Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 July 2025Main stream

Siguria ushqimore, Rama: Në 6 ditë janë sekuestruar 32 tonë mall pa faturë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/Aksioni i përbashkët i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Financave dhe administratës tatimore ka vijuar në të gjithë vendin për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga mallrat blegtorale dhe të mishit që janë sekuestruar nga inspektorët tatimorë pasi janë gjetur pa faturë tatimore.

Në 6 ditët e para të këtij aksioni, janë sekuestruar 32 tonë mallra ushqimore, qumësht, djathë dhe mish pa faturë tatimore.

Rama shprehet se ky aksion do të vazhdojë deri në fund.

“Vijon papushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund”, deklaron Kryeministri Rama.

Ky aksion ka nxjerrë në pah nevojën për formalizim të plotë të këtij sektori, si një element thelbësor për cilësinë e produkteve dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, aksion që sipas autoriteteve, do të vazhdojë me zero tolerancë ndaj kujdo që shkel ligjin. /j.p/

The post Siguria ushqimore, Rama: Në 6 ditë janë sekuestruar 32 tonë mall pa faturë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan foton: Welcome to Albania

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Shqipëria, tashmë kthyer në një destinacion të preferuar turistik ndërsa sezoni veror sjell në vendlindje dhe emigrantët për pushime.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale foton e një familjeje që ka zbritur në aeroportin e Tiranës dhe përshëndesin duke bërë me duar shqiponjën.

“Welcome to Albania” shkroi Rama .

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga janari deri në maj në vendin tonë kanë hyrë rreth 3.4 milionë të huaj, një rritje kjo me gati 4% në krahasim me po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

/j.p/

The post Rama ndan foton: Welcome to Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendrat shëndetësore verore, Rama: Sezon turistik i sigurt

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Në zonat turistike të vendit, si në bregdet ashtu dhe në zonat malore, janë hapur qendra shëndetësore verore për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët, që frekuentojnë vendin gjatë këtij sezoni veror.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjete sociale pamje nga qendra shëndetësore verore në plazhin e Drimadhes në jug të vendit, që është në shërbim çdo ditë për pushuesit vendas dhe të huaj, që frekuentojnë këtë plazh.

Mjekja e kësaj qendre u shpreh se është viti i pestë që shërben pranë qendrës shëndetësore verore, teksa i vlerësoi këto qendra një opsion shumë i mirë për pushuesit për t’iu gjendur sa më afër atyre, për çdo nevojë shëndetësore që mund të kenë.

Ajo tha se gjatë këtyre 5 viteve është hasur me shqetësimet nga më lehta si gërvishtjet e deri tek sëmundjet kardiovaskulare, teksa i bëri apel pushuesve të mos frekuntojnë plazhin në pikun e orareve të nxehta.

Janë 36 qendra të hapura në të gjithë bregdetin, për pushime të sigurta dhe të qeta, ku stafi mjekësor është në gatishmëri 24/7 për çdo emergjencë. /j.p/

The post Qendrat shëndetësore verore, Rama: Sezon turistik i sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Masa për furnizimin pa ndërprerje me energji këtë sezon veror

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku siguroi se se po merren të gjitha masat për furnizimin pa ndërprerje me energji në të gjithë vendin, këtë sezon veror.

Balluku tha se, ekipet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, (OSHEE) janë në terren për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik.

“Grupet e OSHEE në të gjithë vendin, janë në krye të detyrës për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji elektrike”, u shpreh Balluku.

Ajo shprehu angazhimin e institucioneve të linjës, me të gjitha forcat, për një shërbim sa më cilësor për të gjithë.

Sezoni turistik rrit ngarkesën dhe OSHEE po vepron në përputhje me një plan masash për të përcjellë sa më pak probleme tek konsumatorët. /j.p/

1 nga 4

The post Balluku: Masa për furnizimin pa ndërprerje me energji këtë sezon veror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paketa e maleve, Musabelliu: 1600 aplikime kryesisht për bujtina dhe agroturizëm

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Rreth 1 600 persona kanë shprehur interes për t’u regjistruar në vetëm shtatë ditët e para të thirrjes për investime në skemën e paketës së maleve.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, u shpreh se ka një interes të madh si nga investitorët vendas, ashtu edhe të huaj për të aplikuar në Paketën e Maleve.

