Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

21 dorëheqje në një ditë/ A mund ta ristrukturojë kryeministri një bashki?!

4 July 2025 at 15:14

Një urdhër me dyer të mbyllura, pa komunikim zyrtar, nga ana e kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar drejtorët e Bashkisë së Vlorës, ka hapur një debat sa publik aq edhe institucional për ligjshmërinë e një veprimi të tillë.

Pas një mbledhjeje jo publike në ambientet e Bashkisë, ku Rama ka shprehur kritika për disa problematika konkrete në Vlorë si mungesa e ujit të pijshëm apo djegia e plehrave, pasojat kanë qenë të menjëhershme.

Pa kaluar as 24 orë, 21 drejtorë të bashkisë së Vlorës kanë paraqitur dorëheqjen zyrtarisht tek kryetari i bashkisë Ermal Dredha. Ky i fundit, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka firmosur ende dorëheqjet  

Çfarë thotë ligji?

Kushtetuta dhe ligji për vetëqeverisjen vendore e përcaktojnë qartë autonominë e pushtetit vendor. Bashkitë janë të zgjedhura me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe përgjegjësitë për administrimin e qytetit u takojnë drejtuesve lokalë. Drejtuesi i Insitutit të Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, thotë për Faktoje.al se, sipas ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” dhe Kushtetutës së Shqipërisë, bashkitë janë njësi të vetëqeverisjes vendore me autonomi të garantuar në menaxhimin e kompetencave të tyre.

“Kryeministri, si përfaqësues i pushtetit ekzekutiv qendror, nuk ka tagër ligjor të ndërhyjë në organizimin e brendshëm të bashkive, përfshirë ristrukturimin apo emërimin e komisioneve të brendshme administrative. Çdo akt i tillë përbën një cenim të drejtpërdrejtë të parimit të autonomisë vendore dhe nderhyrjes në pushtete të pavarura”, thotë Haxhimali

A cenohet parimi i autonomisë vendore në këtë rast?

“Po, në mënyrë të qartë. Parimi i autonomisë vendore, i sanksionuar në Kushtetutë (neni 108) dhe në Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore (ratifikuar nga Shqipëria), kërkon që njësitë e vetëqeverisjes të kenë liri të plotë për të marrë vendime brenda kompetencave të tyre. Ndërhyrjet politike nga niveli qendror, sidomos nga Kryeministri, bien ndesh me këtë parim dhe krijojnë precedent të rrezikshëm për kapjen politike të pushtetit lokal”, përgjigjet Haxhimali

Zinxhiri i emërimeve në bashki

Në të njëjtën mbledhje në Vlorë,  kryeministri Edi Rama prezantoi edhe komisionet e ristrukturimit, të cilët jo vetëm do të ndjekin emërimet e brendshme të bashkisë, por edhe do të dalin në terren për të mbledhur problematika dhe për t’i raportuar çdo të hënë në institucionin vendor.

Përbërja e komisioneve raportohet se përfshin deputetë dhe njerëz që angazhohen në PS.

Ndryshe nga sa është urdhëruar, Agron Haxhimali, sqaron se në praktikë dhe sipas ligjit, drejtorët në një bashki janë pjesë e administratës vendore dhe për pasojë emërohen apo shkarkohen nga kryetari i bashkisë, si drejtuesi ekzekutiv i njësisë vendore. “Ky proces është i brendshëm dhe duhet të udhëhiqet nga kriteret profesionale, strukturat e miratuara dhe ligji për nëpunësin civil kur aplikohet. Asnjë institucion qendror nuk ka kompetencë të ndikojë drejtpërdrejt në këto vendime, përveç rasteve kur ka shkelje të rënda të ligjit dhe procedura të hapura nga organet e drejtësisë apo institucionet e kontrollit”, thotë ai.

The post 21 dorëheqje në një ditë/ A mund ta ristrukturojë kryeministri një bashki?! appeared first on Faktoje.al.

Rinumërimi në Fier vuri në dyshim integritetin e votës

3 July 2025 at 14:23

Rinumërimi i 586 kutive të votimit në qarkun e Fierit, i kërkuar nga dy anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), u fokusua në përplasjen mes dy kandidateve të Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi dhe Maldrita Bardho, të cilave përkohësisht u ndryshoi e ardhmja e tyre në Kuvend për vetëm 10 vota.

Përtej këtij debati të fokusuar në rrjetet sociale dhe në media (disa nxitur nga klikimet, disa të tjerë nga qëllime të pastra politike), rinumërimi nxori në pah një problematikë më të thellë: zhvendosje votash në favor të kandidatëve të caktuar, praktikë kjo që ngre dyshime për shkelje të standardeve zgjedhore

Gjatë rinumërimit për qarkun Fier, u konstatua se zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi, kandidat i PS-së në Fier, kishte përfituar padrejtësisht 831 vota.

Screenshot e rezultatit per kandidatte pas rinumerimit te kutive ne Fier

Në mënyrë të ngjashme, kandidati tjetër, Klevis Jahaj, drejtor i Ujësjellësit (në varësi të së njëjtës ministri) rezultoi se i ishin hequr 497 vota nga numërimi i parë. Një kandidateje të PD-së, Silva Hasajt, i ishin shtuar në mënyrë fiktive 671 vota gjate numërimit të parë.

screenshot e rezultatit per kandidatet e PD pas rinumerimit te kutive ne Fier

Çfarë ka ndodhur?

Në disa kuti votimi, rezulati i rinumërimit sjell diskutim nëse kemi të bëjmë thjesht për gabime njerëzore apo zhvendosje votash në mënyrë të qëllimshme.

Psh, vetëm në katër kuti të rinumëruara, kandidatit të PS-së, Ceno Klosit i rezultojnë 85, 32, 29 dhe 22 vota të tepërta për secilën prej tyre. Ndryshe nga Tirana, ku anëtarë të KAS-it justifikuan lëvizjet e votave si pasojë e gabimeve njerëzore, në Fier situata paraqitet ndryshe.

KAS

Anëtari i KAS-it, Ledion Braho, një nga dy iniciatorët e kërkesës për rinumërim në Fier, deklaroi publikisht se pavarësisht vendimit që do të marrë KAS, ai do t’i përcjellë personalisht Prokurorisë së Fierit të gjithë tabelat dhe procesverbalet me rezultatet e ndryshuara. “Besoj se kjo është indicie e mjaftueshme që Prokuroria të nisë hetimin për trafikimin e votave”, theksoi ai.

Faktoje.al ndërkohë është në pritje të një kërkese për informacion drejtuar SPAK rreth pyetjes se, a është bërë ndonjë denoncim për qarkun Fier dhe nëse jo, a ka nisur ky institucion hetime kryesisht?

Ekspertët

Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi, tha në një koment të shkurtër për Faktoje se qarku Fier konfirmoi paralajmërimin e hartës së riskut elektoral (përgatitur nga ISP) lidhur me shqetësimin për parregullsi dhe cenim të standardeve zgjedhore.

“Lëvizjet e mëdha të votave, shumëfish më të larta edhe sesa qarku Tiranë, duke favorizuar kandidatë me pozita të larta ekzekutive dhe lidhje të forta informale, janë tregues të cenimit të votës dhe bazë e mjaftueshme për hetime administrative nga KQZ dhe hetime penale nga organet ligjzbatuese”Afrim Krasniqi

“Lëvizjet e mëdha të votave, shumëfish më të larta edhe sesa qarku Tiranë, duke favorizuar kandidatë me pozita të larta ekzekutive dhe lidhje të forta informale, janë tregues të cenimit të votës dhe bazë e mjaftueshme për hetime administrative nga KQZ dhe hetime penale nga organet ligjzbatuese. Gjithashtu paralelisht do të duhej që vetë subjektet politike përgjegjëse të kryenin hetime dhe të deklaronin qëndrimin e tyre, pasi këto akte janë të kundërshtim edhe me betimin dhe deklaratën solemne të depozituar në KQZ nga kryetarët e partive politike respektive dhe me retorikën mbi integritetin e votës të përdorur nga liderit politikë në fushatë”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, “tendenca për të justifikuar numëruesit dhe për të kthyer në normë trafikimin e votës gjatë numërimit është zhvillim shqetësues, praktikë e ndaluar shprehimisht nga legjislacioni zgjedhor, si dhe një akt minues për konceptin e zgjedhjeve, të demokracisë dhe legjitimitetit në përfaqësim”

The post Rinumërimi në Fier vuri në dyshim integritetin e votës appeared first on Faktoje.al.

Kush po e financon dezinformimin dhe ndërhyrjen e huaj? Ndërtimi dhe lojërat e fatit, flamujt e kuq që duhen skanuar

26 June 2025 at 14:18

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar kundër Dezinformimit, Erion Braçe, tha të enjten se, komisioni (që ai drejton) përcolli një mesazh të qartë politik: “Lufta kundër dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj keqdashëse është tashmë prioritet kombëtar, që kërkon vëmendje të veçantë në nivelin më të lartë legjislativ”.

Braçe e cilësoi një sfidë. që asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetëm. Ndaj, sipas tij, kërkohet bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndërtim aleancash të reja.

Dokumenti strategjik i miratuar në komision nga deputetët e mazhorancës (opozita nuk merr pjesë), sipas Braces, shënon një tjetër hap drejt mbrojtjes së interesave kombëtare dhe stabilitetit demokratik përmes masave të koordinuara dhe mekanizmave të përforcuar institucionalë.

Skanimi i Bizneseve

Në hartimin e dokumentit strategjik që synon luftën kundër ndërhyrjeve të huaja keqdashëse dhe dezinformimit morën pjesë aktorë institucionalë, por edhe ekspertë të jashtëm, një prej tyre edhe Arben Malaj. Ky i fundit tha gjatë mbledhjes së komisionit se, përveç krijimit të një kuadri ligjor dhe institucional, i cili, sipas tij, duhet të jetë funksional dhe jo mbivendosës, nevojitet fokus konkret në identifikimin e burimeve të mundshme të ndikimeve të jashtme dhe financimeve të dyshimta.

Precedenti

Në këtë kontekst, Malaj vlerësoi të rëndësishme skanimin e bizneseve, që veprojnë në fusha delikate si: ndërtimi dhe lojërat e fatit.

Një nga rastet që ai përmendi (pa emër) ishte ai i një organizate të shpallur terroriste nga Presidenti Donald Trump, e cila, sipas tij, dyshohet se është futur në Shqipëri përmes një biznesi shqiptar.

“Rasti më konkret është rasti i akuzave për një organizatë terroriste e cila ka hyrë në Shqipëri nga një biznes shqiptar, por në të njëjtën kohë është shpallur nga Presidenti Trump si organizatë terroriste”, tha eksperti i ekonomisë Arben Malaj

Ky precedent, sipas Malajt, nënvizon nevojën për kontrolle të thelluara në ato sektorë ku dyshohet për ndikime të dyshimta dhe flukse të paqarta financiare.

Domosdoshmëria

Që do të thotë jo vetëm një veprim automatik i skanimit të bizneseve problematike, por edhe një instrument sigurie shtesë, në një kohë kur dezinformimi dhe ndërhyrjet e jashtme po shihen si kërcënim për institucionet dhe demokracinë

“Bizneset aktuale që janë në fushën e lojërave të fatit dhe në ndërtim aty ku ka, se nuk duhet t’i biem në qafë askujt kot, aty ku ka flamuj të kuq të ngritur, duhet të skanohen dhe ta mbrojmë ekonominë tonë nga paratë kriminale”, tha Malaj.

Ai i qëndron postulatit se, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm nëse tolerohet paraja kriminale  

“Pra, në këtë rast nuk po mbrojmë ekonominë, por po mbrojmë të ardhmen e një vendi dhe po mbrojmë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe kjo do të jetë kategorike”, tha ai   

The post Kush po e financon dezinformimin dhe ndërhyrjen e huaj? Ndërtimi dhe lojërat e fatit, flamujt e kuq që duhen skanuar appeared first on Faktoje.al.

Rajoni në shënjestër, rriten me 200% sulmet kibernetike

20 June 2025 at 18:00

Komisioni parlamentar për çështjet Europiane miratoi të premten në parim projektligjin për strategjinë kombëtare 2025–2030 për të luftuar ndërhyrjet e huaja dhe fushatat dezinformuese që cenojnë sigurinë, demokracinë dhe zhvillimin në Shqipëri.

Drafti u prezantua nga Kryetari i Komisionit të Posacëm Parlamentar në luftën kundër Dezinformimit, Erion Braçe.

Qëllimi

Sipas Braçes, kjo strategji ka për qëllim forcimin e institucioneve për të parandaluar ndikimet e huaja që përpiqen të manipulojnë opinionin publik, të ndërhyjnë në zgjedhje, dhe të kontrollojnë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Deputeti i PS-se, Erion Brace, duke prezantuar projektligjin per strategjine kunder dezinformimit

“Shqipëria, si vend i NATO-s dhe kandidat për BE, është një objektiv i vazhdueshëm i sulmeve hibride, përfshirë dezinformimin dhe sulmet kibernetike”, tha Braçe, duke kujtuar edhe sulmet kibernetike ndaj  Shqipërisë që prej korrikut të vitit 2022, për të cilat janë fajësuar grupe të lidhura me Iranin.

Siguria kibernetike, sipas Braces, është shndërruar në një komponent kyç të sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet gjithashtu me rritje të ndjeshme të incidenteve kibernetike. Vetëm në vitin 2023 pati një rritje me 40% të incidenteve të raportuara me mbi 1.2 milionë të dhëna personale që u ekspozuan nga shkeljet e sigurisë në vendet e rajonit gjatë vitit 2023 ndërsa sulmet u rritën me 200% brenda dy viteve. Këto  statistika nënvizojnë nevojën urgjente për masa gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Sulmet

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është përballur me një seri sfidash komplekse që lidhen me dezinformimin, sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet e huaja, kryesisht nga Irani. Këto raste kanë testuar seriozisht kapacitetin institucional për të ruajtur sigurinë kombëtare, integritetin e informacionit por edhe besimin e publikut.

Faktoje.al ka përshkruar prej kohësh një tablo të cenueshmërisë së infrastrukturës së teknologjisë dhe të dhënave në Shqipëri, pas një serie sulmesh kibernetike të kryera kryesisht nga grupi iranian “Homeland Justice”. Faktoje ka raportuar edhe për sulme kibernetike në vendet e rajonit të inicuara edhe atje prej vitit 2022.    

Në rastin e Shqipërisë, sulmet kanë goditur institucione të rëndësishme si Kuvendi, INSTAT, AKSHI, Policia e Shtetit dhe operatorë privatë si kompania “One Albania”.

Ndërkohë, të premten paradite faqja e Bashkisë Tiranë ra. Grupi i njohur i hakerëve “Homeland Justice” pretendoi përmes disa postimeve në kanalin e tyre Telegram se janë ata që “kanë ndërprerë funksionimin e faqes zyrtare të Bashkisë, kanë nxjerrë të dhëna të ndjeshme dhe kanë fshirë të gjithë serverët”.

Fokusi

Strategjia e hartuar nga komisioni kundër dezinformimit fokusohet në katër shtylla kryesore:

Mbrojtja e zgjedhjeve dhe procesit demokratik

Rritja e sigurisë institucionale dhe kibernetike

Mbrojtja e ekonomisë, veçanërisht sektorëve strategjikë

Forcimi i medias së lirë dhe edukimi i qytetarëve kundër dezinformimit

Puna

Komisioni i posaçëm parlamentar kundër dezinformimit ka analizuar modele ndërkombëtare dhe ka bashkëpunuar (krahas aktorëve institucional) edhe me 19 ekspertë të jashtëm për të përgatitur një dokument që synon të pasqyrojë realitetin ku ndodhemi dhe masat që duhen marrë.

Por strategjia do të mbetet në letër nëse nuk do shoqërohet me një plan konkret veprimi që duhet të miratohet domosdoshmërisht nga qeveria brenda vitit 2025.

