Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kosova merr udhëheqjen një vjeçare të Fondit për Ballkanin, mbahet takim rajonal në Prishtinë

11 June 2025 at 23:24

Republika e Kosovës ka marrë zyrtarisht kryesimin njëvjeçar të Fondit për Ballkanin Perëndimor (WBF), një iniciativë ndër-rajonale që synon forcimin e bashkëpunimit dhe dialogut në mes të vendeve të rajonit përmes organizatave të shoqërisë civile dhe projekteve të përbashkëta.

Duke filluar nga 1 janari 2025, Kosova, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka pasuar Bosnjë dhe Hercegovinën në udhëheqjen e Fondit. Në kuadër të kësaj, nga 11 deri më 13 qershor në Prishtinë po zhvillohet aktiviteti “Regional Networking and Dialogue Session”, organizuar nga WBF në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Ky sesion synon të nxisë rrjetëzimin dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet akterëve të shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor.

Në hapjen zyrtare të aktivitetit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shënoi fillimin e kryesimit të Kosovës me një pritje zyrtare për pjesëmarrësit nga vendet e rajonit. Drejtori i Departamentit për Evropë, BE dhe Rajon në MPJD, z.Mentor Tahiri, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit rajonal si pjesë e rrugëtimit drejt integrimit evropian.

“Për Kosovën, vlerat dhe standardet evropiane janë themel për ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm rajonal”, tha Tahiri, duke shtuar se gjatë këtij mandati njëvjeçar Kosova do të angazhohet për forcimin institucional të Fondit dhe për zgjerimin e qasjes për të gjithë aktorët relevantë.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të organizatave të shoqërisë civile në programet e WBF dhe shprehu krenarinë që mbi 100 përfitues nga Kosova kanë qenë të përfshirë në projekte të financuara nga ky fond, qoftë si udhëheqës apo si partnerë.

Aktiviteti tre-ditor në Prishtinë pritet të shërbejë si platformë për avancimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe për afirmimin e rolit të Kosovës në nismat rajonale që përforcojnë integrimin, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor.

The post Kosova merr udhëheqjen një vjeçare të Fondit për Ballkanin, mbahet takim rajonal në Prishtinë appeared first on Telegrafi.

Në prag të Ditës së Çlirimit, Kosova nderon 26-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s

11 June 2025 at 21:49

Në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës organizoi një pritje zyrtare për të shënuar 26-vjetorin e intervenimit të NATO-s, një moment historik që çoi në çlirimin e vendit nga regjimi serb.

Në këtë ngjarje morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti falënderoi të gjithë ata që kontribuan në luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke theksuar rolin vendimtar të 19 shteteve anëtare të NATO-s që, më 1999, u bashkuan për t’i dhënë fund gjenocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviqit.

“Çlirimi i popullit tonë, me 12 qershor 1999, erdhi pas 78 ditëve të bombardimeve mbi Serbinë dhe pozicionet e saj ushtarake në territorin e Kosovës”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se çdo vit e më shumë, përpjekjet e Serbisë dhe Rusisë për të rishkruar historinë nënvizojnë rëndësinë e përkujtimit të kësaj dite.

Kryeministri kujtoi se gjatë viteve 1998–1999, Kosova përjetoi gjenocid dhe spastrim etnik, me qindra masakra, mbi 12 mijë civilë të vrarë, 20 mijë raste të dhunës seksuale dhe afro 860 mijë të dëbuar jashtë vendit.

Ai theksoi se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare për themelimin e shtetit të Kosovës, duke nënvizuar se “suksesi i Kosovës është edhe sukses i NATO-s.”

Në përmbyllje, Kurti deklaroi se marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe NATO-s është një lidhje e pandashme që nga çlirimi e deri në synimin për anëtarësim të plotë, duke e përshkruar atë si një partneritet të natyrshëm për të ardhmen. /Telegrafi/

The post Në prag të Ditës së Çlirimit, Kosova nderon 26-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s appeared first on Telegrafi.

Haziri: Gërvalla dhe Osmani e copëtuan LDK-në për ambicie personale

11 June 2025 at 21:26

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, duke i konsideruar si bashkëfajtore për copëtimin e LDK-së dhe dobësimin e saj në skenën politike.

Në një intervistë në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin, Haziri tha se arroganca politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit është dëshmi se ata që ndihen “vetëmjaftueshëm” në pushtet besojnë se nuk kanë nevojë për askënd tjetër.

Por sipas tij, kur realiteti tregon të kundërtën, atëherë këta individë fillojnë të përdorin një gjuhë të paqartë, duke mos e adresuar direkt se për kë e kanë fjalën, ndërkohë që vazhdojnë të merren me LDK-në.

“Ajo zonjë që për vite me radhë ishte pjesë organike e LDK-së, kontribuese në parti, sot merret me të njëjtën parti, por nga një pozicion tjetër. Ajo dhe bashkëpartiakët e saj, për ambicie dhe aspirata personale, e kanë copëtuar LDK-në”, tha Haziri.

Ai theksoi se veprimet e tilla kanë krijuar hapësirë që Lëvizja Vetëvendosje ta fitojë LDK-në.

Sipas tij, më herët, figura të ngjashme kishin ndihmuar edhe që PDK të përfitonte nga përçarjet në LDK.

I pyetur se nëse e përfshinte në këtë grup edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, Haziri nuk hezitoi: “Ajo dihet. Themeluesit e grupit GUXO që kanë dalë prej zyrave të Lidhjes Demokratike”. /Dukagjini/

The post Haziri: Gërvalla dhe Osmani e copëtuan LDK-në për ambicie personale appeared first on Telegrafi.

Osmani në Osaka: Kosova, një demokraci që shikon drejt së ardhmes

11 June 2025 at 19:45

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin kryesor në ceremoninë zyrtare të Ditës së Kosovës në kuadër të EXPO 2025, që po mbahet në Osaka të Japonisë.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani kujtoi Ditën e Çlirimit të Kosovës, që shënohet më 12 qershor, duke e përshkruar atë si një ditë që nderon guximin e atyre që luftuan për liri dhe fuqinë e aleancave që mbështetën popullin e Kosovës në momentet më të vështira.

