Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 20 July 2025Main stream

Lirimi i hapësirave publike, kryeministri Rama: Çlirim i madh për komunitetin

20 July 2025 at 15:41

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të diel një foto që tregon lirimin e hapësirave publike të zëna më parë nga ndërtimet pa leje, duke e cilësuar këtë si një “çlirim të madh” për komunitetin dhe për këmbësorët.

Kryeministri paralajmëron gjithashtu se të gjitha ndërtimet pa leje që zënë hapësirat publike do të largohen, pavarësisht rezistencës. Ai thekson se edhe ato objekte që ende nuk janë shembur do të prishen, ndërsa ndërtuesit që nuk bashkëpunojnë do të përballen me gjoba të kripura.

“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit. Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptua”, ka shkruar kryeministri Rama.

The post Lirimi i hapësirave publike, kryeministri Rama: Çlirim i madh për komunitetin appeared first on Telegrafi.

Prishja e luhatëses në Skenderaj, të lënduarit jashtë rrezikut për jetë

20 July 2025 at 15:31

Tre nga gjashtë personat që u lënduan si pasojë e prishjes së një luhatëse në Skenderaj, janë liruar nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës të njëjtën ditë që janë pranuar për trajtim mjekësor.

Të lënduarat, përfshirë edhe një të mitur, fillimisht kishin pranuar ndihmën e parë në Qendrën Emergjente në Skenderaj, ndërsa tre prej tyre, për shkak të natyrës së lëndimeve, ishin transferuar për trajtim të mëtejshëm në Mitrovicë.

Sipas kryeinfermierit të spitalit të përgjithshëm në Mitrovicë Agron Sumici, të lënduarat kanë pasur lëndime të lehta trupore.

“Pas orës 19:00 në mbrëmje kanë ardhur tre femra të lënduara nga [rrëzimi nga] luhatësja, që ka ndodhur në Skenderaj, njëra është e moshës 22 vjeçare, njëra është 18 vjeçare dhe njëra është diku 13 vjeçare. Lëndime të lehta të gjitha kanë pasur, nuk ka pasur ndonjë lëndim të madh serioz dhe pas trajtimit në emergjencë janë liruar për në shtëpi”, deklaroi ai për KosovaPress.

Rasti ka ndodhur të shtunën ku gjashtë persona, prej të cilëve tre të mitur, u lënduan pasi u rrëzuan si pasojë e prishjes së një luhatëse në rrugën Fatmir Dibra, në Skenderaj.

“Lidhur me rastin, janë intervistuar dy të dyshuar – pronari dhe punëtori i lojërave dhe e me pas me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia e Kosovës./kp/

The post Prishja e luhatëses në Skenderaj, të lënduarit jashtë rrezikut për jetë appeared first on Telegrafi.

Mustafa kritikon qeverinë në detyrë: Kushtetuta nuk lejon dy poste, mospërfillja sjell përgjegjësi ligjore

20 July 2025 at 15:22

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kujtuar një vendim të ndërmarrë gjatë mandatit të tij në vitin 2017 për lirimin nga detyra të disa anëtarëve të kabinetit qeveritar, të cilët sapo kishin fituar mandatin si deputetë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës edhe në mungesë të ligjeve specifike.

Mustafa përmes një postimi në rrjetin social Facebook thekson se këtë veprim e kishte marrë në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore në atë vit.

“Në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, në konsultim me Zyrën Ligjore të KM dhe me këshilltarin juridik të Kryeministrit, që sot është kryetar i Odës së Avokatëve, në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës, si kryeministër në detyrë lirova nga detyra një zëvendëskryeministër dhe 8 ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit. Qeveritarët e liruar nga detyra ishin: Ramiz Kelmendi, zëvendëskryeministër, ministrat; dr. Kujtim Shala, dr, Avdullah Hoti, dr. Enver Hoxhaj, dr, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, dr, Hykmete Bajrami, Arban Abrashi dhe Rasim Demiri”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, qëllimi nuk ishte të tregohej si shembull i zbatimit të Kushtetutës, por të shmangej shkelja e saj.

“Këtë veprim nuk e ndërmorëm që të jemi shembull i zbatimit të Kushtetutës, por që të preventojmë të mos bëhemi shembull i shkeljes së saj”, ka shkruar Mustafa.

Ish-kryeministri shton se të gjithë zyrtarët e liruar nga detyra në atë kohë e kishin kërkuar vetë largimin për të respektuar mandatin e tyre të ri si deputetë dhe për të shmangur
mospërputhshmëri kushtetuese.