“Strategjia nuk është një dokument vetzbatues, ai kërkon një vullnet kombëtar dhe politik, buxhet, kapacitete njerëzore, bashkëpunim koordinim ndërinstitucional, madje edhe brenda Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe shkëmbim ndërkombëtar”, tha Brace

Ne foto: Nga mbledhja e Komisionit per Ceshtjet e Europes

Bojkoti

Duke mbetur tek vullneti politik, opozita ka bojkotuar punimet e komisionit të posacëm parlamentar qysh prej ngritjes së saj.

Të premten, deputeti i PD, Kreshnik Çollaku, e vlerësoi strategjinë në nivel teorik, por u shpreh skeptik për zbatueshmërinë e saj, duke theksuar se mungesa e opozitës në komision ka qenë një dobësi. Sipas tij, pa vullnet real për zgjedhje të lira dhe pa adresuar konfliktet politike të brendshme, Shqipëria mbetet e brishtë përballë ndërhyrjeve të huaja.

“Strategjia që ju paraqisni, nuk kam asnjë fjalë kundër, por nuk mendoj se ka gjetur përgjigjet e duhura për të krijuar imunitet të vendit ndaj goditjeve hibrite e destabilizuese…”, tha Çollaku në mbledhjen e komisionit parlamentar për cështjet evropiane.

Deputeti i PS në komision, Etjen Xhafaj, paralajmëroi për rreziqet që vijnë nga jashtë përmes propagandës masive në rrjete sociale dhe nevojën për struktura më të forta për t’i përballuar.

“Vetëm vjet në verë sipas Bloomberg më shumë se 84 mijë faqe sociale dhe ëebside kanë publikuar lajme kundër vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe Shqipërisë, në hark kohor të disa javëve. Ne nuk duhet të lejojmë të krijohen vatra konflikti dhe teksa ne merremi me cic-mice, ka të tjerë që nuk duan zhvillimin e vendit, dhe teksa merremi me njëri-tjetrin duhet të shohim kush tenton t’i vërë flakën shtëpisë…”, tha ai

Komision i përhershëm?

Nga ana e tij, deputeti Braçe tha se, puna e komisionit është fokusuar vetëm në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe jo të hetojë.

Brace lajmëroi se synimi është që ky komision të shndërrohet në një strukturë të përhershme të Kuvendit që të garantojë zbatimin e strategjisë dhe bashkëpunimin e domosdoshëm mes institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tij, komisioni kundër dezinformimit nuk i merr kompetencat askujt.

The post Rajoni në shënjestër, rriten me 200% sulmet kibernetike appeared first on Faktoje.al.

Samiti në Tiranë/ Nga riarmatimi i Europës tek paqja, integrimi i Shqipërisë jashtë fokusit

16 May 2025 at 21:00

Në përfundim të Samitit të Komunitetit Politik të mbajtur në Tiranë,  Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se siguria dhe riarmatimi janë prioritete kyçe për Evropën përballë “kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia”.

Ajo paralajmëroi se Rusia nuk është vetëm “një rrezik për Ukrainën”, por për të gjithë Evropën, duke përdorur mjete si “sulmet kibernetike dhe dezinformimi për të minuar demokracitë evropiane”.

Riarmatimi

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama,  kryeministrja Frederiksen u shpreh se riarmatimi i Evropës duhet të jetë prioritet absolut, pasi, sipas saj, pa kapacitete mbrojtëse, vendet evropiane mbeten të pambrojtura dhe të brishta.

“Nuk mund të fitosh një luftë pa armë, është thjeshtë e pamundur. Me përvojën që kemi vitet e fundit, nëse nuk jemi të gatshëm të mbrojmë veten, nëse nuk jemi të aftë të mbrojmë veten atëherë jemi shumë të brishtë”, tha ajo.

Por Kryeministri Edi Rama nga ana e tij kerkoi që të shkohet “përtej armatimit”.

“…Unë besoj se kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër lidhet me emrin e vetë Europës. Europa ka qenë gjithmonë përfaqësuese e disa gjërave që të tjerët i kanë pasur zili dhe mes tyre është aftësia për të parashikuar paqe të përhershme, për ta projektuar atë. Dhe kapaciteti për të shtyrë në kërkim të paqes edhe të pamundur dhe vetë BE, është produkt praktikisht i një ëndrre fëmije, të cilën ndoshta askush s’do ta besonte, por ja që ndodhi. Armiq për vdekje u bënë aleatë strategjikë, e kështu me radhë, ndaj besoj që po, na duhet t’i bëjmë të gjitha ato për të cilat është folur për mbrojtjen, por të mos harrojmë po kështu që kemi dhe një shpirt që na duhet ta mbrojmë, jo vetëm territorin dhe kemi një të ardhme që duhet ta ndërtojmë”, tha Rama duke iu pergjigjur njekohesisht një gazetari të huaj se në këtë deklaratë te tj nuk kishte asnjë kontradite me homologen e Danimarkës.

“Nuk ka asnjë kontradiktë këtu dhe sic e tha Mette jeni shumë socialist edhe ndoshta nuk jemi socialistët më të mire, duke qenë se fitojmë zgjedhjet shumë, por ky është këndvështrimi im”, tha Rama, edhe pse u kundërshtua (duke qeshur) nga kryeministrja Frederiksen se nuk ishte socialiste, por “socialdemokrate”.

Samiti

Samiti i VI i Komunitetit Politik Europian, i krijuar vetëm tre vite, dhe i mbajtur për herë të parë në Tiranë, kishte fokus kryesor sigurinë dhe paqen. Liderët europianë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, dhanë mesazhe të qarta kundër luftës në Ukrainë, folën për sanksione ndaj Rusisë si dhe kërkuan bashkëpunim për rritje të kapaciteteve mbrojtëse të Europës.

Nga thirrja e Edi Ramës për një “Aleancë përtej armatimit”, mbështetur edhe nga Presidenti francez Emmanuel Macron, te siguria  e Ursula von der Leyen se Evropa “është zgjuar”, e deri tek kerkesa e Presidentit turk Rexhep Tayip Erdogan se për Gazën duhet gjithashtu veprim ndërkombëtar, Samiti në thelb, (përmes fjalimeve të mbajtura), theksoi nevojën se siguria nuk është vetëm një nevojë ushtarake, por edhe një dimension i gjerë politik dhe ekonomik, që mbi të gjitha kërkon bashkim.

Imazhi që (s) ka lidhje me integrimin

Lidhur me zhvillimet ne Shqipëri, shumica e liderëve gjatë tryezës së ngritur enkas për ta, përshëndetën zgjedhjet e majit 2025, edhe pse pak kilometra larg vendit ku u zhvillua samiti, Partia Demokratike protestoi për “zgjedhje të vjedhura”. Permes një spektakli mikëpritje (në fillim të Samitit) ku u përdor dendur AI, Shqipëria fitoi imazhin dhe tregoi se i ka kapacitetet logjistike, por edhe sigurinë për të organizuar evente të përmasave të tilla.

Sa për integrimin në BE, ajo është një tjetër rrugë që nuk kish lidhje me tapetin e shtruar sot në sheshin “Skënderbej” për të pritur 47 drejtues brenda dhe jashtë Europës.“Nuk u martuam sot”, tha Rama kur u pyet nga gazetarët shqiptarë nëse u diskutua për integrimin e Shqipërisë.

“…Mund edhe të zgjerohemi, por që sigurisht, ky proces do duhet të varet nga meritokracia dhe shpresojmë shumë që gjatë presidencës tonë do të marrim disa hapa të tjerë. Nuk ishte pjesë e rendit të ditës sot, po të gjithë e kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo çështje, si edhe të gjitha përpjekjet që janë bërë”, tha kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen.

Ditë me shi por me ushqim të mirë

Një ditë me shi ku nuk mungoi humori i kryeministrit Rama për delegacionin britanik duke përzier motin e keq me mikpritjen tradicionale shqiptare. “Shiu jo i brendshëm dhe këmbëngulës ishte sjell nga delegacioni britanik dje në mëngjes. Më vjen keq. Sa herë largohuni nga Europa qani”, tha Rama. Nuk mungoi as ‘thumbi’ britanik. “…Kur zbrita nga avioni dje në mëngjes ishte diell, kështu që zërat se moti ishte faji i britanikëve është i gabuar”, ia ktheu kryeministri i Mbretësisë së Bashkuar Keir Starmer.       

The post Samiti në Tiranë/ Nga riarmatimi i Europës tek paqja, integrimi i Shqipërisë jashtë fokusit appeared first on Faktoje.al.

Shqipëri- Britani, bashkëpunim për prodhimin ushtarak

15 May 2025 at 16:00

Në konferencën e përbashkët për shtyp mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit britanik Keir Starmer dy ishin temat kryesore: Marrëveshja mes dy vendeve për prodhimin e automjeteve ushtarake dhe emigracioni.

Kryeministri Starmer foli për thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me fokus të veçantë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Një element kyç i këtij partneriteti, sipas tij, është nënshkrimi i një deklarate të përbashkët për bashkëpunim në prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake, i konfirmuar më pas edhe nga kryeministri Edi Rama kur u pyet nga media.

”Ne jemi shumë të nderuar që e kemi këtë partneritet, me shpresë që do të nisë me prodhimin e automjeteve, të cilat do t’u shërbejnë qëllimeve tona të përbashkëta e më pas sa më shumë aq më mirë. Kjo është ideja”, tha Rama

Emigracioni

Temë e diskutimit ishte edhe emigracioni. Kryeministri Edi Rama tha se në vitin 2024, numri i shqiptarëve që kanë hyrë ose tentuar të hyjnë ilegalisht në Britani është vetëm disa qindra, në kontrast me fluksin e madh prej 12 mijë personash në vitin 2022.

Sipas tij, është hedhur poshtë edhe pretendimi i rremë se 1 në 50 shqiptarë është në burg në Britani, duke theksuar se shifra reale është 1 në 500, pra dhjetë herë më e ulët.

“Ajo që thatë edhe ju, task-forca jonë e përbashkët ka funksionuar për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe ndërkohë kemi dhe marrëveshjen tonë të përbashkët për transferimin e personave të dënuar sepse ne dëshirojmë që pikërisht pra këta të dënuar, ta vuajnë dënimin këtu në Shqipëri, ndërkohë që kemi mbështetur të rinjtë që ta kryejnë dhe ta kenë jetën e tyre në Shqipëri”, tha Starmer.

Ndërkohë, Rama tha se, gjatë takimit bilateral u ngrit edhe çështja e shqiptarëve të integruar prej dekadash në Britani, që kanë përdorur identitet kosovar për të fituar statusin e refugjatit në të kaluarën, duke shtuar se ata sot po përballen me probleme të identitetit të dyfishtë.

Modeli Italian

Kryeministri Edi Rama u përgjigj dy herë gjatë konferencës për shtyp për çështjen e debatuar prej vitesh nëse do të kemi një model të dytë me britanikët si ai me Italinë për refugjatët.

Rama tha se modeli i bashkëpunimit për çështjet e emigracionit mes Shqipërisë dhe Italisë është një projekt eksperimental që kërkon kohë për t’u testuar dhe vlerësuar.

Nëse rezulton i suksesshëm, sipas tij, mund të replikohet, por jo në Shqipëri, por në vende të tjera të rajonit. Rama theksoi sërish se marrëveshja me Italinë është e vetme. “Për të qenë shumë i sinqertë me ju, na kanë kërkuar një sërë vendesh nëse ishim të hapur për një gjë të tillë dhe u kemi thënë jo, sepse jemi besnik ‘martesës’ me Italinë dhe pjesa tjetër është thjesht ‘dashuri”, tha Rama.

The post Shqipëri- Britani, bashkëpunim për prodhimin ushtarak appeared first on Faktoje.al.

Premtime pa afat, rikonstruksionet e shkollave në Elbasan që nuk po nisin  

14 May 2025 at 19:00

Në periudhë fushate, Kryetari i Bashkisë, Elbasan, Gledjan Llatja, ka risjellë në rrjetet sociale premtimet për rikonstruksionin e tre shkollave, duke publikuar projekte 3D pa dhënë detaje për financimin, afatet apo fazat e punimeve. Një prej tyre është shkolla “Naim Frashëri”. Rikonstruksioni i shkollës ishte premtuar nga ai edhe në zgjedhjet lokale 2023, por fondet e miratuara u rialokuan dhe investimi nuk nisi, duke lënë 730 nxënës në një godinë të amortizuar me mësim në dy turne.

Premtim i ricikluar

Llatja, në një tjetër periudhë zgjedhore (2025), risjell premtimin.  

“Shkolla Naim Frashëri do të jetë një nga kantierët e hapur, pjesë e investimeve për transformimin e infrastrukturës arsimore duke iu nënshtruar një rikonstruksioni total”, shkruan ai në Facebook.  

Postimi shoqërohet me projektin 3D pa detaje konkrete se nga do të vijnë fondet, afatet kur fillon dhe mbarojnë punimet.

Shkollat

Premtime të ngjashme janë përsëritur për dy shkolla të tjera, shoqëruar me mungesë transparence duke ngritur për pasojë dyshime se komunikime të tilla shërbejnë për qëllime elektorale.

“Një tjetër ëndërr po bëhet realitet në zemër të Elbasanit”, e nis kryetari i Bashkisë Gledjan Llatja postimin e tij për shkollën “Dhaskal Todri”.

Për “transformim të shumëpritur”, Llatja flet edhe për shkollën “Shushica” por nuk jep afate kohore për nisjen e punimeve, burimet financiare apo detaje mbi përfitimet reale.

Projektet 3D

Projektet për tre shkollat paraqiten si sukses i garantuar pa ofruar të dhëna konkrete mbi të cilat mund të kërkohet llogaridhënie në vijim.

Në një postim më të hershëm 17 prill 2025, kryetari i bashkisë Elbasan publikoi premtimin për ndërtimin e plot 12 shkollave brenda 4 vjetëve.

Rezultatet paraprake tregojnë se PS-ja ka fituar 10 mandate në Elbasan ndërsa PD-ASHM 4 mandate.

The post Premtime pa afat, rikonstruksionet e shkollave në Elbasan që nuk po nisin   appeared first on Faktoje.al.

Kush fiton më 11 maj? Mandatet e partive sipas sondazheve të fundit

9 May 2025 at 15:05

Sa mandate mund të marrin partitë në zgjedhjet e 11 majit? Faktoje.al në bashkëpunim me ekspertin e ekonomisë, Ilir Brasha, sjell një projeksion të dytë për të kuptuar se si do të shpërndahen mandatet, bazuar në matjet finale të sondazheve të Barometrit dhe Notosontaggi (duke qenë se në lojë janë edhe parti të reja), me votat reale të fituara nga partitë kryesore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Pse jo lokalet e 2023? Sepse ato nuk ofrojnë një pasqyrë të saktë të mbështetjes për partitë në nivel kombëtar.

Mandatet

Nga përllogaritjet e ekspertit Brasha rezulton se Partia Socialiste arrin të ruajë shumicën parlamentare për të qeverisur me 74 mandate

Gjithnjë sipas projeksioneve, PD- Koalicioni për Shqipërinë Madhështore arrin të sigurojë 50 mandate.

Partitë e reja ashtu si edhe në projeksionin e kaluar sigurojnë përfaqësim në Kuvendin e ardhshëm.

Ndryshimi kësaj here prek partinë “Mundësia” që sipas përllogaritjeve të ekspertit Brasha ajo rritet në numër mandatesh (nga 2 në 8 mandate) dhe tkurret koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (nga 8 në 6). Sipas përllogaritjeve paraprake partia “Mundësia” në projeksion arrin 8 mandate në zgjedhjet e 11 majit, ndjekur nga Nisma Shqipëria Bëhet me 6 mandate, Lëvizja Bashkë me 1 mandat dhe Partia Social Demokrate me 1 mandat.