“Populli ynë u lirua përfundimisht nga një regjim gjenocidal – një ditë që nderon kujtimin e atyre që dhanë sakrificën më të madhe”, tha ajo.

Ajo theksoi se sot Kosova është një shtet demokratik që shikon drejt të ardhmes, i udhëhequr nga sundimi i ligjit dhe një brez i ri vizionar, i përkushtuar ndaj vlerave euro-atlantike.

Presidentja vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet me Japoninë, duke e cilësuar mbështetjen japoneze pas luftës si themel të një miqësie të fortë e të qëndrueshme.

“Ndërsa Kosova vazhdon rrugën e zhvillimit dhe forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare, presim me padurim thellimin e mëtutjeshëm të këtij partneriteti”, përfundoi Osmani. /Telegrafi/

The post Osmani në Osaka: Kosova, një demokraci që shikon drejt së ardhmes appeared first on Telegrafi.

A ka legjitimitet përfaqësimi Besnik Bislimi? – analistët komentojnë takimin e kryenegociatorëve në Bruksel

10 June 2025 at 23:23

Analistët kanë komentuar takimin e sotëm të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të ndërmjetësuar nga emisari i ri i BE-së, Peter Sorensen.

Analisti politik Afrim Kasolli duke folur për përfshirjen e kryenegociatorit Besnik Bislimit në këtë proces, theksoi mungesën e bazës ligjore dhe politike për përfaqësim serioz nga pala kosovare.

Kasolli tutje tha se Bislimi duhej të thoshte se “unë nuk mundem të vijë në dialog pa u krijuar institucionet e Kosovës, sepse nuk kam legjitimitet”.

Ndërsa, analisti Blerim Canaj, tha se pavarësisht premtimeve të Vetëvendosjes dialogu doli të ”jetë prioritet i të gjitha prioriteteve”.

“Pamë një takim me zero rezultat, thjesht një mesazh se u takuam dhe do të vazhdojmë të takohemi”, tha Canaj, për RTV21.

Ai shtoi se ky takim i dërgon një mesazh të qartë Kosovës: dialogut nuk mund t’i iket.

Edhe LDK ka reaguar pas takimit trepalësh të mbajtur në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petar Petkoviç dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Në reagimin e LDK-së thuhet se Bislimi nuk ka asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

“Mandati i ish-qeverisë, në të cilën z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti, ka përfunduar me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në këtë proces”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

The post A ka legjitimitet përfaqësimi Besnik Bislimi? – analistët komentojnë takimin e kryenegociatorëve në Bruksel appeared first on Telegrafi.

Hamza kritikon Kurtin: Tallje e ulët të thuhet se ka vota për Qeveri, por jo për kryetar Kuvendi

10 June 2025 at 21:58

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se është shumë e ulët tallja nga ana e Albin Kurtit, i cili ka deklaruar se i ka votat për qeveri.

Ai ka thënë se, nëse Lëvizjes Vetëvendosje nuk i duhet ndihma dhe vota e PDK-së.

“Po, nëse nuk i duhet ndihma dhe vota jonë, fare mos të na pyesin. Nëse i duhen numrat edhe përkrahja prej Partisë Demokratike, ne nuk po kufizohemi në një, dy apo tre – nuk po japim emra, sepse është në të drejtën e tyre – por prej 40 vetave nuk po e gjejnë një me propozu…”, ka thënë ai, për RTV Dukagjini.

Hamza është pyetur nëse PDK-ja do ta votojë Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit. Ai është përgjigjur se, siç po shihet, nuk kanë marrëveshje.

“Ne po themi për kandidatin e propozuar prej Vetëvendosjes, e që mund të jetë ai që e propozon partia e cila ka fituar më së shumti për ulëse”.

Ai ka thënë se PDK-ja që nga fillimi ka qenë konsistente.

“Për mua është e pëlqyeshme, e dëshirueshme, koalicioni me partitë që kanë qenë në opozitë, dhe në këtë drejtim kemi qenë të gatshëm, jemi të gatshëm, jemi ulur për të biseduar. Jemi partia e vetme që kemi biseduar me të gjitha partitë politike…”, ka thënë Hamza.

“Prandaj, partia e parë e ka të drejtën, por e drejta vjen edhe me përgjegjësi. Nuk ka: ‘kam veç të drejtë’ – ke edhe përgjegjësi. Nëse e ke të drejtën ti me propozu kandidatin për kryetar të Kuvendit apo kandidaten, atëherë ke edhe përgjegjësi me ia ba votat. Është absurd kjo lojë e fjalëve dhe është shumë e ulët me thënë ‘i kemi votat për qeveri, por s’i kemi votat për kryetar të Kuvendit’. Kjo është tallje”, ka thënë Hamza. /Dukagjini/

The post Hamza kritikon Kurtin: Tallje e ulët të thuhet se ka vota për Qeveri, por jo për kryetar Kuvendi appeared first on Telegrafi.

Lushaku-Sadriu: Elektorati na kërkon të mos bëjmë koalicion me LVV-në

10 June 2025 at 21:47

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës që është edhe kryetare e Forumit të Gruas të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu tha se partia e parë nuk po arrin të sigurojë shumicën parlamentare.

Ajo tha se LDK-ja qëndrimin për të mos e votuar kryetarin e parlamentit e ka për shumë shkaqe.

Lushaku-Sadriu ka thënë se elektorati i LDK-së po kërkon të mos ketë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Qëndrimin, LDK-ja për të mos e votuar kryetarin e parlamentit e ka për shumë shkaqe. E ka ndaj Vetëvendosjes si parti politike, e ka si konsistencë të qëndrimit edhe ndaj asaj çka ka përfaqësuar gjatë fushatës, dhe ne presim që i parti ta sigurojë shumicën. Nuk është LDK-ja duke e thënë këtë, por Kushtetuta i jep të drejtën të parit brenda parlamentit për ta propozuar kryetarin e Kuvendit. Për këtë ne presim që i pari ta shfrytëzojë mundësinë e arritjes së një marrëveshje politike që është e shëndetshme për vendin, që jep edhe një produkt që mund të jetë një marrëveshje politike që kurorëzohet edhe me ekzekutivin”, tha ajo, për RTK.

