Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2025Main stream

Tetë muaj nga sulmi në Ibër Lepenc – dy persona në paraburgim, prokuroria vijon hetimet

20 July 2025 at 20:06

Së shpejti bëhen tetë muaj nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut. Dy persona mbesin në paraburgim, ndërkaq Prokuroria, pa treguar detaje, vetëm njoftoi se hetimet po vijojnë.

Ky institucion nuk tregoi as nëse kanë marrë ndonjë raport nga FBI. Ndërsa, hetimet vlerësohet se janë brenda afateve ligjore.

Gati tetë muaj nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ende nuk ka aktakuzë lidhur me rastin.

Dy të dyshuarit për shpërthimin që dëmtoi infrastrukturën kritike, Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, të cilët u arrestuan pak pas rastit, janë ende në paraburgim.

Megjithatë, Prokuroria Speciale nuk tregoi nëse kanë identifikuar të dyshuar të tjerë lidhur me rastin, e as kohën kur mund të përmbyllet hetimi dhe eventualisht të ngritët aktakuzë.

“Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Megjithatë, duke pasur parasysh se çështja ndodhet ende në fazën e procedurave hetimore, për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë informacione”, ka theksuar Arbnora Luta, Zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.

Për zbardhjen e rastit, ish-ambasadori amerikan Jeffery Hovenier kishte thënë se “SHBA-ja ka sjellë mbështetjen e FBI-së në Kosovë për të punuar drejtpërdrejtë dhe me kohë të plotë me autoritetet kosovare për të identifikuar përgjegjësit”.

Megjithatë, Prokuroria nuk tregoi nëse kanë marrë ndonjë raport nga amerikanët.

Referuar ndjeshmërisë dhe ndërlikueshmërisë së rastit, me synim një aktakuzë të përgatitur mirë, juristi Ardian Bajraktari tha se hetimet janë brenda praktikave dhe kufizimeve ligjore.

“Natyrisht, situata të tilla marrin kohë në drejtim të trajtimit dhe hetimit të çështjes, prandaj për aq kohë sa është brenda afateve dhe parametrave të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale vlerësoj se jemi në rregull dhe të shpresojmë që Prokuroria të kryejë detyrën e saj konform detyrave dhe përgjegjësisë që ka dhe afateve të përcaktuara”, ka deklaruar Bajraktari.

Në rastin tjetër, për sulmin terrorist paramilitar në Banjskë, më 24 Shtator 2023, hetimet para ngritjes së aktakuzës ndaj Milan Radojçiqit dhe 44 të tjerëve kishin zgjatur një vit të plotë.

The post Tetë muaj nga sulmi në Ibër Lepenc – dy persona në paraburgim, prokuroria vijon hetimet appeared first on Telegrafi.

Një person dyshohet se është lënduar në Kanionin e Mirushës – ShKShMK nis operacion shpëtimi

20 July 2025 at 18:56

Një person dyshohet se ka pësuar lëndime në Kanionin e Mirushës këtë të shtunë, sipas një njoftimi nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK).

Përmes një postimi në Facebook, ky shërbim bëri të ditur se ekipet e shpëtimit janë nisur menjëherë në një operacion emergjent pas pranimit të një thirrjeje urgjente.

“Pas pranimit të thirrjes urgjente në qendrën e thirrjeve, shpëtuesit malor të ShKShMK janë nisur në një operacion shpëtimi në Kanionin e Mirushës. Sipas informacioneve të para kemi të bëjmë me një lëndim të një qytetari, ekipet tona janë në vendngjarje. Në vazhdim do të njoftoheni me detajet e zhvillimit të operacionit”, thuhet në njoftim.

Nuk janë dhënë ende detaje të tjera mbi gjendjen e të lënduarit apo shkaqet e incidentit. Autoritetet po vazhdojnë punën në terren.

The post Një person dyshohet se është lënduar në Kanionin e Mirushës – ShKShMK nis operacion shpëtimi appeared first on Telegrafi.

IPK arreston një zyrtare policore e dyshuar për keqpërdorim të detyrës

20 July 2025 at 18:42

Hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtare policore me dyshimin se e njëjta ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” kurse me vendim të prokurorit të njëjtës i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Bazuar në autorizimet ligjore, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar edhe suspendimin e zyrtares policore e cila ishte e angazhuar me detyrë në Pikën e Kalimit Kufitar Glloboçicë, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje – Kaçanik.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarja policore duke shfrytëzuar bazën e të dhënave të policisë kufitare në mënyrë të paautorizuar, ka verifikuar dhe regjistruar në sistemin të dhënat e një qytetari – shtetas i Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftim.

Qytetari nuk ka qenë fare prezent në këtë pikë kalim kufitar  kurse dyshimet janë se zyrtarja policore ka bërë këtë regjistrim që të vërtetonte nëse shtetasi i Republikës së Serbisë ishte apo jo në kërkim policor.

Hetuesit e IPK-së në koordinim më Prokurorinë Themelore në Ferizaj njoftuan se do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti./Telegrafi/

The post IPK arreston një zyrtare policore e dyshuar për keqpërdorim të detyrës appeared first on Telegrafi.

Vdekje e dyshimtë në Klinë, policia jep detaje

20 July 2025 at 18:19

Një person ka humbur jetën këtë të diel në qytetin e Klinës, në rrethana ende të paqarta.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se fillimisht autoritetet janë njoftuar për një zjarr në atë zonë.

“Në vendin e ngjarjes, policia ka vërejtur një person të shtrirë në tokë, me lëndime trupore”, deklaroi Gashi.

Viktima është dërguar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe më pas në repartin e emergjencës, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

Aktualisht nuk është konfirmuar nëse vdekja ka ndodhur si pasojë e zjarrit apo për ndonjë shkak tjetër.

Policia dhe njësitë përkatëse janë duke hetuar rrethanat e plota të rastit./Telegrafi/

The post Vdekje e dyshimtë në Klinë, policia jep detaje appeared first on Telegrafi.

Gledis Nano fiton dhe në apel gjyqin me qeverinë shqiptare, përfiton 100 mijë euro paga

20 July 2025 at 16:44

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar edhe “betejën” e dytë me qeverinë.

Siç raporton Euronews Albania, Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke “çertifikuar” me formë të prerë si të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra.

