Gazeta Si – Ngjarjet kriminale të javëve të fundit, në pikun e sezonit turistik, kanë detyruar RENEA-n të zbresë në Sarandë.
Sipas burimeve paraprake, forcat speciale të policisë, prej orës 03:30 të mëngjesit të kësaj të marte kanë zhvilluar kontrolle të ndryshme për kapjen e personave në kërkim, të përfshirë në këto ngjarje.
Paralelisht, kontrolle janë zhvilluar edhe nga FNSH dhe forcat “Shqiponja”. Ende nuk dihen rezultatet e këtij operacioni, ndërkohë që detaje priten në orët në vijim.
Ky është operacioni i dytë që zhvillohet brenda tre ditëve, pas atij në orët e para të mëngjesit të së dielës, 20 korrik, kur kontrolle u ushtruan nga forcat operacionale të Tiranës dhe Vlorës, në bashkëpunim me FNSH dhe forcat “Shqiponja”, por pa rezultat.
Në fakt, Saranda ka pësuar një rritje të dukshme të aktiviteteve kriminale gjatë muajit korrik, ku përplasjet mes grupeve të ndryshme, apo konfliktet për shfrytëzimin e plazheve, anë shkaktuar dëme serioze, si plagosje të personave dhe shpërthime me eksploziv.
Episodi i fundit u shënua pak para mesnatës së të hënës, ku iu vendos tritol automjetit të 31-vjeçarit Klaus Jaçaj, i shpallur në kërkim nga policia katër ditë më parë pas një sherri për pronësi.
Ai akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi ka ndihmuar dy autorët Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan 2 të rinj pas sherrit për pronën në bregdet.
Ngjarjet kriminale, korrik 2025
7 korrik – Plagoset me armë 44-vjeçari Saimir Haxhiu në fshatin Markat, Sarandë. Ngjarja ende e pazbardhur.
8 korrik – Kosovar Shkëlqim Murati, 31 vjeç, kapet me armë pa leje në automjetin e tij “Range Rover” në Ksamil.
11 korrik – Pas ndalimit të një automjeti në rrugën “Butrinti”, dy persona ikin, ndërsa njëri hidhet në det. Policia arrin të kapë tre persona, përfshirë Endrit Doku, Imer Gega dhe Ervis Cukali. Gega mbante një armë zjarri dhe Cukali është në kërkim për një vrasje të planifikuar në Fier.
11 korrik – Një sherr me 3 persona nga Patosi dhe Tepelena ndodhi në lagjen nr. 3 të qytetit, me D.R., 39 vjeç nga Gjashta, i cili u shpall në kërkim.
16 korrik – Klodian Basholli, 31 vjeç, plagoset me thikë nga Elvis Ndoji në rrugën “Mitat Hoxha”, të dy me precedentë penalë.
17 korrik – Dy grupe përplasen me armë në mes të ditës në lagjen nr. 4, ku shkak dyshohet të jetë një sherr për pronësinë.
Dy persona nga Kamza plagosen, ndërsa katër të tjerë nga grupi i dytë, përfshirë Klaus Jaçajn, shpallen në kërkim. Njëri nga të plagosurit kishte armë, e cila iu sekuestrua pas kontrollit të policisë.
19 korrik – Dhunohet biznesmeni Albert Pashaj në Ksamil, për shkak të një konflikti mbi administrimin e një plazhi. Dy autorë arrestohen, përfshirë biznesmenin Agim Taraj.
19 korrik – Dhunohet 25-vjeçari I.D., në rrugën “Onhezmi”. Dy autorë, E. N., dhe I.N., arrestohen dhe procedohen në gjendje të lirë.
20 korrik – Të shtëna me armë u raportuan në lagjen nr. 4, në rrugën “Mitat Hoxha”. Ish-punonjësi i policisë Adil Veli plagoset, ndërsa autori i identifikuar nga policia shpallet në kërkim.
21 korrik – Makina e Klaus Jaçaj shkatërrohet nga një shpërthim eksplozivi në mes të natës. Dyshohet se bëhet fjalë për një hakmarrje për ngjarjen e 17 korrikut, ku u plagosën dy persona nga Kamza dhe autorët e dyshuar janë shpallur në kërkim.
The post RENEA ‘zbarkon’ në Sarandë, 10 ngjarje kriminale në 3 javë appeared first on Gazeta Si.