Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2025Main stream

Shqipëri, 9 vatra zjarri mbeten ende aktive

20 July 2025 at 11:41

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive.

Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Roskovec, Vlorë, Himarë, Tepelenë, Përmet, Kurbin, Mirditë, Elbasan, Korçë, Selenicë, Kavajë, Kamëz, Tiranë, Shijak, Krujë dhe Malësi e Madhe.

Aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:

* Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, zjarri po zhvillohet në dy vatra të ndara – një në “Fusha e Pelave” aktive dhe tjetra mbi fshatin Gurë-Lurë nën monitorim.

* Bulqizë: Në “Livadhi i Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër aktive mbi fshatin Krajkë, në terren të vështirë me shkurre dhe dushqe.

* Mat: Në Zall Gjoçaj (“Përroi i Zi”), zonë e mbrojtur me pisha dhe ah; relievi i thyer e vështirëson ndërhyrjen.

* Dibër: Në Dovolan (Maqellarë), zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt Pejkës dhe zonës pranë Drinit të Zi.

* Mallakastër: Në fshatin Belishovë, zjarri i ardhur nga Drenova vijon aktiv.

* Vlorë: Në “Qafa e Shëngjergjit”, mbi Dukat (Orikum), është riaktivizuar një vatër në majën e Paliskës. Janë angazhuar forca vendore, FA dhe helikopteri.

* Tepelenë: Në afërsi të Beçishtit, pranë antenave celulare, zjarri është nën monitorim.

* Kurbin: Në Shkopet (Milot), pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur izolimi i zjarrit; janë djegur rreth 65 ha pyje.

* Elbasan/Librazhd: Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq, zjarri ka përfshirë pyll gështenje me përmasa të mëdha.

Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 90 hektarësh të djegur.

Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë 44 automjete zjarrfikëse dhe 620 forca operacionale, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 110 efektivë, 5 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Ditën e sotme janë angazhuar 167 trupa të FA-së, 21 automjete me ekuipazh dhe 1 helikopter./tch/

The post Shqipëri, 9 vatra zjarri mbeten ende aktive appeared first on Telegrafi.

Zbulohen barna të kontrabanduara në Gjilan dhe Viti, vlera mbi 4 mijë euro

20 July 2025 at 11:31

Task Forca e përbashkët mes Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës ka zbuluar një rast të kontrabandës me barna gjatë një operacioni kontrolli në dy barnatore në qytetet e Gjilanit dhe Vitisë.

Sipas një komunikate zyrtare, gjatë kontrollit të detajuar në ambientet e brendshme të barnatoreve janë gjetur dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme barnash, për të cilat nuk ishte paraqitur asnjë dokumentacion doganor.

Autoritetet dyshojnë se këto produkte janë futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës, duke shmangur procedurat zyrtare të importit dhe detyrimet doganore.

“Vlera e barnave të sekuestruara kap shumën mbi 4000 euro. Dogana e Kosovës ka nisur tashmë procedurat hetimore ndaj pronarit të subjektit afarist dhe ka njoftuar organet përkatëse për veprimet e mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim.

Task Forca mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës, mbrojtjen e tregut të ligjshëm dhe sigurinë e qytetarëve. /Telegrafi/

The post Zbulohen barna të kontrabanduara në Gjilan dhe Viti, vlera mbi 4 mijë euro appeared first on Telegrafi.

Nga ankthi i përditshëm tek forca e brendshme – rrugëtimi emocional me diabetin i Lisa Mehmetit

20 July 2025 at 11:19

Pas muajve të tërë me simptoma të paqarta dhe të lodhshme, Lisa Mehmeti, themeluesja e komunitetit mbështetës “Tip1omel”, u përball me një nga momentet më të vështira të jetës së saj: diagnostikimin me diabet të tipit 1.

Për të ky ishte një rrugëtim i mbushur me paqartësi, ndjenja izolimi dhe frikë, por që sot ajo e ka kthyer në një mision për të ndihmuar të tjerët që përballen me të njëjtën sfidë.

Në një rrëfim për Telegrafin, Lisa Mehmeti ka treguar për ndjesitë e para që kishte kur kuptoi diagnozën dhe si arriti të menaxhonte stresin dhe ankthin.

“Pas shumë muajsh me simptoma të lodhshme dhe të paqarta, lodhje, etje të madhe, humbje peshe, shkova në shumë kontrolle dhe analiza, por asnjë mjek nuk po e kuptonte saktë çfarë kisha,” tregon Lisa.

Ishte një moment i papritur që ndryshoi gjithçka për të.

