Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 July 2025Main stream

Hapet ekspozita në “Marubi”, Pazari i Shkodrës sillet përmes artefakteve dhe imazheve të rralla

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” hapi pasditen e djeshme për publikun ekspozitën “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” që rikthen në vëmendje historinë vizuale dhe kulturore të Pazarit të Shkodrës, përmes objekteve, artefakteve dhe imazheve të rralla.

Për herë të parë, të pranishmit u njohën me koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm shkodran, i cili ruhet në arkivën e Muzeut të Etnografisë në Budapest.

Në këtë ekspozitë, objektet historike vihen në dialog me pjesë nga fondi etnografik i Institutit të Antropologjisë dhe me imazhe të papublikuara më parë nga arkivi i Muzeut “Marubi”.

“Përmes kësaj ekspozite, unë dëshiroj që të marr çdonjërin nga ju si në një udhëtim që ju kthen pas në kohë, kujtime dhe imagjinatë. Në këtë mënyrë secili ka mundësi të përfytyrojë përvojën e vet në zemër të Pazarit të vjetër të Shkodrës. E gjitha nis nga simboli i këtij qyteti, kështjella e Rozafës”, theksoi Kim Knoppers, kuratore.

Një seksion i veçantë i kësaj ekspozite i është kushtuar dizajnerit shkodran Jozef Martini, i cili sjell një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale përmes punimeve të tij në tekstile special, duke lidhur mjeshtërinë tradicionale me stilin modern.

Ekspozita “Pazari i Humbur i Shkodrës: Ringjallja e një Kujtese” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit gjenden të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Një hapësirë e veçantë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 13 shtator të këtij viti.

The post Hapet ekspozita në “Marubi”, Pazari i Shkodrës sillet përmes artefakteve dhe imazheve të rralla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ngërçi në Kuvendin e Kosovës, përfundon takimi Kurti-Limaj

PRISHTINË, 19 korrik/ATSH/ Ka përfunduar takimi mes dy liderëve të partive politike, NISMA dhe Vetëvendosje.

Takimi mes Kurtit dhe Limajt u mbajt në Prishtinë, teksa nuk ka informacione rreth marrëveshjes të mundshme mes tyre.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës është në situatë të ngërçit politik, pasi legjislatura e nëntë nuk ka arritur ende konstituimin e institucionit legjislativ të Kosovës.

Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese u ka lënë hapësirë 30 ditë deputetëve për konstituimin e Kuvendit, teksa ky afat përfundon në fund të muajit ende nuk dihet se cili do të jetë skenari tjetër në rast dështimi.

Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.

Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit. /KosovaPress/

The post Ngërçi në Kuvendin e Kosovës, përfundon takimi Kurti-Limaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëvizje e ngadaltë e mjeteve në Qafë Botë, kërkohet hapja 24 orë e kufirit

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Në pikën kufitare të Qafë Botës vijojnë radhë të gjata pritjeje edhe këtë fundjavë ndërsa autoritetet shqiptare kërkojnë hapjen 24 orë të kufirit.

Kështu, ndërsa sezoni veror i pushimeve ka shtuar fluksin e qytetarëve që kalojnë kufirin, Qafë Bota mbetet ende në situatë të tensionuar dhe me lëvizje të ngadalësuar të mjeteve.

Pala greke në rritur sportelet e punës, por fluksi i lartë dhe organizimi aktual me hyrje e dalje në të njëjtin krah kanë bërë që situata të mos ndryshojë sipas pritshmërive të qytetarëve.

Në një intervistë për mediet, prefekti i Qarkut të Vlorës, Kristaq Kiço, e cilësoi situatën si të pazakontë, duke theksuar se ajo është përkeqësuar që prej arrestimit të gjithë stafit të mëparshëm të doganës greke.

“Ndryshimi i përditshëm i punonjësve ka sjellë vonesa serioze në qarkullim dhe radhë të gjata në të dy anët e kufirit. Na është thënë se kjo është një situatë provizore, por kuptohet që jemi në pikun e sezonit turistik dhe masat duhen marrë menjëherë“, tha Kiço.

Ai shtoi se për shkak të fluksit të shtuar dhe rëndësisë që ka kjo pikë, veçanërisht në sezon, autoritetet shqiptare kanë kërkuar hapjen 24 orë të kufirit me Greqinë Qafë Botë.

“Katër vite më parë kemi pasur një marrëveshje me palën greke që nga prilli në tetor të kishte shërbim 24 orësh. Sot, më shumë se kurrë, kjo është domosdoshmëri, për shkak të fluksit të turistëve dhe rëndësisë së portit të Igumenicës“, u shpreh ai.

