Pas muajve të tërë me simptoma të paqarta dhe të lodhshme, Lisa Mehmeti, themeluesja e komunitetit mbështetës “Tip1omel”, u përball me një nga momentet më të vështira të jetës së saj: diagnostikimin me diabet të tipit 1.
Për të ky ishte një rrugëtim i mbushur me paqartësi, ndjenja izolimi dhe frikë, por që sot ajo e ka kthyer në një mision për të ndihmuar të tjerët që përballen me të njëjtën sfidë.
Në një rrëfim për Telegrafin, Lisa Mehmeti ka treguar për ndjesitë e para që kishte kur kuptoi diagnozën dhe si arriti të menaxhonte stresin dhe ankthin.
“Pas shumë muajsh me simptoma të lodhshme dhe të paqarta, lodhje, etje të madhe, humbje peshe, shkova në shumë kontrolle dhe analiza, por asnjë mjek nuk po e kuptonte saktë çfarë kisha,” tregon Lisa.
Ishte një moment i papritur që ndryshoi gjithçka për të.
“Ishte gjyshja ime ajo që sugjeroi ta kontrolloja sheqerin në gjak, sepse simptomat i kujtonin asaj dikë tjetër në familje”, shprehet Lisa e duke shtuar se gjyshja e saj kishte të drejtë, analiza e glukozës konfirmoi diagnozën: diabet tip 1.
Për Lisen, ky lajm ishte një përzierje emocionesh.
“Ndihesha e lehtësuar që më në fund e dija çfarë po më ndodhte, por nga ana tjetër isha e tronditur dhe e frikësuar për çfarë do të sillte kjo diagnozë në të ardhmen”, thotë ajo.
Jeta e saj ndryshoi menjëherë. Lisa duhej të mësonte një mënyrë tjetër të jetesës.
“Duhej të mësoja të monitoroja glukozën, të bëja injeksione me insulinë dhe të isha shumë më e vëmendshme ndaj ushqimit që haja. Çdo ditë kërkonte shumë kujdes. Ishte si të mësoja një mënyrë të re jetese nga e para,” rrëfen ajo.
Por përtej përballjes fizike, ajo më e vështira për të ishte pjesa emocionale.
“Në fillim, ndihesha shumë e izoluar. Askush rreth meje nuk e kuptonte vërtet çfarë po përjetoja. Më kapnin ankth e frikë, veçanërisht natën, nga frika se mos më binte sheqeri në gjumë”, tregon Lisa Mehmeti.
Lisa shton se me kalimin e kohës, mësoi ta pranonte atë që tashmë ishte bërë pjesë e jetës së saj dhe ta menaxhonte më mirë, por për të emocionalisht ishte një sfidë e përditshme.
Një prej momenteve më të rënda që ka përjetuar ishte gjatë një kampingu në det.
“Kisha kaluar gjithë ditën duke notuar… natën, përjetova një hiperglikemi ekstreme, aq e rëndë sa fillova të shoh halucinacione. Ishte një përvojë shumë e frikshme dhe e pashpjegueshme në moment,” kujton ajo.
Që prej atij incidenti, Lisa është shumë më e kujdesshme.
“Gjithmonë mbaj me vete glukozë, dhe përpiqem të mos jem vetëm në situata të rrezikshme”.
Kjo përvojë e vështirë e shtyu Lisen të krijojë “Tip1omel”, një komunitet mbështetës për personat me diabet tip 1, me qëllim që askush të mos ndjehet i vetëm në këtë rrugëtim.
“Mbështetja më e vlefshme për mua është mirëkuptimi nga familjarët dhe miqtë, kur ata e kuptojnë që diabeti nuk është vetëm çështje ‘sheqeri’, por prekje e çdo aspekti të jetës,” shprehet Lisa.
Ajo thekson edhe rëndësinë e mbështetjes emocionale për personat e prekur me çfarëdo lloj sëmundje, e veçanërisht të prekurit me diabet.
“Do të më ndihmonte shumë të kisha më shumë akses në këshillim psikologjik për të mësuar të përballoj stresin dhe ankthin që lidhet me sëmundjen”, tha Lisa.
Sot, përmes “Tip1omel”, Lisa Mehmeti nuk është më vetëm dhe nuk lejon që as të tjerët të jenë.
Ajo është bërë zëri i atyre që shpesh mbeten të padukshëm në betejën e përditshme me diabetin. /Telegrafi/
“Ky artikull është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së”.
The post Nga ankthi i përditshëm tek forca e brendshme – rrugëtimi emocional me diabetin i Lisa Mehmetit appeared first on Telegrafi.