
Rigels Seliman
Krimi shtetëror i 21 janarit ende nuk ka përgjegjës. Dje u mbushen 14 vite nga dita kur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit para Godinës së Kryeministrisë në Tiranë u vranë 4 qytetarë. Por situata mund të marrë kthesën e madhe pasi ngjarja tashmë po hetohet nga një drejtësi e re nën patronazhin e amerikanëve. Një nga provat më të forta që SPAK ka në duar në hetimet për 21 janarin, është audio e lëshimit të urdhrit për të qëlluar me plumba të vërtetë ndaj protestuesve, në një kanal sekret, që përdorej nga një rreth i ngushtë personash.
Audio regjistrimi që flitet se është 34 minuta është bërë nga një person që ka pasur akses në komunikimin e një kanali të konsideruar të sigurt që përdorej nga drejtues të lartë të Gardës, i cili ka regjistruar komandat dhe urdhrat e dhëna në momentet kur u vranë 4 protestuesit e paarmatosur para kryeministrisë të drejtuar nga Sali Berisha në atë kohë. Në materialin audio dëgjohet Ndrea Prendi, komandanti i atëhershëm i gardës, që jep urdhër të hapet zjarr luftarak mbi protestuesit, pra jo më plumba manovër. Regjistrimi i këtij komunikimi të brendshëm është bërë me një diktofon dhe pas 13 vitesh nga protesta e 21 janarit, kaseta origjinale u dorëzua në SPAK në tetor të vitit 2024.
Tashmë kjo provë është duke u ekspertuar në laboratorët e SPAK, për të përcaktuar autenticitetin e saj, dhe më pas do të bëhet krahasimi i zërave që janë në audio për të gjetur edhe shkencërisht, se kujt i përkasin. Nëse ky ekspertim nuk mund të kryhet nga SPAK, do të kërkohet edhe ndihma e laboratorëve të tjerë të fuqishëm jashtë vendit. Kjo kasetë, e konsideruar një provë e re dhe e fortë për procesin tregon se vrasjet janë krim shtetëror dhe janë kryer me urdhër. Për këtë provë dhe se çfarë ndodhi në 21 janar të vitit 2011, kush e dha urdhrin për të qëlluar mbi protestuesit dhe pse 14 vite pas masakrës askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për vrasjet, kanë folur ish-kreu i SHISH Fatos Klosi, avokati Idajet Beqiri, analisti Frrok Çupi, ish-prokurori Hajdari dhe familjarët e viktimave.
Flet Fatos Klosi
Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë (SHIK), Fatos Klosi, e ka konsideruar një akt të rëndë fshirjen e provave të “21 Janarit”. Ai u shpreh se gjithçka është e qartë pasi televizionet e kanë filmuar atë moment. Sakaq, Klosi shpreson që e vërteta do të dalë në dritë, pasi ngjarjen e njohin më shumë se 10 persona dhe hetimet po vijojnë.
“Unë nuk jam jurist të them si lidhen problemet me njëra-tjetrën. Por dëgjova akuzat dhe një gjë është e mirë për këtë ngjarje që të gjitha televizionet e kanë regjistruar këtë ngjarje. Duket qartë që është dhënë me urdhër, momenti kur njerëzit rrëzohen. Logjikisht, mua nuk më duhen prova, e di që prokurorisë i duhen dhe gjykatës, por kjo është detyra e tyre.
Prandaj edhe është prokurori speciale. Ata që qëlluan janë njerëz të rëndësishëm të gardës, është diçka që dihet. Provat mund të jenë eliminuar, por ka dhe nga ato që duhet të merren, në pyetje. Kjo ishte një protestë e lajmëruar, me leje. Është e qartë që serveri i kryeministrisë i ka filmuar, prandaj prishja e tyre ishte shumë e rëndë. Sigurisht, që kam shpresa. Ngjarjen e njohin më shumë se 10 vetë. Kështu që kam shpresën që do dalë”, tha ai
Detajet nga Idajet Beqiri
Po ashtu Idajet Beqiri, avokati i familjes së viktimave të 21 Janarit që me luftën dhe veprimet e tij bëri të mundur rihapjen e dosjes së 21 janarit nga SPAK ka dhënë detaje për provën që mund të çojë Berishën drejt prangave. “Në audio-përgjimin që kemi çuar në SPAK dalin qartë se çfarë urdhrash janë dhënë, kush i ka dhënë, nga kush u morën këto urdhrat për t’i vrarë, e të tjera e të tjera. Pra aty fundoset Sali Berisha. Provat për këtë çështje janë nga më të pastrat dhe nëse ka krim të mirë zbuluar dhe të gjithë autorët nga maja i piramidës, e deri poshtë janë të pastra. Nuk kemi pasur në historinë e së drejtës penale nuk kemi rast të dytë ku çdo gjë është në kamera e regjistruar. Janë marrë dhe deklarimet përkatëse.