Lushaku tha se Vetëvendosje nuk po ka dëshirë që të dorëzojë pushtetin ekzekutiv. “Ne po i shohim që i kanë zaptuar pozitat ekzekutive, ndërkohë që 17 prej tyre e kanë bërë betimin si deputetë e njëkohësisht po e ushtrojnë edhe rolin e ekzekutivit”, shtoi ajo.

E pyetur nëse LDK po e shtynë një koalicion të mundshëm mes LVV-së e PDK-së, Lushaku tha se si parti nuk presupozojnë kush me kë duhet të bëhet. “Ne tregojmë qëndrimet tona si parti. Ne i kemi ata deputetë që i kemi dhe te gjithë jemi unik dhe shumë komod në atë çfarë përfaqësojmë. Ne kemi përfaqësuar një program, një platformë me të cilën kemi garuar në zgjedhje dhe kemi kritikuar Vetëvendosjen për një qeverisje jo vetëm të dobët e të paaftë, por tani po e shohim edhe të dëmshme”.

Lushaku tha se ne nuk dëshirojmë në këtë fazë të bëjmë koalicion edhe për shkak të diskursit që ka përdorur LVV-ja, posaçërisht ndaj LDK-së.

“Secila parti politike duhet të ketë peshën e fjalës publike, dhe të ruaj atmosferë politike duke mos shkaktuar polarizim mes qytetarëve. Me të drejtë edhe elektorati ynë na kërkon të mos e bëjmë këtë koalicion, dhe ne nuk do ta bëjmë këtë”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së tha se përafrimi duhet të jetë ideologjik e programor. “Vetëvendosje është parti e majtë, skajshmërisht ndonjëherë. Në çdo koalicion që ka pasur edhe përgjatë historisë edhe në vende të tjera që atëherë koalicionet jo parimore e jo programore, dështojnë ose dikush nga partitë e paguan faturën”, tha Lushaku-Sadriu.

The post Lushaku-Sadriu: Elektorati na kërkon të mos bëjmë koalicion me LVV-në appeared first on Telegrafi.

Ekspertizat psikiatrike ndaj të akuzuarve për vrasje, mburojë për ulje të dënimit

7 June 2025 at 23:32

Kërkesat për ekzaminime psikiatrike në Kosovë janë kthyer në praktikë gjyqësore, që përdoren nga avokat mbrojtës si rrethanë lehtësuese për të akuzuarit. Kështu vlerësojnë njohës të sistemit të drejtësisë, por edhe psikiatër. Një ekzaminimi të tillë do t’i nënshtrohet edhe Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Për disa javë Naim Murseli, që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, do të qëndrojë brenda hapësirave të Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Murseli do t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik, pasi që kryetarja e trupit gjykues një ditë më parë miratoi kërkesën e avokates së tij.

Por, ekzaminimeve të tilla, deri tash u janë nënshtruar shumica e të akuzuarve për vrasje.

Liron Pepshi, që punon si psikiatër në Gjermani, thotë se kjo do ta zvarrisë procesin dhe është e panevojshme.

“Më ka befasuar që kërkohet një ekzaminim psikiatrik te rasti edhe pse nuk i di detajet por nga ajo që e din publiku është dukur e tepërt edhe në përgjithësi edhe më herët, kam bërë thirrje të mos keqpërdoret psikiatria për shkak se ekzaminimi psikiatrik kërkon një arsye. Është për mua shpenzim i panevojshëm kohe, e panevojshme që humb edhe mund të jetë për familjen e viktimës  zgjatje e gjendjes emocionale”, ka thënë psikiatri Pepshi.

Tutje ai thotë se kërkesat për ekspertiza psikiatrike duhet të kenë gjithmonë arsye të qëndrueshme.

“Përgjegjësia profesionale është gjithmonë individuale, do të thotë edhe kur bëhet kërkesa për një ekspertizë të tillë, duhet të shkruhet edhe arsyeja pse, do të thotë, jo për faktin për krimin që e ka kry, por për faktin se prej çka dyshohet që e ka atë problem që pastaj ajo të diskutohet, për shkak se e tej zgjatë procesin gjyqësor, është shpenzim i jashtëzakonshëm, mundet me shkaktu ndjenja negative emocionale tek viktimat”, ka thënë Pepshi.

Kurse Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se në Kosovë tashmë kjo është kthyer në strategji të avokatëve për ulje të dënimit.

“Në disa raste varësisht prej shkallës, personi me paaftësi mendore nuk janë të përgjegjshëm penalisht, derisa përgjegjësia nuk është e njëjtë me personat që kanë aftësi të zvogëluar, për këtë arsye është e rëndësishme edhe kjo çështje, mirëpo është aspekt që mbrojtja e përdor si strategji në raport me klientët e tyre e që është normale”, ka thënë Shala.

Instituti i Psikiatrisë Forenzike vazhdimisht është ankuar për kërkesa të shtuara për ekzaminime psikiatrike, sidomos në rastet e vrasjeve e të dhunës në familje./Dukagjini/

The post Ekspertizat psikiatrike ndaj të akuzuarve për vrasje, mburojë për ulje të dënimit appeared first on Telegrafi.

Specialja vendos afat të ri për përgjigjen e Prokurorisë ndaj mocionit të mbrojtjes

7 June 2025 at 21:47

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka marrë vendim të ri për afatin kohor për përgjigjen e Prokurorisë në mocionin e mbrojtjes.

Trupi gjykues më 5 qershor 2025 ka lëshuar një urdhër lidhur me caktimin e hapave të ardhshëm në këtë proces gjyqësor.

Dhomat e Specializuara kanë vendosur që lidhur me pranimin e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, data 12 qershor të jetë dita kur ekipet e mbrojtjes mund të dorëzojnë mocionin e përbashkët në përputhje me Rregullën 130.

Në anën tjetër, ZPS-ja fillimisht urdhërohej të dorëzojë përgjigjen në mocionin e mbrojtjes deri më 14 korrik. Por, që me vendimin e fundit ky afat shkurtohet në 7 korrik.