“Ishte gjyshja ime ajo që sugjeroi ta kontrolloja sheqerin në gjak, sepse simptomat i kujtonin asaj dikë tjetër në familje”, shprehet Lisa e duke shtuar se gjyshja e saj kishte të drejtë, analiza e glukozës konfirmoi diagnozën: diabet tip 1.

Për Lisen, ky lajm ishte një përzierje emocionesh.

“Ndihesha e lehtësuar që më në fund e dija çfarë po më ndodhte, por nga ana tjetër isha e tronditur dhe e frikësuar për çfarë do të sillte kjo diagnozë në të ardhmen”, thotë ajo.

Jeta e saj ndryshoi menjëherë. Lisa duhej të mësonte një mënyrë tjetër të jetesës.

“Duhej të mësoja të monitoroja glukozën, të bëja injeksione me insulinë dhe të isha shumë më e vëmendshme ndaj ushqimit që haja. Çdo ditë kërkonte shumë kujdes. Ishte si të mësoja një mënyrë të re jetese nga e para,” rrëfen ajo.

Por përtej përballjes fizike, ajo më e vështira për të ishte pjesa emocionale.

“Në fillim, ndihesha shumë e izoluar. Askush rreth meje nuk e kuptonte vërtet çfarë po përjetoja. Më kapnin ankth e frikë, veçanërisht natën, nga frika se mos më binte sheqeri në gjumë”, tregon Lisa Mehmeti.

Lisa shton se me kalimin e kohës, mësoi ta pranonte atë që tashmë ishte bërë pjesë e jetës së saj dhe ta menaxhonte më mirë, por për të emocionalisht ishte një sfidë e përditshme.

Një prej momenteve më të rënda që ka përjetuar ishte gjatë një kampingu në det.

“Kisha kaluar gjithë ditën duke notuar… natën, përjetova një hiperglikemi ekstreme, aq e rëndë sa fillova të shoh halucinacione. Ishte një përvojë shumë e frikshme dhe e pashpjegueshme në moment,” kujton ajo.

Që prej atij incidenti, Lisa është shumë më e kujdesshme.

“Gjithmonë mbaj me vete glukozë, dhe përpiqem të mos jem vetëm në situata të rrezikshme”.

Kjo përvojë e vështirë e shtyu Lisen të krijojë “Tip1omel”, një komunitet mbështetës për personat me diabet tip 1, me qëllim që askush të mos ndjehet i vetëm në këtë rrugëtim.

“Mbështetja më e vlefshme për mua është mirëkuptimi nga familjarët dhe miqtë, kur ata e kuptojnë që diabeti nuk është vetëm çështje ‘sheqeri’, por prekje e çdo aspekti të jetës,” shprehet Lisa.

Ajo thekson edhe rëndësinë e mbështetjes emocionale për personat e prekur me çfarëdo lloj sëmundje, e veçanërisht të prekurit me diabet.

“Do të më ndihmonte shumë të kisha më shumë akses në këshillim psikologjik për të mësuar të përballoj stresin dhe ankthin që lidhet me sëmundjen”, tha Lisa.

Sot, përmes “Tip1omel”, Lisa Mehmeti nuk është më vetëm dhe nuk lejon që as të tjerët të jenë.

Ajo është bërë zëri i atyre që shpesh mbeten të padukshëm në betejën e përditshme me diabetin. /Telegrafi/

“Ky artikull  është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së”.

The post Nga ankthi i përditshëm tek forca e brendshme – rrugëtimi emocional me diabetin i Lisa Mehmetit appeared first on Telegrafi.

Defekt në luhatëse në Skenderaj – gjashtë persona pësojnë lëndime trupore, përfshirë tre fëmijë

20 July 2025 at 09:40

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës rreth orës 23:20 në rrugën “Fatmir Dibra” në Skenderaj, ku gjashtë persona përfshirë tre të mitur, kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një defekti në një luhatëse.

Sipas Policisë së Kosovës, lëndimet u shkaktuan kur pajisja u prish papritur dhe të pranishmit u rrëzuan nga lartësia.

Të lënduarit fillimisht u dërguan në Qendrën Emergjente në Skenderaj, ndërsa tre prej tyre për shkak të natyrës së lëndimeve janë transferuar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Mitrovicës.

Lidhur me rastin, janë intervistuar dy persona të dyshuar, pronari dhe një punëtor i atraksioneve të lojërave, të cilët janë liruar më pas me vendim të prokurorit në procedurë të rregullt.