Ai rikujton se në atë kohë mungonte Ligji për Qeverinë, por tashmë ekziston një bazë e qartë ligjore.

“Edhe pse në atë kohë Kosova nuk e kishte Ligjin për Qeverinë, i cili tani në mënyrë eksplicite e bën ligjërisht të detyrueshme normën kushtetuese se asnjë person nuk mundet në të njëjtën kohë të ushtrojë pozita ekzekutive dhe ato legjislative”, shprehet Mustafa.

Mustafa ka shprehur shqetësim për qëndrimin në pushtet në kundërshtim me Kushtetutën dhe paralajmëron përgjegjësi ligjore.

“Qeveria në detyrë nuk duhet t’i lejojë vetes veprim antikushtetues dhe të qëndrojë në pushtet në shkelje të ligjit. Atëherë jo vetëm se do duhej dhënë përgjegjësi për veprime jo legale dhe jo legjitime, por edhe të pret përgjegjësia individuale para ligjit për pasojat e krijuara nga mospërfillja e gjyqësorit”, ka shkruar Mustafa. /Telegrafi/

The post Mustafa kritikon qeverinë në detyrë: Kushtetuta nuk lejon dy poste, mospërfillja sjell përgjegjësi ligjore appeared first on Telegrafi.

Interesimi për universitetet publike në Kosovë po bie nga viti në vit

20 July 2025 at 13:38

Numri i kandidatëve për studentë në Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë, sidomos në ato publike, viteve të fundit ka shënuar rënie.

Njohës të fushës së arsimit po vlerësojnë së rënia e natalitetit, largimi i të rinjve nga Kosova dhe numri i madh i institucioneve publike dhe private në vend, ka ndikuar në rënien e numrit të studentëve në universitetet publike.

Interesimi për universitetet publike në Kosovë ka rënë ndër vite, për shkak të disa faktorëve. Njohësja e fushës së Arsimit, Bardha Qollaku, i tha Radio Kosovës së sipas statistikave, numri i studentëve në universitetet publike dhe ato private është pothuajse i njëjtë.

Tutje, ajo tha se interesimi i të rinjve për t’u regjistruar në institucionet private është edhe çështja e kritereve më të lehta.

“Statistikat që i marrim nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë një pjesëmarrje gati të barabartë të prezencës së studenteve në universitet publike me ato private. Kemi diku 43 deri në 47 për qind të prezencës së studenteve në universitetet private në krahasim me ato publike. Ajo që vlen të thuhet është se viteve të fundit kemi një rënie të përgjithshme të studentëve në të gjitha universitetet. Arsyeja pse studentët zgjedhin universitet private është se në universitetet publike ka provime pranuese dhe studentët e kanë vështirë të pranohen në disa fusha specifike për shkak të kritereve të provimeve pranuese. Ndërsa, në universitetet private nuk aplikohen në shumicën e rasteve kriteret për pranim siç është, nota mesatare apo rezultati i Maturës Shtetërore”, tha Qollaku

Drejtori i organizatës që merret më vlerësimin e arsimit në Kosovë “Teach for Kosova”, Egzon Gashi, i tha Radio Kosovës se rënia e natalitetit dhe numri i madh i institucioneve të larta arsimore publike dhe private, po ndikon që tash në universitet publike të kenë me pak studentë.

“ Viteve të fundit kemi më pak fëmijë të regjistruar edhe në shkollat fillore e kjo sigurisht po ndikon që edhe në universitete të kemi më pak studentë. Dhe faktori i dytë që është shumë i rëndësishëm është fakti që kemi shumë fakultete publike dhe kolegje private nëpër Kosovë. Unë mendoj që universitetet dhe shkollat nuk duhet të jenë profitabile, sepse po regjistrojnë nxënës të cilët nuk po arrijnë të regjistrohen në universitet publike. Unë mendoj që edhe për sa u përket universiteteve publik dhe atyre private, e kemi tejkaluar numrin”, tha Gashi.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, i tha Radio Kosovës se kjo agjenci ka rritur standardet dhe se shumë institucione të arsimit të lartë privat në vend nuk arrijnë të plotësojnë kriteret.