Sipas DhSK-së, trupi gjykues synon të nxjerrë vendimin lidhur me mocionin e mbrojtjes sipas Rregullës 130, në javën e dytë të korrikut (nga e hëna e 14 korrikut).

Në rast se refuzohet mocioni i mbrojtjes tërësisht ose pjesërisht, mbrojtësi i viktimave urdhërohet të përgatitet për të thirrur dëshmitarët e tyre më 16 korrik, ndërsa ekipet e mbrojtjes duhet të njoftojnë nëse synojnë të dorëzojnë provat e tyre deri më 16 korrik, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Konferenca përgatitore pritet të mbahet më 21 korrik.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

The post Specialja vendos afat të ri për përgjigjen e Prokurorisë ndaj mocionit të mbrojtjes appeared first on Telegrafi.

Trendafilova: Gjykata po administron drejtësi në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur

7 June 2025 at 21:18

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka folur për procesin e gjykimit në Hagë. Ajo ka përmendur edhe protestën e veteranëve të UÇK-së, të cilët kundërshtuan konferencën e saj. Sipas Trendafiloves protesta dëshmoi se Bashkimi Evropian pati të drejtë që gjykimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të mbaheshin jashtë Kosovës.

Më 13 maj kishte planifikuar të fliste për zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë, në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Por, protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia ndërroi planet. Për këto, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova ka folur në një intervistë për Radiotelevizionin e  Kosovës.

E para e Speciales, arsyetoi mos mbajtjen e konferencës në Prishtinë, për çka tha se nuk mund të toleronte dhunën.

“Konferenca për media u anulua me rekomandim të Policisë së Kosovës. Pavarësisht përkushtimit tim të sinqertë për t’u takuar me gazetarët personalisht, unë nuk mund ta bëj këtë në qoftë se rrezikohet siguria e dikujt. Unë nuk toleroj dhunën gjatë një konference për media që ka për qëllim të informojë popullin e Kosovës në mënyrë të hapur për ne. Kjo armiqësi, e cila kishte për qëllim të pengonte një takim dhe diskutim paqësor dhe transparent, shpjegon dhe përligj më tej arsyen pse Kosova dhe BE-ja bënë marrëveshje që këto gjykime të kryheshin jashtë Kosovës. Është për të ardhur keq kur shihet mungesë respekti ndaj sundimit të ligjit”, tha Trendafilova.

Ajo ka komentuar edhe kritikat për procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve, për çka ka thënë se nuk qëndrojnë akuzat për padrejtësi.

“Procesin do ta përshkruaja si të sigurt për dëshmitarët, megjithëse ka pasur tentime për të ndikuar tek dëshmitarët ose për t’i frikësuar ata. Unë konsideroj se Gjykata po administron drejtësi në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur. Sa u përket kritikave në mediat e Kosovës që i përmendët, unë i kam vërejtur dhe i kam marrë shumë seriozisht ato komente kritike. Për shembull, është deklaruar në mënyrë të rreme se një person nuk mund të mbahet në paraburgim në pritje të gjykimit për më gjatë se një vit”, tha Trendafilova, raporton RTK.

Kryetarja e Dhomave foli edhe për kërkesën e të akuzuarve për lirim të përkohshëm, e cila iu refuzua pavarësisht përfundimit të dëshmitarëve të Prokurorisë.

“Gjykatësit janë plotësisht të pavarur në vendimet e tyre dhe askush nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e tyre. Ju po u referoheni vendimeve të mëparshme në lidhje me kërkesa për lirim të përkohshëm, për të cilat gjykatësit e një trupi gjykues morën vendime në bazë të vlerësimit nëse ekzistonte rreziku i arratisjes, i ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve ose i kryerjes së veprave të tjera penale. Deri më sot, që të tre gjykatësit kanë arritur në përfundimin se lirimi nuk duhej miratuar, bazuar në vlerësimin e këtyre rreziqeve”, tha Trendafilova.

E pyetur për hetimin e katërshes në Hagë, Trendafilova tha se ata po gjykohen si individë, e jo si organizatë.

“Dhomat e Specializuara merren vetëm me hetimin dhe ndjekjen penale të personave në lidhje me pretendime për veprime të paligjshme të tyre, domethënë përgjegjësinë penale individuale të tyre. Pra, Dhomat e Specializuara vënë para përgjegjësisë vetëm individë, jo organizata. Kjo do të thotë se, në qoftë se në sallë të gjyqit përmenden si individë anëtarë të UÇK-së që pretendohet se kanë kryer vepra penale, kjo ka të bëjë vetëm me personat si individë dhe jo me të gjithë organizatën”, tha Trendafilova.

Sa i përket asaj se kur pritet që ky gjykim të përfundojë me një vendim të shkallës së parë, Trendafilova nuk dha një afat të caktuar.

“Sa i takon pyetjes suaj për përfundimin e gjykimit, është ende herët të parashikohet se kur do të shqiptohet aktgjykimi në këtë çështje gjyqësore. Ekipet e mbrojtjes kanë bërë të ditur se do të dorëzojnë një kërkesë të përbashkët për hedhjen poshtë të akuzave dhe na duhet të presim për të parë se çfarë do të vendosë trupi gjykues për kërkesën e tyre. Në vijim, në varësi të rezultatit të kërkesës, në qoftë se akuzat nuk hidhen poshtë, pritet që mbrojtësi i viktimave të paraqesë provat dhe argumentet e tij, që do të zgjasin afërsisht një javë”, tha ajo.

Më 2 qershor ishte paraparë që mbrojtja të dorëzoi mocionin për rrëzimin e pikave të aktakuzës, por ky afat u shty për shkak të pranimit të disa provave të reja të Prokurorisë nga trupi gjykues.

The post Trendafilova: Gjykata po administron drejtësi në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur appeared first on Telegrafi.

Vdes në moshë të re diplomati Ilir Shqina, ish-bashkëshorti i Grida Dumës

7 June 2025 at 17:48

Ka ndërruar jetë të premten diplomati Ilir Shqina, i cili ka qenë ish-bashkëshorti i Grida Dumës, me të cilën ka edhe një djalë.

Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka sjellë trishtim në rrethin e miqve, familjarëve dhe kolegëve të tij. Shqina ishte një figurë e njohur në diplomaci dhe më herët ka kontribuar edhe në fushën akademike si pedagog.

Ai kujtohet për profesionalizmin, seriozitetin dhe përkushtimin në detyrat që ka mbajtur ndër vite ndërsa vdekja e tij e parakohshme ka lënë pas një boshllëk të madh për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër.

Lajmin për ndarjen nga jeta të diplomatit e bëri publik politikania Majlinda Bregu në rrjetet sociale, ku shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan.

Bregu shkroi në Facebook se Ilir Shqina solli në Ministrinë e Integrimit Evropian atë që shpesh mungon në administratë: korrektësinë, dinjitetin dhe maturinë si akt shërbimi publik.

Postimi i Majlinda Bregut:

Sapo mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të Ilir Shqina-s.

E kam njohur Ilirin kur të dy ishim pedagogë të rinj në Universitet, dhe më vonë pata fatin ta kem pranë si Keshilltar diplomatik në Ministrinë e Integrimit Europian, në vitet kur Shqipëria perballi nje nga fazat me te rendesishme te procesit te anëtarësimit në Europë.

Nuk kishim të njëjtat bindje politike, por Ilir solli në Ministrinë e Integrimit Evropian, atë që mungon shpesh në administratë: korrektësinë, dinjitetin dhe maturinë si akt shërbimi publik.

Ngushëllimet më të sinqerta për këtë dhimbje të parakohshme, familjes dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan.

U prehsh në paqe, Ilir! /EuronewsAl/

 

The post Vdes në moshë të re diplomati Ilir Shqina, ish-bashkëshorti i Grida Dumës appeared first on Telegrafi.

Baba Mondi flet për herë të parë: Si do jetë shteti Bektashi në Shqipëri

7 June 2025 at 17:42

Në emisionin “Insida Albania”, gazetarja Alice Taylor vizitoi Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku zhvilloi një intervistë ekskluzive me kreun e Bektashinjve, Baba Mondin (Edmond Brahimaj).

Gjatë bisedës u diskutua mbi ecurinë e hapave për krijimin e shtetit Bektashi në Shqipëri, pas propozimit të bërë nga kryeministri Edi Rama.

Baba Mondi u shpreh se projekti ka mbështetjen e plotë të miqve të komunitetit, përfshirë komunitetin mysliman dhe atë ortodoks, me të cilët është nënshkruar një marrëveshje për të themeluar një seli botërore të Bektashizmit dhe për t’i dhënë këtij komuniteti një status global.

“Miqtë na mbështesin, pasi ne nuk jemi faktor ndarës, jemi dashamirës të paqes. Komuniteti Musliman e ka nënshkruar, Komuniteti Ortodoks gjithashtu e ka nënshkruar marrëveshjen që kam bërë me ta — që Bektashizmi të ketë një seli botërore, që të marrë status global. Kështu që ne nuk jemi në luftë me askënd. Luftojmë për veten tonë, të jemi paqësorë, zemërmirë, të edukojmë njerëzit që të kenë dijeni dhe jo injorancë. Sepse, siç dihet, tre armikun kryesorë të njerëzimit janë injoranca, varfëria dhe egoizmi individual”, tha Baba Mondi.

Në vazhdim, Baba Mondi sqaroi ecurinë e planit të kryeministrit për krijimin e shtetit Bektashi në Shqipëri, duke theksuar se janë formuar grupe pune të përbashkëta mes përfaqësuesve të qeverisë dhe komunitetit bektashian.

“Përveç asaj që kryeministri foli në OKB, procesi po vazhdon. Është tani në dorën e autoriteteve të ecin përpara. Na është dhënë informacion që kjo do të ndodhë, dhe shumë përfaqësues të kryegjyshtetës botërore po punojnë në bashkëpunim me grupe pune të qeverisë për të sjellë një vendim dhe një dekret mbi këtë çështje. Nëse do të jetë një shtet apo një mini-shtet, do të jetë një vendim zyrtar. Ne nuk e dimë ende, sepse janë ata që do të vendosin për të ardhmen e Bektashizmit në Shqipëri. Ata do të kërkojnë zgjidhjen më të arsyeshme, pa shkelje kushtetuese apo kundërshti ligjore. Vetëm Kryeministri dhe grupi i iniciativës e dinë saktësisht se si do të ecet përpara”, përfundoi Baba Mondi. /EuronewsAl/

The post Baba Mondi flet për herë të parë: Si do jetë shteti Bektashi në Shqipëri appeared first on Telegrafi.

Kurti: Mesiq dha mbështetje të palëkundur për përpjekjen tonë për liri dhe pavarësi

7 June 2025 at 17:14

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiq.

Kurti shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e çmuar të ish- presidentit Mesiq, i cili, gjatë fundviteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, doli publikisht në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve të Kosovës.

Më vonë, nga pozita e Presidentit të Kroacisë, ai dha mbështetje të palëkundur për përpjekjen tonë për liri dhe pavarësi.

Në një atmosferë të përzemërt, u diskutuan edhe zhvillimet aktuale politike dhe rajonale, me theks të veçantë te bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Palët nënvizuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, sidomos në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë.

Gjatë takimit u vlerësua se situata në Ballkan është më e mirë se tri dekada më parë, megjithatë mbeten sfida të trashëguara nga e kaluara.

Në shenjë nderimi për rolin e tij në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, ish-presidenti Mesiq është nderuar së fundmi me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Gjilanit./Telegrafi/

The post Kurti: Mesiq dha mbështetje të palëkundur për përpjekjen tonë për liri dhe pavarësi appeared first on Telegrafi.

Po tentonin të arratiseshin, por përplasen me makinën e policisë – vdesin tre shqiptarë në Spanjë

6 June 2025 at 23:33

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Malaga të Spanjës, ku tre shqiptarë humbën jetën në një aksident rrugor.

Makina me të cilën udhëtonin shqiptarët u përplasën me makinën e drejtuar nga një nën-oficer i Policisë Kombëtare Spanjolle, i cili po ashtu humbi jetën.