Mediet raportuan se pala greke ka konfirmuar se ka shpallur 10 vende të reja pune për doganën e Mavromatit, që do të plotësohen me procedurë të përshpejtuar, ndërsa nga e hëna do të nisë ndarja e flukseve të hyrjes dhe daljes në drejtime të ndryshme, për të ulur vonesat.

Autoritetet shqiptare shpresojnë që këto masa, së bashku me vendosjen e shërbimit 24 orësh, të sjellin normalizimin e qarkullimit, i cili është jetik për turizmin, tregtinë dhe komunitetin ndërkufitar në jug të vendit.

The post Lëvizje e ngadaltë e mjeteve në Qafë Botë, kërkohet hapja 24 orë e kufirit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia gjen 8-vjeçarin nga Kosova të humbur në plazhin e Shëngjinit

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Policia gjeti dhe ua ktheu prindërve një fëmijë që kishte humbur në plazhin e Shëngjinit.

Reagimi i menjëhershëm i Policisë dhe i vrojtuesve të plazhit bëri të mundur gjetjen e një fëmije që ishte larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit.

Punonjësit e Policisë në Shëngjin i dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, fëmijën 8-vjeçar nga Kosova.

Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua nga një pushuese nga Kosova, se djali i saj ishte larguar dhe nuk po e gjente dot.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë që patrullojnë me biçikleta në zonën e plazhit në Shëngjin u angazhuan dhe koordinuan veprimet me vrojtuesin e plazhit për gjetjen e fëmijës.

Pas rreth një ore kërkimesh intensive në terren, punonjësit e Policisë e lokalizuan të miturin pranë një hoteli. Fëmija ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu rikthye menjëherë nënës së tij.

Nëna e fëmijës ka falënderuar shërbimet e Policisë dhe vrojtuesit  të plazhit për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e të miturit.

The post Policia gjen 8-vjeçarin nga Kosova të humbur në plazhin e Shëngjinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sezoni veror, pritje deri në 3 orë e gjysmë për të hyrë në Kosovë

PRISHTINË, 19 korrik/ATSH/ Ardhja e mërgimtarëve ka shtuar fluksin e automjeteve që kalojnë në pikat kufitare të Kosovës.

Mërgimtarët po ballafaqohen me pritje të gjata sidomos në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” aty ku pritjet shkojnë deri në 3 orë e gjysmë.

Pritje të gjata ka edhe në pikat kufitare “Muçibabë” deri në 40 minuta dhe në Bërnjak deri në 20 minuta./KosovaPress/

 

The post Sezoni veror, pritje deri në 3 orë e gjysmë për të hyrë në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro me homologun kroat: Ura të reja bashkëpunimi për ofertë më tërheqëse në rajon

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim me homologun kroat të turizmit Tonči Glavina.

Kumbaro ndërsa ndau momente nga takimi në rrjetet sociale u shpreh se biseda u fokusua tek vizioni i zhvillimit të industrisë turistike në mënyrë të qëndrueshme dhe cilësore dhe se si mund të krijohen ura të reja bashkëpunimi që e bëjnë më atraktive ofertën e rajonit.

“Kroacia është një shembull në menaxhimin e flukseve turistike, ndërsa eksperienca që ofron në përshtatjen e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Europian, gjë të cilën po e bën edhe Shqipëria në vazhdën e integrimit, mbetet shumë e çmuar dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me kolegët kroatë”,u shpreh Kumbaro.

Më herët, ajo pati takim dhe me homologun malazez.

1 nga 5

 

The post Kumbaro me homologun kroat: Ura të reja bashkëpunimi për ofertë më tërheqëse në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 18 July 2025Main stream

Nga aleanca tek interesi – Kosova si destinacion i investimeve amerikane

PRISHTINË, 18 korrik/ATSH/ Energjia, mbrojtja dhe inovacioni digjital janë sektorë ku bashkëpunimi Kosovë-SHBA mund të sjellë përfitime të ndërsjella, por vetëm atëherë kur Kosova t’i mirorganizojë proceset e saj të brendshme.

Ekspertët e çështjeve ekonomike shpjegojnë se një mjedis ligjor dhe ekonomik i qëndrueshëm, larg burokracisë dhe papërgjegjshmërisë, është thelbësor për të tërhequr investitorët amerikanë dhe për të garantuar mbrojtjen e tyre.

Kjo qasje duket se përkon edhe me një orientim të ri të Kosovës – së paku sipas deklaratave të presidentes Vjosa Osmani.

Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, ajo ka thënë se Kosova është shumë e interesuar për një lloj të ri marrëdhënieje me SHBA-në, që do të bazohet më shumë në interesat ekonomike, dhe ka veçuar energjinë, mbrojtjen dhe teknologjinë informative si fusha kyçe për zhvillim të përbashkët.

Pas kthimit, ajo ka thënë se ka marrë konfirmimin se Shtetet e Bashkuara e shohin Kosovën si një aleate strategjike.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për të shpjeguar se ku e sheh SHBA-ja potencialin më të madh për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

Por, sipas Arian Zekës, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, mundësitë kryesore janë në mbrojtje dhe siguri, në ndërtimin e infrastrukturës së gazit për uljen e kostove të energjisë dhe në zhvillimin e ekonomisë digjitale, përfshirë sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale.

Midis potencialit dhe pengesave

Ai numëron disa arsye që, siç thotë, e bëjnë Kosovën partnere të rëndësishme strategjike për SHBA-në dhe destinacion tërheqës për investime – mes tyre: pozicioni gjeografik i Kosovës, fuqia e saj punëtore e re dhe e arsimuar dhe politikat fiskale konkurruese.

Por, përkundër këtij potenciali, ka edhe pengesa serioze që mund ta frenojnë interesimin e investitorëve amerikanë.

Zeka thekson se reformat duhet të vazhdojnë, pasi institucionet e vendit janë ende të reja dhe korniza ligjore mbetet e brishtë.

Kjo, sipas tij, shpesh shkakton vendimmarrje të pasaktë ose të ngadaltë, ndërkohë që mjedisi global ndryshon me shpejtësi.

“Kosova duhet të angazhohet më tej në forcimin e sundimit të ligjit, në shmangien e veprimeve që mund të rrisin paparashikueshmërinë juridike, si dhe në rritjen e mbrojtjes së investitorëve, përmes përmirësimit të efikasitetit të gjykatave”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Në një linjë të ngjashme, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, shpreh shqetësim se pa reforma të thella – në sundimin e ligjit, arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera – besimi i investitorëve amerikanë do të mbetet i vakët.

Ai thekson gjithashtu se diplomacia ekonomike – si promovim aktiv i interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare – është thelbësore për të tërhequr investime dhe për të fituar besimin e partnerëve të huaj.

“Politika duhet të bashkëpunojë me Departamentin amerikan të Shtetit dhe me Shtëpinë e Bardhë, duhet ta rregullojmë imazhin e vendit, të dëshmojmë se Kosova nuk është shtet problematik në Ballkan, por shtet i stabilitetit”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Përplasje narrativësh

Këtë muaj, dy institucione të rëndësishme financiare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, e hoqën Kosovën nga Lista e Shteteve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë si rezultat të “punës së vazhdueshme dhe të përkushtuar” të qeverisë së tij gjatë katër vjetëve të fundit.

Ekspertët nuk janë dakord me këtë narrativ.

Ata theksojnë se, në disa raste, vetë autoritetet kanë rritur pasigurinë dhe kanë tensionuar klimën e brendshme – “me deklarata të pamatura se do të sulmohemi nga Serbia”, siç shprehet Rafuna.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, kujton se Qeveria e Kurtit – aktualisht në detyrë – ka refuzuar një projekt për infrastrukturën e gazit në vitin 2021, të financuar nga Qeveria amerikane, me arsyetimin se nuk ishte i favorshëm ekonomikisht.

Ai thotë se Kosova duhet të ketë një qeverisje më dinamike dhe një treg më të hapur, me më pak burokraci dhe më shumë pragmatizëm në qasjen ndaj investitorëve – “pa iluzione se ata do të vijnë vetë”.

“Kosova nuk mund t’i ofrojë shumë SHBA-së. Ajo çfarë mund të bëjë është që, sa herë të ketë një propozim të caktuar – siç ishte rasti me projektin e gazsjellësit – ai nuk duhet lëshuar, por duhet materializuar”, thotë Musa për Radion Evropa e Lirë.

Me heqjen e Kosovës nga Lista e Shteteve në Situatë të Brishtësisë dhe Konfliktit, Banka Qendrore e vendit (BQK) parashikon rritje të besimit të investitorëve dhe përmirësim të perceptimit për stabilitetin institucional dhe ekonomik të saj.

Investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rritje, duke arritur në mbi 856 milionë euro vitin e kaluar, nga 840 milionë euro në vitin paraprak, sipas Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve.

Brenda këtij totali, investimet nga Shtetet e Bashkuara kanë qenë rreth 87 milionë euro.