Me anë të një përgjigje zyrtare, pas një kërkese për informim, administrativja e Apelit bën me dije për Euronews Albania se vendimi është marrë nga gjyqtarët Ardian Dvorani (relator), dhe Gentian Hamiti e Sokol Ibi (anëtarë).

Ky trup gjykues ka rrëzuar ankimin e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme që kërkonin prishjen e vendimit që i dha të drejtë ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Në bazë të vendimit tashmë shteti duhet ti paguajë Nanos 60 paga mujore për 5 vite, rreth 100 mijë euro, sa mandati i parashikuar në ligj, i cili u ndërpre nga shkarkimi i qeverisë në 31 gusht 2022, me argumentin se nuk kishte realizuar objektivat.

Shkarkimi erdhi me propozim të ish-Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ndërsa kryeministri Rama ka pohuar publikisht se i kishte kërkuar dorëheqjen ish-kryepolicit Nano.

Vendimi është marrë më 26 qershor dhe nuk dihet nëse qeveria do të depozitojë rekurs në gjykatën e lartë brenda afatit 30 ditor.

Në borderon e shtetit tashmë do të vijohet të paguhen 2 paga për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa Gledis Nano është kualifikuar nga komisioni i SPAK për në fazën e dytë të garës për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

The post Gledis Nano fiton dhe në apel gjyqin me qeverinë shqiptare, përfiton 100 mijë euro paga appeared first on Telegrafi.

Shqetësuese, 5 për qind më shumë raste me kancer çdo vit në Kosovë

20 July 2025 at 16:36

Në Kosovë, numri i rasteve të reja me kancer po rritet me një ritëm prej rreth 5% çdo vit, thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi.

Ai shpjegon se ky trend është rezultat i disa faktorëve, përfshirë ndotjen e ajrit, duhanpirjen apo dietat e paekuilibruara, por edhe i ndërgjegjësimit në rritje të qytetarëve për kryerjen e kontrolleve të rregullta.

Sipas regjistrit klinik të kancerit në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga janari deri në fillim të korrikut 2025 janë regjistruar rreth 1.070 raste të reja me kancer.

Të dhënat në nivel kombëtar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë dekadës së fundit, numri i rasteve të reja ka ndjekur një trend pothuajse të pandërprerë rritjeje.

Kurtishi thekson se një pjesë e konsiderueshme e rasteve vazhdojnë të diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes.

Ai përmend disa faktorë shtesë që ndikojnë në përhapjen dhe përparimin e saj:

“Infeksionet me viruse, përdorimi i substancave kontraceptive, mungesa e aktivitetit fizik e të tjera”.
Organet e sistemit tretës – si zorra e trashë apo stomaku – janë ndër më të cenueshmet nga tumoret malinje, siç njihen ndryshe format e kancerit.
Tumoret në gji dhe në organet gjenitale janë, po ashtu, ndër më të përhapurat.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se gjatë vitit 2024 llojet më të përhapura të kancerit kanë qenë: kanceri i gjirit me 640 raste (17.6%), pasuar nga kanceret e tjera të lëkurës me 587 raste (13.8%), ai i mushkërive dhe bronkeve me 312 raste (8.6%) dhe kanceri i zorrës së trashë me 193 raste (5.3%).

Në total, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2024 u raportuan 3.644 raste të reja me sëmundje malinje.

Sipas statistikave, 51.8% e të prekurve janë gra dhe 48.2% burra, ndërsa grup-mosha më e atakuar është ajo mbi 60 vjeç.

Prevalenca – që tregon se sa persona jetojnë me kancer në një kohë të caktuar – ishte 288.3 raste për 100 mijë banorë në vitin 2024, ndërsa incidenca – që mat rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit – arriti në 227.4 raste për 100 mijë banorë, tregojnë të dhënat e IKSHPK-së.

Sipas këtij instituti, rritja e rasteve me kancer lidhet me faktorë të ngjashëm si në vendet e tjera: ndryshimet demografike, ndotja mjedisore, mënyra e jetesës, përmirësimi i diagnostikimit dhe raportimit, si dhe mungesa e programeve të posaçme për parandalim dhe zbulim të hershëm.

Në pesë vjetët e fundit, trajtimi i pacientëve me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është shtuar dukshëm.

Megjithatë, kapacitetet e Klinikës së Onkologjisë nuk duket se kanë mundur ta përballojnë në mënyrë adekuate këtë rritje.

Kushtet në këtë klinikë vazhdojnë të jenë të kufizuara – qoftë në hapësirë, personel apo pajisje.

Aty janë gjithsej 110 shtretër për pacientët që marrin kimioterapi.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se ky trajtim ofrohet shpesh edhe në salla të improvizuara.

Gjithashtu, pacientët përballen shpesh me pritje të gjata, në mungesë të kapaciteteve – qoftë në mjekë, apo barna.

Stafi mjekësor thekson vazhdimisht nevojën për investime më të mëdha, të cilat edhe bëhen, por shpesh nuk mjaftojnë për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e trajtimit apo për të zbutur fluksin në rritje të pacientëve.

Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuar vitin e kaluar, rreth 1 në 5 persona zhvillon kancer gjatë jetës dhe afërsisht 1 në 9 burra dhe 1 në 12 gra vdesin nga kjo sëmundje.

Kurtishi thekson rëndësinë e kontrolleve sa më të rregullta, duke vlerësuar se diagnostikimi i hershëm i çdo sëmundjeje rrit ndjeshëm shanset për trajtim të suksesshëm./REL

The post Shqetësuese, 5 për qind më shumë raste me kancer çdo vit në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Aksident në Prishtinë – rrokulliset vetura

20 July 2025 at 16:27

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në Prishtinë, konkretisht në rrugën që lidh kryeqytetin me Fushë Kosovën.

Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë një veturë të përmbysur, e cila ka përfunduar me katër rrota përpjetë në mes të rrugës.

Ende nuk dihen shkaqet e sakta të aksidentit dhe nëse ka të lënduar.

Gjithashtu, nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për një vetaksident apo përplasje me ndonjë automjet tjetër.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende ndonjë njoftim zyrtar lidhur me rastin.

