Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 July 2025Main stream

Siri/ Pavarësisht armëpushimit, vijojnë përplasjet e ashpra midis fiseve beduine dhe druze

By: Re Nato
19 July 2025 at 21:40

Pavarësisht se presidenti sirian Ahmed Al-Sharaa njoftoi një armëpushim në jug të vendit, konfliktet midis fiseve Druze dhe Beduine mbeten aktive.

Qyteti i Sweidas është skena e luftimeve në rrugë midis fiseve beduine të cilat janë shpallur të bashkuara në qëllimin e “fitores në luftë” dhe kanë njoftuar një përballje me druzët që kanë mbështetjen e Izraelit.

“Përpara fise, do t’i vrasim në shtëpitë e tyre”, tha njëri nga beduinët, duke aluduar te druzët.

Luftëtarët fisnorë janë mbledhur në Sweida nga pjesë të tjera të Sirisë për të mbështetur beduinët, të cilët janë përleshur me druzët që nga 13 korriku.

Sipas grupeve të monitorimit, të paktën 940 persona kanë vdekur nga dhuna.

Al-Sharaa u bëri thirrje fiseve beduine myslimane sunite që të angazhohen plotësisht për një armëpushim që synon t’i japë fund përplasjeve me milicitë e lidhura me druzët, të cilat kanë vrarë qindra njerëz dhe kërcënojnë të prishin tranzicionin e vendit pas luftës civile.

Në fjalimin e tij të dytë televiziv që nga fillimi i luftimeve, Sharaa fajësoi grupet e armatosura nga Sweida për rindezjen e konfliktit “duke nisur hakmarrje kundër beduinëve dhe familjeve të tyre”.

Ai tha gjithashtu se ndërhyrja e Izraelit e kishte shtyrë vendin në një fazë të rrezikshme.

Aksident në Lezhë, makina përplas këmbësorin

By: Re Nato
19 July 2025 at 21:13

Një aksident rrugor ka ndodhur pranë lagjes “Gurra” në qytetin e Lezhës, ku një automjet tip “Golf” ka përplasur një këmbësor.

Sipas informacioneve paraprake, i plagosuri sapo kishte dalë nga një market i zonës dhe ishte duke kaluar rrugën në momentin kur u godit nga automjeti. Dyshohet se drejtuesi i mjetit nuk e ka vërejtur në kohë këmbësorin.

I dëmtuari është transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit./abcnews.al

Dukat, vijon zjarri/ Era favorizon përhapjen e flakëve

By: Re Nato
19 July 2025 at 21:11

Vijon prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune zjarri në malin e Dukatit. Flakët po përparojnë edhe për shkak të erës së fortë në zonë.

Terreni mbetet mjaft i vështirë ndërsa është punuar nga forcat zjarrfikëse  si dhe forcat e armatosura për të mos lejuar flakët drejt Lloogarasë, por situata mbetet problematike.

Për shkak të errësirës, ndërhyrja është ndërprerë dhe do te rinisë sërish në orët e para të mëngjesit ndërsa pritet edhe ndërhyrje nga ajri./abcnews.al

Borshi, mrekullia e jugut/ Me mbi 7 km vijë bregdetare, vendi i pushimeve të qeta

By: Re Nato
19 July 2025 at 20:37

Vija më e gjatë bregdetare në detin Jon me më shumë se 7 km ndodhet në Borsh.

Fshati turistik në jug të vendit prej vitesh ka ndërtuar identitetin e tij turistik, atë të pushimeve familjare.Përgjithësisht i dominuar nga shtëpitë e pushimit, si struktura akomoduese gjatë dekadës së fundit i janë shtuar edhe hotelet.

Pushuesit shqiptarë kryesisht kryeqytetas janë të parët që i dhanë hov turizmit në Borsh e deri sot mbeten më fanatikët e bregdetit të qetë.

I bekuar me natyrën, det e mal së bashku, subjektet turistike në Borsh kanë ditur të ruajnë balancën, çmimet e arsyeshme, ushqimet tradicionale, ambientet e përshtatshme për femijë e siguri ujore larg skafeve dhe jet skive në breg.

