Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 19 July 2025Main stream

BRAZIL – Lula kritikon SHBA-në për sanksionet e vizave të lidhura me gjyqin e Bolsonaros

19 July 2025 at 19:07

BRAZILIA, 19 korrik /ATSH/- Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva e quajti vendimin e SHBA-së për të vendosur ndalime vizash për zyrtarët e përfshirë në gjyqin e ish-presidentit Jair Bolsonaro “arbitrar” dhe “të pabazë” dhe tha se ndërhyrja e huaj në gjyqësor ishte “e papranueshme”, sipas “France24”.

Në një deklaratë , udhëheqësi i majtë tha se veprimi shkelte parimet themelore të respektit dhe sovranitetit midis kombeve.

“Solidariteti dhe mbështetja ime shkojnë për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Federale, të cilët janë prekur nga një tjetër masë arbitrare dhe plotësisht e pabazuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Lula në një deklaratë të postuar në X.

“Ndërhyrja e një vendi në sistemin e drejtësisë të një tjetri është e papranueshme dhe shkel parimet themelore të respektit dhe sovranitetit midis kombeve”, shtoi ai.

Bolsonaro është në gjyq për dyshimin se ka kërkuar të qëndrojë në pushtet duke përmbysur zgjedhjet e vitit 2022 të fituara nga Lula.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes vendosi dje që Bolsonaro duhet të mbajë një pajisje monitorimi elektronike, të qëndrojë në shtëpi natën dhe të qëndrojë larg mediave sociale ndërsa pret vendimin.

Pak orë më vonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës revokuan vizën për Moraes dhe “aleatët” e tij në gjykatë, si dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë.

“Gjykimi politik i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Federale Braziliane, Alexandre de Moraes, kundër Jair Bolsonaros krijoi një kompleks persekutimi dhe censure aq gjithëpërfshirës sa jo vetëm që shkel të drejtat themelore të brazilianëve, por shtrihet edhe përtej brigjeve të Brazilit për të synuar amerikanët”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio në një deklaratë.

Si Trump ashtu edhe Bolsonaro kanë pretenduar se janë viktima të persekutimit politik, dhe shpesh presidenti amerikan ka sulmuar verbalisht gjyqtarët për vendimet e tyre. //a.i/

 

The post BRAZIL – Lula kritikon SHBA-në për sanksionet e vizave të lidhura me gjyqin e Bolsonaros appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

POLONI – Mijëra protestues kundër pranimit të emigrantëve

19 July 2025 at 18:01

VARSHAVË, 19 korrik /ATSH-DPA/- Mijëra njerëz u mblodhën në Varshavë dhe ne rreth 80 qyetete të tjera në të gjithë Poloninë për të protestuar kundër pranimit të emigrantëve.

Tubimet u organizuan nga aleanca politike e ekstremit të djathtë “Konfederata”.

Policia i përshkroi protestat si kryesisht paqësore. Megjithatë, oficerët në Varshavë ndërhynë kur huliganët e ekstremit të djathtë të lidhur me klubin e futbollit “Legia Varshavë” sulmuan një grup kundër-demonstruesish.

“Konfederata”, e njohur për retorikën e saj nxitëse kundër të huajve, personave LGBTQ+ dhe Bashkimit Evropian, përfaqësohet si në Parlamentin polak ashtu edhe në atë evropian.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2025, kandidati i partisë u rendit i treti.

Sondazhet e kryera këtë muaj për portalin e lajmeve Onet.pl sugjerojnë se partia po fiton terren mes pakënaqësisë në rritje me qeverinë aktuale.

Më shumë se 30% e të anketuarve thanë se do të mbështesnin pjesëmarrjen e ekstremit të djathtë “Konfederata” në një koalicion qeverisës të ardhshëm. //a.i/

The post POLONI – Mijëra protestues kundër pranimit të emigrantëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Vdekjet nga dhuna në bastionin druz rriten në 940

19 July 2025 at 17:14

DAMASKË, 19 korrik /ATSH-DPA/- Rreth 940 persona, kryesisht civilë, janë vrarë në dhunën njëjavore në provincën me shumicë druze të Sirisë, Sweida, raportoi sot një monitorues lufte, mes luftimeve të ripërtërira sektare pavarësisht një njoftimi për armëpushim.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se numri i fundit përfshinte 182 persona, midis tyre 26 gra dhe gjashtë fëmijë, të ekzekutuar menjëherë nga forcat qeveritare, ndërsa tre bedouinë u ekzekutuan nga persona të armatosur druzë.

“Dhuna ka marrë jetën e 406 vendasve të tjerë, përfshirë 80 civilë”, sipas observatorit me qendër në Britani të Madhe – që mbështetet në një rrjet gazetarësh brenda Sirisë.

“Ndërkohë, 330 anëtarë të forcave qeveritare u vranë në luftime”, shtoi monitoruesi.

