Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 19 July 2025Main stream

“Fertilizimi in vitro”: Rruga e gjatë e çifteve për një fëmijë

1 July 2025 at 12:48

Shtatë vitet e fundit Manjola* i kujton si endje nëpër klinika. Dëshira për të pasur fëmijë me bashkëshortin, me të cilin ka 15 vite martesë, nuk e ka zmbrapsur përpos vështirësive për ta pasur një të tillë në mënyrë natyrale.

Nga analizat dhe vizitat e kryera në disa klinika rezultoi se problemi qëndronte te bashkëshorti: numri i ulët i spermatozoideve të shëndetshëm në riprodhim.

“Na thanë që nuk mund të kishte fëmijë, vetëm nëse aplikohej me ‘in vitro’, por me spermatozoide të dikujt tjetër”, kujton Manjola.

“In vitro” është termi i shkurtuar në latinisht i procesit të “fekondimit në gotë” (shqip) që nënkupton riprodhimin e asistuar jashtë trupit të njeriut. Në zhargon quhet edhe “bebe në provëz”.

Në vitin 2015, Manjola ngulmoi që ta niste këtë proces, mirëpo kushtonte shumë.

“Një analizë spermatozoidi që bënte bashkëshorti, në atë kohë, kushtonte diku te 3,500 lekë,” tregon ajo, teksa kujton se vizitat në spitalet publike ishin të kota: “Mjekët na drejtonin te klinikat e tyre private!”.

Të dy nuk kishin punë fikse. Manjola angazhohej kryesisht si aktiviste e komunitetit rom, ndërsa bashkëshorti si mekanik. Të ardhurat i kishin nën minimalen prandaj, për ta, ishte thuajse e pamundur për ta provuar procesin “in vitro”.

Situata i shtyu që në vitin 2023 të shkonin si azilkërkues në Francë dhe tashmë, dy vite më pas, të jenë në pritje për ta provuar.

“Kjo ka qenë një nga arsyet që kam ardhur këtu,” tregon Manjola, “Burrit i kanë dhënë shpresë se mund të bëjmë fëmijë. Na kanë treguar edhe analizat që nuk përputhen fare me ato që kemi bërë në Shqipëri.”

Ajo tregon se autoritetet franceze po e ndihmojnë në proces duke përgjysmuar koston falë politikave sociale që aplikojnë.

Drejt procesit “in vitro” shkoi edhe Gentjana* me bashkëshortin. Në të 35-at, pas gjashtë vitesh bashkëjetesë, ata donin të kishin fëmijë. Ndiheshin të sigurt se kjo gjë do të ndodhte në mënyrë natyrale, për aq kohë sa edhe miqtë e tyre, në të njëjtën moshë ishin bërë prindër.

“Kam qenë e para që kam folur për dëshirën për fëmijë, ata në një moment u bënë, ndërsa ne na zgjati diku te një vit e gjysmë deri sa kuptuam që duhej të bënim ndonjë analizë se pse nuk po ndodhte”, tregon Gentjana.

Këshillimi me miqtë i drejtoi ata te mjekët, nga ku rezultoi se bashkëshorti i Gentjanës vuante nga varikoçela, një anomali e enëve të gjakut, që mund të shkaktojë infertilitet.

Në këto kushte ata u gjendën përballë dy mundësish: ndërhyrje kirurgjikale te partneri, që kërkonte 1 vit e gjysmë rikuperim, ose t’i futeshin procesit “in vitro”. Faktori kohë i shtyu që të zgjidhnin alternativën e dytë.

Mes konsultash dhe sugjerimesh, çifti iu drejtua një klinike private. Nxjerrja e 25 vezëve për moshën dhe parametrat që kishte Gentjana, 36 vjeçe, ishte një lajm shpresëdhënës. Mirëpo, edhe pse mbeti shtatzënë embrioni nuk u zhvillua, duke pësuar dështim.

Por në përsëritjen e procedurës gjërat shkuan mbarë. Transferimi i kryer pak muaj më vonë rezultoi me sukses dhe Gentjana mbeti shtatzënë.

Foto ilustruese, pajisje të fertilizimit in vitro/Ministria e Shëndetësisë.

Përballja me infertilitetin

“In vitro” është një teknikë e aplikuar gjerësisht pas viteve 80-të, ku vezët e gruas pllenohen jashtë mitrës. Kësisoj, embrionet krijohen në laboratorë dhe më pas vendosen në mitër për t’u zhvilluar si shtatzëni.

Andrologu Evin Dani, vlerëson si pozitive ekzistencën e kësaj metode riprodhuese, por thekson se edhe në këtë proces mosha luan rol të rëndësishëm.

Ai thotë se pas moshës 35 vjeç, aftësia e grave për të prodhuar vezë të shëndetshme bie. Për këtë aplikohet një metodë, ku në një moshë më të hershme vezë të shëndetshme vendosen në konservim: ngrirje.

Por ndonëse shpesh pamundësia për të bërë fëmijë iu mveshet grave, statistikat tregojnë përqindje të lartë infertiliteti edhe mes burrave.

“Statistikat nxjerrin që në 60% të rasteve problem është gruaja dhe në 40% burri,” tregon andrologu Dani, i cili thekson se për të siguruar riprodhimin meshkujve iu duhet të gëzojnë numër dhe përqendrim të lartë spermatozoidesh të shëndetshëm: rreth 40 milionë.

“Kur kemi ulje të numrit të spermatozoideve, atëherë çifti do të vonojë ose nuk do të realizojë dot shtatzëni,” shpjegon andrologu.

Por, përveç numrit dhe dendësisë së lartë që të arrihet një shtatzëni duhet që spermatozoidet të kenë dhe lëvizshmëri.

“Mund të kesh numër, por jo lëvizshmëri, atëherë i bie që spermatozoidi të mos shkojë drejt vezës, të rrijë aty deri sa ta shkatërrojë organizmi”, shpjegon andrologu Dani, i cili shton se për të qenë riprodhues një burri i nevojitet të ketë në gjendje lëvizjeje të paktën 32% e spermatozoideve.

Dani shton se që një spermatozoid të quhet normal, duhet që mbi 4% e tërësisë së tyre të kenë formë morfologjike normale. Sipas tij, ndër shkaqet kryesore të infertilitetit te meshkujt është varikoçela.

“Enët e gjakut, për një arsye apo tjetër, nga dëmtimi i kllapave, do të sjellë si pasojë pellgëzimin dhe do të bëjë që të rritet temperatura e skrotumit dhe kjo sjell si pasojë atë që quhet dëmtim i spermatozoideve,” shpjegon andrologu.

Ndër shkaqe të tjera që kanë ndikim në infertilitet ai rreshton mënyrën e jetesës, ushqimin, lëndët toksike që përdoren për rritjen e frutave dhe perimeve si dhe temperatura e ambientit. Sipas mjekut, të tjerë shkaktarë janë edhe lëndët narkotike dhe duhani.

“Kemi vënë re që shumë veta që kanë dëmtim të spermatozoideve janë duhanpirës dhe me ndërprerjen e duhanit, pas 3-6 muajsh kemi rezultat”, shpjegon më tej doktor Dani.

Sipas mjekëve, djemtë dhe burrat e kanë të vështirë të flasin për jetën dhe organet e tyre seksuale. Mirëpo, së fundmi, kjo situatë ka ndryshuar falë edhe medias në sensibilizim dhe emisione të dedikuara.

“E konsiderojmë sukses sepse jeta seksuale nuk është se mbaron në një moshë të caktuar, ajo mbaron kur të mbarojë jeta,” thekson andrologu.

Prindërimi dhe kostoja e lartë e shpresës

Pas vitesh tentativë për të pasur fëmijë Erla dhe bashkëshorti iu drejtuan një klinike private në Tiranë për të nisur fertilizimin “in vitro”. Përtej përgjigjes së një mjekeje se “kurrë nuk do të bëhej nënë”, ajo gjeti forcën për të besuar te procedura.

Procesi kërkoi më tepër kohë se sa kishin menduar: gati pesë vite.

“E kam bërë disa herë procedurën dhe nuk më jepte rezultat. Unë gocën e kam me ‘in vitro’-n e katërt”, rrëfen Erla përvojën e saj.

Sot ajo është sërish shtatzënë, por në mënyrë natyrale. Fakt që i ka lumturuar pamasë të dy.

Erla kujton se në momentin kur lindi vajzën, mjeku i pati thënë që të mos provonte më me “in vitro” pasi do të kishte mundësi për shtatzëni normale.

Rrugëtim të njëjtë ka pasur edhe Brikena. Pas tri vitesh martesë ajo solli në jetë djalin e saj. Mirëpo më pas e kishte të vështirë të kalonte sërish në shtatzëni të dytë.

Shkak për këtë ishte një ndërlikim në tubat e fallopit, ku vezët e kanë të vështirë të kalojnë drejt mitrës për shkak të një bllokimi të tubave. Për këtë Brikena iu drejtua procedurës “in vitro” për të pasur mundësinë për një fëmijë të dytë.

