Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 July 2025Main stream

Shenjat që tregojnë se Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham po ribashkohen!

20 July 2025 at 09:59

Nga: James Hall / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

[Albumi] Rumours [Thashethemet] kanë qenë gjithmonë gjaku që i jep jetë [grupit] Fleetwood Mac – që nga titulli i albumit të tyre të vitit 1977 që shiti 40 milionë kopje, deri te rrjeti marramendës i marrëdhënieve intime mes anëtarëve të grupit.

Dy figurat kyçe, Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham, mund të jenë tashmë 77, respektivisht 75 vjeç, por ish-të dashurit kanë nxitur sërish valë të reja thashethemesh me një sërë postimesh enigmatike në rrjetet sociale. Gati gjashtë dekada pas formimit të versionit origjinal të grupit, drama psikologjike vazhdon. Dhe, kjo ndjesi, çuditërisht është ngushëlluese.

Çfarë ndodhi? Të enjten pasdite, Nicks postoi në Instagram pesë fjalë të shkruara në një stil të çrregullt, të shoqëruara nga tri pika: And if you go forward … [Dhe nëse ti ecën para …]. Një pjesë e zjarrtë e 2.2 milionë ndjekësve të saj u entuziazmua menjëherë, duke i njohur fjalët si pjesë të këngës Frozen Love [Dashuria e ngrirë] nga viti 1973, e cila u përfshi në albumin Buckingham Nicks – i vetmi album i përbashkët i tyre përpara se të bashkoheshin me [grupin] Fleetwood Mac një vit më vonë.

Një orë më pas, emocionet arritën kulmin. Buckingham – me të cilin Nicks ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të ndërlikuar dhe të tensionuar – postoi një frazë të ngjashme në llogarinë e tij në Instagram: I’ll meet you there [Do të të pres atje] – pjesa e dytë e vargut që Nicks kishte postuar pak më parë.

Dhe, kështu nisi një valë emocionesh dhe spekulimesh. “Buckingham Nicks më 2025 nuk mëtohej të ishte karta ime e bingos”, shkroi një adhurues. “Marrëdhënie 60-vjeçare është e pabesueshme”, tha një tjetër. Një i tretë, duke supozuar se po paralajmërohej një turne i përbashkët, shkroi: “Mos ma bëni këtë! Do t’i shes që të gjitha për një biletë në rreshtin e parë – që tani”!

Pra, çfarë po ndodh? Ashtu siç padyshim kishin planifikuar të dy ata, këtë askush nuk e di. Një kontakt imi më lidhi me menaxherin e Buckinghamit, por ai nuk tha asgjë. Janë katër mundësi. E para është ajo që supozon adhuruesi i gatshëm të shesë pasurinë – që ata do të nisin një turne së bashku. Nicks, e cila tërhoqi një turmë të madhe në Hajd-Park të Londrës verën e kaluar, ka një turne të madhe në ShBA që fillon muajin tjetër, ndërsa Buckingham nuk ka plane të njohura. Është krejtësisht e mundur.

Mundësia e dytë është një ribashkim më i gjerë i [grupit] Fleetwood Mac. Frozen Love ishte kënga që e shtyri bateristin Mick Fleetwood të ftonte Buckinghamin të bashkohej me grupin në vitin 1974 (dhe ai pranoi vetëm nëse do të pranonte edhe partneren e tij muzikore dhe të dashurën e tij, Nicks). Ishte pikërisht Fleetwood ai që nisi gjithçka të mërkurën, kur postoi një video të shkurtër ku dëgjonte Frozen LoveInstagram. “Magji atëherë, magji tani”, shkroi ai.

Fleetwood Mac organizoi për herë të fundit një turne në 2019, me Neil Finnin nga [grupi] Crowded House që zëvendësoi Buckinghamin – i cili u largua pas një mosmarrëveshjeje të raportuar mbi datat e turneut. Megjithatë, vdekja e Christine McViesë në vitin 2022 mund të ketë mbyllur këtë kapitull: Nicks i tha revistës Mojo, vitin e kaluar, se “nuk ka asnjë shans” që grupi të ribëhet pa McVien. Mundësia e tretë është se s’po ndodh asgjë. Është thjesht një armëpushim mes ish-të dashurve të vjetër.

Foto nga kopertina e albumit “Buckingham Nicks” (1973): Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham

Arsyeja e katërt – dhe më e mundshmja – është ribotimi dhe digjitalizimi i albumit Buckingham Nicks. Me kopertinën që paraqet një fotografi toples të çiftit me flokë të gjatë, albumi dështoi në shitje në kohën e publikimit dhe nuk është bërë kurrë i qasshëm në platformat e transmetimit në internet. Kjo do të kishte një kërkesë të jashtëzakonshme.

Më shumë se Kurt dhe Courtney apo Mick dhe Marianne, Nicks dhe Buckingham janë çifti më i famshëm në historinë e rokut. Historia e tyre ishte e mbushur me tradhti dhe marrëdhënie të ndërlikuara. U njohën në gjimnaz në Kaliforni, u bashkuan me një grup të quajtur Fritz dhe u bënë të dashur. Marrëdhënia e tyre e pasionuar dhe shpesh e trazuar zgjati deri në vitin 1976, kur u shkatërrua në mënyrë të dhimbshme – pikërisht në kohën kur Fleetwood Mac po bënin albumin Rumours. Të dy ishin shumë krenarë për të braktisur grupin. Më vonë, Nicks pati një lidhje të shkurtër me Mick Fleetwoodin – një recetë e pamundshme për harmoni brenda grupit.

Marrëdhënia e stuhishme mes Nicksit dhe Buckinghamit solli disa nga këngët më të mëdha të muzikës pop. Buckingham shkroi Go Your Own Way dhe Never Going Back Again për Nicksin. Ajo shkroi Dreams për të [Ti thua se do lirinë tënde … Por, dëgjo me kujdes tingullin e vetmisë tënde]. Siç e përshkroi më vonë Nicks: “Ai e sheh situatën nga një këndvështrim i pakëndshëm dhe plot zemërim, ndërsa unë, në mënyrën time më ëndërrimtare, them: Do t’ia dalim. Do ta kalojmë këtë”.

Deri në një farë pike, kjo është Stevie. Kënga më e fuqishme e saj për Buckinghamin ishte Silver Springs, e cila ishte menduar të përfshihej në Rumours, por përfundoi si ana B e Go Your Own Way – jin dhe jang i një marrëdhënieje në një disk të vetëm shtatë-inçësh. Teksti i këngës është prekës. E di që mund të të kisha dashur / Por, ti nuk më le, këndon Nicks, për të vazhduar: Ti kurrë nuk do të mund të largohesh nga tingulli i gruas që të ka dashur.

Një performancë në koncert e Silver Springs nga viti 1997, është një nga shfaqjet më të fuqishme dhe emocionuese në historinë e muzikës live – dhe kjo shpjegon pse ka mbi 50 milionë shikime në YouTube. Intensiteti i këngës të lë pa frymë. Gjatë këngës, Nicks e shikon vazhdimisht Buckinghamin, që ndodhet majtas saj, derisa të dy e fiksuan shikimin te njëri-tjetri dhe këndojnë drejtpërdrejt, sy më sy. Kurrë nuk do të largohesh, këndon Nicks me një intensitet të zjarrtë, dhe zemërimi i saj – edhe pas dekadash – nuk është larg sipërfaqes.

Unë e pashë [grupin] Fleetwood Mac në Dublin në vitin 2015 dhe ndërveprimi mes Nicksit dhe Buckinghamit ishte ende jashtëzakonisht i ngarkuar emocionalisht. Dukej sikur kishte ende çështje të pazgjidhura, një tension i heshtur mes dy ish-të dashurish.

Çfarëdo që të nënkuptojnë këto postime enigmatike të reja, ky është një kapitull që mbetet tërheqës. Pas gjithë kësaj kohe, ata ende po përfundojnë fjalitë e njëri-tjetrit. /Telegrafi/

The post Shenjat që tregojnë se Stevie Nicks dhe Lindsey Buckingham po ribashkohen! appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Politika përballet me llogaridhënien për inteligjencës artificiale

18 July 2025 at 08:57

Nga: Robert Shrimsley / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë një dite të fundit të lirë për ministrat e kabinetit, Peter Kyle, sekretari për Shkencë dhe Teknologji [i Mbretërisë së Bashkuar], mbajti një prezantim mbi inteligjencën artificiale [IA], ku përfshiu edhe shembullin e një kompanie të njohur të shërbimeve financiare, që kishte pushuar mijëra punonjës nga puna – edhe pse të ardhurat e saj po rriteshin ndjeshëm.

Paralajmërimi i tij ishte se kjo prirje do të përsëritet gjerësisht. Edhe pse kursimet e tilla dhe rritja e produktivitetit do të mirëpriteshin në shërbimet publike, ndikimi i IA-së, në tregun e punës, po tërheq vëmendjen në nivelet më të larta të qeverisë. Morgan McSweeney, strategu dhe shefi i stafit të kryeministrit, foli me entuziazëm për librin Republika teknologjike [The Technological Republic] – një vepër me ton egoist, por me vlera, nga drejtori ekzekutiv dhe këshilltari ligjor i Palantir-it. Libri argumenton se IA-ja duhet të lidhet me nevojat kombëtare, duke shprehur shqetësimin se shumë nga pionierët e industrisë udhëhiqen më shumë nga interesat personale teknologjike dhe financiare, sesa nga ato shoqërore.

Figurat e larta në qeveri e krahasojnë ndikimin e mundshëm të IA-së me revolucionin e parë industrial. Megjithatë, ka shumë të panjohura për ta pranuar pa rezerva këtë paralelizëm. Vlerësimet për ndikimin e IA-së në punësim, ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, dhe rrallë janë optimiste. Një sondazh i fundit tregoi se pozicionet e shpallura për të diplomuarit, në Mbretërinë e Bashkuar, ishin 33 për qind më pak krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse ndikonin edhe faktorë të tjerë.

Përballë kësaj pasigurie, shpesh është më e thjeshtë të përqendrohesh te problemet e menjëhershme, si p.sh. ta vendosësh Mbretërinë e Bashkuar në anën e duhur të revolucionit të IA-së. Ministrat flasin për përparimet në shëndetësi, mbrojtje dhe arsim, si dhe për ekspertizën e kërkimit shkencor dhe të universiteteve britanike. Kyle po shqyrton gjithashtu si mund të shfrytëzohet pasuria e të dhënave, nga shërbimet publike, për të siguruar që përfitimet të mbeten në Britani.

Megjithatë, ia vlen të merret parasysh analogjia me revolucionin industrial, edhe nëse është e papërsosur. Gjatë disa dekadave, shoqëria u transformua rrënjësisht duke çuar në krijimin e një klase industriale punëtore; në një sërë reformash sociale, industriale dhe arsimore; në zgjerimin e së drejtës së votës për popullsinë e rritur; dhe, në zëvendësimin e liberalëve me një forcë të re – laburistët. Ndoshta më me rëndësi, u formua një klasë e mesme që po rritej e që u bë shtylla kurrizore e demokracisë liberale dhe kapitalizmit.

Nuk është e nevojshme ta pranosh plotësisht këtë krahasim, për të kuptuar ndikimin e thellë që do të ketë këtë herë mbi politikën demokratike. Filizat e parë të populizmit mund të gjurmohen që në zhvendosjen nga industria e rëndë, duke çuar në rënien e qyteteve dhe komuniteteve dikur krenare për prodhimin industrial. Kjo gjithashtu e ka përshpejtuar ndryshimin e laburistëve nga roli tradicional si partia e klasës së sindikalizuar punëtore.

Të gjithë mund të shohin se një tronditje po afrohet, por dimë shumë pak për natyrën e saj. Një studim qeveritar i vitit 2023 identifikoi punët më të ekspozuara ndaj IA-së. Tani është duke u zhvilluar një analizë e re e gjerë brenda të gjitha departamenteve qeveritare.

Një rënie e qëndrueshme e punësimit në profesionet fitimprurëse mund të ketë pasoja të gjera politike. Duke hartuar profesionet në rrezik, sipas zonave elektorale, anketuesi James Kanagasooriam vëren se ndikimet më të mëdha do të ndihen në zonat e pasura jugore. Kjo perspektivë – ku punonjësit me kostum janë në rrezik, ndërsa vendet për punë fizike janë më të sigurta – përmbys ndikimet e mëparshme të revolucioneve industriale dhe mund të krijojë një klasë të re humbësve ekonomikë.

Pasojat mund të përfshijnë përqendrime më ekstreme të pasurisë, më pak vende pune me paga të mira dhe ndryshime në madhësinë dhe strukturën e bazës tatimore. Studentët mund të shmangin marrjen e borxheve të mëdha për diplomat që ofrojnë të ardhura të ulëta. Ideja e një brezi të tradhtuar do të përhapet gjithnjë e më shumë. Çfarë mund të kërkojnë votuesit në terma mbrojtjeje – dhe si do të financohet ajo?

Në versionin më dramatik të parashikimeve, ky ndryshim mund të zvogëlojë klasën e mesme që ka ofruar stabilitet politik, duke zgjeruar grupin e njerëzve me pasuri dhe ndjesi përkatësie ndaj shoqërisë, e të cilët ndihen të përfaqësuar nga sistemi dhe establishmenti. Si do ta riorientonte ky ndryshim demografik politikën partiake?

Mjafton të shikosh rritjen aktuale të partive populiste, për të parë se si ndryshon politika kur zhduket kënaqësia e përbashkët – dhe kjo ndodhi para ardhjes së IA-së. E djathta tradicionale tashmë është përçarë, dhe e majta po pëson erozion. Konservatorët nuk janë më partia e të kënaqurve, dhe partia Reform UK e Nigel Farageit përqafon politikat e majta ekonomike. Ekziston një grup që po kërkon zgjidhje alternative dhe po humb besimin te shteti. Tani, imagjinoni që vetë votuesit e establishmentit – ata që nuk janë mësuar të humbasin – të kalojnë në rreshtin e të pakënaqurve.

Laburistët kanë vendosur të jenë entuziastë për IA-në, gjë që ndoshta është vendim i mençur, pasi ludizmi [lëvizja e dikurshme kundër teknologjisë] rrallë funksionon. Por, ata duhet gjithashtu të ofrojnë përgjigje për mënyrën se si të mbrojnë elektoratin nga ky tranzicion teknologjik dhe më tej.

Sfida nuk kufizohet vetëm te punët. Përparimet në të dhëna, analizë imazhesh dhe mbikëqyrje do t’i vënë udhëheqësit gjithnjë e më shumë përballë kompromiseve midis lirive civile dhe rendit publik. Dhe, teknologjia po depërton në vetë demokracinë – jo vetëm përmes përmbajtjes së rreme. Një sondazh i brendshëm i Laburistëve zbuloi se një në katër votues kishte përdorur ChatGPT-në për informacion gjatë zgjedhjeve të fundit.

Mund të ndodhë që alarmi të jetë i tepruar, dhe se IA-ja do të krijojë vende të reja pune teksa zhduk të tjerat – megjithatë, ritmi i ndryshimit është vetë thelbi i sfidës.

Por, ndryshimet e mëdha gjithmonë reflektohen në politikë. Po sikur revolta e ardhshme të vijë nga vetë establishmenti liberal? Kur fitimtarët, mbi të cilët mbështeten strukturat e shoqërisë dhe demokracisë, bëhen humbës, atëherë siguritë e vjetra mund të zhduken shumë shpejt. /Telegrafi/

The post Politika përballet me llogaridhënien për inteligjencës artificiale appeared first on Telegrafi.

KEQARDHJE PËR ÇDO VDEKJE

17 July 2025 at 10:50

Poezi nga: Jorge Luis Borges
Përktheu: Kujtim Morina

I çliruar nga kujtesa dhe shpresa,
pa kufij, abstrakt dhe pothuaj pa të ardhme
Një i vdekur nuk është një i vdekur, ai është vetë vdekja.
Si Zoti i mistikëve
për të Cilin çdo gjë që mund të thuhet, duhet të mohohet,
Një i vdekur, është i huaj kudo
përveçse në gërmadhat dhe mungesën e botës.
Ne e plaçkisim atë nga gjithçka
derisa të mos mbetet as si ngjyrë apo rrokje
Këtu është, oborri që sytë e tij nuk e shohin më
Atje, kalldrëmi ku shpresa e tij nderet në pritje.
Madje edhe ajo që mendojmë
se ai mund të jetë duke menduar.

E ndajmë si hajnat
plaçkën e ditë-netëve.

The post KEQARDHJE PËR ÇDO VDEKJE appeared first on Telegrafi.

Grupi muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale ka nxitur shqetësime në industrinë muzikore

16 July 2025 at 10:48

Nga: Lanre Bakare / The Guardian (titulli: An AI-generated band got 1m plays on Spotify. Now music insiders say listeners should be warned)
Përkthimi: Telegrafi.com

Ata u bënë viralë, duke pasur, brenda pak javësh, më shumë se një milion dëgjime në Spotify, por më vonë doli në pah se grupi i ri, The Velvet Sundown, ishte i krijuar nga inteligjenca artificiale [IA] – që nga muzika e tyre, imazhet promovuese deri te historia e tyre fiktive.

Ky episod ka nxitur një debat rreth autenticitetit, me ekspertë të industrisë muzikore që thonë se platformat e transmetimit, si Spotify, duhet të jenë ligjërisht të detyruara të etiketojnë muzikën e krijuar nga artistët e gjeneruar nga IA-ja, në mënyrë që dëgjuesit të marrin vendime të informuara mbi atë që po dëgjojnë.

Fillimisht, “grupi” i përshkruar si “një projekt sintetik muzikor i udhëhequr nga drejtimi krijues njerëzor”, mohoi se ishte një krijim i IA-së dhe publikoi dy albume në qershor, me titujt Floating On Echoes dhe Dust And Silence, me një tingull të ngjashëm me folk-kantrin e trupës Crosby, Stills, Nash & Young.

Situata u bë më e ndërlikuar kur një person që e përshkroi veten si një “anëtar ndihmës”, u tha gazetarëve se The Velvet Sundown kishin përdorur platformën gjenerative të IA-së, Suno, për krijimin e këngëve të tyre dhe se projekti ishte një “mashtrim artistik”.

Kanalet zyrtare të grupit, në rrjetet sociale, e mohuan këtë dhe deklaruan se identiteti i grupit është “thyer”, përpara se të lëshonin një deklaratë që konfirmonte se grupi ishte një krijim i IA-së dhe se ishte “as plotësisht njeri; as plotësisht makinë”, por se ekzistonte “diku në mes”.

Disa persona i thanë Guardian-it se situata aktuale, ku platformat e transmetimit, përfshirë Spotify-n, nuk kanë asnjë detyrim ligjor për të identifikuar muzikën e krijuar nga IA-ja, lë dëgjuesit të pavetëdijshëm për origjinën e këngëve që dëgjojnë.

Roberto Neri, drejtori ekzekutiv i Ivors Academy, ka thënë: “Grupet e krijuara nga IA-ja, si Velvet Sundown, të cilat arrijnë audienca të mëdha pa përfshirë krijues njerëzorë, ngrenë shqetësime serioze për transparencën, autorësinë dhe pëlqimin”.

Neri shtoi se, nëse “përdoret në mënyrë etike”, IA-ja ka potencialin të përmirësojë krijimtarinë muzikore, por theksoi se organizata që ai përfaqëson brengoset për ato që ai i quajti “çështje thellësisht shqetësuese” në lidhje me përdorimin e IA-së në muzikë.