PSD

Nga përllogaritjet e deritashme PSD rezulton me një mandat. Eksperienca ka treguar se kjo forcë politike nuk ka rezultuar e rëndësishme në sondazhe as në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por në fund fitoi tre mandate deputeti.

E njëjta situatë, sipas ekspertit Brasha, pritet që të ndodhë edhe këto zgjedhje, ku PSD për shkak të votave të përqendruara mund të fitojë mandate deputeti më shumë se sa parashikohet  

Tirana

Sipas projeksioneve (përgatitur nga eksperti Brasha), ndarja në qarkun e Tiranës është 18 mandate për Partinë Socialiste, 13 mandate për PD-ASHM, 3 mandate “Mundësia”, 2 mandate Nisma Shqipëria Bëhet, si dhe një mandat Lëvizja “Bashkë”. Një mandat mund të fitojë në Tiranë edhe Partia Social-Demokrate.

Referuar projeksioneve PD-ASHM kryeson vetëm në qarqet e Kukësit, Lezhës dhe Shkodrës, ndërkohë që në të gjitha qarqet e tjera kryesuese është PS-ja.

Tabela e projeksionit te mandateve (per dy skenaret) pergatitur nga eksperti Ilir Brasha

Skenari i dytë

Skenari i dytë i cili paraqet edhe mundësitë e lëvizjes së mandateve të deputetëve na tregon se PS-ja mund të fitojë 72 mandate, duke siguruar përsëri shumicën parlamentare e vetme. Ndërkohë PD-ASHM siguron po njësoj 50 mandate. Partitë e reja sigurojnë sëbashku 18 mandate.

QarkuFitonHumbet
TiranëNSHB ose PSDPS ose PD-ASHM
FierNSHBPS
DurrësPS ose MundësiaPD-ASHM
KorçëPD-ASHMPS
VlorëNSHBPS

Diaspora jashtë 

Projeksionet janë bazuar vetëm në votat e qytetarëve brenda vendit dhe nuk përfshihen emigrantët, që janë element i ri këto zgjedhje. Eksperti Ilir Brasha sqaron se votat e emigrantëve janë shumë të rëndësishme dhe mund të ndikojnë qartazi në shpërndarjet e mandateve midis partive, sidomos në ndarjen e mandatit të fundit.

Rezultatet

Këto rezultate paraqesin vetëm një projeksion se si mund të shkojnë zgjedhjet e 11 majit, duke u bazuar në një metodologji të caktuar. Që do të thotë se ato përfundimtaret mund të ndryshojnë për shkak se edhe dinamikat janë të ndryshme.

The post Kush fiton më 11 maj? Mandatet e partive sipas sondazheve të fundit appeared first on Faktoje.al.

Ambiente publike falas dhe patriotë “të padukshëm”, kush i pagoi faturat e Berishës në diasporë?  

7 May 2025 at 16:57

“Sot, një biznesmen nga Napoli më dërgonte një mesazh. Doktor thoshte, kam një sipërmarrje këtu, kam 100 punëtorë, kam prenotuar 2 autobusë, do vij bashkë me ta të votoj më 11 maj. Por unë, pas fitores dua të rikthehem.

Dy rreshta i shkrova: 5 vjet, pa asnjë taksë. Je i mirëseardhur!”, kumboi Berisha në një takim elektoral të mbajtur në Tropojë.

Premtimi i Berishës për 5 vjet pa taksa, pas kthimit nga votimi për të, nuk është i pari, ndonëse shtatë kandidatë për deputetë janë nga diaspora (në emër të PD), të gjithë në listat e hapura.

Udhëtimet

Tre udhëtimet e Sali Berishës zhvilluar në kohë të ndryshme me diasporën   tregojnë se kjo e fundit ka luajtur rol të rëndësishëm si burim financiar dhe logjistik për fushatën e Partisë Demokratike. Të paktën kështu rezulton nga përgjigjet që Faktoje.al disponon nga selia e PD-së.

Faktoje ka dërguar paralelisht kërkesa për informacion pranë dy partive të mëdha PD e PS-së bazuar në një sërë pyetjesh, që në thelb lidhen me raportimin e shpenzimeve dhe faturën e takimeve që Berisha dhe Rama kanë zhvilluar në kohë të ndryshme në diasporë.

Shpenzimet 

PD përgjigjet se shpenzimet për udhëtimet e Berishës në tre takime në diasporë janë mbuluar nga degët e PD-së jashtë vendit, pa sqaruar konkretisht gjithë hallkën apo mekanizmin financiar. Nuk ka gjithashtu referencë për fatura konkrete ose shifra, duke u përgjigjur se, “të gjitha faturat që duhet të deklarohen sipas ligjit do të deklarohen në KQZ në datën e caktuar nga ligji”.

Bashkatdhetarët

Partia Demokratike thotë se, “të gjitha udhëtimet e Berishës janë mbuluar me fonde të partisë, dhe donacione të mbështetësve të shumtë të PD në diasporë”. PD përgjigjet se nuk janë donatorë të huaj (sipas ligjit), ndërsa specifikon ndër radhë se disa ambiente i kanë marrë falas.

”Duke qenë se disa prej ambienteve kanë qenë në pronësi të institucioneve publike si biblioteka (në Casano d’Ada-Milano) apo shkolla (në Londër) për to nuk është paguar asgjë”.  Drejtori i ISP,  Afrim Krasniqi, sqaron se “deklarata të tilla (për ambiente falas) duhen dokumentuar në çdo rast. Çdo takim duhet të ketë dokumentacion shoqërues, përfshirë pagesat e udhëtimit dhe akomodimit”. 

Degët

PD nga ana e saj nënvizon në përgjigje se, “e gjithë logjistika është mbuluar nga degët e Partisë Demokratike në diasporë dhe mbështetësit e saj në qytete të ndryshme të Europës në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e shteteve ku ata janë nënshtetas”

Shifrat

Nga sa më sipër, në përgjigjet e PD-së për shpenzimet e tre takimeve të Berishës në diasporë konkretisht në Milano, Athinë dhe Romë shmangen shifrat konkrete për shpenzimet dhe identitetin e donatorëve, përdoret shpesh termi i përgjithshëm “do të deklarohen sipas ligjit në KQZ”, por nuk jepet informacion për auditim paraprak.

Parimi

Drejtori i ISP-së Afrim Krasniqi i cili ka ndjekur nga afër zgjedhjet prej vitesh sqaron për Faktoje se Kushtetuta (neni 9) përcakton se shpenzimet e partive politike bëhen kurdoherë publike. Ky parim, sipas tij, duhet të jetë prevalues mbi teknikalitetet e akteve nënligjore të dala në zbatim të Kodit apo ligjit të partive politike. “Institucionet ligjzbatuese kanë përgjegjësinë të kryejnë verifikime, së paku për të parandaluar rastet e financimeve nga palë të treta, financimeve nga krimi i organizuar, financimeve në shkëmbim të vendimmarrjes politike apo financimeve përmes kompanive ose individëve që janë në konflikt interesi me shtetin në shqiptar”, thotë ai. 

Roli i KQZ

Përgjigja se raportimi i shpenzimeve do bëhet “siç parashikon ligji” lë të kuptohet se transparenca e plotë është ende në proces, por pikëpyetjet mbeten  mbi kontrollin dhe rregullimin e ndikimit të diasporës në fushatat elektorale.

Krasniqi thotë, se sistemi i monitorimit nga KQZ nuk e përfshin diasporën. “KQZ nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë për akt rregullator plotësues. Duke qenë vetë produkt politik ka preferuar të parandalojë ndonjë konflikt të mundshëm me partitë kryesore. Kodi Zgjedhor dhe Ligji mbi partitë politike kanë kufizime lidhur me financimet që vijnë nga jashtë, sidomos nëse janë nga qeveri, organizata apo individë, që nuk janë shtetas shqiptarë”

Zbatimi i ligjit   

Gjithcka lidhet mbi dokumentacionet që janë apo duhen dorëzuar në KQZ. Kjo e fundit në bazë të Kodit duhet të monitorojë të gjitha aspektet e financimit të fushatës zgjedhore. Sipas Krasniqit, pothuajse të gjitha partitë kryesore kanë zhvilluar aktivitete jashtë Shqipërisë veçanërisht PS dhe PD. “Në asnjë rast nuk janë dhënë burimet e financimit dhe as nuk janë raportuar si aktivitete në KQZ”.

Sipas Kodit Zgjedhor këto raportime duhen bërë të plota 60 ditë përpara zgjedhjeve, praktikë që dallon shumë nga modelet e vendeve të tjera ku deklarimet bëhen përpara zgjedhjeve, sapo ato ndodhin.

PS, zero transparencë

Faktoje.al dërgoi një kërkesë për informacion edhe tek PS-ja për takimet e kryeministrit dhe kryetarit të PS-së Edi Rama në kohë të ndryshme jashtë vendit për periudhat Tetor 2024, Prill e Maj 2025, për të mësuar nëse pagesat ishin kryer nga burime shtetërore apo partiake dhe sa konkretisht. PS njoftoi se nuk do te kthente pergjigje. Njëjtë në thelb (si fenomen) edhe nga kryeministria. Afrim Krasniqi njofton se ISP ka kërkuar informacion në kryeministri lidhur me ministrat dhe përgjigja ka qenë, “se janë aktivitete partiake dhe do deklarohen në KQZ”.

“Ne do ta ndjekim këtë proces edhe pas zgjedhjeve”, tha ai

Mesazhi  

Thelbi i mesazhit, sipas Krasniqit, është nevoja që partitë të jenë transparente në financim. Pse ka aq shumë rëndësi? “Sepse një parti që nuk tregon dhe provon burimet e financimit nëse fiton zgjedhjet bëhet kërcënim për cilësinë e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, mbetet peng në vendimmarrje dhe ndjek praktika klienteliste siç edhe ka ndodhur gjatë viteve të fundit. Ligjet e porositura janë produkte të financimeve elektorale informale”, thotë Krasniqi.

The post Ambiente publike falas dhe patriotë “të padukshëm”, kush i pagoi faturat e Berishës në diasporë?   appeared first on Faktoje.al.

Votat për një deputet, qarqet ku partitë marrin mandate “me pak mund”

7 May 2025 at 14:00

Sa vota i duhen një kandidati partie në listë të hapur për të fituar mandatin e deputetit në një qark të caktuar? Në një kohë kur zgjedhjet mbahen këtë të dielë, Faktoje.al në bashkëpunim me ekspertin e ekonomisë, Ilir Brasha, sjell një projeksion mbi këtë temë.

Metodologjia

Qasja e kombinuar e sondazheve të fundit të publikuara (Barometri dhe Notosondaggi me News 24), të dhënave të zgjedhjeve të 2021 dhe numrit të regjistruar të diasporës për secilin qark, sipas ekspertit Ilir Brasha, ofron një model sa më të afërt me realitetin për të kuptuar prirjet elektorale si dhe, për të llogaritur shpërndarjen e mandateve në bazë të herësit.

Përllogaritjet

Përllogaritjet tregojnë se mandati i deputetit mund të fitohet me më pak vota në qarkun e Shkodrës konkretisht 9’550 vota, kurse në qarkun e Tiranës do të duheshin më shumë, përkatësisht 13’500 vota.

Për qarqet e Vlorës, Lezhës dhe Gjirokastrës do të duheshin më pak se 10’000 vota për të fituar mandatin e deputetit.

Në renditje pas Tiranës me herës më të lartë është Korça me 12’200 vota, ndjekur nga Fieri me 12’150 vota.

Rezultatet projeksion

Eksperti për ekonominë, Ilir Brasha, sqaron se rezultatet e herësit mund të ndryshojnë në varësi të votave që marrin partitë. Sa më shumë të shpërndahen votat tek partitë, aq më i vogël do të jetë herësi i mandatit, ku në çdo rast partia më e madhe është ajo që fiton më shumë mandate me herës më të ulët.

The post Votat për një deputet, qarqet ku partitë marrin mandate “me pak mund” appeared first on Faktoje.al.

Premtimi i Ramës për pasaportën europiane, gjeopolitika ndihmon, por reformat na mbajnë në lojë

5 May 2025 at 17:00

Pak më shumë se dhjetë vjet pas anëtarësimit të Sllovenisë në Bashkimin Evropian, ish-eurodeputeti slloven Jelko Kacin u shpreh atëbotë (2004) se vendi i tij, edhe pse kishte shpresuar në një proces të shpejtë negociatash, u përball me vonesa për shkak të kushteve të vendosura nga BE. “Kur ne filluam negociatat besuam se do t’i kryenim me një të kërcitur të gishtave”, do të shprehej ai.

Sot, më shumë se dy dekada pasi Shqipëria mori (fillimisht) statusin e vendit kandidat (2014) dhe pas hapjes zyrtare të negociatave, vendi ndodhet në një fazë të re, atë të hapjes së grup- kapitujve.

Kryeministri Edi Rama shprehet se Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së brenda pak vitesh, duke i numëruar madje me “gishtat e dorës”.

“Shqipëria ka në tryezë një plan të dakordësuar me Bashkimin Europian për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027”, thotë Rama.

Ai e identifikon këtë proçes me veten e tij dhe Partinë Socialiste si e vetmi mjet që e çon Shqipërinë në BE, duke përjashtuar de facto alternativat e tjera, sipas tij, si të paafta.

Afatet

Por sa i mundur është për Shqipërinë afati i vendosur? Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, Gledis Gjipali, thotë për Faktoje.al se synimi për të mbyllur gjithë procesin e negociatave brenda 2027 është ambicioz, por i arritshëm. 

“Ambicioz për shkak të historisë së procesit të integrimit të Shqipërisë, ku krahasimisht me vendet e rajonit vendit tonë i janë dashur më shumë vite për të arritur etapat e ndryshme të tij. Që me negociatat për MSA-në, (2003 deri me 2006, dhe hyrja në fuqi në 2009 e saj), e më pas me aplikimin për anëtarësim, ( i bërë në 2009, por statusi si vend kandidat u arrit vetëm në 2014, dhe nisja e negociatave në 2024) Shqipëria ka pasur shumë pengesa që kanë ngadalësuar rrugëtimin e saj”, thotë ai.

Rëndom, kryeministri Rama e paraqet Shqipërinë si shembull frymëzues në krahasim me vendet e tjera në rajon, por rrugëtimi i secilit vend (Mali i Zi, Serbi, Maqedoni e Veriut), sipas ekspertit Gjergji Vurmo, është i veçantë.

Rasti i vetëm

Eksperti për integrimin, Gledis Gjipali, thotë se asnjë vend i mëparshëm nuk ka mundur t’i përmbyllë negociatat brenda një periudhe 3 vjeçare, (referuar proceseve që një vend duhet të ndjekë si Shqipëria).  Ai mund ta krahasojë deri diku procesin me zgjerimin e madh të BE-së  (2004) me vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore, por sërish procesi, sipas tij, është ndryshe nga 20 vjet më parë 

Krahasimi

Kryeministri Rama ka përmendur Finlandën si vendin që e ka thyer këtë rekord.

Por Drejtori Ekzekutiv (njëherazi themeluesi) i Elevate Consulting, Gjergji Vurmo, thotë për Faktoje.al se procesi i përshpejtuar i anëtarësimit të Finlandës bashkë me dy vendet e tjera (Austri dhe Suedi)  lidhet me arritjet ekonomike të këtyre vendeve dhe jo vetëm. 

“Të tre vendet filluan zyrtarisht negociatat në Shkurt 1993 dhe i përfunduan në Mars 1994. Brenda të njëjtit vit u nënshkruan dhe ratifikuan traktatet e anëtarësimit dhe nga 1 Janar 1995 u bënë zyrtarisht anëtare të BE”, thotë Vurmo. Sipas tij, rasti i Shqipërisë është i ndryshëm, pasi edhe nëse anëtarësohemi,  BE-ja mund të vendosë masa shtesë në disa fusha të veçanta.