Por, sipas ekspertëve, pjesa dërrmuese e tyre është e përqendruar në sektorin e patundshmërisë, e jo në degë që krijojnë vende të reja pune apo nxisin zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve, sipas të cilave, vitin e kaluar, mbi 647 milionë euro janë investuar në patundshmëri, ndërsa vetëm 21 milionë në sektorin e prodhimit.

Mes angazhimit amerikan dhe detyrimeve politike

Me Shtetet e Bashkuara, Kosova ka një shkëmbim tregtar prej miliona eurosh në vit.

Sipas Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2024, importet nga ky vend kapën vlerën mbi 106 milionë euro, ndërsa eksportet ishin dukshëm më të ulëta – rreth 39 milionë euro.

Pavarësisht këtij çekuilibri tregtar, SHBA-ja mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës që nga fundi i viteve ‘90 – e angazhuar në forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, ndërtimin e institucioneve të sigurisë dhe integrimin euroatlantik.

Deri më sot, ndihma amerikane për Kosovën ka kaluar 2 miliardë dollarë.

Ekspertët theksojnë rëndësinë që Kosova të jetë në harmoni me strategjinë globale të SHBA-së, duke e konsideruar çdo hap drejt bashkëpunimit si një investim në sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Në këtë kontekst, Zeka thotë se mungesa e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë vazhdon ta rëndojë imazhin e Kosovës dhe të pengojë tërheqjen e investimeve të huaja, ndaj thekson se trajtimi serioz i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve duhet të jenë përparësi – ashtu siç kërkohet vazhdimisht edhe nga SHBA-ja.

“Oda Ekonomike Amerikane, në jo pak raste, ka bërë thirrje që negociatat me fqinjin verior të trajtohen me prioritet, ashtu që të mund të arrihet normalizimi i plotë – sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë ai.

Paqartësi për investimet nga diaspora në Kosovë

Diplomati amerikan, Daniel Fried, e sheh njësoj sfidën e normalizimit, por thotë se Kosova nuk duhet të presë përmbylljen e këtij procesi për të forcuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në – progresi mund dhe duhet të bëhet paralelisht në fusha të tjera, sipas tij.

“Nuk e di se çfarë marrëveshjesh biznesi mund të ketë, por mendoj se një qasje agresive nga ana e Kosovës për zhvillimin e mundësive të biznesit, mund të funksionojë. Dhe, pastaj, kur ke disa rezultate, i promovon ato dhe tregon se Kosova është një vend i mirë për të bërë biznes”, thotë Fried për Radion Evropa e Lirë.

Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Shumë pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë zbatuar ende dhe Zeka thekson se injorimi i dispozitave për financimin e projekteve strategjike nga institucionet financiare amerikane, është një mundësi e humbur.

Ai shton se do të dëshironte të shihte një qasje më dinamike nga Qeveria e Kosovës, që fillon me heqjen e detyrimeve doganore për produktet amerikane dhe vazhdon me një ofertë më kreative dhe tërheqëse për investitorët nga SHBA-ja.

Po ashtu, përkushtimi i palëkundur ndaj sundimit të ligjit duhet të jetë prioriteti më i lartë i çdo qeverie.

“Ky do të ishte mesazhi më i mirë që vendi do të mund t’ua dërgonte investitorëve”, përfundon Zeka. /rel/

The post Nga aleanca tek interesi – Kosova si destinacion i investimeve amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr në Borsh, procedohet penalisht 51-vjeçari

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Ndezi zjarr për pastrim dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe toke me bimësi në fshatin Borsh, identifikohet dhe procedohet penalisht 51-vjeçari.

Policia bëri të ditur se si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë identifikuan shtetasin M. K., i cili dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barit në një sipërfaqe toke, në afërsi të banesës së tij, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke kullotë, me shkurre dhe me ferra.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. K., 51 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apeloi të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

The post Ndezi zjarr në Borsh, procedohet penalisht 51-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla në Simpoziumin e Symit në Greqi: Sfidat globale po vënë në provë vlerat demokratike

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, mori pjesë në edicionin e 27-të të Simpoziumit të Symit, me ftesë të veçantë nga ish-kryeministri grek Jorgo Papandreu.

Simpoziumi i Sym-it, i zhvilluar këtë vit në Skiathos të Greqisë dhe organizuar nga Fondacioni “Andreas Papandreu”, nën kujdesin e ish-kryeministrit grek Jorgo Papandreu, bëri bashkë liderë politikë, ministra, ambasadorë, akademikë dhe përfaqësues të shquar të shoqërisë civile.

Me temën “Paradoksi i Pandorës: Zbulimi i Shpresës në një Botë të Trazuar”, diskutantët folën mbi sfidat me të cilat përballen demokracitë dhe shoqëritë moderne, si dhe rrugët për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme.