The post Aksident në Prishtinë – rrokulliset vetura appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

“E mora armën kur shteti nuk ma mbrojti familjen” – Rrëfimi i 18-vjeçarit që plagosi dy persona pasi ia rrahën babain

17 July 2025 at 23:48

Një 18-vjeçar i dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim për plagosje të dyfishtë me armë zjarri rrëfen se e kreu veprën pasi fqinjët ia kishin rrahur babain me trauma lufte dhe Policia nuk kishte reaguar pavarësisht kërkesave për mbrojtje.

Në një intervistë nga brenda Qendrës Korrektuese në Lipjan, një 18-vjeçar i dënuar për plagosje të dyfishtë me armë zjarri rrëfen për Dukagjinin për herë të parë ngjarjen që i ndryshoi jetën.

Në emisionin “Prapa Grilave” të realizuar nga gazetari Liridon Llozani, i riu pretendon se Policia nuk ndërmori masa për mbrojtjen e familjes së tij, ndonëse kishin kërkuar urdhër mbrojtjeje pas sulmit.

Disa ditë më pas, ai hasi njërin nga të përfshirët në rrahjen e babait dhe në gjaknxehtësi e sipër e qëlloi me armë zjarri, duke plagosur dy persona.

“Me të thanë të drejtën unë babën e kam veteran të luftës, edhe është i sëmuërë prej luftës me trauma edhe ka prbl shëndetësore, edhe kanjëherë nuk është vetvetja por nuk është i dhunshëm, as sen por fol vet me vete me zë të lartë. Edhe u kanë tu u lëshu poshtë mahalles tu shku për spital edhe aty ka ndodh konflikti kojshija ka dalë i ka thanë pse po më shanë para shtëpisë anej knej, ka ndodh konflikti ku ai bashkë me djalin e tij ma kanë godit babën me shufër metalike…”

“Kjo ka zgjatë 10 ditë se jemi shku jemi anku në Polici anej kemi lyp vetmbrojtje a pe din urdhëmbrotje nuk ma kanë jep urdhërin e mbrojtjes…”

“Sdi unë e kam pasur gjakun e nxehtë edhe mu ka dokë se është duke më kesh si për inati e kam nxjerr revolen e kam gju e kam plagosur… Sa pluma i ke gju? Tash një plumb e kam gju një herë, ai ka hy në kerr e kam gju edhe një një xham… a është plagos? Po. kam ik nga vendi ngajrjes”, ka rrëfyer 18-vjeçari për Dukagjinin.

Për këtë vepër penale, ai u dënua me dy vjet e gjysmë burgim. Megjithëse thotë se nuk ka qenë problematik, veprimi i tij i vetëm i dhunshëm i ka kushtuar rëndë.

“Kam mësu që duhet me mendu dy herë para se me bo një send, duhet me menu gjatë, mos me pa deri te huna po me pa ma larg…”.

The post “E mora armën kur shteti nuk ma mbrojti familjen” – Rrëfimi i 18-vjeçarit që plagosi dy persona pasi ia rrahën babain appeared first on Telegrafi.

I burgosuri shqiptar arratiset nga vetura e policisë teksa po transportohej me të burgosurit e tjerë në Zvicër

17 July 2025 at 22:46

Një i burgosur arriti të arratiset gjatë një transporti të të burgosurve këtë mëngjes. Pavarësisht një kërkimi të bërë, nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Të enjten pak para orës 9 të mëngjesit, një i burgosur në Baden arriti të arratiset ndërsa ndodhej në një transport të të burgosurve.

23-vjeçari shqiptar mbante veshur pantallona të zeza, një xhaketë të zezë me mëngë të bardha me motive dhe këpucë të bardha, transmeton albinfo.ch.

Ai ishte i prangosur kur u arratis.

Pavarësisht një kërkimi të menjëhershëm me qen policie, ai ende nuk është gjetur. Megjithatë, sipas Policisë Kantonale të Aargaut, ai nuk konsiderohet kërcënim për popullatën, shkruan badenertagblatt.ch.

Annette Kielholz, zëdhënëse e Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe të Punëve të Brendshme, thotë për gazetën.

“Nuk mund të komentojmë mbi faktet specifike të çështjes për arsye privatësie. I arratisuri është dënuar tashmë në shkallën e parë, por vendimi nuk është bërë ende i formës së prerë.”

Ai iku kur ishte gati të transferohej në një burg tjetër të distriktit.

Policia po kërkon ndihmën e qytetarëve. Kushdo që ka informacione relevante kërkohet të kontaktojë numrin e urgjencës së policisë 117.

The post I burgosuri shqiptar arratiset nga vetura e policisë teksa po transportohej me të burgosurit e tjerë në Zvicër appeared first on Telegrafi.

“Fjalë japin, punë s’po kryejnë” – Nesër, afati i premtuar punëtorëve të QKUK për zgjidhje

17 July 2025 at 20:24

Punëtorët e sigurimit fizik në QKUK, të zhgënjyer e me gjendje të rënduar financiare po e vazhdojnë grevën derisa presin t’iu ofrohet zgjidhje në afatin e premtuar e që është nesër.

Në ndërkohë, organizatat monitoruese thonë se një kjo mund të arrihet nëse kontrata është njëburimore por lidhur me këtë, nuk është deklaruar SHSKUK.

Kësaj radhe janë më të pakët në numër, pasi shumica e tyre nuk kanë kushte financiare për të udhëtuar.

Punëtorët e sigurimit fizik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë mbetur në mëshirën e menaxhmentit, në pritje të një kontrate të re.

Dy ditë më parë në takimin e mbajtur me drejtorin, punëtorëve u është premtuar se një zgjidhje do arrihet deri të premten.

Por një ditë para këtij afati, ata nuk shprehen optimist.

“Shtirë u bo për neve, ton ditën e lume në pllaka po rrimë këtu. Shtirë është boll po krejt kemi dalë për një kafshatë bukës me majt familje. E dini që ka plot sene te shtëpia. Është rryma, bërllogu, uji, nuk po mundemi me ia dal. Kemi kredi, s’kemi kah t’ia mbajmë se bankat po thërrasin çdo ditë Shpresat s’po i hupim, thonë me hup shpresën, e humb jetën po tu shpresu jemi. Fjalë po na japin po punë s’po kryejnë, një muj ditë. Na kanë thanë që për dy ditë zgjidhet kjo çështje. Kurgjo s’po zgjidhet”, ka thënë Hajriz Qeriqi, ish-punëtor i sigurimit në QKUK.