Sweida në Sirinë jugore është përfshirë nga luftimet midis fraksioneve druze dhe bedouinëve myslimanë sunitë mes raportimeve për mizori kundër civilëve.

Pasi, fillimisht u tërhoqën dhe u lejuan forcave lokale të menaxhonin situatën, trupat qeveritare siriane u ridislokuan sot për të ndaluar gjakderdhjen.

Presidenca siriane njoftoi gjithashtu një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të menjëhershëm në të gjithë provincën dhe u bëri thirrje të gjitha palëve ta zbatonin atë.

Megjithatë, Observatori Sirian raportoi se kishin shpërthyer përleshje të reja midis druzëve dhe luftëtarëve fisnorë në lagjet perëndimore të kryeqytetit.

Agjencia shtetërore e lajmeve të Sirisë, SANA, raportoi gjithashtu për përleshje të vazhdueshme brenda qytetit, duke ngritur dyshime mbi armëpushimin.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, tha sot se ndërhyrja izraelite e kishte nxitur Sirinë në një “fazë të rrezikshme”, duke vënë në rrezik stabilitetin e vendit.

Al-Sharaa premtoi mbrojtje për pakicat në vendin e njohur për diversitetin e tij etnik dhe fetar.

“Ne mohojmë të gjitha krimet dhe shkeljet që kanë ndodhur, qoftë brenda apo jashtë Sweida-s. Ne theksojmë rëndësinë e arritjes së drejtësisë dhe zbatimit të ligjit”, tha ai. //a.i/

The post SIRI – Vdekjet nga dhuna në bastionin druz rriten në 940 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AUSTRALI – Qeveria dërgon tanke “Abrams” në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë

19 July 2025 at 16:27

SIDNEJ, 19 korrik /ATSH/- Qeveria e Australisë tha sot se i kishte dorëzuar Ukrainës tanke “M1A1 Abrams” – si pjesë e një pakete prej 245 milionë dollarësh australianë (160 milionë dollarë) për të ndihmuar vendin të mbrohet kundër Rusisë – në luftën e tyre të vazhdueshme, sipas “Reuters”.

Australia, një nga kontribuesit më të mëdhenj jo-anëtarë të NATO-s në Ukrainë, ka ofruar ndihmë, municione dhe pajisje mbrojtëse që kur Moska pushtoi fqinjin e saj në shkurt të vitit 2022.

“Ukraina ka marrë deri më tani, 49 tanke nga Australia, dhe pjesa tjetër do të dorëzohet në muajt e ardhshëm”, tha ministri i Mbrojtjes, Richard Marles.

“Tanket “M1A1 Abrams” do të japin një kontribut të rëndësishëm në luftën e vazhdueshme të Ukrainës kundër Rusisë”, shtoi ai.

“Australia planifikon të vazhdojë me stërvitjen eushtarëe ukrainas, si dhe të dërgojë një avion “E-7A Wedgetail” të Forcave Ajrore Australiane në Evropë në gusht – për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainën”, thuhet në deklaratë.

“Australia mbetet e palëkundur në mbështetjen ndaj Ukrainës dhe në vizionin për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Marles.

Australia ka furnizuar ndihmë dhe pajisje mbrojtëse për Ukrainën që kur Rusia filloi operacionin e saj të posaçëm ushtarak kundër fqinjit të saj në shkurt 2022. Ajo gjithashtu ka vendosur sanksione ndaj Moskës. //a.i/

The post AUSTRALI – Qeveria dërgon tanke “Abrams” në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Bisedë telefonike Fidan-Rubio: Konflikti në Siri duhet të përfundojë tani

19 July 2025 at 15:41

STAMBOLL, 19 korrik /ATSH/- Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan i tha sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një bisedë telefonike se konflikti në Siri duhet të përfundojë menjëherë, tha sot një burim nga Ministria e Jashtme turke, sipas “Reuters”.

“Fidan tha se mbështet rolin konstruktiv që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë në Siri dhe se Turqia është e gatshme të punojë me SHBA-në për të arritur një fund të qëndrueshëm të konfliktit”, sipas burimit.

“Ministri i Jashtëm turk tha se ndërhyrjet e Izraelit në territorin sirian e përkeqësojnë më tej problemin dhe se çdo sulm ndaj integritetit territorial, unitetit dhe sovranitetit të Sirisë gjithashtu minon përpjekjet rajonale për paqe”, tha burimi.

I dërguari i SHBA-së në Turqi tha dje se Izraeli dhe Siria kishin rënë dakord për një armëpushim pas ditësh gjakderdhjeje në zonën kryesisht druze që ka vrarë mbi 300 persona. //a.i/

The post TURQI – Bisedë telefonike Fidan-Rubio: Konflikti në Siri duhet të përfundojë tani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Të paktën 30 të plagosur pasi një automjet përplaset me turmën në Hollivud

19 July 2025 at 15:08

LOS ANXHELES, 19 korrik /ATSH-DPA/- Të paktën 30 persona u plagosën sot në mëngjes kur një automjet u përplas me një turmë njerëzish në Santa Monica Boulevard në Los Angeles, njoftuan shërbimet e emergjencës në Los Anxheles.