Situata gjeopolitike

Nuk kemi vende të ngjashme, por ka një element të rëndësishëm që e favorizon Shqipërinë këto kohë.

“Situata gjeopolitike është në favor të Shqipërisë ndërkohë që reforma të rëndësishme të ndërmarra kanë dhënë fytet e tyre, duke e bërë vendin tonë partner më të besueshëm përballë BE-së dhe vendeve të saj anëtare. Tashmë vendi ynë ka barrën të provojë se mund t’i arrij standardet e kërkuara duke thelluar reformat dhe zbatimin e tyre pasi nuk ka pengesa të jashtme ndaj procesit”, thotë Gjipali.

Edhe Vurmo mbështet të njëjtën tezë: “Aktualisht mund të themi se Shqipëria mundet potencialisht të përfitojë pikërisht nga një moment i tillë i volitshëm gjeopolitik në rajon dhe më gjerë. Sigurisht këtu nuk duhet mohuar edhe progresi i vendit në disa aspekte, po aq sa duhen njohur edhe sfidat tona”.  Precedenti kur zgjerimi nuk ka qenë vetëm çështje teknike, por edhe qëllim strategjik dhe gjeopolitik është i përsëritshëm

Vurmo sjell ndërmend se, historia e BE ka njohur edhe më herët raste të tilla anëtarësimi ku elementi gjeo-politik (më shumë sesa ai i përmbushjes se kritereve teknike) ka luajtur një rol të posaçëm, si rasti i Greqisë apo ai i Spanjës.

Arritja

Thënë kjo, dhe duke marrë të mirëqenë vullnetin politik të vendeve anëtare, teorikisht, sipas Vurmos, është e mundur që vendi të përmbyllë negociatat deri në fund të 2027-ës dhe të nënshkruajë dhe ratifikojë traktatin e anëtarësimit deri në 2030-ën, ku me siguri, sipas tij, do të kërkohen periudha tranzitore më të gjata (pas 2030-ës) për politika të caktuara.

Kushtet

Shqipëria duhet të zbatojë reforma të thella në fusha kyçe si sundimi i ligjit, ekonomia dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Kohëzgjatja e negociatave me BE-në varet nga shpejtësia e këtyre reformave dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së. Çdo kapitull negociues konsiderohet i mbyllur vetëm kur të gjitha vendet anëtare janë plotësisht të kënaqura me progresin dhe procesi përfundon kur të gjithë kapitujt janë mbyllur zyrtarisht nga Këshilli Evropian.

The post Premtimi i Ramës për pasaportën europiane, gjeopolitika ndihmon, por reformat na mbajnë në lojë appeared first on Faktoje.al.

100 ditë, 48 miliard lekë. Buxheti nuk i mban dot tre premtimet e PD

25 April 2025 at 16:52

Partia Demokratike ende nuk e ka publikuar zyrtarisht programin në faqen e saj zyrtare, por kryetari i kësaj force politike, Sali Berisha, në kohë të ndryshme, ka paraqitur një plan sfidues ekonomik për katër vitet e ardhshme nëse fiton zgjedhjet.

Faktoje.al i është referuar tre premtimeve kryesore të PD-së për 100 ditët e para, (ato që janë edhe më të prekshme për qytetarin), për të kuptuar se sa është fatura dhe mbi të gjitha sa e mundur është të realizohen në një kohë aq të shkurtër.   

Premtimet përfshijnë vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh dhe rritjen me 20% të çdo pensioni mbi këtë shumë, ulje drastike të çmimit të energjisë elektrike në 7 lekë për kilovat për qytetarin dhe 6 për biznesin e vogël si dhe përgjysmim të ngarkesës fiskale mbi naftën.

Faktoje.al, në bashkëpunim me ekspertin e ekonomisë, Ilir Brasha, i është referuar dy periudhave; 100 ditë (koha e premtuar) dhe brenda një viti për të parë kostot. 

Përgjysmimi i naftës   

Referuar përllogaritjeve, eksperti Ilir Brasha, sqaron se nëse zbatohen premtimet për përgjysmimin e taksave mbi karburantin, buxheti i shtetit do të përballet me një mungesë të ardhurash prej rreth 22.6 miliard lekësh në vit. Vetëm për 100 ditët e para të qeverisjes, kostoja e kësaj mase (që janë 27% vitit), do të arrijë në afro 6.2 miliard lekë

 Niveli Lekë* TR 2024 (Lekë) TR – Premtime PD  Diferenca Lekë
Karburant i importuar        657,562,722             657,562,722                            –  
Akciza Lekë38.8  25,513,433,631       12,756,716,816   (12,756,716,816)
Taksa e Karbonit Lekë3    1,972,688,167             986,344,084         (986,344,084)
Taksa e Qarkullimit Lekë27  17,754,193,506         8,877,096,753     (8,877,096,753)
TTL pa TVSH   45,240,315,305       22,620,157,653   (22,620,157,653)
TVSH     9,048,063,061         4,524,031,531     (4,524,031,531)
TTL me TVSH Viti   54,288,378,366       27,144,189,183  (27,144,189,183)
TTL me TVSH 100 ditë   14,873,528,319         7,436,764,160    (7,436,764,160)
     
Burimi: Ministria e Financave & Drejtoria e Doganave

Por jo vetëm. Nëse zbatohet edhe përgjysmimi i TVSH-së për naftën, humbjet për arkën e shtetit do të thellohen edhe më tej, duke kapur një vlerë shtesë prej 4.5 miliard lekësh në vit. Në total, ulja e përgjithshme e taksave mbi karburantin pritet t’i kushtojë buxhetit rreth 27 miliard lekë në vit dhe afro 7.4 miliard lekë vetëm në 100 ditët e para të qeverisë së re.

Edhe qendra ALTAX në një analizë të pavarur të saj vëren se taksa mbi karburantet sipas premtimit të PD mund të sjellë një humbje të mundshme të të ardhurave diku mes 20 deri në 30 mln euro.

Energjia

Partia Demokratike, përmes kryetarit Sali Berisha, ka premtuar një ulje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike: 7 lekë për kilovat për konsumatorët familjarë dhe 6 lekë për bizneset. Por sa do t’i kushtojë kjo buxhetit të shtetit?

Duke supozuar (shifër konkrete nuk ka) se 90% e familjeve konsumojnë më pak se 700 kWh në muaj (dhe paguajnë aktualisht një tarifë prej 8.5 lekësh), si dhe duke llogaritur një çmim mesatar prej 9.5 lekësh për bizneset, (në rastin më të mirë pasi dhe nga arkëtimet e 2024 rezulton çmim i përafërt), ulja e çmimit në nivelet e premtuara do të krijonte mungesë të ardhurash, që sipas Brashës, do të kapte shifrën e rreth 20 miliard lekëve në vit.

Pjesa më e madhe e kësaj humbjeje buxhetore do të vinte nga ulja e cmimit për biznesin, që kanë konsumin më të lartë dhe tarifat më të larta. Nëse ulja do të zbatohej vetëm për konsumatorët familjarë,  kostoja për buxhetin do të ishte rreth 6.5 miliard lekë në vit.

Humbja totale për 100 ditët e para nga ulja e çmimit të energjisë elektrike do të ishte në masën e 5.4 miliard lekë.

“Ky premtim duket joshës për konsumatorët, por pas vetes tërheq një faturë të rëndë për financat publike, që do të kërkonte ose subvencione shtesë nga buxheti, ose kosto të mbuluara përmes borxhit, taksave të tjera, ose shkurtimeve buxhetore në sektorë të tjerë”, thotë eksperti i ekonomisë, Ilir Brasha.

Pensionet

Është premtuar gjithashtu që të gjitha pagesat e marra nga një individ apo familje të jenë më të larta se 200 euro. Berisha ka premtuar njëkohësisht edhe rritje të pensioneve mbi këtë vlerë. Nëse futet ligji i minimumit jetik nuk ndryshojnë vetëm pensionet poshtë vlerës së tij, por gjithashtu edhe ato me vlerë më të lartë.

Deri me 30 shtator 2024, rezultojnë 624’689 pensionistë nga zonat urbane me masë mesatare pensioni 18’568 lekë si dhe 92’541 pensionistë nga zonat rurale me masë mesatare pensioni 11’089 lekë.  Ndërsa nuk ka të dhëna të detajuara për pensionet sipas fashave, përllogaritjet në këtë rast janë bërë mbi mesataren dhe bazuar në raportin zyrtar të ISSH për vitin 2023.

Eksperti Ilir Brasha në këtë rast ka përllogaritur dy skenarë të mundshëm: a) Rritje proporcionale, ku të gjitha pensionet rriten duke ruajtur dallimet mes tyre. b) Rritje gjysmë proporcionale, ku pensionet rriten, por diferencat aktuale mes tyre ruhen vetëm pjesërisht. Kostoja sërish rezulton e madhe. Vetëm për 100 ditët e para do të kapte vlerën e rreth 35.5 miliard lekëve.

Përfundim

Analiza në total, sipas ekspertit Ilir Brasha, tregon se është e pamundur nga ana buxhetore që të arrihet realizimi i premtimeve për të paktën tre aspektet kryesore. Kostoja buxhetore në këtë rast është relativisht e lartë në masën e 1/5-s së totalit të të ardhurave buxhetore për një vit.

Sipas tij, për realizimin e premtimeve duhet të rritet defiçiti buxhetor e për pasojë edhe borxhi publik, për arsye se buxheti i shtetit e ka të pamundur që të amortizojë të gjithë vlerën prej rreth 48 miliard lekë për 100 ditë dhe rreth 163 miliard lekë për vitin e plotë (për të tre premtimet).

“Kjo mund të realizohet në një periudhë më të gjatë dhe jo në mënyrë të menjëhershme, por në formë graduale duke rregulluar edhe zërat e tjerë të buxhetit”, thotë Brasha.

The post 100 ditë, 48 miliard lekë. Buxheti nuk i mban dot tre premtimet e PD appeared first on Faktoje.al.

Bilanci i ministrave ndër vite para drejtësisë, sa u paraqitën në SPAK dhe kush ka kallëzim penal

14 April 2025 at 18:00

Kryeministri Edi Rama deklaroi në fund të muajit Shkurt se nga lista e gjatë e ministrave ndër vite vetëm dy prej tyre janë të dënuar nga drejtësia. “Në tre mandate kanë qenë rreth ose 60 ministra, numërojini pak. Dy ministra janë dënuar nga mandati i parë, njëri i Partisë Socialiste, njëri i aleatit strategjik ndjesë pastë partia aleate strategjike, pastaj një i tretë në paraburgim sot e gjithë ditën por i padënuar ende që prezumohet i pafajshëm sipas drejtësisë europiane dhe një i katërt në arrati, zëvendës kryeministri. 4, ok?”, është shprehur Rama në rubrikën “sy me sy”. Kjo ishte e para, por jo e fundit deklaratë e Ramës për korrupsionin dhe hetimet ndaj anëtarëve të qeverisë së tij.

Edhe në takimin e fundit me diasporën në Milano, Rama është përpjekur të relativizojë perceptimin e përcjellë nga opozita se “gjysma e qeverisë është në burg”, duke ofruar më shumë një kornizë statistikore. Në takimin me diasporën, Rama tha me pak fjalë se hetimet ndër vite janë arsye për krenari dhe jo për turp, pasi janë rezultat i një drejtësie të pavarur.

Arsyeja

Politologu Ilir Kalemaj thotë për Faktoje.al se, “deklarata e Ramës që kërkon të shfajësohet duke bërë spin-in e zakonshëm, për të justifikuar akuzat e shumëfishta ndaj anëtarëve të tij të kabinetit, janë thjesht për efekt elektoral por nuk dihet çfarë efektshmërie mund të kenë”.

Pse? “Kjo pasi është në kontradiktë termash si dhe sfumon logjikën elementare. Pra, nga njëra anë SPAK si institucion është krijuar dhe vijon të mbështetet vetëm nga PS dhe Rama si garant i tij dhe nga ana tjetër, mbi 90 përqind e të akuzuarve të SPAK në nivelet e larta janë ish-ministra, ish-deputetë dhe ish-kryebashkiakë të PS, duke filluar nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ramës si Tahiri, Ahmetaj dhe Beqaj”.

Nga ana tjetër, sipas tij, një aradhë e gjatë funksionarësh të lartë duke nisur nga Veliaj janë gjithashtu rrugës së përballjes me drejtësinë.

Kalemaj e ka një shpjegim të relativizimit të fenomenit.

“Nuk mund ta kapitalizosh SPAK dhe reformën në drejtësi elektoralisht thjesht se sondazhet e nxjerrin këtë organ të drejtësisë të vlerësuar nga qytetarët dhe njëkohësisht të nënvleftësosh rolin dhe peshën e bashkëpunëtorëve të tu të dikurshëm ose të tashëm thjesht për të marrë vota”.

Fenomeni  

Rrethi i hetimeve dhe ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe ish-zyrtarëve në Shqipëri është zgjeruar ndjeshëm ndër vite, me një seri rastesh që përfshijnë emra të njohur të politikës shqiptare si ministra, deputetë, kryetar bashkie… etj

Në morinë e hetimeve Faktoje.al i është referuar vetëm paraqitjeve publike në dyert e SPAK , kallëzimeve të raportuara nga opozita si dhe njoftimeve zyrtare të SPAK që prekin emra ministrash dhe ish-ministra nga viti 2013, sa kohë deklarata e Ramës i referohej vetëm ministrave ndër vite.

Çfarë ka ndodhur?

Duke përmendur vetëm dy ministra të dënuar dhe dy të tjerë (njëri në paraburgim dhe tjetri në arrati), Rama deri diku është përpjekur ta përdorë edhe si argument për një standard të lartë moral, por edhe institucional.

Por le të marrim vetëm ata që aktualisht janë në burg dhe për çfarë për të kuptuar se sa qëndron ky standard?

Rastet

Kërkim ndërkombetar Të dënuar Të pandehur Në gjykim/arrest me burg Arrest me burg
Arben Ahmetaj Lefter KokaSonila Qato Ilir BeqajErion Veliaj
Saimir Tahiri

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në arrest me burg pasi ai dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxe dyshohen nga SPAK se janë ideatorët dhe zbatuesit e një skeme korruptive dhe pastrimi parash, me zanafillë bashkinë e Tiranës. Në fillimet e qeverisë Rama, Veliaj (para se të zgjidhej kryetar bashkie) ka mbajtur prej dy vitesh postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Një tjetër funksionar i lartë, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në kërkim ndërkombëtar. Ndaj tij janë ngritur akuza për “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”. Hetimet janë shtyrë tre herë deri tani. Ndaj tij është në zhvillim edhe një hetim pasuror, ku janë sekuestruar disa prona

Në një tjetër çështje, SPAK ka kërkuar gjykimin për 11 të pandehur në aferën e SASPAC, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj, i akuzuar për 6 vepra të rënda penale, ndër to korrupsion dhe mashtrim.

SPAK gjithashtu ka shpallur pretencën për ish-drejtoreshën e ARRSH, Sonila Qato, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera për një kontratë prej 19 milionë euro. Për të është kërkuar 1 vit burg dhe ndalim nga funksionet publike për 5 vite. Qato ka mbajtur edhe postin e Ministres për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në vitin 2017.

Të dënuarit

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u dënua me 10 vite burg për çështjen e inceneratorëve, por përfitoi ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj. I njëjti dënim vlen edhe për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u dënua me 5 vite burg për “shpërdorim detyre”, i reduktuar në 3 vite e 4 muaj. Ai u lirua në qershor 2023, megjithëse i kishin mbetur edhe 1 vit e 8 muaj nga dënimi. Akuzat më të rënda ndaj tij nuk u provuan.

