Paketa e maleve, Musabelliu: 1600 aplikime kryesisht për bujtina dhe agroturizëm
TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Rreth 1 600 persona kanë shprehur interes për t’u regjistruar në vetëm shtatë ditët e para të thirrjes për investime në skemën e paketës së maleve.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, u shpreh se ka një interes të madh si nga investitorët vendas, ashtu edhe të huaj për të aplikuar në Paketën e Maleve.
Në një intervistë për mediet, Musabelliu tha se “Paketa e Maleve” është një iniciativë ligjore e qeverisë për të mundësuar zhvillimin e ekonomisë malore, e cila për një periudhë të gjatë ka mbetur e pazhvilluar për shkak të mungesës së titujve të pronësisë.
“Të gjithë individët e interesuar mund të shprehin interesin për të zhvilluar një parcelë apo një zonë të caktuar në kuadër të zbatimit të këtij ligji. Deri tani janë rreth 1600 aplikime për shprehje interesi që janë bërë në zona të ndryshme të Shqipërisë“, tha Musabelliu.
Ai vuri në dukje se “nga aplikimet që na kanë ardhur, më shumë interes paraqitet për agroturizmin, blegtoria, bujtinat si dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre”.
Sipas tij, ky projektligj i jep mundësi njësoj si qytetarëve shqiptare që jetojnë brenda vendit apo atyre që kanë emigruar që të aplikojnë dhe të kenë një mundësi për të zhvilluar aktivitete ekonomike në zonat malore.
Programi është një nga politikat e reja që mbështet sipërmarrjet në zonat më pak të zhvilluara. Musabelliu nënvizoi se kjo nismë ka sjellë optimizëm dhe besim nga investitorët. Qeveria e konsideron këtë paketë si një instrument për rigjallërimin e zonave malore. /j.p/
The post Paketa e maleve, Musabelliu: 1600 aplikime kryesisht për bujtina dhe agroturizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.