Autorët pranojnë vetë krimin. Vetë Sali Berisha kryeministri dhe për interesin e të cilit u bë krimi. Urdhërdhënësi i krimit. Për të mbajtur pushtetin dhe për të justifikuar korrupsionin dhe zv/kryeministrin që u zu me presh me 700 mijë euro. U vra që më mos dilni në protesta, mos kërkoni më zgjedhje të lira. E ka pranuar vetë me zë dhe figurë. Vrava 4 por do vrisja dhe 400 nëse do futeshin në gardhin e kryeministrisë. Në SPAK ai ka dërguar edhe kërkesën për të thirrur dëshmitarë Berishën, Bashën, ish presidentin Bamir Topi, ish-kryeprokuroren Ina Rama dhe liderin e opozitës në atë kohë Edi Ramën. “Ia kemi thënë SPAK me emër dhe ça provash duhen marrë. Jemi të indinjuar që SPAK vonon thirrjen e Sali Berishës si autor i masakrës shtetërore, thirrjen e Lulzim Bashës. Kanë bërë vrasje me dashje. Ku është dëshmia e Bamir Topit, pse nuk merret dëshmia e Ina Ramës. Pse nuk merret dëshmia e kryetarit të opozitës atë kohë? Ça pritet që nuk thirren këta? Vonesat janë të pajustifikuara.
Ky shtet duhet të marrë ndëshkim. Jeta e qytetarëve është e shenjtë. Siç po e lë me pandëshkueshmërinë do të thotë që të lësh vendin, se këtu jetën e ka në dorë mafia, këta që na vjedhin”, u shpreh avokati. Gjithashtu është referuar në SPAK edhe kush godit kryegardistin Ndrea Prendin. “Kemi dorëzuar provën kush goditi Ndrea Prendin. Kemi kërkuar kush duhet të thirret në SPAK. kemi dorëzuar si provë çfarë arsye kishte Berisha që shkoi te familja e Hekuran Dedës, me valixhe 600 mijë euro për të thënë që nuk kemi gjë me Sali Berishën. Kemi dëshmitarë okularë. Marrë në kompleks me deklarimet e Berishës, kush i zhduku kamerat, kush kish fuqi dhe në raport pse nuk u zbatua urdhrat e arrestit. Duam dhe proces verbalin e analizës pas ngjarjes”, tha ai.
Rrëfimi i Frrok Çupit
Për ngjarjen e 21 janarit ka folur edhe analisti Frrok Çupi, i cili u shpreh dje në një analizë se Berisha dha urdhër për vrasjet. “Edhe këtë vit, pas 14, në bulevardin e Madh ku u derdh gjak, u shfaqen disa nga të njëjtat fytyra që kemi parë që në ditën e parë. Po rrallohen ata që e dinë dhe e ndiejnë se si ranë 4 martirë në Bulevard. I vrau shteti. Edhe atje, larg Tiranës, mbi varre përditë e më shumë mungojnë zogjtë. Kryetari i shtetit ( kryeministër) që urdhëroi vrasjen, që atë ditë i ka imponuar vetes demencë. Kurrë nuk ka mundur të zbatojë as kodin e katundit ku lindi. Në malet e Veriut, kur vret hasmi, vrasësi e ngre kufomën që la pa jetë, e kthen me kokë nga lind-dielli, dhe niset me lajmin drejt shtëpisë së të vrarit prej tij.
Sali Berisha, kryeministër, nuk bëri asnjë prej këtyre riteve mbi kokat e atyre katër, a 26, a 3000 e ca që u vranë o prej dorës o prej urdhrit të tij. Nëse do të kishte vrarë Edi Ramën, sot kryeministër, me armën snajper që mbante në sy, prapë nuk do të shkonte te varri i tij, veçse do të kërkonte varrin e Kristaqit dhe të Netës për të hedhur ca shpifje. Sali Berisha, edhe gjakatar por edhe i paburrë. Këtë vit pak e më pak njerëz u shfaqen të përlotur mbi gjakun e të katërve në Bulevard: Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Vitin që vjen, edhe më pak do të ketë. Po shkon brezi që i njohu dhe u dhembi në shpirt. Po ndërrohet edhe brezi që pësoi e njohu krimet monstruoze të Sali Berishës. Po shkon edhe vetë Sali Berisha. Ai do t’i gllabërojë e t’i çojë ‘n’atë jetë’ edhe kujtimet e krimeve. Atëherë, ku do të trokasë Drejtësia për të kërkuar hak?! -Tak, tak, tak!, kush banon këtu?