Sophie Jones, drejtuese e strategjisë në Shoqatën Britanike të Industrisë Fonografike (BPI), mbështeti thirrjet për etiketim të qartë. “Ne besojmë se IA-ja duhet të përdoret për të mbështetur krijimtarinë njerëzore, jo për ta zëvendësuar atë”, tha Jones.

“Për këtë arsye, ne po i bëjmë thirrje qeverisë britanike të mbrojë të drejtën e autorit dhe të vendosë detyrime të reja për transparencë ndaj kompanive të IA-së, në mënyrë që të drejtat muzikore të mund të licencohen dhe zbatohen, si dhe të kërkohet etiketimi i qartë i përmbajtjes tërësisht të krijuar nga IA-ja”.

Liz Pelly, autore e librit Mood Machine: The Rise of Spotify and the Costs of the Perfect Playlist, tha se artistët e pavarur mund të shfrytëzohen nga personat që qëndrojnë prapa pas grupeve muzikore të krijuara me IA, të cilët mund të prodhojnë këngë të trajnuara me muzikën e tyre.

Ajo përmendi rastin e vitit 2023 kur një këngë u ngarkua në TikTok, Spotify dhe YouTube, duke përdorur zëra të gjeneruar nga IA-ja që pretendonin të ishin The Weeknd dhe Drake. Universal Music Group deklaroi se kënga ishte “përmbajtje keqpërdoruese e krijuar me IA gjeneruese” dhe u hoq pak pasi ishte publikuar.

Nuk dihet me siguri se me çfarë muzike janë trajnuar albumet e Velvet Sundown dhe kritikët thonë se kjo mungesë transparence mund të nënkuptojë se artistët e pavarur po humbasin të drejtën për kompensim.

Pelly tha: “Duhet të sigurohemi që nuk janë vetëm yjet e muzikës pop ata që mbrohen – të gjithë artistët duhet të kenë mundësinë të dinë nëse vepra e tyre është shfrytëzuar në këtë mënyrë”.

Për disa, shfaqja e grupit Velvet Sundown shihet si hapi logjik i radhës teksa muzika dhe IA-ja po kombinohen, ndërkohë që legjislacioni po përpiqet të ecën në hap me këtë ekosistem muzikor që po ndryshon me shpejtësi.

Jones tha: “Rritja e grupeve dhe muzikës së gjeneruar nga IA-ja, që futet në treg, tregon se kompanitë teknologjike kanë trajnuar modelet e tyre duke përdorur vepra krijuese – në shumicën e rasteve pa autorizim apo pagesë për krijuesit dhe mbajtësit e të drejtave – me qëllim që të konkurrojnë drejtpërdrejt me artin njerëzor”.

Neri shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka një mundësi për të udhëhequr botën në adoptimin etik të IA-së në muzikë, por theksoi se nevojitet një kuadër i fortë ligjor që “garanton pëlqimin dhe shpërblimin e drejtë për krijuesit, si dhe një etiketim të qartë për dëgjuesit”.

“Pa këto masa mbrojtëse, IA-ja rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime të transmetimit dixhital, ku teknologjia përfiton dhe krijuesit muzikorë lihen pas dore”, shtoi ai.

Aurélien Hérault, drejtori i inovacionit në shërbimin e transmetimit muzikor Deezer, tha se kompania përdor softuer zbulues që identifikon dhe etiketon këngët e krijuara nga IA-ja.

Ai tha: “Për momentin, mendoj se platformat duhet të jenë transparente dhe të përpiqen të informojnë përdoruesit. Për një periudhë kohe, në atë që unë e quaj ‘natyralizimi i IA-së’, ne duhet të njoftojmë qartë përdoruesit se kur është përdorur apo nuk është përdorur IA-ja”.

Hérault nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen do të hiqet etiketimi i muzikës së krijuar nga IA-ja, nëse kjo muzikë bëhet më e popullarizuar dhe muzikantët fillojnë ta përdorin si një “instrument” tjetër.

Deezer i tha së fundmi gazetës Guardian se deri në shtatë nga dhjetë dëgjime të muzikës së gjeneruar nga IA-ja, në platformën e tyre, janë mashtruese.

Aktualisht, Spotify nuk e etiketon muzikën si të gjeneruar nga IA-ja dhe është kritikuar më parë për përfshirjen në disa lista dëgjimi të muzikës së realizuar nga “artistë fantazmë” – projekte fiktive që prodhojnë muzikë nga copëzat.

Një zëdhënës i kompanisë tha se Spotify nuk i jep përparësi muzikës së krijuar nga IA. “E gjithë muzika në Spotify, përfshirë atë të gjeneruar nga IA-ja, krijohet, zotërohet dhe ngarkohet nga palë të treta të licencuara”. /Telegrafi/

 

The post Grupi muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale ka nxitur shqetësime në industrinë muzikore appeared first on Telegrafi.

Patokracia

14 July 2025 at 13:55

Nga: Steve Taylor /  Psychology Today
Përkthimi i pjesshëm nga: Telegrafi.com

Psikologu polak Andrzej Łobaczewski kaloi pjesën e hershme të jetës duke vuajtur nën pushtimin nazist të Polonisë, i pasuar menjëherë – pas luftës – nga brutaliteti i pushtimit sovjetik. Përvoja e tij me këto tmerre e shtyri Łobaczewskin të zhvillonte konceptin e “patokracisë.” Ky është një sistem ku individë me çrregullime të personalitetit (veçanërisht psikopati) zënë pozita pushteti.[1]

Łobaczewski ia kushtoi jetën studimit të së keqes njerëzore, një fushë të cilën ai e quajti “ponerologji.” Ai donte të kuptonte se pse duket se njerëzit “e këqij” përparojnë, ndërsa shumë njerëz të mirë dhe të moralshëm hasin në vështirësi për të pasur sukses. Ai donte të shpjegonte se pse njerëzit me çrregullime psikologjike arrijnë me lehtësi në pozita të larta dhe marrin në dorë qeverisjen e vendeve. Duke jetuar vetë nën një regjim patokratik, studimi i kësaj teme përbënte një rrezik të madh për të. Ai u arrestua dhe u torturua nga autoritetet polake dhe nuk arriti të botonte veprën e jetës së tij, librin Ponerologjia politike [Political Ponerology], derisa arriti të arratisej në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve ’80 të shekullit XX.

Patokracia, siç duket, është një nga problemet më të mëdha në historinë e njerëzimit. Historia ka qenë një sagë e vazhdueshme e konflikteve dhe brutalitetit, me grupe njerëzish që luftojnë mes vete për territore, pushtet dhe pasuri, duke pushtuar dhe vrarë njëri-tjetrin. Duke vështruar rrjedhën e historisë njerëzore, nga lashtësia deri në shekullin XX, historiani Arnold Toynbee foli për “ndjenjën e tmerrshme të mëkatit që manifestohet në punët e njerëzve.”

Por, ekziston një argument që kjo nuk ndodh sepse të gjithë njerëzit për nga natyra janë brutalë dhe mizorë, por sepse një numër i vogël njerëzish – pra, ata me çrregullime të personalitetit – janë brutalë dhe mizorë, thellësisht egoistë dhe pa empati. Kjo pakicë gjithmonë ka mbajtur pushtetin dhe ka arritur të urdhërojë ose të ndikojë shumicën për të kryer mizori në emër të tyre.

Një pakicë e vogël e njerëzve vuan nga çrregullimet e personalitetit, si narcisizmi dhe psikopatia. Njerëzit me këto çrregullime ndiejnë një dëshirë të pangopur për pushtet. Njerëzit me çrregullim të personalitetit narcisistik dëshirojnë vëmendje dhe aprovime të vazhdueshme. Ata ndihen superiorë ndaj të tjerëve dhe mendojnë se kanë të drejtë t’i dominojnë. Ata gjithashtu nuk kanë empati, gjë që do të thotë se janë të aftë të shfrytëzojnë dhe abuzojnë të tjerët pa mëshirë në dëshirën e tyre për pushtet. Psikopatët kanë një ndjenjë të ngjashme superioriteti dhe mungesë empatie, por dallimi kryesor mes tyre dhe narcisistëve është se ata nuk ndiejnë të njëjtin impuls për vëmendje dhe adhurim. Deri në një masë, impulsi për t’u adhuruar vepron si një kontroll mbi sjelljen e narcisistëve. Ata hezitojnë të bëjnë diçka që mund t’i bëjë shumë jopopullorë. Por, psikopatët nuk kanë brenga të tilla.

Në anën tjetër të spektrit, njerëzit me një nivel të lartë empatie dhe dhembshurie zakonisht nuk janë të interesuar për pushtet. Ata preferojnë të jenë “me këmbë në tokë,” duke ndërvepruar dhe duke u lidhur me të tjerët. Ata madje mund të refuzojnë ofertën për një pozitë me status të lartë, sepse janë të vetëdijshëm se statusi i lartë do t’i shkëpusë (ndonëse për një person pa empati, kjo është pikërisht pjesë e joshjes). Kjo i lë pozitat e pushtetit të hapura për njerëz me çrregullime psikologjike (ose të paktën me një nivel të lartë ambicieje dhe mungesë mëshire, edhe nëse nuk është një çrregullim të mirëfilltë).

Gjatë gjithë historisë, këta individë patologjikë gjithmonë kanë arritur në majë. Në njëfarë mënyre, shoqëritë feudale para-industriale i kufizonin ata, pasi pushteti shpesh trashëgohej me lindje dhe nuk arrihej përmes përpjekjeve personale. Rënia e sistemit feudal ishte padyshim një hap pozitiv drejt barazisë dhe demokracisë më të madhe, por efekti anësor negativ ishte se u dha psikopatëve dhe narcisistëve më shumë mundësi për të arritur në pozita pushteti.

Siç vëren Ian Hughes në librin e tij të rëndësishëm Mendjet e çrregullta [Disordered Minds], qëllimi i të gjithë sistemit demokratik është të përpiqet të mbrojë masën e njerëzve nga kjo pakicë patologjike. Kjo ishte ideja qendrore e kushtetutës amerikane dhe Kartës së të Drejtave. Parimet dhe institucionet demokratike u themeluan për të kufizuar pushtetin e individëve patologjikë.

Kjo është arsyeja pse, siç vëren edhe Hughes, liderët patologjikë e urrejnë demokracinë.[2] Pasi arrijnë pushtetin, ata bëjnë çmos për të çmontuar ose diskredituar institucionet demokratike, përfshirë lirinë dhe legjitimitetin e shtypit …

Për më tepër, liderët patologjikë janë plotësisht të paaftë të kuptojnë parimet e demokracisë, pasi ata e konsiderojnë veten superiorë dhe e shohin jetën si një luftë konkurruese, ku më të pamëshirshmit meritojnë të dominojnë të tjerët.

Por, patokracia nuk ka të bëjë vetëm me individë. Siç theksonte Lobaczewski, liderët patologjikë gjithmonë tërheqin njerëz të tjerë me çrregullime të personalitetit, të cilët përfitojnë nga mundësia për të fituar ndikim. Në të njëjtën kohë, individët që janë moralë, empatikë dhe të drejtë, dalëngadalë tërhiqen. Ata ose përjashtohen, ose largohen vetë me neveri nga patologjia në rritje që i rrethon. Si rezultat, me kalimin e kohës, patokracitë priren të bëhen gjithnjë e më të ngulitura dhe ekstreme.

Kjo nuk do të thotë se çdo person që bëhet pjesë e një qeverie patokratike vuan nga një çrregullim i personalitetit. Disa njerëz mund të kenë thjesht një nivel të lartë ambicieje dhe mungesë empatie pa pasur një gjendje të diagnostifikuar, ndërsa të tjerët mund të përfitojnë nga fama dhe fuqia e një lideri patologjik me të cilin ndajnë objektiva të përbashkëta.

Një pjesë e rëndësishme e problemit është tërheqja që shumë njerëz ndiejnë ndaj demagogëve karizmatikë … Në aspektin psikologjik, kjo është shumë e ngjashme me tërheqjen ndaj guruve shpirtërorë, të cilët shpesh fitojnë përkushtimin e verbër të ndjekësve, pavarësisht sjelljes së tyre joetike dhe shfrytëzuese. Tërheqja ndaj guruve dhe demagogëve rrënjoset në një impuls të thellë për t’u kthyer në gjendjen e fëmijërisë ku prindërit shiheshin si të gjithëfuqishëm dhe të pagabueshëm, të aftë për të marrë përgjegjësinë e plotë për jetën tonë dhe për të zgjidhur në mënyrë magjike problemet tona. Në të njëjtën kohë, paranoja e liderëve patologjikë i shtyn ata të demonizojnë grupe të tjera dhe të krijojnë një ndjenjë dehëse të identitetit të grupit me një qëllim të përbashkët …

Por, duhet të kujtojmë se patokracia lulëzon vetëm sepse ne nuk marrim masa të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga liderët patologjikë. Duhet të ruajmë dhe forcojmë institucionet dhe proceset tona demokratike për të siguruar që masa e gjerë e njerëzve të mbrohet nga pakica e psikopatëve dhe narcisistëve që kanë një dëshirë të pangopur për pushtet. Duhet të sigurohemi që demokracia jonë të mos shndërrohet në një patokraci.

Në planin afatgjatë, siç kam argumentuar në një postim të mëparshëm, na nevojiten masa të rrepta për të kufizuar arritjen në pushtet. Thënë thjesht: ata njerëz që dëshirojnë pushtetin më shumë – më të pamëshirshmit dhe pa empati – nuk duhet të lejohen të arrijnë në pozita autoriteti. Të gjithë liderët potencialë (ose anëtarët e një qeverie) duhet të vlerësohen me kujdes nga psikologët për të përcaktuar nivelin e tyre të empatisë, narcisizmit apo psikopatisë – dhe rrjedhimisht përshtatshmërinë e tyre për pushtet. /Telegrafi/

____________

[1] Łobaczewski, A. (2006). Political Ponerology: A Science on the Nature of Evil Adjusted for Political Purposes. Grande Prairie: Red Pill Press.
[2] Hughes, I. (2018). Disordered Minds: How Dangerous Personalities Are Destroying Democracy. Winchester, UK: Zero Books.

The post Patokracia appeared first on Telegrafi.

LIRIKË MBI VETMINË

14 July 2025 at 09:57

Poezi nga: Alexander Pope
Përktheu: Alfred Kola

Lum njeriu, që dëshirën e kujdesin
E lidh me tokën në atësi,
Është i kënaqur të thithë ajrin,
Në vendin e tij.

Me kope me qumësht, fusha me bukë,
Prej grigjës veshjen të marrë,
Me pemë në verë për hije mbi tufë,
Në dimër për zjarr.

Bekuar! kush rron pa shqetësime
Orë, ditë e vite që rrjedhin vetë,
Shëndet në trup, paqe në mendime,
Çdo ditë i qetë.

Fle ëmbël natën, qetësi mendimi
Bashkuar tok; ëndje pushim,
Dhe pafajësia, e kënaq më së miri,
Në meditim.

Pra le të jetoj, i panjohur, i paparë;
Pra le të vdes pa vaj e pa lot;
Të ik nga bota, dhe asnjë gur varri
Ku rri i shtrirë mos thotë.

– Lexo po ashtu: ODE PËR VETMINË (përkthyer nga: Astrit Lulushi)

The post LIRIKË MBI VETMINË appeared first on Telegrafi.

Po, plani i Izraelit për Rafahun do të ishte krim – por, e drejta ndërkombëtare kurrë nuk e ka mbrojtur Gazën

12 July 2025 at 11:11

Nga: Raja Shehadeh / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë 21 muajve të fundit të luftës gjenocidale të Izraelit kundër Gazës, zëra nga gjithë bota kanë dënuar shkatërrimin e së drejtës ndërkombëtare dhe rendit të bazuar në rregulla. Dhe, në të vërtetë, është zhdukur fasada e respektimit të së drejtës ndërkombëtare nga Izraeli, ndërsa politikat që përbëjnë krime lufte tashmë po shpallen pa pikë turpi.

Këtë javë, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ka treguar planet për të zhvendosur me forcë palestinezët, në një kamp mes rrënojave të Rafahut. Pasi të hyjnë aty, nuk mund të dalin më. Me fjalë të tjera, një kamp përqendrimi, i cili sipas përkufizimit është një qendër internimi për anëtarë të një grupi kombëtar (si edhe për të burgosur politikë apo grupe minoritare), me arsyetimin e sigurisë apo ndëshkimit – zakonisht me urdhër ushtarak. Michael Sfard, një avokat izraelit për të drejtat e njeriut, citohet në The Guardian duke thënë se Katzi “paraqiti një plan operacional për një krim kundër njerëzimit”. Qindra vetë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur duke u përpjekur që të kenë qasje në ushqim.

Jam përpjekur me vështirësi të kuptoj vuajtjen e pakuptueshme që kanë përjetuar palestinezët në Gazë dhe se si është e mundur që shumica e izraelitëve nuk e pranojnë aspektin e tyre njerëzor. Si janë në gjendje të mos ndiejnë pendesë për atë që ushtria e tyre po bën në emër të tyre? Besoj se fara e çnjerëzimit tonë është mbjellë gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1948. Palestinezët u privuan me dhunë nga toka, nga pasuritë dhe pronat e tyre, në atë që ne e quajmë Nakba (në arabisht “katastrofa”), me pretendimin se toka u ishte dhënë hebrenjve nga Zoti. Që nga ajo kohë, izraelitët kanë përdorur shtëpitë, tokat dhe pemishtet arabe pa ndier asnjë faj. Sulmet e 7 tetorit ishin pika e nisjes së luftës, por Izraeli ka degraduar dhe zhveshur sistematikisht popullin palestinez për dekada me radhë.

Shkelje të tilla të së drejtës ndërkombëtare çojnë në një ndjenjë dëshpërimi, për shkak të paaftësisë së institucioneve për të parandaluar tmerret që po ndodhin në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, si dhe për të mbajtur përgjegjës autorët. Gjykata Ndërkombëtare Penale, e mbështetur nga OKB-ja, ka lëshuar urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant, mbi akuzat për “krimin e luftës për urinë si metodë lufte; dhe krimet kundër njerëzimit si vrasje, përndjekje dhe veprime të tjera çnjerëzore”. Nuk është bërë asnjë arrestim. Perëndimi vazhdon të furnizojë Izraelin me ndihmë ushtarake dhe politike. Pyes vetes: a duhet të ndjehemi të pafuqishëm, ne palestinezët, përballë kësaj dështimi?

Megjithatë, e vërteta është se e drejta ndërkombëtare, megjithëse përdoret si një standard matës nga organizatat për të drejtat e njeriut, kurrë nuk ka qenë shpëtimi i Palestinës. Që nga dështimi për të zbatuar Rezolutën 194 të OKB-së të vitit 1948, e cila u jepte të drejtën refugjatëve palestinezë të ktheheshin në shtëpitë e veta në atë që u bë Izrael, kemi përjetuar zhgënjim pas zhgënjimi.

Kjo nuk ka ndodhur për mungesë përpjekjesh nga ana e palestinezëve, ndër vite, për të thirrur ligjin në ndihmë – qoftë nëpërmjet gjykatave izraelite, tribunaleve ndërkombëtare apo mekanizmave të zbatimit nga pala të treta. Një arsye e thjeshtë për dështimin e tyre është se ligji ndërkombëtar nuk ka mjete efektive zbatimi. Arsyet më komplekse kanë të bëjnë me interesat e fuqive të mëdha. Shpresa ime qëndron te qëndresa palestineze.

