Ish-hulumtuesja e BIRN Shqipëria, tani pjesë e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar, Fatjona Mejdini, ka folur për të dhënat që rrodhën nga aplikacioni ‘SkyECC’.
“Në bazë të autoriteteve europiane, gjuha shqipe ka qenë gjuha e dytë më e përdorur në këtë platformë”, thotë Mejdini.
Sipas saj, ky është rasti i parë që Kosova që materialet e Sky ECC përdoren për një rast kriminal.
“’SkyECC’ përdorej nga kriminelët nëpër botë. Këto grupe kanë funksionuar në mënyrë ndërkufitare. Është e qartë që këto grupe përveç që kanë qenë aktive me trafikim në Kosovë, kanë funksionuar edhe në vendet e Bashkimit Europian”, shtoi tutje Mejdini.
Sipas Mejdinit, të dhënat e ‘SkyECC’ janë në dorë të autoriteteve europiane që nga viti 2021 deri edhe kur ka funksionuar ky grup.
Brenda këtij aplikacioni janë siguruar dosje të ndryshme, emra, fotografi, të dhëna, të cilat në këtë rast i janë ndarë edhe Kosovës për hetim, që më pas rezultoi edhe me aksionin më të madh më 03.06.2025.
Ahmet Tahiri është avokati i Avni Rekaliut, i cili është njëri nga 22 të arrestuarit për rastin e përgjimeve që dolën nga aplikacioni “SkyECC”.
Sipas dosjes, nga dekriptimi i disa mesazheve dolën emrat e pjesëtarëve të dy grupeve, të cilat merreshin me trafikim të narkotikëve, shpëlarje parash e funksiononin në mënyrë të organizuar.
Tahiri, i cili është edhe avokati i Rekaliut, tha se nuk kanë pasur qasje në dosjet që ka Prokuroria dhe se në kërkesë për masën e sigurisë nuk kanë dhënë detaje në lidhje me veprimtarinë e klientit të tij.
“Me thanë të drejtën as ai vetë nuk e di për çka është arrestu, as unë si mbrojtës nuk e kam të qartë pse është arrestu. Na është thënë që ka përgjime nga aplikacioni ‘SkyECC’”, tha Tahiri.
Avokati tutje gjatë debatit tha edhe se klienti i tij është një person që punon si fermer dhe nuk jeton në shtëpi apo vende luksoze andaj dhe nuk e kanë të qartë si mbrojtje pozitën e tij në grupin e dyshuar si kriminal.
Përmes rrugëve detare ishte bartur droga e cila porositej në Iran, Turqi e Ekuador, nga grupi i dyshuar i cili u arrestua më 03.06.2025 në një aksion të gjerë policor e që u udhëhoq nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Dosja përshkruan se droga fillimisht u porosit në shtete të Amerikës Jugut, Iranit e Turqisë, e më pas u soll në Kosovë – për t’u transportuar pastaj në vende europiane.
Rexhep Nikçi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdiku, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajiç, janë të arrestuarit e dyshuar, në aksionin policor të emëruar “Qielli i Thyer” në 45 lokacione të ndryshme në Prishtinë, Viti, Suharekë e Pejë.
Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj tyre, pasi që të njëjtit dyshohen se janë përfshirë në trafik ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës.
Dosja hetimore tregon se grupi dyshohet se në një periudhë kohore nga fillimi i vitit 2019 e deri më 03.06.2025 në Kosovë dhe shtete të tjera me dashje dhe dijeni kanë kryer veprimtari të përgjithshme në mënyrë të organizuar për të kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike. E nga kjo veprimtari grupi dyshohet se pati fitim milionësh.
Bartja e narkotikëve në bazë të dosjes thuhet se është bërë përmes kontejnerëve të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme, përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunkerë në formë të kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluar ekstra për fshehjen e narkotikëve.
Rruga e cila është përshkruar është përmes rrugëve tokësore, porteve detare në Shqipëri, Maqedonisë së Veriut për në Kosovë.
Gjithashtu në dosje përshkruhet edhe se pjesëtarët e grupit kishin bërë përzierjen e narkotikëve me sodë bikarboni dhe përbërës të tjerë me qëllim të shtimit të peshës e më pas ishte paketuar me anë të një makine me presion dhe përsëri narkotikun e vendosnin duke e kamufluar në mjetet e transportit.
