BRUKSEL, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane tha se nuk do të pranojë një propozim nga Komisioni Evropian për të rritur buxhetin afatgjatë të BE-së në një vëllim total prej dy trilionë eurosh (2,3 trilionë dollarë) për vitet 2028 deri në 2034.
”Një rritje gjithëpërfshirëse e buxhetit të BE-së nuk është e pranueshme në një kohë kur shtetet anëtare po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të stabilizuar buxhetet e tyre”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius.
“Prandaj, ne nuk do të jemi në gjendje ta pranojmë propozimin e Komisionit”, tha Kornelius.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se buxheti i propozuar ” i drejtohet sfidave të Evropës” dhe “forcon pavarësinë tonë”.
Buxheti i propozuar i Komisionit është afërsisht 700 miliardë euro më shumë se sa është caktuar për periudhën aktuale shtatëvjeçare nga viti 2021 deri në vitin 2027.
Buxheti i bllokut, i quajtur Korniza Financiare Shumëvjeçare, përcakton prioritetet e politikave të Bashkimit Evropian për vitet e ardhshme dhe sa para ndahen në fusha të ndryshme.
Pjesa më e madhe e buxhetit afatgjatë të BE-së financohet nga kontributet e shteteve anëtare, ku secili shtet paguan një përqindje të caktuar të të ardhurave të tij bruto kombëtare.
Si vendi i BE-së me ekonominë më të fortë,Gjermania zakonisht kontribuon pak më pak se një të katërtën e fondeve të disponueshme.
Megjithatë, rritja e propozuar e buxhetit mund të financohet pjesërisht përmes burimeve të reja për të ardhura shtesë, me komisionin që synon të mobilizojë 58,5 miliardë euro të tjera çdo vit.
Komisioni synon të reformojë buxhetin prej trilion eurosh duke u përqendruar më fort në shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe konkurrueshmërinë, duke shtuar burime të reja për të ardhura dhe duke ndryshuar kriteret e financimit.
Në terma konkretë, krahu ekzekutiv i BE-së po propozon një taksë mbi kompanitë e mëdha me një xhiro vjetore prej më shumë se 100 milionë eurosh dhe një taksë mbi mbeturinat elektronike që nuk mblidhen për riciklim, si dhe një pjesë të të ardhurave nga taksat kombëtare të duhanit që të rrjedhin në Bruksel.
Kornelius vazhdoi duke thënë se as kjo nuk u mbështet nga qeveria gjermane, ndërsa ai vlerësoi përpjekjen e Komisionit për reformë dhe rifokusimin e buxhetit në prioritete të reja.
Propozimi do të debatohet dhe ndryshohet nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së.
Negociatat pritet të jenë të gjata dhe të debatueshme./ /Ad.Ab./
The post FOKUS – Gjermania nuk pranon propozimin e KE-së për buxhetin prej dy trilionë eurosh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.