Policia ka nisur hetimet nën dyshimin për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. /Telegrafi/

The post Defekt në luhatëse në Skenderaj – gjashtë persona pësojnë lëndime trupore, përfshirë tre fëmijë appeared first on Telegrafi.

Rama: Vijon sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë

19 July 2025 at 23:31

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama tregon produktet e bllokuara në 6 ditë nga institucionet pasi tregtoheshin pa faturë.

Sipas kryeministrit, në gjashtë ditët e para të aksionit për kontrollin e tregut nga ushqimet që shiten pa faturë janë sekuestruar në total 32 ton produkte bulmeti, qumësht dhe mish.

janë kapur në total 32 ton produkte bulmeti, qumësht dhe mish.

“Vijon pa pushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund!”, shkruan kryeministri Rama në Facebook. /Telegrafi/

The post Rama: Vijon sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë appeared first on Telegrafi.

Vodhën cigare dhe mbi 4 mijë euro, arrestohen një burrë dhe një grua në veri të Mitrovicës

19 July 2025 at 23:19

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për një vjedhje të rëndë që ndodhi në një kioskë në rrugën “Kral Petri” në veri të Mitrovicës.

Sipas raportit, persona të panjohur hynë me forcë në objekt dhe vodhën 141 paketa cigare dhe një shumë parash me vlerë rreth 4,700 euro.

Pas një hetimi të shpejtë, njësitë policore identifikuan dhe arrestuan dy të dyshuarit: E.H., 44 vjeç, mashkull, dhe S.M., 39 vjeç, femër.

“Të njëjtit janë arrestuar në qytetin e Mitrovicës së Veriut, ku gjatë kontrollit në lokacionin e tyre janë gjetur dhe sekuestruar 141 pako (boksa) me cigare, të cilat dyshohen se janë të vjedhura”, thuhet në njoftim.

Të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të Prokurorit, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedurë penale për veprën “vjedhje e rëndë”.

Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë të sigurojë rendin dhe ligjin, duke u angazhuar që çdo shkelës të marrë përgjegjësinë ligjore dhe të mbrojë sigurinë e qytetarëve. /Telegrafi/

 

The post Vodhën cigare dhe mbi 4 mijë euro, arrestohen një burrë dhe një grua në veri të Mitrovicës appeared first on Telegrafi.

Shqelma, grushte e kapje për flokësh – përleshen disa vajza në një pompë derivatesh në rrugën për në Matiçan

19 July 2025 at 23:14

Një rrahje mes disa vajzave ka ndodhur të shtunën mbrëma pranë një pompe derivatesh.

E gjithë ngjarja ka ndodhur rrugës për në Matiçan të Prishtinës, ku siç shihet në pamje, të përfshirat janë shkulur për flokësh dhe kanë shpërndarë grushte mes vete.

Pamjet janë siguruar nga Gazeta Express, teksa nuk dihet nëse ka të arrestuar.

Telegrafi ka provuar të marrë informacione nga Policia e Kosovës, por të njëjtit nuk janë përgjigur deri më tani. /Telegrafi/

The post Shqelma, grushte e kapje për flokësh – përleshen disa vajza në një pompë derivatesh në rrugën për në Matiçan appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 19 July 2025Main stream

Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit

19 July 2025 at 21:28

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, sonte në Prizren ka prezantuar publikisht kandidatin e partisë së tij për kryetar komune.

Në një ngjarje të mbajtur në sheshin Kej, përballë Xhamisë së Sinan Pashës në qendër të Prizrenit, u bë e ditur se kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025 është Artan Abrashi.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se Abrashi është një figurë me vizion, i ndershëm dhe punëtor, duke theksuar se Vetëvendosje po hyn në këto zgjedhje me një ekip të fortë dhe një program të qartë për ndryshim dhe përparim në qytet.

Zyrtarët e partisë bënë të ditur se gjatë fushatës zgjedhore do të ketë takime të tjera me qytetarët në të gjitha lagjet e Prizrenit. /RTK/

The post Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

Ilir Poroshtica zyrtarizohet kandidat i GUXO-s për kryetar të Gjilanit

19 July 2025 at 21:04

Partia GUXO ka zyrtarizuar kandidaturën e arkitektit të njohur Ilir Poroshtica për Kryetar të Komunës së Gjilanit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e partisë, Donika Gërvalla, përmes një postimi publik.

“Arkitekti i njohur, qytetari shembullor dhe njeriu i mirë dhe punëtor i këtij vendi, Ilir Poroshtica, do të jetë kandidat për Kryetar të Gjilanit nga Partia GUXO,” ka shkruar Gërvalla, duke e cilësuar kandidaturën si një hap serioz drejt zhvillimit të komunës.