Gjatë së mërkures, me drejtorin e QKUK-së është takuar Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, por jo edhe me punëtorët por këta të fundit, kërkesën e njëjtë e kanë edhe për të.

“… Kërkojmë nga Ministri kthimin në punë. Nëse na thotë edhe një muaj, edhe dy, 280 punëtor rrini qysh jeni se kthehni në punë, ne s’bëjmë grevë, mbijetojmë ata muaj dhe kthehemi”, ka thënë Hakif Sylejmani, përfaqësues i punëtorëve grevist.

Rruga tek një kontratë e shpejtë, sipas njohëve të fushës së prokurimit, ekziston – përmes një prej formave që së voni është vënë në thumb të kritikave, për përdorim të shpeshtë.

“Kohëzgjatja për lidhjen e një kontratë te re nga koha e inicimit varet nga procedura që përdor autoriteti kontraktues, në këtë rast ShSKUK-ja. Në qoftë se ky autoritet, vendos të përdor procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, që njihet edhe si kontrata një burimore, atëherë i gjithë procesi mund të përshpejtohet për disa ditë, pasi autoriteti kontraktues mund të nënshkruaj kontratën pa kaluar periudhat kohore të ankesave, që janë ankesat në shkallë të parë që parashihen 5 ditë kohë dhe ankesat potenciale në Organin Shqyrtues të Prokurimit, për të cilat ligji parasheh një dritare prej 10 ditëve për parashtrim pas refuzimit të ankesës në shkallën e parë. Pra, koha e lidhjes së një kontrate të re, varion varësisht nga procedura që ndjek autoriteti kontraktues, por ekziston mundësia në raste të emergjencave të jashtëzakonshme, që nuk janë krijuar si rezultat i veprimeve neglizhente ose të qëllimta, apo lëshimeve të autoritetit kontraktues që të përdoret kontrata një burimore”, ka thënë Ardit Dragusha, nga “Demokracia Plus”.

Kontratë njëburimore QKUK kishte pasur edhe me kompaninë paraprake pjestarë të cilës ishin këta punëtorë në mars të këtij viti por që u shfuqizua nga OSHP në qershor të këtij viti

Megjithatë, SHSKUK nuk i është përgjigjur interesimit të Dukagjinit rreth formës që po zhvillohet procedura dhe në çfarë faze mbetet ajo, raporton RTVDukagjini.

The post “Fjalë japin, punë s’po kryejnë” – Nesër, afati i premtuar punëtorëve të QKUK për zgjidhje appeared first on Telegrafi.

Zbulohet kontrabandë në Vërmicë, arrestohet një doganier dhe një transportues

17 July 2025 at 20:17

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur sot se ka parandaluar një rast kontrabande me mallra të dyshuara si të falsifikuara në Pikën Kufitare të Vërmicës, ku janë arrestuar një zyrtar doganor dhe një transportues.

Sipas njoftimit zyrtar, Njësitë Antikontrabandë të Doganës, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente, kanë zhvilluar një operacion të planifikuar hetimor gjatë të cilit është identifikuar një përpjekje për të futur në Kosovë mbathje sportive të markave të mbrojtura, duke shmangur kontrollin doganor dhe pagesën e detyrimeve doganore.

“Hetuesit e Doganës, në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Nga hetimet janë siguruar prova të mjaftueshme që dëshmojnë se zyrtari doganor nuk ka përmbushur detyrat ligjore duke mundësuar hyrjen e mallrave të kontrabanduara,” thuhet në komunikatë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë dy persona:

Zyrtari doganor, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”;

Vozitësi i automjetit transportues, për veprat penale “Kontrabandim i mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e detyrimeve doganore”.

Dogana e Kosovës ka ritheksuar angazhimin e saj në luftën kundër kontrabandës dhe mbrojtjen e tregut të brendshëm, duke theksuar se do të ndjekë penalisht çdo rast të abuzimit me detyrën dhe veprimtaritë e paligjshme që dëmtojnë ekonominë e vendit.

The post Zbulohet kontrabandë në Vërmicë, arrestohet një doganier dhe një transportues appeared first on Telegrafi.

Nga fiskalizimi tek urat: Vendimet e Qeverisë në detyrë vihen në pikëpyetje

17 July 2025 at 18:29

Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi rreth 12 vendime pas datës 27 mars, kur u shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.

Një nga vendimet e fundit, që u publikua më 9 korrik në Gazetën Zyrtare të Kosovës, ka të bëjë me ndërtimin e një shkolle muzike dhe të një muzeu në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë – për çka u ndanë rreth gjysmë milioni euro.

Aty ka edhe vendime për shqyrtimin e shpronësimit të tokës në rajonin e Gjilanit, emërimin e drejtorit të Bordit udhëheqës për ndërmarrje publike, rritjen e përfitimeve për nënat e të tjera.

Ministrat në Qeverinë në detyrë miratuan edhe udhëzime administrative – në mesin e tyre ai për përdorimin e pajisjeve fiskale elektronike, të cilin Gjykata Supreme, më 15 korrik, e shpalli të paligjshëm dhe e anuloi.

Gjykata konstatoi se një qeveri në detyrë mund të kryejë vetëm aktivitete të domosdoshme dhe ato të planifikuara në planin vjetor të punës së qeverisë, dhe se nuk ka të drejtë të miratojë akte të reja nënligjore.

Ky udhëzim ishte botuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill dhe ishte lëshuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deputet në Kuvendin e Kosovës.

Përndryshe, shumica e ministrave në Qeverinë në detyrë të Kosovës janë deputetë në institucionin ligjvënës, i cili nuk është konstituuar ende, për shkak të mosmarrëveshjeve politike midis partive parlamentare.

Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, dhe vetë ministri në detyrë, Murati, e kritikuan vendimin e Gjykatës Supreme, duke e quajtur “arbitrar” dhe të pabazuar në ligj.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, dhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, reaguan gjithashtu, duke vlerësuar se ndërhyrja politike në gjyqësor është “e papranueshme”.

Çka do të ndodhë me vendimet e marra?