Sot ajo gëzon edhe vajzën e saj, ndërsa gjithë procesi i fertilizimit i zgjati shtatë muaj, duke përfshirë analizat, ekot dhe transfertën e embrionit.

Ajo tregon për Citizens.al se nëse nuk do të kishte rezultuar e suksesshme që në tentativën e parë nuk do ta vijonte më tej, pasi stimulimet dhe mjekimet me hormone kanë efektet e tyre.

“In vitro e kam bërë vetëm për faktin që nesër pasnesër, kur të kalonin vitet mos të thosha pse nuk e provova, të mos më ngelej peng,” vijon ajo.

Foto ilustruese, pajisje të fertilizimit in vitro/Ministria e Shëndetësisë.

Pas çdo embrioni, një rrugëtim i lodhshëm emocional

Manjola e kujton si stresuese periudhën e analizave dhe konsultimeve në klinikat private për procesin “in vitro”. Ajo thotë se kjo i ndikoi edhe në sjelljen karshi bashkëshortit.

“Ka qenë stresuese dhe kam qenë pak agresive ato kohë. U bëra keq! Fillova ta përjetoj keq dhe ia hidhja fajin bashkëshortit”, ndan Manjola me Citizens.al

Për Gentjanën terapia te psikologu filloi paralelisht me nisjen e transfertës së dytë të fertilizimit “in vitro”.

“E kam vazhduar terapinë edhe pas lindjes. Ky është proces i ndërlikuar, por asgjë nuk është më e ndërlikuar se sa mëmësia”, rrëfen Gentjana.

Pyetjes nëse në të njëjtin proces ishte edhe partneri i saj, ajoi përgjigjet se “ata janë të lirë”.

“Partnerët mund të jenë aty të të mbështesin në proces, por e gjitha barra fiziologjike është mbi ty”, vijon më tej Gentjana.

Sipas psikologes Tana Aliaj, infertiliteti sjell sfida të shumta fizike, emocionale dhe psikologjike te çiftet. Aliaj analizon se në tërësi koncepti i shoqërisë shqiptare për familjen dhe prioriteti që i jepet krijimit të saj nxit ndjesi zhgënjimi dhe humbjeje në çiftet që nuk ia dalin dot.

Sipas saj, gratë ndikohen më shumë në këtë proces.

“Ky presion shpesh çon në izolim emocional dhe vështirësi në ruajtjen e mirëqenies mendore dhe të marrëdhënies në çift”, shpjegon më tej Aliaj.

Për Erlën, mospasja e një fëmije pas tre tentativash të fertilizimit “in vitro” solli zhgënjim pas zhgënjimi.

“Fillon pastaj një moment që fajëson veten. Nuk është se ka pasur ndonjë krisje. Kemi qenë të dy së bashku duke i dhënë kurajë njëri-tjetrit dhe duke vazhduar akoma, duke këmbëngulur”, tregon ajo.

Sipas psikologes Aliaj, edhe burrat edhe gratë pësojnë dhimbje e trishtim kur secili prej tyre mëson se është infertil. Mirëpo, ndjenja e fajit dhe vetmisë dominon më shumë te gratë, sidomos në realitetin shqiptar.

“Ato shpesh ndihen si ‘të paplota’ për shkak të perceptimit të rrënjosur se të qenit grua lidhet automatikisht me të qenit nënë. Madje, ndjenja e fajit shkon përtej vetes dhe lidhet me pritshmëritë familjare për ‘t’u bërë nënë për prindërit’ apo për të përmbushur rolin që shoqëria i ka përcaktuar”.

Aliaj thekson se ka një presion të shtuar mbi çiftet infertilë, lidhur kjo edhe me strukturat familjare tradicionale.

“Ky presion i jashtëm forcon ndjesinë se vlera e çiftit matet me aftësinë për të lindur fëmijë, duke e lënë pak hapësirë për kuptim dhe mirëkuptim,” thekson psikologia.

Në studime të ndryshme çiftet në pritje e kanë vlerësuar ankthin e fertilizimit “in vitro” si më të madh se çdo ngjarje tjetër të jetës së tyre. 

“Ndonëse zhvillimi i teknikave alternative ka ofruar shpresë për çiftet që përballen me infertilitetin është e rëndësishme të tejkalohen barrierat psikologjike dhe normat kulturore”, përfundon Aliaj.

Kosto të larta financiare, ende pak besim te “publikja”

Kostot e larta financiare dhe pamundësia ekonomike e shtynë Manjolën të shkonte jashtë shtetit, me shpresën se do të përfitonte nga programet sociale atje.

Për Gentjanën nuk ka një përgjigje të saktë të vlerës totale, pasi gjithë procesi ka qenë i fragmentarizuar në periudha të ndryshme.

“Rreth 2,500 euro ‘in vitro’ dhe nja 500 euro ilaçe. Pastaj për çdo transfertë diku te 1,000 euro,” tregon Gentjana.

Mirëpo, ajo kujton se për 14 injeksionet që ia bëri vetes për të përgatitur vezën për procesin e fertilizimit, iu desh të shkonte në Prishtinë, për shkak të kostos së përgjysmuar.

“Të nesëmem i kemi hipur makinës, shkuam në Prishtinë me firgorifer me vete. Diferenca ishte 500 euro deri në 1 mijë euro”, rrëfen Gentjana.

“Nëse dua edhe sot të provoj për një fëmijë të dytë, kam embrione në ngrirje dhe mund të shkoj ta bëj sërish procesin”, shton ajo, duke theksuar edhe kostot e analizave të herëpashershme për të gjithë procesin.

Nga ana tjetër, Brikena tregon për një kosto rreth 8,000 euro.

“Nga fillimi, analizat e mia, të bashkëshortit, pagesën që ishte 3,000 euro dhe ‘in vitro’, embrionet, vizitat, ekot e njëpasnjëshme,” rendit ajo në llogaritjen totale.

Kostoja më e lartë është paguar nga Erla, për shkak se ajo dhe bashkëshorti provuan katër herë. Sipas saj kostoja ka shkuar në 80,000 euro.

“S’do ta besosh, por ka shkuar… ka shkuar kaq sepse mjekimet dhe stimulimet janë të shtrenjta, edhe procedura kushton, analizat përsëri kushtojnë”, na tregon Erla.

Spitali Obstretik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”/Ministria e Shëndetësisë.

Në shkurt të vitit 2024, shërbimi i fertilizimit “in vitro” nisi në sistemin shëndetësor publik, pranë Spitalit Universitar Obstetrikë Gjinekologjik “Koço Gliozheni”. Pavarësisht se laboratori për fertilizimin u ndërtua në këtë institucion prej vitit 2013, financuar nga Bashkimi Evropian me rreth 250 mijë euro dhe trajnim të mjekëve jashtë vendit, kjo sallë nuk u hap kurrë për 11 vite.

Sipas të dhënave nga spitali “Koço Gliozheni” prej nisjes së shërbimit ka pasur shumë kërkesa nga çiftet shqiptare.

“Në vitin 2024 ka pasur 73 aplikime, ndërsa për vitin 2025 deri më tani janë 117 aplikime”, thuhet në përgjigjen zyrtare për Citizens.al nga spitali obstetrikë-gjinekologjik.

Megjithatë, ky proces është përzgjedhës. Sipas formularëve që plotësohen nga çiftet që nisin këtë procedurë, mosha e grave që pranohen për të kryer teknikat e FIV-ICSI (fertilizimi in vitro dhe Injektimi Intracitoplazmatik i Spermatozoidit) nuk duhet të kalojë 42 vjeç për gratë që kanë cikël menstrual të rregullt.

Sipas spitalit “Koço Gliozheni”, në vitin 2024, nga 73 aplikime janë pranuar 30 dhe nga 117 aplikime deri më tani në 2025-ën janë pranuar 53 çifte që plotësojnë kriteret.

Në vitin 2024 ka pasur 9 rezultate pozitive, ndërsa në vitin 2025 (deri më tani) janë 12 rezultate pozitive. Por nga të gjitha këto vetëm dy lindje të shëndetshme janë shënuar në spitalin “Koço Gliozheni” përmes fertilizimit “in vitro”.

Andrologu Dani shpjegon se përse rezultatet pozitive nuk përkthehen në lindje. Ai thotë se mund të ndodhë që të jetë kryer me sukses transferta e vezëve të pllenuara në uterus, por më pas ajo të mos zhvillohet më tej.

Megjithatë, Erla dhe Brikena, të dyja pjesë e administratës publike rrëfejnë se edhe nëse do t’iu jepej mundësia për ta kryer procesin në shtet, sërish do të zgjidhnin ta merrnin këtë shërbim në privat.

“Kam besim te mjeku që jam dhe nuk do ta ndërroja. Kam ndërruar disa mjekë dhe te ky kam gjetur besim”, rrëfen Erla.

“Ne që punojmë në shtet shkojmë të privati mbarojmë punë. Punojmë vetë aty dhe na sorollasin, jo më një qytetar i thjeshtë që nuk di ku të shkojë”, shprehet me mosbesim Brikena.

Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” ende në rishqyrtim nga ekspertët

“Me buxhetin e vitit të ardhshëm, rreth 150 çifte të reja do të mbështeten për të realizuar ëndrrën e tyre për të krijuar familje”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në dhjetor të 2024, duke u shprehur se ky shërbim brenda 2025-ës do të ofrohet edhe në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.

Mirëpo, në aspekt ligjor fertilizimi “in vitro” u soll sërish në vëmendje përmes projektligjit “Për shëndetin riprodhues dhe atë seksual” që synon të garantojë të drejta seksuale dhe riprodhuese për qytetarët. Në këtë projektligj nuk përcaktohet qartë se si do të mbështeten çiftet që nuk munden dot të bëjnë fëmijë.

“Projektligji është tërhequr nga ministria, pas konsultimeve publike që ato patën në faqen e tyre online dhe që nga ai moment, nuk ka më asnjë reagim”, tha për Citizens.al Zheni Gjergji, kryetare e Komisionit të Shëndetësisë.

Sipas deputetes Gjergji, ky projektligj nuk kishte asnjë paketë sociale të parashtruar për gratë në nevojë dhe që nuk kanë mundësi ekonomike të kryejnë fertilizimin “in vitro”.

“Nuk ishte parashikuar asgjë, as nuk e citonte që do të ishte në institucionet publike, por thoshte në institucionet publike dhe jopublike. Nuk është se ishte prioritet publiku. Por ishte publike dhe private”, argumenton deputetja Gjergji.

Sipas Gjergjit, Shqipëria nuk ka ende një regjistër kombëtar të infertilitetit, duke mos pasur mundësi kësisoj të hartohen politika të duhura shtetërore.


*Emrat janë ndërruar për të ruajtur privatësinë e zonjave që besuan të rrëfejnë historinë e tyre për Citizens.al

The post “Fertilizimi in vitro”: Rruga e gjatë e çifteve për një fëmijë appeared first on Citizens.al.

Before yesterdayMain stream

Dy të arrestuarit mohojnë përfshirjen në vrasjen e Renis Dobrës. Fation Bushgjokaj pranon lidhjet me drogën

17 July 2025 at 10:08

Gazeta Si – Fation Bushgjokaj dhe Petrit Çakrri kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u mbyt me litar dhe trupi iu hodh në liqenin e Shkopetit në Mat.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, Bushgjokaj ka pranuar lidhjet e tij me 23-vjeçarin në trafikun e paligjshëm të drogës, por mohon përfshirjen në vrasje, duke pranuar vetëm konfliktet mes tyre.

Nga ana tjetër, Çakrri ka pranuar se ishte në zonën e ngjarjes, por mohon njohjen personale me viktimën dhe përfshirjen në ngjarje.

Ai ka deklaruar se njeh vetëm Kristi Bushgjokajn, i cili është në kërkim nga policia dhe se është takuar me të në burg.

Ka rrëfyer se pasi i kishte kërkuar për të gjetur një sasi droge nëpër fshatra, kishte shkuar atje. Rrugës ka dëshmuar 55-vjeçari se janë ndarë në dy makina, duke treguar edhe dinamikën e lëvizjes, e cila përputhet me pamjet e kamerave që ka vëzhguar policia.

Megjithatë, Çakrri mohon të jetë përfshirë në ngjarje. “Nuk e di çfarë ka ndodhur me Dobrën”, mësohet të ketë thënë ai.

Në një moment, sipas Çakrrit vëllezërit hipën në një tjetër makinë dhe ndryshuan rrugë dhe i thanë që të ikte. Çakrri thotë se për fatin e 23-vjeçarit e mësoi vetëm nga mediat.

Një ditë më parë, Policia e Dibrës zbardhi ngjarjen duke arrestuar dy persona, Fation Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin.

Ndërsa në kërkim shpalli dy vëllezërit e Fationit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokajn. Sipas Policisë së Dibrës, motiv i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani.

Renis Dobra 23 vjeç u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti pa rënë.

The post Dy të arrestuarit mohojnë përfshirjen në vrasjen e Renis Dobrës. Fation Bushgjokaj pranon lidhjet me drogën appeared first on Gazeta Si.

Kontrolle, këqyrje të kartelave të takimeve dhe transferime drejtorësh në burgje

16 July 2025 at 13:05

Gazeta Si – Që prej mbrëmjes së të martës, por edhe këtë të mërkurë, në të gjithë burgjet e vendit, janë zhvilluar kontrolle të pa paralajmëruara për sende të paligjshme të të burgosurve nëpër qeli.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se në fokus të kontrolleve kanë qenë edhe këqyrja e kartelave të takimeve mes të burgosurve dhe personave të njohur apo familjarëve të tyre.

Pas përfundimit të kontrolleve në të gjithë burgjet e vendit, janë zyrtarizuar edhe dy emërime të reja, Qazim Hoxha si drejtor i burgut të Elbasanit dhe Altin Ago si drejtor i burgut të Peqinit.

Kontrollet vijnë pasi ditë më parë, kreut të bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu, iu gjetën telefona në burgun e Drenovës, me të cilët dyshohet se komunikonte ende për ngjarje kriminale.

Drejtoria e Burgjeve ka nisur hetimet për personin që mund të ketë futur celularët brenda burgut.

The post Kontrolle, këqyrje të kartelave të takimeve dhe transferime drejtorësh në burgje appeared first on Gazeta Si.

Vrasja e Renis Dobrës, policia zbardh dinamikën: Shkak konfliktet për drogën, autorët nuk ishin veshur si efektivë

16 July 2025 at 12:53

Gazeta Si – Policia e Dibrës ka dhënë detaje për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, trupi i pajetë i të cilit u gjet më 9 korrik, në afërsi të liqenit të Ulzës.

Pas hetimit 1-javor në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëfajësia” dhe pamjeve filmike të siguruara, rezulton se krimi i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut, rreth orës 22:10.

Në pranga kanë rënë dy nga autorët, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerët. Përkatësisht, Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjokaj (në pranga) dhe dy vëllezërit Kristi e Aleksandër Bushgjokaj (në arrati).

“55 vjeçari, P.Ç, banues në Tropojë, u arrestua në Golaj të Kukësit i dyshuar për “vrasje me paramendim” dhe rrëmbim personi, kryer në bashkëpunim. Shtetasi F.B, 34 vjeç, banues në Kamzë, u arrestua në Astir, i akuzuar për të njëjtën vepër penale, ndërsa u shpallën në kërkim K.B dhe A.B, vëllezërit e të arrestuarit F.B”, tha zëdhënësi i Policisë Dibër.

“Shtetasi R.D është marrë peng dhe më pas është mbytur me litar. Autorët e kanë hedhur automjetin e tij në liqen, por gjatë rënies, trupi i 23 vjeçarit ka mbetur pranë sektorit C, pa rënë në liqen”, shtoi më tej.

Autorët, theksoi ai, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie dhe nuk kanë përdorur logo apo mjete të Policisë.

Sipas forcave policore, si motiv i vrasjes dyshohen mosmarrëveshjet për aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike, mes viktimës dhe autorëve.

“23 vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani për shpërndarje droge, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, deklaroi zëdhënësi i policisë.

Aktualisht në komisariatin nr.6 të Tiranës janë shoqëruar edhe 4 persona të tjerë të cilët po merren në pyetje lidhur me përgjegjësinë e tyre mbi krimin e rëndë. Ndërsa për të kryer hetimet e plota, policia bëri me dije se janë sekuestruar 20 celularë, 7 automjete dhe një sasi kokaine.

The post Vrasja e Renis Dobrës, policia zbardh dinamikën: Shkak konfliktet për drogën, autorët nuk ishin veshur si efektivë appeared first on Gazeta Si.

Ekstradohet në Itali 56-vjeçari, falsifikoi vdekjen e tij, i dënuar për rrëmbim, zhvatje e trafik droge

16 July 2025 at 11:11

Gazeta Si – Leonard Mnella, i ekstraduar në Shqipëri vitin e kaluar pasi u lokalizua në SHBA, është ekstraduar këtë të mërkurë në Itali.

Mësohet se 56-vjeçari mbante 3 identitete dhe kishte arritur të falsifikonte vdekjen e tij që në vitin 2003, por sot u ekstradua në shtetin italian për t’u përballur me drejtësinë aty.

Në Itali, Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, është dënuar me 25 vite burg për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhavatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.

Ai që ka qenë në arrati për vite të tëra. Ndërsa në vitin 2013, kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të leshuar nga një gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.

Arrestimi i tij i parë u bë i mundur në Miçigan të SHBA-së në vitin 2024 nëpërmjet një bashkëpunimi mes departamentit të policisë kriminale shqiptare në bashkëpunim me 2 agjenci amerikane.

Leonard Mnella është dënuar në mungesë në Itali për rrëmbim, trafik droge, zhvatje, armëmbajtje pa leje, etj. Ai ka qenë kreu i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës midis Amerikës Latine, Italisë dhe Shqipërisë.

Gjithashtu ka bashkëpunuar me një organizatë tjetër për trafikun e heroinës në provicën e Salernos në fund të viteve ’90 dhe fillim të vitit 2000.