Ata që vijnë çdo vit në Borsh nuk mjaftohen vetëm me detin, por kanë gjetur edhe pika të tjera turistike per të eksploruar.

Përshtypjet e mira për Borshin shkojnë nga një familje në tjetrën. Ky pushues ka udhëtuar nga Kosova së bashku me bashkëshorten, pasi miqtë i sugjeruan fshatin turistik.

Modernizimi i strukturave turistike në vitet e fundit ka bërë që Borshi të mirëpresë edhe pushues të huaj, familjarë apo të rinj. Në Borsh këtë verë takon turistë nga e gjithë Europa.

Ky sezon ka nisur me kembë të mbarë për fshatin bregdetar. Muaji qershor është dominuar nga shqiptarët , ndërsa të huajit dominojnë në korrik dhe gusht ku rezervimet shkojnë në 70% të kapaciteteve të akomodimit.

Për pushime me familjen apo me miqtë në Borsh mund të bësh pushime me çfarëdo buxheti. Kombinimi i bizneseve të vogla familjare me struktura të mirëfillta turistike, e ka kthyer fshatin turistik në një alternativë ku çdo pushues mund të organizojë pushimet e tij verore./abcnews.al

VIDEO/ Zjarri përfshin masivin pyjor në Shkopet

By: Re Nato
19 July 2025 at 20:31

Zjarri ka përfshirë një masiv pyjor në fshatin Shkopet. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur zjarrfikësja e Kurbinit, ndërsa pritet të mbërrijne dhe zjarrfikesët e Lezhës.

Po punohet nga forcat zjarrfikëse të izolohen vatrat e zjarrit që po afrohen disa banesave pranë.

Terreni i vështirë po pengon ndërhyrjen e zjarrfikëseve, ndaj kërkohet ndërhyrje nga ajri./abcnews.al

Ujëmbledhësi i Kallabakut, perla e Kukësit/ Bukuria e rrallë e Parkut Kombëtar Korab-Koritnik

By: Re Nato
19 July 2025 at 20:23

1400 metra mbi nivelin e detit ndodhet një prej bukurive të rralla të parkut kombëtar Korab Koretnik, ujëmbledhësi i Kallabakut. Rrethuar me pyje të mështeknës dhe bredhit, në një reliev jashtëzakonisht tërheqës, së fundmi po kthehet në një destinacion turistik me vizitorë të shumtë që vijnë thuajse çdo ditë, në veçanti gjatë fundjavës.

Familjarë të ndryshëm nga qytete të Shqipërisë e Kosovës, grupe peshkatarësh, por më së shumti janë grupet rinore që organizohen nga të gjitha anët me destinacion shtegun e ngjyrave, e porta e të cilit është pikërisht liqeni i Kallabakut. Andrit Shehu, me profesion arkitekt, është njëri prej organizatorëve të aktiviteteve promovuese të resurseve turistike të Kukësit. Liqenin e Kallabakut e njeh shumë mirë dhe i bën një prezantim këtij destinacioni.

Fundjavave mbledh shoqrinë e ngrenë kampingun buzë liqenit të Kallabakut për të kaluar një natë.

Me vete marrin kanoe e pajisje të tjera për sportet ujore. I kanë siguruar thuajse të gjitha pajisjet për aktivitete të tilla.

Ujëmbledhësi i Kallabakut është ndërtuar në vitet e komunizmit, pjesë e sistemit të ujitjes për tokat bujqësore të Shishtavecit, por në vitet e mëvonshme ky sistem doli jashtë funksionit dhe prej pak kohësh tashmë ka marrë drejtim tjetër.

Grupe rinore e turistë mbërrijnë në çdo orë të ditës. Qëndrojnë pak e më pas nisen në destinacione të tjera. Përgjithësisht informacionet për destinacionet I sigurojnë nga promocionet që I bëjnë pikërisht aktivistë të tillë siç është edhe Andriti.

Pasioni për natyrën i ka lindur që në fëmijëri e më pas i është zhvilluar edhe për shkak të profesionit si arkitekt.