Në një intervistë për mediet, Musabelliu tha se “Paketa e Maleve” është një iniciativë ligjore e qeverisë për të mundësuar zhvillimin e ekonomisë malore, e cila për një periudhë të gjatë ka mbetur e pazhvilluar për shkak të mungesës së titujve të pronësisë.

“Të gjithë individët e interesuar mund të shprehin interesin për të zhvilluar një parcelë apo një zonë të caktuar në kuadër të zbatimit të këtij ligji. Deri tani janë rreth 1600 aplikime për shprehje interesi që janë bërë në zona të ndryshme të Shqipërisë“, tha Musabelliu.

Ai vuri në dukje se “nga aplikimet që na kanë ardhur, më shumë interes paraqitet për agroturizmin, blegtoria, bujtinat si dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre”.

Sipas tij, ky projektligj i jep mundësi njësoj si qytetarëve shqiptare që jetojnë brenda vendit apo atyre që kanë emigruar që të aplikojnë dhe të kenë një mundësi për të zhvilluar aktivitete ekonomike në zonat malore.

Programi është një nga politikat e reja që mbështet sipërmarrjet në zonat më pak të zhvilluara. Musabelliu nënvizoi se kjo nismë ka sjellë optimizëm dhe besim nga investitorët. Qeveria e konsideron këtë paketë si një instrument për rigjallërimin e zonave malore. /j.p/

The post Paketa e maleve, Musabelliu: 1600 aplikime kryesisht për bujtina dhe agroturizëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga Liqeni i Roshnikut në Berat

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Liqeni në fshatin Roshnik, 12 kilometra larg Beratit është një destinacion i shkëlqyer për të kaluar një fundjavë të këndshme në mes të natyrës dhe për të shijuar shëtitje me varka.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga liqeni i Roshnikut që gjendet i rrethuar nga një pamje mahnitëse e mbushur me pyje, ndërsa në këtë sezon po frekuentohet nga pushues që shëtisin me varka. Krahas liqenit, fshati i Roshnikut është i mbushur me peizazhe mahnitëse ku mund të shëtisësh dhe të zbulosh bukuritë natyrore që ofron kjo zonë.

Zona është shumë e rëndësishme për bujqësinë dhe blegtorinë në të gjithë Beratin dhe është njohur si prodhuesi më i madh i ullinjve dhe verërave. Një numër i madh i pemëve të ullirit dhe vreshtave rrethojnë fshatin.

Roshniku është pjesë e Programit Kombëtar 100 Fshatrat për profilin e tij dhe potencialet e zhvillimit në bujqësi, agropërpunim, agroturizëm, turizëm natyror e kulturor. /j.p/

 

The post Rama ndan pamje nga Liqeni i Roshnikut në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parakalim i rrezikshëm, Policia e Vlorës masa administrative për drejtuesit e mjeteve

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë reagoi sot në lidhje me dy video të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen manovra të rrezikshme parakalimi në dy segmente rrugore të ndryshme në qarkun Vlorë.

Policia sqaron se, ne aksin  rrugor “Dhimiter Konomi”, drejtuesi i një automjeti ka kryer parakalim të gabuar ndaj mjeteve që lëviznin ngadalë për shkak të ngarkesës së trafikut, në kundërshtim me nenin 146, pika 11, të Kodit Rrugor, duke krijuar rrezik për aksident për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Ndërsa në aksin rrugor “Vlorë–Fier”, drejtuesi i një tjetër automjeti ka kryer parakalim të gabuar duke përshkuar anën e djathtë të karrexhatës, në kundërshtim me nenin 146, pika 1, të Kodit Rrugor, duke vënë në rrezik sigurinë e përdoruesve të tjerë të rrugës.