Sipas saj, Poroshtica po hyn në këtë garë me “vendosmërinë dhe sigurinë, por edhe me modestinë e një profesionisti kulminant”, duke theksuar se “fituesit e vërtetë do të jenë qytetarët e Gjilanit”.

Ilir Poroshtica është i njohur në Gjilan si arkitekt dhe sipërmarrës i suksesshëm, me projekte të shumta në sektorin privat.

“Si një menaxher i shkëlqyer, këtë përvojë dhe sukses ai dëshiron ta sjellë edhe në sektorin publik”, tha Gërvalla, duke shtuar se për këtë i duhet besimi i qytetarëve të mrekullueshëm të Gjilanit/

Ajo theksoi gjithashtu se një nga synimet kryesore të ekipit të Poroshticës do të jetë “tërheqja e personaliteteve me përvojë në administratë dhe profesionistëve të fushave të ndryshme”.

“Gjilanit i duhet një ekip i tillë dhe një frymë e tillë. Dhe kjo frymë po vjen me Ilirin”, ka shkruar Gërvalla. /Telegrafi/

The post Ilir Poroshtica zyrtarizohet kandidat i GUXO-s për kryetar të Gjilanit appeared first on Telegrafi.

Humb jetën 32-vjeçari në Shëngjin, ra në kontakt me rrymën dhe pastaj u rrëzua nga skelet

19 July 2025 at 19:42

Një 32-vjeçar ka humbur jetën pasditen e sotme teksa po montonte disa skela në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit pranë bustit “Willson”.

Sipas policisë, sot rreth orës 16:45 dyshohet se 32-vjeçari me iniciale Z.L ka rënë nga lartësia si pasojë e kontaktit me rrymën dhe ka humbur jetën.

Ndërkaq, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 16:45, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, pranë bustit “Ëillson”, dyshohet se, si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike, ka rënë nga lartësia e një skele dhe ka humbur jetën shtetasi Z. L., 32 vjeç, banues në fshatin Mërqi, Lezhë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë./rtsh/

The post Humb jetën 32-vjeçari në Shëngjin, ra në kontakt me rrymën dhe pastaj u rrëzua nga skelet appeared first on Telegrafi.

Forcat shqiptare të KFOR-it në stërvitje të përbashkët me NATO-n në Pejë

19 July 2025 at 19:34

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka njoftuar se efektivët e Batalionit Komando, pjesë e Misionit KFOR 07 në Komandën Rajonale Perëndimore po stërviten në Pejë.

“Efektivët e Batalionit Komando, pjesë e Misionit KFOR 07 në Komandën Rajonale Perëndimore (RC-ë), vazhdojnë të tregojnë profesionalizëm dhe përkushtim jo vetëm në përmbushjen e detyrave operacionale, por edhe në stërvitjet e përbashkëta me aleatët tanë të NATO-s”, thuhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Facebook.

Stërvitja HELI MEDEVAC, ishte e fokusuar në evakuimin mjekësor ajror. /Telegrafi/

The post Forcat shqiptare të KFOR-it në stërvitje të përbashkët me NATO-n në Pejë appeared first on Telegrafi.

Zjarret në Shqipëri – 4 vatra ende aktive, dëme të mëdha në pyje dhe ullishte

19 July 2025 at 19:06

Situata me zjarret mbetet ende problematike në vendin tonë. 20 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit. 4 prej tyre vijojnë të jenë ende aktive.

Në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës janë dy vatra zjarri, njëra po zhvillohet në drejtim të Lurës, ndërsa tjetra nga krahu i Malit të Dejës.

Në zonën e “Malit të Peladhisë”, pjesë e Bashkisë Bulqizë është aktive një tjetër vatër zjarri e zhvendosur në lartësinë mbi fshatin Krajkë, e cila është në terren të vështirë.

Në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër, vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe, midis kufirit ndarës të fshatit Drenovë, Belishovë, dhe fshatit Gorishovë.

Në fshatin Borsh, bashkia Himarë, mbrëmjen e së premtes vatra e zjarrit është riaktivizuar. Gjatë natës efektivët kanë qëndruar në vendngjarje për të monitoruar situatën, por mëngjesin e së shtunës vatra e zjarrit është riaktivizuar përsëri, në një sipërfaqe me shkurre pranë banesave, e cila vështirëson ndërhyrjen, pasi është terren i vështirë.