Ujëmbledhësi i Kallabakut ofron pamje mahnitëse në të gjitha stinët. Në dimër merr një tjetër pamje e me sipërfaqen e ngrirë.

Kukësi ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm ujor. Andriti thotë se kohët e fundit kanë nisur lëvizjet që në këto pasuri ujore të ketë më tepër prezencë të aktiviteteve ujore duke ofruar edhe pajisjet e nevojshme.

Jo vetëm për qëllime turistike, por këto pasuri ujore mund të rikthejnë edhe ekonominë e peshkimit, ekonomi e cila ishte me emër dikur në Kukës.

Në shërbim të nxitjes së turizmit, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka nisur edhe ndërtimi i rrugës automobilistike që lidh rrugën nacionale Kukës-Shishtavec me këtë pjesë turistike.

Zëri i Lunxhërisë që nuk shuhet/ Rrëfehet Lina Rustemi, 24 vite në shërbim të isopolifonisë

By: Re Nato
19 July 2025 at 20:08

Ka nisur të këndojë që në fëmijëri isopolifoni…

Pjesë e traditës popullore në jug të vendit, Lina Rustemi është zëri brilant i Lunxhërisë që me kalimin e viteve do caktohej edhe solistja e Ansamblit të Lunxhërisë, I njohur brenda dhe jashtë kufijve të vendit. Lina na tha thotë se I është bashkuar këtij ansambli rreth 25 vite më parë, ndërsa e cilëson isopolifoninë një vlerë të madhe, e që jo më kot është dhe pjesë e trashëgimisë kulturore jo materiale të UNESCO.

Artistja e njohur thotë se ka marrë pjesë në shumë evente të organizuara jashtë vendit tonë e për çudi interesi ka qenë tepër I lartë dhe ka habitur mjaft juri, ndërsa shton që edhe turistët që mbërrijnë në Gjirokastër impresionohen kur dëgjojnë këngën isopolifonike.

Gëzimët familjare ishin ato ku Lina nisi të këndonte për herë të parë, kjo një traditë e trashëguar nga të afërmit e saj.

Por, a po ruhet kjo vlerë e çmuar sot tek të rinjtë ?

Një prej urimeve më të veçanta në zona të ndryshme të jugut është: Të këndoftë zemra…por, për sa kohë do vijojë bilbili I lunxhërisë të këndojë?

Isopolifonia është folklore vokal, instrumental dhe koreografik si dhe tipologji e trashëgimisë shhpirtërore kombëtare shqiptare që është shpallur kryevepër e trashëgimisë gojore e shpirtërore të njerëzimit nga UNESCO në 25 nëntor të vitit 2005./abcnews.al

Siguria ushqimore, Rama: Në 6 ditë u sekuestruan 32 ton produkte bulmeti pa faturë

By: Re Nato
19 July 2025 at 19:53

Në 6 ditë, janë sekuestruar 32 ton qumësht, djath dhe mish pa faturë.

Shifra u njoftua nga kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë shtoi se do të ketë zero tolerancë lidhur me sigurinë ushqimore dhe kësaj do t’i shkohet deri në fund.

“Vijon papushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund”, shkruan Rama./abcnews.al

Zjarret, vatrat në kodrat e Belishovës dhe Drenovës drejt neutralizimit të plotë

By: Re Nato
19 July 2025 at 19:14

Vatrat e zjarrit në kodrat e Belishovës dhe Drenovës janë drejt neutralizimit të plotë.

Që prej ores 5:30 te mëngjesit të sotëm 30 forca të ushtrisë iu bashkuan operacionit për shuarjen e flakëve deri në orën 19:00, ku shërbimet zjarrfikëse të Malkakastrës, Fierit, Albpetrolit , Forcave të Armatosura dhe Regjimentit të këmbësorisë së Jugut, kanë punuar në terrenin e vështirë për neutralizimin e plotë të tyre.

Situata do të monitorohet përgjatë natës me grupe të gatshme pasi era mund të riaktivizojë vatrat zjarrit./abcnews.al

Australia mbështetje Ukrainës, i dërgon 49 tanke M1A1 Abrams

By: Re Nato
19 July 2025 at 19:08

Australia i ka dorëzuar Ukrainës tanket M1A1 Abrams me vlerë 160 milionë dollarë.