Mnella akuzohet edhe për një rrëmbim në vitete 1990 në Piemonte të Italisë.

Më pas, shqiptari me 3 identitete humbi gjurmët dhe u zhduk, duke falsifikuar edhe vdekjen e tij. Pas më shumë se 20 vitesh u gjet në SHBA, prej nga u dëbua në vendin tonë dhe u arrestua përkohësisht, me qëllim ekstradimin në Itali.

The post Ekstradohet në Itali 56-vjeçari, falsifikoi vdekjen e tij, i dënuar për rrëmbim, zhvatje e trafik droge appeared first on Gazeta Si.

Ish-ministri Ilir Beqaj shtrohet me urgjencë në QSUT për një infeksion të rëndë

15 July 2025 at 10:56

Gazeta Si – Që prej të shtunës së datës 12 korrik, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ndodhet i shtruar në spital.

Sipas burimeve paraprake, Beqaj është shtruar me urgjencë në QSUT pasi kishte temperaturë të lartë dhe infeksion të rëndë në lëkurë. Sipas mjekëve, gjendja e tij është ende e pastabilizuar.

Ish-ministri Beqaj mbahet prej 1 viti në paraburgimin e Durrësit për dosjen SASPAC të abuzimit me donacionet e huaja, ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme për dosjen e “Sterilizimit”.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

SPAK i akuzon për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe shpërdorimit të detyrës.

The post Ish-ministri Ilir Beqaj shtrohet me urgjencë në QSUT për një infeksion të rëndë appeared first on Gazeta Si.

Dëmtoi legenin në qeli, lirohet ish-shefi i Rrugores Roven Zeka, i arrestuar për ryshfet

14 July 2025 at 10:41

Gazeta Si – Roven Zeka, ish-shefi i komisariatit rrugor të Tiranës është liruar nga qelia me vendim të Gjykatës së Posaçme.

Ky vendim erdhi pasi ekspertiza mjekësore përcaktoi gjendjen shëndetësore të Zekës mbi kërkesën e bërë nga ky i fundit për t’u liruar nga qelia për shkak se kishte dëmtuar legenin pasi ishte rrëzuar në qeli.

Zeka po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion lidhur me procedurat e kryera për gruan e një biznesmeni i cili gjithashtu po hetohej nga SPAK për një çështje tjetër penale.

Dyshohet se Zeka në bashkëpunim me oficerin Edison Tabaku dhe shefin e hetimit të aksidenteve Sokol Novaku do të merrnin 2 mijë euro ryshfet për të mos arrestuar gruan e biznesmenit Erges Vrioni, e cila kreu aksidentin në Tiranë.

Arrestimi i tyre ishte i bujshëm për shkak se fillimisht u raportua se kishin tentuar t’u iknin me vrap agjentëve të BKH, por më pas Zeka u shfaq së bashku me Novakun duke shkuar në drejtorinë e policisë së Tiranës.

Më herët masa e arrestit në burg u la në fuqi nga apeli i GJKKO ndaj tij dhe oficerit Edison Tabaku ndërsa shefi i hetimit të aksidenteve Sokol Novaku u lirua në arrest shtëpie për shkak të rrethanave familjare.

The post Dëmtoi legenin në qeli, lirohet ish-shefi i Rrugores Roven Zeka, i arrestuar për ryshfet appeared first on Gazeta Si.

Njohja e pensioneve para ’93: Kush përfiton dhe si aplikohet

By: user 8
11 July 2025 at 15:47

Qeveria shqiptare ka hedhur hapin e radhës drejt njohjes dhe vlerësimit të kontributit të qytetarëve, që kanë punuar ndër vite në institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet bujqësore të periudhës komuniste.

Me miratimin e rregullores së re “Për zbatimin e ligjit nr. 7/2025” me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kërkohet t’u jepet fund një herë e mirë padrejtësive të kahershme, duke rikthyer dinjitetin dhe të drejtën e mohuar për shumë individë, të cilët pavarësisht viteve të punës, kanë mbetur për dekada jashtë skemës së pensioneve. Në shumë raste, vitet e punës janë dokumentuar jo saktë, regjistrat gjenden të paplotë ose janë djegur gjatë trazirave të ‘97-ës. Ligji do të lehtësojë njohjen e periudhave të sigurimit, duke zgjidhur problemet me dokumentacionin e vjetër dhe duke shmangur pengesat administrative.

PËRFITUESIT

Në qendër të këtij vendimi janë ish-punonjësit e institucioneve shtetërore, të ish-ndërmarrjeve shtetërore, ndërmarrjeve bujqësore dhe ish-kooperativave bujqësore, të cilët për arsye të ndryshme, kryesisht të mungesës së dokumentacionit apo të parregullsive administrative gjatë viteve të tranzicionit, nuk kanë mundur të përfshihen në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe si rrjedhojë nuk kanë përfituar pensionin e pleqërisë, ose përfitime të tjera sociale.

Rregullorja përcakton qartë procedurat për njohjen e këtyre periudhave si vite sigurimi në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ajo parashikon kritere të detajuara që duhet të plotësojnë kërkuesit, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për të vërtetuar periudhën e punësimit dhe lidhjen e tyre me institucionet përkatëse. Në fokus është jo vetëm saktësia ligjore, por edhe lehtësimi i barrës dokumentare, duke pranuar edhe forma alternative të provës si deklarata noteriale, dëshmi nga dëshmitarë, certifikata familjare, vërtetime nga arkivat apo institucionet vendore. Një nga risitë e kësaj rregulloreje është mundësia që aplikimi të bëhet në mënyrë të thjeshtuar përmes platformës digjitale “e-Albania”, duke shmangur burokracitë dhe vonesat që për shumë vite kanë bllokuar qindra kërkesa në sistemin e sigurimeve.

Aplikuesit, pas dorëzimit të dokumenteve, do të shqyrtohen nga strukturat përkatëse të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili do të ketë detyrimin të japë vendimin përfundimtar për njohjen ose jo të periudhës së kërkuar. Përfitues të drejtpërdrejtë të kësaj nisme janë individë që kanë qenë të angazhuar në punë gjatë periudhave të funksionimit të kooperativave bujqësore, ndërmarrjeve shtetërore industriale apo bujqësore, ku puna shpesh kryhej pa një kontratë të rregullt pune, por ishte pjesë e kontributit kolektiv dhe detyrimit qytetar të kohës. Në shumë raste, këta persona kanë punuar për vite me radhë në sistemin bujqësor apo industrial të organizuar nga shteti, por nuk kanë qenë të regjistruar si të siguruar, gjë që sot pengon përfitimin e pensionit.

RASTE PËRJASHTIMORE

Ndërkohë, rregullorja parashikon dhe kufizime të qarta për të shmangur abuzimet. Kështu, përjashtohen nga përfitimi personat që janë dënuar me vendim gjykate për vepra penale që nuk lidhen me bindjet politike, si dhe ata që nuk kanë pasur një lidhje të vërtetueshme me vendbanimin dhe vendpunimin gjatë periudhës për të cilën kërkojnë njohje. Ky akt nënligjor vjen si një plotësim i shumë kërkesave dhe shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, organizatat e pensionistëve dhe shoqëria civile ndër vite, duke qenë një nga hapësirat më të rëndësishme të rivlerësimit të kontributit historik të shtresave të neglizhuara në tranzicionin shqiptar.

Në thelb, ai sjell jo vetëm një përmirësim në mirëqenien ekonomike të mijëra familjeve, por edhe një formë e vonuar drejtësie sociale dhe respekti institucional për punën që është bërë në kushte të vështira dhe në periudha kur ndihmat sociale dhe siguria e punës ishin të kufizuara. Pritet që zbatimi i kësaj rregulloreje të sjellë një valë të re aplikimesh në muajt në vijim, me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, që ka marrë masa për të përballuar fluksin dhe për të ofruar asistencë teknike dhe ligjore për aplikantët në nevojë. Njëkohësisht, qytetarët që kanë çështje të hapura në gjykatë për të njëjtën periudhë, kanë të drejtë të kërkojnë rikthimin e dosjes për shqyrtim administrativ sipas rregullores së re, duke kursyer kohë dhe kosto procedurale.

Me këtë vendim, shteti shqiptar u kthen një borxh të gjatë moral dhe social qindra mijëra qytetarëve të tij – një shenjë që puna e bërë, edhe pse në rrethana të tjera politike e ekonomike, nuk harrohet dhe meriton të vlerësohet. Duhet nënvizuar se ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Referuar deklaratave nga përfaqësuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, përfitues do të jenë vetëm ata që dalin rishtazi në pension dhe jo të tjerë, të cilët e kanë kërkuar të drejtën e tyre në rrugë administrative apo gjyqësore. Ndërkohë që edhe ata individë që janë në proces ankimimi administrativ apo gjyqësor kanë të drejtë të shmangin këto procedura, pasi janë objekt përfitimi të ligjit.