“Gjatë simpoziumit u trajtuan sfidat globale që vazhdojnë të vënë në provë vlerat demokratike, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe qëndrueshmërinë e shoqërive tona. Njëkohësisht, diskutimet dhe bisedat u fokusuan tek mundësitë dhe rrugët drejt shpresës që lindin mes kësaj situate globale të trazuar,” shkruan Balla në një postim në rrjete sociale.

Ministri foli në panelin “Ujëra të Trazuar, Brigje të Përbashkëta: Pushtet, Konflikt dhe Mundësi në Mesdhe”, përkrah figurave të njohura ndërkombëtare si ish-kryeministri i Tunizisë Mehdi Jomaa, ish-sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe Amr Moussa, ish-zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov, profesori i Universitetit George Washington Harris Mylonas, drejtori i Programit për Turqinë në Institutin e Uashingtonit Soner Cagaptay dhe eksperti i FMN-së Yahia Said nga London School of Economics.

Diskutimet në këtë panel u përqendruan në rolin e Mesdheut në një kohë konfliktesh dhe pasigurie, si dhe mbi nevojën për bashkëpunim rajonal për përballimin e sfidave të përbashkëta.

Prej më shumë se një çerek shekulli, Simpoziumi i Symit është kthyer në një pikëtakim unik për ide, reflektim dhe veprim konkret, që kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e drejtësisë sociale, paqes dhe demokracisë në mbarë botën.

1 nga 3

The post Balla në Simpoziumin e Symit në Greqi: Sfidat globale po vënë në provë vlerat demokratike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Standardet europiane tanimë në shumicën e shkollave të Kamzës

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Shkolla e re 9-vjeçare “Angela Merkel” në Kamzë hap dyert në shtator për të pritur mbi 1 300 nxënës me standardet europiane tanimë të afirmuara si standarde në shumicën dërrmuese të shkollave të kësaj bashkie.

Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë duke shtuar se standardet europiane të saj tashmë janë vendosur edhe për rreth 400 shkolla të reja që janë ndërtuar në mbarë vendin.

Infrastrukturat arsimore të transformuara sipas modeleve më të mira të shkollave europiane, janë realitet prej vitesh tashmë në qytetet e vendit, ku procesi po vijon me investime të reja që aktualisht ndodhen në faza të ndryshme zhvillimi.

Shkolla e re do të mirëpresë 1300 nxënës me 38 klasa komode, 10 laboratorë, bibliotekë, terrene sportive e hapësira rekreative, e konceptuar që të shërbejë edhe si një pikë sociale për komunitetin.

Shkolla ndodhet 800 metra nga qendra e qytetit dhe është e formuar nga 5 nivele të ndryshme, një nën tokë dhe 4 mbi tokë, ndërsa në 60 metra në distancë nga shkolla, është vendosur një mbikalim për këmbësorët për kalimin e sigurt të nxënësve.

Shkolla e re i shtohet zinxhirit të 18 shkollave të rindërtuara dhe rehabilituara në këtë bashki, me standarde evropiane, duke zgjeruar kapacitetet për komunitetin e Kamzës dhe zonave përreth.

The post Rama: Standardet europiane tanimë në shumicën e shkollave të Kamzës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mungon dëshmitari, shtyhet seanca gjyqësore në rastin Banjska

PRISHTINË, 18 korrik/ATSH/ Në mungesë të dëshmitarit anonim “A2” të Prokurorisë Speciale, është ndërprerë seanca gjyqësore në rastin Banjska.

Seanca do të vazhdojë të hënën në orën 09:30, i cili do të jetë sërish dëshmitar anonim.

Nën masa të larta të sigurisë janë sjellë në gjykatore të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Deri më tani janë dhënë disa dëshmi në këtë rast nga zyrtarë policor për këtë sulm terrorist.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave. /Kosovapress/

The post Mungon dëshmitari, shtyhet seanca gjyqësore në rastin Banjska appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E premte ,18 korrik, mot i kthjellët me temperatura deri 35°C

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit ndërsa në orët e mesditës deri ato të pasdites vonë në relievet kodrinore – malore vranësira kalimtare të cilat në relievet malore hera-herës do të jenë deri të dendura. Në relievet malore në juglindje reshje shiu të herëpashershme afatshkurtra dhe të dobëta në orët e mesditës deri ato të pasdites.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era hera-herës do të fitojë shpejtësi 7-12 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/34 Diell re
Kukës 16/29 Diell re
Lezhë 19/34 Diell re
Dibër 15/29 Diell re
Durrës 19/34 Diell
Tiranë 21/34 Diell
Elbasan 20/35 Diell
Berat 18/35 Diell
Vlorë 19/33 Diell
Korçë 17/31 Diell re shi
Gjirokastër 17/35 Diell re shi
Sarandë 20/33 Diell

 

The post E premte ,18 korrik, mot i kthjellët me temperatura deri 35°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Osmani priti në takim diplomaten amerikane Anu Prattipati

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë si dhe situatën me ngërçin politik.

“Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet e fundit në vend, me fokus në hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit në dritën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë”, njoftoi Presidenca e Kosovës.

Sipas njoftimit, Osmani ka diskutuar me diplomaten amerikane edhe rreth vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara si dhe takimet që presidentja i ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të administratës Trump.

“Me këtë rast, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, përfshirë hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit me SHBA-në, me theks të veçantë në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes”, bëri të ditur institucioni i Presidencës. /Kosovapress/

The post Osmani priti në takim diplomaten amerikane Anu Prattipati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Autoritetet kosovare zhvillojnë aksion të ri kundër spiunazhit

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Autoritetet kosovare janë duke e zhvilluar një aksion në lidhje me dyshimet për spiunazh, duke intensifikuar luftën kundër rrjetit të spiunazhit, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës të enjten.

Prokuroria tha se aksioni është duke u kryer në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Ajo tha se nuk mund të japë hollësi, për shkak ndjeshmërisë së hetimeve dhe pasi operacioni është ende në zhvillim e sipër.

Aksioni vjen në një kohë kur autoritetet kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Momentalisht, dy të dyshuar, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.

Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend.

Arrestimet e fundit, por edhe procedurat e tjera penale kundër disa të dyshuarve tregojnë, sipas tij, se sa e cenueshme është Kosova ndaj aktiviteteve të tilla të inteligjencës së huaj.

“Dëmet që synohen të shkaktohen, janë ato që e nxjerrin Kosovën keq jashtë dhe e vendosin atë nën tension përbrenda”, tha Ramadani për Radion Evropa e Lirë në mars.

Për ish-zëvendësministrin e Brendshëm të Kosovës, Valdet Hoxha, janë kryesisht Serbia dhe Rusia ato që kanë apetite për ta nxjerrë Kosovën si “projekt të dështuar të Perëndimit”.

Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i Brendshëm i Kosovës, tha se kryesisht Serbia dhe Rusia kanë apetite për ta nxjerrë Kosovën si “projekt të dështuar të Perëndimit”.

“Në këtë kontekst, natyrshëm, ato kanë synuar infiltrimin e njerëzve të tyre në mekanizmat e sigurisë, në mekanizmat e tjerë politikë”, tha Hoxha. /rel/

The post Autoritetet kosovare zhvillojnë aksion të ri kundër spiunazhit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet përsëri, “Nisma” paralajmëron marrëveshje të mundshme

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Deputetët e zgjedhur kanë dështuar ta bëjnë Kuvendin e ri të Kosovës edhe në tentimin e së enjtes, pavarësisht se po soset afati i dhënë nga gjykata më e lartë e vendit për formimin e institucionit ligjvënës më së largu deri më 26 korrik.

Midis kësaj ngecjeje të vazhdueshme, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, tha se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.

“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, tha Izmaku për gazetarë.

Ajo tha se çështje e bisedimeve është që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se “më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”.

Kjo është hera e 48-të që deputetët u mblodhën, çdo të dytën ditë që nga 15 prilli, dhe dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues.

Edhe në këtë mbledhje, partitë deri më tash në opozitë – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër.

Në seancën e 17 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët nisën të adresonin problemin e ngërçit, në vend që të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Seanca dështoi dhe vazhdimi i radhës do të mbahet më 19 korrik.

Ndërkohë, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese vendosi që Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30-ditor, por pa sqaruar pasojat nëse ky afat nuk respektohet.

Kjo ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme nga partitë politike, të cilat mbeten të ndara në qasjen e tyre ndaj zgjidhjes së situatës.

Javën e parë të korrikut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada institucionale.

Pas përfundimit të konsultimeve, ajo theksoi se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor – të vendosur nga Kushtetuesja – nuk është çështje vullneti, por obligim kushtetues.

Osmani u bëri thirrje partive që të angazhohen seriozisht për të gjetur një zgjidhje sa më parë.

Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja po shqyrton mundësitë ligjore për t’i drejtuar një kërkesë sqaruese Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të kuptohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të dhënë.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.

Ngërçi vjen pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.

PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9. /rel/

The post Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet përsëri, “Nisma” paralajmëron marrëveshje të mundshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Presidenti i Emirateve të Bashkuara në Tiranë, Rama: Mik i vjetër i popullit shqiptar

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Lartësia e Tij, Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nayan, ndodhet sot për vizitë në Tiranë ndërsa mbërriti mbrëmë në aeroportin “Nënë Tereza”.

Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale momente nga mbërritja në Shqipëri e Presidentit Al Nahyan të cilin e cilësoi “mik të vjetër e të shtrenjtë të popullit shqiptar, këtej e andej bjeshkëve”.

Po ashtu, ndërsa ndau momente nga mbërritja e Presidentit Al Nayan, Rama i shoqëroi me disa vargje të Fan Nolit.

“Flamur që lind Shën Konstandinin,

Pajton Islamn’ e Krishtërimin,

Çpall midis feve vllazërimin,

Flamur bujar për Njerëzi”.

Al Nahyan u prit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas nga Kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara shkëmbyen në shkurt të këtij viti marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të bashkëpunimit midis Masdar, TAQA, KESH dhe OST, si dhe nënshkrimin e letrës së angazhimit për Projektin e Qytetit Inteligjent të Shqipërisë me “Presight AI Ltd” në prani të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili vizitoi Tiranën, dhe kryeministrit Edi Rama.

The post Presidenti i Emirateve të Bashkuara në Tiranë, Rama: Mik i vjetër i popullit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E enjte 15 korrik, mot i kthjellët me vranësira kalimtare në zonat malore

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit ndërsa në orët e mesditës deri ato të pasdites vonë në relievet kodrinore – malore vranësira kalimtare të cilat në relievet malore hera-herës do të jenë deri të dendura. Në relievet malore në lindje reshje shiu të herëpashershme afatshkurtra dhe të dobëta në orët e mesditës deri ato të pasdites.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 4 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era hera-herës do të fitojë shpejtësi 5-8 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë. 

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 21/33 Diell
Kukës 20/32 Diell re
Lezhë 24/34 Diell
Dibër 19/31 Diell re
Durrës 21/34 Diell
Tiranë 24/35 Diell
Elbasan 23/36 Diell
Berat 21/35 Diell
Vlorë 23/33 Diell
Korçë 18/32 Diell re
Gjirokastër 19/36 Diell
Sarandë 22/32 Diell

 

The post E enjte 15 korrik, mot i kthjellët me vranësira kalimtare në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Supreme reagon ndaj Qeverisë së Kosovës: Ndërhyrja në vendime gjyqësore, e papranueshme

PRISHTINË, 16 korrik/ATSH/ Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Qeverisë në detyrë, duke e cilësuar atë si tendencioze dhe një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.

Të martën, Qeveria e Kosovës reagoi ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, e cila konstatoi se nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë është e kundërligjshme dhe përbën shkelje të dispozitave kushtetuese.

Në reagimin e saj, Qeveria në detyrë shprehu “shqetësim” dhe e kundërshtoi aktgjykimin e Supremes, duke e cilësuar atë si “të pabazuar në ligj” dhe “arbitrar”.

Gjykata Supreme shfuqizoi si të paligjshëm një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati.

Ky udhëzim, që lidhej me shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve përkatës, ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill, një ditë pas miratimit nga Murati, i cili tashmë kishte marrë mandatin si deputet pas zgjedhjeve të shkurtit.

“Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Në një deklaratë publike të mërkurën, Gjykata theksoi se komentet e Qeverisë përbëjnë keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore dhe cenojnë legjitimitetin e saj.

“Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues”, thuhet në reagim.

Supremja thekson se ka vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe pret që institucionet shtetërore të zbatojnë vendimet gjyqësore si kusht për funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Çdo përpjekje për të politizuar vendimet gjyqësore dëmton besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet më tej.

Ndërkohë, ministri në detyrë, Hekuran Murati, e kundërshtoi vendimin e Gjykatës Supreme, duke e cilësuar si “absurd” dhe duke kritikuar publikisht me emër gjyqtarët e Supremes.

“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale,” tha ai.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës shkroi në Facebook se Gjykata Supreme “qartësoi përfundimisht” se ministrat që tashmë janë deputetë nuk mund të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga KQZ.

Ligji për Qeverinë parashikon se një qeveri në detyrë nuk mund të tejkalojë autorizimet e saj të kufizuara dhe ndalon marrjen e vendimeve madhore. /rel/

The post Gjykata Supreme reagon ndaj Qeverisë së Kosovës: Ndërhyrja në vendime gjyqësore, e papranueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trupi gjykues në Hagë rrëzon mocionin e mbrojtjes së ish-eprorëve të UÇK-së

PRISHTINË, 16 korrik/ATSH/ Gjykata Speciale në Hagë ka rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-eprorëve të UÇK-së, dhe i ka lënë në fuqi të gjitha akuzat.