Sipas mediave spanjolle, dyshohet se tre shqiptarët ishin pjesë e një bande që tentuan të grabisnin një farmaci, por dështuan dhe u larguan me shpejtësi me një automjet.

Gjatë arratisjes, grabitësit morën një kthesë të gabuar duke hyrë në drejtim të kundërt në autostradën A-7 drejt Torremolinos, transmetojnë mediat spanjolle. Pikërisht aty ndodhi përplasja fatale me makinën e nën-inspektorit 48-vjeçar, i cili nuk po merrte pjesë në operacion, por po kthehej në shtëpi pas një turni nate.

Përplasja e fuqishme çoi në shpërthimin në flakë të të dy automjeteve. Sipas autoriteteve të Këshillit të Qytetit të Malagës, zjarrfikësit nga stacionet Churriana, Carretera de Cádiz dhe Martiricos mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të nxjerrë trupat nga mjetet e djegura.

Tre personat në makinën e grabitësve u gjetën të pajetë, ndërsa oficerët e Policisë Lokale nxorën nga makina nën-inspektorin, por fatkeqësisht nuk mundën t’i shpëtonin jetën./tch/

The post Po tentonin të arratiseshin, por përplasen me makinën e policisë – vdesin tre shqiptarë në Spanjë appeared first on Telegrafi.

Operacioni “Qielli i thyer”, Mejdini: Autoritetet evropiane thanë se gjuha shqipe ishte gjuha e dytë e përdorur në “SkyECC”

6 June 2025 at 23:19

Ish-hulumtuesja e BIRN Shqipëria, tani pjesë e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar, Fatjona Mejdini, ka folur për të dhënat që rrodhën nga aplikacioni ‘SkyECC’.

“Në bazë të autoriteteve europiane, gjuha shqipe ka qenë gjuha e dytë më e përdorur në këtë platformë”, thotë Mejdini.

Sipas saj, ky është rasti i parë që Kosova që materialet e Sky ECC përdoren për një rast kriminal.

“’SkyECC’ përdorej nga kriminelët nëpër botë. Këto grupe kanë funksionuar në mënyrë ndërkufitare. Është e qartë që këto grupe përveç që kanë qenë aktive me trafikim në Kosovë, kanë funksionuar edhe në vendet e Bashkimit Europian”, shtoi tutje Mejdini.

Sipas Mejdinit, të dhënat e ‘SkyECC’ janë në dorë të autoriteteve europiane që nga viti 2021 deri edhe kur ka funksionuar ky grup.

Brenda këtij aplikacioni janë siguruar dosje të ndryshme, emra, fotografi, të dhëna, të cilat në këtë rast i janë ndarë edhe Kosovës për hetim, që më pas rezultoi edhe me aksionin më të madh më 03.06.2025.

Ahmet Tahiri është avokati i Avni Rekaliut, i cili është njëri nga 22 të arrestuarit për rastin e përgjimeve që dolën nga aplikacioni “SkyECC”.

Sipas dosjes, nga dekriptimi i disa mesazheve dolën emrat e pjesëtarëve të dy grupeve, të cilat merreshin me trafikim të narkotikëve, shpëlarje parash e funksiononin në mënyrë të organizuar.

Tahiri, i cili është edhe avokati i Rekaliut, tha se nuk kanë pasur qasje në dosjet që ka Prokuroria dhe se në kërkesë për masën e sigurisë nuk kanë dhënë detaje në lidhje me veprimtarinë e klientit të tij.

“Me thanë të drejtën as ai vetë nuk e di për çka është arrestu, as unë si mbrojtës nuk e kam të qartë pse është arrestu. Na është thënë që ka përgjime nga aplikacioni ‘SkyECC’”, tha Tahiri.

Avokati tutje gjatë debatit tha edhe se klienti i tij është një person që punon si fermer dhe nuk jeton në shtëpi apo vende luksoze andaj dhe nuk e kanë të qartë si mbrojtje pozitën e tij në grupin e dyshuar si kriminal.

Përmes rrugëve detare ishte bartur droga e cila porositej në Iran, Turqi e Ekuador, nga grupi i dyshuar i cili u arrestua më 03.06.2025 në një aksion të gjerë policor e që u udhëhoq nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Dosja përshkruan se droga fillimisht u porosit në shtete të Amerikës Jugut, Iranit e Turqisë, e më pas u soll në Kosovë – për t’u transportuar pastaj në vende europiane.

Rexhep Nikçi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdiku, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajiç, janë të arrestuarit e dyshuar, në aksionin policor të emëruar “Qielli i Thyer” në 45 lokacione të ndryshme në Prishtinë, Viti, Suharekë e Pejë.

Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj tyre, pasi që të njëjtit dyshohen se janë përfshirë në trafik ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës.

Dosja hetimore tregon se grupi dyshohet se në një periudhë kohore nga fillimi i vitit 2019 e deri më 03.06.2025 në Kosovë dhe shtete të tjera me dashje dhe dijeni kanë kryer veprimtari të përgjithshme në mënyrë të organizuar për të kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike. E nga kjo veprimtari grupi dyshohet se pati fitim milionësh.

Bartja e narkotikëve në bazë të dosjes thuhet se është bërë përmes kontejnerëve të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme, përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunkerë në formë të kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluar ekstra për fshehjen e narkotikëve.

Rruga e cila është përshkruar është përmes rrugëve tokësore, porteve detare në Shqipëri, Maqedonisë së Veriut për në Kosovë.

Gjithashtu në dosje përshkruhet edhe se pjesëtarët e grupit kishin bërë përzierjen e narkotikëve me sodë bikarboni dhe përbërës të tjerë me qëllim të shtimit të peshës e më pas ishte paketuar me anë të një makine me presion dhe përsëri narkotikun e vendosnin duke e kamufluar në mjetet e transportit.

Pas pranimit të drogës në Kosovë, grupi dyshohet se më pas përmes mjeteve të transportit shisnin në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete tjera të BE-së.

Aktivitetin të dyshuarit sipas Policisë dhe Prokurorisë e bënin edhe në bashkëpunim me persona të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës.