Kievi ka pranuar kontingjentin e parë prej 49 tankesh Abrams nga Australia, ndërsa pjesa e mbetur pritet të dorëzohet më vonë.

Kjo dërgesë është pjesë e një pakete të re mbrojtëse me vlerë rreth 140 milionë euro.

Ministri i Mbrojtjes, Richard Marles, e quajti këtë veprim një kontribut në luftën kundër “pushtimit të paligjshëm dhe imoral të Rusisë”.

Australia mbetet një nga donatorët më të mëdhenj jofamiljarë të NATO-s për Ukrainën.

Dorëzimi ishte shtyrë më herët nga Shtetet e Bashkuara, por tanket tashmë kanë arritur në Kiev./abcnews.al

Zjarret në vend/ Mbrojtja: Të raportuara 22 vatra, 11 janë ende aktive

By: Re Nato
19 July 2025 at 18:48

Deri në 18:00 janë raportuar 22 vatra zjarri, sipas një përditësimi nga Ministria e Mbrojtjes.

11 nga këto vatra janë ende aktive, teksa një është nën monitorim.

Informacion mbi situatën e zjarreve

Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC, deri në orën 18:00 janë raportuar 22 vatra zjarri,  nga të cilat janë shuar 11 dhe janë aktive 11.

Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në:

* Në bashkinë Korçë.

* Në “Bypass-in e Vlorës”, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë.

* Në Vish, në bashkinë Himarë.

* Në Qeparo, bashkia Himarë.

* Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë.

* Në fshatin Mborje, njësia administrative Drenovë, bashkia Korçë.

* Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë.

* Në fshatin Karpen, njësia administrative Golem, bashkia Kavajë.

* Në fshatin Velçë, njësia administrative Brataj, bashkia Selenicë.

* Në fshatin Karpen, njësia administrative Maminas, bashkia Shijak.

* Në fshatin Çerkezë-Morinë, njësia administrative Zall-Herr, bashkia Kamëz.

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

  1. Qarku Dibër

Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër ku vazhdon aktiv zjarri i rënë në datë 07.07.2025, i cili po zhvillohet në dy vatra. Një vatër po zhvillohet në drejtim të Lurës, rreth liqenit të Zi dhe po punohet nga forcat operacionale. Terreni i keq ka vështirësuar përpjekjet për ta vënë zjarrin nën kontroll. Ndërsa vatra tjetër po zhvillohet në pjesën e sipërme të vatrës nga krahu i Gurë Lurës është mbyllur pjesërisht pasi digjen trungje brenda vatrës. Në operacion për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 30 forca nga organet vendore dhe 30 forca nga FA.

  1. Në njësinë administrative Shupenzë, bashkia Bulqizë, vazhdon aktiv në një vatër me intensitet të ulët zjarri i riaktivizuar më datë 13.07.2025, i cili është spostuar nga “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan. Ditën e sotme në terren ndodhen 9 efektivë me 1 automjet zjarrfikës nga MZSH dhe 4 forca nga Shërbimi Pyjor.
  2. Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat. Ka rënë zjarr në një zonë të thepisur, që vështirëson ndërhyrjen. Në vendngjarje ndodhen rreth 30 forca bashkiake dhe 30 efektivë nga FA. Në vendndodhje po operon edhe 1 helikopter i FA.
  3. Në fshatin Dovolan, njësia administrative Maqellarë, bashkia Dibër. Zjarri po zhvillohet në anën lindore të fshatit në pyje dushku, ferra e shkurre, por jo shumë larg disa banesave. Po punohet me 1 automjet zjarrfikës me 6 efektivë.
  4. Qarku Fier

Në fshatin Belishovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, vazhdon aktive vatra e zjarrit të ardhur nga fshati Drenovë, i cili është riaktivizuar më datë 14.07.2025. Vatra e zjarrit ka marrë zgjerim të perimetrit. Në vendngjarje për shuarjen e tij po punojnë 35 forca zjarrfikëse me 2 automjete zjarrfikëse nga bashkia Mallakastër, 4 forca zjarrfikëse me 1 automjet nga bashkia Fier, 10 forca zjarrfikëse me 2 automjete nga Albpetrol, 10 efektivë me 2 automjete zjarrfikëse nga FA dhe 30 efektivë me 2 mjete nga Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut.

