SOFT NEWS – A është ndërtuar nga njerëzit piramida më e vjetër në botë?
KARDIF, 20 korrik /ATSH/ – Ndërkohë që Guinnes rendit zyrtarisht piramidën me shkallë të Djoserit në Egjipt (rreth vitit 2 630 para Krishtit) si piramidën më të vjetër në botë, një studim i publikuar disa kohë më parë pretendon se një shtresë e piramidës Gunung Padang në Indonezi është ndërtuar 25 000 vite para Krishtit, edhe pse më vonë janë ngritur dyshime nëse struktura është ndërtuar nga njeriu, sipas revistës ”Archaeological Prospection”.
Në një studim të udhëhequr nga Danny Hilman Natawidjaja nga Instituti Indonezian i Shkencave dhe i publikuar në revistën ”Archaeological Prospection”, thuhet se ”bërthama e piramidës përbëhet nga shkëmb andezit i punuar me përpikëri” dhe se ”ndërtimi më i hershëm i saj ka të ngjarë të ketë filluar si një kodër vullkanike natyrore e më pas është skalitur dhe ndërtuar arkitektonikisht përreth saj”.
”Ky studim hedh dritë mbi aftësi të avancuara të ndërtimit që datojnë që nga periudha e fundit akullnajore. Ky zbulim sfidon besimin tradicional se qytetërimi njerëzor dhe teknikat e avancuara të ndërtimit nisën vetëm me shfaqjen e bujqësisë rreth 11 000 vite më parë”, shkruhet në revistë.
Studiuesit gjithashtu pretendojnë se ndërtuesit “duhet të kenë pasur aftësi të jashtëzakonshme ndërtimi”, por një arkeolog britanik ka hedhur poshtë studimin, duke thënë se është “i befasuar që është ndërtuar në këtë formë”.
Flint Dibble nga Universiteti i Cardiff-it i tha revistës ”Nature” se nuk ka prova të qarta që shtresat e varrosura janë ndërtuar nga njerëzit.
“Materialet që rrëshqasin nga kodrat kanë tendencë të orientohen natyrshëm,” tha ai, duke shtuar se nuk ka prova për punim apo ndonjë gjurmë që të tregojë se janë të krijuara nga njeriu.
Ndërkohë, Bill Farley, arkeolog në Southern Connecticut State University, tha se kampionët e dheut 27 000-vjeçar të marrë në Gunung Padang, ndonëse të datuar saktë, nuk përmbajnë gjurmë të aktivitetit njerëzor, siç janë qymyr druri ose fragmente kockash.
“Jemi shumë të hapur për studiues nga e gjithë bota që dëshirojnë të vijnë në Indonezi dhe të zhvillojnë një program kërkimor në Gunung Padang”, iu përgjigj kritikave Natawidjaja.
Ndërkohë, bashkëredaktori i revistës “Archaeological Prospection” ka konfirmuar se është hapur një hetim mbi publikimin e këtij studimi./ /Ad.Ab./
The post SOFT NEWS – A është ndërtuar nga njerëzit piramida më e vjetër në botë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.