Shpresa dhe pritshmëria e zakonshme ka qenë që palestinezët do ta harronin tokën e tyre brenda një apo dy brezave. Kjo u dëshmua të jetë plotësisht e pabazë. Shtatëdhjetë e shtatë vjet më vonë, palestinezët janë po aq të lidhur me tokën nga e cila u dëbuan, sa edhe në ato ditët e para të përgjakshme.

Po ashtu, pavarësisht ndryshimeve të paligjshme dhe vendbanimeve të shumta hebreje dhe gjeografisë së ndryshuar në vendin tim, Bregun Perëndimor, ne palestinezët vazhdojmë të mbajmë gjallë praktikën që ne e quajmë sumud: refuzimin për t’u dorëzuar apo për të ikur. Nuk mund të flas në emër të palestinezëve në Gazë, por e shoh se ndajmë të njëjtin shpirt, pavarësisht përmasës së vuajtjeve.

Kur lufta do të përfundojë dhe gazetarëve e organizatave të huaja do t’u lejohet hyrja në Gazë, e vërteta do të dalë në dritë. Dëshmitë rrëqethëse nga ata që jetuan atje – përjetimet e grave, burrave dhe fëmijëve, të artistëve, shkrimtarëve dhe poetëve; jeta e ndërprerë apo e ndryshuar përjetësisht – mund të fillojnë ta përndjekin Izraelin.

Do të jetë humanizmi ynë, dhe jo ndonjë ligj ndërkombëtar, që do ta gjykojë dhe do ta mbajë përgjegjës Izraelin dhe aleatët e tij. Në një tjetër shkallë, por jo më pak flagrante, ndryshimet e njëanshme dhe të paligjshme që Izraeli po kryen në Bregun Perëndimor, shpesh me ndihmën e milicive të kolonëve, japin një pasqyrë të lakmisë së Izraelit për tokë dhe të politikave të tij të drejtuara nga ideologjia.

Ndoshta nuk ka shembull më të qartë të absurditetit të veprimeve të Izraelit sesa rasti i Qytetit të Vjetër të Hebronit. Qyteti mbahet peng nga një grup i vogël ekstremistësh hebrenj, që nuk janë më shumë se 900 veta, të cilët jetojnë në qendër të Hebronit – qyteti i dytë më i madh palestinez në Bregun Perëndimor, me një popullsi prej 232 500 banorësh. Popullsia hebraike mbrohet ditë e natë nga më shumë se 1 000 ushtarë izraelitë. Për të lejuar lëvizjen e lirë të kolonëve dhe ushtarëve, kufizimet mbi lëvizjen palestineze përfshijnë dhjetëra pika të fortifikuara kontrolli, barriera rrugore dhe poste të përhershme e të përkohshme ushtarake. Qyteti i vjetër është zbrazur pothuajse krejtësisht nga popullsia palestineze. A është kjo e qëndrueshme?

Sa i përket të ardhmes së Gazës, pyetja vendimtare do të jetë nëse me shkatërrimin e mjeteve për të mbijetuar – tokave bujqësore, burimeve të ujit, spitaleve dhe shkollave – ajo tokë mund të vazhdojë të mbështesë jetën.

Komuniteti ndërkombëtar, që ka dështuar turpshëm të zbatojë të drejtën ndërkombëtare, mund të bëjë një ndryshim në këtë çështje nëse ngul këmbë që, pas përfundimit të luftimeve, Izraeli të lejojë hapjen e Rripit të Gazës dhe të sigurojë që ndihmat të dërgohen për të mundësuar vazhdimin e jetës së palestinezëve atje ndërsa zona rindërtohet.

Gaza ka një histori prej 4 000 vjetësh të banimit të vazhdueshëm njerëzor. Përpjekja e Izraelit për ta zhdukur jetën atje është e dënuar të dështojë. Palestinezët, me ndihmën e të tjerëve ose pa të, do ta gjejnë një mënyrë për të mbijetuar. /Telegrafi/

The post Po, plani i Izraelit për Rafahun do të ishte krim – por, e drejta ndërkombëtare kurrë nuk e ka mbrojtur Gazën appeared first on Telegrafi.

Kur memoaret krijohen nga gënjeshtrat

11 July 2025 at 11:38

Nga: Rowan Pelling (titulli: The Salt Path scandal has blown up, but there is already another memoir storm brewing)
Përkthimi: Telegrafi.com

Nuk është ndonjë lajm i madh fakti që disa rrëfime autobiografike janë të zbukuruara. Njërit prej vëllimeve të tij, i ndjeri Clive James i vuri me zgjuarsi titullin Kujtime të pasakta [Unreliable Memoirs], për të nënvizuar faktin se autorët priren të zbukurojnë anekdotat e veta. Por, një gjë është zbukurimi, dhe një gjë tjetër është të shqepësh gjithçka përgjatë qepjeve, të fusësh brokadë dhe një Homer Simpson të qëndisur me dorë, dhe të përpiqesh të këmbëngulësh se përpjekja jote është po aq autentike sa Tapiceria e Bajesë.

Pikërisht kjo është ajo që ndodhi me rrëfimin e autorit James Frey, për varësinë e tij ndaj drogës, Një milionë copëza të vogla [A Million Little Pieces], ku u zbulua se shumë detaje ishin të trilluara – përfshirë pretendimin se kishte kaluar 87 ditë në burg pas një përplasjeje me policinë, kur në fakt kishte qenë vetëm disa orë në burg.

Dhe tani, akuza të ngjashme janë drejtuar ndaj bestsellerit të madh në Mbretërinë e Bashkuar, Shtegu i kripës [The Salt Path], shkruar nga Raynor Winn. Libri paraqitet si një tregim shpengimi i një çifti që humbi shtëpinë e vet në Uells – pas një investimi të keq në biznesin e një miku dhe zbulimit të papritur se shtëpia e tyre ishte përdorur si kolateral. Pasi përjeton një goditje pas tjetrës, Raynor mëson se bashkëshorti i saj, “Moth”, vuan nga CBD-ja (një gjendje e pashërueshme dhe degjenerative e ngjashme me Parkinsonin), dhe të dy nisen në një shëtitje epike përgjatë bregdetit, 600 milje të gjatë, për të gjetur veten përmes natyrës. Në fund të librit, ata përjetojnë një epifani dhe Mothi madje zbulon se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm.

E vetmja problematikë është se, siç është pohuar, e vërteta mund të ketë qenë disi ndryshe. Një hetim nga The Observer ka ngritur dyshime mbi shumë aspekte të librit – i cili u shndërrua në një film bestseller me Gillian Andersonin në rol kryesor – dhe ka akuzuar Winnin për “përvetësim fondesh” nga një punëdhënës i mëparshëm, për përdorimin e një emri të rremë, si dhe për mos zbardhjen e të vërtetës mbi gjendjen shëndetësore të bashkëshortit të saj dhe detajeve që frymëzuan librin.

Çifti këmbëngul se libri është “historia e vërtetë” e udhëtimit të tyre, por tashmë dimë se emrat e vërtetë të Raynor dhe Moth Winnit janë më pak ekzotikë si Sally dhe Tim Walker (me gjithë respektin, nëse do quhesha Tim, ndoshta do e ndryshoja emrin në Moth apo Hawk). Në raportimin e The Observer-it, Sally akuzohet për mashtrim ndaj një kompanie të vogël familjare, në vlerën 64 mijë funteve, gjë që bëri që çifti të merrte hua nga një i afërm i Timit duke përdorur shtëpinë si kolateral. Kur biznesi i të afërmit dështoi, kredia u kërkua menjëherë dhe shuma e detyrimit kishte arritur afërsisht në 150 mijë funte, duke çuar në shitje të detyruar të shtëpisë së tyre.

Gjithashtu, pretendohet se çifti zotëron një pronë të rrënuar dhe të pabanuar në Francë, e cila nuk është përmendur kurrë në libër. Së fundi, dhe më seriozja, janë ngritur pyetje edhe mbi sëmundjen e Tim/Mothit, pasi disa mjekë specialistë që trajtojnë CBD-në thonë se është e pabesueshme që dikujt që vuan nga kjo sëmundje t’i ndihmojë ecja e gjatë dhe e mundimshme – e lëre më të mbijetonte edhe 18 vjet të tjera. Ata që e kanë këtë gjendje, zakonisht vdesin brenda gjashtë deri në tetë vjet, dhe ata që mbijetojnë më gjatë janë jashtëzakonisht të paaftë.

Autorja ka dhënë një deklaratë përmes agjentit të saj, duke thënë se artikulli i Observer-it është “shumë mashtrues” dhe se ajo dhe bashkëshorti i saj “po marrin këshilla ligjore”, duke i lënë ndjekësit e thashethemeve të etur për kapitullin e radhës. Duhet të pranoj se jam shumë më e interesuar për këtë skandal sesa për “kujtesën” e thjeshtë dhe frymëzuese për shërimin në natyrë.

Ashtu si miliona të tjerë, ka diçka që i flet pjesës më themelore dhe argëtuese të natyrës njerëzore, kur sheh një rrëfim perfekt që pastaj shembet.

E pamë këtë në rastin e Elizabeth Holmesit, drejtoreshës së famshme të kompanisë amerikane Theranos, e cila pretendonte se mund të diagnostikonte sëmundje të shumta me vetëm një pikë gjaku. Ajo tërhoqi 700 milionë dollarë në investime dhe artikuj të pafund lavdërues për një pajisje që nuk funksionoi kurrë. Tani është në burg duke vuajtur një dënim prej 11 vjetësh – për mashtrim ndaj investitorëve. Por, ky është një mashtrim i vogël krahasuar me Sam Bankman-Friedin, i cili keqpërdori miliarda dollarë nga fondet e depozituara në bursën e tij të kriptomonedhave FTX.

Krahasuar me këta gjigantë të mashtrimit, është i parëndësishëm fakti që çdo shkrimtar që mitizon veten – apo shton elementë të trilluar në një histori që pretendohet si e vërtetë. Por, pyetja “si mendonin se do t’ia hidhnin pa u kuptuar?” mbetet jashtëzakonisht joshëse. Merrni si shembull Herman Rosenblatin, i cili dukej se kishte shkruar një bestseller të garantuar dhe prekës në formën e kujtimeve për Holokaustin, me titullin Engjëlli te gardhi: Historia e vërtetë e një dashurie që mbijetoi. Rosenblat pretendonte se kishte takuar për herë të parë gruan e tij kur ajo, si fëmijë nëntëvjeçar, i kishte dhënë ushqim përmes gardhit elektrik të kampit të përqendrimit në Shliben të Gjermanisë.

Vite më vonë, ata u ribashkuan rastësisht në Koni-Ajlend dhe zbuluan lidhjen nga e kaluara, ose të paktën kështu rrëfehej historia. Libri u anulua dy muaj para botimit (pas një episodi ku Oprah Winfrey e kishte quajtur atë “historinë më të madhe të dashurisë që kishte dëgjuar ndonjëherë”), kur u zbuluan detajet e pavërteta. Ajo që e bën këtë rast veçanërisht prekës është fakti që Rosenblati dhe gruaja e tij ishin vërtet të mbijetuar të Holokaustit dhe ai kishte qenë i burgosur në Shliben. Zbukurimet e tij dukeshin krejtësisht të panevojshme dhe, megjithatë, siç e dinë të gjithë shkrimtarët, ekziston një vijë shumë e hollë midis faktit dhe trillimit. Botuesit zakonisht rezervojnë detajet për historitë më të përsosura për stilin e Holivudit, dhe në rastin e Rosenblatit ai i kishte shitur paraprakisht – për 25 milionë dollarë – të drejtat për një film mbi kujtimet e tij.

Ndonjëherë, paratë nuk janë motivi kryesor, sa dëshira e shkrimtarit për ta paraqitur veten si heroi apo heroina e historisë. Dikush që kam njohur dikur – e përfshirë në botën letrare – u fiksua në një autor të suksesshëm të librave të udhëtimeve, i cili kishte kaluar kohë në Azinë Qendrore. Në një moment, ajo madje pretendoi se kishte marrë një propozim martese prej tij – megjithëse në të njëjtën periudhë thoshte gjithashtu se telefoni i saj po përgjohej nga MI5. Ky obsesion përfundimisht e çoi në shkrimin e kujtimeve për aventurat e saj në të njëjtën pjesë të botës: një rrëfim që, për ata që njihnin historinë origjinale të udhëtarit, kishte ngjashmëri shqetësuese.

Pa dyshim, elementi më i çuditshëm i librit ishte pretendimi i saj se kishte qenë pranë një prej sulmeve terroriste të 7 korrikut dhe se kishte mbajtur në krahë një pasagjer që po vdiste. Ndoshta ajo ishte vërtet një Florence Nightingale e kohëve moderne, por dukej e çuditshme që nuk ishte thirrur për të dëshmuar në hetimin e hollësishëm që pasoi shpërthimet. Më pas, rastësisht mësova nga një bisedë, se nxënëset e klasës së gjashtë në shkollën time të vjetër e kishin zgjedhur librin për klubin e leximit. I tregova një anëtari të stafit se pse kisha dyshime për autenticitetin e librit, dhe grupi e shndërroi diskutimin në një bisedë për detyrimin që ka një autor ndaj të vërtetës dhe mënyrat më të mira për të dalluar atë që sot do ta quanim dezinformim.

Madje, teksa po shkruaj këtë, më kanë njoftuar që një tjetër skandal i madh mund të shpërthejë rreth kujtimeve të një autoreje, me tematikë “afër natyrës”. Ndërkohë, mjafton të hedhësh një sy te debatet private në internet që shpërthejnë sa herë dalin memoaret nga një personazh i njohur, që nuk përmend zakonet me kokainë apo lidhjet e papërshtatshme dashurore. Ne shkrimtarët jemi shpirtra xhelozë nga natyra, duke i përçmuar thellësisht sukseset e autorëve të memoareve që marrin vendin e parë në shitje, sepse jeta e tyre mori papritur një kthesë magjepsëse – apo sepse ata mbrohen nga një ushtri avokatësh dhe zëdhënësish.

Me vëllezërit dhe motrat shpesh ankohemi që prindërit tanë kanë qenë shumë të mirë saqë ne nuk mund të shkruajmë një kujtesë tronditëse për fëmijërinë. Dhe, sa herë që shkruaj për familjen time, është e pashmangshme që njëri prej tyre të më telefonojë dhe të ankohet për ndonjë detaj të shtrembëruar – sepse as dy njerëz nuk i kujtojnë ngjarjet njësoj, me të njëjtin lente të brendshme dhe regjistrues të memories.

Një nga përvojat më të këqija në jetën time si gazetare ndodhi pasi kisha shkruar një kolumne për një ndodhi të çuditshme me pushkë ajri dhe për mënyrën sesi djemtë gjithmonë përfundojnë duke qëlluar gabimisht një shok në të pasme. Kisha treguar një histori që përfshinte vëllain tim dhe një shok shkolle të cilin e përmenda me emër, sepse mendoja se do të qeshnin prindërit e tij (miq të vjetër të nënës sime), pasi djali i tyre kishte qenë mishërimi i Xhast Uilliamit – gjithmonë në telashe.

E kujtoj mirë ngjarjen sepse e pashë nënën time teksa nxirrte plumbin me një teh. Por, në vend të qeshjes, u akuzova për gënjeshtër nga prindërit e zemëruar. Doli që nëna ime – e cila e adhuronte këtë djalë çapkën – nuk i kishte thënë kurrë asnjë fjalë familjes tjetër. Të gjitha rrëfimet varen nga perspektiva e gjerë që ke. Mosha, këndvështrimi dhe paragjykimet e brendshme luajnë rol, ndaj kemi atë shprehjen moderne të tmerrshme – “e vërteta ime”.

Pavarësisht këtyre grackave të qarta, etja e madhe për “histori të vërteta” në botën e botimeve – që i bën ato gjithnjë e më të përshtatshme për Netflix-in – nuk shuhet kurrë. Shpesh pyes veten, nëse Nancy Mitford do t’i shkruante romanet e saj sot, a do të cilësohej Në kërkim të dashurisë, me të gjitha referencat për ekscentricitetin e familjes së saj të vërtetë Mitford, si një memoar? Publiku nuk dëshiron më një roman à clef, por kërkon fakte të papërpunuara, të zjarrta dhe të nxehta për t’u përtypur – gjë që mund të shtyjë një shkrimtar të dëshpëruar drejt motiveve të pandershme.

Është krejtësisht i kuptueshëm tundimi për të hyrë në një jetë më të suksesshme, më frymëzuese, me marrëveshje filmash, miqësi me të famshëm dhe duartrokitje. A çon kjo drejt shtrembërimeve? Në rastin e Shtegut të kripës, vetëm koha dhe ekspertiza ligjore do ta tregojnë.

Një gjë mbetet e sigurt: qeniet njerëzore janë shumë më të çuditshme sesa do të mund të kuptonim ndonjëherë. E vërteta e zhveshur shpesh është më e mirë se versioni i zbukuruar. Veprimet mund të jenë të pakuptueshme: heronj, armiq, shkrimtarë, ëndërrimtarë dhe të dëshpëruar. Kjo, në fund të fundit, është arsyeja pse lexojmë: për të hyrë në botë të tjera, për të testuar kufijtë e tyre dhe për të parë se çfarë thonë ato botë për ne. /Telegrafi/

 

The post Kur memoaret krijohen nga gënjeshtrat appeared first on Telegrafi.

Ashtu si anglishtja, edhe spanjishtja po evoluon – por, ne e mirëpresim këtë

4 July 2025 at 10:59

Nga: María Ramírez / The Guardian (titulli: Like English, Spanish is constantly evolving. Unlike some English speakers, we welcome that)
Përkthimi: Telegrafi.com

Edhe vetë gjuha jote mund të të befasojë. Kohët e fundit mora pjesë në një panel në një konferencë gazetarie – me një gazetare dhe një avokate, të dyja nga Kolumbia. U ndjeva e magjepsur nga disa prej fjalëve që përdorën – fjalë që nuk janë, apo më saktë nuk kanë qenë aq të zakonshme në Spanjë. Gazetarja hulumtuese, Diana Salinas, e quajti zanatin e saj la filigrana – filigran. Nuk do ta kisha përdorur këtë term në atë kontekst, por mu duk fjalë përkryer për të përshkruar punën e detajuar e të kujdesshme që kërkon gazetaria hulumtuese.

Filigrana as nuk konsiderohet një amerikanizëm latin – vjen nga italishtja – por, në Spanjë duket se është harruar në përdorimin e përditshëm. Siç ndodh shpesh me spanjishten në Amerikën Latine, përdorimi dhe konteksti e pasurojnë kuptimin e fjalës.

Me rreth 600 milionë folës në mbarë botën, spanjishtja ka evoluar përgjatë shekujve dhe tani po shtyhet në drejtime të reja, veçanërisht në ShBA, ku popullsi nga kombësi të ndryshme ndërveprojnë dhe përzihen me folës të anglishtes nga prejardhje të ndryshme. “Spanjishtja është gjuha që nuk përfundon kurrë”, ka thënë shkrimtari nikaraguan, Sergio Ramírez, autor i librave të bukur në këtë gjuhë.