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore Vlorë kanë identifikuar pronarët e 2 automjeteve dhe u kanë vendosur secilit masën administrative 10 000 lekë, për shkeljet e konstatuara.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor në numrin 112, duke ju garantuar reagim të menjëhershëm dhe konform ligjit.

The post Parakalim i rrezikshëm, Policia e Vlorës masa administrative për drejtuesit e mjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndotje mjedisore, procedohet penalisht administratorja e hotelit në Dhërmi

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Në vijim të planit të masave për mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, si dhe në zbatim të bashkëpunimit ndërinstitucional për kontrollin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht të Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me taskforcën e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, ushtruan verifikime në një subjekt hotelier në fshatin Dhërmi.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të ushtruar dje, u konstatua se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura i këtij hoteli ishte jashtë funksionit dhe si pasojë, një pjesë e ujërave të ndotura derdhej në një përrua pranë objektit, duke shkaktuar ndotje të ambientit përreth.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal, në gjendje të lirë, për administratoren e hotelit, shtetasen E. M., 46 vjeçe, banuese në Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.

Ndërkohë, nga ana e taskforcës së Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Tiranë, u vendos masë administrative ndaj subjektit, për shkeljen e konstatuar.

Policia njofton se, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit në çdo zonë të qarkut. //j.p/

The post Ndotje mjedisore, procedohet penalisht administratorja e hotelit në Dhërmi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 18 July 2025Main stream

Gonxhja: Po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në takimin që zhvilloi sot në Berat, Kryeministri Edi Rama me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, ku u diskutua mbi rrugën e bërë dhe sfidat për “Shqipërinë 2030” në Bashkimin Europian.

Duke marrë fjalën Gonxhja tha se, “për MEKI-n mbetet prioritet zhvillimi i mëtejshëm i ekosistemit të inovacionit në vend, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë, për një mjedis sa më të qëndrueshëm dhe konkurrues”.

Spas tij, forcimi i infrastrukturës ligjore dhe institucionale, mbështetja për sipërmarrjet inovative dhe përfshirja në rrjetet europiane janë shtyllat ku mbështetemi për ta çuar përpara këtë mision.

Ai theksoi se, “nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse, me një strategji të qartë, një buxhet të dedikuar dhe një mekanizëm të vetëm monitorimi, mbetet thelbësore për të garantuar koherencë ndërinstitucionale dhe për t’i dhënë inovacionit vendin që i takon në zhvillimin e vendit”.

“Në këtë kuadër, po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin, i cili vendos rregulla të qarta për funksionimin e ekosistemit, ndërsa ligjet për byrotë e kreditit dhe për crowdfunding synojnë të lehtësojnë aksesin në financim për individët dhe bizneset, duke nxitur sipërmarrjen dhe transformimin teknologjik”, u shpreh Gonxhja. /j.p/

The post Gonxhja: Po finalizojmë ligjin bazë për inovacionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Strehim dinjitoz për 29 familje në nevojë në Roskovec

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Enti Kombëtar i Banesave, në bashkëpunim me Bashkinë Roskovec, po finalizon ndërtimin e një objekti strehimi social që do t’u ofrojë strehim të sigurt dhe dinjitoz 29 familjeve në nevojë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale pamje nga godina e re, që përfshin 2400 m² ndërtim, 6 kate banimi me 29 apartamente të tipit 1+1 dhe 2+1, të ndërtuara me standarde bashkëkohore.

Ky investim është realizuar me fondet e vetë Entit Kombëtar të Banesave.

Gonxhja tha se, punimet janë drejt përfundimit dhe objekti është pothuajse gati për t’u dorëzuar tek familjet përfituese.

Ai e cilësoi këtë një tjetër shembull konkret i bashkëpunimit me pushtetin vendor, në funksion të mbështetjes sociale dhe strehimit të familjeve në nevojë. /j.p/

The post Gonxhja: Strehim dinjitoz për 29 familje në nevojë në Roskovec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Traktati i Komunitetit të Energjisë, Balluku: Shqipëria po zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku po merr pjesë në takimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë që mbahet në Athinë.