52 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe rreth 90 rrënjë ullinj janë djegur si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë vendin tonë në 24 orët e fundit.

Për shuarjen e zjarreve u angazhuan 32 automjete zjarrfikëse dhe 275 forca operacionale.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast se konstatojnë një vatër zjarri./tch/

The post Zjarret në Shqipëri – 4 vatra ende aktive, dëme të mëdha në pyje dhe ullishte appeared first on Telegrafi.

U takuan pa zhurmë, përfundon takimi Kurti–Limaj

19 July 2025 at 16:49

Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj duket se kanë përfunduar takimin e shumëpërfolur këto ditë.

Ende nuk dihen detaje nëse ka pasur dakordim për ndonjë marrëveshje për të dalë nga kriza politike.

Megjithatë, Kurti është parë duke u larguar nga ambientet e një restoranti në lagjen Pejton të kryeqytetit, shumë afër selisë së NISMA-s.

Pamjet nga largimi i Kurtit janë publikuar nga mediumi “Nacionale”.

Kujtojmë se NISMA vijon të këmbëngulë për postin e kryeparlamentarit, siç deklaroi edhe deputetja Xhevahire Izmaku, e cila theksoi se Limaj në krye të Kuvendit është “mundësia më e mirë për vendin”.

Ndërkaq LVV nuk ka bërë të ditur nëse do të mund ta ndryshoj emrin e Albulena Haxhiut.

Afati për formimin e institucioneve përfundon më 26 korrik. Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se, në mungesë të marrëveshjes lënda do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. /Telegrafi/

The post U takuan pa zhurmë, përfundon takimi Kurti–Limaj appeared first on Telegrafi.

BE e shqetësuar për vonesat në Kosovë, Plani i Rritjes me afat të kufizuar

19 July 2025 at 16:37

Zyrtarët e Komisionit Evropian shprehin shqetësim për faktin se në Kosovë ende nuk janë formuar institucionet, gjë që po vonon ratifikimin e marrëveshjeve të nevojshme për zbatimin e Planit të Rritjes.

Kosova ka të drejtë të përfitojë nga fondet e parafinancimit menjëherë pasi të ratifikohen të gjitha marrëveshjet, por për këtë duhet së pari të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria e re.

“Plani i Rritjes është instrument me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që vendi të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ky Plan ofron për qytetarët e tij,” – thuhet në mesazhin e Komisionit Evropian.

Po ashtu, theksohet se vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve, mund të bëhet lirimi i fondeve.

Plani i Rritjes konsiderohet si paketa më ambicioze e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Bëhet fjalë për një fond prej 6 miliardë eurosh, që do të shpërndahet në formë grantesh dhe kredish me kushte të favorshme.

Në raport me numrin e banorëve, Kosova pritet të jetë përfituesja më e madhe, me mbi 880 milionë euro që mund të përfitojë nga kjo paketë./RTK/

The post BE e shqetësuar për vonesat në Kosovë, Plani i Rritjes me afat të kufizuar appeared first on Telegrafi.

Ramabaja: Krahu i SHIK-ut po përpiqet që takimi Kurti–Limaj të dështoj, por urtësia politike do të fitojë

19 July 2025 at 16:16

Analisti politik Sadri Ramabaja, ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke ngritur shqetësimin për përpjekjet e disa qarqeve për të penguar takimin e paralajmëruar ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Sipas Ramabajës, është linja e SHIK-ut ajo që po tenton ta sabotojë këtë takim, duke vepruar përmes ndikimit të saj brenda Kuvendit të Kosovës dhe partive politike, veçanërisht në PDK dhe LDK.

“Linja e SHIK-t, krahu rigjid i tij në Kuvendin e Kosovës dhe brenda partive (me theks PDK-së dhe LDK-së), edhe në minutat e fundit, po angazhohet që ta bëjë takimin Kurti–Limaj të dështuar”, shkruan Ramabaja.

Më tej, Ramabaja vlerëson se kjo linjë po përpiqet t’ia faturojë përgjegjësinë për një dështim të mundshëm Kurtit.

“Madje duke trumpetuar e paragjykuar për këtë si fajtor km Albin Kurti”, shkruan ai.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, analisti shpreh bindjen se liderët Kurti dhe Limaj do të arrijnë një marrëveshje dhe do ta kapërcejnë këtë sfidë politike me maturi dhe vizion.

“Urtësia politike e dyshes Kurti–Limaj do të ngadhënjejnë edhe në këtë përballje dhe ata do të arrijnë marrëveshjen që sot”, shprehet Ramabaja.