Profesori Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria në detyrë, sipas vendimit të Gjykatës Supreme, është e detyruar t’i tërheqë vendimet e marra pas 27 marsit – datë kur u konfirmuan mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

“Vendimet e Gjykatës Supreme janë finale për aq sa i përket interpretimit të ligjit, përfshirë edhe atë për Qeverinë”, thotë ai, por shton se në vendimin e 15 korrikut, Gjykata Supreme “ka bërë referenca kushtetuese që lënë hapësirë për përfshirjen e mundshme të Gjykatës Kushtetuese”, nëse palët vendosin të ndjekin një rrugë të tillë.

“Sipas mendimit tim, Ligji për Qeverinë është i hartuar dobët dhe keq, ka shumë dykuptimësi, por edhe kontradikta. Kjo lë hapësirë që çështja të politizohet dhe kjo nuk është gjë e mirë”, thotë Kryeziu.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme e ka bërë të qartë se Qeveria në detyrë ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet, duke i lënë deputetët të kryejnë funksionin e ministrave.

“Prandaj, të tetë ministrat, përfshirë kryeministrin, të cilët mbajnë dy poste, po e shkelin ligjin”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, të gjitha vendimet e marra nga ministrat në Qeverinë në detyrë mund të kundërshtohen në gjykatë dhe të përmbysen.

“Qeveria është e detyruar ta respektojë dhe zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme”, thotë Miftaraj.

Çfarë vendimesh mori Qeveria në detyrë?

Të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës hyjnë në fuqi kur publikohen në Gazetën Zyrtare të Kosovës, dhe kështu shihet se më 28 mars është publikuar vendimi për shqyrtimin e kërkesave për shpronësime në interesin publik në rajonin e Gjilanit.

Pastaj, më 14 prill, u publikua vendimi për zgjatjen e mandatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Përdhunuar gjatë Luftës në Kosovë, ndërsa më 16 prill u publikua vendimi për emërimin e drejtorit të Bordit udhëheqës të ndërmarrjes publike rajonale për furnizim me ujë në rajonin e Prizrenit, me mandat trevjeçar.

Vendimi për emërimin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Arsim dhe Trajnim Profesional dhe Arsim për të Rritur për një mandat katërvjeçar u botua në Gazetën Zyrtare më 29 maj, ndërsa vendimi për rritjen e përfitimeve në para për nënat u botua më 5 qershor.

Ndërkaq, më 27 qershor hyri në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për të miratuar ndarjet financiare – në vlerë prej 4 milionë eurosh – për zbatimin e masës “Mbështetje për Diasporën” nga Paketa e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Në Gazetën Zyrtare të Kosovës mund të shihet, po ashtu, se ministritë në detyrë kanë nxjerrë edhe rregullore e vendime administrative.

Për shembull, Udhëzimi Administrativ, NR. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë, i lëshuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, u botua në Gazetën Zyrtare më 16 prill.

Udhëzimi Administrativ për ndryshimet dhe plotësimet e Udhëzimit Administrativ për lejet mjedisore, i lëshuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, u publikua më 28 maj.

Udhëzimi Administrativ për ndryshimet në listën e organizmave të dëmshëm për bimët dhe produktet bimore, i lëshuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, u botua në Gazetën Zyrtare më 20 qershor.

Edhe Prokuroria heton kontratat e Qeverisë

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi më 10 korrik se ka nisur hetimet lidhur me ligjshmërinë e kontratës për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila u lidh nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

Në deklaratë thuhej se hetimi i Prokurorisë nuk kundërshton ndërtimin e vetë urave, por fokusohet në “përmbushjen e detyrimeve ligjore” që lidhen me kontratën për ndërtimin e tyre.

Këto dy ura parashihet të ndërtohen në kuadër të një projekti të bazuar në një memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Infrastrukturës së Qeverisë së Kosovës, përgjegjëse për komunat e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut.

Qeveria në detyrë e Kosovës ndau rreth 3 milionë euro për ndërtimin e tyre, ndërsa punimet pritet të përfundojnë në vjeshtë.

Zyra e Prokurorit tha se nuk është në juridiksionin e saj të vlerësojë ose miratojë projekte infrastrukturore, por se “roli i Zyrës së Prokurorit Special është të veprojë në përputhje me ligjet në fuqi, në rastet kur ka dyshime për keqpërdorim të fondeve publike”.

Pesë prokurorë u tha se janë angazhuar për të shqyrtuar dy mijë kontrata të lidhura nga Qeveria, raporton REL.

The post Nga fiskalizimi tek urat: Vendimet e Qeverisë në detyrë vihen në pikëpyetje appeared first on Telegrafi.

Hoti i replikon Osmanit: Pesë vite demagogji e mashtrime, mandatin po e përfundon pa asnjë rezultat

17 July 2025 at 18:18

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj presidentes Vjosa Osmani, duke e akuzuar për mungesë të rezultateve gjatë mandatit të saj pesëvjeçar në krye të shtetit.

Në një deklarim për media, Osmani e quajti Hotin “njeriun më jorelevant”, duke thënë se nuk dëshiron të humbë kohë me të, ndërsa shtoi se akuzat për moszbatim të marrëveshjeve ndaj Kosovës vijnë vetëm nga Serbia.

Ndërkaq Hoti tha se Osmani po e përfundon mandatin pa ndonjë kontribut për shtetin dhe e cilësoi periudhën e saj si pesë vite “demagogji dhe mashtrime”.

“Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Ky është problemi që ka Vjosa. Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së,” ka shkruar Hoti.

Ai theksoi se Osmani në prill do të përfundojë mandatin e saj presidencial dhe, sipas tij, do të mbahet përgjegjëse për dëmet që i janë shkaktuar shtetit të Kosovës, përfshirë edhe rënien e reputacionit ndërkombëtar të vendit.

Hoti kritikoi edhe heshtjen e saj ndaj vendimeve të organeve të drejtësisë që, sipas tij, vërtetojnë uzurpimin e institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj, përfshirë edhe partinë Guxo, të cilën e kishte themeluar vetë Osmani.

The post Hoti i replikon Osmanit: Pesë vite demagogji e mashtrime, mandatin po e përfundon pa asnjë rezultat appeared first on Telegrafi.