Të paktën shtatë persona ishin në gjendje kritike dhe gjashtë të tjerë ishin plagosur rëndë, tha departamenti i zjarrfikësve në një deklaratë online.

Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelesit raportoi të paktën shtatë persona në gjendje kritike dhe gjashtë të tjerë të plagosur rëndë.

Incidenti ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit. Departamenti tha se 124 zjarrfikës ndihmuan në vendngjarje.

Santa Monica Boulevard është një rrugë kryesore në Beverly Hills.

Incidenti ndodhi përpara një vendi me muzikë live, pranë bulevardit.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes treguan një automjet gri të errët me dëmtime të mëdha në pjesën e përparme dhe mbeturina të shpërndara nëpër rrugë. //a.i/

The post SHBA – Të paktën 30 të plagosur pasi një automjet përplaset me turmën në Hollivud appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Dronët ukrainas godasin aeroportet e Moskës dhe rajonet kufitare ruse

19 July 2025 at 14:25

MOSKË, 19 korrik /ATSH-DPA/- Mbrojtja ajrore ruse rrëzoi më shumë se 80 dronë gjatë natës, ndërsa forcat ukrainase sulmuan Moskën dhe rajonet pranë kufirit, raportoi sot Ministria e Mbrojtjes në Moskë.

Banorët e Moskës raportuan shpërthime të mëdha, ndërsa u rrëzuan më shumë se një duzinë dronësh. Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin, kohët e fundit ka raportuar sulme të përditshme me dronë.

Fluturimet në Domodedovo dhe Sheremetyevo, dy aeroportet kryesore të kryeqytetit rus, u ndërprenë në mes të sezonit të pushimeve verore.

“Trafiku hekurudhor u ndërpre në rajonin e Rostovit, në lindje të Ukrainës, pasi fragmente nga dronët e rrëzuar ranë mbi infrastrukturën hekurudhore, duke prekur 50 trena me distanca të gjata dhe trafikun lokal”, raportuan autoritetet.

“Shtëpitë private në Kamensk u përfshinë nga flakët pasi fragmente dronësh ranë mbi to”, raportoi guvernatori i rajonit të Rostovit, Yury Slyusar. Një grua u plagos.

Rajoni i Bryansk në veri të Ukrainës u godit gjithashtu. Detajet e dëmeve nuk u raportuan.//a.i/

The post RUSI – Dronët ukrainas godasin aeroportet e Moskës dhe rajonet kufitare ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Daily Express”: Ekspertët rekomandojnë Shqipërinë si destinacionin më të mirë evropian për pushime

19 July 2025 at 07:34

LONDËR, 19 korrik /ATSH/- Ekspertët e udhëtimeve kanë rekomanduar Shqipërinë si destinacionin më të mirë evropian për pushime në vitin 2025.

Blogeri i njohur i udhëtimeve, ka sugjeruar Shqipërinë si një nga destinacionet “parajsore” për pushime në Evropë, e cila ofron çmime të përballueshme duke përfshirë fluturimin dhe ushqimin, shkruan Danielle Kate Wroe në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Express”.

Të gjithë duam pushime verore me diell, por me kostot e destinacioneve të njohura që rriten çdo vit, të kursesh për pushime në Evropë po bëhet gjithnjë e më sfiduese.

Imagjinoni një destinacion, të quajtur “Maldivet e Evropës”, ku mund të udhëtoni me një çmim shumë më të lirë. Tingëllon joshëse, apo jo?

Shqipëria është pikërisht destinacioni i duhur për pushime idilike.

Një krikëll birrë kushton 1,10 paund. Ekzistojnë gjithashtu mundësi akomodimi për 25 paund nata.

Pse të shkoni në një udhëtim të shtrenjtë veror në Evropë, në Greqi, Itali apo Kroaci, kur mund të vizitoni këtë perlë evropiane?

Një nga vendpushimet më mahnitëse në Shqipëri është Ksamili.

Temperatura mesatare midis muajve maj deri në shtator është 28 gradë Celsius, që do të thotë se është destinacioni perfekt i verës.

Shfrytëzojeni sa më shumë këtë destinacion përpara se të bëhet shumë popullor dhe të rriten çmimet.

Në Ksamil mund të gjeni bare plazhi, jeta e natës është e mrekullueshme dhe perëndimet e diellit janë gjithashtu mbresëlënëse.

“Pasi kam vizituar 100 vende, Shqipëria është padyshim një nga vendet e mia të preferuara”, tha blogeri, Kieran Brown.