Duam Sali Berishën. Nga përbrenda banesës, në Rrugën e Shpresës, dikush rënkon apo tund ca çelësa të frikshëm të rëndë nëpër duar: -Jo, nuk banon këtu ai njeri. Ku e keni dëgjuar ju?. Ndoshta do të kujtohen të shfaqen kineastët e ‘Trillerave’ për të kërkuar gropat e kujtesës së një populli që kur i kishte të gjallë martirët e vet dhe kryeministrin që shkaktoi martirë; atëherë u struk nëpër mëshira të kota. Edhe kineastët mund ta lënë punën në mes sepse devotët e kinemasë nuk mund ta besojnë ‘trillin’. Si ka mundësi? Menjëherë pas Luftës së Dytë, vetë besnikët nazistë të Hitlerit që vranë miliona njerëz, u dërguan në gjyqe dhe u dënuan me vdekje. Popujt, prindër të martirëve, nuk lejuan që Gjyqi i Nurembergut të kishte ‘kohë pa fund’ për të dënuar krimin.
Jo, Gjyqi kishte afat të limituar: ‘Deri në Iks orë zbardh krimin dhe dëno autorin!’. SPAK në Shqipëri po e sjell krimin shtetëror ndaj katër martirëve, nëpër gojë, si karamele të ëmbël. Deri para një viti Drejtësia nuk kishte pranuar ta zinte me dorë, sikur nderi i martirëve të kombit të ishin me leprozë. Drejtësia kishte mendje se martirët do të vdesin përsëri, përsëri- ndoshta edhe tre herë, por kryetari i qeverisë që i vrau nuk do të gjykohej kurrë. Po shkon koha, edhe brezi po ndërron. Sali Berisha po bën me dorë dhe po i thotë SPAK-ut: ‘O Skap i Partisë, unë po të lë shëndenë, nuk ke ku më gjen më!’. Edhe vetë SPAK-u po shkon drejt plakjes dhe drejt vdekjes. Një SPAK që numëron ditët pa kryer detyrën e vet themelore, ai ka vdekur me kohë. Dje presidenti i ri, Donald Trump, urdhëroi të zbardhet vrasja e John Kenedit dhe e Martin Luterkingut, që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar.
Këta këtu po shtërzojnë e po thonë se ‘viti 2011 është një vit i largët!’. Jeta nuk është rotacion!, siç po kërkojnë këta. Dmth pasi të ikë, Saliu nuk kthehet më për t’u gjykuar. As ata të katër nuk vijnë më që të akuzojnë vrasësit… Po ikin të gjithë këta, mëkatarë e ndihmës të mëkatarëve. Po ikin! Kush do ta paguajë vrasjen e katër njerëzve nobel të kësaj Shqipërie? E kush do të trokasë në zyrën e SPAK-ut plak? Edhe Mark Nika, xhaxhai i vetështrydhur për të drejtën, edhe ky nuk do të jetë më. Çfarë po bën ky shtet? A është i fortë shteti? A është apo vetëm ka qenë kriminal shteti? Nëse nuk jepet përgjigja sot, por sot!, atëherë shteti do të jetë në shekuj i deformuar. Dhe katër martirët në heshtje varri. Veç një qyqe që dëgjohet në lisin mbi varrin e tyre”, përfundon analizën Frrok Çupi.
Reagon Spartak Ngjela
Edhe avokati Spartak Ngjela shprehet se drejtësia ka çaluar në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, por thekson se pamjet e serverëve të kryeministrisë nuk janë fshehur përfundimisht. “Rama e kishte konceptuar saktë, e kishte organizuar mendimin sikur të ishte në gjyq. E kishte kthyer në gjyq social atë retorikën. Dhe kishte të drejtë, nuk e di pse ka çaluar drejtësia, por unë kam parë incizimet. Se këta kujtojnë se i kanë shuar, por serveri nuk shuhet. Fshihet për njeriun e zakonshëm, jo teknikën e lartë”, tha Ngjela.
Ai pretendon se pamjet e kamerave të Kryeministrisë që kanë filmuar vrasjet e 21 janarit, janë të ruajtura në Kaliforni. “Këta kujtojnë se janë shuar regjistrimet. Nuk shuhen kurrë ato. Po ti kesh brenda sistemit amerikan nuk shuhen kurrë. Të gjitha depozitohen në Kaliforni, edhe sikur ti shuash ti këtej. Është njësoj si valët e radios, që diku incizohen. Janë këto të Saliut, por kishte humbur ekuilibrin, se ishte e egër ajo si revoltë.
Por fajin e kishte vetë, nuk diti të bënte politikë të një sensi human, e dyta ishin konfliktet e tyre që kaluan deri atje dhe u vranë njerëz”, thekson ai. Madje, Ngjela pretendon se në këto pamje shfaqet edhe Sali Berisha me automatik në dorë dhe jep urdhër ‘vritni’. Por, më pas thekson se armën ia kanë marrë, ndërsa sipas tij me këtë ngjarje ish-kryeministri rrezikon edhe të arrestohet.
