Nuk ndalen sulmet izraelite në Gaza, viktima e të plagosur
Agjencia për Mbrojtjen Civile në Gaza raportoi se sulmet izraelite vranë të paktën 26 persona dhe lanë të plagosur mbi 100 të tjerë pranë dy qendrave të ndihmës në jug të territorit palestinez. Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Basal i tha AFP-së se 22 vetë u vranë në jugperëndim të Han Junisit dhe 4 të tjerë në afërsi të një qendre në veriperëndim të Rafahut, duke fajësuar “sulmet izraelite”. Ushtria izraelite bëri të ditur se po heton këto pretendime.
Për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj mediave ndërkombëtare, raportimet për numrin e viktimave dhe detajet për sulmet e raportuara, nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Lufta në Gaza, që më 7 tetor 2023 u nxit nga sulmi ndaj Izraelit i kryer nga Hamasi, grup palestinez i shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare në enklavën palestineze.
Mbi 2 milion persona që jetojnë në Gaza po përballen me mungesa të furnizimeve ushqimore e të furnizimeve të tjera elementare. Në anën tjetër, mjekët kanë raportuar për rritje të madhe të rasteve të kequshqyerjes.
Raportimet për sulmet ndaj personave që kërkojnë ndihma pranë qendrave të shpërndarjes janë të përditshme dhe autoritetet palestineze fajësojnë Izraelin lidhur me këto raste. Një ditë më parë, Agjencia për Mbrojtjen Civile në Gaza bëri të ditur se ishin 9 persona që mbetën të vrarë pranë qendrës për shpërndarjen e ndihmës në veriperëndim të Rafahut.
Fondacioni Humanitar për Gazën e që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, mori përsipër shpërndarjen e ndihmës në Gaza në fund të muajit maj. Ky fondacion deklaroi se të mërkurën e kaluar, 20 persona vdiqën në Han Junis. Por, për vdekjen e tyre, fondacioni fajësoi “personat e armatosur të lidhur me Hamasin” duke pretenduar se ata shkaktuan “skena kaotike e të rrezikshme”, si dhe “qëlluan drejt personave që kërkonin ndihma”.
Më herët gjatë javës që po lëmë pas, Kombet e Bashkuara njoftuan se kanë regjistruar 875 të vrarë në Gaza. Ata po tentonin të merrnin ndihma dhe mes tyre ishin 674 që kanë humbur jetën “në afërsi të qendrave të Fondacionit Humanitar për Gazën”, që kur ky fondacion nisi operacionet për shpërndarjen e ndihmës. / abcnews.al