Kallëzimet

Disa prej ministrave aktualë apo ish kanë dëshmuar në SPAK rreth kallëzimeve që janë adresuar ndaj tyre kryesisht nga forcat politike kundërshtare, por ka edhe prej tyre (në një numër shumë të pakët) që kanë dëshmuar edhe pa qenë të kallëzuar, si persona që kanë dijeni mbi çështjet që po heton SPAK. Fenomeni ndër vite tregon gjithashtu se jo çdo kallëzim apo denoncim ka qenë i bazuar në prova, ndërsa PD-ja për shkak edhe të luftës së brendshme ka qenë e fragmentuar pa arritur të krijojë një data bazë se sa kallëzime ka depozituar ndër vite dhe për çfarë konkretisht ndaj ministrave të qeverisë “Rama”. Të paktën një e tillë nuk iu vu në dispozicion Faktoje.al deri në botimin e këtij artikulli.

Lista

Faktoje.al sjellë një listë emrash të ministrave aktualë dhe atyre ndër vite që janë paraqitur të paktën një herë në SPAK, si dhe atyre ndaj të cilëve ka pasur një kallëzim penal. Mbi 30% e listës së 65 ministrave (qysh prej vitit 2013) rezulton të ketë pasur të paktën një ballafaqim direkt ose indirekt me organet e drejtësisë. Ndërkohë, me probleme ligjore të theksuara deri më tani (të dënuar, pandehur, arrest me burg, në kërkim) rezultojnë 6

Përfundim

Referuar sa më sipër, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se nga viti 2013 e deri më sot janë dënuar vetëm dy ministra, një tjetër ndodhet në paraburgim dhe një I katërt në arrati do ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë  

Skedari i ministrave në raport me drejtësinë nga viti 2013

Skedari i ministrave në raport me drejtësinë nga viti 2013

Kërkim ndërkombëtarArrest me burgTë dënuar:Të pandehur Në gjykim/arrest me burg
Arben Ahmetaj Erion Veliaj Lefter Koka Sonila Qato Ilir Beqaj
Saimir Tahiri

Ministra aktualë që janë paraqitur në SPAK dhe/ose ndaj tyre ka një kallëzim penal

Edi Rama– (I kallëzuar nga PD,ish-LSI)            Ulsi Manja – (I kallëzuar në SPAK)
Belinda Balluku – (paraqitur në SPAK, e kallëzuar nga PD)Blendi Gonxhe – (paraqitur në SPAK, i kallëzuar)
Taulant Balla – (paraqitur në cilësinë e personit që ka bërë kallëzimin, por është gjithashtu i kallëzuar nga PD)Ogerta Manastirliu – (paraqitur në SPAK, e kallëzuar nga PD)
Anila Denaj – (paraqitur në SPAK)Pirro Vengu – (I kallëzuar në SPAK)
Albana Koçiu– (E kallëzuar nga PD)

Ish-ministra, aktualisht deputetë

Niko Peleshi (paraqitur në SPAK, i kallëzuar nga LSI)Nasip Naço (paraqitur në SPAK)
Elisa Spiropali (E kallëzuar nga PD)Blendi Klosi (I kallëzuar në SPAK)
Ermonela Felaj (Thirrur në SPAK bashkëshorti i saj)Edona Bilali (E kallëzuar në SPAK nga një ekspert IT)
Fatmir Xhafaj (I kallëzuar në SPAK nga PD)Petrit Vasili (paraqitur në SPAK)
Damian Gjiknuri (paraqitur në SPAK, i kallëzuar nga PD)Olta Xhaçka (Nën hetim, paraqitur në SPAK )
Eduard Shalsi (I kallëzuar në SPAK)Etilda Gjonaj (E kallëzuar nga PL)
Lindita Nikolla (E kallëzuar nga PD)


Ish ministra, por jo deputetë

Edmond Haxhinasto (paraqitur në SPAK)Elva Margariti (E kallëzuar në SPAK)
Edmond Panariti (I kallëzuar në SPAK)Erion Veliaj (arrest me burg)


Të larguar nga politika që janë paraqitur në SPAK

Shkëlqim Cani (paraqitur në SPAK)Ervin Mete (paraqitur në SPAK)
Sander Lleshaj (paraqitur në SPAK, i kallëzuar nga Myslim Murrizi)Sonila Qato (E pandehur, në gjykim, është paraqitur më heret për dëshmi)

The post Bilanci i ministrave ndër vite para drejtësisë, sa u paraqitën në SPAK dhe kush ka kallëzim penal appeared first on Faktoje.al.

Fushata nis me mesazhe dhe simbolika, Elbasani dhe Durrësi nën lupën e riskut zgjedhor

11 April 2025 at 16:00

Më 11 prill (sot)nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Çdo forcë politike ka zgjedhur mënyra të ndryshme për të nisur garën, duke premtuar në bllok shpalosje të programeve dhe mesazhe politike.

Partia Socialiste

“Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”, është slogani i PS-së që përforcon retorikën e vazhdueshme të kësaj force politike se, “vetëm  Edi Rama mund ta përmbushë këtë aspiratë”. Slogani tregon gjithashtu përqendrim të gjithë fushatës rreth një figure të vetme politike.

PS do të çelë zyrtarisht fushatën (nesër) më 12 prill në orën 12:00 në Sheshin “Skënderbej”, duke përdorur si simbolikë 12 yjet e flamurit të Bashkimit Europian, një metaforë për 12 qarqet e Shqipërisë dhe për destinin kryesor të PS-së, anëtarësimin në BE.

Çdo qark do të përfaqësohet nga një ekip delegues ndërsa nga Tirana do të flasë vetë Edi Rama.

Më 11 prill, (sot) PS zhvillon takime virtuale me gratë dhe vajzat në të 12 qarqet, ndërsa vetë ai do të jetë i pranishëm në Teatrin e Operas dhe Baletit në një sallë plot me gra. Fokusi do të jetë roli i grave në strukturat drejtuese, dhe rëndësia e barazisë gjinore në politikë.

PD-ASHM

Partia Demokratike dhe koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore drejtuar nga Sali Berisha  do të hapin fushatën sot në orën 19:00 në Sheshin “Nënë Tereza”. Skena është ngritur prej dy ditësh dhe aktiviteti i zhvilluar pasdite paralajmëron një takim me mesazhe politike ku përveç drejtuesve të koalicionit, pjesëmarrës do të jenë edhe figura publike jashtë politikës. Pritet të flasë Chris Lacivita, strategu amerikan që PD e prezanton si njeriun që do të drejtojë fushatën, herë nga SHBA dhe herë në terren.

Programi elektoral i PD do të prezantohet i plotë më 12 prill, ora 17:00, në Pallatin e Kongreseve para anëtarëve të Këshillit Kombëtar

“Nisma- SHB” dhe Lëvizja “Bashkë”

 Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” do ta hapë fushatën më 12 prill në Vlorë, në orën 18:00, ndërsa Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorit zgjedh Fierin për nisjen zyrtare të saj më 13 prill, në orën 10:30.

“Mundësia”

Agron Shehaj i partisë “Mundësia” e hap fushatën më 12 prill me një format ndryshe një tur 12-orësh me autobus, që do të përshkojë Shqipërinë nga Shkodra në Sarandë, duke ndaluar në qytetet kryesore për takime me qytetarët. Më 13 prill ai është shprehur se do të prezantojë programin e plotë elektoral.

Koalicioni Euroatlantik

Lulzim Basha do ta hapë fushatën më 12 prill në orën 11:00, te Xibraku. Ai garon në zgjedhje nën logon e Koalicionit Euroatlantik, duke u pozicionuar si alternativë perëndimore dhe pro-integrimit.

Zonat e riskut

11 maji pritet të jetë një betejë vendimtare për secilën prej këtyre forcave. Partitë politike kanë paralajmëruar shumëcka në fushatën e tyre të parakohshme, ndërsa hapin fushatën dikush me performanca artistike, dikush me simbole europiane e me mesazhe politike. Por si është situata në terren?  ISP në një raport të hollësishëm flet mbi zonat me riskun më të lartë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Harta nuk konfirmon shkelje të standardeve zgjedhore dhe as zona ku do të ketë konflikt/incidente apo devijim të votës, por paralajmëron se ku mund të ketë duke ndihmuar në këtë mënyrë në parandalimin e çdo forme të abuzimit me votën dhe cenimit të standardeve.

Risku i lartë

Sipas raportit të hartuar nga ekspertët e ISP, Bashkia Elbasan dhe Durrës kanë koeficientin më të lartë të riskut, (87%), për shkak të ndërthurjes së shumë elementëve aty (ekzistenca e korrupsionit në nivele të larta, grupeve kriminale  me ndikim, lidhjeve të forta informale, nivelit të trafikimit të votës dhe rolit të individëve të fuqishëm ekonomikisht, si dhe traditës në 2-3 zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale). Pas tyre dhe për të njëjtat motive vijnë bashkia Dibër, bashkia Lezhë, bashkia Kurbin, bashkia Shkodër, Fier etj.

Risku i ulët

Zonat me riskun më të ulët elektoral janë kryesisht zonat tradicionale të specifikave të njëjta edhe me zgjedhjet e viteve 2015-2025. Të tilla, sipas ISP, janë Përmeti, Maliq, Konispol, Finiq, Dimal, Gramsh, Belsh, etj, zona të cilat sipas ekspertëve nuk kanë krim të organizuar, nuk kanë individë të fuqishëm politikë dhe ekonomikë pas tyre, si dhe nuk kanë peshë të madhe elektorale.

The post Fushata nis me mesazhe dhe simbolika, Elbasani dhe Durrësi nën lupën e riskut zgjedhor appeared first on Faktoje.al.

Projeksionet për zgjedhjet 2025/ PS ruan shumicën, partitë e reja dalin në skenë

8 April 2025 at 16:00

Kryeministri Edi Rama deklaroi të martën në rubrikën “sy më sy” se nuk parasheh ndryshim të mazhorancës zgjedhjet e ardhshme parlamentare.  “Tani që të jemi shumë të qartë; unë nuk parashoh ndryshim të mazhorancës, të shumicës. PS do ta rifitojë shumicën…”, tha Rama.

Mandatet  

Faktoje.al në bashkëpunim me ekspertin, Ilir Brasha, sjell një projeksion mbi numrin e mandateve që mund të marrin partitë pjesëmarrëse, edhe pse sistemi aktual zgjedhor në Shqipëri, ashtu siç është i ndërtuar, favorizon në mënyrë të qartë partitë më të mëdha, duke e bërë shumë më të vështirë për partitë e vogla, që të sigurojnë përfaqësim në Kuvend.

Ky fenomen vjen si pasojë e shpërndarjes së mandateve dhe mënyrës se si numërohen votat në nivel qarku.

Në parim, Ilir Brasha shpjegon se partia më e madhe (në këtë rast PS) zakonisht arrin të fitojë një numër më të madh mandatesh për një numër më të vogël votash për mandat, krahasuar me çdo parti tjetër që renditet më poshtë në garë. Që do të thotë se sa më e madhe të jetë partia, aq më efikase bëhet ajo në konvertimin e votave në mandate. E kundërta ndodh me partitë më të vogla, të cilat shpesh e kanë të pamundur të fitojnë një mandat, edhe kur kanë një numër të konsiderueshëm votash në total në shkallë vendi.

Zgjedhjet 2021

Një shembull konkret i këtij fenomeni u pa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Lëvizja Socialiste për Integrim, ndonëse mori rreth 107 mijë vota në rang kombëtar, ajo nuk arriti të sigurojë një përfaqësim proporcional me votat e saj (6.81% ose katër mandate)

Kjo ndodhi sepse votat e LSI-së ishin të shpërndara në të 12 qarqet duke mos arritur të përqendrohen në një mënyrë që t’i siguronin mandate. E kundërta ndodhi me Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit, e cila edhe me një numër më të vogël votash se LSI (35475 ose 2.25%) siguroi tre mandate falë përqendrimit të votuesve në qarqe të veçanta.

Skenari

I njëjti skenar pritet të ndodhë edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Edhe pse këtë herë kemi votën e emigrantëve, dhe një sistem me lista pjesërisht të hapura, parimi i shpërndarjes së mandateve mbetet i njëjtë dhe favorizon sërish partitë që arrijnë të përqendrojnë votën në qarqe të caktuara.

Përllogaritja

Kur mbeten rreth një muaj përpara zgjedhjeve, Ilir Brasha, i është referuar dy elementeve për të sjellë një projeksion të deritashëm mbi mandatet e deputetëve.

Sondazhi i fundit i pavarur që shërben si indicie e mirë për shpërndarjen e votave për partitë në vend është ai Barometrit. Brasha në këtë rast i është referuar rezultatit të Barometrit gjatë muajit Mars, me të dhënat e mbledhura gjatë muajit Shkurt, (tjetri publikohet një javë më pas).

Elementi i dytë janë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Pse jo lokalet e 2023? Sepse ato nuk ofrojnë një pasqyrë të saktë të mbështetjes për partitë në nivel kombëtar, pasi ndikohen ndjeshëm nga faktorë lokalë.

Ndaj dhe, për të krijuar një projeksion më të qëndrueshëm dhe realist për mënyrën se si mund të shpërndahen mandatet në zgjedhjet e ardhshme, eksperti Ilir Brasha ka bërë një përllogaritje bazuar tek rezultatet e sondazhit të Barometrit për muajin Shkurt me votat reale të fituara nga partitë kryesore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Projeksioni në këtë rast merr parasysh jo vetëm përqindjet e mbështetjes nga sondazhi, por edhe realitetin elektoral shqiptar, ku shpërndarja gjeografike e votës, madhësia e qarqeve dhe sistemi zgjedhor ndikojnë drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve.

Numrat

Sipas kësaj analize të kombinuar, eksperti Brasha përllogarit se (deri më tani) Partia Socialiste del përsëri forca e parë politike në vend, duke siguruar 75 mandate, që i japin asaj sërish shumicën në Kuvend (140 mandate në total).

Partia Demokratike, pavarësisht një rritjeje të lehtë të mbështetjes në sondazhe, (sipas përllogaritjeve të deritashme) arrin të sigurojë 54 mandate.

Megjithëse vota e emigrantëve dhe listat pjesërisht të hapura janë elementë të rinj që mund të kenë ndikim në rezultat, në këtë fazë kohore që jemi, ato nuk e ndryshojnë thelbin e përballjes: një mazhorancë për PS dhe një opozitë ende në kërkim të rritjes së ndikimit elektoral.

Të vegjlit

Pozitive, për ekspertin Ilir Brasha, duken rezultatet e partive të reja të cilat, sipas përllogaritjeve të deritashme që ai ka bërë, bashkërisht sigurojnë 11 mandate, përkatësisht koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet’ arrin të fitojë 8 mandate, Partia “Mundësia” 2 mandate dhe partia Lëvizja “Bashkë” 1 mandat.

Po të shikojmë votat sipas qarqeve, përveç Shkodrës dhe Kukësit që kryesohen nga koalicioni PD-ASHM, të gjitha të tjerat kryesohen nga PS.

Referuar gjithnjë projeksioneve, mandatet në Tiranë ndahen, 18 për PS-në, 13 për PD-ASHN, 3 koalicioni “NISMA-SHB”, 2 “MUNDËSIA” dhe 1 “BASHKË”.

QarkuPSPD-ASHMNISMA-SHBMUNDËSIABASHKË
Tiranë1813321
Fier961  
Elbasan851  
Durrës851  
Korçë64   
Vlorë741  
Shkodër461  
Berat52   
Lezhë34   
Dibër32   
Gjirokastër31   
Kukës12   
Skenari 17554821
Skenari  269551051

Tabela 1: Projeksion, shpërndarja e mandateve sipas partive dhe qarqeve në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Surprizat

Nga tabela më sipër,  vërejmë 2 skenarë që ka nxjerrë eksperti Brasha. Njëri na tregon që Partia Socialiste fiton zgjedhjet me 75 deputetë, pra siguron shumicën e qëndrueshme. Skenari i dytë lidhet me elementin e emigrantëve që votojnë për herë të parë nga jashtë, si dhe numri i të pavendosurve në rritje nëse i referohemi periudhës së mbajtjes së sondazhit të Barometrit.