“Rezervoni një udhëtim në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, dhe vizitoni Rivierën në jug”, shtoi ai. //a.i/

https://www.express.co.uk/travel/europe/2081574/destination-dubbed-maldives-europe-cheap

 

 

 

The post “Daily Express”: Ekspertët rekomandojnë Shqipërinë si destinacionin më të mirë evropian për pushime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

SHBA – Trump kërkon tarifa minimale deri në 20% ndaj BE-së

18 July 2025 at 22:48

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump po kërkon një tarifë minimale prej 15%-20% për importet nga Bashkimi Evropian, raportoi sot “Financial Times”.

Sipas tre personave të informuar për bisedimet tregtare midis SHBA-së dhe bllokut, Trump ka përshkallëzuar kërkesat e tij pas disa javësh negociatash mbi një marrëveshje të mundshme kornizë.

Me më pak se dy javë deri në afatin e 1 gushtit të Trump, bisedimet midis dy fuqive duket se kanë ngecur.

BE-ja shpresonte për një marrëveshje të ngjashme me atë të Britanisë së Madhe – e cila mbajti një tarifë bazë prej 10% me disa përjashtime në disa sektorë.

Trump shpesh është ankuar për suficitin tregtar prej 198 miliardë eurosh (231 miliardë dollarë) të SHBA-së me BE-në.

Nga ana e tyre, zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se tregtia është shumë më e balancuar kur merren parasysh shërbimet dhe investimet. Ata gjithashtu janë zotuar të rrisin blerjet e naftës dhe gazit për të ngushtuar hendekun tregtar. //a.i/

 

The post SHBA – Trump kërkon tarifa minimale deri në 20% ndaj BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Anëtarësimi i Ukrainës në BE është një rrugë e gjatë

18 July 2025 at 20:01

BERLIN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shuar edhe një herë shpresat e Ukrainës për një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar se procesi mund të zgjasë me vite.

“Prioriteti ynë kryesor, tani është të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha ai në një takim sot me presidentin rumun, Nicusor Dan, në Berlin.

“Pas kësaj, do të fillojnë bisedimet për rindërtimin e Ukrainës. Ky do të jetë një proces që në fund të fundit mund të çojë në anëtarësimin e Ukrainës në BE, por kjo do të zgjasë disa vite”, shtoi Merz.

Ukraina ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2022 dhe kërkon të pranohet shpejt në BE.

“Për sa kohë që Ukraina është nën sulm dhe në gjendje lufte, pranimi në Bashkimin Evropian sigurisht që do të jetë praktikisht i pamundur’, tha kancelari gjerman.

“Megjithatë, qëllimi është ta afrojmë vendin sa më afër BE-së dhe ta lidhim Ukrainën me komunitetin”, tha Merz.

Ukraina ka më shumë se tre vjet që po mbrohet nga pushtimi rus në shkallë të plotë. //a.i/

The post BERLIN – Merz: Anëtarësimi i Ukrainës në BE është një rrugë e gjatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Salvini përballet sërish me gjyq për çështjen e emigrantëve

18 July 2025 at 18:40

ROMË, 18 korrik /ATSH-DPA/- Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini do të dalë sërish në gjyq për çështjen e emigrantëve në 2019.

Një anije OJQ-je e quajtur “Open Arms” e cila mbante 147 emigrantë të kapur në brigjet libiane u pengua të ankorohej në ishullin italian, Lampedusa – me urdhër të Salvinit, i cili ishte ministër i Brendshëm në atë kohë.

Zyra e prokurorit publik tha sot se po apelonte kundër vendimit të mëparshëm të lirimit nga akuzat.

Çështja tani do të shkojë direkt në Gjykatën Supreme të Italisë në Romë. Një datë për gjyqin e ri nuk është caktuar ende.

Si ministër i Transportit dhe zëvendëskryeministër – Salvini është një nga figurat qendrore në koalicionin tripartiak të krahut të djathtë në Romë.

Gjatë kohës kur shërbeu si ministër i Brendshëm në një kabinet të mëparshëm, ai bëri emër ndërkombëtarisht me qëndrimin e tij të ashpër ndaj emigrantëve, veçanërisht atyre që vinin me anije nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë “Liga” ishte në gjyq në Siçili deri në dhjetor të vitit të kaluar – i akuzuar shpërdorim detyre – pasi refuzoi të lejonte ankorimin e një varke shpëtimi emigrantësh në Itali në vitin 2019, kur ai ishte ministër i Brendshëm.

Gjykata në Palermo e liroi Salvinin nga akuzat për privim lirie dhe shpërdorim detyre.

Anija që i përkiste organizatës spanjolle “Open Arms” ishte pranë ishullit, Lampedusa me mbi 160 emigrantë, por nuk u lejua të hynte në port. Njerëzit u hodhën në ujë dhe u përpoqën të notonin deri në breg.

Ajo u lejua të ankorohej vetëm pas një urdhri të një prokurori publik – kundër dëshirës së ministrit.