KATEGORITË QË PËRFITOJNË NGA ZBATIMI I LIGJIT JANË:

Ata që kanë plotësuar moshën për pension pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Persona që ende nuk kanë marrë pension, edhe pse kanë mbushur moshën.
Aplikantë, të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë periudhe sigurimi.
Përfitues të pensionit, të cilëve nuk u janë njohur disa vite pune dhe kanë bërë ankim.
Persona që janë në proces gjyqësor për vërtetimin e periudhave të punësimit.
NJIHEN VITET E PUNËS

Deri më datë 01.10.1993 – Në institucionet dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.
Deri më datë 17.10.1992 – Në ish-ndërmarrjet bujqësore.
Deri më datë 19.07.1991 – Në ish-kooperativat bujqësore
/Panorama

The post Njohja e pensioneve para ’93: Kush përfiton dhe si aplikohet appeared first on Lapsi.al.

Trafik droge nga Amerika Latine/ SPAK aksion në Shkodër, 13 urdhër arreste, të përfshirë edhe policë

11 July 2025 at 13:01

Nga Gazeta Si- Prej mëngjesit të sotëm, SPAK po zhvillon një aksion në Shkodër, pas lëshimit të 13 urdhër arresteve.

Sipas burimeve për mediat, 8 persona janë arrestuar ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim. Grupi kriminal dyshohet se trafikonte drogë nga Amerika Latine.

Ndërkohë në mes të të arrestuarve janë edhe zyrtarë policie. Ky operacion ka ardhur pas zbërthimit të komunikimeve në SKY ECC.

Në përditësim…

The post Trafik droge nga Amerika Latine/ SPAK aksion në Shkodër, 13 urdhër arreste, të përfshirë edhe policë appeared first on Gazeta Si.

SHBA – Trump nënshkruan projektligjin për uljen e taksave dhe shpenzimeve

UASHINGTON, 5 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar  dje projektligjin e tij të diskutueshëm për uljen e taksave dhe shpenzimeve.

Republikanët në Kongresin e SHBA-së miratuan të enjten të ashtuquajturin “Projektligji i Madh dhe i Bukur”, pasi u kalua nga Senati me një shumicë të vogël, duke i dhënë Trump një fitore të madhe politike.

Trump nënshkroi projektligjin në një ceremoni më 4 korrik, që përkon me festën kombëtare të SHBA-së që shënon Ditën e Pavarësisë.

Projektligji parashikon zgjatjen e përhershme e lehtësirave tatimore nga mandati i parë i Trump në detyrë.

Këto do të financohen nga shkurtimet në përfitimet sociale – një pikë që është përballur me kritika të ashpra nga Demokratët.

Por, ka edhe rezerva brenda radhëve të vetë Trump. Republikanët konservatorë kritikojnë faktin se legjislacioni nuk shkon aq larg sa duhet – në aspektin e shkurtimeve të shpenzimeve dhe kërcënon të rrisë deficitin buxhetor edhe më shumë.

Paketa parashikon më shumë shpenzime në disa fusha – të tilla si mbrojtja e kufijve.

Miliarderi i teknologjisë, Elon Musk, nisi një seri postimesh në media sociale të hënën, duke sulmuar projektligjin dhe duke kërcënuar politikanët që votojnë për të.

Trump e ka vlerësuar ligjin për javë të tëra dhe ka rritur vazhdimisht presionin mbi kolegët e tij të partisë për të finalizuar shpejt procesin legjislativ. //a.i/

The post SHBA – Trump nënshkruan projektligjin për uljen e taksave dhe shpenzimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Masat efektive kryesore të buxhetit “Të madh dhe të bukur” të Trumpit

UASHINGTON, 4 korrik /ATSH-AFP/ – Më poshtë janë masat efektive kryesore të projektligjit të buxhetit “të madh dhe të bukur”, një shtyllë e mandatit të dytë të presidentit amerikan, Donald Trump, i miratuar dje nga Kongresi, pas një procesi të gjatë parlamentar dhe negociatave të zgjatura prapa skenave.

Pritet që Trump ta nënshkruajë sot projektligjin për ta shndërruar në ligj, Ditën e Pavarësisë.

Ulje masive e taksave

Ky është thelbi i këtij projektligji prej gati 900 faqesh: të përjetësojë uljet masive të taksave për individët dhe bizneset e zbatuara në vitin 2017, gjatë mandatit të parë të Donald Trump dhe që skadoi në fund të vitit.

Një tjetër premtim fushate i prezantuar nga miliarderi republikan: përjashtime nga taksat për bakshishet dhe orët shtesë deri në vitin 2028.

Kufiri i zbritjeve të taksave shtetërore dhe lokale është katërfishuar për pesë vjet.

Lufta kundër imigracionit

Disa qindra miliardë dollarë janë ndarë për luftën kundër imigracionit, të cilën Donald Trump e ka bërë përparësi kryesore të mandatit të tij të dytë.

Në detaje, 46,5 miliardë dollarë janë të dedikuar për vazhdimin e ndërtimit të murit në kufirin me Meksikën, 45 miliardë dollarë për krijimin e 100 000 vendeve në qendrat e paraburgimit të migrantëve dhe rreth 30 miliardë dollarë janë ndarë për rekrutimin e 10 000 agjentëve shtesë të Zbatimit të Ligjit Federal për Imigracionin (ICE) dhe forcimin e policisë kufitare.

Pentagoni, në veçanti, do të marrë 25 miliardë dollarë për të zhvilluar “Kupola e Artë”, sistemin e mbrojtjes nga raketat që Donald Trump donte të mbronte atdheun e SHBA-së.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të ketë një fond të ri prej 10 miliardë dollarësh për të dhënë grante për shtetet që kontribuojnë në politikën e imigracionit dhe operacionet e deportimit të administratës Trump.

Shkurtime të shpenzimeve sociale

Një pjesë e financimit për këtë shpenzim masiv mbështetet në shkurtime të rënda për Medicaid, programin e sigurimeve shëndetësore publike nga i cili varen miliona amerikanë me të ardhura të ulëta, si dhe për ndihmën ushqimore.

Po futen kufizime dhe formalitete të reja për t’u kualifikuar.

Për shembull, riregjistrimi në shërbime kërkohet çdo gjashtë muaj në vend të një herë në vit, dhe një minimum prej 80 orësh punë mujore kërkohet për të rriturit deri në moshën 65 vjeç, përveç rasteve kur përjashtohet ndryshe.

Sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit (CBO), e cila është përgjegjëse për vlerësimin e ndikimit të projektligjeve në financat publike në një mënyrë jo-partiake, gati 12 milionë amerikanë mund të humbasin sigurimin e tyre shëndetësor deri në vitin 2034, dhe tre milionë mund të humbasin aksesin në programin kryesor të ndihmës ushqimore të vendit (SNAP).

Më shumë se 71 milionë amerikanë mbështeten në Medicaid, dhe 40 milionë marrin këtë ndihmë ushqimore – një pjesë të kostos së së cilës ligjvënësit republikanë planifikojnë ta zhvendosin në shtete.

Për të kompensuar pjesërisht, është krijuar një fond prej 50 miliardë dollarësh gjatë pesë viteve për spitalet rurale.

Një dispozitë shkurton fondet federale për një vit për qendrat e Planifikimit Familjar që ofrojnë aborte.

Prapavijë ndaj energjisë së gjelbër

Projektligji përmbys shumë stimuj tatimorë për energjinë e rinovueshme dhe zgjidhjet me efikasitet energjetik të miratuara në vitin 2022 gjatë mandatit të mëparshëm të Joe Biden, veçanërisht për energjinë e erës.

Ai eliminon subvencionet federale për projektet e erës dhe diellit nëse ndërtimi i tyre nuk fillon brenda 12 muajve nga miratimi i ligjit ose nëse ato nuk vihen në punë para vitit 2028.

Ai i jep fund një kredie tatimore prej 7 500 dollarësh për blerjen e një automjeti elektrik që nga fundi i shtatorit, në vend të vitit 2032.

Analiza, qymyri i përdorur në prodhimin e çelikut tani përfiton nga një regjim i favorshëm tatimor.

Kreditet për energjinë bërthamore, gjeotermale dhe kapjen e karbonit ruhen.

Zgjerimi i deficitit

Një dispozitë e ligjit parashikon një rritje të tavanit të borxhit të SHBA-së me 5,0 trilionë dollarë.

Zyra e Buxhetit të Kongresit (CBO) vlerëson se ky “projektligj i madh dhe i bukur”, siç e ka quajtur Donald Trump, do të rrisë deficitin federal kumulativ me më shumë se 3,3 trilionë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.

Sipas analizave të pavarura, përfituesit kryesorë të këtij projektligji ”Të madh dhe të Bukur” do të jenë familjet më të pasura./  a.jor.

The post KOMENT – Masat efektive kryesore të buxhetit “Të madh dhe të bukur” të Trumpit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi miraton strategjinë kundër dezinformimit

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Kuvendi zhvilloi sot seancën e fundit plenare për këtë legjislaturë. Me votat e mazhorancës u miratuan disa projektligje, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme në sallë.

Kuvendi miratoi me 72 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër në tërësi projektligjin “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit”.

