Për 20 vjet me radhë, nga 2004 deri më 2024, kompania Bankers Petroleum ka eksportuar naftë bruto në një vlerë të jashtëzakonshme prej 5.3 miliardë euro.
Por ky është vetëm fillimi i një operacioni që ka gllabëruar miliona nga nëntoka e shqiptarëve.
Në dy dekada aktivitet intensiv në sektorin më strategjik të ekonomisë shqiptare, Bankers është kompania që nuk ka rezultuar asnjëherë me fitim. Asnjëherë të vetme! Përkundrazi, ka deklaruar humbje, duke justifikuar para autoriteteve shqiptare një total shpenzimesh prej rreth 6.8 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare, bilanci përmbyllet me një humbje prej rreth 116 milionë euro.
Përkthimi i kësaj skeme të vetëdeklaruar është brutal: shteti shqiptar nuk ka përfituar asnjë të ardhur tatimore nga ky aktivitet shumëmiliardësh. Zero fitim për buxhetin e shtetit, ndërkohë që thesari natyror i vendit është eksportuar pa mëshirë.
Mega-afera që trondit themelet e shtetit
Këto fakte janë tronditëse. Janë shifra që mjaftojnë për të lënë gojëhapur çdo qytetar, por edhe çdo skeptik. Ajo që ka ndodhur me Bankers është, pa asnjë dyshim, mega-afera më e madhe dhe më e pacipë në historinë e Shqipërisë postkomuniste.
Për afro 20 vjet, shumat marramendëse që janë nxjerrë nga nëntoka e shqiptarëve kanë përfunduar – të paktën sipas të gjitha indicieve – në financimin e një mekanizmi të sofistikuar korrupsioni, ku duket se është përfshirë një pjesë e mirë e administratës tatimore dhe zinxhiri institucional i shtetit shqiptar.
Kjo nuk mund të ketë ndodhur pa dijeninë e shtetit. Përkundrazi, ka indicie serioze që shteti jo vetëm ka qenë në dijeni, por ka heshtur me dashje, e ndoshta, sipas disa zërave, me urdhër politik, përballë grabitjes spektakolare të pasurisë publike.
Kutia e Pandorës: Hetimi që mund të fundosë një sistem të tërë
Burime konfidenciale konfirmojnë se Prokuroria e Fierit ka hapur një hetim që ka tronditur themelet e këtij sistemi të fshehtë. Edhe pse nuk dihet saktësisht se si nisi procedimi penal, një gjë është e sigurt: është hapur kutia e Pandorës.
Sipas të dhënave hetimore, në këtë aferë të dyshuar janë të përfshira:
• Një rrjet i gjerë kompanish fantazmë,
• Dhjetëra firma kontabilistësh dhe ekspertësh financiarë,
• Zyra konsulence dhe ligjore me emër dhe lidhje politike,
• Biznese të mëdha dhe të mesme shqiptare dhe të huaja,
• Madje edhe shoqëri ndërkombëtare nga gjysma e globit, të gjitha të përfshira në falsifikimin e kontratave dhe fryrjen e shpenzimeve të Bankers.
Ka mes emrave të “ekspertëve” ish-ministra apo ish-drejtues të lartë të shtetit shqiptar që jo krejt rastësisht kanë qenë të angazhuar me menaxhimin apo ekspertizën e Bankers.
Skema ishte e qartë dhe e përsëritur: Bankers frynte fiktivisht shpenzimet me qëllim që në fund të çdo viti të deklaronte bilanc me humbje, duke shmangur kështu detyrimet tatimore për tatim fitimi. Por nuk mbaron këtu: kompania përfitonte edhe rimbursime të TVSH-së, duke e kthyer mashtrimin në përfitim të dyfishtë.
Në këtë sistem kriminal janë përdorur kontrata fiktive, dokumente të falsifikuara dhe transaksione mashtruese, të realizuara me ndihmën e individëve dhe kompanive vendase dhe të huaja.
Shkelja e ligjit është flagrante
Ligji është i qartë: një kompani që del me humbje, duhet të shpallet në faliment. Por Bankers ka operuar për 20 vjet me humbje të vetëdeklaruara, pa asnjë pasojë ligjore. Asnjë nga ekspertët kontabël apo zyrat juridike me të cilat Bankers ka operuar nuk e kanë parë të arsyeshme të shpallin falimentin, duke e shndërruar kompaninë në një gjigand të abuzimit me financat, por që për çudi nuk i binte në sy askujt.
Aktualisht, Prokuroria ka ngritur akuza të rënda, si:
• Krijimi i skemave mashtruese për tatimin mbi vlerën e shtuar,
• Fshehja e të ardhurave,
• Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale,
• Shpërdorimi i detyrës,
• Moskryerja e detyrave nga organet tatimore.
Ajo që e bën këtë çështje edhe më dramatike janë përmasat e skemës kriminale: një sistem i tërë, i ngritur në mënyrë të qëllimshme dhe të strukturuar, për të grabitur pasurinë publike me bekimin e heshtur të shtetit.
Këto janë parametrat e një grupi të strukturuar kriminal, që për nga shkalla, kohëzgjatja dhe përfshirja, duhet t’i kalojë urgjentisht në juridiksionin e SPAK-ut. Vetëm ky institucion ka kompetencën dhe mjetet për të hetuar një krim të kësaj natyre dhe përmasash.
Testi i madh për drejtësinë shqiptare
Ky hetim është ndoshta prova më e madhe që është paraqitur ndonjëherë para drejtësisë shqiptare. Ai do të testojë jo vetëm kurajën e prokurorëve të zakonshëm, por sidomos integritetin dhe vendosmërinë e SPAK-ut.
Interesat që preken janë të mëdha: financiare, politike, shtetërore, madje dhe mediatike. Sepse mes rreshtave ka interesa të epërfolura të televizioneve kombëtare. Por ky është momenti i së vërtetës. Nuk ka çast më të përshtatshëm për drejtësinë shqiptare për të treguar se funksionon, që nga faturat e “rigonit dhe qumështit” të shitësve ambulantë, deri te miliardat e naftës shqiptare të zhdukura në ajër. (VNA.al)
The post Skandali “Bankers”/Si u gllabërua nëntoka e shqiptarëve pa paguar një qindarkë për shtetin first appeared on JavaNews.al.