Ramabaja e sheh këtë bashkëpunim të mundshëm si bazë për formimin e qeverisë së re dhe një hap të rëndësishëm në mbrojtje të interesit shtetëror.

“Qeveria Kurti 3 po vije si produkt edhe i patriotizmit kushtetues të këtyre dy liderëve tanë. Mirënjohje!”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

The post Ramabaja: Krahu i SHIK-ut po përpiqet që takimi Kurti–Limaj të dështoj, por urtësia politike do të fitojë appeared first on Telegrafi.

Një thikë 13 euro dhe një gabim që i kushtoi me burg – rrëfimi i 18-vjeçarit të dënuar për tentim vrasje

18 July 2025 at 23:43

Në episodin e sontëm të emisionit “Prapa Grilave” në TV Dukagjini, gazetari Lirion Lloazani solli rrëfimin e 18 vjeçarit i cili është dënuar për tentim vrasje.

Në moshën kur shumica e të rinjve mendojnë për shkollën, sportin apo ëndrrat e së ardhmes, një 16-vjeçar nga Kosova bleu një thikë për 13 euro dhe e përdori për të therur një bashkëmoshatar.

Sot, në moshën 18-vjeçare, ai ndodhet në Institucionin Korrektues të Lipjanit në vuajtje të dënimit prej dy vitesh për tentim vrasje.

Ngjarja kishte ndodhur në maj të vitit 2023, si pasojë e një konflikti të vogël mes vëllait të tij dhe disa të rinjve të tjerë.

Ai thotë se shoqëria e ka shtyrë të reagojë, pa menduar për pasojat.

Ishte Ramazan, dhe sapo ishte kthyer nga puna me gjyshin. E mori thikën, shkoi në vendin ku pritej dhe në momentin kur bashkëmoshatari e shtyu, humbi kontrollin dhe e goditi tre herë me thikë – në bark, mushkëri dhe gjoks.

“Vetëm një moment adrenalina më mori. Nuk kam mendu as për vdekje, as për burg. Kur e pashë gjakun, më erdhi vetëdija. I ndihmova, e thirra ambulancën”, ka rrëfyer ai.

Ai thotë se nuk e ka pasur zakon të mbajë thikë me vete, por e kishte blerë menjëherë para ngjarjes në një lokal në qendër të qytetit, pa asnjë pyetje nga shitësi. Ky fakt ngre alarmin për lehtësinë me të cilën të miturit mund të blejnë armë të ftohta.

“Lokali është i hapur, nuk të pyet kush as pse po e don. Jam kanë 16 vjet, pagova 13 euro edhe e mora. Edhe sot mundesh me shku e me ble pa problem”, ka rrëfyer ai.

Ky i ri, i cili kishte nisur përdorimin e marihuanës në moshën 14-vjeçare, thotë se ndikimi i saj, bashkë me shoqërinë e gabuar, e shtyu drejt një rrjedhe të rrezikshme. Megjithëse familja dhe madje edhe psikologët e shkollës kishin tentuar ta ndalonin, ai thotë se ndikimi më i madh vinte nga jashtë shtëpisë.

Pasi u arrestua, fillimisht iu shqiptua një dënim prej tre vitesh, por më pas Apeli ia uli në dy.

Në burg, thotë se ka marrë mësime të rëndësishme dhe është transformuar.

“Këtu kam marrë zanate, rregulla për jetë, më ka ndihmu me u ndal prej substancave. E kam kuptu gabimin. Tash i mendoj senet 2-3 herë”, ka thënë ai.

Tutje i dënuari e pranon fajin dhe i kërkon falje të miturit që e ka lënduar dhe familjes së tij.

Rrëfimi i tij është një pasqyrë e drejtpërdrejtë e një realiteti të ashpër me të cilin po përballen të rinjtë – ku mjafton një moment zemërimi dhe një objekt i mprehtë për të shkatërruar jetën e dikujt, apo të vetvetes.

“I kërkoj falje familjes së tij dhe familjes time. Kam qenë barrë për ta një vit e pesë muaj. Tash dua vetëm me punu, me i qëndru afër familjes dhe me i qëndru larg drogës e armëve”, ka thënë ai.

Ky është rrëfimi i një 18-vjeçari që thotë se është i rehabilituar dhe që planifikon një të ardhme ndryshe. Por mbi të gjitha, ky është një kujtim i dhimbshëm për atë që ndodhi kur një fjalë, një shoqëri e gabuar dhe një thikë u bënë bashkë – dhe për pak sa nuk shkaktuan një vrasje të vërtetë./Dukagjini/

The post Një thikë 13 euro dhe një gabim që i kushtoi me burg – rrëfimi i 18-vjeçarit të dënuar për tentim vrasje appeared first on Telegrafi.