“ Si agjenci kemi ngritur jashtëzakonisht shumë standardet për procesin e akreditimit. Shumë institucione të arsimit të lartë private nuk kanë mundur që të plotësojnë ato standarde. Komisioni Evropian në një raport para dy viteve thotë se numri i institucioneve të arsimit të lartë dhe e kuotave të studentëve është reduktuar nga Agjencia e Akreditimit bazuar në kriteret e cilësisë”, tha Gashi

Edhe profesori universitar, Blerim Rexhaj, ka vlerësuar se për shumë të rinj, programet në Institucionet e Arsimit të Lartë Private janë zgjedhja e parë – andaj edhe institucionet publike duhet t’i rishikojnë programet dhe politikat e tyre dhe të vendosin mekanizma përkatës të ri-kthimit të tregut të humbur të maturantëve.

Sipas Rexhajt në Universitetin e Prishtinës disa programe pati konkurrencë të lartë, në të tjera u plotësua më pak se 30 % e kuotës. Ai thotë se ky është një sinjal i qartë se planifikimi duhet rishikuar dhe se UP-ja dhe MASHTI duhet të balancojnë kërkesat e stafit akademik me realitetin e tregut dhe se studentët të mos humbin kohë në një program që nuk u përshtatet dhe tregu i punës të marrë të diplomuarit më të përgatitur në fushën e duhur. Ai e sheh të rëndësishëm edhe orientimin e hershëm në karrierë dhe lobimin për universitet publike.

Në vitin 2025 Testit Shtetëror të Maturës i janë nënshtruar 18.130 maturantë./rtk/

The post Interesimi për universitetet publike në Kosovë po bie nga viti në vit appeared first on Telegrafi.

Fluks i madh në Morinë, mbi 380 mijë qytetarë kanë hyrë në Shqipëri brenda dy javëve

20 July 2025 at 13:30

Pika kufitare e Morinës, që lidh Shqipërinë me Kosovën po përjeton ditët më të ngarkuara të sezonit turistik.

Nga data 1 deri më 17 korrik 2025, janë përpunuar 386,868 hyrje dhe 409,595 dalje të shtetasve, me mbi 250 mijë mjete që kanë kaluar kufirin në të dy drejtimet.

Ky fluks përbën një rekord të ri krahasuar me vitet e kaluara, i cili përfshin, pushues nga Kosova që udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar.

Udhëtarë nga vendet e BE-së që kalojnë tranzit në Shqipëri drejt Kosovës. Mërgimtarë që rikthehen në vendlindje për pushime. Për përballimin e fluksit janë vendosur në funksion 7 sportele pune, të ndara sipas kategorive të mjeteve.

Me rreth 800 mijë shtetas që kanë hyrë e dalë vetëm në dy javët e para të korrikut, pika kufitare Morinë mbetet një arterie jetike e lëvizjes në rajon.

Për autoritetet kufitare, sfida është e përditshme: të garantojnë siguri dhe shpejtësi, ndërsa qytetarët kërkojnë më pak pritje dhe më shumë efikasitet.

Përveç Morinës, masa janë marrë edhe në pikat e tjera kufitare nën varësinë e Drejtorisë Vendore për Kufirin Kukës, për të përballuar fluksin e lartë të sezonit veror. /tch/

The post Fluks i madh në Morinë, mbi 380 mijë qytetarë kanë hyrë në Shqipëri brenda dy javëve appeared first on Telegrafi.

Shqipëri, 9 vatra zjarri mbeten ende aktive

20 July 2025 at 11:41

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten ende aktive.

Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Mallakastër, Roskovec, Vlorë, Himarë, Tepelenë, Përmet, Kurbin, Mirditë, Elbasan, Korçë, Selenicë, Kavajë, Kamëz, Tiranë, Shijak, Krujë dhe Malësi e Madhe.

Aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:

* Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, zjarri po zhvillohet në dy vatra të ndara – një në “Fusha e Pelave” aktive dhe tjetra mbi fshatin Gurë-Lurë nën monitorim.

* Bulqizë: Në “Livadhi i Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër aktive mbi fshatin Krajkë, në terren të vështirë me shkurre dhe dushqe.

* Mat: Në Zall Gjoçaj (“Përroi i Zi”), zonë e mbrojtur me pisha dhe ah; relievi i thyer e vështirëson ndërhyrjen.

* Dibër: Në Dovolan (Maqellarë), zjarri është riaktivizuar dhe po përhapet drejt Pejkës dhe zonës pranë Drinit të Zi.

* Mallakastër: Në fshatin Belishovë, zjarri i ardhur nga Drenova vijon aktiv.

* Vlorë: Në “Qafa e Shëngjergjit”, mbi Dukat (Orikum), është riaktivizuar një vatër në majën e Paliskës. Janë angazhuar forca vendore, FA dhe helikopteri.