Rama nderon presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe: Më lejoni t’ju them në emër të shqiptarëve…

17 July 2025 at 18:13

“Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”. Medalja me nderimin më të lartë iu akordua këtë të mërkurë në Tiranë, Lartësisë së Tij, Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nayan.

Nderimi iu rezervua kreut të Emirateve në vizitën e tij të dytë në Shqipëri, që kryeministri Rama e përshkroi si kthim për të parë nëse shkon gjithçka mirë në shtëpinë e të afërmve të vet.

Në fjalimin e nderimit të tij me Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike, Rama kujtoi edhe ndihmën e Sheikh Muhammed Bin Zayed për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të 2019.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Lartësia Juaj, Zoti President, Të dashur miq, vëllezër dhe të ftuar,

Është një nder i madh t’ju mirëpresim sërish në vendin tonë, për herë të dytë brenda një periudhe kaq të shkurtër dhe, megjithëse nuk do të rrini aq gjatë sa do të dëshironim, prania juaj ndjehet si ajo e një të afërmi të dashur që kthehet për të parë nëse gjithçka shkon mirë në shtëpinë e të afërmve të vet.

Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) thoshte: “Nuk i lejohet një myslimani të shmangë vëllanë e tij për më shumë se tri ditë… dhe më i miri prej të dyve është ai që përshëndet i pari”.

Ju, Lartësi, erdhët tek ne me këtë frymë, si ai që përshëndet i pari. Si një anëtar i dashur i familjes, që ndonëse larg, nuk i lë kurrë të këputen fijet e dashurisë. Dhe tani është krejtësisht e qartë kush është më i miri nga të dy, nëse ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë dyshim.

Më lejoni ta them këtë edhe në emër të njerëzve të mi, të pranishëm në këtë mbledhje të vogël, por shumë të veçantë për ne: Në fillim dëgjuam për Emiratet e Bashkuara. Pastaj mësuam për to. Pastaj shkuam dhe i pamë. Dhe më pas mësuam të njohim dhe të vlerësojmë njerëzit që kujdesen për to.

Të llogarisim veten mes miqve të vendit tuaj të jashtëzakonshëm është për ne jo vetëm një nder i madh si popull, por një burim kënaqësie të sinqertë dhe krenarie të posaçme për ne që përfaqësojmë vendin tonë. Dhe kjo marrëdhënie është mbi të gjitha meritë e përkushtimit tuaj personal ndaj kësaj vëllazërie.

Lartësi, ju më mësoni çdo ditë se vëllazëria e vërtetë nuk shpallet, ajo jetohet. Ajo ndërtohet duke ecur së bashku në të njëjtën rrugë, duke qëndruar bashkë me të vërtetën, duke përqafuar urtësinë që ju e trashëguat nga i ndjeri babai juaj, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, Zoti i ndriçoftë shpirtin në paqe të përjetshme:

“Ne jemi të gjithë krijesa të Zotit.” Dhe unë pata privilegjin të dëgjoj prej jush, që në takimin tonë të parë, se si babai juaj ua bëri të jetuara këto fjalë në atë moment të paharrueshëm, kur qindra mijëra shqiptarë, duke ikur nga spastrimi etnik në Kosovë, vërshuan drejt Shqipërisë.

Ju ishit atëherë një oficer i ri ushtrie që zbarkuat në pistën e ngritur nga babai juaj në veri të vendit tonë, për të mundësuar mbërritjen e avionëve me ndihma për qindra e mijëra refugjatë lufte. Ishit Ju vetë që më treguat si ju telefononte çdo mbrëmje për t’u siguruar që refugjatët ushqeheshin dhe trajtoheshin njëlloj pa dallim feje, si të barabartë para Zotit.

Ju, Lartësi, nuk e përqafuat thjesht këtë mësim në rininë tuaj, ju u bëtë mishërimi i tij i gjallë. E kthyet në mision jete dhe e shndërruat vendin tuaj në një flamurmbajtës të ndritur të këtij besimi: një vend, madhështia morale e të cilit qëndron mbi përkushtimin e palëkundur ndaj vëllazërisë universale dhe mbi bindjen e patrembur se, me çdo çmim  kjo është e vetmja rrugë drejt një bote më të mirë. Jo vetëm me fjalë të bukura, por me vepra të guximshme.

Siç thotë një tjetër hadith: “Nuk ka mysliman që viziton vëllanë e tij të sëmurë në mëngjes, pa shtatëdhjetë mijë engjëj që luten për të deri në mbrëmje. E nëse e viziton në mbrëmje, ata luten për të deri në mëngjes dhe ai do të ketë fruta nga Parajsa”.

Ky hadith nuk flet thjesht për shpërblime të padukshme. Ai flet për praninë ngushëlluese të solidaritetit dhe na kujton se të vizitosh të sëmurin apo të kujdesesh për njeriun në nevojë do të thotë që, për një çast, të bëhesh bartës i mëshirës hyjnore. Vetëm Zoti i di numrat dhe fuqinë e këtyre engjëjve.

Por unë di këtë: nga Kosova në Somali, nga India në Magreb, nga Toka e Shenjtë deri në Shqipëri dhe, po patjetër, në të gjithë rajonin tuaj dhe në mbarë botën, emri juaj dëgjohet me respekt, shqiptohet me mirënjohje dhe ndërmendet me shpresë. Njerëz të çdo ngjyre, gjuhe dhe besimi ju janë falënderues për praninë tuaj afër tyre, në orët më të errëta, jo si një sovran në kërkim të larjes së ndërgjegjes, por si një vëlla që nuk pranon të braktisë të ngjashmit e tij që lëngojnë në errësirë; që ecën me ta nëpër lugina lufte, vuajtjeje, dëshpërimi, ekstremizmi dhe shkatërrimi duke u përcjellë jo vetëm ndihma, por diçka që shkon edhe më thellë: fuqinë e heshtur të dhembshurisë dhe gjithashtu lehtësimin ndërsa i siguron se nuk janë vetëm.

Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues, që la mijëra familje pa strehë, ju më morët dorën dhe më thatë: Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm! Dhe sot, një lagje e re e bukur me mbi një mijë apartamente qëndron si dëshmi se ju e mendoni atë që thoni dhe thoni tamam atë që mendoni.