Deputeti gjerman kërkon që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së sa më shpejt

18 July 2025 at 23:21

Deputeti i SPD-së, Adis Ahmetoviq ka bërë thirrje që Gjermania të rrisë ndjeshëm mbështetjen për Kosovën. Ai theksoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga integrimi i plotë i rajonit në strukturat euroatlantike.

Ahmetoviq deklaroi se integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është mënyra e vetme për të garantuar paqe dhe siguri afatgjatë në rajon.

“Ne duhet ta monitorojmë situatën në Ballkanin Perëndimor çdo ditë dhe në mënyrë të vazhdueshme. Politika për këtë rajon nuk duhet të kufizohet vetëm në promovimin ekonomik, por duhet të mbetet pjesë integrale e agjendës sonë të politikës së jashtme. Po ndjek nga afër zhvillimet në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë. Ne jemi të interesuar për stabilitet politik”, deklaroi Ahmetoviq.

Ai shtoi “Për Kosovën kjo nënkupton në mënyrë të veçantë që duam që ky vend të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur; nga këndvështrimi i SPD-së, sa më shpejt, aq më mirë”

Megjithëse nuk dha një datë konkrete se kur Gjermania do ta trajtojë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Ahmetoviq dhe kolegu i tij Frank Schwabe janë të përkushtuar që kjo çështje të mbetet prioritet për SPD-në në Bundestag.

I pyetur për përgjegjësinë politike për këtë dështim, Ahmetoviq theksoi se qeveria gjermane është dashur të angazhohej më shumë për të bindur shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, duke nënvizuar se Gjermania ka ndikim të madh.

Zyrtari i SPD-së shtoi se, përveç anëtarësimit në BE, anëtarësimi në NATO mbetet po ashtu prioritet për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

“Anëtarësimi në NATO është të paktën po aq i rëndësishëm sa ai në BE. Të dyja, si BE-ja ashtu edhe NATO-ja, janë thelbësore për një jetë në paqe, liri dhe siguri. Nuk mund ta vlerësoj saktësisht kur do të ndodhë kjo, por si deputet i SPD-së, do të vazhdoj të luftoj për këtë çështje,” tha ai për Deutsche Welle.

Ai theksoi se Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të përmbushin detyrimet e tyre për të përparuar në këtë proces.

Ahmetoviq komentoi edhe situatën politike në Kosovë, ku Kuvendi ka dështuar të konstituohet pas gati 50 përpjekjesh.

Ai e cilësoi Lëvizjen Vetëvendosje si parti motër të SPD-së dhe theksoi nevojën për një qeveri stabile dhe një parlament funksional, pa komentuar drejtpërdrejt bllokadën në vazhdim.

“Kam kontakte të ngushta me qeverinë e Kosovës. Duam veprim qeveritar të qëndrueshëm dhe një parlament funksional. Kjo është thelbësore për të gjitha hapat pasues. Vetëm nëse kjo vazhdon të funksionojë, Kosova do të mund të avancojë në Këshillin e Evropës, në procesin e anëtarësimit në BE dhe ndoshta së shpejti edhe në NATO. Këto procese janë të ndërlidhura ngushtë,” përfundoi ai./DW/

The post Deputeti gjerman kërkon që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së sa më shpejt appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Lladrovci denoncon profilet e rreme: Nuk ka bir nane që më largon nga PDK

18 July 2025 at 22:46

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar ashpër ndaj siç i quan ai profileve të rreme, që po synojnë të mjegullojnë kandidaturën e tij dhe të dëmtojnë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në prag të zgjedhjeve lokale.

“Profilet e rreme kanë filluar punën, po rizgjohen. Në zgjedhjet e kaluara, keqbërësit i kishin së paku 18 profile të rreme, ndërsa për këto zgjedhje kanë arritur të bëhen po ashtu 18 profile/portale”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Ai thotë se këto veprime janë të njëjtat metoda të vjetra për të krijuar mjegull rreth emrit të tij dhe PDK-së.

Sipas tij, edhe tentativat për të krijuar iniciativa qytetare me emra të ngjashëm janë pjesë e së njëjtës skemë.

“Iniciativat qytetare janë të lira dhe nuk marrin leje nga unë. Megjithëse jemi kampion, bedelat e paskan shpikur emrin duke prodhuar shkurtesën PDK”, shton ai.

