Real Madrid-Barcelona, “pakt” për Rodrygon
Barcelona po përgatit një lëvizje të bujshme që mund të ndezë sërish rivalitetin historik me Real Madridin.
Sipas mediumit brazilian UOL Esporte, klubi katalanas ka hyrë në kontakt me ndërmjetës për të shprehur interesimin për Rodrygo Goes, një nga yjet aktualë të madrilenëve.
Një transferim i tillë do të ishte sensacional, jo vetëm për shkak të cilësive të brazilianit, por edhe për faktin se do të thyente një “barrikadë” të mbajtur gati tri dekada.
Që nga viti 1996, askush nuk ka kaluar direkt nga Real Madridi te Barcelona. I fundit ishte Luis Enrique, i cili kaloi në Camp Nou si lojtar i lirë, duke shkaktuar një tërmet emocionesh në Madrid.
Ai nuk e fshehu asokohe se nuk ndihej i vlerësuar nga tifozët madrilenë, edhe pse kishte bërë mbi 150 paraqitje për Los Blancos.
Tashmë, historia mund të përsëritet – por këtë herë me Rodrygon në rolin kryesor. Lojtari brazilian është përfolur prej javësh për një largim të mundshëm nga Santiago Bernabeu, sidomos pas transferimit të Kylian Mbappé dhe konkurrencës në rritje në repartin ofensiv.
Lexo po ashtu: Chelsea i ofron Real Madridi dy lojtarë për Rodrygon
Burimet nga UOL Esporte thonë se për momentin nuk ka bisedime zyrtare mes klubeve, por Barcelona ka dërguar sinjale se është e gatshme të hyjë në negociata nëse Rodrygo vendos të kërkojë një aventurë të re gjatë kësaj vere.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Barça po tenton të përforcojë sulmin me çdo kusht. Prej javësh është raportuar se klubi katalanas po përparon gjithashtu me një marrëveshje për Marcus Rashford, në formë huazimi me të drejtë blerjeje – por Rodrygo mbetet një emër më intrigues për tifozët, për shkak të potencialit dhe përplasjes historike që do sillte një kalim nga Madridi në Camp Nou.
Nëse kjo marrëveshje realizohet, mund të shkaktojë një tjetër “tërmet” në futbollin spanjoll dhe të rikthejë një kapitull të harruar të transferimeve të ndjeshme mes dy gjigantëve të La Ligës. /Telegrafi/
The post Real Madrid-Barcelona, “pakt” për Rodrygon appeared first on Telegrafi.