Përmes një videomesazhi në rrjete sociale, Balluku tha se “Traktati i Komunitetit të Energjisë, u krijua 20 vite më parë duke u kthyer në një platformë vitale për të gjitha vendet partnere”, teksa vuri në dukje se në këto 5 vitet e fundit, TKE për Shqipërinë u kthyer në një udhërrëfyes.

“Traktati i Komunitetit të Energjisë, u kthye në një tryezë ku ne arritëm të adresonim të gjithë problematikat, sidomos ato të bashkëpunimit rajonal, aty ku ne arritëm që të vinim më afër kërkesave të Bashkimit Europian, të kishim një zë për t’i diskutuar dhe përmes Sekretariatit të Energjisë t’i çonim këto problematika pikërisht në Bruksel”, u shpreh Balluku.

Ajo vuri në dukje se, “në takimin që po mbahet në Athinë, do të bisedojmë për të ardhmen e këtij Traktati, por nga ana tjetër edhe për të ardhmen e të gjithë sektorit energjetik në Ballkanin Perëndimor”, teksa shprehu besimin se detyra që ka kryer deri më tash Sekretariati i Energjisë do të jetë po aq e rëndësishme edhe në të ardhmen.

Balluku theksoi se, “sot kur flitet për energjinë si një nga çështjet më të rëndësishme gjeopolitike, sot kur Europa është duke luftuar për të ruajtur kapacitetet e saj, sidomos për të krijuar kapacitete të tjera të energjisë së rinovueshme, padyshim Shqipëria ka shumë për të thënë, ka shumë për të bërë dhe për të ndihmuar edhe shtetet e tjera të cilat janë pjesë e Ballkanit Perëndimor”.

Por mbi të gjitha, nënvizoi ajo, ne sot ndodhemi në tryezën e negociatave dhe në atë tryezë negociatash roli i Sekretariatit të Energjisë është jetësor.

Ajo tha se Shqipëria synon të zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme.

“Është një rol i cili nuk mund të zëvendësohet dhe mbi të gjitha ne sot jemi duke bashkëpunuar për të ndryshuar edhe ato kuadre rregullatore të cilat do të na përafrojnë me ligjet e sektorit europian, por nga ana tjetër do të na ndihmojnë edhe për të përmbushur të gjitha ato kërkesa që ka agjenda e gjelbër”, tha Balluku.

“Unë uroj shumë në këtë 20-vjetor që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të gjejnë rrugën e tyre sa më të lehtë drejt sigurimit të energjisë, nga ana tjetër sidomos përsa i përket pjesës së interkonjektivitetit që është një çështje e rëndësishme që diskutohet në tavolinat tona, por që nga ana tjetër duhet të bëjmë më shumë, ashtu siç Shqipëria tashmë është e lidhur me Maqedoninë e Veriut, me Greqinë dhe jemi duke punuar intensivisht për një lidhje nën ujore me Italinë”, deklaroi Balluku, teksa falënderoi Komisionin Europian, Komisionerin Europian për Energjinë dhe Sekretariatin e Energjisë për të gjithë punën e bërë në gjithë këto vite dhe të gjithë mbështetjen që na kanë dhënë.

Takimi i Traktatit të Komunitetit të Energjisë në Athinë
1 nga 10

/e.xh/j.p/

 

The post Traktati i Komunitetit të Energjisë, Balluku: Shqipëria po zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj me tregtarë të pakicës: Siguroni faturë tatimore për çdo produkt

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë vizitës që zhvilloi në dy biznese të shitjes me pakicë të mallrave të bulmetit dhe mishit në qytetin e Lushnjës, theksoi rëndësinë që çdo produkt që shesin duhet ta shoqërojnë me faturë tatimore.

Gjatë bisedës me përfaqësuesit e këtyre bizneseve, Malaj tha se tregtimi i këtyre produkteve përmes shoqërimit me faturë fiskale, shërben jo vetëm për formalizimin e tregut, por edhe për garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorët.