Në fund, Lladrovci thekson se është i palëkundur në qëndrimin e tij brenda PDK-së.

“PDK, dje, sot, nesër, pikë. Nuk ka bir nane që më largon nga PDK!”, ka shkruar Lladrovci. /Telegrafi/

The post Lladrovci denoncon profilet e rreme: Nuk ka bir nane që më largon nga PDK appeared first on Telegrafi.

Rrëfime tronditëse, Zot më jep forcë ta çeli zemrën me familjen e ngushtë

18 July 2025 at 22:39

Me gjithë sfidat e mëdha e jetën e vështirë pas ndarjes me burrin e parë, kur ishte ende pa i mbushur 18 vjet, e mbijetuara e dhunës seksuale tregon që e vazhdoi jetën.

“U martova me të, pyetje nuk më ka bë kurrë, nuk kam mujtë kurrë me i thënë, sot e atë ditë as nuk muj, i kam fëmijët, po nuk mundem kurrë, mërzitem ka shumë herë që mërzitem… Fëmijët i kam, por jeta po vazhdojke, por kur t’i rikujtoj, edhe kujtimet çdoherë i kam në zemër, i kam në kokë”, tregon ajo derisa shton se nuk e ka marr asnjëherë guximin që t’ia tregoj të vërteten bashkëshortit të saj, që po ashtu ka përjetuar dhunë e maltretime nga forcat serbe.

As fëmijëve, shton se nuk iu ka treguar sepse nuk e kanë moshën e duhur.

“Ka me ardh ndoshta koha, them o Zot më forcon edhe ma jep një shpresë e durim njëherë në jetë me çel zemrën me familjen e ngushtë”, rrëfen ajo për dëshirën që e ka tani.

Megjithëkëtë, rrëfen se kishte arritur që kunatës së saj t’i tregoj gjithë historinë e dhimbshme për shkak se ajo e kishte dalluar meqenëse edhe vet kunata ishte e mbijetuar e dhunës seksuale nga forcat serbe në luftën në Kosovë.

“Po, i thashë nëse e ka shkru Zoti me jetu dojmë me jetu, nëse e ka shkru me vdekë, thashë së bashku, por i thashë zemrën tënde e timen t’i lëmë me një vend. Edhe hapi i parë ka qenë që e kam shpalosë zemrën me të, kunatën”, tregon ajo.

Kështu, ajo u njoh edhe me organizatën “******************”, që tash i ndihmon të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Shumë, më lehtë, zemra ime e din, për disa gjëra, për stresin, ngarkesën e mërzinë se kur kam ra në gjumë me flejtë çdo herë jam çu me atë tremën që kam pasë çka kam afër, gjithmonë tu m’u rikujtu jeta ime krejt, por ma të lehtë e kam pasë kur e kam shpalos zemrën që kam folë e i kam shprehë këto fjalë”, përfundon ajo rrëfimin teksa ka edhe një lutje pasi falënderon “Debat Plusin” për mundësinë.

“Faleminderit shumë, dhe i lus krejt femrat e gratë që e kanë gjendjen si unë, i lus ta çelin zemrën!”, ka thënë ajo.

The post Rrëfime tronditëse, Zot më jep forcë ta çeli zemrën me familjen e ngushtë appeared first on Telegrafi.

Sveçla konfirmon ndalimin e Popoviqit: Nuk tolerojmë fyerje ndaj UÇK-së, do të përballet me ligjin

18 July 2025 at 22:33

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas deklaratave të zyrtarit serb Igor Popoviq, i cili gjatë një fjalimi në Rahovec e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste.

Sveçla konfirmoi edhe zyrtarisht se Popoviq është ndaluar në pikën kufitare në Bërnjak dhe ndaj tij priten masa konform ligjeve në fuqi.

Sipas tij, Popoviq që është ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Serbi – me deklarimet e tij ka nxitur urrejtje dhe përçarje ndëretnike në Republikën e Kosovës.

“Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai konfirmoi se Popoviq pas ndalimit në pikën kufitare në Bërnjak është dërguar në stacionin policor në veri të Mitrovicës.

“Nuk do të tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, theksoi ministri në detyrë.

Sveçla shtoi se deklarimet si të Popoviqit janë “model millosheviqian” që mbahen ende gjallë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare”, përfundoi Sveçla. /Telegrafi/

The post Sveçla konfirmon ndalimin e Popoviqit: Nuk tolerojmë fyerje ndaj UÇK-së, do të përballet me ligjin appeared first on Telegrafi.

❌
❌