Kuvendi miratoi aktin normativ të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2025 me 71 vota pro, 0 absenim dhe 0 kundër.

Kuvendi miratoi në tërësi gjithashtu me 71 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeverisë së Republikës së Bullgarisë, qeverisë së Republikës së Kroacisë, qeverisë së Hungarisë, qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, qeverisë së Malit të Zi, qeverisë së Republikës së Serbisë, qeverisë së Republikës së Sllovakisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë për bashkëpunimin dhe koordinimin në fushën e kërkimit dhe shpëtimit ajror, nënshkruar në Ohër më 22.2.2023”.

Me 73 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e vendimit nr. 2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për lehtësimin e tregtisë elektronike””.

Gjatë seancës së sotme u miratua gjithashtu me 73 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër edhe projektligji “Për rezervat materiale të shtetit”.

Kuvendi miratoi në tërësi edhe projektligjin “Për markat tregtare” me 72 vota, 0 abstenim dhe 0 kundër.

Gjithashtu sot u miratua në tërësi edhe projektligji “Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë” me 73 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.

Me 73 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër u miratua edhe projektligji “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë””, i ndryshuar.

Kuvendi miratoi me 72 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër edhe projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”.

Gjithashtu u miratua në tërësi me 72 vota pro, 0 abstenim, 0 kundër edhe projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7764, datë 2.11.1993 “Për investimet e huaja””, i ndryshuar.

/m.q//r.e//a.f/

The post Kuvendi miraton strategjinë kundër dezinformimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Shqipëria nuk ka nevojë për amendamente fasadë”/ Reagon deputetja kundër projektligjit: Qeveria po tallet me…

3 July 2025 at 20:20

Tabaku deklaroi se amendamenti i propozuar nga deputeti socialist Shalsi – i cili shton thjesht një nen në ligjin e vitit 1993 – nuk përfaqëson as reformë dhe as përmbush angazhimet që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Europian apo ndaj partnerëve strategjikë si SHBA. “Kjo nuk është reformë, është një tallje me integrimin. Është një përpjekje për të bërë ‘gjysmë ligjesh’ që nuk sjellin asnjë ndryshim real,” u shpreh Tabaku.

Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht autore e vetme e një projektligji gjithëpërfshirës për kontrollin e investimeve të huaja, Jorida Tabaku, ka denoncuar në Kuvend përpjekjen e mazhorancës për të kaluar një ndryshim të fragmentuar e të pavlerë në ligjin për investimet.

Deputetja theksoi se për hartimin e nismës së saj ligjore është konsultuar për gjashtë muaj me të gjitha dhomat e tregtisë, me Departamentin Amerikan të Tregtisë, ekspertë të sigurisë dhe të klimës së investimeve. Ajo paralajmëroi për rreziqet që i kanosen Shqipërisë nga mungesa e një kuadri ligjor serioz, veçanërisht në epokën e sfidave të reja globale, ku investitorë nga vende jo partnere po kërkojnë të fusin kapitalin në sektorë strategjikë.

“Në një kohë kur Wall Street Journal paralajmëron për rrezikun që Kina të dominojë zinxhirin e furnizimit të inteligjencës artificiale, Shqipëria nuk mund të rrijë me dyer hapur për investime të dyshimta në teknologji, siguri dhe media,” tha Tabaku. Ajo kërkoi anulimin e ligjit për investimet strategjike, të cilin e cilësoi si “ligjin më korruptiv të dhjetëvjeçarit të fundit” dhe që shkel të drejtat e pronës private, si dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

Në përfundim, Tabaku bëri thirrje për një reformë të plotë, serioze dhe transparente, e cila të mos mbështetet mbi ligje fasadë, por mbi standarde europiane që sjellin kapital cilësor, rrisin punësimin dhe garantojnë sigurinë kombëtare.

Fjalimi i plotë:

Një ditë më parë, gazeta prestigjioze Wall Street Journal analizoi betejën midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e inteligjencës artificiale. Rreziku i madh që ngre artikulli është se kompanitë kineze jo vetëm ofrojnë inteligjencë artificiale më lirë se SHBA, por gjithashtu po luftojnë për të marrë nën kontroll zinxhirin global të furnizimit për pajisjet që e mundësojnë atë. Ky është një alarm serioz: nuk është vetëm çështje ekonomie – është çështje sigurie kombëtare.

Vetëm ky fakt do të mjaftonte për të kuptuar me qetësi dhe maturi se çfarë dhe si duhet të përballet Shqipëria përballë rrezikut të investimeve që vijnë nga shtete që nuk janë partnerë strategjikë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në sektorë të ndjeshëm si telekomunikacioni, teknologjia ushtarake, mediat dhe sigurisht teknologjitë e inteligjencës artificiale. Nuk ka vend për naivitet. Ka vend për transparencë, maturi dhe vendimmarrje të përgjegjshme.

Beteja mes një tregu konkurrues dhe nevojës për kontroll të investimeve të huaja është një balancë delikate. Kjo peshore nuk duhet të përcaktohet vetëm nga angazhimi i këtij parlamenti, por nga pozicioni i Shqipërisë në aleancat strategjike dhe në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Bota po ndryshon dhe po kalon në një rend të ri botëror. Çdo investim sot duhet analizuar me kujdes. Jemi në një epokë të re pasigurie, që kërkon vendimmarrje të guximshme.

Për këto arsye, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, që nga shtatori i vitit të kaluar kam ndërmarrë një nismë për të hartuar një kuadër ligjor serioz që rregullon investimet e huaja direkte në vendin tonë. Një projektligj që u hartua për më shumë se gjashtë muaj, me kontribute nga dhomat e tregtisë, ekspertë të sigurisë, ekspertë të klimës së biznesit dhe në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin Amerikan të Tregtisë.

Dhjetë ditë pas zgjedhjeve, kolegu Shalsi paraqiti një nismë ligjore që nuk përfaqëson asnjë reformë të vërtetë, por një amendim të vetëm, një nen të shtuar në ligjin e vitit 1993. Një nen i vetëm që pretendohet se sjell reformë të plotë për analizën e investimeve të huaja. Ky është rasti tipik i një reforme fasadë, një përpjekje për të treguar se bëhet reformë, ndërkohë që realisht nuk ndryshon asgjë.

Kam këtu komunikimin zyrtar të Dhomës Amerikane të Tregtisë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku thuhet qartë se duhet hartuar një kuadër i plotë dhe serioz për investimet e huaja. Po ashtu, rekomandohet anullimi i ligjit për investimet strategjike, i përmendur vazhdimisht nga Komisioni Europian në raportet e progresit si një ligj i padrejtë dhe klientelist.

Ajo që ofron mazhoranca nuk është reformë. Është një tallje me procesin e integrimit. Siç ndodhi me ligjin për koncesionet, për komisionet hetimore, për partneritetin publik-privat, për prokurimet publike – gjithçka mbyllet në sirtarë dhe më pas del në formë gjysmake, pa transparencë dhe pa konsultim.

Sot Shqipëria nuk ka nevojë për improvizime apo ligje të një paragrafi. Ka nevojë për një kuadër të plotë, të integruar, të harmonizuar me acquis të BE-së, që mbron sigurinë kombëtare, të dhënat personale, pronën private dhe interesat e qytetarëve. Këtë synonte nisma jonë, dhe këtë do të kërkojmë derisa të bëhet realitet.

The post “Shqipëria nuk ka nevojë për amendamente fasadë”/ Reagon deputetja kundër projektligjit: Qeveria po tallet me… appeared first on Sot News | Lajme.

Pr/ligji i bashkëpronësisë, Mazniku: Transparencë për mirëmbajtjen e objekteve në bashkëpronësi të detyrueshme

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, ku theksoi se “qëllimi këtij projektligji është krijimi i një sistemi të drejtë të qëndrueshëm, transparent llogaridhënës dhe efikas për mirëmbajtjen e objekteve në bashkëpronësi të detyrueshme”.

Në fjalën e tij Mazniku tha se “ky projektligj është punuar për një kohë të gjatë thuajse një vit e gjysmë, duke filluar me hartimin e një dokumenti për situatën aktuale dhe zbatueshmërisë së legjislacionit në fuqi, atij ekzistues duke parë praktikat më të mira europiane në vende si Franca, Gjermania, Austria apo edhe në vende që kanë kaluar një situatë të ngjashme si Sllovenia, Kroacia apo Hungaria dhe për të kuptuar qasjet më të mira të mundshme”.

“Ky proces ka kaluar një fazë të gjerë diskutimi ndërinstitucional me shumë palë të interesuara me Shoqatën e bashkive, Shoqatën e Administratorëve, Universitetin e  Tiranës, Shoqatën e Gjyqtarëve, banka të nivelit të dytë, shoqatën e ndërtuesve, ndërtues etj.”, tha Mazniku.

Mazniku bëri të ditur se “nevoja për këtë projektligj lindi nga fakti se ne kemi një projektligj të vjetëruar, atë të 2009-s, që ka qenë i pazbatueshëm”.