Avokatët kishin kërkuar rrëzimin e akuzave që lidhen me periudhën e aktakuzës.

“Trupi gjykues nuk është bindur që ai ka autoritet sipas rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave ose fakteve materiale që formojnë pjesë të aktakuzës nëse për shkaqe kohe ose për shkaqe tjera. Mbi këtë bazë, trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes sipas rregullës 130 në tërësinë e vet”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, të mërkurën më 16 korrik.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. /KosovaPress/

The post Trupi gjykues në Hagë rrëzon mocionin e mbrojtjes së ish-eprorëve të UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë Kosovën

PRISHTINË, 15 korrik/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po vepron si dorë e zgjatur e përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, por nuk e përsëriti deklaratën e mëparshme për rolin e pretenduar të presidentit amerikan, Donald Trump, në parandalimin e një përshkallëzimi të situatës nga Serbia në Kosovë.

Duke folur të martën në Rigë të Letonisë, përkrah presidentit letonez, Edgars Rinkeviç, Osmani e hodhi poshtë nocionin e “tensioneve” mes Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur situatën si agresion nga njëra palë dhe vetëmbrojtje nga tjetra.

“Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve”, tha Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se cili është roli i Rusisë në tensionet dhe përshkallëzimet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk duhet ta fusim kurrë agresorin dhe viktimën në të njëjtin thes. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne mbrohemi vazhdimisht,” tha Osmani.

“Ne kurrë nuk kemi pushtuar ose sulmuar, madje as edhe një centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tonë, ta mbrojmë integritetin tonë territorial, ta mbrojmë paqen dhe lirinë, që janë fituar me shumë sakrificë”, tha presidentja e Kosovës.

Ditëve të fundit, ajo foli në disa raste për përshkallëzimin e mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Gjatë një ligjërate në Uashington më 10 korrik, Osmani tha se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Ajo tha se ka “informacione të besueshme” se bëhet fjalë “për zhvillime shumë, shumë të vona”.

Kjo deklaratë shkaktoi kritika nga Richard Grenell, i dërguari i Trumpit për misione speciale.

Ai e akuzoi Osmanin për “manipulim” të fjalëve të Trumpit.

“Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për punën e tij për paqe dhe normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në vitet 2019 dhe 2020, përmes Marrëveshjes së Uashingtonit. Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje. Pretendimi se ka ndodhur diçka e re është absurd,” shkroi Grenell në X.

 

Çfarë tha Trump?

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Pastaj, në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë më 29 qershor, ai tha se, në muajt e fundit, SHBA-ja ka ndaluar ose parandaluar konflikte midis disa palëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën.

“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi”, tha Trump, duke shtuar se kërcënimi për pezullimin e tregtisë kishte funksionuar në parandalimin e saj.

Pastaj, më 9 korrik, ai përsëriti: “Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”.

Trump e përmendi rastin e Kosovës dhe Serbisë edhe gjatë një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, më 14 korrik në Shtëpinë e Bardhë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për sqarime shtesë, por nuk mori përgjigje.

Pyetjeve të REL-it se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhej fjalë, nuk iu përgjigj as Qeveria në detyrë e Kosovës e as Ministria në detyrë e Punëve të Brendshme.

I pyetur nga gazetarët për këtë çështje më 15 korrik, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha shkurtimisht: “Ne jemi jashtëzakonisht falënderues për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgjatë gjithë historisë së Republikës së Kosovës”.

Përshkallëzimi i fundit i madh në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic.

Prishtina e cilësoi atë si sulm terrorist të orkestruar nga Serbia – një akuzë që Beogradi e mohoi.

Pas komenteve të Grenellit, ekipi i Osmanit paralajmëroi se presidentja do të mbajë një konferencë për shtyp, pasi të kthehet nga udhëtimi.

Duke folur në Rigë, Osmani po ashtu tha se ndikimi i Rusisë në Kosovë “është zero”.

“Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për shtetin tonë fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet nën ndikimin e Rusisë – qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak. Përmes këtij ndikimi në Serbi, Rusia përpiqet të shkaktojë pasoja destabilizuese edhe më gjerë në rajon, sepse sa më shumë të destabilizohet Evropa, aq më shumë u shërben interesave të Rusisë”, tha Osmani.

Ajo theksoi se Kosova do të punojë ngushtë me aleatët në Bashkimin Evropian dhe në NATO, përmes masave të frenimit dhe parandalimit, me qëllim që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të cilat kryhen përmes Serbisë, të mos ketë sukses. /rel/

The post Osmani: Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