Grupi dyshohet se përmes këtij aktiviteti të trafikimit të drogës ka fituar miliona euro në mënyrë të kundërligjshme.

Gjithashtu dosja përshkruan edhe se nga viti 2019 deri më 03.06.2025 në Kosovë dhe shtete të tjera përmes aktivitetit kriminal të dyshuarit një pjesë të pasurisë së fituar e kishin transferuar nëpër biznese të ndryshme, biznese këto të themeluara nga vet të dyshuarit dhe persona të tjerë.

Po ashtu një pjesë tjetër e fitimit të kundërligjshëm sipas Prokurorisë është konvertuar në prona të luajtshme e të paluajtshme, tokë, shtëpi, vetura, banesa e të tjera.

I gjithë rasti i cili rezultoi me 22 të arrestuar, me 29 vetura të sekuestruara, 800 mijë euro të ngrira nga banka, mbi 130 mijë euro kesh, e sekuestrim të dhjetëra dokumenteve erdhi pas një hetimi disamujor të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale.

Gjatë vitit 2024-2025, Prokuroria Speciale kishte pranuar disa transkripta të përgjimeve të ‘SkyECC’ nga Franca,  EUROPOL dhe po ashtu edhe nga Belgjika përmes bashkëpunimit të Kosovës me Agjencinë e Bashkimit Europian për Zbatimin e Ligjit- EUROPOL.

Në bazë të raporteve në vitin 2021 pas një hetimi të një rasti nga Belgjika dhe Franca në një operacion policor përveç drogave dhe dëshmive të tjera ishte arritur edhe gjurmohet një server i ‘SkyECC’.

Gjatë dekriptimit të të dhënave në këtë aplikacion është kërkuar edhe që në hetim të jetë edhe Kosova.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 16.08.2024 pas sigurimit të informacione nga raportet analitike kishte nisur një hetim ndaj Kujtim Nerziraj, Ardian Mazrekaj dhe Edin Berisha për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim me drogë.

E pas nisjes së hetimit, është arritur edhe identifikimi i personave të tjerë të arrestuar më 03.06.2025 të cilët të gjithë dyshohen për pjesëmarrje në grup kriminal dhe trafikim me drogë, kryesisht kokainë, heroinë e marihuanë.

Në një aksion të gjerë anti-drogë të koduar “Qielli i Thyer”, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale arrestuan 22 persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, trafikim me narkotikë dhe pastrim parash.

Operacioni i cili është zhvillua gjatë orëve të mëngjesit të datës 03.06.2025, është rezultat i një hetimi disa mujor dhe është realizuar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës zyrtare, aksioni është zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, ndërsa janë bastisur 47 lokacione të ndryshme, ku morën pjesë rreth 600 policë.

Operacioni është zhvilluar me mbështetje nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, ndërsa Prokurori i PSRK-së ka qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave për kontroll.

Përveç të arrestuarve, policia gjatë operacionit sekuestroi: 29 vetura; 134,900 euro para të gatshme; 20,040 franga zvicerane; 490 dollarë; 13,000 euro para të falsifikuara; 9 orë dore luksoze; 36 armë të llojeve të ndryshme; 1,569 fishekë dhe 1,292 copë municion; një prese për paketim heroine dhe kokaine; laptopë, telefona, USB dhe dokumente.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, janë ngrirë rreth 800 mijë euro në llogari bankare dhe janë vënë nën ndalim të gjitha paluajtshmëritë që u përkasin të dyshuarve.

Operacioni është zhvilluar me mbështetje nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, ndërsa Prokurori i PSRK-së ka qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave për kontroll. /Kallxo.con/

The post Operacioni “Qielli i thyer”, Mejdini: Autoritetet evropiane thanë se gjuha shqipe ishte gjuha e dytë e përdorur në “SkyECC” appeared first on Telegrafi.

Mrekullia në Bulqizë, fëmijët gjejnë të gjallë të riun e aksidentuar tri ditë më parë

6 June 2025 at 21:44

Një ngjarje në kufijtë e mrekullisë dhe e denjë për filma ka ndodhur në Bulqizë ku një 35-vjeçar ishte shpallur i humbur nga familja, pasi nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk përgjigjej në telefon.

Momenti kur gjithçka ndryshoi ka ardhur tri ditë pas humbjes së tij, kur të premten, disa fëmijë që po laheshin pranë shtratit të lumit në zonën e Zallit në Bulqizë, pranë urës së Çeranecit kanë hasur në një makinë të aksidentuar.

Menjëherë kanë lajmëruar forcat e policisë, të cilat pasi kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë gjetur të gjallë brenda automjetit të riun Isa Nurçe, i cili kishte përfunduar me makinë aksidentalisht tre ditë më parë pranë ujërave të lumit Zall.

Pas mbërritjes së shërbimeve të policisë dhe urgjencës i riu është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë.

Kujtojmë që babai i të riut kishte denoncuar humbjen e djalit në organet e Policisë.

Njoftim i Policisë – Bulqizë / Informacion paraprak

“Sot, më datë 06.06.2025, rreth orës 18:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se pranë rrethrrotullimit të Shupenzës është gjetur nga disa banorë të zonës një automjet i përmbysur pranë lumit. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, nga verifikimet, është identifikuar drejtuesi i automjetit, shtetasi I.N., 35 vjeç, i cili ditën e djeshme ishte shpallur në kërkim, pasi babai i tij kishte kallëzuar se ishte larguar nga banesa. 35-vjeçari është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë. /EuronewsAlbania/

 

 

The post Mrekullia në Bulqizë, fëmijët gjejnë të gjallë të riun e aksidentuar tri ditë më parë appeared first on Telegrafi.

Zgjedhje lokale dhe parlamentare në një ditë – PDK dhe LDK kundër idesë së LVV-së

6 June 2025 at 21:31

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe procesi i votimit të mbahet në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale, nuk po u pëlqen partive të tjera. Në Partinë Demokratike të Kosovës, si dhe Lidhjen Demokratike vlerësojnë se rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit e obligon Vetëvendosjen të formojë institucionet e reja.