Duke iu referuar dy  elementëve në fjalë, eksperti Brasha thotë se, situata mund të ndryshojë shumë lehtë në disfavor për PS-në. Që do të thotë se, nëse votat e emigrantëve dhe votat e të pavendosurve shkojnë për partitë e tjera dhe jo për PS-në, ato mund të krijojnë diferencën e nevojshme për fitimin e mandatit nga njëra anë të një partie x dhe humbjen lehtë të mandatit nga PS në anën tjetër. Sipas përllogaritjeve të ekspertit Basha, nëse këto dy elementë hyjnë fuqishëm në zgjedhje në favor të partive të tjera, PS mund të shkojë në kuotën e 69 mandateve.

Disfavori

Në një skenar  të dytë, sipas ekspertit Brasha, 6 mandate do të ishin në pikëpyetje për Partinë Socialiste. Pse? Sepse herësi i këtyre mandateve është shumë afër herësit të mandateve që mund të fitohen nga partitë e tjera.

Referuar kësaj logjike, sipas Brashës, PS mandat mund ta humbë 1 mandat në Tiranë duke shkuar për koalicionin ‘NISMA-SHB’, një tjetër në Korçë duke shkuar përsëri për NISMA-SHB, si dhe nga një në qarqet e Fierit, Elbasanit dhe Vlorës duke u shtuar si numër mandatesh për Partinë tjetër “Mundësia”. Në rastin e një mandati në Elbasan që mund të fitohet nga Partia “Mundësia” mund të humbet ose nga PS ose nga PD-ASHM, sepse të dy herësat e mandatit të fundit janë përafërsisht të njëjtë. Por po ashtu PD-ASHM mund të fitojë në kurriz të PS-së mandate në Durrës, Dibër dhe Gjirokastër.

Eksperti Brasha vëren se partitë e reja në total mund të arrijnë potencialisht 16 deputetë në parlament, me NISMA-SHB që në një skenar të dytë mund të kryesojnë me 10 mandate, “Mundësia” me 5 mandate dhe “Bashkë” me 1 mandat.

QarkuFitonHumbet
TiranëNISMA-SHBPS
FierMUNDËSIAPS
ElbasanMUNDËSIAPS ose PD-ASHM
DurrësPD-ASHMPS
KorçëNISMA-SHBPS
VlorëMUNDËSIAPS
DibërPD-ASHMPS
GjirokastërPD-ASHMPS

PSD

Nga sondazhi i Barometrit i muajit Shkurt 2025, nuk rezultojnë vota të konsiderueshme për Partinë Socialdemokrate dhe Partinë “Koalicioni Euroatlantik” të cilat bazuar në kalkulime matematikore rezultojnë pa asnjë mandat deri më tani.

Por, duhet sjellë në vëmendje fakti se PSD nuk ka rezultuar e rëndësishme në sondazhe as në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por në fund fitoi tre mandate deputeti.

E njëjta situatë, sipas ekspertit Brasha, pritet që të ndodhë edhe këto zgjedhje, ku PSD për shkak të votave të përqendruara mund të fitojë mandate deputeti në qarqet e Shkodrës, Lezhës dhe Tiranës, në kurriz të dy partive kryesore.

Ndërsa për Partinë Koalicioni Euroatlantik që përfaqësohet nga Lulzim Basha duhet të presim rezultatet e sondazheve të mëvonshme për të pasur një ide më të qartë se si do paraqiten dhe çfarë rezultati mund të marrin në zgjedhjet e 11 majit.

Përfundime

Ndërthurja e sondazhit të Barometrit për muajin Shkurt me votat e vitit 2021, tregojnë vetëm një projeksion paraprak, pra fotografi të momentit dhe jo se si do shkojnë saktësisht rezultatet zgjedhore. Sidoqoftë, projeksionet tregojnë se PS-ja, për të ruajtur shumicën e qëndrueshme, ndihet më shumë e kërcënuar nga partitë e reja.

Ndaj dhe, referuar dy skenarëve sa më sipër deklaratën e kryeministrit Edi Rama se parasheh marrjen e shumicës nga PS-ja këto zgjedhje do ta konsiderojmë deri tani si pjesërisht të vërtetë.

The post Projeksionet për zgjedhjet 2025/ PS ruan shumicën, partitë e reja dalin në skenë appeared first on Faktoje.al.

Rëndësia e verifikimit të fakteve në epokën e dezinformimit, dhe çmimet “Baxhaku”

3 April 2025 at 17:18

Në një kohë kur dezinformimi dhe manipulimi i informacionit kërcënojnë jo vetëm të vërtetën, por edhe vetë themelet e demokracisë, verifikimi i fakteve bëhet më i rëndësishëm se kurrë. Faktet kanë rëndësi, por verifikimi i tyre është jetik. Ky është edhe qëllimi i përditshëm i punës së Faktoje.al që u përforcua prej saj në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve përmes një eventi ku bëri bashkë përfaqësues të lartë të selive diplomatike në Shqipëri, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, bota akademike, gazetarë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Rëndësia

Aktiviteti “Demokracia ia vlen – Faktet kanë rëndësi” solli në vëmendje rolin kritik të verifikuesve të fakteve në ruajtjen e integritetit të informacionit, veçanërisht në periudha zgjedhjesh dhe përballë tendencave autokratike, që kërcënojnë lirinë e medias dhe demokracinë globale.

2 Prilli

Në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, drejtoresha ekzekutive e Faktojes, Klodiana Kapo, vuri në pah rëndësinë e verifikimit të fakteve dhe rolin kyç të Faktoje në forcimin e demokracisë në Shqipëri dhe rajon.

Drejtoresha ekzekutive e Faktoje, Klodiana Kapo

“Sot ju dhe ne, pra vendet në Ballkan dhe Europë, kërcënohemi nga lufta hibride. Shumë në këtë sallë, që kanë lindur në vitet ‘60, ‘70 apo ‘80, e dinë fort mirë se çfarë sjell propaganda apo narrativat anti- EU apo anti- Nato. Ju shqetësoheni për demokracinë dhe institucionet në vendet tuaja, ndërkohë ne i kemi ende në ndërtim. Ç’ka do të thotë që për ne çdo hap i hedhur drejt këtyre standardeve duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i fortë. Mbyllja e “Zërit të Amerikës”, por edhe e Radios “Europa e Lirë”, nuk janë një lajm i mirë për askënd prej nesh. Mediat profesionale e me integritet sot më shumë se kurrë kanë rëndësi, dhe besimi i ndërtuar me punë dhe transparencë sot ka nevojë të ruhet e forcohet”, tha Kapo.

2025

Duke iu referuar këtij viti të vështirë sa i përket ngjarjeve lokale dhe ato ndërkombëtare ku dezinformimi, keqinformimi, dhe propaganda janë kryefjalë, Klodiana Kapo, nënvizoi nevojën që “debati të ndërtohet me dhe bazuar në fakte, që lajmësi të mos paguhet nga institucionet politike apo biznesi, që gazetari të ndahet nga thashethemi dhe opinioni t’i qëndrojë besnik burimeve të verifikuara dhe të dhënave të kryqëzuara”.

Bashkëpunimi

Aktiviteti më 2 Prill ishte pjesë e dy ngjarjeve rajonale të organizuara nga Rrjeti Kundër Dezinformimit në Ballkan (ADN-Balkans), në Shkup dhe Tiranë.

“Ne Shkup dhe në Tiranë, këto ditë ne jemi bashkë për të treguar qartë me studime, databaza dhe me shkrime të thelluara se sot me shumë se kurrë dezinformimi është kërcënim serioz. Ne kemi vendosur ta kryejmë punën tonë me integritet dhe profesionalizëm, por për këtë duhet të jemi të pavarur dhe këtë nuk mund ta bëjmë vetëm pa partneritetin me ju, pa mbështetje teknike, morale dhe financiare”, tha drejtoresha ekzekutive e Faktojes Klodiana Kapo.

Të njëjtin mesazh përcolli edhe Bardhyl Jashari, drejtues i Fondacionit “Metamorphosis”. 

Drejtues i Fondacionit “Metamorphosis”, Bardhyl Jashari

“Organizata që merren me verifikimin e fakteve janë në vijën e parë të mbrojtjes të themelit të demokracisë, jo vetëm në rajon, por edhe në botë. Pikërisht për këtë arsye jo vetëm që është e rëndësishme që të suportohet puna e organizatave fakt -checking, por edhe të krijojmë aleanca të ndryshme të krijojmë partneritete të reja të cilat i tejkalojnë fushat e veprimit të organizatave jo qeveritare”, tha ai.

Partneriteti

Ne foto: Coral Garsia, drejtuese e sektorit te investigimit, Maldita.es

Faktoje.al sot është pjesë e familjes europiane ku aderojnë dhjetëra agjenci dhe organizata fakt-verifikuese në botë, si DPA në Gjermani, Maldita në Spanjë apo Pagella Politica në Itali. Znj. Coral Garcia, drejtuese e sektorit të investigimit e Maldita.es, e pranishme në aktivitetin e 2 Prillit foli mbi rreziqet me të cilat përballen verifikuesit e fakteve në luftën kundër dezinformimit.

Mesazhet

Po aq të rëndësishme ishin edhe mesazhet që përcollën secili nga ambasadorët pjesëmarrës, duke e vënë rëndësinë tek lufta ndaj dezinformimit dhe forcimi i medias së lirë.

Ne foto: Ambasadori i BE ne Tirane, Silvio Gonzato

“Në ditët e sotme, dezinformimi dhe ndikimi i huaj po bëhen një kërcënim gjithnjë e më serioz për vlerat tona demokratike dhe për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Shqipëria nuk është imune ndaj këtij trendi global. Gjeneratat më të reja dhe të moshuarit veçanërisht janë shumë të ndjeshëm ndaj teorive të konspiracionit. Në këtë kontekst, delegacioni i BE-së ka qenë shumë i angazhuar dhe aktiv në ndihmën për verifikuesit e fakteve (si Faktoje), mendimtarët, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët e medias për të adresuar dezinformimin dhe manipulimin e informacionit. Lufta ndaj  dezinformimit është gjithashtu pjesë e angazhimeve që Shqipëria duhet të përmbushë. Megjithatë, të gjithë përpjekjet tona duhet të udhëhiqen nga një parim i rëndësishëm: gjetja e balancës së duhur midis luftës kundër dezinformimit dhe mbrojtjes së lirisë së medias. Asnjëra nuk mund të vijë në dëm të tjetrës”, tha ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.

Fakte dhe shifra

Faktoje ka publikuar 239 artikuj dhe analiza mbi manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në informacion në tre vitet e fundit. Gjatë këtyre dy viteve, Faktoje ka verifikuar 281 premtime dhe deklarata të politikanëve shqiptarë, nga të cilat:  193 janë premtime të pambajtura dhe deklarata të pavërteta, 45 janë premtime pjesërisht të mbajtura dhe deklarata gjysmë të vërteta dhe 43 janë premtime të mbajtura dhe deklarata të vërteta. Nga këto: 119 verifikime janë nga pushteti qendror, 124 verifikime janë nga pushteti lokal dhe 27 janë nga opozita

Konkursi

Ne foto: Fituesit e cmimit “Baxhaku” me Drejtoreshen e Faktoje, Klodiana Kapo dhe Menaxheren editoriale, Aimona Vogli

Pjesë e aktivitetit ishte dhe Konkursi Kombëtar i Verifikimit të Fakteve “Fatos Baxhaku”. Për të katërtin vit radhazi ky konkurs inkurajon gazetarë të rinj dhe profesionistët e medias për të ndjekur standardet më të larta të raportimit, bazuar në fakte. Nga 27 shkrime pjesë e konkursit, juria e përbërë nga gazetarët Llazar Semini, Erion Tase dhe Pandi Gjata përzgjodhi 5 gazetarë fitues. 

Tre çmimet e para

Ne foto: Anila Hoxha (ne te majte) dhe Roland Bimo-ish-ambasador (ne te djathte)

Çmimi i parë iu dha gazetares Anila Hoxha për shkrimin: “Për gabimet thyheshin gjymtyrët dhe digjeshin shtëpitë”, zbardhen dëshmitë e ukrainasve të trafikuar në Vlorë. Ky artikull shkon përtej kufijve të Shqipërisë dhe flet me dëshmi konkrete për aktivitetin e aktorëve rusë në fushën e krimit të organizuar dhe ndikimin e tyre në nivel rajonal sa i përket sigurisë  

Ne foto: Gazetari Sebi Alla dhe ambasadori i Gjermanise ne Tirane, Karl Bergner

Çmimi i dytë i shkoi gazetarit Sebi Alla për shkrimin “Politikë me legalizimet, 124 193 leje në vitet zgjedhore”. Artikulli tregon se si proçesi i legalizimeve është përdorur ndër vite si mjet për të siguruar mbështetje elektorale në vend

Ne foto: Ambasadori i Suedise, Niklas Ström dhe gazetarja Esmeralda Keta

Çmimi i tretë, gazetares Esmeralda Keta, me shkrimin “100 fshatrat” mes mungesës së transparencës dhe dështimit.  Artikulli flet për 100 fshatrat se si ky program nuk arriti objektivat kryesore, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e politikave qeverisëse dhe menaxhimin e fondeve publike

Çmimet inkurajuese

Ne foto: Brunilda Milkani, Menaxhere e programit rajonal të GIZ “Sustain Media” dhe gazetarja Esiona Konomi

U ndanë edhe dy çmime inkurajimi për gazetaren Esiona Konomi me shkrimin “Satelitët 18 muaj në orbitë, administrata ende nën trajnim për t’i kuptuar imazhet” me motivacionin se artikulli nxit skepticizëm mbi trajnimin e administratës për politika të caktuara qeverisëse.

Ne foto: Gazetarja Oriada Dajko

Dhe Oriada Dajkos për shkrimin “Arsimi gjithëpërfshirës për fëmijët romë-egjiptianë, premtimi që ende çalon, me motivacionin se artikulli flet për një proces kompleks se si integrimi i komuniteteve të margjinalizuara mbetet ende një sfidë e pazgjidhur pavarësisht strategjive dhe fondeve te akorduara.

The post Rëndësia e verifikimit të fakteve në epokën e dezinformimit, dhe çmimet “Baxhaku” appeared first on Faktoje.al.

Projeksionet për mandatet e diasporës/ 3 të sigurta, 9 në lojë për partitë kryesore

21 March 2025 at 17:00

Katër vjet më parë, në zgjedhjet e 2021, kandidatët që u lanë në pjesën e pasigurt të listave u përballën në një garë të brendshme për të thyer herësin me qëllim përfshirjen në Kuvend.

Beteja zhvillohej mes kandidatëve të së njëjtës parti apo koalicioni, duke e bërë garën brenda llojit një sfidë më vete.

Më 11 maj 2025, dinamika e garës ka ndryshuar. Përveç atyre që ndodhen në listën e mbyllur dhe e kanë të sigurt mandatin, kandidatët në listën e hapur vazhdojnë të konkurrojnë mes njëri-tjetrit brenda partisë apo koalicionit, por me rregulla të reja.

Risia e këtij viti është edhe përfshirja e votës së diasporës, e cila, ndonëse nuk sjell përfaqësues të dedikuar për shqiptarët jashtë vendit, ajo do të shpërndahet në 12 qarqet e vendit sipas origjinës së votuesve.