  1. Qarku Vlorë

Në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë. Zjarri është shumë intensiv. Digjen shkurre dhe fier poshtë pyllit me pishë. Flakët të ndihmuara nga era kanë përfshirë edhe kurorën e pishave. Në terren po punojnë 17 efektivë të MZSH, 5 forca nga Shërbimi Pyjor dhe 7 forca bashkiake.

  1. Qarku Elbasan

Në fshatin Shmil njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd. Zjarri ka rënë në pyll gështenje. Terreni vështirëson ndërhyrjen.

  1. Në kodër Kraste, bashkia Elbasan.
  2. Qarku Lezhë

Në fshatin Tenë, njësia administrative Rrëshen,  bashkia Mirditë, në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje ndodhet ekipi zjarrfikës.

  1. Qarku Durrës

Në fshatin Zallë, njësia administrative Fushë – Krujë, bashkia Krujë. Në vendngjarje ndodhet automjeti zjarrfikës me grupin e shërbimit, punonjës të Emergjencave Civile.

  1. Në bashkinë Shijak afër Parkut të Kamionëve Pelikani në bimësi të ulët. Është duke u punuar nga forcat zjarrfikëse.

Si e humbi Ahmed al-Sharaa kontrollin e jugut të Sirisë?

By: Re Nato
19 July 2025 at 18:30

Qeveria siriane ka paralajmëruar se do të ripozicionojë forcat e saj në jug të vendit për të rimarrë kontrollin pas ditësh dhune sektare në provincën e Sweidës, një krizë që rrezikon të kthehet në sfidën më serioze të presidencës së sapo nisur të Ahmed al-Sharaa.

Përplasjet nisën javën e kaluar, kur një grabitje në autostradën që lidh Damaskun me Sweidën shkaktoi një valë dhune hakmarrëse mes klaneve beduine sunite dhe ushtrisë druze. Situata u përshkallëzua më tej kur forcat qeveritare, të dërguara për herë të parë në këtë krahinë që nga rrëzimi i Bashar al-Assadit tetë muaj më parë, u përplasën me ushtritë druze. Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë për qindra të vrarë, përfshirë civilë, ndërsa të gjitha palët janë akuzuar për mizori, përfshirë ekzekutime të menjëhershme.

Nga ana tjetër, Izraeli ndërhyri duke kryer një seri sulmesh ndaj forcave siriane, madje edhe mbi Ministrinë e Mbrojtjes në Damask, duke pretenduar se po mbronte komunitetin druz dhe duke kërkuar tërheqjen e forcave të Sharaa-s nga Sweida. SHBA ka ndërhyrë për të negociuar një marrëveshje që të shmanget një përshkallëzim më i madh.

Pas përplasjeve të përgjakshme mes beduinëve dhe druzëve që vijuan deri të premten, qeveria siriane e cila një ditë më parë kishte deklaruar tërheqjen nga Sweida njoftoi se po përgatitet të rikthehet për të vendosur rendin.

Kjo krizë ka vënë në pah brishtësinë e Sirisë vetëm tetë muaj pas ofensivës rebele që solli rrëzimin e Assadit dhe fundin e një lufte civile 14-vjeçare. Sharaa përballet tani me dilemën: ose të heqë dorë nga ambiciet për të unifikuar vendin, duke lënë jugun në duart e grupeve lokale, ose të rrezikojë një përballje më të ashpër me Izraelin.

Për momentin, Izraeli ka pranuar të lejojë hyrjen e forcave qeveritare në Sweida për 48 orë, “për shkak të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme”, sipas një zyrtari izraelit.