“Është shumë e rëndësishme që të kuptohet nga të gjithë tregtarët e pakicës që çdo produkt që ata tregtojnë, qofshin këto produkte të bulmetit, qofshin këto produkte apo nënprodukte të mishit, do të duhet të jenë të shoqëruara me një faturë fiskale. Kjo jo vetëm në kuadër të formalizimit të tregut, por edhe në kuadër të sigurisë ushqimore”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se, “duhet të kuptohet që nëpërmjet faturës ne jemi në gjendje të bëjmë një gjurmueshmëri të produktit nga ferma, te tregtari e deri te tryeza e konsumatorëve”.

“Ju bëj thirrje të gjithë tregtarëve me pakicë që të fillojnë dhe të sigurojnë faturat e tyre të blerjeve për çdo mall që ata blejnë, në mënyrë që jo vetëm të formalizojnë aktivitetin e tyre, por nga ana tjetër edhe të sigurojnë dhe të garantojnë sigurinë ushqimore për konsumatorët shqiptarë”, u shpreh Malaj.

Ministri i Financave theksoi se “të gjitha subjektet e tregtimit me pakicë duhet të ndërgjegjësohen mbi detyrimet ligjore, të cilat duhet të zbatohen në mënyrë të drejtë”. /j.p/

The post Malaj me tregtarë të pakicës: Siguroni faturë tatimore për çdo produkt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: 35% më shumë eksporte bujqësore në sasi, në qershor

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se, eksportet bujqësore gjatë muajit qershor 2025 arritën në 81,778 tonë, duke shënuar një rritje prej 35% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Sipas Denajt, ky rezultat konfirmon ecurinë pozitive të sektorit bujqësor.

“Rritja e prezencës së produkteve shqiptare Made in Albania në tregjet elitare ndërkombëtare na afron gjithnjë e më shumë me objektivin ambicioz prej 1 miliard euro eksporte bujqësore brenda kësaj dekade”, tha ministrja.

Ndër produktet më të kërkuara mbeten produktet e stinës si domate, qepë, karota, rrepa, zarzavate të tjera, si dhe një pjesë e konsiderueshme e frutave. /j.p/

 

The post Denaj: 35% më shumë eksporte bujqësore në sasi, në qershor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pensionet me Italinë, firmoset marrëveshja mbi shkëmbimin elektronik të formularëve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado dhe Valeria Vittimberga, drejtoreshë e Përgjithshme e INPS, firmosën sot në Tiranë marrëveshjen teknike për shkëmbimin elektronik të formularëve zbatues, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane, që ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2025.

Për herë të parë, në marrëveshjen me Italinë, formularët do të shkëmbehen në rrugë elektronike, duke shkurtuar kohën e transmetimit të dokumentacionit për dhënien e përfitimeve.

Kjo marrëveshje synon të lehtësojë dhe përshpejtojë procedurat administrative ndërmjet institucioneve kompetente të sigurimeve shoqërore të të dy vendeve, duke mundësuar shkëmbimin e sigurt dhe efikas të kërkesave për përfitime në të dy vendet, në mënyrë elektronike.

Firmosja e këtij dokumenti përbën një hap tjetër konkret në zbatimin e plotë të marrëveshjes dypalëshe, me qëllim garantimin e të drejtave të qytetarëve që kanë punuar dhe kontribuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. /j.p/

1 nga 4

The post Pensionet me Italinë, firmoset marrëveshja mbi shkëmbimin elektronik të formularëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IMT: Mbi 17 mijë metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme, të liruara në kryeqytet

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Tiranë njofton se po vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike në Tiranë, me qëllim kthimin e trotuareve dhe ambienteve të përbashkëta në shërbim të qytetarëve.

Deri më tani, sipas të dhënave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), janë liruar plot 17 mijë e 334 metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme.

Në kryeqytet ky operacion është fokusuar fillimisht në akset kryesore, por pritet të shtrihet në të gjitha lagjet dhe zonat periferike.