Si ushtarak nga formimi dhe nga thirrja, ju keni zgjedhur të jeni një vëlla i armëve të Paqes. E kujtoj fjalën tuaj: “Në fenë tonë themi: ‘O Zot, Ti je paqja dhe prej Teje vjen paqja’. Kërkimi i paqes është një parim i lindur, por parimet marrin kuptim vetëm kur shndërrohen në veprim”.

Ku tjetër, dhe nën udhëheqjen e kujt përveç tuajës, mund të kishte ardhur bashkënënshkrimi i Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore, mes pasuesit të Shën Pjetrit dhe ndjekësve të Profetit? Dhe si do të mund të merrnin formë Marrëveshjet Abrahamike, kaq jetike për Lindjen e Mesme dhe frymëzuese për gjithë botën, pa guximin dhe dashurinë tuaj të sinqertë për paqen?

Pak mund ta kujtojnë, por tradita e Profetit  na mëson se kur e do vëllain për hir të Zotit, duhet t’ia thuash. Një njeri i tha Profetit, paqja qoftë mbi të:

“O i Dërguar i Zotit, e dua atë njeri”. Dhe Profeti e pyeti: “Ia ke thënë?” “Jo”. “Atëherë shko dhe thuaja”.

Dhe ai shkoi, duke i thënë:

“Të dua për hir të Zotit.” Dhe tjetri u përgjigj: “Dashtë Ai për hir të të cilit më do, të të dojë edhe ty.”

Ndaj sot, Lartësi, si një vëlla, dua t’ju shpreh me një gjest publik dashurinë dhe besnikërinë ndaj jush si një bartës i dritës së arsyes në një botë që e humb atë çdo ditë dhe errësohet gjithnjë e më shumë.

Mund të jetë një gjest i thjeshtë krahasuar me gjithçka keni bërë për ne, por me mirënjohje të thellë, në emër të popullit shqiptar, kam nderin t’ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike.

E di që keni marrë shumë dekorata, më thonë mbi njëzet nga më prestigjiozet në botë.

Megjithatë, guxoj të shpresoj, e dini, jam kokëfortë se kjo kujtesë e mirënjohjes shqiptare mund të zërë një vend të veçantë mes tyre.

E kuqja dhe e zeza e shiritit tonë nuk janë vetëm ngjyrat kombëtare. Ato simbolizojnë, mbi të gjitha, dorëzimin e vetes ndaj providencës hyjnore në shërbim të tjetrit, dhe gjakun që vëllezërit tanë dhanë për këtë tokë, që kurrsesi nuk duhet të jetë derdhur kot.

Po këto ngjyra frymëzuan një himn të shkruar një shekull më parë nga një poet i madh shqiptar, një peshkop ortodoks e njëherazi Kryeministër:

“Një flamur që lindi Kostandinin e Shenjtë, Bashkon Kryqin dhe Shenjën e Gjysmëhënës, Shpall të gjitha besimet si vëllezër hyjnorë, Një flamur fisnik për njerëzimin mbarë.”

Ylli i këtij Urdhri, me formë të mprehtë, frymëzohet nga vula e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut dhe nga 36 shkronjat e alfabetit tonë.

Kompozimi i tij risjell gjithashtu Vulën e Solomonit — Sulejmanit, mbretit të paqes — shpirti dhe trashëgimia e të cilit ndriçojnë në vetë udhëheqjen tuaj: si baba, burrë shteti, lider global, si njeri me besim dhe kulture të thellë.

Me një fjalë: si udhërrëfyes për njerëzimin. Lartësia Juaj, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, President i Emirateve të Bashkuara Arabe: Për përkushtimin tuaj të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike midis vendeve tona; Për kujdesin tuaj vëllazëror në momente nevoje për popullin tonë; Për kontributin tuaj të pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes dhe bashkëpunimit shumëpalësh; Dhe për përulësinë tuaj që i përul të gjithë do të shtoja unë jashtë tekstit zyrtar… Në emër të Republikës së Shqipërisë, me respekt të thellë dhe mirënjohje, ju dorëzoj Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. Zoti ju ruajtë gjithmonë dhe Zoti i bekoftë të dy popujt tanë.

The post Rama nderon presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe: Më lejoni t’ju them në emër të shqiptarëve… appeared first on Telegrafi.

Osmani: Kam marrë informacione se Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës

17 July 2025 at 16:54

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në fund të muajit maj, institucionet e sigurisë kanë pranuar informacione specifike që tregojnë për tendenca destabilizuese nga ana e Serbisë ndaj Kosovës.

Në një konferencë për media, Osmani theksoi se propaganda dhe gënjeshtrat nga Serbia janë të vazhdueshme, por siguroi qytetarët se nuk ka vend për panik.

“Gënjeshtrat e Serbisë janë pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme. I siguroj qytetarët që nuk ka nevojë për panik. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka nën kontroll,” u shpreh presidentja Osmani.

Ajo nënvizoi se qytetarët janë informuar për këto zhvillime dhe përmendi në veçanti deklaratat e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si pjesë e transparencës institucionale.

Në të njëjtën konferencë, Osmani foli edhe për vizitën e saj të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar si një sërë takimesh jashtëzakonisht të rëndësishme.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Kosovën si një aleat strategjik. Kjo u konfirmua qartë në të gjitha takimet që patëm atje,” tha presidentja.

Ajo përfundoi duke theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare dhe angazhimit të institucioneve vendore për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend./Telegrafi/

The post Osmani: Kam marrë informacione se Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës appeared first on Telegrafi.

Atakuzë ndaj dhjetë personave për disa vepra penale në Pejë

17 July 2025 at 16:49

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj dhjetë personave për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, ndihma në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, veprën penale “Kanosja”, dhe  veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë se huaj” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.K, me datë 23 prill 2024, rreth orës 1:10,  në një lokal në Pejë,  duke gjuajtur eksplozivë dhe me veprimet e tij të rrezikshme ndaj lokali,  ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe ka shkaktuar dëme materiale, derisa i pandehuri paraprakisht ishte furnizuar  në pompë të derivateve prej 1.5 litra dhe me të njëjtën e kishte hedhur në drejtim të lokalit duke ia vënë zjarrin.