Çfarë thotë ish-prokurori Hajdari për 21 janarin?
Nga ana tjetër, ish-prokurori Shkëlqim Hajdari teksa foli dje në lidhje me hetimet për 21 Janarin u shpreh se do duhet që personat që kanë dijeni për këtë çështje të dëshmojnë në mënyrë që të jepen provat për zbardhjen e plotë të kësaj dosjeje. “Ndjej trishtim, kanë kaluar vite dhe çështja nuk është mbyllur akoma. Unë dhe Dumani jemi njerëz që dashurohemi me drejtësinë.
Nëse kishte një gjë që më bashkonte me Dumanin ato vite që punuam, ishte drejtësia njerëzore. Ne ndenjëm te e drejta, te e vërteta. Ne menduam që rekursin që bëmë ne do ta zgjidhte Gjykata e Lartë, por për çudi të të gjithë profesionistëve, e rrëzoi që në dhomën e këshillimit. Jam i bindur që ajo çështje ka gjëra që duhen zbardhur, por më shumë ka nevojë për njerëz që dinë, grup njerëzish që dinë se si janë zhvilluar, të bashkëpunojnë me prokurorinë për të thënë të vërtetën e disa gjërave që nuk janë zbardhur dot deri tani.
Trysnia ka qenë e fortë për të gjithë për çështjen e 21 janarit, ka pasur dhe veprime të nënkuptuara të kërcënimit, por mua mund të më ndalojë vetëm krijuesi, por që të funksionojë presioni kjo s’ka ndodhur dhe jam i bindur që në shumicën e prokurorëve nuk ndodh kurrë”, u shpreh Hajdari.
Akuzat nga familjarët e viktimave?
Xhaxhai i Aleks Nikës, ngriti zërin edhe dje për drejtësi për nipin e tij që u vra para kryeministrisë më 21 janar 2011. Mark Nika u shpreh se politika vijon të përpiqet të bëjë presion me qëllim që kjo çështje të mbyllet “Është viti i 14 që vendosim lule aty ku janë vrarë Aleksi me shokë. Kemi detyrim moral. Çështja vijon të jetë e pazbardhur. Drejtësia e implikuar me politikën dhe sot e kësaj dite po mundohet ta fshijë si ngjarje dhe të vrarët të konsiderohen ‘mish për top’ Kemi fituar drejtësinë në Strasburg”, u shpreh ai. Besimin ai ka tek SPAK. “Strasburgu ka vendosur që hetimi të bëhet nga SPAK.
Hetimet po shkojnë në rrugën e mbarë. Po thirren persona që janë në dijeni dhe po bëhet ekspertimi i provave materiale. Audio kaseta e siguruara nga ne. Aty është regjistruar zëri i komandantin të Gardës ku u bë thirrje të përdoren armët mbi demonstruesit. Ky material nuk është i plotë pa ekspertim. Metodika e hetimit, kanë parashikuar thirrjen e persona jo kryesor në hetim dhe do vijë radha e personave që kanë dijeni.
Pa Gjykatën e Strasburgu çështja do ishte arkivuar, por ne kemi besim te SPAK. prokurorët që merren me çështjen tonë, BKH janë profesionialistë të saktë jo me ndikim politik. Çështja po ecën mirë. Kur do konkludohen është çështja që i përket atyre. SPAK e ka marrë seriozisht. Pa SPAK nuk do e hetonte çështjen as Prokuroria e Tiranës”, tha ai. Ajo që kërkojnë është vetëm drejtësia dhe nuk do të reshtin për ta kërkuar derisa të vihet në vend dhe ata që urdhëruan të vihen para ligjit.
“Në denoncim kemi thënë si organizatë kriminale. Ish kryeministri ministri kanë dhënë urdhër, janë përgjegjësi për vrasjet. I kanë pranuar vetë si Saliu dhe Basha thanë ne i vramë dhe i vrasim sërish. Të vijnë dhe të japin përgjigje. Duam të dimë kush i vrau dhe pse i vrau. Kërkojmë drejtësi. Është dëm i madh familjar që na është bërë. Me Aleksin e kanë mbyllur derën e shtëpisë’ thekson Mark Nika. Për xhaxhain e Aleks Nikës drejtësia do të vihet në vend dhe beson se kjo çështje është në rrugë të mbarë. “Besoj shumë se kjo çështje do përfundojë pozitivisht dhe fajtorët do shkojnë para gjyqit”, tha ai.
The post Ja prova e fortë në duart e SPAK që çon në burg Sali Berishën, çfarë ndodhi në 21 janar të vitit 2011, kush e… appeared first on Sot News | Lajme.