Pas pranimit të drogës në Kosovë, grupi dyshohet se më pas përmes mjeteve të transportit shisnin në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete tjera të BE-së.
Aktivitetin të dyshuarit sipas Policisë dhe Prokurorisë e bënin edhe në bashkëpunim me persona të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës.
Grupi dyshohet se përmes këtij aktiviteti të trafikimit të drogës ka fituar miliona euro në mënyrë të kundërligjshme.
Gjithashtu dosja përshkruan edhe se nga viti 2019 deri më 03.06.2025 në Kosovë dhe shtete të tjera përmes aktivitetit kriminal të dyshuarit një pjesë të pasurisë së fituar e kishin transferuar nëpër biznese të ndryshme, biznese këto të themeluara nga vet të dyshuarit dhe persona të tjerë.
Po ashtu një pjesë tjetër e fitimit të kundërligjshëm sipas Prokurorisë është konvertuar në prona të luajtshme e të paluajtshme, tokë, shtëpi, vetura, banesa e të tjera.
I gjithë rasti i cili rezultoi me 22 të arrestuar, me 29 vetura të sekuestruara, 800 mijë euro të ngrira nga banka, mbi 130 mijë euro kesh, e sekuestrim të dhjetëra dokumenteve erdhi pas një hetimi disamujor të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale.
Gjatë vitit 2024-2025, Prokuroria Speciale kishte pranuar disa transkripta të përgjimeve të ‘SkyECC’ nga Franca, EUROPOL dhe po ashtu edhe nga Belgjika përmes bashkëpunimit të Kosovës me Agjencinë e Bashkimit Europian për Zbatimin e Ligjit- EUROPOL.
Në bazë të raporteve në vitin 2021 pas një hetimi të një rasti nga Belgjika dhe Franca në një operacion policor përveç drogave dhe dëshmive të tjera ishte arritur edhe gjurmohet një server i ‘SkyECC’.
Gjatë dekriptimit të të dhënave në këtë aplikacion është kërkuar edhe që në hetim të jetë edhe Kosova.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 16.08.2024 pas sigurimit të informacione nga raportet analitike kishte nisur një hetim ndaj Kujtim Nerziraj, Ardian Mazrekaj dhe Edin Berisha për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim me drogë.
E pas nisjes së hetimit, është arritur edhe identifikimi i personave të tjerë të arrestuar më 03.06.2025 të cilët të gjithë dyshohen për pjesëmarrje në grup kriminal dhe trafikim me drogë, kryesisht kokainë, heroinë e marihuanë.
Në një aksion të gjerë anti-drogë të koduar “Qielli i Thyer”, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale arrestuan 22 persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, trafikim me narkotikë dhe pastrim parash.
Operacioni i cili është zhvillua gjatë orëve të mëngjesit të datës 03.06.2025, është rezultat i një hetimi disa mujor dhe është realizuar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas komunikatës zyrtare, aksioni është zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, ndërsa janë bastisur 47 lokacione të ndryshme, ku morën pjesë rreth 600 policë.
Operacioni është zhvilluar me mbështetje nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, ndërsa Prokurori i PSRK-së ka qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave për kontroll.
Përveç të arrestuarve, policia gjatë operacionit sekuestroi: 29 vetura; 134,900 euro para të gatshme; 20,040 franga zvicerane; 490 dollarë; 13,000 euro para të falsifikuara; 9 orë dore luksoze; 36 armë të llojeve të ndryshme; 1,569 fishekë dhe 1,292 copë municion; një prese për paketim heroine dhe kokaine; laptopë, telefona, USB dhe dokumente.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, janë ngrirë rreth 800 mijë euro në llogari bankare dhe janë vënë nën ndalim të gjitha paluajtshmëritë që u përkasin të dyshuarve.
Operacioni është zhvilluar me mbështetje nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, ndërsa Prokurori i PSRK-së ka qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave për kontroll. /Kallxo.con/
The post Operacioni “Qielli i thyer”, Mejdini: Autoritetet evropiane thanë se gjuha shqipe ishte gjuha e dytë e përdorur në “SkyECC” appeared first on Telegrafi.