* Tepelenë: Në afërsi të Beçishtit, pranë antenave celulare, zjarri është nën monitorim.

* Kurbin: Në Shkopet (Milot), pavarësisht përpjekjeve, nuk është arritur izolimi i zjarrit; janë djegur rreth 65 ha pyje.

* Elbasan/Librazhd: Në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq, zjarri ka përfshirë pyll gështenje me përmasa të mëdha.

Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 90 hektarësh të djegur.

Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë 44 automjete zjarrfikëse dhe 620 forca operacionale, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 110 efektivë, 5 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Ditën e sotme janë angazhuar 167 trupa të FA-së, 21 automjete me ekuipazh dhe 1 helikopter./tch/

The post Shqipëri, 9 vatra zjarri mbeten ende aktive appeared first on Telegrafi.

Zbulohen barna të kontrabanduara në Gjilan dhe Viti, vlera mbi 4 mijë euro

20 July 2025 at 11:31

Task Forca e përbashkët mes Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës ka zbuluar një rast të kontrabandës me barna gjatë një operacioni kontrolli në dy barnatore në qytetet e Gjilanit dhe Vitisë.

Sipas një komunikate zyrtare, gjatë kontrollit të detajuar në ambientet e brendshme të barnatoreve janë gjetur dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme barnash, për të cilat nuk ishte paraqitur asnjë dokumentacion doganor.

Autoritetet dyshojnë se këto produkte janë futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës, duke shmangur procedurat zyrtare të importit dhe detyrimet doganore.

“Vlera e barnave të sekuestruara kap shumën mbi 4000 euro. Dogana e Kosovës ka nisur tashmë procedurat hetimore ndaj pronarit të subjektit afarist dhe ka njoftuar organet përkatëse për veprimet e mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim.

Task Forca mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës, mbrojtjen e tregut të ligjshëm dhe sigurinë e qytetarëve. /Telegrafi/

The post Zbulohen barna të kontrabanduara në Gjilan dhe Viti, vlera mbi 4 mijë euro appeared first on Telegrafi.

Nga ankthi i përditshëm tek forca e brendshme – rrugëtimi emocional me diabetin i Lisa Mehmetit

20 July 2025 at 11:19

Pas muajve të tërë me simptoma të paqarta dhe të lodhshme, Lisa Mehmeti, themeluesja e komunitetit mbështetës “Tip1omel”, u përball me një nga momentet më të vështira të jetës së saj: diagnostikimin me diabet të tipit 1.

Për të ky ishte një rrugëtim i mbushur me paqartësi, ndjenja izolimi dhe frikë, por që sot ajo e ka kthyer në një mision për të ndihmuar të tjerët që përballen me të njëjtën sfidë.

Në një rrëfim për Telegrafin, Lisa Mehmeti ka treguar për ndjesitë e para që kishte kur kuptoi diagnozën dhe si arriti të menaxhonte stresin dhe ankthin.

“Pas shumë muajsh me simptoma të lodhshme dhe të paqarta, lodhje, etje të madhe, humbje peshe, shkova në shumë kontrolle dhe analiza, por asnjë mjek nuk po e kuptonte saktë çfarë kisha,” tregon Lisa.

Ishte një moment i papritur që ndryshoi gjithçka për të.

“Ishte gjyshja ime ajo që sugjeroi ta kontrolloja sheqerin në gjak, sepse simptomat i kujtonin asaj dikë tjetër në familje”, shprehet Lisa e duke shtuar se gjyshja e saj kishte të drejtë, analiza e glukozës konfirmoi diagnozën: diabet tip 1.

Për Lisen, ky lajm ishte një përzierje emocionesh.

“Ndihesha e lehtësuar që më në fund e dija çfarë po më ndodhte, por nga ana tjetër isha e tronditur dhe e frikësuar për çfarë do të sillte kjo diagnozë në të ardhmen”, thotë ajo.

Jeta e saj ndryshoi menjëherë. Lisa duhej të mësonte një mënyrë tjetër të jetesës.

“Duhej të mësoja të monitoroja glukozën, të bëja injeksione me insulinë dhe të isha shumë më e vëmendshme ndaj ushqimit që haja. Çdo ditë kërkonte shumë kujdes. Ishte si të mësoja një mënyrë të re jetese nga e para,” rrëfen ajo.

Por përtej përballjes fizike, ajo më e vështira për të ishte pjesa emocionale.