“Janë 43200 banesa, ose 40% e totalit të banesave të cilat janë objekte me shumë kate që do të thotë ka një situatë bashkëpronësie. Ligji vendos për mënyrën se si funksionon bashkëjetesa e njerëzve pothuajse në 40% të qytetarëve të vendit. Një seri probleme të përditshmërisë, bashkëjetesës, së komunikimit, lidheshin me mënyrën sa administrohet bashkëpronësia”, tha Mazniku.

Më tej Mazniku u shpreh se “një pjesë e problemit që njerëzit sot kanë është se nuk dinë se cila pjesë e hapësirës është në bashkëpronësi. Ata kanë një dokument ku thuhet se jeni pronarë të një banese 65 m2 dhe keni 17 metra në bashkëpronësi”.

“Ligji krijon detyrimin që për çdo objekt të dalë një certifikatë e përbashkët bashkëpronësie. Të gjithë elementët që janë pjesë e bashkëpronësisë shënohen një certifikatë pronësie specifike”, tha Mazniku.

Sipas Maznikut, nisma krijon qartësinë se çfarë është prona në bashkëpronësi.

“Krijimi i një dokumenti të mirëfilltë se çfarë është në bashkëpronësi në atë objekt do të lehtësojë procesin e ndërveprimit mes njerëzve me konfliktet dhe palët e treta, sepse do të jenë të gjithë të qartë se çfarë kanë në bashkëpronësi”, tha Mazniku.

/k.s//r.e//a.f/

The post Pr/ligji i bashkëpronësisë, Mazniku: Transparencë për mirëmbajtjen e objekteve në bashkëpronësi të detyrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pr/ligji për patentat dhe certifikatat e mbrojtjes, Gonxhja: Sistem më efikas për mbrojtjen e pronësisë industriale

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se projektligji “Për Patentat, Modelet e Përdorimit dhe Certifikatat e Mbrojtjes Shtesë” ka për qëllim forcimin e bazës ligjore për zhvillimin teknologjik, ekonomik dhe inovativ të vendit tonë.

Gjatë prezantimit të këtij projektligji në Kuvend, Gonxhja tha se “ky projektligj vjen si pjesë integrale e procesit të përafrimit të legjislacionit kombëtar me acquis communitaire të Bashkimit Evropian, duke adresuar në mënyrë konkrete kriteret e përcaktuara në Kapitullin 7, atë të Pronësisë Intelektuale. Ky hap reflekton angazhimin tonë për modernizimin dhe konsolidimin e sistemit tonë të pronësisë industriale, stimulimin e inovacionit, mbrojtjen e investimeve në kërkim-zhvillim dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet evropiane dhe ato ndërkombëtare”.

Gonxhja tha se “objektivat kryesorë të këtij projektligji janë qartësisht të përcaktuara dhe synojnë: të krijojnë një kuadër ligjor të plotë, të konsoliduar dhe harmonizuar për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat shtesë; të garantojnë mbrojtje më efektive dhe më të zgjeruar ligjore për shpikësit dhe mbajtësit e të drejtave të pronësisë industriale; të sigurojnë zbatimin e drejtpërdrejtë të direktivave dhe rregulloreve specifike të Bashkimit Evropian; të plotësojnë objektivat strategjikë të Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022–2025, në funksion të reformimit dhe përafrimit të të gjithë kuadrit ligjor për objektet e pronësisë industriale”.

Një rëndësi e veçantë në këtë projektligj, vijoi Gonxhja, i kushtohet certifikatave të mbrojtjes shtesë, të cilat për herë të parë trajtohen në mënyrë shteruese, duke qenë element thelbësor në mbështetjen e inovacioneve në sektorin farmaceutik dhe në mbrojtjen e bimëve.

Sipas tij, përgatitja e këtij projektligji është bërë në përputhje të plotë me aktet përkatëse të Bashkimit Evropian.

“Megjithë përpjekjet tona më të mira, vlen të përmendet një sfidë që ka qenë objekt diskutimesh të shumta, lidhur me përafrimin e plotë me Direktivën 2004/48/EC të Parlamentit Europian dhe Këshillit, për zbatimin efektiv të të drejtave të pronësisë intelektuale. Në këtë drejtim, ka pasur diskutime intensive me Ministrinë e Drejtësisë dhe palët e tjera të përfshira, mbi përafrimin e disa dispozitave të kësaj direktive, të cilat kanë të bëjnë me procedurat e mbrojtjes së të drejtave në fushën e pronësisë industriale. Në përfundim të këtij procesi është arritur një kompromis i rëndësishëm, që megjithëse nuk reflekton plotësisht përafrimin e kërkuar nga Direktiva, përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në këtë proces”, theksoi Gonxhja.

Gonxhja u shpreh se “ky dialog institucional duhet të mbetet i hapur dhe të vijojë puna për të përmirësuar më tej kuadrin ligjor shqiptar, duke garantuar përputhshmëri të plotë me standardet evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Gonxhja ftoi deputetët ta miratojnë këtë projektligj të rëndësishëm, duke theksuar se “me miratimin e tij bëjmë një hap domethënës drejt një sistemi më të fortë dhe më efikas të mbrojtjes së pronësisë industriale, që mbështet inovacionin dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit tonë”.

/k.s//r.e//a.f/

The post Pr/ligji për patentat dhe certifikatat e mbrojtjes, Gonxhja: Sistem më efikas për mbrojtjen e pronësisë industriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pr/ligji “Për Markat Tregtare”, Gonxhja: Siguri më të madhe ligjore dhe treg të ndershëm

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për Markat Tregtare”, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm për të përafruar sistemin ligjor me acquis-in e Bashkimit Europian.

Në fjalën e tij Gonxhja tha se “ky projektligj garanton gjithashtu një kuadër ligjor bashkëkohor, të qartë dhe të zbatueshëm, i cili u përgjigjet nevojave të tregut shqiptar, sfidave të kohës dhe kërkesave të aktorëve ekonomikë”.

“Në praktikë, ky ligj rregullon jo vetëm çështjet që lidhen me markat tregtare, por edhe ato që kanë të bëjnë me objektet e tjera të pronësisë industriale si patentat, modelet e përdorimit, dizenjot industriale dhe treguesit gjeografikë. Kjo përqasje e përbashkët ka krijuar jo pak problematika në administrimin e çështjeve të markave, pasi procedurat dhe kërkesat për secilën kategori janë të veçanta dhe kërkojnë një trajtim të diferencuar. Në këtë kontekst, është vlerësuar e domosdoshme ndarja e rregullimit të markave tregtare përmes një ligji të posaçëm, duke marrë në konsideratë rëndësinë e veçantë që kanë sot markat në tregun e lirë, në garantimin e konkurrencës së ndershme, në mbrojtjen e konsumatorit dhe në krijimin e një klime të sigurt biznesi”, nënvizoi Gonxhja.

Gonxhja tha se ky projektligj sjell një sërë risish të rëndësishme.

“Ndër këto risi do të veçoja: rregullimin e plotë të marrëdhënieve juridike që lidhen me markat tregtare, duke përfshirë: procedurat e regjistrimit, të mbrojtjes dhe të administrimit të të drejtave mbi to; sigurimin e një mbrojtjeje më të fortë për të drejtën e markës, duke forcuar mjetet ligjore për të ndaluar shkeljet dhe për të ndëshkuar abuzimet që cenojnë pronësinë tregtare; harmonizimin e kuadrit ligjor shqiptar me dispozitat e BE-së dhe të organizmave ndërkombëtarë, duke përfshirë Direktivën 2015/2436 dhe Rregulloren (BE) 2017/1001, që garantojnë një trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë operatorët ekonomikë, vendas dhe të huaj; rregullimin e sistemit të regjistrimit dhe mbrojtjes së markave ndërkombëtare, të cilat regjistrohen në Zyrën Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe kanë efekt në territorin e Shqipërisë”, theksoi Gonxhja.

Një tjetër risi, tha Gonxhja, është përcaktimi i masave të detajuara administrative dhe civile që merren në rastet e shkeljeve të të drejtave të markave, përfshirë ndalimin e mallrave në treg, konfiskimin e tyre, ndalimin e shërbimeve që cenojnë markat tregtare si dhe bllokimin e pajisjeve dhe materialeve të përdorura për prodhimin e tyre.

Gonxhja vuri në dukje se në Shqipëri, konfliktet lidhur me të drejtat e markave janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.

“Tregu është bërë më konkurrues dhe më i hapur, ndërsa spekullimet dhe përpjekjet për të regjistruar marka të ngjashme ose identike me ato të regjistruara më parë janë bërë një shqetësim real për operatorët ekonomikë. Ky projektligj synon pikërisht të garantojë një siguri më të madhe ligjore, të ulë numrin e konflikteve dhe të krijojë një treg të ndershëm, të pastër dhe të përafruar me praktikat europiane”, theksoi Gonxhja.

Sipas tij, procesi i hartimit të këtij projektligji ka kaluar përmes një konsultimi të gjerë me organizatat ndërkombëtare të pronësisë intelektuale, me institucionet shqiptare të përfshira në këtë fushë, si dhe me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe profesionistëve të fushës.