Sigurisht, si me çdo temë ku kryqëzohen identiteti dhe historia, edhe folësit e spanjishtes kanë mosmarrëveshje dhe debate mbi gjuhën. Por, asgjë nuk i afrohet intensitetit me të cilin disa britanikë reagojnë ndaj përdorimit të anglishtes amerikane. Duke lexuar për kontroversën e fundit mbi got/gotten në Guardian, më erdhi ndër mend se folësit e spanjishtes duket se e pranojnë më lehtë fatin e mirë të të folurit të një gjuhe globale.

Në të gjitha variantet e spanjishtes, drejtshkrimi mbetet kryesisht i njëjtë – por, ndryshimet në fjalor dhe përdorim mund ta bëjnë të vështirë kuptimin e ndërsjellë. Kushdo që i drejtohet një audience shumëkombëshe hispanofone, mund të hasë në vështirësi për të gjetur fjalët që tingëllojnë njësoj përtej kufijve; në disa raste, një fjalë e vetme mund të ketë kuptime shumë të ndryshme.

Gjatë fushatës presidenciale amerikane të vitit 2016, kur punoja në Univision Noticias – një media lajmesh në gjuhën spanjolle me bazë në ShBA – patëm një debat të gjatë për mënyrën e përkthimit të fjalisë famëkeqe të Donald Trumpit në incizimin e [programit] Access Hollywood. Në fund, për shkak të mungesës së një fjale që do të funksiononte për të gjithë folësit e spanjishtes, vendosëm të përdorim origjinalin në anglisht – “pussy”.

Si shumë spanjollë që punojnë në mediat amerikane, edhe unë u përpoqa – me pak sukses – të neutralizoja theksin tim, që mund të tingëllojë i ashpër për disa, ndërsa shmanga fjalët që nuk dëgjohen shpesh jashtë Spanjës, si coche për makinë, në vend të carro apo më neutralja auto.

Megjithatë, nuk mbaj mend të kem marrë ndonjëherë ankesa nga kolegët apo publiku për spanjishten time. As kam parë ndonjë letër në redaksinë, ku punoj aktualisht në Spanjë, që të kundërshtojë përdorimin e fjalëve si ameritar (meritor) apo quilombo (rrëmujë), dy nga shumë fjalët e zakonshme në Amerikën Latine që kanë hyrë në fjalorin tonë të përditshëm. Ankesa më e shpeshtë që dëgjoj nga folës të spanjishtes, jashtë Spanjës, është kur i referohemi Shteteve të Bashkuara si América, ose qytetarëve amerikanë si americanos, ashtu siç ndodh shpesh edhe në botën anglishtfolëse.

E, megjithatë, diskriminimi dhe snobizmi, në bazë të theksit, vazhdojnë të ekzistojnë në Spanjë – jo vetëm ndaj folësve të spanjishtes latino-amerikane, por edhe ndaj atyre nga rajonet jugore të Spanjës të cilat janë më të varfra dhe më rurale se mesatarja në vend. Qëndrimet e brezave më të rinj kanë ndryshuar për të mirë dhe e hedhin poshtë idenë se e vetmja spanjishte “e mirë” është ajo kastiliane – siç flitet në Spanjën qendrore.

Një projekt afatgjatë i Universitetit të Alkala mbi perceptimet ndaj gjuhës spanjolle, zbuloi se thekset më të vlerësuara, përveç atij të vetë folësit, ishin ato nga Kili dhe Karaibet. Sipas këtij studimi, folësit që vlerësuan theksin e tyre më poshtë se mesatarja ishin nga disa rajone të Spanjës, veçanërisht Madridi, Ishujt Kanarie dhe Andaluzia.

Falë ardhjes së miliona njerëzve nga Amerika gjatë dy dekadave të fundit, spanjishtja e folur në Spanjë është më e larmishme dhe më shprehëse se kurrë, me një gamë më të gjerë nuancash. Edhe lexuesit në Spanjë po nxisin një bum letrar, veçanërisht të udhëhequr nga shkrimtaret argjentinase. Fatmirësisht, ngulja këmbë te një lloj i vetëm spanjishteje nuk paraqet më problem.

Akademia Mbretërore e Gjuhës Spanjolle, një institucion i themeluar në shekullin XVIII që është përgjegjës për hartimin e fjalorit zyrtar të spanjishtes, ka adoptuar një këndvështrim gjithnjë e më global mbi gjuhën, megjithëse ende i shënon si “amerikanizma” fjalët më pak të zakonshme në Spanjë. Qasja e saj më gjithëpërfshirëse në aspektin gjeografik, nuk është reflektuar gjithmonë në çështjet e tjera: veçanërisht në debatet për fjalët me ngarkesa gjinore apo maskuline, një fushë ku akademia ka qenë më konservatore sesa vetë shoqëria spanjolle.

Përtej këtyre debateve, një gjë mbetet e qartë: gjuha u përket folësve të saj, paçka se sa fort përpiqen akademikët dhe puritanët t’i vendosin kufij asaj. Mbrojtja e veçantisë së një gjuhe ose e lidhjes së saj me një territor të vetëm, shpesh fsheh një ndjenjë të brendshme epërsie – një bindje se mënyra e të folurit e një grupi është disi më legjitime apo më e rafinuar. Ky instinkt kontrolli bie ndesh me vetë natyrën e gjuhës, veçanërisht në një botë të përzierjes kulturore dhe të lidhjes globale, ku një video e shkurtër nga matanë oqeanit mund të ketë më shumë ndikim sesa një artikull në gazetën tënde lokale.

Pasuria që lind nga përdorimi kolektiv, përtej kontinenteve dhe komuniteteve, është ajo që i mban gjuhët gjallë dhe në lulëzim. Kjo vlen edhe për ne, folësit fatlumë të spanjishtes dhe anglishtes. Shumëllojshmëria që ndajmë nuk janë pengesa: ato janë një dëshmi e qëndrueshmërisë, kreativitetit dhe bukurisë së gjuhëve tona. /Telegrafi/

The post Ashtu si anglishtja, edhe spanjishtja po evoluon – por, ne e mirëpresim këtë appeared first on Telegrafi.

KUNDËRSHTIM

4 July 2025 at 08:32

Poezi nga: Hermann Hesse
Përktheu: Maksim Rakipaj

(Në përgjigje të pyetjeve përse nuk mbaj anën e komunistëve)

Më mirë të më vrasë ndonjë fashist
Sesa fashisti të jem vetë!
Më mirë të më vrasë ndonjë komunist
Sesa komunisti të jem vetë!

Nuk e kemi harruar luftën. Daulleve të saj ua njohim dehjen.
Tashmë jemi shurdhuar nuk gënjehemi, si joshen
njerëzit nga kjo e vjetër drogë,
As ushtarë s’jemi, as duam të ndreqim botën
As besojmë se “nëpërmjet natyrës sonë
botën duhet ta shërojmë”.
Jemi të varfër e të mbytur
Fjalëve të bukura më nuk u besojmë
Me të cilat na trullosët e në luftë na tërhoqët,
Njësoj si fjalët tuaja, o vëllezër të kuq, që magjike janë,
por njësoj drejt luftës na dërgojnë dhe gazit helmues!

Gjeneralë janë edhe prijësit tuaj,
Që çirren, kur organizojnë duke komanduar,
Por, këto i urrejmë me gjithë shpirtin,
S’e hamë më atë koqe ulliri,
Nuk duam zemrën të humbasim dhe arsyen,
Nuk duam të marshojmë nën flamuj të kuq a të bardhë.
Më mirë pëlqejmë të zhdukemi si “ëndërrimtarë”,
A të vdesim nga duart e vëllezërve tuaj gjakatarë,
Sesa t’i gëzojmë pushtetit lumturinë
Duke qëlluar mbi vëllezërit tanë në emër të njerëzimit!

The post KUNDËRSHTIM appeared first on Telegrafi.

Eminem-i, IA-ja dhe unë: Pse artistët kanë nevojë për ligje të reja në epokën digjitale?

3 July 2025 at 10:34

Nga: Alexander Hurst / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në 74 833 fjalët e një libri që po shkruaj, ka gjashtë fjalë të cilat, kur bashkohen në një sekuencë të caktuar prej 12 fjalësh, unë nuk mund t’i përdor. Është një varg i vetëm nga kënga Bloodbuzz Ohio nga grupi The National, i cili thotë: Unë ende kam borxh për paratë, për paratë që i kam borxh.

Libri im është një kujtesë personale për ndikimin psikologjik të asaj që unë e quaj “kapitalizëm i dëshpërimit”, sidomos te brezi i milenialëve, dhe se si kjo i ka shtyrë dhjetëra miliona njerëz të përpiqen të dalin nga pasiguria financiare duke u përfshirë në veprimtari me rrezik të lartë financiar. Historia tregohet përmes përvojës sime personale, teksa për 11 muaj radhazi i shndërrova disa mijëra dollarë në më shumë se 1.2 milion, dhe pastaj për 18 muaj të tjerë ndoqa humbjet derisa përfundova me zero. Në fakt, më keq se zero sepse në fund ia kisha borxh  qeverisë amerikane pothuajse 100 mijë dollarë taksa për fitimet “fantazmë” që nuk ekzistonin më.

Ja ku do të përshtatej në mënyrë të përsosur ai varg nga grupi The National, si një epigraf – por, vetëm në teori. Botuesi më informoi se tekstet e këngëve janë subjekt i një zbatimi famëkeq të rreptë të së drejtës së autorit dhe çmimi për të blerë të drejtat është shpesh astronomik. Pra, as mos e çoni ndër mend të citoni Eminem-in për të treguar se si kënga Lose Yourself depërtoi në psikikën e një brezi, kur ai tha: Ke vetëm një shans, mos e humb shansin për të dështuar, kjo mundësi vjen një herë në jetë.  

Por, sikur të isha një kompani e inteligjensës artificiale [IA] me një model të madh gjuhësor (LLM), gjithçka do të ishte ndryshe. Do të mund të grumbulloja pa problem gjithë diskografinë e grupit The National dhe të Eminem-it, dhe tekstet e çdo kënge tjetër të shkruar. Pastaj, kur një përdorues do të kërkonte diçka si: “Shkruaj një tekst rep në stilin e Eminem-it për humbjen e parave, duke u frymëzuar nga Bloodbuzz Ohio i grupit The National”, programi im i lidhjes së fjalëve – me qindra miliona klientë që paguajnë dhe një kapital tregu që vlen dhjetëra nëse jo qindra miliarda dollarë – do të mund të përgjigjej:

Unë ende kam borxh për paratë, për paratë që i kam borxh
Por, unë nxjerr ar nga fyti kur pluskoj,
Prandaj, shko thuaj bankës se mund të marrë çfarë të dojë
Unë tashmë shpirtin e lash në mikrofon.

Dhe, kjo, sipas vendimeve të muajit të kaluar nga gjykatat amerikane, është në njëfarë mënyre “përdorim i drejtë” [fair use] dhe çuditërisht nuk përbën shkelje të së drejtës së autorit – edhe pse nuk i është paguar asnjë qindarkë askujt në këtë proces.

Unë nuk jam as jurist i të drejtës së autorit, as gjyqtar. Jam i sigurt se të dy ata kanë përgjigje të detajuara dhe teknike – si për shembull se ka një kuadër të ndryshëm ligjor për përdorimin e drejtë në trajnimin e IA-së kundrejt riprodhimit të drejtpërdrejtë. Por, le të lëmë mënjanë për një çast të gjitha këto çështje teknike. A po respektohet me të vërtetë fryma e ligjit për të drejtën e autorit – ai ligj që më ndalon mua të citoj një varg të vetëm 12 fjalësh nga grupi The National në një libër, por i lejon ChatGPT-së ta riprodhojë fjalë për fjalë si pjesë e një “këngë” të re të gjeneruar në çast të vetëm?

Apo është thjesht fjala për pushtet? A do të thotë kjo që Eight Mile Style, kompania diskografike e Eminem-it mund të më shkatërrojë mua për ta cituar në një libër, vetëm sepse unë jam i vogël në krahasim me të, ndërsa Meta mund ta përmbytë Eight Mile Style-n që është po aq i vogël në krahasim me të, me ekipe avokatësh dhe me vite të tëra vonesash?

(Duhet të theksoj se Eight Mile Style ka paditur vetë Meta-n për shkelje të së drejtës së autorit, duke pretenduar se ky është “një tjetër rast i një kompanie me vlerë prej trilion dollarësh (me ‘T’) që shfrytëzon përfitimet krijuese të artistëve muzikorë për përfitime të turpshme monetare të drejtuesve dhe aksionarëve të saj, pa licencë dhe pa respekt për të drejtat e zotëruesve të pronës intelektuale”. Fort mirë! Shpresoj të fitojnë.)

E paramendoj që një ekspert i së drejtës së autorit do të më thoshte se ajo që bën ChatGPT është e ngjashme me dikë që shkruan me dorë disa vargje nga The National apo të Eminem-it, në një fletore personale; se nëse ndonjëherë do ta incizoja dhe shisja këtë këngë të krijuar nga AI-ja, që citon drejtpërdrejt prej tyre, atëherë do të isha fajtor për shkelje të materialit të mbrojtur. Por, kur bëhet fjalë për modelet e mëdha gjuhësore, vetë përmbajtja e prodhuar është produkti.

LLM-të nuk “mendojnë” për atë që prodhojnë. Ato nuk mësojnë, nuk transformojnë dhe nuk janë krijuese në asnjë kuptim të vërtetë të fjalës. Ato identifikojnë marrëdhëniet komplekse (dhe shumë pak kuptojnë) midis fjalëve dhe grupeve të fjalëve, brenda sasive të mëdha të tekstit, bazuar në të dhënat masive të trajnimit (ose, për mua personalisht, ajo që duket si një vjedhje me shumicë e pothuajse gjithë historisë së krijimtarisë letrare dhe artistike të njerëzimit) për të gjeneruar përgjigje që janë mjaftueshëm të mira për të na mashtruar duke menduar se një lloj ndërgjegjeje ka qenë e përfshirë aty.

Ky nuk është një shpërthim emocional për faktin që nuk mund të përdor një varg kënge në librin tim të ardhshëm. Nëse ky është standardi ligjor, atëherë ai është standardi (për shembull, doktrina e përdorimit të drejtë për median e lajmeve është ndryshe). Por, le të jetë të paktën i njëjti standard për të gjithë.

Ka dallim midis asaj që është ligj dhe asaj se si ligji duhet të jetë. A janë vendimet që sapo janë marrë për shkrimtarët në rastet kundër Meta-s dhe Anthropic-ut – një tjetër akter i madh në industrinë e IA-së – në të mirë të krijimtarisë njerëzore? Apo po rrëshqasim drejt një bote ku jo vetëm që kapitali sundon, por edhe ku “inteligjencat” e rreme dhe fitimprurëse përballen me më pak kufizime, sesa vetë njerëzit, mbi mënyrën se si përdorin materialin njerëzor?

Vazhdojmë të dëgjojmë nga themeluesit dhe ekspertët e IA-së se sa revolucionare janë produktet e tyre. Për mënyrën se si IA-ja dhe agjentët e saj do të trazojnë çdo gjë në mënyrë të pakthyeshme. Atëherë ndoshta IA-ja duhet të trazojë edhe ligjin. Nëse ligji po prodhon situata që janë teknikisht të sakta, por të padrejta, të padëshiruara dhe që kërcënojnë vetë ekzistencën e shkrimtarëve, muzikantëve dhe artistëve – profesione jetësore të cilat, në shumicën e rasteve, nuk kanë ndjekur kurrë ndonjë logjikë ekonomike – atëherë ne duhet ta ndryshojmë ligjin. /Telegrafi/

The post Eminem-i, IA-ja dhe unë: Pse artistët kanë nevojë për ligje të reja në epokën digjitale? appeared first on Telegrafi.

EPITAF MBI VETË POLITIKANIN

2 July 2025 at 12:36

Poezi nga: Hilaire Belloc 
Përkthyer nga: Besnik Hamiti dhe Agron Shala

Ceremonia madhështore dhe absurde u shpalos,
Kur kufoma e politikanit u varros.
Të njohurit e tij e tallnin dhe e shanin
Unë qava: sepse doja që ta varnin

Edhe diçka për të njëjtin

Ky, më i shquari në sojin e vet,
Korruptoi, ngacmoi, mashtroi dhe shantazoi çdo vjet:
Por vdekjen madje edhe politikanët do të dështojnë
Ta korruptojnë ose mashtrojnë, ta ngacmojnë ose shantazhojnë.

Për një politikan tjetër

Politikani i vdekur dhe në baltë i shndërruar,
Mund të bëhej një tapë erën për ta ndaluar
S’më pëlqejnë shkujat, por prapë dyshoj
Tapën ta prek me dorë veten ta detyroj.

Edhe për një tjetër

Fama Manipuluesit të saj të dashur lavdi i dhuron,
Dhe Manipuluesi është i pavdekshëm për sa kohë që jeton.

Epitaf mbi vetveten

Lauda tu Ilarion audacem et splendidum,
Ti që gjithmonë gjërat i fillon dhe kurrë nuk i mbaron.

The post EPITAF MBI VETË POLITIKANIN appeared first on Telegrafi.

Miti serb për Kosovën, sipas historianit Holm Sundhaussen

1 July 2025 at 11:56

Nga: Enver Bytyçi

28 qershori! Dita e shenjtë e Serbisë dhe e serbëve, e emërtuar si Dita e Shën Vidovdanit! Kjo ditë përkujton Betejën e Fushë-Kosovës të 28 qershorit 1389 midis forcave ballkanike dhe trupave ushtarake të Sulltan Muratit I osman. Është fakt se kjo betejë, kjo ditë, është mitizuar në shkallën më të lartë të mundshme dhe ka prodhuar aq shumë drama, viktima dhe tragjedi në konfliktet ballkanike, sidomos midis serbëve dhe shqiptarëve. Dhe, duhet thënë se për gati dy shekuj dita e 28 qershorit është përdorur shumë herë si simbol i mitologjisë serbe për qëllime të manipulimit të opinionit brenda dhe jashtë kufijve të shtetit serb.

Më 28 qershor 1914, pra Ditën e Shën Vidovdanit, u përgatit dhe ndodhi atentati kundër princit austro-hungarez të kurorës, Franz Ferdinand, dhe gruas së tij, Sofisë. Pse ai atentat u krye pikërisht në atë ditë? Për të dhënë mesazhin e frymëzuar prej mitit serb të Vidovdanit, se “Serbia nuk duron më të sakrifikohet” me protektoratin austro-hungarez në Bosnjë Hercegovinë. Ky atentat u bë shkaku i fillimit të Luftës së Parë Botërore. Më pas, Franca, si nikoqire e Konferencës së Paqes, e çeli atë konferencë në Versajë pikërisht më 28 qershor 1919. Edhe kjo ndodhi për shkak se Franca donte ta përdorte Vidovdanin serb si simbol të fitores së luftës, e cila filloi në atë ditë pesë vite më parë. Ndërkohë që vetë Serbia ishte përpjekur ta përkujtonte Vidovdanin, por këtë e realizoi vetëm në vitet 1930 kur e kishte konsoliduar pushtetin e sundimit të saj në Kosovë nën ish-Mbretërinë Jugosllave.