Në deklaratën zyrtare IMT Tiranë, thekson se “po vijon lirimi i hapësirave publike në akset kryesore, për të vijuar më tej, në çdo cep të qytetit”.

IMT Tiranë bën të ditur se, janë njoftuar 1428 subjekte për lirimin e hapësirave të zëna; janë realizuar 352 çmontime vullnetare nga subjektet përkatëse; janë hartuar 32 akt-konstatime për kundërvajtje, ndaj atyre që nuk kanë respektuar afatet apo urdhrat ligjorë.

Aksioni është pjesë e nismës së lirimit të hapësirave publike në vend në mbrojtje të komuniteteve ku në shumë bashkia vijon kthimi i këtyre hapësirave tek qytetarët.

The post IMT: Mbi 17 mijë metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme, të liruara në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karçanaj: Digjitalizmi i shërbimeve publike, gati të kthehet në brand shqiptar

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj tha se sot, zhvillimi që ka shënuar digjitalizimi i shërbimeve publike e ka kthyer atë në një brand shqiptare dhe aset të diplomacisë ekonomike dhe eksporteve.

E pranishme në takimin që u zhvillua në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit, startup-eve, Karçanaj vlerësoi rolin e AKSHI-t, në agjendën digjitale të Shqipërisë dhe transformimin drejt një zhvillimi të ri të shërbimeve publike digjitale.

“Digjitalizimi i shërbimeve publike që ofron sot AKSHI, ka mundësuar krijimin e standardeve në këtë drejtim. Kemi krijuar një treg IT tani që falë menaxhimit tonë konkurrojmë dukshëm në Europë. Synimi ynë të mbajmë dhe të forcojmë talentet shqipate në fushën e IT. Ne duhet të fokusohemi tek cilësia e arsimit të lartë, tek kurrikulat dhe qasja e nevojave për studentët e fushës duke u ndërlidhur me strategjinë që ka qeveria për për të ardhmen e teknologjisë. Ne duhet të mësojmë ata që na duhen”, theksoi Karçanaj.

Ajo solli në vëmendje se studentët që punësohen në AKSH, minimumi iu duhet të kalojnë një periudhë prej 2 vitesh trajnim në AKSH dhe pikërisht kur ata janë gati, ata shkojnë dhe hapin kompanitë e tyre, apo në kompani private me rrogë më lartë duke ndihmuar  zhvillimin e tregut dhe industrinë e fushës.

“Digjitalizmi i shërbimeve publike tashmë është gati të kthehet në një brand shqiptar sepse janë mbi 60 vende që duan zgjidhje të qeverisjes elektronike, ndërkohë që Shqipëria ka një portofol të dokumentuar dhe ka shumë përvojë bashkë me sipërmarrjen private dhe është gati ta çojë këtë përvojë tek këto 60 vende plus”, u shpreh Karçanaj.

Ajo thekoi se, ka ardhur koha ta çojmë digjitalizimin e shërbimeve publike në një aset të diplomacisë ekonomike dhe eksporteve”, tha drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj. /j.p/

The post Karçanaj: Digjitalizmi i shërbimeve publike, gati të kthehet në brand shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MF: Të ardhurat totale arritën 366 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të vitit

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën janar-qershor 2025 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Ministria e Financave bëri të ditur sot se, të ardhurat totale arritën në rreth 366 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të vitit 2025, një realizim në masën 100.6 % të planit të periudhës, ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike arritën në rreth 332.5 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të vitit 2025.

Sipas MF, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 22.8 miliardë lekë më shumë ose 6.7 % më shumë. Në terma vjetorë, të ardhurat totale për 6- mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 48.3% të planit vjetor.

Sa i takon të ardhurave të arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën janar – qershor 2025, ato janë në shumën 242.3 miliardë lekë, rreth 20.2 miliardë lekë ose 9.1% më shumë në krahasim me janar – qershor 2024.