“Projektligji “Për Markat Tregtare” është hartuar duke marrë në konsideratë:
Legjislacionin më të avancuar europian në këtë fushë, siç janë direktivat dhe rregulloret përkatëse të BE-së; Standardet ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO); Praktikat më të mira të vendeve të rajonit dhe më gjerë si dhe problematikat konkrete të hasura në praktikën administrative dhe gjyqësore në Shqipëri.

“Ky projektligj është gjithashtu një angazhim i parashikuar në Planin Kombëtar të Integrimit Europian dhe miratimi i tij është një hap tjetër i rëndësishëm drejt përmbushjes së detyrimeve tona në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ky projektligj nuk është thjesht një përditësim teknik i kuadrit ligjor, por një investim në të ardhmen e tregut shqiptar, në mbrojtjen e konsumatorit, në garantimin e konkurrencës së ndershme dhe në forcimin e pronësisë intelektuale si një aset ekonomik dhe zhvillimor. Me gjithë përpjekjet tona më të mira, vlen të përmendet një sfidë që ka qenë objekt diskutimesh të shumta, lidhur me përafrimin e plotë me Direktivën 2004/48/EC të Parlamentit Europian dhe Këshillit, për zbatimin efektiv të të drejtave të pronësisë intelektuale”, tha Gonxhja.

Gonxhja ftoi deputetët të miratojnë këtë projektligj, teksa theksoi se “me votimin e tij bëjmë një hap domethënës drejt një sistemi më të fortë dhe më efikas të mbrojtjes së pronësisë industriale, që mbështet inovacionin dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit tonë”.

/k.s//r.e//a.f/

The post Pr/ligji “Për Markat Tregtare”, Gonxhja: Siguri më të madhe ligjore dhe treg të ndershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pr/ligji “Për lehtësimin e tregtisë elektronike”, Gonxhja: Kuadër ligjor rajonal i harmonizuar me BE

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e vendimit nr. 2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për lehtësimin e tregtisë elektronike””.

Në fjalën e tij Gonxhja tha se “ky projektligj është hartuar duke marrë në konsideratë se tregtia elektronike rrit mundësitë e tregtimit në shumë sektorë, brenda dhe jashtë vendit,  si dhe duke patur në qendër të tij besimin e konsumatorit, sepse siguron nivel të lartë të mbrojtjes të tij”.

“Qëllimi i projektligjit është krijimi i kuadrit ligjor rajonal të harmonizuar me rregulloret e BE-së që do të garantojë lëvizjen e lirë të shërbimeve të shoqërisë së informacionit si dhe aspekte të mbrojtjes së konsumatorit lidhur me tregtinë elektronike, me qëllim garantimin e një niveli krahasueshmërisht të lartë të mbrojtjes së konsumatorit”, theksoi Gonxhja.

Gonxhja u shpreh se “tregtia elektronike po bëhet një pjesë e rëndësishme e ekonomisë dhe është jetike për bizneset që shesin produktet ose shërbimet e tyre në internet. Tregtia elektronike u jep bizneseve mundësinë për të arritur më shumë klientë sesa tregtia tradicionale e shitjes me pakicë”.

Tregtia elektronike, vijoi Gonxhja, vazhdon të zgjerohet me ritme të shpejta, e nxitur nga zhvillimet teknologjike, përmirësimi i platformave të pagesave dhe rritja e besimit të konsumatorëve ndaj blerjeve online.

“Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, tregtia elektronike jo vetëm që lehtëson qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve në nivel rajonal, por edhe krijon mundësi të reja për bizneset e vogla dhe të mesme që të konkurrojnë në tregun ndërkombëtar”, tha Gonxhja.

Gonxhja renditi disa nga përparësitë që synohen të arrihen dhe efektet e pritshme.

“Ky projektligj synon hartimin e një kuadri të harmonizuar ligjor të rregullave dhe parimeve kyçe për zhvillimin e tregtisë elektronike rajonale, në përputhje me acquis përkatëse të BE, me qëllim rritjen e lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve në rajon. Sigurohet mbështetje legjislative nga Palët, që në rast mosmarrëveshjeje ndërmjet ofruesit të shërbimit të shoqërisë së informacionit dhe marrësit të shërbimit, të sigurohet dhe të inkurajohet përdorimi i skemave të zgjidhjes jashtëgjyqësore, e gjithashtu njoftimin e Palëve ndërmjet tyre për vendimet e rëndësishme që marrin lidhur me shërbimet e shoqërisë së informacionit”, nënvizoi Gonxhja.

Gonxhja u shpreh se “gjithashtu synohet vendosja e bashkëpunimit administrativ ndërmjet Palëve, me mjetet e duhura duke vendosur dhe respektuar parimet e këtij bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve përgjegjëse të palëve për zbatimin e ligjeve në mënyrë efektive si dhe inkurajimi i hartimit të kodeve të sjelljes nga operatorët për të kontribuar në zbatimin e duhur të dispozitave të Vendimit”.

Projektligji është në përputhje me frymën e programit të qeverisë në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal si dhe Planin e Veprimit 2021 – 2024 për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

Gonxhja ftoi deputetët ta miratojnë këtë projektligj.

/k.s//r.e//a.f/

The post Pr/ligji “Për lehtësimin e tregtisë elektronike”, Gonxhja: Kuadër ligjor rajonal i harmonizuar me BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E dinit? Në Singapor, çdo person mbi 21 vjeç regjistrohet automatikisht si dhurues organesh

By: gaze tare
3 July 2025 at 13:40

Në Singapor, ligji i quajtur Human Organ Transplant Act (HOTA) parashikon që të gjithë qytetarët dhe rezidentët e përhershëm mbi 21 vjeç janë automatikisht të regjistruar si dhurues organesh. Kjo do të thotë se pas vdekjes, organet si veshkat, zemra, mëlçia dhe kornet mund të dhurohen në mënyrë automatike.

Megjithatë, kushdo që nuk dëshiron të jetë dhurues, mund të heqë dorë nga kjo detyrë. Por kjo ka një pasojë të rëndësishme: ata që zgjedhin të mos dhurojnë, renditen në fund të listës së pritjes për transplant, nëse ndonjëherë u nevojitet një organ.

Edhe pse me prioritet më të ulët, personat që nuk janë dhurues mund të marrin gjithsesi organ në rast nevoje.

Ky sistem synon të rrisë numrin e organeve të disponueshme për transplant dhe të shpëtojë më shumë jetë.

The post E dinit? Në Singapor, çdo person mbi 21 vjeç regjistrohet automatikisht si dhurues organesh appeared first on iconstyle.al.

Qeveria çon në Kuvend marrëveshjen me Bankën Evropiane për Investime për hekurudhën e Korridorit VIII

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Qeveria i propozoi sot Kuvendit për shqyrtim e miratim projektligjin për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e Korridorit VIII, faza I – Shqipëri”.

Pas shqyrtimit të projektligjit, me propozimin të Këshillit të Ministrave, Kuvendi do të vendosë për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri”.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/m.q//r.e//a.f/

The post Qeveria çon në Kuvend marrëveshjen me Bankën Evropiane për Investime për hekurudhën e Korridorit VIII appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trafikoi 1 ton kanabis drejt Italisë, arrestohet në Francë ish-truproja e Saimir Tahirit

1 July 2025 at 14:50

Gazeta Si – Paul (Agustin Deda), ish-truproja e ish-ministrit të BRendshëm Sajmir Tahiri është arrestuar në Francë, i dënuar si një pjesëtar i një organizate kriminale në Shqipëri.

50-vjeçari shpallur në kërkim për trafikim të mbi 1 ton kanabis dhe u kap në kuadër të operacionit “The Ëanted”, pas shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Interpol Tiranën dhe homologët në Paris.

“Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi Paul Deda, në bashkëpunim me shtetas shqiptarë dhe italianë, kanë tentuar të trafikojnë në Itali, nëpërmjet rrugës detare, 1016 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa të kultivuar në Shqipëri. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua në Bari, nga Policia italiane, ku gjithashtu u arrestuan 2 pjesëtarë të kësaj organizate kriminale”, njoftoi policia.

Deda është ish-truproja i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai rezulton i dënuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme me 8 vite heqje lirie për trafik droge dhe grup kriminal.

Ai u mor i pandehur bashkë me Hekuran Markun, po ashtu, ish-shoqërues i Tahirit dhe i dënuar në kuadër të dosjes së njohur “Shpirti”.

Deda dhe Marku u akuzuan  si të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kanabisit të drejtuar nga Ilirjan Duçellari. Ky grup akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike në sasi të mëdha në vitet 2017-2018.

Sipas SPAK, 2 truprojat kanë bashkëpunuar me italianë dhe një shqiptar për të trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Deda kërkoi azil politik në Francë, por siç duket është refuzuar dhe tashmë pritet të ekstradohet në Shqipëri.

The post Trafikoi 1 ton kanabis drejt Italisë, arrestohet në Francë ish-truproja e Saimir Tahirit appeared first on Gazeta Si.

❌
❌