Italia është një nga vendet evropiane veçanërisht e prekur nga emigrimi përtej detit.

Salvini e ka përshkruar veten si viktimë të një gjyqësori të politizuar dhe e ka akuzuar atë për persekutim të tij për arsye politike.//a.i/

The post ITALI – Salvini përballet sërish me gjyq për çështjen e emigrantëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM vendos sanksione ndaj oficerëve të shërbimeve sekrete ruse

18 July 2025 at 17:55

LONDËR, 18 korrik /ATSH-DPA/- Britania e Madhe ka vendosur sanksione të reja ndaj spiunëve rusë, të cilët, sipas saj, janë përgjegjës për një fushatë disavjeçare të aktivitetit kibernetik keqdashës në BM dhe vende të tjera.

Masat synojnë tre njësi të shërbimeve sekrete ruse (GRU) dhe 18 oficerë të përfshirë në spiunazh dhe hacker-im.

“Sanksionet synojnë një njësi të GRU-së – që zbuloi online informacione për të ndihmuar në shënjestrimin e sulmeve me raketa në Mariupol të Ukrainës, përfshirë atë që shkatërroi teatrin e qytetit me qindra civilë të strehuar”, tha Ministria e Jashtme.

Disa nga oficerët e shërbimeve sekrete të sanksionuar ishin të përfshirë në shënjestrimin e një pajisjeje në pronësi të Yulia Skripal me një program keqdashës të njohur si X-agent.

Kjo ndodhi pesë vjet para përpjekjes në Salisbury për të helmuar Yulia Skripal dhe babanë e saj Sergei Skripal – me agjentin vdekjeprurës nervor “Novichok”.

Helmimi i Sergei dhe Yulia Skripal, i njohur edhe si helmimi i Salisbury-t, ishte një atentat i dështuar për të helmuar Sergei Skripal, një ish-oficer ushtarak rus dhe agjent i dyfishtë për shërbimet sekrete britanike në qytetin, Salisbury, Angli, më 4 mars 2018.

“Spiunët e GRU po zhvillojnë një fushatë për të destabilizuar Evropën, për të minuar sovranitetin e Ukrainës dhe për të kërcënuar sigurinë e qytetarëve britanikë”, tha sekretari i Jashtëm, David Lammy.

Ai tha se BM-ja po ndërmerrte “veprime vendimtare” me sanksionet kundër spiunëve rusë.

“Kërcënimet dhe agresioni hibrid i presidentit rus Vladimir Putinit nuk do ta thyejnë kurrë vendosmërinë tonë. Mbështetja e BM-së dhe aleatëve tanë për Ukrainën dhe sigurinë e Evropës është e patundur”, tha Lammy. //a.i/

The post LONDËR – BM vendos sanksione ndaj oficerëve të shërbimeve sekrete ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DURBAN – G20 deklaratë të përbashkët për çështjet kryesore ekonomike

18 July 2025 at 17:27

DURBAN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Ministrat e Fnancave të G20 kanë rënë dakord për një deklaratë të përbashkët përfundimtare në takimin e tyre në qytetin e Afrikës së Jugut, Durban, për herë të parë që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump mori detyrën për mandatin e tij të dytë.

Dokumenti, i publikuar sot nga presidenca e Afrikës së Jugut pajtohet me sfidat kryesore për ekonominë globale.

Këto përfshijnë luftërat dhe konfliktet e vazhdueshme, mosmarrëveshjet tregtare, ndërprerjet e zinxhirëve globalë të furnizimit, nivelet e larta të borxhit dhe fatkeqësitë natyrore, të cilat, sipas dokumentit, po ndikojnë në rritjen ekonomike, stabilitetin financiar dhe stabilitetin e çmimeve.

Ministrat e Financave të G20 janë takuar disa herë që nga fillimi i vitit, por nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord për një deklaratë të përbashkët në samitet e mëparshme.

Samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të G20 është planifikuar të zhvillohet në metropolin e Afrikës së Jugut, Johanesburg.

Grupi përfshin 19 vende, Bashkimin Evropian dhe Bashkimin Afrikan. //a.i/

The post DURBAN – G20 deklaratë të përbashkët për çështjet kryesore ekonomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – OKB kritikon Gjermaninë pas deportimit të afganëve

18 July 2025 at 16:57

BERLIN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Gjermania dëboi sot 81 afganë në Kabul, një veprim i kritikuar nga organizata e të drejtave të njeriut, OKB.

Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt tha se afganët kishin dënime penale dhe e përshkroi grupin si “shkelës seriozë”.

Avioni që transportonte afganët ishte vetëm deportimi i dytë i tillë nga Gjermania që kur talebanët rimorën pushtetin në gusht 2021 dhe vetëm disa muaj pas ndryshimit të qeverisë në Berlin.

Avioni i “Qatar Airways” u nis nga qyteti, Leipzig dhe një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Talebanëve konfirmoi më vonë se ai ishte ulur në kryeqytetin, Kabul.

Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, kritikoi ashpër deportimet.

“Turk thirrje për një ndalim të menjëhershëm të kthimit me forcë të të gjithë refugjatëve dhe azilkërkuesve afganë, veçanërisht atyre që janë në rrezik persekutimi, ndalimi arbitrar ose torture pas kthimit të tyre”, njoftoi sot zyra e tij në Gjenevë.

“Njerëzit nuk duhet të kthehen në Afganistan. Situata në vend është jashtëzakonisht e tmerrshme”, tha zëdhënësja e zyrës së tij, Ravina Shamdasani.

“Shumë prej tyre kërcënohen me tortura dhe ndëshkim çnjerëzor atje”, tha ajo.

Kur u pyet nëse ka ndonjë ndryshim nëse të deportuarit janë azilkërkues të refuzuar ose kriminelë të dënuar, Shamdasani kujtoi “parimin e mosdëbimit”, i cili ndalon dëbimin, ekstradimin ose deportimin e njerëzve nëse ata janë në rrezik torture, trajtimi çnjerëzor ose shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në vendin e destinacionit. //a.i/

The post NJU JORK – OKB kritikon Gjermaninë pas deportimit të afganëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Njohja diplomatike e talebanëve nuk është në axhendë

18 July 2025 at 16:29

BERLIN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka hedhur poshtë zërat se qeveria e tij po përgatitet të njohë zyrtarisht talebanët në Afganistan.

“Njohja diplomatike e regjimit taleban nuk është fare në axhendë. Nuk mund të ketë diçka të tillë”, u tha Merz sot gazetarëve në Berlin – në konferencën e tij të parë për shtyp gjatë verës si udhëheqës.

Deklarata e Merz erdhi pas deportimit të afganëve – që kur qeveria e tij e koalicionit mori detyrën.

Ai tha se kishte pasur vetëm të ashtuquajturat “kontakte teknike” që përfshinin emiratin e Gjirit të Katarit për t’u përgatitur për deportimin.

“Negociatat rreth avionit, i cili u nis sot në mëngjes  nga Leipzig me 81 afganë në bord drejt Kabulit – ishin zhvilluar prej shumë javësh nga disa qeveritarë federale”, tha Merz.

Gjermania nuk e njeh qeverinë de facto në Afganistan, por nuk i ka ndërprerë kurrë marrëdhëniet diplomatike me vendin.

“Meqenëse ekzistojnë marrëdhënie diplomatike midis shteteve dhe jo midis qeverive, pati një mundësi për të zhvilluar bisedime dhe koordinimi teknik do të vazhdojë për momentin”, shtoi Merz.

Merz falënderoi shprehimisht Emirin e Katarit për ndihmën e tij në lehtësimin e fluturimit të parë si pjesë e deportimit të afganëve.

Avioni mbante njerëz të dënuar për vepra penale që nuk kanë më status qëndrimi në Gjermani.

“Të gjitha kërkesat për azil ishin refuzuar pa mundësi apelimi të mëtejshëm”, theksoi Merz.

Qeveria gjermane nuk ka marrëdhënie zyrtare me talebanët, të cilët janë të izoluar ndërkombëtarisht për shkak të shpërfilljes së të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të grave. //a.i/

The post BERLIN – Merz: Njohja diplomatike e talebanëve nuk është në axhendë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Mirror”: Eksploroni Shqipërinë, perlën evropiane me plazhe mahnitëse, male dhe qytete historike

18 July 2025 at 07:34

LONDËR, 18 korrik /ATSH/- Perla evropiane krenohet me plazhet mahnitëse, malet, qytetet historike dhe trashëgiminë kulturore, shkruan Lauren Haughey në të përditshmen britanike “Mirror”.

Një eksperte udhëtimesh, Jordynn, e cila ndan aventurat e saj në TikTok, ka rekomanduar Shqipërinë si një vend të veçantë, me plazhe marramendëse, male dhe qytete të paharrueshme.

Sipas saj, perla e fshehur është një parajsë edhe për turistët me një buxhet të kufizuar, falë çmimeve të përballueshme për ushqim dhe akomodim.

“Këto nuk janë Filipinet, kjo nuk është Zvicra, nuk është Greqia, kjo nuk është Italia, as Tajlanda! Nuk është as Portugalia! Kjo është Shqipëria”, tha ajo në një postim në TikTok.

“Ky vend na habiti vërtetë. Shqipëria ndodhet midis Greqisë dhe Malit të Zi dhe ju ofron një përvojë kaq të larmishme.. mes maleve, detit të kristaltë dhe të qetë dhe plazheve të mrekullueshme në jug, kulturës dhe historisë së pasur në qytet, qyteteve të vjetra me kalldrëm dhe vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – me çmime të përballueshme”, tha ekspertja.