Edhe Josif Stalini e publikoi letrën e ashtuquajtur të Informbyrosë më 28 qershor 1948. Gjithnjë për t’u kujtuar serbëve se ata duhej të reagonin kundër Titos dhe ta rrëzonin atë nga pushteti. Shën Vidovdani i shërbeu atij për të mobilizuar serbët për rrëzimin e Titos, por nuk ndodhi kjo.

Megjithatë, është Serbia, shteti, kisha, akademia e saj, të cilat e përdorën Shën Vidovdanin si mit dhe si motiv e mjet për homogjenizimin e popullit dhe të kombit serb kundër popujve të tjerë të rajonit tonë e sidomos kundër shqiptarëve. Kurdo që Serbia ka ndërmarrë fushata ushtarake e policore të spastrimeve etnike kundër shqiptarëve, thirri në ndihmë mitet e Betejës së Fushë-Kosovës të 28 qershorit 1389. I fundit ishte Sllobodan Milosheviqi ai që mblodhi në Fushë-Kosovë, më 28 qershor 1989, mbi një milion qytetarë të Serbisë dhe u betua “për ta mbrojtur Kosovën” kundër shqiptarëve!

Autorë të shumtë të huaj, por edhe serbë dhe shqiptarë e kanë trajtuar këtë fenomen në mënyrat e tyre kritike, shumë kritike, ose reflektive. Sigurisht që shumica e autorëve të Serbisë e kanë mbrojtur idenë e Kosovës si “djepi i popullit dhe shtetit serb”, si “Jerusalemi i Serbisë”, si “toka e shenjtë serbe”, si “zemra e atdheut të serbëve” etj. Por, nga të gjitha elaborimet e kësaj ngjarjeje më ka tërhequr vëmendjen më së shumti trajtimi dhe interpretimi që i bën asaj një profesor i shquar i historisë së Evropës Lindore dhe Juglindore, Holm Sundhaussen. Paraprakisht dua t’ju them se profesor Sundhaussen ishte një studiues sqimatar, më i madhi për historinë e rajonit tonë. Ai është marrë jo vetëm me mitet ballkanike, e sidomos ato serbe; jo vetëm me zhvillimet historike politike te ne, por në detaje ka studiuar gjithashtu çështjet e zhvillimit ekonomik e social, kulturor e gjuhësor, si dhe demografik të popujve të Evropës Juglindore, sidomos të Serbisë. Është studiuesi më i kompletuar i historisë sonë të përbashkët në shtetet e rajonit tonë e sidomos të historisë së shtetit serb.

Vetëm një shembull po sjell. Në vitin 2007, Holm Sundhaussen botoi në gjermanisht librin e tij të kontestuar në Beograd, Historia e Serbisë, në të cilin e zhvesh këtë histori prej miteve dhe mitologjisë së ngulitur thellë në kulturën, tregimtarinë dhe interpretimin e autorëve serbë. Sapo ai libër u botua, mediat e Beogradit e kudo që jetojnë serbët reaguan me nervozizëm për atë që ata e quanin “lëndim dhe fyerje ndaj serbëve dhe historisë së tyre”! Ministria e Punëve të Jashtme në Beograd thirri ambasadorin gjerman dhe i dorëzoi një notë protestë për atë që kishte shkruar Holm Sundhaussen. Debati vazhdoi me muaj. Ndërkohë, autori i historisë së vërtetë të Serbisë i mblodhi të gjitha reagimet që ishin publikuar në mediat serbe e më gjerë, shënoi emrat e të gjithë atyre autorëve që kishin shkruar dhe i ftoi ata në një takim në Beograd për t’u ballafaquar me të vërtetën e shkruar. Mbajti një referat prej 22 faqesh, në të cilin ai u shpjegoi historianëve të Serbisë se çfarë ishte historia, ku ndryshon ajo nga mitologjia dhe si duhet shkruar e vërteta historike, pa u ndikuar nga mitet folklorike.

Por, le të kthehemi te pikëpamjet e Holm Sundhaussen sa i përket Betejës së Fushë-Kosovës të 28 qershorit 1389. Ai shkruan: “Kosova, si një pikë qendrore mentale e Serbisë së mesjetës, pra si vend ‘i tregimeve hyjnore të popullit serb’, ‘si Jerusalemi i Serbisë’, po ashtu si kujtesë e Betejës në Fushën e Mëllenjave, krijon dy pjesë themeltare të miti serb. (Kjo e krahasuar me punimet e Zoran Janjetoviqit). Njëra është se Beteja e vitit 1389 shihet si akt vdekje dhe asgjësimi në gjykimin e Zotit, trajtohet si rënie, si vuajtje dhe gatishmëri për t’u sakrifikuar”. Ndërsa, në anën tjetër, shkruan Sundhaussen, “ajo betejë shihet si ringritje, si rithemelim i perandorisë tokësore dhe hakmarrje për atë çka populli serb vuajti në atë betejë”. Më tej, ai e zbërthen mesazhin e mitit serb të kësaj beteje me padrejtësinë që i bëhet popullit serb e gatishmërinë e tij për t’u vetësakrifikuar, duke pasur parasysh vrasjen në betejë me Sulltanin të Princ Llazarit, ose gatishmërinë e Millosh Obiliqit për t’u hakmarrë, si dhe të “tradhëtisë” së Vuk Brankoviqit.

Interpretimi i Holm Sundhaussenit është se për atë betejë ka shumë pak ose aspak informacion të kronikëve të luftës. Gjithçka, shkruan ai, është në gojëdhëna. Edhe mbledhja e folklorit nga ana e gjuhëtarit Vuk Karaxhiq shihet prej tij si një punë e paargumentuar. Madje, shkruan dhe thotë se këngët që ai mblodhi nuk kanë burimin se nga vijnë. Ndërkohë që kronika e kësaj beteje është shkruar disa dekada më vonë, vëren Sundhaussen. Ai bën krahasimin e kësaj beteje me betejat e tjera të kësaj periudhe dhe arrin në përfundimin se dy prej tyre ishin më të rëndësishme sesa ajo në Fushën e Mëllenjave. P.sh përmend Betejën e vitit 1448, për të cilën thotë se ishte e suksesshme dhe më e madhe sesa Beteja e vitit 1389. Megjithatë, në historinë e Serbisë iu dha vend kësaj të fundit. Arsyeja? Nevoja për përdorim politik të saj.

Pak a shumë të njëjtat argumente përdor edhe historiani britanik, Noel Malcolm, kur përcakton dhe provon me fakte se pse Kosova nuk është djepi shpirtëror i shtetit dhe popullit serb. Ai shkruan se as shteti dhe as kisha e Serbisë nuk lindën për herë të parë në territorin e Kosovës. Shteti i parë serb lindi në Rashkë, ndërsa kisha serbe u krijua në një fshat afër Kragujevcit. Prandaj, shkruan Malcolm, nuk mundet që Kosova të ishte e të jetë “djepi shpirtëror i popullit dhe i shtetit të Serbisë”! Duke sjellë argumente si këto, historianë të tillë me emër dhe famë evropiane, e kanë zhveshur historinë e Serbisë nga mitet dhe kësisoj dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për interpretimin real të kësaj historie. Ndërkohë, historiani tjetër gjerman, Konrad Clewing, i trajton mitet si mjet ndikimi edhe në etnostrukturën e Kosovës, duke arritur në përfundimin se megjithatë “Kosova është ose jo homogjene me popullsi shqiptare, po aq sa është e tillë Gjermania me popullsi gjermane”!

Parimi themelor i konceptit të historisë për Holm Sundhaussenit është vendosja në themel të saj të njeriut. Duke e zgjeruar pikëpamjen e tij, në këtë aspekt, ai shkruan se “nuk ka territore të pushtuara ose jo të pushtuara. Të pushtuar ose jo të pushtuar janë njerëzit që jetojnë në ato territore”. Ndërsa, duke iu referuar Betejës së Fushë-Kosovës, ai e sheh atë si tendencë të Serbisë për të krijuar mitin e “popullit hyjnor”! Shqiptarët dhe grekët ushqejnë “të qenit banorët e parë të gadishullit”. Ndërsa serbët mitin e “të qenit hyjnorë”, si askush tjetër, unikë. Ndërsa, betejën e Car Llazarit me Sulltanin, Sundhaussen e sheh si moment vendimi në dilemën “nëse princi serb do të luftonte për perandorinë tokësore të trashëguar nga Nemanjët dhe Stefan Dushani, apo në vend të kësaj do të ngrinte një kishë me të cilën shihej krijimi i një perandorie ose mbretërie hyjnore serbe. Virtualiteti kësisoj shndërrohet në legjendë, legjenda në mit dhe miti përdoret si mjet lufte dhe beteje”.

Është interesant se si Sundhaussen e trajton nga pikëpamja psikologjike zhvillimin e ngjarjeve. Edhe vrasjen e Car Llazarit ai e sheh si çështje nderi për t’u përballur në dyluftim me Sulltan Mratin I. Në këtë moment ai shkruan se Car Llazari mendoi sipas dilemës: Nëse duhej të luftonte me ushtri për të mbrojtur “mbretërinë serbe”, ndonëse ai nuk ishte pasues i perandorisë, e cila kishte perënduar në vitin 1371, apo të binte në betejë si dishepull i krijimit të një mbretërie imagjinare hyjnore për serbët. Zgjodhi martirizimin, viktimizimin si model të mbretërisë së “përjetshme”, shkruan Holm Sundhaussen. Dhe, më pas përshkruan se si dhe pse emri i Car Llazarit u bë mit. Ai citon teologun serb, Nikolaj Velimiroviq, i cili shkruante se “asnjë popull kristian nuk ka në historinë e vet atë çfarë populli serb ka. Asnjë popull nuk ka një Kosovë … Kosova është një rast unik në historinë dymijë vjeçare të krishterimit”, citon Sundhaussen të ketë shkruar teologu serb i lartpërmendur dhe i shpallur shenjt nga Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe në vitin 2003.

Edhe sa i përket Millosh Obiliqit, Sundhaussen e shpjegon aktin e tij të vrasjes së Sulltanit me sedrën dhe egon e tij, për t’u dëshmuar. Baxhanaku i tij, Vuk Brankoviqi, kishte nxjerrë fjalë se Milloshi “ishte një tradhtar, që punon për turqit”! Dhe, ky i fundit, për ta dëshmuar veten jo si “tradhtar”, por “si hero”, në përfundim të betejës hyn në mirëbesim në çadrën e Sulltanit dhe e vret atë. Motivimi i këtij akti provon në fakt një sindromë të trashëguar edhe sot nga individë dhe grupe individësh, të cilët vendosin veten gjithnjë në provë, për t’u dëshmuar te të tjerët për aftësitë ose për cilësitë që ata kanë. Është aq e përhapur një sindromë e tillë, sa nuk ke pse të mos e besosh edhe në rastin e Millosh Obiliqit.

Sipas historianit të njohur, Sundhaussen, miti i Betejës së Fushë-Kosovës nisi si akt i grumbullimit të folklorit rreth kësaj ngjarjeje dhe përfundoi në shekullin e XIX në një mit kombëtar. Deri aso kohe, ngjarja u transmetua përmes folklorit. Madje, edhe në rapsoditë e kelmendasve në Shqipëri dhe te shqiptarët në Kosovë. Pas studimit të këtij folklori prej Vuk Karaxhiqit, ajo u shndërrua në një ide fikse, sipas së cilës e gjithë bota rrotullohet rreth Fushë-Kosovës së 28 qershorit 1389 e, në kohën e sotme, rreth Serbisë e serbëve. Për ta shndërruar në mit këtë betejë, nisën që prej vitit 1870 e këtej të zhvillohen manifestime, përkujtimore, të shkruhen tregime, të bëhen gravura dhe tablo të pikturës, të bëhet muzikë e në shekullin XX edhe filma. Car Llazari u konsiderua si i pari dhe i vetmi pasues i Krishtit në botë. Teologë, historianë, artistë, kineastë, regjisorë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, priftërinj, politikanë, akademikë, historianë, psikologë e profesorë të Serbisë u përfshinë në dalldinë e kultivimit të këtij miti, aq sa e çuan Serbinë në shumë fushata ushtarake, beteja e luftëra kundër popujve fqinjë të saj, në përpjekjen e saj për ta krijuar “Serbinë e Madhe”!

Duke e interpretuar konjukturën e këtij miti, Holm Sundhaussen përmend rastin e fundit, kur Milosheviqi organizoi përkujtimoren e 600 vjetorit të Betejës në Fushë-Kosovë më 28 qershor 1989, në të cilën deklarohet: “Ne do ta fitojmë betejën për Kosovën, pa marrë parasysh pengesat me të cilat përballemi brenda dhe jashtë vendit”. Ndërkohë që citon gjithashtu fjalën e Milosheviqit para turmave në Beograd me 19 nëntor 1988, kur ai imitoi Gëbelsin e Hitlerit. Milosheviqi thoshte atë kohë se “Serbia ose do të bëhet e madhe, ose nuk do të ekzistojë fare”! Më pas u elaboruan, shkruan Sundhaussen, idetë për fertilitetin e nënave shqiptare në Kosovë, duke u konsideruar si akt gjenocidi kundër Serbisë dhe serbëve. Madje, ai citon një prej anëtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë, kur shkruante: “Në 600-vjetorin e Betejës në Kosovë ne shpallëm se Kosova është dhe do të jetë serbe dhe kjo nuk varet nga fertiliteti i shqiptarëve ose mortaliteti i serbëve. Aty është derdh aq shumë gjak serb dhe gjenden aq shumë relike hyjnore, saqë Kosova gjithmonë do të jetë një territor serb, edhe nëse në këtë vend nuk do të jetojë asnjë serb”!

Ndërkohë, duke e trajtuar këtë ngjarje me rrezatim në kohët e sotme moderne, Sundhaussen i drejtohet edhe elitës së mendimit racional në Serbi. Ai citon p.sh. Bogdan Bogdanoviqin, i cili i kishte shkruar një letër Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, menjëherë pas shkarkimit të Stamboliqit në nëntor 1987. Në atë letër Bogdanoviq ka shkruar: “Serbët janë lodhur nga loja e dramës nacionale dhe nga kjo politikë ditore që i godet ata. Është e lodhur nga historia e saj, të cilën serbët nuk e kuptojnë e megjithatë mrekullohen me të. Ata janë të lodhur nga luftërat e vështira, tragjike dhe të pamenduara”. Sundhaussen më tej citon gjithashtu Danica Drashkoviqin, e cila në kulmin e luftës në Bosnjë, më 1994, shkruante se “fshatarët serbë nuk kanë nevojë për territore, përkundrazi ata kanë nevojë për një jetë si p.sh në Amerikë e në Gjermani … Nga Serbia e Madhe ne kemi përfituar deri tani vetëm luftë, varfëri dhe uri”.

Megjithatë Holm Sundhaussen mendonte aso kohe (në fillim të viteve 2000) se ndarja e Serbisë nga mitet për Kosovën është një proces ende i largët. Ajo çfarë ka ndodhur në këto më shumë se dy dekada dhe çfarë po ndodh ende sot, e provon këtë përfundim logjik të historianit të shquar gjerman!

The post Miti serb për Kosovën, sipas historianit Holm Sundhaussen appeared first on Telegrafi.

Çfarë është bota myslimane?

30 June 2025 at 13:55

Nga: Cemil Aydin, profesor i Historisë në Universitetin e Karolinës së Veriut / aeon.co
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Më 17 maj 1919, në Paris, tre udhëheqës indianë myslimanë u takuan me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson, për të mbrojtur çështjen e ruajtjes së Kalifatit osman në Stamboll dhe për vetëvendosjen kombëtare të Anadollit si atdhe për turqit myslimanë. Indianët kërkuan pavarësinë e asaj që e quajtën “fuqia e fundit myslimane që mbeti në botë.” Udhëheqësit myslimanë indianë që flisnin në emër të një Kalifati osman mund të duken si përfaqësues të një uniteti global mysliman, por një përfundim i tillë do të ishte i gabuar.

Në fakt, detajet, argumentet dhe idealet e atij takimi tregojnë se sa i paqëndrueshëm dhe mashtrues është supozimi i zakonshëm se ekziston një ndarje e qartë midis “botës myslimane” dhe “Perëndimit.” Myslimanët indianë e mbrojtën çështjen e pavarësisë turke duke iu referuar 14 pikave për paqe të Wilsonit. Suksesi i tyre në sigurimin e këtij takimi me Wilsonin lidhej ngushtë me sakrificën e tyre si ushtarë në ushtrinë britanike, duke luftuar dhe mundur aleancën gjermano-osmane. Edwin Montagu, sekretari i Shtetit për Indinë nën sundimin britanik, e organizoi takimin sepse besonte se Perandoria Britanike – si perandoria më e madhe myslimane në botë – kishte një përgjegjësi morale për të dëgjuar çështjen e myslimanëve indianë në mbrojtje të Kalifatit osman. Të tre liderët myslimanë që theksonin lidhjet e tyre shpirtërore me Kalifatin osman – Aga Khan, Abdullah Yusuf Ali dhe Sahibzada Aftab Ahmad Khan – ishin në fakt nënshtetas besnikë të Kurorës Britanike. Në takim morën pjesë edhe disa liderë hindu të Indisë, duke shprehur solidaritetin e tyre me bashkatdhetarët myslimanë dhe mbështetjen për Kalifatin osman.

Ky diskutim në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, nuk zbulon një përplasje midis një bote islame dhe një bote perëndimore. Përkundrazi, zbulon një botë komplekse dhe të ndërlidhur. E, megjithatë, merreni parasysh esenë me ndikim të Bernard Lewisit në revistën The Atlantic, Rrënjët e zemërimit mysliman (1990): “Në këndvështrimin klasik islamik, drejt të cilit shumë myslimanë po kthehen, bota dhe mbarë njerëzimi ndahen në dy pjesë: Shtëpia e Islamit, ku mbizotërojnë ligji dhe besimi islam dhe, pjesa tjetër, e njohur si Shtëpia e Mosbesimit ose Shtëpia e Luftës, të cilën myslimanët kanë detyrim përfundimtar ta sjellin në Islam.” Lewis e bënte të qartë se ky “detyrim” i supozuar nënkuptonte mjete të dhunshme: “Detyrimi i luftës së shenjtë … fillon në shtëpi dhe vazhdon jashtë saj, kundër të njëjtit armik jobesimtar.” Si në frymë ashtu edhe në përmbajtje, udhëheqësit indianë që u takuan me Wilsonin në vitin 1919, kundërshtojnë çdo pretendim të Lewisit. Myslimanët ishin mbështetës besnikë të një perandorie shumë-fetare, si ajo britanike, bashkëpunonin me hindutë dhe kishin luftuar kundër ushtarëve myslimanë të Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore. Ata nuk i shihnin perëndimorët si armiq dhe e mbrojtën kauzën e Kalifatit osman në përputhje me normat ndërkombëtare mbi vetëvendosjen kombëtare dhe paqen perandorake.

Edhe pse ka pasur ndikim në qarqet e politikës amerikane, Bernard Lewis nuk ishte ai që shpiku idenë e një “bote myslimane” që është ndryshe nga ajo perëndimore. Që prej Revolucionit Iranian të vitit 1979, gazetarët perëndimorë dhe islamistët radikalë e kanë popullarizuar këtë ide. Sipas pikëpamjes së tyre, panislamizmi bashkëkohor buron nga idealet e lashta myslimane dhe synon rikthimin e një pastërtie të paprishur fetare. Në këtë këndvështrim, panislamizmi paraqitet si një lëvizje reaksionare, e kapluar nga traditat e vjetra dhe nga ligji klasik islam. Ajo që zakonisht pretendohet është se veçantitë e Islamit e detyrojnë përkatësinë fetare të myslimanëve të tejkalojë çdo përkatësi tjetër politike. Ky panislamizëm jo vetëm që mbijeton, por lulëzon edhe në botën moderne, dhe paraqitet si artefakt civilizues që bie thellësisht ndesh me kohën moderne.

