Vengu: Rivlerësim strategjik i Mbrojtjes sipas objektivave të samitit të NATO-s
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një takim me Komandën e Forcës Tokësore.
Ministri Vengu tha se ka nisur puna për Rivlerësimin Strategjik të Mbrojtjes (RSM), me fokus modernizimin e forcave dhe arritjen e objektivave të kapaciteteve të vendosura në Samitin e NATO-s në Hagë.
Sipas Vengut, “dy janë përparësitë kryesore të vendosura dhe ato janë planifikimi transparent bazuar në prioritetet reale, duke marrë parasysh modernizimin e mjeteve, pajisjeve dhe sistemeve përmes industrisë “Made in Albania” nga municionet dhe armatimi i lehtë deri tek mjetet e blinduara, mjetet e emergjencave civile, artileria e rendë, dronët luftarakë, dhe sistemet kundër-ajrore”.
“Zhvillimin dhe specializimin e burimeve njerëzore mbështetur në infrastrukturë të re akademike, rritje të trajtimit financiar dhe promovimit të karrierës ushtarake për të rinjtë shqiptarë. Vëmendje të posaçme do të marrë fuqizimi i Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe i Komandës Kibernetike si dy shtylla të ekselencës tonë ushtarake”, tha Vengu, krahas modernizimit të Mbrojtjes civile dhe kontrollit të territorit duke investuar në flotën ajrore, atë tokësore, dhe sistemet e monitorimit dhe komandimit kontrollit në kohë reale.
Përparësia e dytë, sipas ministrit të Mbrojtjes, është përmbushja e angazhimeve në NATO, duke përditësuar Planin Zhvillimor të FARSH, me një kalendar të qartë investimesh që shoqërojnë rritjen e buxhetit të Mbrojtjes në mënyrë graduale deri në 3.5% të PBB-së.
Gjithashtu, Vengu u shpreh se “vijon puna me të gjitha komandat dhe kompanitë e prodhimit ushtarak për të ndërtuar një Forcë të Armatosur të aftë dhe të përgatitur për sfidat e së nesërmes”.
/e.i/j.p/
The post Vengu: Rivlerësim strategjik i Mbrojtjes sipas objektivave të samitit të NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.