Druzët, një komunitet arabo-folës me rreth 1 milion anëtarë të shpërndarë në Liban, Siri, Jordani dhe Izrael, kanë pasur historikisht një marrëdhënie të tensionuar me qeveritë qendrore. Ata ruajtën njëfarë autonomie nën sundimin e Assadit, duke mbajtur ushtritë e tyre të armatosura në këmbim të mos përfshirjes në luftën kundër regjimit.

Rënia e Assadit u përshëndet nga një pjesë e druzëve, por komuniteti mbeti i ndarë ndaj Sharaa-s, për shkak të së kaluarës së tij si udhëheqës i një grupi rebel të lidhur me islamistët, të akuzuar për masakra ndaj druzëve gjatë luftës civile.

Druzët nuk kanë pranuar ende të integrohen në institucionet e reja shtetërore dhe kanë refuzuar praninë e forcave të sigurisë në Sweida. Në prill pati një përplasje mes ushtrive druze dhe forcave të sigurisë që u mbyll me një marrëveshje të brishtë për dorëzimin e armëve, por autoritetet shtetërore u sollën ashpër, duke kërkuar më shumë armë sesa ishte rënë dakord dhe duke përdorur retorikë sektare, çka e përkeqësoi krizën.

Kjo ka shtyrë një pjesë të druzëve që më parë hezitonin të bashkëpunonin me Izraelin, të afrohen me Tel Avivin. Izraeli ka shfrytëzuar vakumin e krijuar pas rënies së Assadit për të marrë territore përgjatë kufirit dhe për të goditur objektiva ushtarake siriane, duke kërkuar gjithashtu që jugu i Sirisë të çarmatoset plotësisht.

Hikmat al-Hijri, një lider i rëndësishëm druz i afërt me Izraelin, ka shtuar thirrjet për më shumë autonomi për Sweidën ide që më parë konsideroheshin margjinale, por tani po gjejnë mbështetje më të gjerë.

Situata është përkeqësuar më tej pas ngjarjeve të fundit, me dokumentime të shtëpive të djegura, trupave të vrarë në rrugë dhe akte poshtërimi ndaj burrave druz, si rruajtja e detyruar e mustaqeve, një shenjë nderi në kulturën e tyre. Presidenti Sharaa pranoi publikisht se janë kryer shkelje dhe premtoi hetime, por besueshmëria e tij tek pakicat është tronditur.

Kjo krizë vjen pasi në mars ndodhën përplasje të ngjashme në bregdet, ku forcat qeveritare u përleshën me mbështetës të Assadit, duke shkaktuar gjithashtu viktima civile.

Ka frikë se ngjarjet në jug mund të çojnë në ndarje të mëtejshme sektare. Disa grupe sunite siriane kanë kërkuar tashmë bojkot ekonomik dhe bllokadë ndaj Sweidës.

Ndërkohë, edhe komunitetet e tjera, si kurdët në verilindje, po ngurrojnë të bashkëpunojnë me qeverinë e Sharaa-s për integrimin e rajoneve autonome.

“Ky është momenti më i rrezikshëm për tranzicionin sirian. Si do ta menaxhojë këtë situatë Sharaa, do të përcaktojë fatin e presidencës së tij”, tha Malik al-Abdeh, një analist sirian në Londër.

Një zyrtar sirian e përmblodhi situatën në këtë mënyrë: Ky vend ishte kaq pranë suksesit. Tani gjithçka rrezikon të dalë jashtë kontrollit nga ky episod i tmerrshëm.

Shira të rrëmbyeshëm në Korenë e Jugut, 4 viktima dhe mijëra të zhvendosur

By: Re Nato
19 July 2025 at 18:11

Autoritetet në Korenë e Jugut thanë se gati 3,000 persona ende nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që kanë goditur vendin për të katërtën ditë me radhë.

Si pasojë e motit të keq katër persona kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Shirat do të vazhdojnë deri të hënën në disa zona, sipas agjencisë meteorologjike të Koresë së Jugut, e cila ka paralajmëruar për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve.

Deri në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm, sipas orës lokale, 2,816 persona ende nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, sipas Ministrisë së Brendshme.

Në total, më shumë se 7,000 persona ishin evakuuar nga shtëpitë e tyre në ditët e mëparshme.