Lewis mund të mos ketë qenë ai që shpiku idenë e botës myslimane, por ia dha një lustër intelektuale dhe frymëzoi veprën edhe më të njohur të Samuel Huntingtonit, Përplasja e qytetërimeve dhe rindërtimi i rendit botëror (1996). “Lufta midis këtyre sistemeve rivale [të botës islame dhe të krishterimit],” shkroi Lewis, “ka zgjatur për rreth 14 shekuj. Ajo filloi me shfaqjen e Islamit, në shekullin VII, dhe ka vazhduar praktikisht deri në ditët e sotme. Ka qenë një seri e gjatë sulmesh dhe kundërsulmesh, xhihadesh dhe kryqëzatash, pushtimesh dhe ripushtimesh.”

Kjo mbetet ende pikëpamja dominuese perëndimore mbi panislamizmin, e shprehur shpesh përmes frazës së zakonshme në media dhe në analiza – “bota myslimane.” Por, në kundërshtim me këtë pikëpamje mbizotëruese për një përplasje të përjetshme me Perëndimin e krishterë, panislamizmi është në fakt një fenomen relativisht i ri dhe aspak i jashtëzakonshëm. I lidhur ngushtë me pan-afrikanizmin dhe pan-azianizmin, ai lindi në vitet ‘80 të shekullit XIX si një reagim ndaj padrejtësive të imperializmit evropian. Fillimisht, ideja e solidaritetit global mysliman synonte të siguronte më shumë të drejta për myslimanët brenda perandorive evropiane, si përgjigje ndaj ideve të supremacisë së bardhë/krishterë, dhe për të pohuar barazinë e shteteve ekzistuese myslimane në të drejtën ndërkombëtare.

Ideja e një përplasjeje të lashtë midis Botës Myslimane dhe Botës së Krishterë është një mit i rrezikshëm dhe modern. Ajo mbështetet në shtrembërime të fabrikuara të uniteteve të ndara gjeopolitike dhe civilizuese islame dhe perëndimore. Pan-afrikanizmi dhe pan-azianizmi ofrojnë një kontekst më të mirë për të kuptuar panislamizmin. Të tria u shfaqën në fund të shekullit XIX, në kulmin e epokës së perandorive, si kundërpërgjigje ndaj supremacisë anglosaksone dhe misionit civilizues të njeriut të bardhë. Panislamistët e epokës së perandorive nuk kishin nevojë të bindnin myslimanët e tjerë për unitetin global të bashkëbesimtarëve të tyre. Duke ndarë subjektet myslimane përmes referencave ndaj identitetit të tyre fetar, kolonizatorët krijuan themelet konceptuale të unitetit modern mysliman.

Në atë kohë, perandoritë britanike, holandeze, franceze dhe ruse sundonin shumicën e myslimanëve të botës. Ashtu si pan-afrikanistët dhe pan-azianistët, panislamistët e parë ishin intelektualë që donin t’u kundërviheshin fyerjeve, poshtërimeve dhe shfrytëzimit të dominimit kolonial perëndimor. Ata nuk synonin domosdo të mohonin botën perandorake apo realitetin e perandorive. Në ndjeshmëri, intelektualët kryesorë panislamistë, Jamaluddin al-Afghani dhe Syed Ameer Ali, i ngjanin shumë figurave si W. E. B. Du Bois te pan-afrikannistët apo Rabindranath Tagore tek pan-aziatistët. Si homologët e tyre, panislamistët theksonin se perandoritë evropiane diskriminonin afrikanët, aziatikët dhe myslimanët – si brenda perandorive, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Të tri lëvizjet sfiduan racizmin evropian dhe dominimin kolonial, dhe premtuan një botë më të mirë dhe më të lirë për shumicën e qenieve njerëzore në Tokë.

Zyrtarët kolonialë evropianë filluan të shqetësoheshin për një revoltë të mundshme myslimane, kur panë se teknologjitë moderne të shtypit, avulloreve dhe telegrafit po krijonin lidhje të reja mes popullatave të ndryshme myslimane, duke i ndihmuar ata të artikulonin një kritikë ndaj racizmit dhe diskriminimit. Megjithatë, nuk pati kryengritje panislamike kundër kolonializmit në vitet 1870-1910. Kërcënimi i supozuar i panislamizmit u shfaq për herë të parë, dukshëm, në Perëndim gjatë Luftës së Parë Botërore, pjesërisht sepse perandoritë osmane dhe gjermane e promovuan atë në propagandën e tyre të luftës. Por, nuk pati asnjë revoltë myslimane gjatë Luftës së Parë Botërore, kur qindra mijëra-ushtarë myslimanë shërbyen në perandoritë britanike, franceze dhe ruse. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pan-azianizmi lidhej me premtimet e Perandorisë Japoneze për të çliruar racat me ngjyrë të Azisë nga hegjemonia e të bardhëve. Pas humbjes së Japonisë, dekolonizimi historik i Afrikës e rriti rëndësinë e pan-afrikanizmit në debatin evropian.

Deri në vitet ’60 të shekullit XX, me zbehjen e botës koloniale dhe zëvendësimin e saj nga një botë e shteteve të pavarura, projektet politike të panislamizmit, pan-afrikanizmit dhe pan-azianizmit pothuajse ishin zhdukur. Megjithatë, ato kishin fituar shumë beteja intelektuale kundër racizmit, kishin rrëzuar argumentet koloniale të supremacisë së bardhë dhe kishin ndihmuar në përfundimin e sundimit perandorak evropian. Zhgënjimet mbi dështimin e Afrikës, Azisë dhe botës myslimane për të arritur barazi dhe liri të krahasueshme me Perëndimin, kontribuuan gjithashtu në rënien e statusit të këtyre pan-nacionalizmave. Deri në vitet ’80 të shekullit XX, intelektualët afrikanë dhe afro-amerikanë u bënë më pesimistë mbi ëndrrën kryesore pan-afrikaniste për barazi racore për njerëzit me ngjyrë në botën moderne dhe për ta bërë gjithë Afrikën të begattë dhe të lirë. Nuk është realizuar vizioni pan-afrikan për të bashkuar kombet e reja e të dobëta afrikane në një forcë federative globale dhe për t’u dhënë atyre liri dhe mirëqenie. Edhe pse ekziston ende një organizatë ndërkombëtare – Bashkimi Afrikan – ajo është jofunksionale dhe larg realizimit të qëllimeve të pan-afrikanizmit. Shpresat e brezit pan-afrikanist, nga Du Bois te Frantz Fanon, për një të ardhme të dekolonizuar të Afrikës, mbeten një projekt i humbur për brezin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, me disa fuqi të mëdha si Kina, India dhe Japonia, Azia e sotme e dekolonizuar do t’i kishte bërë krenarë pan-azianistët e fillimit të shekullit XX. Megjithatë, pan-azianizmi i shekullit XX ndoqi një rrugë të ndërlikuar. Shfrytëzimi që Japonia i bëri pan-azianizmit për të arsyetuar pushtimin e saj kolonial të Kinës dhe Koresë, i la shumë mbështetës të ndiheshin të tradhtuar. Politika e jashtme e Indisë së pavarur, nën drejtimin e Jawaharlal Nehrusë, tregoi një angazhim ndaj disa parimeve pan-azianiste, të cilat kishin një tërheqje të gjerë gjatë Konferencës së Bandungut më 1955. Ky takim i 29 shteteve aziatike dhe afrikane, që përbënin më shumë se gjysmën e popullsisë së botës, ishte shprehja e fundit madhore e solidaritetit aziatik, dhe më pas u përthith nga rivalitetet e Luftës së Ftohtë dhe ndërtimi i shteteve kombëtare.

Edhe panislamizmi ka ecur përpara në një seri ngritjesh dhe rëniesh gjatë shekullit të fundit. Nga Turqia dhe Egjipti, te Indonezia dhe Algjeria, ideja e intelektualizmit mysliman dhe solidaritetit global mysliman fuqizoi udhëheqësit dhe lëvizjet nacionaliste të shekullit XX. Deri në mesin e viteve ’60 të shekullit XX, shumica e myslimanëve të botës kishin fituar lirinë nga sundimi kolonial evropian. Parlamenti turk kishte shfuqizuar Kalifatin osman që në vitin 1924, dhe deri në vitet ‘50 të shekullit XX ai kalifat pothuajse ishte harruar.

Megjithatë, në pothuajse një të pestën e parë të shekullit XXI, pan-afrikanizmi dhe pan-azianizmi duken sikur janë zhdukur, ndërsa panislamizmi dhe ideali i solidaritetit të botës myslimane vazhdon të mbijetojë. Pse? Përgjigjja gjendet në fazat përfundimtare të Luftës së Ftohtë. Në vitet ‘80 të shekullit XX, u shfaq një ndërkombëtarizim i ri mysliman, si pjesë e rritjes së islamit politik. Nuk bëhej fjalë për një përplasje mes traditave civilizuese të lashta të Islamit dhe Perëndimit, as për një ringjallje të vlerave autentike fetare. Nuk ishte as një vazhdimësi e panislamizmit të fillimit të shekullit XX, por një formacion i ri që doli nga Lufta e Ftohtë. Një aleancë saudito-amerikane filloi të promovojë idenë e solidaritetit mysliman në vitet ‘70 të shekullit XX, si një alternativë ndaj panarabizmit laik të presidentit egjiptian Gamal Abdel Nasser, vendi i të cilit ishte i lidhur me Bashkimin Sovjetik. Çdo ide për një utopi “islame” do të kishte dështuar nëse nuk do të ishin dështimet e shumë shteteve të pas-kolonializmit dhe zhgënjimi pasues publik i shumë myslimanëve.

Ideja se panislamizmi përfaqëson vlera autentike politike myslimane, të lashta dhe të shtypura që ngrihen në revoltë kundër perëndimores dhe sekularizmit global, ishte në fillim një obsesion paranojak i oficerëve kolonialë perëndimorë, por së fundmi vjen kryesisht nga islamistët. Komentatorët dhe gazetarët perëndimorë kanë gabuar duke i marrë për të mirëqena pretendimet e islamistëve mbi vlerat thelbësore politike të Islamit. Lloji i islamizmit që identifikohet me Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit apo Iranin e Ruhollah Khomeinit, nuk ekzistonte para viteve ’70 të shekullit XX. Asnjë nga myslimanët indianë që u takuan me Wilsonin, e as kalifët e fundit osmanë, nuk ishin të interesuar për të imponuar sheriatin në shoqëritë e veta. Asnjëri prej tyre nuk donte të detyronte gratë të mbuloheshin. Përkundrazi, brezi i parë panislamist ishte shumë modernist: ata ishin përkrahës të çlirimit të grave, barazisë racore dhe kozmopolitizmit. Myslimanët indianë, për shembull, ishin shumë krenarë që kalifi osman kishte ministra dhe ambasadorë grekë e armenë. Ata gjithashtu dëshironin që Kurora Britanike të emëronte hindusë dhe myslimanë si ministra dhe zyrtarë të nivelit të lartë në qeveritë e tyre. Asnjëri prej tyre nuk do të kishte dëshiruar apo parashikuar ndarjen e turqve dhe grekëve në tokat osmane, arabëve dhe hebrenjve në Palestinë, apo myslimanëve dhe hindusëve në Indi. Vetëm forma bazë e panislamizmit të fillimshekullit XX mbijeton sot; përmbajtja e tij është transformuar plotësisht që prej viteve ’80 të shekullit XX.

Fakti që si Bernard Lewis ashtu edhe Osama bin Laden flisnin për një përplasje të përjetshme midis një bote të bashkuar myslimane dhe një Perëndimi të bashkuar, nuk do të thotë se ky është realitet. Edhe në kulmin e idesë së solidaritetit global mysliman, në fund të shekullit XIX, shoqëritë myslimane ishin të ndara sipas vijave politike, gjuhësore dhe kulturore. Që nga koha e shokëve të profetit Muhamed, në shekullin e shtatë, qindra mbretëri, perandori dhe sulltanate të ndryshme – disa në konflikt me njëra-tjetrën – kanë sunduar mbi popullsi të përziera myslimane dhe me të tjerë. Ndarja e myslimanëve nga fqinjët e tyre hindu, budistë, të krishterë dhe hebrenj, dhe koncepti për shoqëritë e tyre në izolim, nuk ka asnjë lidhje me përvojën historike të qenies njerëzore. Nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk mund të ekzistojë një “botë” e ndarë “myslimane.”

Të gjitha grupet e reja fashiste të djathta anti-myslimane në Evropë dhe në ShBA, janë të fiksuara pas zgjerimit perandorak osman në Evropën Lindore. Ata e shohin rrethimin osman të Vjenës, të vitit 1683, si një tentativë të qytetërimit islamik për të pushtuar “Perëndimin.” Por, në Betejën e Vjenës, hungarezët protestantë ishin aleatë të Perandorisë Osmane – kryesisht myslimane – kundër Habsburgëve katolikë. Ishte një konflikt i ndërlikuar midis perandorive dhe shteteve, jo një përplasje qytetërimesh.

Nacionalizmi hindu i kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, promovon idenë e një Perandorie të huaj Mogule që pushtoi Indinë dhe sundoi mbi hindusët. Por, burokratët hindu luajtën një rol jetik në Perandorinë Mogule të Indisë, dhe perandorët mogulë ishin ndërtues perandorish, jo fanatikë që kërkonin një sundim teokratik mbi komunitetet e feve të ndryshme. Ka edhe myslimanë sot që e shohin Perandorinë Mogule si një shembull të dominimit mysliman mbi hindusët. Është domethënëse dhe e rëndësishme që propaganda perëndimore anti-myslimane dhe narrativat panislamike të historisë i ngjajnë njëra-tjetrës. Të dyja mbështeten mbi një narrativë civilizuese të historisë dhe mbi një ndarje gjeopolitike të botës në njësi të veçuara dhe ahistorike, si Afrika e zezë, bota myslimane, Azia dhe Perëndimi.

Panislamizmi bashkëkohor gjithashtu idealizon një të kaluar mitike. Sipas panislamistëve, ymeti, apo komuniteti mysliman global, lindi në një kohë kur myslimanët nuk ishin të poshtëruar nga perandoritë raciste të bardha apo nga fuqitë agresive perëndimore. Panislamistët duan ta “bëjnë ymetin sërish madhështor.” Por, ideja e një epoke të artë të unitetit politik dhe solidaritetit mysliman, mbështetet mbi amnezinë historike për të kaluarën perandorake. Shoqëritë myslimane nuk kanë qenë kurrë politikisht të bashkuara, ndërkaq nuk ka pasur kurrë shoqëri homogjene myslimane në Euroazi. Asnjë nga perandoritë myslimane, të drejtuara nga dinastitë, nuk ka synuar nënshtrimin e jobesimtarëve nga besimtarë të devotshëm. Ashtu si monarkët osmanë, persianë apo egjiptianë të fundshekullin XIX, ato ishin perandori shumetnike që punësonin mijëra burokratë jobesimtarë. Popullsitë myslimane nuk kanë kërkuar kurrë solidaritet global të ymetit para fundit të shekullit XIX – në kontekstin e perandorive raciale evropiane.

Termi “bota myslimane” u shfaq për herë të parë në vitet ’70 të shekullit XIX. Fillimisht, ishin misionarët evropianë apo zyrtarët kolonialë që e përdornin si një shkurtesë për t’iu referuar të gjithëve që ndodheshin mes “racës së verdhë” të Azisë Lindore dhe racës së zezë në Afrikë. Ata e përdornin gjithashtu për të shprehur frikën e tyre nga një revoltë e mundshme myslimane, edhe pse subjektet myslimane të perandorive nuk ishin as më të rrezikshëm e as më të bindur se hindusët apo budistët. Pas kryengritjes së madhe indiane të vitit 1857, kur si hindusët ashtu edhe myslimanët u ngritën kundër britanikëve, disa zyrtarë kolonialë britanikë fajësuan myslimanët për këtë kryengritje. William Wilson Hunter, një zyrtar kolonial britanik, vuri në dyshim – në librin e tij me ndikim, Myslimanët indianë: A janë të detyruar në ndërgjegje të rebelohen kundër Mbretëreshës? (1871) – nëse myslimanët indianë mund t’i qëndronin besnikë një monarku të krishterë. Në realitet, myslimanët nuk ndryshonin shumë nga hindusët, as në besnikërinë e tyre, as në kritikat e tyre ndaj perandorisë britanike. Myslimanët elitarë indianë, si reformisti Syed Ahmad Khan, shkruan kundërshtimet e ashpra ndaj akuzave të Hunterit. Por, ata gjithashtu pranuan termat e debatit të tij, sipas të cilit myslimanët përbënin një kategori të dalluar dhe të veçantë të indianëve.

Rritja e nacionalizmave evropianë gjeti gjithashtu një armik të përshtatshëm te myslimanët, në veçanti te sulltani osman. Në fund të shekullit XIX, nacionalistët grekë, serbë, rumunë dhe bullgarë filluan të portretizonin sulltanin osman si një despot. Ata iu drejtuan liberalëve britanikë për të prishur aleancën osmano-britanike, në emër të një solidariteti global të krishterë. Liberalët anti-osmanë britanikë, si William Gladstone, argumentuan se solidariteti i krishterë duhet të ketë rëndësi në vendimet britanike për Perandorinë Osmane. Pikërisht, në këtë kontekst, sulltani osman iu referua lidhjes së tij shpirtërore me myslimanët indianë, për të argumentuar një rikthim të aleancës osmano-britanike, falë kësaj lidhjeje të veçantë mes dy perandorive të mëdha myslimane.

Në librin e tij me ndikim, E ardhmja e Islamit (1882), poeti anglez Wilfrid Scawen Blunt argumentonte se Perandoria Osmane do të dëbohej përfundimisht nga Evropa dhe se fryma e kryqëzatës e Evropës do ta kthente Stambollin në një qytet të krishterë. Blunt gjithashtu pretendonte se Perandoria Britanike, e cila nuk kishte urrejtje ndaj myslimanëve siç kishin austriakët, rusët apo francezët, mund të bëhej mbrojtëse e popullatave myslimane në Azi. Në mënyrë patronizuese dhe imperialiste, Blunt dukej se interesohej për të ardhmen e myslimanëve. Ai ishte një mbështetës dhe mik i reformistëve kryesorë myslimanë, si Al-Afghani dhe Muhammad Abduh, dhe shërbeu si ndërmjetës midis qarqeve intelektuale evropiane dhe reformistëve myslimanë.

Rreth së njëjtës kohë kur Blunt po shkruante, intelektuali francez me ndikim, Ernest Renan, formuloi një pikëpamje shumë negative për Islamin, veçanërisht në lidhje me shkencën dhe qytetërimin. Renan e shihte Islamin si një fe semite që pengonte zhvillimin e shkencës dhe të racionalitetit. Idetë e tij simbolizuan racialen e myslimanëve përmes fesë së tyre. Natyrisht, Renan i bënte këto argumente në Parisin që sundonte pjesë të mëdha të Afrikës së Veriut dhe të Afrikës Perëndimore myslimane. Idetë e tij ndihmuan në arsyetimin e sundimit kolonial francez. Al-Afghani dhe shumë intelektualë të tjerë myslimanë shkruan kundërshtimet ndaj pretendimeve të Renanit, me mbështetjen e Bluntit. Por, Renani pati më shumë sukses në krijimin e një narrative shpërqendruese të një qytetërimi të veçuar islamik përballë një qytetërimi perëndimor të krishterë.