“Në fillim, ndihesha shumë e izoluar. Askush rreth meje nuk e kuptonte vërtet çfarë po përjetoja. Më kapnin ankth e frikë, veçanërisht natën, nga frika se mos më binte sheqeri në gjumë”, tregon Lisa Mehmeti.

Lisa shton se me kalimin e kohës, mësoi ta pranonte atë që tashmë ishte bërë pjesë e jetës së saj dhe ta menaxhonte më mirë, por për të emocionalisht ishte një sfidë e përditshme.

Një prej momenteve më të rënda që ka përjetuar ishte gjatë një kampingu në det.

“Kisha kaluar gjithë ditën duke notuar… natën, përjetova një hiperglikemi ekstreme, aq e rëndë sa fillova të shoh halucinacione. Ishte një përvojë shumë e frikshme dhe e pashpjegueshme në moment,” kujton ajo.

Që prej atij incidenti, Lisa është shumë më e kujdesshme.

“Gjithmonë mbaj me vete glukozë, dhe përpiqem të mos jem vetëm në situata të rrezikshme”.

Kjo përvojë e vështirë e shtyu Lisen të krijojë “Tip1omel”, një komunitet mbështetës për personat me diabet tip 1, me qëllim që askush të mos ndjehet i vetëm në këtë rrugëtim.

“Mbështetja më e vlefshme për mua është mirëkuptimi nga familjarët dhe miqtë, kur ata e kuptojnë që diabeti nuk është vetëm çështje ‘sheqeri’, por prekje e çdo aspekti të jetës,” shprehet Lisa.

Ajo thekson edhe rëndësinë e mbështetjes emocionale për personat e prekur me çfarëdo lloj sëmundje, e veçanërisht të prekurit me diabet.

“Do të më ndihmonte shumë të kisha më shumë akses në këshillim psikologjik për të mësuar të përballoj stresin dhe ankthin që lidhet me sëmundjen”, tha Lisa.

Sot, përmes “Tip1omel”, Lisa Mehmeti nuk është më vetëm dhe nuk lejon që as të tjerët të jenë.

Ajo është bërë zëri i atyre që shpesh mbeten të padukshëm në betejën e përditshme me diabetin. /Telegrafi/

“Ky artikull  është prodhuar në kuadër të aktivitetit “Media nxit diskutimin për angazhimin e pacientëve”, një partneritet ndërmjet Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe projektit Shërbimet Shëndetësore të Integruara (IHS), i cili është një nismë e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë. Përmbajtja e këtij artikulli nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e IHS-së apo AGK-së”.

The post Nga ankthi i përditshëm tek forca e brendshme – rrugëtimi emocional me diabetin i Lisa Mehmetit appeared first on Telegrafi.

Defekt në luhatëse në Skenderaj – gjashtë persona pësojnë lëndime trupore, përfshirë tre fëmijë

20 July 2025 at 09:40

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës rreth orës 23:20 në rrugën “Fatmir Dibra” në Skenderaj, ku gjashtë persona përfshirë tre të mitur, kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një defekti në një luhatëse.

Sipas Policisë së Kosovës, lëndimet u shkaktuan kur pajisja u prish papritur dhe të pranishmit u rrëzuan nga lartësia.

Të lënduarit fillimisht u dërguan në Qendrën Emergjente në Skenderaj, ndërsa tre prej tyre për shkak të natyrës së lëndimeve janë transferuar për trajtim të mëtejshëm në Spitalin e Mitrovicës.

Lidhur me rastin, janë intervistuar dy persona të dyshuar, pronari dhe një punëtor i atraksioneve të lojërave, të cilët janë liruar më pas me vendim të prokurorit në procedurë të rregullt.

Policia ka nisur hetimet nën dyshimin për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. /Telegrafi/

The post Defekt në luhatëse në Skenderaj – gjashtë persona pësojnë lëndime trupore, përfshirë tre fëmijë appeared first on Telegrafi.

Rama: Vijon sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë

19 July 2025 at 23:31

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama tregon produktet e bllokuara në 6 ditë nga institucionet pasi tregtoheshin pa faturë.

Sipas kryeministrit, në gjashtë ditët e para të aksionit për kontrollin e tregut nga ushqimet që shiten pa faturë janë sekuestruar në total 32 ton produkte bulmeti, qumësht dhe mish.

janë kapur në total 32 ton produkte bulmeti, qumësht dhe mish.