Gjithashtu, i pandehuri B.K, akuzohet edhe për veprën penale “Kanosja”, përderisa ishte duke u transportuar në stacionin policor, ka kanosur zyrtarin policor me fjalët “a e desh uniformën ti, shihemi pa uniforme, e sheh ti kush jam unë Peja është e vogël”, duke vazhduar me fjalë kanosëse edhe në stacionin policor ndaj zyrtarit policor me fjalët “pse po bëhesh si polici Triumf Riza, a e din se fati i tij te pret edhe ty”.

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori i shteti, akuzohen edhe tre të pandehurit M.E, D.B dhe L.A, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar  të kryhet vepra penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” në lokalin i cili ishte cak i të pandehurve.

Gjashtë të pandehurit, A.R, A.M, T.M, E.B, A.K dhe Y.D, në bashkëkryerje natën kritike, pasi gjuhet eksplozivi në lokal nga i pandehuri, shkojnë tek të pandehurit, këtë rast të dëmtuarit dhe i grushtojnë e i shkelmojnë duke ju shkaktuar lëndime, për çka akuzohen për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

I pandehuri, A.R, akuzohet edhe për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë se huaj” për shkak se natën kritike me thikë kishte shpuar gomat e veturës, e cila ishte shfrytëzuar nga të pandehurit për djegien e lokalit.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit  kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihen në barrë.

The post Atakuzë ndaj dhjetë personave për disa vepra penale në Pejë appeared first on Telegrafi.

Një muaj paraburgim ndaj një personi të dyshuar për 11 vjedhje në Gjakovë

17 July 2025 at 16:44

Gjykata Themelore në Gjakovë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji për të pandehurin R. M., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili dyshohet për kryerjen e njëmbëdhjetë (11) veprave penale kundër pasurisë.

Sipas Prokurorisë, R. M. dyshohet se gjatë periudhës 6 deri më 15 korrik 2025, në disa fshatra dhe lagje të Komunës së Gjakovës, ka kryer një sërë veprash penale të natyrës së njëjtë, duke hyrë me forcë në shtëpi të personave që jetojnë jashtë vendit, me qëllim përvetësimi të kundërligjshëm të pasurisë.

Në disa raste, i dyshuari nuk ka arritur të vjedhë asgjë, por në shumicën e rasteve ka marrë pasuri të ndryshme, vlera e të cilave ende nuk është përcaktuar.

Në të gjitha rastet, ai ka depërtuar në hapësira të mbyllura duke thyer dritare apo dyer, ndërsa veprimet e tij janë dokumentuar nga kamerat e sigurisë apo janë vërejtur nga persona që kanë qenë duke e mbikëqyrur pronën.

Prokuroria e ngarkon të pandehurin me një (1) vepër të vjedhjes në tentativë, nëntë (9) vepra të vjedhjes së rëndë dhe një (1) vepër të vjedhjes së rëndë në tentativë.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh rrezikun e ikjes, rrezikun e përsëritjes së veprave penale si dhe mundësinë e ndikimit në dëshmitarë.

I pandehuri do të mbahet në paraburgim për një periudhë prej një muaji, duke filluar nga data e arrestimit më 16 korrik 2025, deri më 17 gusht 2025.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

The post Një muaj paraburgim ndaj një personi të dyshuar për 11 vjedhje në Gjakovë appeared first on Telegrafi.

​Erëra të forta, KEDS njofton për vendet që kanë mbetur pa rrymë

17 July 2025 at 16:21

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) njofton se për shkak të erërave të forta, të përcjella me shi, aktualisht në mbarë Kosovën janë mbi 40 Dalje jashtë funksionit.

Sipas KEDS, rajonet më të prekura nga këto kushte atmosferike janë Peja, Mitrovica, Prishtina, Gjilani dhe Ferizaj, ku një numër i konsiderueshëm i konsumatorëve aktualisht janë pa furnizim me energji elektrike.

“Ekipet e KEDS-it ndodhen në terren dhe po punojnë vazhdimisht në eliminimin gradual të dëmeve të shkaktuara në rrjet, për çka kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë të afektuar në këto rajone”, thuhet në njoftim.

The post ​Erëra të forta, KEDS njofton për vendet që kanë mbetur pa rrymë appeared first on Telegrafi.

Rahovec: Tri vetura të përfshira në gara të rrezikshme nate, njëri shofer ndëshkohet me 500 euro gjobë

17 July 2025 at 00:00

Stacioni Policor në Rahovec ka njoftuar se më 3 korrik ka pranuar informacione lidhur me zhvillimin e garave të rrezikshme shpejtësie në rrugën “UÇK” të kësaj komune, në orët e vona të natës.

Pas veprimeve hetimore, policia ka arritur të identifikojë tri vetura dhe tre persona të dyshuar si pjesëmarrës në këto gara.

Njërit prej kundërvajtësve i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, i është konfiskuar patentë-shoferi për një periudhë 12-mujore dhe i janë vendosur 5 pikë negative në sistemin e pikëve të trafikut.

Ndaj dy personave të tjerë, përveç pjesëmarrjes në gara të shpejtësisë, është konstatuar edhe kundërvajtja shtesë për drejtim të automjetit pa leje të vozitjes.

Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme ligjore ndaj tyre.

Policia ka bërë thirrje që drejtuesit e automjeteve të respektojnë rregullat e trafikut dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme që cenojnë sigurinë rrugore.

The post Rahovec: Tri vetura të përfshira në gara të rrezikshme nate, njëri shofer ndëshkohet me 500 euro gjobë appeared first on Telegrafi.

Vajza e Ismail Kadaresë shkarkohet nga detyra si ambasadore në UNESCO

16 July 2025 at 22:22

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar më 14 korrik, lirimin nga detyra të ambasadores së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), Besiana Kadare.

Vajza e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e ka mbajtur këtë post diplomatik për vite me radhë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe përfshirjen e saj në listën e trashëgimive botërore të mbrojtura.

Besiana Kadare, u emërua në këtë post më 1 tetor të vitit 2021, me dekret të Presidentit të asaj kohe, Ilir Meta.

Më parë, ajo ka qenë ambasadore e vendit në OKB.

Ende nuk dihet arsyeja e këtij vendimi apo ndonjë informacion për pasuesin e diplomates.

The post Vajza e Ismail Kadaresë shkarkohet nga detyra si ambasadore në UNESCO appeared first on Telegrafi.

❌
❌