Të ardhurat tatimore nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare, për këtë periudhë u realizuan në vlerën 113.6 miliardë lekë, 3.7 miliardë lekë ose 3.4% më shumë se 6-mujori i parë 2024.

Ndërkohë të ardhurat nga taksat doganore, shënuan vlerën 4.5 miliardë lekë, 183 milionë lekë ose 4.2% më shumë se janar – qershori i vitit 2024, si dhe realizim prej 87.9% kundrejt planit të periudhës.

MF informon se tregues në rritje shënojnë edhe të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale).

Për periudhën janar – qershor 2025, të ardhurat nga ky tregues u realizuan në shumën 128.7 miliardë lekë, 16.5 miliardë lekë ose 14.7% më shumë se janar – qershori i vitit 2024. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 2.8 miliardë lekë ose 2.2% më shumë.

Ndërsa të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH për periudhën janar – qershor 2025 u realizuan në shumën 87.6 miliardë lekë, 9.7 miliardë lekë ose 12.5% më shumë se periudha e viti 2024, si dhe me realizim prej 104.8% të planit të periudhës.

Sa i takon shpenzimeve shpenzimeve të përgjithshme publike, për periudhën 6 mujore të vitit 2025, ato arritën në rreth 332.5 miliardë lekë me një realizim në masën 99.8% e planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky zë ka rezultuar 14.1% më i lartë ose rreth 41.2 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korente, sipas MF-së për periudhën 6 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 299.6 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë rezultoi 13.2% më i lartë ose rreth 34.8 miliardë lekë më shumë, si dhe me një realizim në masën 99% të planit të periudhës.

Ndërsa shpenzimet kapitale, për periudhën 6 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 32 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë rezultoi 20.8% më i lartë ose rreth 5.5 miliardë lekë më shumë, si dhe me një realizim në masën 108.1% të planit të periudhës.

Niveli i suficitit, në periudhën 6-mujore të vitit 2025, rezultoi në rreth 33.5 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i suficitit rezultoi 35.3% më i ulët ose 18.3 miliardë lekë më pak, njofton MF-ja.

The post MF: Të ardhurat totale arritën 366 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon gërmimi i trupit të rrugës Qafa e Buallit-Martanesh

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi se punimet në kantierin e “Sistemim asfaltim rruga Qafa e Buallit – Martanesh”, po ecin me ritme të mira.

Sipas ARRSH-së, aktualisht kanë përfunduar punimet e gërmimit të trupit të rrugës dhe po vijon puna për realizimin e nënshtresave rrugore.

ARRSH bën të ditur se, gjithashtu janë në ndërtim e sipër veprat e artit si urat dhe tombinot. Realizimi fizik i projektit ka arritur në 67%.

Përfundimi i këtyre punimeve do të përmirësojë ndjeshëm aksesin e banorëve të zonës dhe do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe do të shkurtojë kohën e udhëtimit.

Gjithashtu, rruga do të ndikojë në zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik të zonës.

Kjo rrugë lidh qytetin e Krastës dhe zonën e Martaneshit me qytetin e Bulqizës dhe me gjithë rrjetin rrugor nacional. /j.p/

The post Përfundon gërmimi i trupit të rrugës Qafa e Buallit-Martanesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Afro 56% e eksporteve, drejt vendeve të BE-së

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 55,9% të të gjithë tregtisë.

Referuar raportit të INSTAT, në periudhën janar – qershor 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së shënojnë 67,2% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,2% të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë në këtë periudhë janë: Italia (27,1%), Kina (9,1%), Greqia (7,6%) dhe Turqia (7,1%).

Ndërsa në qershor 2025, sipas INSTAT, eksportet drejt vendeve të BE-së zunë 67,4% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zunë 50,7% të importeve.

Partnerët kryesorë tregtarë gjatë këtij muaji veçohen: Italia (26,5%), Kina (11,4%), Greqia (7,3%) dhe Gjermania (7,0%).

Eksportet e mallrave në këtë gjashtëmujor arritën vlerën 203 miliardë lekëve, duke u rritur me 2,1%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 431 miliardë lekë, duke u ulur me 2,0%, krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa në qershor 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke
u rritur me 1,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0,6%, në krahasim me muajin maj 2025.

