Dhunohet një prej protestuesve kundër hidrocentraleve në Kaçinar
Një banor i fshatit Simon të Mirditës u dhunua mëngjesin e sotëm në Rrëshen mes dyshimeve për hakmarrje ndaj aktivizmit të tij kundër HEC-eve në zonën e Kaçinarit.
Kol Ndoji, 58 vjeç, u sulmua pasi kishte blerë ushqime në tregun e qytetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 9:00 kur dy persona iu afruan dhe pasi i tërhoqën vëmendjen e goditën. Njëri prej tyre është ndaluar nga policia, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.
Sipas deklaratës së bërë në polici, Ndoji ka mundur t’u largohet, por ata e kanë ndjekur me makinë dhe më pas i kanë bërë pritë pas rrethimit të një banese.
“Aty më kanë dalë para dhe jemi përleshur, më kanë goditur me gurë dhe unë u jam përgjigjur, po me gurë,” ka treguar Ndoji versionin e tij përpara oficerëve të policisë gjyqësore.
Dëshmia iu mor në spitalin e qytetit të Rrëshenit, ku ai u shtrua për të marrë ndihmë mjekësore për plagët e marra në kokë.
Ndoji rezulton ta ketë hasur edhe më parë njërin prej agresorëve: në protestën e 15 prillit në Kaçinar. Sipas 58-vjeçarit, personi në fjalë ndodhej atë ditë “në një fuoristradë të zezë me fenelina policie” që u kishte bllokuar rrugën protestuesve.
Në dëshminë e tij, Ndoji thotë se me këtë person ka shkëmbyer fjalë, të cilat lënë të kuptohet për një përplasje verbale.
“I kam thënë hape rrugën dhe i kam vendosur dorën në qafë. Ai më ka thënë se ‘do të të dalë punë me mua dhe do të shihemi’ dhe pastaj ka hapur rrugë,” ka deklaruar Ndoji.
Prej disa vitesh, banorët e fshatrave të Kaçinarit, rreth 25 kilometra në veri të Rrëshenit, kanë kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve nga kompania “Shpërdhaza sh.p.k”.
Tre muajt e fundit ata kanë përshkallëzuar protestat, duke akuzuar firmën për mungesë transparence dhe dëme mjedisore. Kol Ndoji ka marrë pjesë në to bashkë me të tjerë banorë.
Kjo ka nxitur edhe më shumë dyshimet se ngjarja e fundit ka lidhje me angazhimin e tij si aktivist.
Pas ngjarjes, banorët e zonës u solidarizuan me Kol Ndojin dhe e shoqëruan në spital. Ata e cilësojnë sulmin të paprecedentë dhe si përpjekje për t’i trembur dhe ndalur protestat.
Sipas kryeplakut të fshatit Simon, Gjergj Deda, agresorët janë roje të firmës që po kryen punimet e hidrocentraleve në Kaçinar. Sipas tij nuk ka asgjë personale në aktin e dhunës, veç konfliktit për hidrocentralet.
“Nuk janë të njohur tërë jetën e vetë, vetëm problemi i hidrocentraleve është”, theksoi Deda.
Aktualisht, banorët janë të përfshirë në dy procese gjyqësore me firmën “Shpërdhaza sh.p.k”. Në njërin, ata akuzojnë kompaninë për falsifikim të firmave të banorëve, të cilat i hapën rrugë lejeve.
Në tjetrin, kompania i ka paditur banorët për shpifje. Mes të paditurve është edhe vëllai i Kol Ndojit, i dhunuar së fundmi. Për këtë padi ditën e mërkurë u zhvillua një seancë gjyqësore ku u paraqitën pretendimet mes palëve. Seanca e radhës pritet të mbahet më 6 shtator.
“Ne nuk kemi ofenduar askënd, çfarë kemi folur, e kemi pasur me kompaninë, jo individëve”, shton Deda.
Sipas kryeplakut të fshatit Simon, ndryshimi i administratorëve të kompanisë nuk ndryshon faktin që komuniteti nuk i do hidrocentralet dhe për këtë po përballet me mungesë përgjegjshmërie institucionale.
Dhunimi i Kol Ndojit ngre pikëpyetje të forta mbi sigurinë e qytetarëve dhe komunitetit që ushtron të drejtën për protestë.
Avokati i banorëve në çështjen e HEC-eve, Marash Logu, tha për Citizens se kjo ngjarje është e rëndë dhe se për këtë i janë drejtuar Komisariatit të Policisë Mirditë, Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Prokurorisë Lezhë për hetimin dhe zbardhjen e plotë të saj.
“Edhe më përpara banorët janë përballur me presione, kërcënime, shantazhe dhe kanosje, por deri më sot nuk kishin hasur dhunë fizike,” tha Logu, sipas së cilit konflikti në Kaçinar ka degraduar dhe për këtë nevojitet medoemos pezullimi i punimeve.
“Deri në sqarimin e plotë të situatës ligjore, dokumenteve, lejeve dhe konsultimeve me banorët, që duhet të ishin bërë dhe nuk janë bërë,” theksoi më tej Logu duke kujtuar se kjo çështje e tensionuar vijon prej vitit 2015.
Lexoni gjithashtu:
- Mirditë: Banorët e Kaçinarit në protestë kundër HEC-eve
- Makineritë e HEC-eve kthehen në Kaçinar nën rojen policore
- HEC-et në Kaçinar, banorët kërkojnë pezullimin e punimeve
- Banorët e Kaçinarit përpara ministrisë së Infrastrukturës, kundër HEC-eve
The post Dhunohet një prej protestuesve kundër hidrocentraleve në Kaçinar appeared first on Citizens.al.