Pretendimet e elitave evropiane për një mision civilizues perëndimor, dhe për superioritetin e qytetërimit të krishterë perëndimor, ishin themelore për projektet koloniale. Intelektualët evropianë ndërmorën projekte të mëdha për klasifikimin e njerëzimit në hierarki racore dhe fetare. Vetëm në përgjigje të këtij pohimi shovinist, intelektualët myslimanë krijuan një kundër-narrativë të qytetërimit islamik. Duke u përpjekur të pohonin dinjitetin dhe barazinë e tyre, ata theksuan lavdinë e së kaluarës, modernitetin dhe civilizimin e “botës myslimane.” Këta kundërshtarë myslimanë të ideologjisë imperialiste evropiane – të superioritetit qytetërues të racës së bardhë mbi myslimanët dhe racat e tjera me ngjyrë – ishin panislamistët e parë.

Gjatë fillimit të shekullit XX, reformatorët myslimanë filluan të kultivonin narrativën historike që theksonte një qytetërim të përbashkët, me një epokë të artë në shkencë dhe art islam, dhe me një rënie të mëvonshme. Kjo ide e një historie gjithëpërfshirëse islame ishte një krijim i ri i formuar drejtpërdrejt si përgjigje ndaj idesë së një qytetërimi perëndimor dhe ndaj argumenteve gjeopolitike të unitetit racor perëndimor/të bardhë. Ashtu si brezi i parë i intelektualëve pan-afrikanë dhe pan-aziatikë, intelektualët myslimanë iu përgjigjën shovinizmit evropian dhe orientalizmit perëndimor me historinë dhe qytetërimin e tyre madhështor. Gjatë gjithë shekullit XX, udhëheqësit e mëdhenj myslimanë, si Mustafa Kemal Atatürku i Turqisë, Nasseri në Egjipt, Mohammad Mosaddequ në Iran dhe Sukarno në Indonezi, ishin të gjithë nacionalistë laikë, por të gjithë kishin nevojë dhe e përdorën këtë nocion të një historie të lavdishme të qytetërimit mysliman, për t’iu kundërvënë ideologjive të supremacisë së bardhë. Nacionalizmi në fund triumfoi, dhe gjatë viteve 1950-‘60, ideja e Islamit si një forcë në punët botërore u zbeh në gazetarinë dhe studimet perëndimore.

Ideologjitë panislamike nuk u rishfaqën më deri në vitet ‘70 dhe ’80 të shekullit XX, dhe atëherë me një karakter dhe ton të ri. Ato u rikthyen si shprehje e pakënaqësisë ndaj botës bashkëkohore. Kishte ardhur fundi i ditëve entuziaste të optimizmit, të mesit të shekullit XX, për modernizimin. Kombet e Bashkuara kishin dështuar në zgjidhjen e çështjeve ekzistenciale. Shtetet kombëtare pas-koloniale nuk kishin sjellë liri dhe mirëqenie për shumicën e myslimanëve të botës. Ndërkohë, Evropa, ShBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik treguan pak shqetësim për vuajtjet e popujve myslimanë. Partitë islamiste, si Vëllazëria Myslimane në Egjipt dhe Xhemati Islam në Pakistan, u shfaqën duke pohuar se kolonizimi i Palestinës dhe vuajtjet nga varfëria kërkonin një formë të re solidariteti.

Revolucioni Iranian i vitit 1979 u dëshmua si një moment historik. Për të dënuar status quo-në, Khomeini iu drejtua kësaj forme të re të panislamizmit. Por, Irani i tij dhe rivali rajonal, Arabia Saudite, favorizuan interesat kombëtare të shteteve të tyre. Kështu që nuk ka ekzistuar kurrë një vizion i zbatueshëm federativ për këtë solidaritet të ri panislamik. Ndryshe nga pan-afrikanizmi, i cili idealizonte popullsitë me lëkurë të zezë që jetonin në solidaritet brenda Afrikës pas-koloniale, panislamizmi mbështetet në një ndjenjë viktimizimi, pa një projekt politik praktik. Ai ka të bëjë më pak me planet reale për të themeluar një shtet mysliman, dhe më shumë rreth mënyrës se si të ndalet shtypja dhe diskriminimi ndaj një komuniteti të imagjinuar global.

Thirrjet për solidaritet global mysliman nuk mund të kuptohen duke parë tekstet fetare apo përkushtimin fetar të myslimanëve. Janë zhvillimet në historinë intelektuale dhe gjeopolitike moderne ato që kanë krijuar dhe formësuar pikëpamjet panislamike për historinë dhe botën. Ndoshta tipari më thelbësor i tyre është ideja për Perëndimin si një vend me një narrativë të vete historike dhe një vizion të qëndrueshëm politik për hegjemoninë globale. Bashkimi Sovjetik, ShBA-ja, BE-ja – të gjitha projektet globale perëndimore të shekullit XX – imagjinojnë një Perëndim superior dhe hegjemon. Intelektualët e hershëm panislamikë zhvilluan narrativa myslimane për rendin global historik, si një strategji për të kundërshtuar diskurset imperialiste mbi inferioritetin e tyre, të cilat ishin të përhapura në metropolet koloniale, shkrimet orientaliste dhe shkencat sociale evropiane. Thjesht, nuk mund të ketë një narrativë panislamike të rendit global pa homologen e saj, narrativën perëndimore për botën, e cila është po aq e njëanshme si histori.

Idetë për botën islame dhe atë perëndimore duken si armiq që pasqyrojnë njëri-tjetrin. Nuk duhet t’u lejojmë kolonizatorëve të fundshekullit XIX të përcaktojnë kushtet e debatit të sotëm mbi të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë. Për sa kohë që e pranojmë këtë opozitë të njëanshme mes “Perëndimit” dhe “botës myslimane,” ne vazhdojmë të jemi të robëruar nga kolonializmi dhe dështimet e dekolonizimit. Duke i pranuar dhe refuzuar këto terma diskutimi, mund të bëhemi të lirë për të ecur përpara, për të menduar për njëri-tjetrin dhe për botën në mënyra më realiste dhe njerëzore. Sfida jonë sot është të gjejmë një gjuhë të re të të drejtave dhe normave, që nuk është e robëruar nga mashtrimet e qytetërimit perëndimor, apo të alternativave afrikane, aziatike dhe myslimane ndaj tij. Qenia njerëzore, pavarësisht ngjyrës apo fesë, ndan një planet të vetëm dhe një histori të ndërlidhur, pa kufij civilizues. Çdo rrugë përpara, për të kapërcyer padrejtësitë dhe problemet aktuale, duhet të bazohet në lidhjet dhe vlerat tona të përbashkëta, e jo në tribalizmin civilizues. /Telegrafi/

The post Çfarë është bota myslimane? appeared first on Telegrafi.

Pse populistët magjepsen me letërsinë fantastike?

28 June 2025 at 13:18

Nga: Martin Sandbu / The Financial Times [Why is the right so fascinated with fantasy literature?]
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, themeloi një konferencë politike konservatore të emërtuar sipas një heroi të një romani bestseller të zhanrit të fantazisë, të vitit 1979 [Atreju, personazh nga vepra Historia pa mbarim]; dikur ajo vishte kostumin e hobitit, ndërsa në vitin 2023 organizoi një ekspozitë muzeale kushtuar J.R.R. Tolkienit [autor i Kryezotit të Unazave dhe Hobitit]. Peter Thiel, miliarderi i teknologjisë që mbështet Trumpin dhe është skeptik ndaj demokracisë, kryeson një trend në Luginën e Silikonit [Silicon Valley] për emërtimin e kompanive të frymëzuara nga Kryezoti i Unazave – duke filluar nga kompania e tij e inteligjencës së të dhënave, Palantir (gurë magjikë në Tokën e Mesme), deri te prodhuesi i armëve, Anduril (një shpatë, sipas Tolkienit). Nënpresidenti amerikan, J.D. Vance, ka thënë se konservatorizmi i tij është ndikuar nga Tolkieni dhe C.S. Lewisi – autori i Kronikave të Narnisë.

Me fjalë të tjera, magjepsja me letërsinë fantastike i bashkon konservatorët nacionalistë evropianë, sivëllezërit teknologjikë të Trumpit dhe lëvizjen MAGA [Make America Great Again]. A është kjo thjesht një rastësi? Apo ka diçka në vetë natyrën e letërsisë fantastike që, në mënyrë të pazakontë, përputhet me mendësinë e djathtë?

Në rastin italian, adhurimi për letërsinë fantastike ka qenë “më shumë psikologjik sesa politik”, thotë Salvatore Vassallo, profesor i shkencave politike në Universitetin e Bolonjës. Ai kishte rëndësi në kohën kur Meloni dhe shoqëruesit e saj ishin të rinj, dhe pjesa e tyre e së djathtës ishte e përjashtuar nga politika tradicionale për shkak të bagazhit të “referencave kulturore fashiste, të cilat nuk mund t’i shprehnin” publikisht.

Pra, fantazia si një filozofi reaksionare e pranueshme për publikun? Pa dyshim, shumë tema të këtij kodi letrar duket se përputhen me këtë përshkrim.

Për shembull, është e lehtë të kuptosh se si hierarkia shoqërore mesjetare dhe kategorizimi esencial racor – të zakonshëm në botët fantastike – mund të nxisin pikëpamjet reaksionare. Gjithashtu, është e lehtë të shihet tërheqja ndaj traditës dhe ritualit nga ata që e ndjejnë veten të përjashtuar nga moderniteti. (Vassallo thotë se dashuria e Melonit dhe e të tjerëve për Tolkienin ishte “në përputhje me atë që ata mendonin për veten: njerëz ‘të pastër’ që luftonin për vlerat që i çmonin, por që të tjerët përreth i nënvlerësonin”.)

Por, disa nga këto vlerësime janë të padrejta. Në fund të fundit, shumë vepra të letërsisë fantastike mund të interpretohen ndryshe: heronjtë sfidojnë hierarkitë shoqërore; bashkëpunimi ndërmjet racave të ndryshme mposht të keqen. Një mospëlqim i supozuar estetik ndaj modernitetit nuk gjen vend në optimizmin teknologjik të Luginës së Silikonit.

Çelësi, mendoj unë, gjendet më shumë te mënyra se si letërsia fantastike ka prirjen drejt heroikes. Këto janë rrëfime të këmbënguljes personale përballë fatkeqësisë maniheike [sipas dualizmit të maniheizmit, religjionit ku bota shihej si një fushëbetejë midis forcave kundërshtare të dritës dhe errësirës, të së mirës dhe të keqes]. Janë histori ku virtyti fiton; ku individët – nëse marrin vendimet e duhura, përqafojnë vlerat e duhura, ndjekin instinktet e duhura – ia dalin të mundin sistemin. Janë, mund të thuash, rrëfime për triumfin e vullnetit.

Kjo përputhet mirë me populizmin. Ajo mbështet idenë se problemet në jetën e njerëzve shkaktohen nga forcat dashakeqe, dhe se disa individë të veçantë mund t’i përballojnë dhe t’i mposhtin ata armiq. Të dyja këto ide qëndrojnë në themel të retorikës që populistët përdorin për të justifikuar pse njerëzit (hiç më pak se “populli”) duhet të votojnë për ta. “Unë jam hakmarrja juaj”, ka thënë Donald Trump.

Populizmi mund të jetë i djathtë ose i majtë. Por, në një mënyrë tjetër, triumfi i vullnetit që përshkon zhanrin fantastik është (siç i përshtatet vetë termit) më i lehtë për populistët e djathtë që ta përvetësojnë. Ai shndërrohet në një frikë nga të qenit i kontrolluar nga strukturat anonime të shoqërisë dhe në një dëshirë që zgjedhjet dhe vlerat tona personale të përcaktojnë botën përreth nesh. Ai pasqyron një dëshirë për kontroll, pushtet dhe për një mekanizëm të qartë që lidh zgjedhjen individuale me ndikimin shoqëror – një dëshirë, në thelb, për një botë epike, jo për atë moderne.

Fantazia përfaqëson jo aq një rikthim në një idil paramodern, sesa një përmbushje të lirisë që Iluminizmi premtoi, por që kompleksiteti shoqëror ia mohoi individit. Kjo është më e vështirë për të majtën për ta përqafuar, pasi struktura shoqërore është thelbësore për botëkuptimin e saj. Në nivel personal, ekzistencialistët e majtë mund të dëshirojnë të çlirohen nga pritshmëritë shoqërore. Por, politikisht, e majta e pranon rëndësinë parësore të strukturës shoqërore dhe përpiqet ta formësojë atë, ndërsa e djathta synon ta lërë ashtu siç është (në versionet reaksionare), ose ta shkatërrojë (në ato më libertariane).

Ato ëndrra të pastra të djathta janë të destinuara të dështojnë. Ne jetojmë në modernitet, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo; shoqëria, pashmangshmërisht, i strukturon zgjedhjet tona. Por, a është për t’u habitur që zhgënjimi që lind nga kjo përvojë nxit një dëshirë për unaza dhe amulete magjike – ose për teknologji të fuqishme, por të vështira për t’u kuptuar?

Megjithatë, nga letërsia fantastike mund të nxirret edhe një mësim tjetër. Një strukturë e thellë që lidh njerëzit me natyrën shfaqet, për shembull, në serinë Tokëdeti të Ursula Le Guinit. Këto janë vepra për kufijtë e asaj që fuqia individuale mund të arrijë dhe për mënyrën se si ajo duhet të përdoret për të rikthyer ekuilibrin dhe për të përforcuar strukturat, e jo për t’i shembur ato.

Ndoshta Giorgia, Peter, JD dhe miqtë e tyre duhet të lexojnë më shumë letërsi fantastike, jo më pak. /Telegrafi/

The post Pse populistët magjepsen me letërsinë fantastike? appeared first on Telegrafi.

Pse fama mund të të vrasë

27 June 2025 at 13:56

Philippa Snow, një nga eseistet më të zgjuara të Britanisë, eksploron dhimbjet e famës në librin Janë të tmerrshme gjërat që duhet të bëj për të qenë vetvetja [It’s Terrible the Things I Have to Do to Be Me]

Nga: Megan Nolan / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Një grua e imët në një apartament londinez, e brishtë dhe e rrënuar nga varësia, shikon vazhdimisht regjistrimet e performancave të saj të vjetra. “Djalli le ta hajë, çfarë zëri që kisha,” i thotë ajo truprojës. Një grua me ngjyrë, që e përdori zërin e saj si askush tjetër në botë, vdiq e prangosur në një shtrat spitali, pasi ishte përndjekur nga FBI-ja. Një grua bionde me grim palaçoje, që vuante nga një lloj psikoze, pëshpëriti për një kukull plastike të cilën e konsideronte si foshnjë të saj të sapolindur.

Këto janë disa nga imazhet që përshkruhen në studimin brutal dhe brilant të Philippa Snowit mbi famën e grave, Janë të tmerrshme gjërat që duhet të bëj për të qenë vetvetja. Është njëkohësisht kënaqësi për t’u lexuar – sepse gufon nga inteligjenca – dhe thellësisht dëshpërues. Fama, ashtu siç e paraqet Snow, është një fat që duhet parë me të njëjtën neveri siç do të shihnim çdo dëm tjetër të vetëshkaktuar.

Ky është disi një terren i njohur për Snowin, e cila vitin e kaluar botoi një libër të shkurtër të mrekullueshëm me titull Trophy Lives, mbi nocionin e të famshmeve si objekt arti; por Janë të tmerrshme… është më i gjatë dhe më shtrirë. Është i hapur për devijimet e saj – herë të këndshme, herë tronditëse – dhe, mbi të gjitha, karakterizohet nga një ndjeshmëri e vazhdueshme ndaj subjekteve.

Secili nga shtatë kapitujt fokusohet te dy gra të famshme, të trajtuara ndaras, por në dialog të heshtur me njëra-tjetrën. Çiftimet kontekstuale janë të skicuara lehtë, dhe nuk bëhen krahasime të thjeshta apo të vrazhda: Lindsay Lohan dhe Elizabeth Taylor, apo Britney Spears dhe Aaliyah. Përkundrazi, ne shohim se si kufizimet dhe kërkesat e ngjashme prekin gra të ndryshme, në kohë të ndryshme, në mënyra të ngjashme, ndërkohë që Snow përpiqet gjithashtu të veçojë secilën si individ.

Ajo nuk lejon që as formati, as analiza e saj të rëndojnë mbi detyrën kryesore: të shqyrtojë se si gratë e famshme detyrohen të mbajnë mbi supe dëshirat dhe neverinë e kulturës më të gjerë – dhe çfarë ndodh me qenien njerëzore që qëndron pas këtij imazhi. “Unë nuk jam historiane,” shkruan Snow, “as biografe. As studiuese nuk jam. Ajo që jam, është një palë e interesuar.” Kjo është forca më e madhe e librit: ajo sjell pak nga pafajësia e një adhuruesi të sinqertë, por atë e pasuron me thellësinë e saj analitike.

Eseja e parë trajton Anna Nicole Smithin dhe Marilyn Monroen. Snow botoi një version të saj në The White Review në vitin 2021, dhe duket se ka qenë kjo ese që i hapi rrugën pjesës tjetër të librit. Ajo ia jep edhe titullin veprës: “Është shumë e kushtueshme të jem unë,” kishte thënë dikur Smith. “Është e tmerrshme çfarë më duhet të bëj për të qenë unë.”

Pjesa për Smithin dhe Monroen është më e forta në libër. Smith ishte e fiksuar pas Monroes – mbante me vete kaseta VHS të filmave të saj, bënte pretendime se ishte vajza e saj, dhe i lyente flokët në të njëjtën nuancë të ndritshme biondeje. Të dyja gratë adhuroheshin dhe përbuzeshin për linjat e trupit të tyre dhe për qëndrimet që rrinin në kufirin mes “të pambrojturës” dhe “të vetëdijshmes.” Të dyja kishin marrëdhënie të trazuara me burrat në jetën e tyre – jo vetëm me partnerët romantikë, por edhe me profesionistët e mjekësisë, fotografët dhe njerëzit e parasë. Të dyja vdiqën të vetmuara, si pasojë e mbidozës me drogë, përpara se të kishin mundësi të arrinin moshën e mesme.

Kjo ese e parë ilustron tezën që Snow paraqet në hyrje: ajo merret me gratë e famshme sepse ato janë përfaqësime ekstreme të asaj që përjetojnë gratë e zakonshme. Edhe gratë e zakonshme tipizohen, minimizohen dhe futen në një kuti të vetme; trajtohen me zemërim kur marrin përsipër një rol që nuk u është paracaktuar. Me Smithin dhe Monroen, i shohim këto kërkesa – aq të padurueshme për to, krahasuar me një grua të zakonshme – si litarë që shtrëngohen dhe ndërpresin pulsin. Vdekjet e tyre janë bërë të pandashme nga joshja e tyre fillestare, dhe në retrospektivë duken disi të pashmangshme – po aq pjesë e realizimit të ëndrrës amerikane sa gjoksi i madh apo flokët bionde. Seksi, vëren Snow, rivalizohet vetëm nga vdekja si burim argëtimi. Kombinimi i të dyjave është i pakonkurrueshëm.