Ky element ka shtuar interesin për ndikimin e votës së emigrantëve në rezultatin final. Ndaj dhe nxitja për të votuar nga ana e tyre është rritur ndjeshëm nga partitë kryesore politike duke e trajtuar atë si “kalë beteje” të këtyre zgjedhjeve

Faktoje.al në bashkëpunim me ekspertin Ilir Brasha ka bërë një përllogaritje mbi numrin e mandateve që mund të dalin nga vota e diasporës, duke u bazuar fillimisht në herësin e vitit 2021 dhe në të dhënat e sondazheve më të fundit. Aktualisht, e vetmja matje e opinionit publik mbi zgjedhjet e 11 majit 2025 është Barometri i Euronews Albania, i cili po jep një orientim mbi pritshmëritë dhe balancat e forcave politike në garën për zgjedhjet e 11 majit.

Përllogaritja

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Shqipëria do të aplikojë sistemin proporcional rajonal, ku vendi është i ndarë në 12 qarqe zgjedhore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore apo edhe numrin e mandateve për secilën zonë, përcaktohen nga Kodi Zgjedhor.

Kuvendi do të përbëhet sërish nga 140 deputetë, për një periudhë 4 vjeçare.

Mandatet e deputetëve ndahen në bazë të numrit të popullsisë në secilin qark, ndërsa votat e emigrantëve (edhe pse në një numër të konsiderueshëm) duket se do të kenë një ndikim të kufizuar për shkak të shpërndarjes së tyre nëpër qarqe.

Për të kuptuar se sa mandate mund të prodhojë vota e emigrantëve, Faktoje.al përmes ekspertit Ilir Brasha ka analizuar dy skenarë bazuar në:

  • 1. Herësin për mandat në secilin qark nga zgjedhjet e vitit 2021 (numri i votave të nevojshme për të fituar një mandat deputeti)
  • 2. Ndarjen e votave sipas partive, duke iu referuar sondazhit të fundit të Barometrit mbi përqindjet e partive, për dy sisteme:

A) Nëse në vend do të aplikohej sistemi proporcional kombëtar me një zonë zgjedhore dhe b) Sistemi aktual zgjedhor për 12 qarqe  

   TiranaAL
PS35.2%39.1%
PD24.6%27.8%
Shqipëria Bëhet5.7%5.1%
Mundësia4.4%3.9%
Lëvizja Bashkë2.8%2%
Nisma Thurje1.5% 
PL1%1.4%
Tjetër0.9%1.7%
Të pavendosur23.9%19%

Tabelë përmbledhëse e prirjes së votës – Barometri për muajin Shkurt 2025

Pse sondazhet?

Pse sondazhet e fundit dhe jo votat që janë marrë para katër vitesh? Eksperti Ilir Brasha shprehet se sondazhet janë baza mbi mendimin qytetar që kemi aktualisht për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje.

Për momentin ato janë shpërndarja e votave më reale që mund të kemi (e cila mund të ndryshohet) nisur edhe nga fakti që numri i të pavendosurve nga sondazhet është rritur ndjeshëm krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Numri i zgjedhësve

Janë 245,975 zgjedhës nga diaspora të cilëve u është miratuar kërkesa nga KQZ për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. 

Nëse të gjithë të regjistruarit si votues të jashtëm do të votonin dhe nëse bëjmë një krahasim të votës së tyre me herësin e deputetit për secilin qark të vitit 2021, rezulton se votat e emigrantëve (si bllok i vetëm që nuk do ndaheshin mes partive) do të prodhonin plot 20 deputetë

Tabela si më poshtë:

QarkuNr Mandate
Tiranë4
Fier3
Elbasan2
Durrës2
Korçë2
Vlorë2
Shkodër1
Berat1
Lezhë1
Dibër1
Gjirokastër1
Kukës0
Total20

Mandate deputetësh, bazuar në herësin 2021, pa shpërndarje votash në parti

Sistemi aktual

Por situata ndryshon nëse i referohemi legjislacionit që do të aplikohet në zgjedhjet e 11 majit.

Nëse marrim parasysh ndarjen e votave sipas partive, bazuar në sondazhin e Shkurt 2025 të Barometrit, votat e emigrantëve do të prodhonin vetëm tre mandate të plota, përkatësisht: Në Tiranë 2 mandate (1 për PS-në dhe 1 për PD-në) dhe 1 mandat të sigurt në Fier për PSIlir Brasha

Referuar sistemit zgjedhor aktual, nëse marrim parasysh ndarjen e votave sipas partive, bazuar në sondazhin e Shkurt 2025 të Barometrit, eksperti Ilir Brasha llogarit se votat e emigrantëve do të prodhonin vetëm tre mandate të plota, përkatësisht: Në Tiranë 2 mandate (1 për PS-në dhe 1 për PD-në) dhe 1 mandat të sigurt në Fier për PS

Mandatet shtesë 

Në qarqet e tjera, votat e emigrantëve nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një mandat të plotë, por ndihmojnë potencialisht për shtim mandatesh për partitë kryesore, duke qenë  faktor kyç në shpërndarjen përfundimtare të vendeve në Kuvend, gjithnjë nëse do të votonin të gjithë emigrantët e rregjistruar zyrtarisht.

Kjo do të thotë se edhe pse në shumicën e qarqeve votat e emigrantëve nuk janë të mjaftueshme për mandate të drejtpërdrejta apo të sigurta, ato luajnë një rol vendimtar në garën për mandate shtesë.  

Avantazhi

Me pak fjalë, nëse një parti ka siguruar avantazh tek votat e emigrantëve, atëherë ky element mund të jetë më i rëndësishëm se diferenca e vogël që mund të ekzistojë në vota midis partive brenda Shqipërisë. Pra, votat e emigrantëve mund të ndihmojnë një parti të fitojë një mandat e cila ndryshe do ta kishte humbur pikërisht për atë diferencë të vogël votash.

Referuar logjikës sa më sipër, eksperti Ilir Brasha sjell një tabelë përmbledhëse mbi ndikimin e votës së emigrantëve për secilin qark

Vota që ju nevojiten dy partive kryesore për të shtuar një mandat deputeti sipas qarkut dhe numri i emigrantëve i rregjistruar për zgjedhje

Referuar shifrave të përpunuara, PS-ja mund të sigurojë mandate shtesë në Elbasan, Dibër dhe Tiranë, ndërsa PD-ja mund të përfitojë në Shkodër, Berat, Gjirokastër, Vlorë por edhe Fier edhe pse kjo e fundit duket pak e vështirë për tu arritur.

Tiranë    – 2 mandate të plota + 1 mandat shtesë

Fier       – 1 mandat i plotë + 1 mandat shtesë

Elbasan    – 1 mandat (shtesë)

Durrës     –  1 mandat    (…)

Vlorë     –  1 mandat     (…)

Shkodër   – 1 mandat    (…)

Berat      – 1 mandat      (…)

Dibër – 1 mandat        (…)

Gjirokastër- 1 mandat   (…)

Gjithsej 12 mandate

Proporcionali

Referuar sondazhit të Barometrit për muajin Shkurt (që përfshin edhe subjekte politike të reja në rritje nga anketimet) nëse në vend do të aplikohej sistemi proporcional kombëtar, vota e diasporës do të siguronte 15 mandate deputetësh, konkretisht 8 për PS, 6 për koalicionin e PD-së dhe 1 për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”

Votat e tjera të emigrantëve, që nuk prodhojnë deputetë, sipas Brashës, do të shkonin për të ndihmuar partinë për të fituar mandate të tjera me diferenca të vogla me votat e votuesve brenda Shqipërisë

Përfaqësimi 

Parimisht ekspertët besojnë se më të favorizuarat për të marrë më shumë vota nga jashtë janë ato parti, që kanë më shumë emra kandidatësh nga diaspora.

A u ndoq ky parim nga dy partitë kryesore? Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi  pak kohë më parë se nga lista e kandidatëve për deputetë 7 prej tyre janë nga diaspora. Nga një vëzhgim i listës nga Faktoje rezulton se asnjë prej tyre nuk është në listën e mbyllur. E njëjta situatë edhe nga PS-ja. Kjo e fundit ende nuk ka nxjerrë shifër as mbi përfaqësimin e diasporës në listën e kandidatëve.

Rëndësia

Edhe pse votat e emigrantëve nuk krijojnë një numër të madh mandatesh të drejtpërdrejta, (gjithnjë nisur nga projeksionet e deritashme), ato sërish mbeten të rëndësishme në këto zgjedhje për të ridimensionuar balancat e deritashme mes partive. Kjo sepse në disa qarqe, ku diferenca mes partive për një mandat është e vogël, votat nga diaspora mund të jenë faktor vendimtar.

The post Projeksionet për mandatet e diasporës/ 3 të sigurta, 9 në lojë për partitë kryesore appeared first on Faktoje.al.

Dy lista, dy strategji: Rigjenerimi i Ramës me emra të panjohur dhe status quo-ja e Berishës

13 March 2025 at 15:46

Dy partitë kryesore në vend publikuan në zgrip të afateve listën e kandidatëve për deputetë. Një listë pa surpriza për PD, ku Sali Berisha siguroi besnikët në listat të sigurta, futi tre deputetë që dikur u pozicionuan me Bashën, si Gazment Bardhi, Saimir Korreshi dhe Agron Gjekmarkaj, risolli “paqen” me aleatët, por prodhoi edhe largime emrash të votuar paraprakisht nga primaret.

Me pak fjalë, PD ka synuar ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm, por pa krijuar një ofertë të re për zgjedhësit.

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama ka bërë pa droje “katarsis” brenda radhëve, duke treguar para së gjithash se ai e ka në kontroll partinë. Në listë të sigurt janë futur emra të rinjsh të panjohur pa kontribut për PS-në, ata që kanë aplikuar nga platforma “Deputeti që Duam” si dhe tek -tuk (por pa ndonjë emër të zëshëm) nga Diaspora. 

Në Tiranë, sfida më e fortë është mes figurave me kontribute të PS-së si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko përballë biznesmenëve si Xhemal Qefalia apo djali i Aqif Rakipit, Orlando Rakipi.

Në disa qarqe si Shkodra dhe Tirana, listat kanë marrë deri diku karakter nepotik, me familjarë të ish-deputetëve që garojnë në vend të tyre. Për herë të parë PS-ja ka ofruar edhe emra nga opozita, për t’i vënë përballë ish të vetëve. Rasti më i pastër është ai mes ish-Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Endrit Brahimllari përballë Ilir Metës në Tiranë.

Me pak fjalë, PS ka zgjedhur të rigjenerohet me figura të reja dhe kalkulime strategjike, por ka ‘zhbërë’ deri diku trashëgiminë politike të saj.

Foto nga Kuvendi, 13 mars 2025

Krasniqi

Studiuesi dhe drejtuesi i ISP-së, Afrim Krasniqi, thotë për Faktoje se, “ofertat e partive janë të pamjaftueshme, të paplota, bazuar në lidhje klienteliste apo besnikërie politike, nën nivelin e pjesës së moderuar e profesionale të shoqërisë, si dhe një mesazh dekurajues për sfidat që ka vendi”.

“Ofertat e partive janë të pamjaftueshme, të paplota, bazuar në lidhje klienteliste apo besnikërie politike”, Afrim Krasniqi

Synimi kryesor, sipas Krasniqit, është që “e majta të maksimalizojë votat pa përfaqësim cilësor dhe e djathta të sigurojë imunitet dhe ndarje të pushtetit gjithashtu pa përfaqësim cilësor”

Krasniqi vëren se “ky është tregues i mungesës së respektit për qytetarët dhe vendin, zhvillim negativ si dhe shans i humbur për Shqipërinë”

PD

Sali Berisha udhëheq listën me 186 kandidatë për zgjedhjet e 11 majit. Berisha do të jetë në Tiranë në listën e mbyllur dhe pas tij renditen Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Belind Këlliçi si dhe rikthehet Jozefina Topalli. Në listën e Tiranës është futur i sigurt edhe kreu i FRPD, Besart Xhaferri. 

Aleatët

Aleatët kanë 4 vende të sigurta po në Tiranë: PL me Tedi Blushin dhe Erisa Xhixho. PR me Fatmir Mediun dhe PDIU me Mesila Dodën. Vende të tjera të sigurta për aleatët janë: Vangjel Dule në Vlorë, Brunilda Haxhia e PL në Fier,  Edmond Haxhinasto i PL në Elbasan dhe  Artan Luku në Durrës i propozuar nga PAA. Ilir Meta dhe Shpetim Idrizi kanë vendosur të garojnë në listë të hapur në Tiranë.

Tregu politik

Rezultati i primareve në PD ka reflektuar në listë të sigurt: Bledion Nallbatin në Korçë, Manjola Luku dhe Igli Cara në Durrës, Greta Bardeli në Shkodër, Aurel Bylykbashi në Elbasan. Por bie gjithashtu në sy largimi i Dashnor Sulës më i votuari nga primaret në Elbasan edhe pse ai mbështetjen e ka të fokusuar në Peqin. Dashnor Sula është regjistruar në listën e Adriatik Lapajt e koalicionit “Nisma ‘Shqipëria bëhet” në moment të fundit. Këtij koalicioni iu bashkua orët e vona edhe kandidatja Alesia Balliu e pozicionuar nga PD në listën e hapur në Elbasan. Hysen Kadiu, më i votuari në Tiranë, por me fokus mbështetjen e tij në Kavajë, ka dhënë dorëheqjen nga strukturat partiake. Reagime që thellë- thellë tregojnë se beteja e primareve rezultoi më shumë për karrige sesa për fitoren e PD. Ka edhe ndonjë përjashtim. Si rasti i deputetes Jorida Tabaku e cila edhe pse e votuar në primaret e Tiranës, ajo ka pranuar t’i bindet vendimit për të garuar në listë të hapur. Ndërkohë 12 deputetë aktualë të PD-së refuzuan të garojnë.

PS

Lista e mbyllur e PS dominohet nga fytyra të reja konkretisht në qarqet: Durrës, Dibër, Berat, Fier, Lezhë, Korçë, Vlorë, Gjirokastër e Kukës. 5 nga opozita i janë bashkuar PS-së: Endrit Brahimllari ( PL) Alban Zeneli (PD), Zamira Sina (PD), Nusret Avdulla (PDIU), Blendi Sulaj (PR) dhe Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian. 13 ministra janë në garë për deputetë, 10 prej tyre në listë të sigurt tre të tjerë Ervin Hoxha, Blendi Gonxhe dhe Anila Denaj janë në listën e hapur.

Gara në Tiranë

Gara më e ashpër mes brezash karriere (në kohë të ndryshme) në PS mbetet në Tiranë.  Deputetët aktualë me eksperiencë që duhet të luftojnë për vota janë: Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Etilda Gjonaj, Ermonela Felaj, Blerina Gjylameti dhe Toni Gogu. Por, në garë në listën e hapur janë edhe Orlando Rakipi dhe Xhemal Qefalia. Një betejë e ashpër mes veti duke pasur parasysh se Rakipi dhe Qefalia morën vota rurale të konsiderueshme në Tiranë zgjedhjet e fundit. Tom Doshi gjithashtu do të garojë në Tiranë, duke kryesuar listën e PSD. 

Nëse i referohemi zgjedhjeve të fundit, lista e gjatë e emrave të PS-së në garë të drejtpërdrejtë duhet të prodhojë katër deputetë burra dhe dy deputete gra.

E sigurt është se nga lista e deputetëve me eksperiencë shumica prej tyre do të mbeten jashtë. Një sfidë e drejtpërdrejtë kjo veçanërisht për deputetin (qysh prej ‘96-ës në Kuvend) Erion Brace të cilit në moment të fundit iu besua njësia 5 në Tiranë duke e larguar nga qarku Fier pa dëshirë.

