“Nuk kam ngrënë për pesë ditë, dua vetëm ushqim”, apeli prekës i një gruaje palestineze
Bllokada izraelite në Gaza ka çuar në uri masive.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se të paktën 70 fëmijë kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja që nga marsi i vitit 2025.
Në raportin e saj, ministria paralajmëroi se qindra banorë janë pranë vdekjes pasi kanë kaluar periudha të gjata pa ushqim të duhur, duke vënë në dukje se spitalet po marrin një numër në rritje pacientësh që vuajnë nga kequshqyerja akute dhe lodhja e rëndë fizike.
“Ushqimi tani është një përparësi më e lartë se ilaçi”, zbuloi Suhaib al-Homs, drejtor i spitalit të specializuar fushor të Kuvajtit në Khan Younis, duke u kërkuar aktorëve ndërkombëtarë të veprojnë shpejt për të parandaluar vdekje të mëtejshme.
Rrjeti i OJQ-ve Palestineze e përshkroi situatën aktuale si fazën më të keqe të krizës humanitare në Gaza deri më tani, duke ia atribuar kushtet asaj që e quajtën një “politikë sistematike të urisë”.
Sa e dëshpëruar është situata në Rripin e Gazës u tregua edhe nga fjalimi tronditës i një gruaje të uritur, e cila mezi flet ndërsa shpjegon se nuk ka ngrënë për pesë ditë.
“Nuk kam ngrënë për pesë ditë. Dua vetëm ushqim. Eca pak dhe ndjeva marramendje, stomaku im është bosh”, tha gruaja.
A displaced, starving Palestinian woman:
“I haven’t eaten in 5 days. I just want food. I walk a little and feel dizzy — my stomach is empty.” pic.twitter.com/IRNg6DN7yq
— Clash Report (@clashreport) July 19, 2025
Ndryshe, një burim në spitalin Al-Aksa në Gaza tha se një fëmijë katërvjeçar palestinez vdiq nga ndërlikimet e shkaktuara nga kequshqyerja dhe uria.
Drejtori i Spitalit al-Shifa tha se dy palestinezë, përfshirë një foshnjë 35 ditëshe, vdiqën nga uria në spital së fundmi.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) bëri thirrje për heqjen e menjëhershme të kufizimeve që pengojnë ndihmën shpëtimtare të arrijë në Gaza, duke thënë se ka furnizime ushqimore për të mbështetur të gjithë popullsinë e territorit për më shumë se tre muaj.
“UNRWA ka ushqim të mjaftueshëm për të gjithë popullsinë e Gazës për më shumë se tre muaj, të ruajtur në depo, përfshirë këtë në Al Arish, Egjipt, në pritje të hyrjes”, tha agjencia.
Pavarësisht se ka sisteme furnizimi dhe logjistike, agjencia tha se qasja mbetet e bllokuar.
“Hapni dyert, hiqni rrethimin, lejoni UNRWA-në të bëjë punën e saj dhe të ndihmojë njerëzit në nevojë, përfshirë një milion fëmijë”, kërkoi ajo. /Telegrafi/
The post “Nuk kam ngrënë për pesë ditë, dua vetëm ushqim”, apeli prekës i një gruaje palestineze appeared first on Telegrafi.