TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Situata e zjarreve në vend vijon të jetë shqetësuese, me një numër të lartë vatrash të përhapura në disa zona.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive.
Disa prej tyre ndodhen në zona të mbrojtura dhe me terrene të vështira, ku përhapja e flakëve po rrezikon pyje dhe sipërfaqe të mëdha me bimësi.
Zjarret janë regjistruar në bashkitë Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Roskovec, Vlorë, Himarë, Tepelenë, Përmet, Kurbin, Mirditë, Elbasan, Korçë, Selenicë, Kavajë, Kamëz, Tiranë, Shijak, Krujë dhe Malësi e Madhe.
Ndër vatrat ende aktive, në Dibër e Lurës, në zonën e “Liqenit të Luleve”, janë dy vatra, një në “Fusha e Pelave” dhe një tjetër mbi fshatin Gurë-Lurë që ndodhet nën monitorim.
Në Bulqizë, në njësinë Zerqan, një vatër është aktive në zonën e fshatit Krajkë, ku ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit.
Në Mat, në zonën e Zall Gjoçajt, Përroi i Zi, flakët janë përhapur në një zonë të mbrojtur me pisha dhe ah, ndërsa ndërhyrja është e kufizuar për shkak të relievit të thepisur.
Në fshatin Dovolan të Maqellarës, zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt Pejkës dhe zonave përreth Drinit të Zi.
Në Mallakastër, në fshatin Belishovë, zjarri i ardhur nga zona e Drenovës vijon të jetë aktiv.
Në Vlorë, në “Qafën e Shën Gjergjit” mbi Dukat, është riaktivizuar një vatër në majen e Paliskës, ku janë angazhuar forca vendore, Forcat e Armatosura dhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri, pasi flakët po rrezikojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë.
Në Tepelenë, në zonën pranë Beçishtit, afër antenave celulare, zjarri është nën monitorim.
Në Kurbin, në Shkopet të Milotit, pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur ende izolimi i plotë i flakëve, ndërsa janë djegur rreth 65 hektarë pyje.
Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq të Librazhdit, një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë një pyll me gështenja.
Në total është djegur një sipërfaqe prej mbi 90 hektarësh, kryesisht me shkurre dhe bimësi të ndryshme.
Për shuarjen e vatrave janë angazhuar 44 automjete zjarrfikëse dhe 620 forca operacionale.
Vetëm gjatë ditës së sotme janë angazhuar 167 trupa të FA-së, 21 automjete me ekuipazh dhe 1 helikopter.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë nga afër situatën dhe bëjnë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët në këtë periudhë me temperatura të larta dhe rrezik të lartë zjarresh.
/r.e/
The post Zjarret në vend, 32 vatra në 24 orët e fundit, ndërhyrje nga ajri në Parkun e Llogorasë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.