“Vijon pa pushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund!”, shkruan kryeministri Rama në Facebook. /Telegrafi/

The post Rama: Vijon sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë appeared first on Telegrafi.

Vodhën cigare dhe mbi 4 mijë euro, arrestohen një burrë dhe një grua në veri të Mitrovicës

19 July 2025 at 23:19

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për një vjedhje të rëndë që ndodhi në një kioskë në rrugën “Kral Petri” në veri të Mitrovicës.

Sipas raportit, persona të panjohur hynë me forcë në objekt dhe vodhën 141 paketa cigare dhe një shumë parash me vlerë rreth 4,700 euro.

Pas një hetimi të shpejtë, njësitë policore identifikuan dhe arrestuan dy të dyshuarit: E.H., 44 vjeç, mashkull, dhe S.M., 39 vjeç, femër.

“Të njëjtit janë arrestuar në qytetin e Mitrovicës së Veriut, ku gjatë kontrollit në lokacionin e tyre janë gjetur dhe sekuestruar 141 pako (boksa) me cigare, të cilat dyshohen se janë të vjedhura”, thuhet në njoftim.

Të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të Prokurorit, ndërsa ndaj tyre është iniciuar procedurë penale për veprën “vjedhje e rëndë”.

Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë të sigurojë rendin dhe ligjin, duke u angazhuar që çdo shkelës të marrë përgjegjësinë ligjore dhe të mbrojë sigurinë e qytetarëve. /Telegrafi/

 

The post Vodhën cigare dhe mbi 4 mijë euro, arrestohen një burrë dhe një grua në veri të Mitrovicës appeared first on Telegrafi.

Shqelma, grushte e kapje për flokësh – përleshen disa vajza në një pompë derivatesh në rrugën për në Matiçan

19 July 2025 at 23:14

Një rrahje mes disa vajzave ka ndodhur të shtunën mbrëma pranë një pompe derivatesh.

E gjithë ngjarja ka ndodhur rrugës për në Matiçan të Prishtinës, ku siç shihet në pamje, të përfshirat janë shkulur për flokësh dhe kanë shpërndarë grushte mes vete.

Pamjet janë siguruar nga Gazeta Express, teksa nuk dihet nëse ka të arrestuar.

Telegrafi ka provuar të marrë informacione nga Policia e Kosovës, por të njëjtit nuk janë përgjigur deri më tani. /Telegrafi/

The post Shqelma, grushte e kapje për flokësh – përleshen disa vajza në një pompë derivatesh në rrugën për në Matiçan appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit

19 July 2025 at 21:28

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, sonte në Prizren ka prezantuar publikisht kandidatin e partisë së tij për kryetar komune.

Në një ngjarje të mbajtur në sheshin Kej, përballë Xhamisë së Sinan Pashës në qendër të Prizrenit, u bë e ditur se kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025 është Artan Abrashi.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se Abrashi është një figurë me vizion, i ndershëm dhe punëtor, duke theksuar se Vetëvendosje po hyn në këto zgjedhje me një ekip të fortë dhe një program të qartë për ndryshim dhe përparim në qytet.

Zyrtarët e partisë bënë të ditur se gjatë fushatës zgjedhore do të ketë takime të tjera me qytetarët në të gjitha lagjet e Prizrenit. /RTK/

The post Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

Ilir Poroshtica zyrtarizohet kandidat i GUXO-s për kryetar të Gjilanit

19 July 2025 at 21:04

Partia GUXO ka zyrtarizuar kandidaturën e arkitektit të njohur Ilir Poroshtica për Kryetar të Komunës së Gjilanit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e partisë, Donika Gërvalla, përmes një postimi publik.

“Arkitekti i njohur, qytetari shembullor dhe njeriu i mirë dhe punëtor i këtij vendi, Ilir Poroshtica, do të jetë kandidat për Kryetar të Gjilanit nga Partia GUXO,” ka shkruar Gërvalla, duke e cilësuar kandidaturën si një hap serioz drejt zhvillimit të komunës.

Sipas saj, Poroshtica po hyn në këtë garë me “vendosmërinë dhe sigurinë, por edhe me modestinë e një profesionisti kulminant”, duke theksuar se “fituesit e vërtetë do të jenë qytetarët e Gjilanit”.

Ilir Poroshtica është i njohur në Gjilan si arkitekt dhe sipërmarrës i suksesshëm, me projekte të shumta në sektorin privat.

