Bankers Petroleum nën hetim: Dyshohet se për 20 vite shmangu taksat
Prokuroria e Fierit ka lëshuar 14 masa sigurie ndaj drejtuesve të “Bankers Petroleum Albania”, nën dyshimin për mashtrim financiar të përmasave të mëdha. Hetimi hedh dyshime për një skemë sistematike shmangieje të taksave dhe përvetësim të tatimeve në kurriz të buxhetit të shtetit.
Skemë 20-vjeçare “humbjesh” fiktive
Nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, Bankers ka deklaruar çdo vit humbje në bilancet e paraqitura ndaj autoriteteve shqiptare. Por prokuroria e Fierit vëren se kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën mbi 532 miliardë lekë – rreth 5.3 miliardë euro.
Prokurorët dyshojnë se kompania ka paraqitur humbje fiktive me qëllim shmangien e pagesave të tatim-fitimit. Nga ana tjetër, ajo ka përfituar edhe rimbursime të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH). Kjo natyrë përfitimi është cilësuar gjithashtu e dyshimtë nga hetuesit.
Hetimet nisën më 30 dhjetor 2024 pas referimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Prokurorët dyshojnë se për të rritur shpenzimet në mënyrë fiktive, Bankers përdori dokumente të falsifikuara, kompani partnere dhe individë brenda dhe jashtë vendit.
Masa sigurie për drejtuesit, 5 persona në kërkim
Në njoftimin për shtyp, shpërndarë të mërkurën, prokuroria tha se kishte ekzekutuar 9 masa sigurie ndaj drejtuesve aktualë dhe të mëparshëm të Bankersit.
Mes tyre, administratori aktual Huanqin Xiao dhe ish-administratori Leonidha Çobo janë ndaluar për rolin e mundshëm të tyre në skemë. Pesë persona të tjerë, shumica të huaj, janë shpallur në kërkim.
Prokuroria tha se kishte zhvilluar kontrolle në mjediset e kompanisë dhe në banesa private, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme.
Ndërhyrja në këtë fazë synon të ndalojë dëmtimin e mundshëm të provave dhe vazhdimin e aktivitetit të dyshuar kriminal.

Kompania: Jemi bashkëpunues, kemi dhënë kontribut në ekonomi
Në një reagim për mediat, “Bankers Petroleum Albania” mohon fajësinë dhe theksoi kontributin e saj në ekonomi.
Ajo deklaroi se ka investuar 4.5 miliardë dollarë dhe ka paguar mbi 730 milionë dollarë në rentë minerare. Kompania madje pretendon se shteti shqiptar i detyrohet 36 milionë dollarë nga TVSH-ja e parimbursuar.
Bankers nënvizon se pas vitit 2016, kur ndodhi ndërrimi i pronësisë së saj, janë rritur standardet e ndershmërisë dhe transparencës. Ajo tha se do të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare dhe se operacionet e saj do të vijojnë normalisht.
Historia e Bankers në Shqipëri
“Bankers Petroleum Albania” u themelua në vitin 2004 si filial i një kompanie kanadeze, e cila siguroi koncesionin 25-vjeçar të shfrytëzimit të burimeve të naftës në Patos-Marinzë – një nga burimet kryesore të naftës në Shqipëri.
Në mars 2016, kompania kineze Geo‑Jade zyrtarizoi blerjen e kompanisë qendrore të Bankers për 442 milionë dollarë. Marrëveshja ishte pjesë e një interesi më të gjerë investimesh kineze në infrastrukturë dhe energji në Ballkan.
Kalimi i pronësisë ndodhi teksa zyrtarisht qeveria kishte ngritur pretendimet për shmangie të taksave të filialit të saj në Shqipëri.
Bankersit i qe kërkuar të justifikonte rreth 220 milionë dollarë shpenzime, teksa ishte ngritur pretendimi për rreth 75 milionë dollarë detyrime tatimore të papaguara nga fitimet.
Auditime të ndryshme vlerësuan të drejtë pozitën e kompanisë, fakt për të cilin qeveria nuk u pajtua dhe e dërgoi çështjen në gjykatën e arbitrazhit. Në vitin 2024 ajo i dha të drejtë qeverisë shqiptare.
The post Bankers Petroleum nën hetim: Dyshohet se për 20 vite shmangu taksat appeared first on Citizens.al.