Të gjithë folën për datën e zgjedhjeve lokale në takimin e partive me presidenten Vjosa Osmani, por jo edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo propozoi edhe diçka tjetër.

”Ishte një ide që të shpallen zgjedhje të dyja, edhe ato të jashtëzakonshme, edhe këto lokale”, ka thënë Albulena Haxhiu.

Por, kërkesa që shkaku i krizës politike të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare në të njëjtën ditë me lokale nuk po u pëlqen aq shumë partive të tjera.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se nuk u frikësohen zgjedhjeve të reja, por aktualisht, sipas tyre, më i rëndësishëm është realizimi i vullnetit të qytetarëve të dhënë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Çdo parti politike është e gatshme për me i hy një procesi zgjedhor, po logjika e një procesi të njëpasnjëshëm të zgjedhjeve nuk është e zakonshme në këtë vend. Pra, inatet politike duhet lënë anash dhe duhet pjekuri politike për marrëveshje politike, edhe kjo i takon të parit”, ka thënë Krenar Xhaferi, deputet i LDK-së.

Vlerësim të ngjashëm ka edhe në PDK.

“Në parim nuk besoj se duhet të shkojmë në zgjedhje nacionale tash. E dyta, nuk besoj që as ka kushte e as subjektet tjera opozitare do të pajtohen me këtë koncept të LVV-së. Dhe, nën 3, LVV-ja ka obligim kushtetues krijimin e institucioneve”, ka thënë Ferat Shala, deputet i PDK-së.

Ndërsa analisti politik, Albinot Maloku vlerëson se partitë tjera nuk e kanë për obligim ta pranojnë kërkesën e Vetëvendosjes.

“Subjektet tjera nuk e kanë të domosdoshme që procesi të ndodhë me procesin lokal, për rrjedhojë nuk e kanë obligim që t’i plotësojnë këtë kërkesë dhe pritje të LVV-së”, ka thënë Maloku.

Për ditën e zgjedhjeve lokale janë diskutuar tri data: 5, 12 dhe 19 tetori, derisa presidentja Vjosa Osmani pritet të zgjedhë njërën prej tyre. /Dukagjini/

The post Zgjedhje lokale dhe parlamentare në një ditë – PDK dhe LDK kundër idesë së LVV-së appeared first on Telegrafi.

Shqiptarja Aida Birinxhiku – deputetja që po udhëheq socialdemokracinë suedeze

6 June 2025 at 20:54

Shqiptarja Aida Birinxhiku, deputetja, tashmë po dallohet si një prej zërave më të rëndësishëm të brezit të ri brenda Partisë Socialdemokrate në Suedi.

Në Kongresin e 42-të të kësaj partie, Aida drejtoi punimet me dinjitet dhe përkushtim, duke menaxhuar mbi 4000 mocione dhe 10,000 propozime.

Aida, me rrënjë nga Kosova, është bërë deputetja më e re në Parlamentin suedez, duke përfaqësuar qarkun Halland për Partinë Socialdemokrate.

E lindur në Suedi në vitin 1999 nga prindër që emigruan në vitin 1998, Aida ka ndjekur studimet në Universitetin e Lundit dhe ka një diplomë në drejtësi, përcjell albinfo.ch.

Përfshirja e saj në politikë filloi në vitin 2014 përmes organizatës rinore socialdemokrate në Halland, ku më vonë u bë edhe kryetare. Në vitin 2018, ajo u zgjodh në këshillin bashkiak të Falkenbergut.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, Aida u zgjodh deputete, duke u bërë shqiptarja e parë në Parlamentin suedez dhe më e reja në moshë në atë legjislaturë. Ajo është anëtare e Komisionit për Industrinë dhe Tregtinë dhe e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian.

The post Shqiptarja Aida Birinxhiku – deputetja që po udhëheq socialdemokracinë suedeze appeared first on Telegrafi.

Arrestohet një person në Gjakovë për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje

6 June 2025 at 19:52

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në fshatin Osek Pashë të Komunës së Gjakovës, nën dyshimet për ushtrim të dhunës psikike dhe kanosje ndaj bashkëshortes së tij, tek i cili janë konfiskuar edhe armë.

Gjatë hetimeve lidhur me këtë rast të dhunës në familje, policia ka siguruar informacione shtesë që çuan në dyshimin se i njëjti posedonte armë pa leje.

Si rezultat, është kryer një kontroll në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike e llojit AK-47 me dy karikatorë dhe 566 fishekë, si dhe një pistoletë me tre karikatorë dhe 31 fishekë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij është hapur rast penal për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Telegrafi/

The post Arrestohet një person në Gjakovë për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje appeared first on Telegrafi.

A është islami fleksibil ndaj ndryshimit të kohëve, tregon hoxha Enis Rama

6 June 2025 at 19:39

Hoxhë Enis Rama ka folur sot për fleksibilitetin e fesë islame ndaj ndryshimit të kohëve.

Ai ka theksuar se feja islame është fleksibile.

“Islami ka ardhur të mësojë njeriun dhe të rregullojë njeriun, dhe të përshtat një situatë. A ka udhëzime që e bëjnë islamin të përshtatet me kohën dhe të jetë fleksibile? Pa dyshim që po. Këto kanë që të kahmotshme, për shembull je në Prishtinë do të shkosh të udhëtosh për në Bruksel apo Uashington, nuk agjëron. I përshtatesh rrethanave tua personale, ndërsa unë që jam në Mitrovicë pse të mos asgjëroj se rrethanat e tua tani nuk janë për mua të imponuara”.

“Çdo kush u përshtatet rrethanave të tij? Kështu që përshtatja e rrethanave duhet të jetë në përputhje me njeriun, kolektivitetin me kohën dhe me realitetin. Mos të prodhojmë situate fiktive, dhe në emër të saj tani të kërkojmë fleksibilitet të fesë. Sepse feja ka mjaftueshëm hapësirë për fleksibilitet, ka mjaftueshëm hapësirë për të qenë e lehëtsuar për personin, sa asnjë nuk bëhet barrë”, tha Rama, në Klan Kosova.

The post A është islami fleksibil ndaj ndryshimit të kohëve, tregon hoxha Enis Rama appeared first on Telegrafi.

❌
❌