23 vjeçarin.
Kësaj shifre i shtohet ajo rekord e Florian Virtz, si blerja më e shtrenjtë në historinë e Premier Ligës. Për ta marrë talentin gjerman nga Bajer Leverkusen, “The Reds” shpenzuan më shumë se 134 milion euro. Po ashtu, nga “Aspirinat”, kampionët anglezë blenë edhe Jeremi Frimpong.
Për shërbimet e holandezit u paguan 34.7 milion euro. Shpenzimeve të çmendura të Liverpul deri tani në tregun e verës iu shtohen edhe ato për Milos Kerkez. Për mbrojtësin hungarez u paguan te Bournemouth, 46.2 milion euro. Por nuk mbyllet me kaq.
Deri në fund të këtij sesioni të merkatos, kampionët anglezë kanë lënë të hapur mundësinë për të tjera transferime në mënyrë që të vendosin në dispozicion të trajnerit Arne Slot një skuadër me mision mbrojtjen e titullit në Premier Ligë dhe dominuese në Europë./abcnews.al