“Shqipëria i ka vërtet të gjitha. Mund të vizitoni shumë vende: Shkodrën, Valbonën, Thethin, Tiranën, Beratin, Gjirokastrën, Sarandën, Himarën, çdo vend ofron diçka të ndryshme. Qëndrova dy javë në Shqipëri dhe mund të kisha qëndruar lehtësisht një muaj të plotë”, tha ajo.

Edhe pse kaloi vetëm një javë në Shqipëri, Jordynn ndjeu se mund ta kishte zgjatur me kënaqësi qëndrimin e saj në një muaj të plotë, duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e përvojave që ofron ky vend evropian.

Ajo rekomandon një vizitë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, i njohur për muzetë e tij të pasura, ndërtesat historike dhe jetën e gjallë të natës.

Për adhuruesit e plazhit dhe ushqimeve të detit, qyteti bregdetar i Sarandës është gjithashtu një vend që duhet vizituar me patjetër.

Mos humbisni gjithashtu Gjirokastrën – një qytet magjepsës i listuar si Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, rreth një orë larg me makinë nga Saranda.

Byreku është padyshim një nga gatimet më të famshme të Shqipërisë, i cili shpesh mund të blihet në dyqanet lokale.

Turistët që pëlqejnë ëmbëlsirat mund të tundohen gjithashtu nga Bakllavaja e famshme e vendit – një tjetër ushqim i shijshëm me arra e zhytur në shërbet. //a.i/

https://www.mirror.co.uk/travel/inside-affordable-european-gem-cobblestone-35540991

 

 

 

The post “Mirror”: Eksploroni Shqipërinë, perlën evropiane me plazhe mahnitëse, male dhe qytete historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM dhe Gjermania nënshkruajnë traktatin e miqësisë, duke thelluar lidhjet përballë kërcënimeve

17 July 2025 at 22:50

LONDËR, 17 korrik /ATSH/- Kryeministri britanik, Keir Starmer dhe kancelari gjerman Friedrich Merz nënshkruan sot një traktat të rëndësishëm për thellimin e lidhjeve në fusha që variojnë nga mbrojtja te emigracioni – në një përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian, sipas “Reuters”.

Në udhëtimin e tij të parë në Londër si kancelar, Merz e përshkroi traktatin e Kensington si historik, marrëveshja e parë e madhe dypalëshe midis Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për të thelluar bashkëpunimin në mbrojtje dhe për të nxitur rritjen ekonomike në të dy vendet.

Marrëveshja – që do të njihet si Traktati i Kensingtonit – u nënshkrua në muzeun V&A në Londër dhe u nënshkrua gjithashtu nga sekretari i Jashtëm David Lammy dhe homologu i tij gjerman, Johann Wadephul.

“Traktati është një dëshmi e afërsisë së marrëdhënies mes dy vendeve, një deklaratë qëllimi, një deklaratë e ambicies për të punuar gjithnjë e më ngushtë së bashku”, tha Starmer.

Dokumenti detajon marrëveshjen e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për të forcuar sigurinë euroatlantike dhe për të siguruar pengesë efektive kundër agresorëve të mundshëm – përmes forcave të tyre mbrojtëse, si dhe për të synuar përmirësimin e bashkëpunimit mbrojtës në të ardhmen.

Ai gjithashtu rikonfirmon mbështetjen për NATO-n dhe aleatët e NATO-s.

“Kjo është një ditë historike për marrëdhëniet gjermano-britanike”, tha Merz.

“Ne duam të thellojmë bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes, në politikën e jashtme, por edhe në politikën ekonomike dhe të brendshme”, shtoi kancelari gjerman. //a.i/

 

The post LONDËR – BM dhe Gjermania nënshkruajnë traktatin e miqësisë, duke thelluar lidhjet përballë kërcënimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump diagnostikohet me insuficiencë kronike venoze pas ënjtjes së këmbëve

17 July 2025 at 22:19

UASHINGTON, 17 korrik /ATSH/- Shtëpia e Bardhë njoftoi sot se presidenti amerikan, Donald Trump iu nënshtrua një ekzaminimi për ënjtje të këmbëve dhe është diagnostikuar me insuficiencë kronike venoze, sipas CNN.

“Trump, 79 vjeç, iu nënshtrua një ekzaminimi gjithëpërfshirës, duke përfshirë studime diagnostikuese vaskulare”, tha sekretarja e shtypit Karoline Leavitt, duke lexuar një shënim nga mjeku i presidentit.

“U kryen ultratinguj të venave të gjymtyrëve të poshtme dhe u zbulua me insuficiencë kronike venoze, ICD-9, një gjendje e zakonshme, veçanërisht tek individët mbi moshën 70 vjeç”, tha ajo.

“Ekzaminimi erdhi pasi Trump kishte vënë re ënjtje të lehtë në këmbët e tij gjatë javëve të fundit”, tha Leavitt.