“Si një menaxher i shkëlqyer, këtë përvojë dhe sukses ai dëshiron ta sjellë edhe në sektorin publik”, tha Gërvalla, duke shtuar se për këtë i duhet besimi i qytetarëve të mrekullueshëm të Gjilanit/

Ajo theksoi gjithashtu se një nga synimet kryesore të ekipit të Poroshticës do të jetë “tërheqja e personaliteteve me përvojë në administratë dhe profesionistëve të fushave të ndryshme”.

“Gjilanit i duhet një ekip i tillë dhe një frymë e tillë. Dhe kjo frymë po vjen me Ilirin”, ka shkruar Gërvalla. /Telegrafi/

The post Ilir Poroshtica zyrtarizohet kandidat i GUXO-s për kryetar të Gjilanit appeared first on Telegrafi.

Humb jetën 32-vjeçari në Shëngjin, ra në kontakt me rrymën dhe pastaj u rrëzua nga skelet

19 July 2025 at 19:42

Një 32-vjeçar ka humbur jetën pasditen e sotme teksa po montonte disa skela në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit pranë bustit “Willson”.

Sipas policisë, sot rreth orës 16:45 dyshohet se 32-vjeçari me iniciale Z.L ka rënë nga lartësia si pasojë e kontaktit me rrymën dhe ka humbur jetën.

Ndërkaq, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 16:45, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, pranë bustit “Ëillson”, dyshohet se, si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike, ka rënë nga lartësia e një skele dhe ka humbur jetën shtetasi Z. L., 32 vjeç, banues në fshatin Mërqi, Lezhë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë./rtsh/

The post Humb jetën 32-vjeçari në Shëngjin, ra në kontakt me rrymën dhe pastaj u rrëzua nga skelet appeared first on Telegrafi.

Forcat shqiptare të KFOR-it në stërvitje të përbashkët me NATO-n në Pejë

19 July 2025 at 19:34

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka njoftuar se efektivët e Batalionit Komando, pjesë e Misionit KFOR 07 në Komandën Rajonale Perëndimore po stërviten në Pejë.

“Efektivët e Batalionit Komando, pjesë e Misionit KFOR 07 në Komandën Rajonale Perëndimore (RC-ë), vazhdojnë të tregojnë profesionalizëm dhe përkushtim jo vetëm në përmbushjen e detyrave operacionale, por edhe në stërvitjet e përbashkëta me aleatët tanë të NATO-s”, thuhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Facebook.

Stërvitja HELI MEDEVAC, ishte e fokusuar në evakuimin mjekësor ajror. /Telegrafi/

The post Forcat shqiptare të KFOR-it në stërvitje të përbashkët me NATO-n në Pejë appeared first on Telegrafi.

Zjarret në Shqipëri – 4 vatra ende aktive, dëme të mëdha në pyje dhe ullishte

19 July 2025 at 19:06

Situata me zjarret mbetet ende problematike në vendin tonë. 20 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit. 4 prej tyre vijojnë të jenë ende aktive.

Në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës janë dy vatra zjarri, njëra po zhvillohet në drejtim të Lurës, ndërsa tjetra nga krahu i Malit të Dejës.

Në zonën e “Malit të Peladhisë”, pjesë e Bashkisë Bulqizë është aktive një tjetër vatër zjarri e zhvendosur në lartësinë mbi fshatin Krajkë, e cila është në terren të vështirë.

Në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër, vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe, midis kufirit ndarës të fshatit Drenovë, Belishovë, dhe fshatit Gorishovë.

Në fshatin Borsh, bashkia Himarë, mbrëmjen e së premtes vatra e zjarrit është riaktivizuar. Gjatë natës efektivët kanë qëndruar në vendngjarje për të monitoruar situatën, por mëngjesin e së shtunës vatra e zjarrit është riaktivizuar përsëri, në një sipërfaqe me shkurre pranë banesave, e cila vështirëson ndërhyrjen, pasi është terren i vështirë.

52 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe rreth 90 rrënjë ullinj janë djegur si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë vendin tonë në 24 orët e fundit.

Për shuarjen e zjarreve u angazhuan 32 automjete zjarrfikëse dhe 275 forca operacionale.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast se konstatojnë një vatër zjarri./tch/

The post Zjarret në Shqipëri – 4 vatra ende aktive, dëme të mëdha në pyje dhe ullishte appeared first on Telegrafi.

U takuan pa zhurmë, përfundon takimi Kurti–Limaj

19 July 2025 at 16:49

Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj duket se kanë përfunduar takimin e shumëpërfolur këto ditë.