Kurse importet e mallrave arritën vlerën 77 miliardë lekë, duke u ulur me 0,2%, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,5%, në krahasim me majin 2025.

/j.p//r.e/

The post INSTAT: Afro 56% e eksporteve, drejt vendeve të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Asistencë falas për shërbimet në “e-Albania”, Balluku në Fier: Ofrimi me pagesë do të konsiderohet vepër penale

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bashkë me kryetarin e Bashkisë Fier Armando Subashi, monitoruan nga afër sportelet në bashkinë Fier, ku ofrohet asistencë dhe shërbim falas për të gjithë qytetarët, të cilët që kanë vështirësi në përdorimin e platformës e-Albania.

Balluku tha se shërbimi do të ofrohet jo vetëm tek bashkitë, por edhe tek qendrat administrative.

“Kemi identifikuar kohët e fundit, që ka një abuzim në treg, ku në zyrat e avokatëve dhe noterëve kemi parë afishime, ku shkruhen që ofrohen shërbime për e-albania. E-albania është një nga krenaritë e qeverisë shqiptare, është pikërisht pika ku çdo qytetar mund të aplikojë për të marrë shërbime duke mos pasur nevojë për të pasur asnjë ndërmjetës, as avokatë, dhe as noterë. Janë shërbime që ofrohen online dhe janë shërbime të cilat janë digjitalizuar për të shkurtuar kohën e aplikimit dhe të marrjes së shërbimit. Ndaj ne i kemi kërkuar të gjithë bashkive kudo, edhe njësive administrative madje, që të kenë pozicione të dedikuara ku vijnë qytetarët, qofshin këta të moshuar, apo nuk kanë mundësi të aksesojnë e-albania dhe ta marrin këtë shërbim në kohë reale dhe pa asnjë pagesë”, tha Balluku.

Ajo theksoi se në rastet kur ky shërbim ofrohet me lekë do të konsiderohet vepër penale.

“Në ditë në vijim do të ketë një komunikim nga ministri i Drejtësisë, pikërisht sa i takon këtij abuzimi nga noterët dhe avokatët, pasi është e nevojshme të kuptojnë të gjithë qytetarët që e-Albania është falas, pa asnjë pagesë. E-Albanai është ndërtuar nga qeveria për qytetarët për shërbime të shpejta dhe të sigurta pa pagesë”, theksoi Balluku.

Ajo i bëri apel qytetarëve të drejtohen në qendrat që kanë hapur bashkitë, ose edhe në njësitë administrative, sepse janë të hapura edhe aty, teksa tha se, “ne kemi dalë të gjithë në terren, për ta prezantuar këtë shërbim që ofrohet nga bashkitë dhe është abuzim nëse shikoni qendra avokatie që e ofrojnë këtë shërbim me pagesë, sepse është një abuzim i rëndë”, tha  Balluku.

Ndërsa kryetari Subashi tha se, në Bashkinë e Fierit, qytetarët kanë dy sportele në dispozicion për të marrë shërbimet online në e-albania, pa pagesë shtesë.

“Kjo është zyra me një ndalesë e Bashkisë, këtu vijnë të gjithë njerëzit. Çdo drejtori që ka marrëdhëniet me publikun, ka sportelin dhe përfaqësuesin e vet, pret njerëzit, i sqaron, merr ankesat. Më pas drejtoria përkatëse i shqyrton dhe u kthen përgjigje. Pas ndryshimit, ne kemi hapur dy sportele të reja. Kemi lënë dy operatorë në dispozicion për të asistuar moshat e thyera, të cilat nuk janë në gjendje të futen vetë dhe të aksesojnë e-albania dhe asistohen nga punonjësit e bashkisë falas”, tha ai. /j.p/

The post Asistencë falas për shërbimet në “e-Albania”, Balluku në Fier: Ofrimi me pagesë do të konsiderohet vepër penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