Ndotja e Vjosës nga Albpetroli: AKM e dënon, IKMT e mbron
Përgjigjet zyrtare nga autoritetet konfirmojnë një realitet të dhimbshëm për ndotjen me naftë të Vjosës. Kompanitë shtetërore si Albpetrol ndotin pa pasoja, ndërsa qeveria dhe institucionet mbeten ose pasive, ose kontradiktore në qëndrimet e tyre.
Propaganda e gjelbër me Vjosën
Përmes një videoje në Facebook, Kryeministri Rama njoftoi të martën për hapjen e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës. Videoja përcillte sekuenca nga ujërat e kristalta “të mbretëreshës së lumenjve të Evropës”.
Në mbishkrim, Rama theksoi se Vjosës mund t’i jepet mbrojtje e denjë “vetëm përmes një koordinimi të ngushtë”. Videoja, me të njëjtin mesazh u shpërnda edhe nga ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro dhe faqja zyrtare e ministrisë.
Por nëse marrim në analizë veprimet dhe mosveprimet e qeverisë, ky mesazh nuk është i sinqertë. Përkundrazi, është pjesë e propagandës së dy viteve të fundit – pas shpalljes së Parkut Kombëtar – që e ka vizatuar qeverinë si “miqësore me mjedisin”.
Në të vërtetë, vetë qeveria e kryeministrit Rama nuk koordinohet me palët e tjera sa i përket mbrojtjes së Vjosës. Ajo ka shtyrë – edhe me ndryshime ligjore – zhvillimin e një aeroporti në Akërni të Vlorës.
Qendra “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit natyror në Shqipëri” (PPNEA), e ka kundërshtuar projektin pasi dëmton ekosistemin e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë. Prej një viti e gjysmë çështja ka ngecur në Gjykatën e Lartë, në pritje të zbardhjes së vendimit që e rikthen atë për rigjykim në Apel.
Nga ana tjetër, qeveria ka heshtur përballë denoncimeve të fundit nga organizatat RiverWatch, EcoAlbania dhe Euronatur sa i takon ndotjes së Vjosës me naftë, bitum apo dhe mbetje urbane.

IKMT relativizon ndotjen me naftë të Vjosës
Në një përgjigje me shkrim për Citizens.al, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) pranon se nuk ka kryer asnjë inspektim mjedisor gjatë viteve 2024-2025 në zonën e Gorishtit apo Selenicës, zona të ekspozuara ndaj ndotjes industriale nga hidrokarburet dhe bitumi.
IKMT shkon më tej duke thënë se nuk ka vendosur asnjë masë administrative ndaj Albpetrolit dhe nuk ka njoftuar as Ministrinë e Mjedisit apo Prokurorinë, edhe pse pamjet e ndotjes që u bënë publike në media provuan dëme të dukshme në një zonë të mbrojtur si Parku Kombëtar i Vjosës.
Grupi i punës së këtij inspektorati duket të jetë mjaftuar me deklaratat e bëra nga përfaqësuesit e Albpetrolit, sipas së cilëve depozitimet e hidrokarbureve në përroin e Gorishtit “janë akumuluar gjatë një periudhe kohore shfrytëzimi rreth 60 vjet ku nuk ka pasur asnjë rehabilitim të shtratit të lumit”.
Sipas IKMT-së, ndotja nuk është rezultat i një defekti teknik, por e depozitimit ndër vite të mbetjeve të naftës pranë përroit.
“Nuk ka ndodhur asnjë avari në sistemin e depozitimit dhe transmetimit që të shkaktojë rrjedhjen e hidrokarbureve,” tha IKMT për Citizens.al bazuar nga verifikimet dhe kontaktet me përfaqësuesit e Albetrolit.

AKM: 50 mijë euro gjoba ndaj Albpetrolit për ndotje të përsëritura
Ndryshe nga IKMT, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), përmes një përgjigjeje zyrtare, pohon se vetëm në dy vitet e fundit Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM) Fier ka vendosur katër masa administrative ndaj Albpetrolit, për shkak të:
- shkarkimit të ujërave të patrajtuara me mbetje hidrokarbure.
- trajtimit të papërshtatshëm të mbetjeve të rrezikshme.
- mungesës së dokumentacionit të monitorimeve periodike.
- moszbatimit të kushteve të lejes mjedisore.
ARM e Fierit rezulton ta ketë gjobitur Albpetrolin me 500,000 lekë në periudhën shtator-tetor 2022, me 2,000,000 lekë në periudhën shtator 2023, me 1,500,000 lekë në dhjetor 2023 dhe 1,000,000 lekë në periudhën shtator-tetor 2024.
Kjo përgjigje nxjerr në pah një kontrast të dukshëm me qëndrimin e IKMT, e cila, ndonëse kishte para syve situatën në terren, nuk mori asnjë masë dhe nuk denoncoi rastin në organet ligjzbatuese.
Vjosa, Park Kombëtar vetëm në letër
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, kompania Albpetrol dhe Prokuroria e Vlorës nuk i janë përgjigjur deri tani kërkesave për informacion nga Citizens.al.
Kjo heshtje thellon dyshimet dhe mosbesimin mbi nivelin e “koordinimit institucional” për të cilin apelon sot qeveria. Gjithashtu thekson mungesën e transparencës për çështjet me pasoja mjedisore.

Në kushtet kur një pjesë e institucioneve tregojnë indiferencë dhe pjesa tjetër pranon shkelje të përsëritura, përgjegjësia për ndotjen e Parkut Kombëtar të Vjosës nuk mund të mbetet një çështje e diskutueshme mes zyrash. Ajo kërkon veprim të menjëhershëm ligjor dhe institucional.
Rasti i fundit në Gorisht përforcon bindjen se statusi i parkut kombëtar për Vjosën nuk po shoqërohet me mbrojtje reale në terren. Ndotjet nga industria e naftës vazhdojnë të ndodhin në mënyrë të përsëritur, shpesh pa kontroll dhe më së shumti pa pasoja për ndotësit.
Kjo situatë kërkon që Prokuroria, Ministria e Mjedisit dhe institucionet e tjera përgjegjëse të mos mjaftohen me përgjigje formale, por të garantojnë hetim të plotë, ndëshkim të shkelësve dhe masa të menjëhershme për rehabilitimin e zonës.
Lexoni gjithashtu:
The post Ndotja e Vjosës nga Albpetroli: AKM e dënon, IKMT e mbron appeared first on Citizens.al.