Ende nuk dihen detaje nëse ka pasur dakordim për ndonjë marrëveshje për të dalë nga kriza politike.

Megjithatë, Kurti është parë duke u larguar nga ambientet e një restoranti në lagjen Pejton të kryeqytetit, shumë afër selisë së NISMA-s.

Pamjet nga largimi i Kurtit janë publikuar nga mediumi “Nacionale”.

Kujtojmë se NISMA vijon të këmbëngulë për postin e kryeparlamentarit, siç deklaroi edhe deputetja Xhevahire Izmaku, e cila theksoi se Limaj në krye të Kuvendit është “mundësia më e mirë për vendin”.

Ndërkaq LVV nuk ka bërë të ditur nëse do të mund ta ndryshoj emrin e Albulena Haxhiut.

Afati për formimin e institucioneve përfundon më 26 korrik. Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se, në mungesë të marrëveshjes lënda do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. /Telegrafi/

The post U takuan pa zhurmë, përfundon takimi Kurti–Limaj appeared first on Telegrafi.

BE e shqetësuar për vonesat në Kosovë, Plani i Rritjes me afat të kufizuar

19 July 2025 at 16:37

Zyrtarët e Komisionit Evropian shprehin shqetësim për faktin se në Kosovë ende nuk janë formuar institucionet, gjë që po vonon ratifikimin e marrëveshjeve të nevojshme për zbatimin e Planit të Rritjes.

Kosova ka të drejtë të përfitojë nga fondet e parafinancimit menjëherë pasi të ratifikohen të gjitha marrëveshjet, por për këtë duhet së pari të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria e re.

“Plani i Rritjes është instrument me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që vendi të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ky Plan ofron për qytetarët e tij,” – thuhet në mesazhin e Komisionit Evropian.

Po ashtu, theksohet se vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve, mund të bëhet lirimi i fondeve.

Plani i Rritjes konsiderohet si paketa më ambicioze e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Bëhet fjalë për një fond prej 6 miliardë eurosh, që do të shpërndahet në formë grantesh dhe kredish me kushte të favorshme.

Në raport me numrin e banorëve, Kosova pritet të jetë përfituesja më e madhe, me mbi 880 milionë euro që mund të përfitojë nga kjo paketë./RTK/

The post BE e shqetësuar për vonesat në Kosovë, Plani i Rritjes me afat të kufizuar appeared first on Telegrafi.

Ramabaja: Krahu i SHIK-ut po përpiqet që takimi Kurti–Limaj të dështoj, por urtësia politike do të fitojë

19 July 2025 at 16:16

Analisti politik Sadri Ramabaja, ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke ngritur shqetësimin për përpjekjet e disa qarqeve për të penguar takimin e paralajmëruar ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Sipas Ramabajës, është linja e SHIK-ut ajo që po tenton ta sabotojë këtë takim, duke vepruar përmes ndikimit të saj brenda Kuvendit të Kosovës dhe partive politike, veçanërisht në PDK dhe LDK.

“Linja e SHIK-t, krahu rigjid i tij në Kuvendin e Kosovës dhe brenda partive (me theks PDK-së dhe LDK-së), edhe në minutat e fundit, po angazhohet që ta bëjë takimin Kurti–Limaj të dështuar”, shkruan Ramabaja.

Më tej, Ramabaja vlerëson se kjo linjë po përpiqet t’ia faturojë përgjegjësinë për një dështim të mundshëm Kurtit.

“Madje duke trumpetuar e paragjykuar për këtë si fajtor km Albin Kurti”, shkruan ai.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, analisti shpreh bindjen se liderët Kurti dhe Limaj do të arrijnë një marrëveshje dhe do ta kapërcejnë këtë sfidë politike me maturi dhe vizion.

“Urtësia politike e dyshes Kurti–Limaj do të ngadhënjejnë edhe në këtë përballje dhe ata do të arrijnë marrëveshjen që sot”, shprehet Ramabaja.

Ramabaja e sheh këtë bashkëpunim të mundshëm si bazë për formimin e qeverisë së re dhe një hap të rëndësishëm në mbrojtje të interesit shtetëror.

“Qeveria Kurti 3 po vije si produkt edhe i patriotizmit kushtetues të këtyre dy liderëve tanë. Mirënjohje!”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

The post Ramabaja: Krahu i SHIK-ut po përpiqet që takimi Kurti–Limaj të dështoj, por urtësia politike do të fitojë appeared first on Telegrafi.

❌
❌