Deputetët aktualë të PD në listën e mbyllur:

Sali Berisha

Flamur Noka

Edi Paloka

Albana Vokshi

Tomorr Alizoti

Greta Bardeli

Ramadan Likaj

Agron Gjekmarkaj

Elda Hoti

Bujar Leskaj

Ina Zhupa

Xhelal Mziu

Tritan Shehu

Gazment Bardhi

Luan Baçi

Saimir Korreshi

Bledion Nallbati

Oerd Bylykbashi

Flamur Hoxha

Deputetët aktualë të PD në listën e hapur:

Jorida Tabaku

Dhurata Çupi

Andia Ulliri

Petrit Doda

Edmond Spaho

Andrea Mano

Ludovik Hasani

Kastriot Piroli

Lindita Metaliaj

Kreshnik Çollaku

Isuf Çela

Asllan Dogjani

Qani Xhafa

Emrat e ‘vjetër’ të PS në listë të mbyllur:

Edi Rama

Ogerta Manastirliu

Elisa Spiropali

Lindita Nikolla

Taulant Balla

Niko Peleshi

Ulsi Manja

Belinda Balluku

Mirela Kumbaro

Eduard Shalsi

Në listë të hapur (duhet të luftojnë për vota):

Erion Braçe

Fatmir Xhafaj

Pandeli Majko

Mimi Kodheli

Olta Xhaçka

Etilda Gjonaj

Ermonela Felaj

Blerina Gjylameti

Toni Gogu

The post Dy lista, dy strategji: Rigjenerimi i Ramës me emra të panjohur dhe status quo-ja e Berishës appeared first on Faktoje.al.

Diaspora në zgjedhje/ Emigranti nga Italia aplikon 25 herë për të votuar  

7 March 2025 at 17:00

Fleta e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të jetë më e madhe se kurrë. Për herë të parë, emrat e kandidatëve pritet të renditen me emër dhe mbiemër, në vend të numrave. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi pranoi në një dalje mediatike se KQZ nuk është e përgatitur për skenarin “B” nëse 25 subjektet e regjistruara dorëzojnë listat e kandidatëve të tyre. “Fleta siç e kemi prezantuar është shumë e madhe. Vështirësi për organizimin dhe menaxhimin. Nuk di të them si do t’ia bëjmë nëse të 25 subjektet ia dalin të sjellin kandidatë. Nuk jemi përgatitur për këtë skenar”, tha Celibashi.

Paraprakisht, KQZ ka krijuar një moket fletë votimi për qarkun e Tiranës me përmasa 40 cm x 60 cm që mund të përfshijë 7 subjekte politike

Afati

Të gjitha partitë që duan të jenë në fletën e votimit duhet të dorëzojnë listat e plota të kandidatëve deri më 12 mars. Ligji kërkon 186 emra për çdo subjekt, 46 në listën e mbyllur dhe 140 për listën e hapur.

Votuesi më i vjetër 95 vjeç 

Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar regjistrimin e 245,975 shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi njoftoi se numri më i lartë i aplikimeve është regjistruar më 2 mars. Aplikimi i parë është bërë më 11 janar nga një shtetas në Gjermani në orën 00:08 pas mesnate.  Personi më i moshuar i regjistruar është 98 vjeç, ndërsa një tjetër në Itali rezulton shumë këmbëngulës. Ai aplikoi 25 herë derisa u regjistrua në platformën “PER”

48 mijë të refuzuar

Sipas Celibashit, 48,180 shtetasve shqiptarë nga jashtë u është refuzuar kërkesa dhe nuk kanë mundësi për rishqyrtim. Ata mund të ankohen në gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës deri më 11 prill.  “Nga momenti që i është refuzuar kërkesa, deri në 11 prill mund të paraqesin një ankesë nëpërmjet një platforme online, e cila do të ndërtohet nga KLD, tashmë që edhe kuadri ligjor ia lejon ndërtimin e kësaj platforme, mund të bëhet aplikimi, dhe uroj të funksionojë”, tha Celibashi. Ai nënvizoi se “refuzimet e bëra nga ana e KQZ janë të gjitha të përligjura”.

Më 9 mars shpallet lista paraprake e votuesve nga jashtë dhe vetëm ata që janë regjistruar mund të korrigjojnë adresën deri më 12 mars.

Kur dërgohen fletët për diasporën?

Procesi i dërgimit të fletëve të votimit do të zhvillohet nga data 8 deri më 16 prill, përmes një shërbimi postar të gjurmueshëm. KQZ do të zgjedhë një operator ndërkombëtar, duke përjashtuar postën shqiptare. Celibashi siguroi se integriteti i votës është 100% i garantuar nga momenti i dërgimit deri te numërimi.

Meta deputet nga burgu?

Ndërkohë, një nga çështjet e diskutuara këto kohë është që Ilir Meta do të garojë në listat e sigurta si kandidat i koalicionit të drejtuar nga Sali Berisha, ndërsa ndodhet në paraburgim. Celibashi u shpreh se nuk mund të japë një vendim në këtë fazë, pasi kjo çështje mund të shqyrtohet nga KQZ dhe institucionet e tjera.

Sipas tij, Kushtetuta parashikon se çdo person që shpallet fitues nga KQZ merr mandatin e deputetit, por mbetet për t’u parë në varësi të zhvillimeve.

The post Diaspora në zgjedhje/ Emigranti nga Italia aplikon 25 herë për të votuar   appeared first on Faktoje.al.

Premtimi i Ramës që (s) mban ujë: 24 orë furnizim…

28 February 2025 at 16:45

“Ne do të garantojmë më në fund, më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane të 61 bashkive të vendit dhe uji i pijshëm nuk do të jetë më temë fushatash elektorale dhe përballjesh politike në fushatë”, premtoi kryeministri Edi Rama në mars 2021, i vetëm, përballë një kamere në stilin  “One Men Show”.

Në fakt nuk është ashtu. Sërish ai, me të njëjtin stil, por me formë të ndryshuar në rubrikën “Sy me sy” me ndjekësit, Rama, në periudhë zgjedhjesh e ka përmendur (jo një) por tre herë këtë çështje gjatë muajt Shkurt.

Një herë duke deklaruar se kur erdhi PS-ja në pushtet nuk kishte asnjë zonë me 24 orë ujë të pijshëm, një herë tjetër duke përgënjeshtruar veten se gjetën vetëm katër zona me ujë të pijshëm dhe të tretën herë se si sot Tirana ka 67% të territorit me ujë të pijshëm.

Rama i vitit 2013

“Unë nuk kam folur shumë për ujin e pijshëm e dini pse nuk kam folur? Sepse më vjen turp. Më vjen turp me një histori 20 vjet sa herë ka fushatë do ju japim ujë 24 orë. Pas 20 vitesh prapë ujë nuk ka dhe tetë vjet në pushtet të isha në vendin e tij (Berishës) do kisha ikur, do kisha thënë me falni nuk arrita dot, bëra sa munda po meqë nuk ju solla dot ujë unë nuk e meritoj…”, tha Edi Rama kur kërkonte votat për tu zgjedhur kryeministër për herë të parë.

Në fakt Rama, ndryshe nga sa këshilloi paraardhësin, qëndroi mbi dhjetë vjet në pushtet me premtimin e njëjtë për ujë 24 orë.   

Rama i vitit 2021

Katër vite më parë, kur kërkonte votat për një mandat të tretë Rama përshkruante se kishte gjetur një histori të gjatë të dokumenteve strategjike për sektorin e ujit, duke theksuar se, megjithëse ishin krijuar 23 strategji kombëtare dhe 78 dokumente strategjike (deri në vitin 2013), sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm kishte qenë në kolaps. Rama kritikonte korrupsionin dhe falimentimin e ndërmarrjeve ujësjellësi, duke përmendur gjithashtu se si sistemi i vjetër nuk mund të përballonte kërkesat e një popullsie të përqendruar në qendrat urbane. “Por gjatë kësaj periudhe janë realizuar 320 projekte teknike dhe mbi 200 kantiere për ujësjellës dhe kanalizime në nivel kombëtar, me qëllim sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë për komunitetet urbane që kanë vuajtur për dekada…”, tha Rama në 2021

Rama i vitit 2025

“Dëgjo tani, më hape një temë që më pëlqen shumë. Në vitin 2025 ne flasim për shumë gjëra dhe nëse ty nuk të pëlqen, që ne flasim për ujin, unë po të kujtoj që kjo nuk është e lidhur me ne, dakord. Sepse Shqipëria ujë 24 orë në 2013 ku kemi marrë detyrën ka pasur vetëm në 4 zona. Në 4 zona 24 orë ujë. Sot ka në 43 zona urbane dhe në 98 zona rurale 24 orë ujë. Natyrisht që ka akoma zona të tjera ku duhet shtuar furnizimi”, iu drejtua së fundmi Rama një ndjekësi në rrjetet sociale.

Dje?

Mandatin e tretë qeverisës do të garantoj në disa faza furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë ku është edhe problemi më i madh pasi ka ndodhur edhe përqendrimi më i madh si rezultat i një lëvizje masive të popullsisë në vite që ka sjellë edhe nevojën masive për investime në furnizimin e sistemit me ujë dhe kur them në Tiranë 24 orë ujë brenda mandatit të tretë përfshi Kamzën dhe Vorën, por e njëjta gjë do të ndodhë me Vlorën me Shkodrën, me Durrësin kur s’ka pasur ujë 24 orë kurrë dhe kur sot ka një përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë përfshi Elbasanin, Kukësin dhe vijën turistike të Shqipërisë”, deklaronte Rama në 2021

Sot?

Tirana, i dashur, ka 24 orë ujë në 67% të territorit dhe 17 orë ujë mesatarisht në pjesën tjetër, ndërkohë që vazhdojnë investimet këtu në Tiranë dhe vazhdojnë në tërë Shqipërinë ku, të merremi vesh, nuk ka pasur 24 orë ujë kurrë, asnjëherë, as në kohën e komunizmit dhe ku sot shtohen në vijimësi zonat me 24 orë ujë…”, tha Rama në rubrikën ‘Sy me Sy’ më 23 shkurt.

Duke bërë një krahasim më të kaluarën, kryeministri Rama, me të njëjtën strategji si katër vite më parë, synon të sjellë përceptimin se si sfidat në këtë rast janë duke u adresuar edhe pse premtimi i përsëritshëm për 24 orë mbetet i paplotësuar.

Në tre herë brenda një muaji, kryeministri është përpjekur ta paraqesë këtë progres si sukses të madh (nga 4 zona me ujë në 43 zona urbane dhe 98 zona rurale) pavarësisht se premtimi për furnizim 24 orë me ujë ende nuk është realizuar në gjithë territorin e vendit, edhe pse çmimi është rritur. Ndërkohë, Enti Rregullator i Ujit të fundit raport të publikuar në faqen zyrtare të saj ka bilancin vjetor për vitin 2023

Fushatë e re, propagandë e vjetër

Rama nuk është i vetmi. Ai i ka mëshuar fort Tiranës për ujë 24 orë aty ku është edhe hambari më i madh i votave. Faktoje.al ka nxjerrë disa deklarata të Erion Veliajt ndër vite se si prej vitit 2015 në kohë dhe vite të ndryshme edhe kryebashkiaku i Tiranës ka premtuar 24 orë ujë në Tiranë.

Analiza

“Në lidhje me deklaratat e Ramës, ai ka premtuar ujë 24 orë në tre mandatet deri tani, duke filluar nga 2013. Në 2017 dhe 2021 premtoi ujë 24 orë në ditë për të 61 bashkitë. Sot nxjerr shifra fiktive sikur 67% e Tiranës ka ujë të pijshëm dhe 24 orë, ku as njëra, as tjetra nuk është e vërtetë. E njëjta gjë për deklaratat e Veliajt në të dy mandatet. ‘Sy më sy’ duket si një formë e re propagande në vend të ballafaqimit me faktet dhe llogaridhënies për realizimin e premtimeve përgjatë 3 mandateve deri tani”, thotë për Faktoje.al  politologu Ilir Kalemaj.

Kryeministri Edi Rama për ujin 2013-2015

Rama, 2013

“Unë nuk kam folur shumë për ujin e pijshëm e dini pse nuk kam folur sepse me vjen turp me vjen turp me një histori 20 vjet sa herë ka fushatë do ju japim ujë 24 orë. Pas 20 vjtesh prape ujë nuk ka dhe tetë vjet në pushtet të isha në vendin e tij (Berishes) do kisha ikur do kisha thënë me falni nuk arrita dot, bëra sa munda po meqë nuk ju solla dot ujë unë nuk e meritoj. Do të angazhohemi me mish e me shpirt që ditë- natë çdo shtëpi e këtij vendi të ketë ujë për të pirë dhe për tu larë se kjo e ndan qytetërimin tonë nga Mesjeta nga koha e para Luftes kur nuk kishte as shtet, asgjë, kjo e ndan qytetërimin me shtet nga popull pa shtet që oburra ku të kapim ndonjë curril që të lagim buzët…”

Rama, 2021  

“Me rritjen e buxhetit për ujin me 40% falë jo vetëm buxhetit të shtetit, por edhe mbështetjes që kemi siguruar për këtë sektor jetik nga qeveria gjermane ajo franceze dhe ajo zviceriane ne do të garantojmë më në fund, më në fund 100 përqind ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane të 61 bashkive të vendit dhe uji i pijshëm nuk do të jetë më temë fushatash elektorale dhe përballjesh politike në fushatë”  

Rama, 2025

“Dëgjo tani, më hape një temë që më pëlqen shumë. Në vitin 2025 ne flasim për shumë gjëra dhe nëse ty nuk të pëlqen që ne flasim për ujin, unë po të kujtoj që kjo nuk është e lidhur me ne, dakord. Sepse Shqipëria ujë 24 orë në 2013 ku kemi marrë detyrën ka patur vetëm në 4 zona. Në 4 zona 24 orë ujë. Sot ka në 43 zona urbane dhe në 98 zona rurale 24 orë ujë. Natyrisht që ka akoma zona të tjera ku duhet shtuar furnizimi…”

Deklaratat e Erion Veliajt në vite

Është viti 2015 dhe zona të Tiranës është pa ujë. Çfarë bëri kryetari i komunës kur iku përveçse volli për vete, pse nuk i solli ujë Komunës?!. Tirana pa ujë, Bërzhita pa ujë…

Pas investimeve që nuk është bërë prej 20 e ca vitesh unë besoj se brenda 5 vitesh ne do të kemi ujë 24 orë në Tiranë  

Nëse sikush është i shqetësuar për atë 20 lekëshin mjafton vetëm 10 sekonda që të mbyllë çezmën, sikur 10 sekonda të kursejë ujë në dite as nuk e ndjen fare në faturë të gjithë diferencën e çmimit ama me çmimin sikur të ishim në Bathore do të kemi ujë sikur të ishim në Korcë  

Ambicia jonë është që për pesë vite nga fillimi i këtyre investimeve ne të kemi ujë 24 orë në Tiranë

Brenda 5 viteve ne të kemi ujë 24 orë në Tiranë jo me fjalë, por me të gjitha këto investime.

Kemi hyrë në vitin 2019 që është viti i parë i planit tonë 5 vjecar për ujë 24 orë në Tiranë kështu që në vitin 2024 duhet të kemi ujë 24 orë

Nis kronometri për premtimin tonë Tirana ujë 24 orë

Kemi një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat një peshë e jashtëzakonshme mbi tarraca… Ne nuk duhet te jemi ata që nuk mësojnë nga historia por ata që mësojnë nga historia 

Lajmi i mirë për qytetarët është se fillojmë investimin e fundit të madh, që jo vetëm 70% e Tiranës të ketë furnizim 24 orë, por 100% e Tiranës të furnizohet me ujë

Me afrimin e fushatës, rritet edhe niveli i populizmit. Të gjithë ishim duke pritur ide serioze, si mund të shkojnë punët e qytetit më mirë. E kuptoj që shumë prej tyre nuk ballafaqohen dot me Tiranën që kishte vetëm 10 % ujë, kur ishte vetëm 1/29 e territorit. Sigurisht, nuk krahasohesh dot me Tiranën që ka sot 65 % ujë 24 orë dhe është 29 herë më e madhe.

The post Premtimi i Ramës që (s) mban ujë: 24 orë furnizim… appeared first on Faktoje.al.

❌
❌