Leavitt tha se nuk kishte asnjë shenjë të trombozës së thellë venoze ose sëmundjes arteriale dhe se testet laboratorike të Trump ishin të gjitha brenda kufijve normalë.

“Trump gjithashtu iu nënshtrua një ekokardiograme, e cila nuk gjeti shenja të pamjaftueshmërisë së zemrës, dëmtimit të veshkave ose sëmundjes sistemike”, tha ajo.

Insuficienca kronike venoze është një gjendje në të cilën valvulat brenda venave të caktuara nuk funksionojnë siç duhet – gjë që mund të lejojë që një pjesë e gjakut të grumbullohet në vena.

Rreth 150 000 njerëz diagnostikohen me të çdo vit dhe rreziku rritet me moshën.

Simptomat mund të përfshijnë ënjtje në pjesën e poshtme të këmbëve ose kyçeve të këmbëve, dhimbje ose ngërçe në këmbë, vena me variçe, dhimbje ose ndryshime të lëkurës.

Trajtimi mund të përfshijë ilaçe ose, në fazat e mëvonshme, procedura mjekësore. //a.i/

The post SHBA – Trump diagnostikohet me insuficiencë kronike venoze pas ënjtjes së këmbëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Merz: Gjermania dhe SHBA-ja së shpejti marrëveshje për dërgimin e sistemeve “Patriot” në Ukrainë

17 July 2025 at 20:43

LONDËR, 17 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka shprehur besimin se Gjermania së shpejti do të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë.

Gjatë një vizite sot në Londër, Merz tha se ministrat e Mbrojtjes të dy vendeve po negocionin detajet teknike, duke i përshkruar bisedimet e tyre si “shumë konkrete”.

“Sistemet e mbrojtjes “Patriot”, gjithashtu duhet të transportohen dhe të dislokohen. Kjo nuk është çështje orësh. Është çështje ditësh, ndoshta edhe javësh”, tha Merz.

Sistemet “Patriot” mund të përdoren për të interceptuar avionë, raketa balistike dhe raketa kruz.

Objektivat mund të goditen në një distancë prej rreth 100 kilometrash dhe në lartësi deri në 30 kilometra.

Deklarata e Merz vjen pas vizitës së ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius të hënën në Uashington, gjatë së cilës ai u takua me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Plani fillestar i Gjermanisë ishte të blinte dy sisteme “Patriot”, secili me një kosto prej rreth 1 miliard eurosh (1,16 miliardë dollarë) nga SHBA-ja dhe t’i dorëzonte ato direkt në Ukrainë.

Megjithatë, meqenëse sistemet nuk janë ende të disponueshme, forcat e armatosura të Gjermanisë, ose Bundeswehr, tani planifikojnë t’i dorëzojnë Ukrainës dy nga nëntë sistemet e mbetura “Patriot” – dhe më vonë të marrin zëvendësime nga SHBA-ja. //a.i/

The post LONDËR – Merz: Gjermania dhe SHBA-ja së shpejti marrëveshje për dërgimin e sistemeve “Patriot” në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump diskuton mega-marrëveshjen për dronët me Ukrainën

17 July 2025 at 20:05

UASHINGTON, 17 korrik /ATSH/- Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky po shqyrtojnë një marrëveshje që përfshin blerjen e dronëve ukrainas të testuar në fushëbetejë nga Uashingtoni – në këmbim të blerjes së armëve amerikane nga Kievi, tha sot Zelensky në një intervistë për “New York Post”.

Zelensky tha se bisedimet e tij të fundit me Trump ishin fokusuar në një marrëveshje që do të ndihmonte secilin vend të forconte teknologjinë e tij ajrore.

Dronët ukrainas kanë qenë në gjendje të godasin objektiva deri në 800 milje (1,300 km) në territorin rus.

“Populli i Amerikës ka nevojë për këtë teknologji dhe ju duhet ta keni atë në arsenalin tuaj”, tha Zelensky.

Udhëheqësi ukrainas tha se dronët ishin mjeti kryesor që i ka lejuar vendit të tij të luftojë pushtimin rus për më shumë se tre vjet.

“Ne do të jemi të gatshëm ta ndajmë këtë përvojë me Amerikën dhe partnerë të tjerë evropianë”, tha ai.

“Gjithashtu, Ukraina po zhvillon bisedime me Danimarkën, Norvegjinë dhe Gjermaninë”, tha ai.

Zelenskiy njoftoi sot marrëveshje të paspecifikuara të ardhshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ai tha se do ta forconin vendin e tij.

Kërkesa e vitit të ardhshëm për buxhetin e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare të SHBA-së rrit shpenzimet për blerjen e dronëve – pjesërisht për shkak të mësimeve të nxjerra gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë – ku avionët pa pilot kanë treguar se janë një pjesë integrale e luftimeve me kosto të ulët, por shumë efektive. //a.i/

The post SHBA – Trump diskuton mega-marrëveshjen për dronët me Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