Ra në kontakt me rrymën elektrike, humb jetën 32-vjeçari në Shëngjin

By: Re Nato
19 July 2025 at 17:47

Një 32-vjeçar ka humbur jetën, pasi si pasojë e kontraktit me rrymën elektrike, ka rënë nga lartësia e një skele.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Shëngjin të Lezhës. Mësohet se 32-vjeçari ka qenë duke montuar skelat e një koncerti.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Kancelari Merz: Dyshoj se Ukraina do të anëtarësohet në BE në 10 vitet e ardhshme

By: Re Nato
19 July 2025 at 17:43

Friedrich Merz, kancelari i Gjermanisë, shpreh dyshimet e tij se Ukraina do të mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian brenda dhjetë viteve të ardhshme.

Ai thekson se në këtë moment, prioriteti kryesor dhe më urgjent është përfundimi i luftës në shkallë të gjerë që po përjeton Ukraina, e cila ka shkaktuar një krizë humanitare dhe shkatërrim masiv të infrastrukturës.

Merz shpjegon se vetëm pas mbarimit të konfliktit dhe fillimit të procesit të rindërtimit të vendit, Ukraina do të ketë mundësinë reale të përmbushë kushtet e nevojshme për anëtarësimin në BE. Ky proces i rindërtimit pritet të jetë i gjatë dhe i vështirë, por në fund të tij, sipas kancelarit gjerman, Ukraina do të jetë në një pozicion shumë më të mirë për t’u integruar në familjen evropiane.

Gjithashtu, Merz nënvizon se sa kohë që Ukraina vazhdon të jetë në gjendje lufte dhe nën sulm ushtarak, një proces i tillë është i pamundur.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian kërkon stabilitet politik dhe siguri, dy elementë që aktualisht mungojnë për shkak të konfliktit. Prandaj, për të ardhmen e Ukrainës në BE, paqja dhe stabiliteti janë parakushtet kryesore.

Kancelari thekson se Evropa duhet të mbështesë Ukrainën në këto momente të vështira, duke i ofruar ndihmë humanitare dhe ekonomike për rindërtimin, por njëkohësisht duhet të jetë realiste në pritshmëritë për integrimin e menjëhershëm të vendit në BE.

Përmbytet anija turistike në Vietnam, 28 viktima

By: Re Nato
19 July 2025 at 17:18

Njëzet e tetë persona kanë vdekur pasi një anije turistike u përmbyt në Vietnam për shkak të motit të keq, sipas raportimeve lokale.

Të paktën 14 persona thuhet se janë të zhdukur pas incidentit në Gjirin Halong, një destinacion i njohur turistik në veri të vendit, thonë raportet, shkruan BBC.

Shumica e pasagjerëve thuhet se ishin vietnamezë që kishin ardhur nga Hanoi.

Shiu i rrëmbyeshëm ka penguar kërkimin për të mbijetuar, thonë ekipet e shpëtimit./abcnews.al

Trump: Së shpejti do të lirohen edhe 10 pengje të tjera nga Gaza

By: Re Nato
19 July 2025 at 16:44

“Edhe dhjetë pengje do të lirohen së shpejti nga Gaza”. Kështu është shprehur presidenti amerikan, Donald Trump, pa dhënë detaje shtesë.

Trump e bëri këtë deklaratë gjatë një darke me ligjvënës në Shtëpinë e Bardhë, duke lavdëruar përpjekjet e të dërguarit të tij të posaçëm, Steve Witkoff.

Negociatorët izraelitë dhe ata të Hamasit po marrin pjesë në raundin më të fundit të bisedimeve për armëpushim që po zhvillohen në Doha që nga 6 korriku, ku po diskutohet një propozim për një armëpushim 60-ditor, i mbështetur nga SHBA.

“E kemi kthyer shumicën e pengjeve. Së shpejti do të kemi edhe dhjetë të tjerë dhe shpresojmë që gjithçka të përfundojë shpejt,” tha Trump.

Trump prej javësh ka parashikuar se një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve është e pashmangshme, por deri më tani një marrëveshje konkrete ka rezultuar e paarritshme./abcnews.al

❌
❌