PL: Sistemi i drejtësisë, instrument politik për ndëshkimin e opozitës
TIRANË, 19 korrik/ATSH/ Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu u shpreh sot se “sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i kapur dhe përdoret si instrument politik për ndëshkimin e opozitës dhe mbrojtjen e pushtetit”.
“Drejtësia me regji në Shqipëri dokumentohet qartë në raportin e prezantuar në Kongresin e SHBA për përdorimin e 270 mln euro te USAID nga Soros për të kapur drejtësinë dhe burgosur opozitën”, u shpreh Haxhiu në një deklaratë për mediet.
Sipas saj, “sot kjo nuk është më vetëm një denoncim i opozitës”.
“Kjo është një e vërtetë e dokumentuar dhe e artikuluar qartazi në Kongresin Amerikan, ku u ekspozua para botës ajo që shqiptarët e ndiejnë çdo ditë: drejtësia në Shqipëri ka rënë peng i një regjie politike të sponsorizuar nga fondet ndërkombëtare, por e kontrolluar nga një dorë e vetme: Edi Rama”, shtoi ajo.
Haxhiu theksoi se “me dhjetëra milionë dollarë nga USAID dhe fondacione të afërta me Soros-in u përdorën për të ndërtuar një sistem drejtësie që nuk lufton korrupsionin, por mbron korrupsionin në pushtet”.
“Partia e Lirisë qëndron krah qytetarëve dhe çdo individi që dhunohet nga ky sistem i kalbur. Dhe kjo përballje nuk është vetëm për Ilir Metën, është për çdo shqiptar që kërkon një vend me dinjitet, liri dhe të drejtë. Koha e drejtësisë me regji po shkon drejt fundit”, tha ajo.
/m.m/
The post PL: Sistemi i drejtësisë, instrument politik për ndëshkimin e opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.