“Problemet me babanë” janë të pranishme kudo në këtë libër – nga vlerësimi i ftohtë i Peter Fondas për pamjen e vajzës së tij të re, Jane, te babai abuziv i Lindsay Lohanit. Në rastin Britney Spears dhe Aaliyah, një vajzë adoleshente ngrihet në lartësi të paimagjinueshme dhe mësohet njëkohësisht të theksojë dhe të mjegullojë faktin e rinisë së saj. A ishte uniforma e shkollës katolike e Britneyt, në videon për këngën Baby One More Time, një pasqyrim i pafajshëm i moshës së saj – ajo ishte vetëm 18 vjeçe – apo një referencë ndaj konventave të pornografisë së vajzave adoleshente? Aaliyah, ndërkohë, iu nënshtrua një shtrembërimi literal të moshës kur R. Kelly falsifikoi dokumentet për ta bërë 18 vjeçe, në vend të 15, që të mund të martohej me të.

Ka mjaft tregime të panjohura dhe magjepsëse këtu, megjithëse, sipas përkufizimit, gratë më të famshme janë edhe më të njohurat për ne. Disa nga pasazhet më biografike, për figurat si Joan Collins apo Elizabeth Taylor, do të jenë të njohura për adhuruesit e Holivudit. Por, Snow e di se ne nuk po lexojmë vetëm për anekdotat, por edhe për kënaqësinë që vjen nga vlerësimi i saj dhe mënyra e re përmes së cilës na ndihmon të shohim sërish atë që na është bërë tepër e njohur.

Është domethënëse, për shembull, që eseja për Pamela Andersonin synon të rrëzojë idenë se ajo ka qenë një viktimë e pavetëdijshme e kulturës patriarkale – një qëndrim i përforcuar nga seriali televiziv i vitit 2022, Pam & Tommy. “Gabimi më i rëndë që bënë krijuesit e Pam & Tommy,” shkruan Snow, “ishte të supozonin se, për të rritur martirizimin e saj dhe për të siguruar simpatinë e audiencës, ata duhej ta paraqisnin versionin e tyre të Pamela Andersonit si një vajzë budallaqe, e habitur, e pafajshme, me të cilën ndodhnin gjërat – dhe jo si një grua që i bënte gjërat të ndodhnin – një që kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke e bërë veten pikërisht personin që dëshironte të ishte.”

Snow shmang prirjen për të rënë në atë që ndonjëherë quhet “feminizëm i zgjedhjes” – pra, idenë se çdo zgjedhje e bërë nga një grua është domosdoshmërisht feministe, vetëm sepse është bërë nga një grua. Megjithatë, ajo e shpjegon vetëkrijimin që solli kuptim dhe kënaqësi për disa prej këtyre grave – edhe nëse, në disa raste, ai përfundoi në vetëshkatërrim. Kur u pyet për koment mbi serialin televiziv, një burim tha: “Pamela nuk pendohet për jetën e saj.” Snow spekulon se kjo ka ardhur drejtpërdrejt nga vetë Anderson.

Edhe pse kjo thënie nuk është plotësisht e saktë – Anderson ka shprehur pendesë për ndërhyrjet kirurgjikale që ka bërë – ajo është e vërtetë në thelb, sepse Anderson duket se i përjeton përvojat e saj me qetësi, më shumë sesa me zemërim. Pasi kishte përjetuar abuzim seksual në fëmijëri, ajo shkruan në kujtimet e saj se sesioni i parë me Playboy ishte një zbulim: deri në fund të javës së parë “duhej të më ndalonin të mos dilja lakuriq nga dera.” Kjo, siç vëren Snow, është sa më larg që mund të jetë nga Pamela e shtypur dhe me sytë e zgurdulluar që na dha seriali televiziv.

Gjëja më e vlefshme në libër është aftësia e Snowit për të trajtuar seriozisht atë që shpesh përbuzet si zbukurim i cekët, pa rënë në gjuhë të ngatërruar akademike. Nuk ka asnjë nënkuptim ironik ndaj idesë për t’u marrë seriozisht me këto gra. Në vend të kësaj, ka një pranim të sinqertë dhe një admirim për atë cilësi të pashpjegueshme që quhet “fuqi ylli” – ose që mund të quhet thjesht “karizëm”. Ne kemi një prirje natyrore për t’i konceptuar të famshmit si jonjerëzorë – qoftë sepse i kemi zili për muret e pasurisë që i rrethojnë dhe mendojmë se përballojnë çdo goditje, qoftë sepse jemi aq të mësuar t’i shohim nëpër imazhe, sa nuk i perceptojmë më si diçka tjetër. Snow bën të kundërtën – ajo i fton ata përsëri në botën reale. Sepse, në fund të fundit, çfarë është karizma, veçse të jesh njeri. Yjet janë vërtet si ne – vetëm më të mirë, dhe për këtë arsye, në mënyrë të pashmangshme, edhe më të këqij. /Telegrafi/

 

The post Pse fama mund të të vrasë appeared first on Telegrafi.

Ndërsa shitjet e Tesla-s vazhdojnë të bien, a është koha që Elon Musk të tërhiqet?

27 June 2025 at 09:57

Nga: James Moore / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Tesla po fillon të duket si një makinë elektrike që i ka mbaruar bateria në mes të autostradës. Ndihmë! Thirrni shërbimin e ndihmës rrugore!

Prodhuesi i automjeteve elektrike i Elon Muskut, ka raportuar rënien e pestë me radhë të shitjeve mujore në të gjithë Evropën – sipas të dhënave të ACEA-s, Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve.

Kjo ndodh në një kohë kur shifrat e kësaj organizate tregtare flasin për një rritje të fuqishme të automjeteve elektrike në BE, me regjistrimet e reja që janë rritur me më shumë se një të katërtën (26.1 për qind) që nga fillimi i vitit, dhe me 25 për qind vetëm në maj. Duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera jashtë BE-së, shitjet në të gjithë Evropën, të automjeteve me bateri, u rritën me 27.2 për qind në maj dhe me 27.8 për qind gjatë gjithë vitit deri tani.

Në anën tjetër, shitjet e Tesla-s janë goditur rëndë. Në këtë vit, regjistrimet e reja në BE ranë me 45.2 për qind gjatë pesë muajve të parë, dhe me 40.5 për qind vetëm në maj. Në të gjithë Evropën, këto shifra ishin përkatësisht 37.1 për qind dhe 27.9 për qind. Rënie e shitjeve në një treg në rritje? Nuk duket gjë e mirë.

Dikur kam shkruar se bebja e Elon Muskut ishte Audi, BMW apo Mercedes i botës së automjeteve elektrike. Një makinë prestigji. Simboli “Shiheni, kam një Tesla” për njerëzit që kanë para. Si ndryshojnë kohët! Po, e dimë se modelet e Tesla-s janë bërë të vjetruara dhe konkurrenca e lirë nga Kina është një kërcënim i vërtetë. Por, ndarjet dhe polarizimi që ka sjellë shefi i saj kanë hedhur baltë mbi logon e Tesla-s. Madje, ka pasur edhe raste vandalizimi të veturave Tesla. Kjo është përçmuese. Të zemëruar për atë që ka thënë apo bërë? Më mirë goditeni aty ku i dhemb më shumë – në xhep – gjë që duket se po bëjnë më me mençuri evropianët duke braktisur këtë markë në mënyrë masive.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur rënia, pavarësisht vlerësimit që menaxherët e flotave të makinave kanë për kompaninë. Këtë vit, shitjet ranë me 7.8 për qind, por në maj u fundosën me një rënie prej 36 për qind.

A mund të ndalet kjo rrëshqitje? Dalja e Muskut nga administrata Trump ishte hapi i mirë i parë. Por, po të isha këshilltari i tij për komunikimin strategjik, do t’i rekomandoja të fshihej në zyrë dhe të qëndronte larg X-it. E di, e di, ka pak gjasa të ndodhë. Musk nuk e përmban veten. Atëherë, si alternativë: qëndro jashtë politikës dhe mjaftohu me mburrjet për SpaceX-in, biznesin tjetër të Muskut. Po, edhe ai ka pasur ndonjë rast kur raketat janë përplasur, por prapë po bën gjëra që na mahnitin neve, adhuruesve të fantashkencës. Ndoshta mund të shtojë edhe pak filantropi apolitike për të kompensuar shkurtimet e fondeve të USAID-it dhe përshëndetjet fyese? Plot miliarderë bëjnë zhurmë të madhe për t’u dhënë diçka të tjerëve. Është vetëm një mendim.

Por, çfarë nëse rënia vazhdon? A mund të tërhiqet Musku? Duket e paimagjinueshme, dhe mendoj se është shumë pak e mundshme. Por, më herët këtë vit, Wall Street Journal, një burim i besueshëm në çështjet e biznesit, raportoi se anëtarë të bordit të Tesla-s kishin kontaktuar rekrutues për të shqyrtuar emrat e mundshëm të pasuesve. Raporti u mohua menjëherë dhe fuqishëm, por spekulimet vazhdojnë, dhe në të vërtetë ka një farë logjike në këtë. Musk është një figurë që e ka ndërtuar veten si “shkatërrues i rregullave”. Është kjo që e shtyn atë përpara, dhe ka qenë tipar i karrierës së tij në biznes. Që nga investimi i tij fillestar në Tesla në vitin 2004, ai e ka ndryshuar industrinë e automobilave, duke ndihmuar në përshpejtimin e progresit të automjeteve elektrike dhe duke detyruar konkurrencën të inovojë. Por, tashmë Tesla është pjesë e establishmentit dhe, për të siguruar të ardhmen afatmesme dhe afatgjatë, ndoshta do t’i nevojitej një CEO më konvencional. Dikush pak më i mërzitshëm.

Emra që përfliten? JB Straubel – një bashkëpunëtor i afërt i Muskut dhe sot drejtues i startapit për riciklim baterish, Redwood Materials – përmendet shpesh dhe është pjesë e bordit të Tesla-s. Brenda kompanisë, Omear Ashfar, krahu i djathtë i Muskut, shihet si një figurë premtuese, ashtu si edhe Tom Zhu, i cili ka udhëhequr operacionet në Kinë. Drejtori financiar, Vaibhav Taneja, është një tjetër mundësi, megjithëse kalimi nga CFO në CEO nuk funksionon gjithmonë mirë. Me gjasa më të vogla, por gjithsesi e denjë për t’u marrë në konsideratë, është Gwynne Shotwell, presidente dhe drejtuese operacionale në SpaceX.

Problemi për secilin prej tyre është se sa thellësisht është i lidhur Musku me Tesla-n.

Hija që ai hedh mbi kompaninë është po aq e gjatë sa Kili. Aksionarët e grupit kanë përjetuar kohë të trazuara kohët e fundit. Me një çmim aksioni me pak më shumë se 340 dollarë, ai është larg kulmit prej 480 dollarësh që u arrit në dhjetor, kur Trump po përgatitej të merrte detyrën dhe Musk shihej si miku më i ngushtë i presidentit. Megjithatë, nëse do të kishit investuar para një viti, 100 dollarët tuaj sot do të vlenin 184. Një fitim i mirë.

Aksionet mbështeten nga një ushtri investitorësh të apasionuar, përfshirë menaxherë fondesh të mëdha me miliarda dollarë në administrim. Ata ende presin që Musk të përdorë shkopin magjik dhe të rigjejë rritjen marramendëse të Tesla-s. Gjëra të çuditshme kanë ndodhur. Mund të mos e pëlqeni njeriun, por vetëm një budalla do ta nënvlerësonte.

Krahasimi më i afërt për një largim të mundshëm të Muskut do të ishte ajo që ndodhi kur Steve Jobs u largua nga Apple. Vdekja e parakohshme e themeluesit të gjigantit teknologjik, çoi në ngritjen e Tim Cookut, i cili u dëshmua si një pasardhës i suksesshëm. Por, kur ai u largua herën e parë, gjërat nuk shkuan mirë, dhe Jobs u kthye për të shpëtuar kompaninë.

E panevojshme të thuhet: Tesla është shumë më e varur nga Musku sesa ishte Apple nga Jobsi, edhe në kulmin e fuqisë së këtij të fundit. /Telegrafi/

 

The post Ndërsa shitjet e Tesla-s vazhdojnë të bien, a është koha që Elon Musk të tërhiqet? appeared first on Telegrafi.

Roman i panjohur i shkrimtarit që dokumentoi ngjitjen e Hitlerit

25 June 2025 at 11:24

Nga: Kate Connolly / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Një roman i panjohur më parë nga një prej gazetarëve më me ndikim të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, i cili përshkruan frymën e dehur dhe njëkohësisht të brishtë të ditëve të fundit të Republikës së Vajmarit, është botuar në Gjermani pasi fëmijët e autorit zbuluan dorëshkrimin, e shkruar me dorë, në tavolinën e tij.

Më shumë se nëntë dekada pasi e kishte shkruar, Abschied ose Lamtumirë i Sebastian Haffnerit, ka ngjitur majat e listës së bestsellerëve të Spiegel-i – menjëherë pas publikimit të tij në fillim të këtij muaji.

Haffner, i cili u arratis nga Berlini nazist me të fejuarën e tij hebreje në vitin 1938, fitoi menjëherë famë në vitin 1940, me veprën e tij klasike dhe të mprehtë Gjermania: Xhekilli dhe Hajdi [Germany: Jekyll and Hyde]. Thuhet se Winston Churchill i kishte kërkuar kabinetit të tij ta lexonte atë për të kuptuar kërcënimin nazist.

Haffner, i cili ndryshoi emrin e tij në Mbretërinë e Bashkuar nga Raimund Pretzel – për të mbrojtur familjen e mbetur në Gjermani – punoi më pas si gazetar në Londër për Observer-in. Ai u njoh si një nga analistët më me peshë të nazizmit dhe faktorëve që sollën Hitlerin në pushtet, duke u rikthyer në Berlin për Observer-in, në vitin 1954, dhe më pas duke u bërë kolumnist i njohur për revistën Stern.

I biri, Oliver Pretzel, 86 vjeç, tha se familja e tij kishte hezituar për vite me radhë nëse duhej ta botonte Lamtumirën pas vdekjes së Haffnerit në Berlin, në moshën 91-vjeçare në vitin 1999. Ata ishin të shqetësuar, tha ai, se kjo vepër, një histori dashurie, mund të dukej tepër e lehtë dhe të zbehte reputacionin e madh të të atit të tij si komentator me peshë.

“Motra ime nuk mendonte se romani ishte shumë i mirë,” i tha Pretzel, profesor matematike që jeton në Londër, gazetës Süddeutsche Zeitung. “Fillimisht edhe unë e ndaja disi këtë mendim. Por kur e rilexova dhe qëkur nisa ta përkthej në anglisht, papritur kuptova sa mjeshtërisht ishte ndërtuar.”

Për fat, kritikët duket se pajtohen. Në Gjermani ata e kanë lavdëruar veprën 181-faqëshe, duke e quajtur “një dhuratë letrare”, “një tekst tepër i rrjedhshëm, i lehtë dhe plot gjallëri” dhe “një libër i bukur me shkëlqimin rinor dhe me ndikim të madh emocional”.

Ngjarja zhvillohet ditën e fundit të një qëndrimi dyjavor në Paris, të protagonistit dhe të dashurës së tij, Tedi, përpara se ai të kthehet në një Berlin të pushtuar nga një ndjenjë gjithnjë e më e madhe frike dhe pasigurie politike. Romani ishte “shumë i qartë”, shkroi Marie Schmidt në Süddeutsche.

Romani reflekton të njëjtën “ndërgjegje të mprehtë historike që habiti dhe mahniti botën” si në veprën tjetër pas vdekjes së Haffnerit, Historia e një gjermani [History of a German], shtoi ajo. Ky libër u shkrua në vitin 1939, por u botua për herë të parë në gjermanisht në vitin 2000 dhe në anglisht me titullin Duke sfiduar Hitlerin, në vitin 2002. Ai u vlerësua për qartësinë e tij kritike dhe u cilësua si vepra që i dha fund pretendimeve të përsëritura të bashkëkohësve të Haffnerit se ata nuk kishin ditur për krimet naziste.

Xhekilli dhe Hajdi u botua për herë të parë në Gjermani në vitin 1996, me titullin: 1939 – Deutschland von innen betrachtet [Gjermania e vëzhguar nga brenda]. Të dy librat, kur u botuan, kryesuan gjithashtu listat e bestsellerëve gjermanë.

Haffner ishte 24 vjeç kur shkroi Lamtumirën – në vetëm disa javë gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 1932, vetëm pak muaj përpara se nazistët të vinin në pushtet. Përpjekjet e tij për ta botuar dështuan.

Narratori i tij, Raimund, është një jurist i ri që pi cigare “Gitanes Rouge” dhe lexon autorin Aldous Huxley. Në Paris, në pranverën e vitit 1931, ai takon Tedin, e cila e kishte lënë Berlinin, duke e përshkruar atë si një kohë në të cilën “kriza ende nuk ishte shpikur.”

Mendohet se Tedi është bazuar te Gertrude Joseph, një grua hebreje nga Vjena me të cilën Haffner kishte qenë i dashuruar. Ai e përshkruan në librin e tij autobiografik, Historia e një gjermani, se si ajo ishte kthyer në Berlinin nazist nga Parisi, për herë të fundit në verën e vitit 1933, duke sjellë me vete “një ajër që mund të thithej dhe që merrej me lakmi.” Raimundi në roman përshkruan parandjenjën e rëndë të detyrimit për t’u “nisur drejt një Berlini të ftohtë.”

Haffner dhe Joseph, e cila përfundoi në Suedi, mbajtën lidhje deri në fund të jetës. Njëzet letra prej tij për të u gjetën pas vdekjes së saj.

Në një epilog të romanit, kritiku letrar Volker Weidermann thotë se frika e familjes për botimin e tij ishte e pabazë.

Lamtumirë e plotëson pamjen historike që Haffner na ka paraqitur në shkrimet e tij historike, sepse përshkruan shkakun rrënjësor të pikëllimit mbi të cilin mbështeten librat e tij të mëvonshëm – gjithçka nga ajo Gjermani e mirë që u humb: kozmopolitizmi, toleranca dhe njerëzorja. Vetë Haffneri e theksonte vazhdimisht se historia zhvillohet në mikro-histori private, të cilat së bashku formojnë historinë e madhe botërore. Në Lamtumirë ai ka paraqitur këtë ide thelbësore.” /Telegrafi/

 

The post Roman i panjohur i shkrimtarit që dokumentoi ngjitjen e Hitlerit appeared first on Telegrafi.

PATJETËR QË KA BUKË

25 June 2025 at 09:49

Poezi nga: Kenneth Patchen (1946)
Përktheu: Agron Shala

Marifeti është të bësh të vërtetën dhe gënjeshtrën
Të tingëllojnë bash krejt njësoj
Kështu ti ia del mbanë

Të gjithë çmenden pas një kohe
Atëherë ti mund të krijosh një botë
Ku çmenduria është gjëja normale

Natyrisht, ata që e kurdisin kështu
Përfundojnë vetë të çmendur
Por, kush mund ta vërejë ndryshimin?

Kjo botë është shembulli më i mirë që njoh

The post PATJETËR QË KA BUKË appeared first on Telegrafi.

❌
❌